18 December 2007

VETVETJA SI SIMBOL

VETVETJA SI SIMBOL

Çfarë do të vëmë ne shqiptarët si simbol, në kartën e identitetit?

KOLEC TRABOINI

Është e drejtë kur pohohet se simbolet janë huazuar e përdorur (a keqpërdorur) sipas orekseve të kohërave që vijnë. Për pesëqind vjet thuaj qe harruar, por u desh Konica të zbulonte flamurin e Skënderbeut e ne, tani si shqiptarë jemi kthyer në një simbol me dy koka si shqiponja jonë, kur kokën që kemi mbi supe, herë, herë me zi e mbajmë. E paçka se kjo shqiponjë nuk është vetëm e jona, e kanë edhe të tjerë, të marrë a rrëmbyer para a pas nesh, një zot e di. Madje nëse kërkojmë ende më thellë në të lashtat e historisë do të gjejmë një çudi, ne nuk kemi patur simbole as me shqiponja me çapokë e as pëllumba me degë ulliri në sqep, por thjeshtë një fushë, ca thonë e verdhë e ca thonë e blertë (kush e ka parë) e në të një gjarpër. Me këtë gjarpër në flamur mbroheshin ilirët, ndërsa romakët që na sulmonin deri sa na mundën e shkatërruan, kishin ca shqiponja allasoj, të marra edhe ato mesa duket nga Leka i Madh i Maqedonisë, ilirë e jo grekë sepse maqedonasit e lashtësisë nuk qenë grekë. Kjo puna e simboleve kështu ka vajtur në histori, ta rrëmbenin bashkë me lirinë e shpesh herë edhe jetën, sepse ka kombe e popuj që janë shuar e harruar bashkë me simbolet e tyre.Edhe Kryqi në të vërtetë nuk simbolizon vetëm Krishtin, por edhe mijëra shpirtra të tjerë të pafajshëm që vdiqën ne dy dru të kryqëzuara si ai. Mirëpo koha i dha një nuance të vetme këtij simboli pas vdekjes së Krishtit në kryq e për këtë, çdo lloj kryqi mbi faqen e dheut gjen urrejtjen e fanatikeve të feve tjera. Krejt kot e kanë...sepse dy dru të kryqëzuara nuk janë as Krishti e as krishterimi. Është njësoj sikur të urresh Hënën kur shfaqet përgjysmë vetëm pse këtë e kanë patur dikur si simbol pushtuesit tanë turq.Në Athinë gjatë viteve të mërgimit kam vënë re se kangjellat e një muzeu ishin të zbukuruara me simbolin e një kryqi të thyer. E jo një, por në çdo metër linear ishte një i tillë. Kurrkush ato nuk i merr për zvastika, kryqin e thyer të nazistëve, aq me tepër se ky muzeun është ndërtuar kohë më parë se të vinte Hitleri në fuqi, e se ky lloj kryqi njihej që nga lashtësia.Dita e Pashkëve ka qenë një festim popullor parakristian, por ndodhi që, sipas fesë së krishtere, Krishti u ngjall atë ditë dhe kështu ky festim popullor i Judës u kthye në festim gjithëpopullor të krishterimit botëror.Tani edhe Shamrocku si simbol i irlandezeve në të gjithë botën kështu duhet marrë. Pra, siç ja ka ngjitur koha përdhuni, duke harruar të gjitha çfarë kanë ngjarë para se të ngjizej me Shën Patrikun që është shenjtori mund ta themi kombëtar i Irlandës. Pra, në kohën që jetojmë, nuk mund të merret sikur fleta, gjethja ( e jo lulja siç thonë disa) nuk është simbol fetar, kur në të vërtetë i tillë është për irlandezet, të cilët e identifikojnë veten nacionalist si katolike, aq më tepër kjo për kundërvënie ndaj anglezeve protestane me të cilët kanë probleme të mbetura nga historia e që ende koha nuk i ka zgjidhur.Ka edhe ca simbole të tjera të përdorur nga feja si palma, dafina( e diela e larit), uji (i bekuar)... të cilat nuk e di si mund ti urrejmë apriori nëse dikush i përdor si simbole të përkatësive fetare a diç tjetër?! Para se të ktheheshin në simbole kanë qenë e vazhdojnë të jenë sende në përdorim të gjithkujt. Zoti e ka krijuar botën para se ajo të copëzohej shpirtërisht në disa konstitucione fetare. Tani se çfarë do të vëmë ne shqiptarët si simbol në kartën e identitetit, kjo nuk është vetëm një zgjidhje teknike por edhe një zgjidhje utilitare. Mesa duket, disa mendjengushtë në Tiranë, me kartat e identitetit duan ti thonë Evropës që jemi pjesë e saj...pra duan ta rrejnë sepse me tru jemi disa shekuj larg ...ende në kohë të qemanes, sa kohë që mjediset tona dalin ca tipa që për shkak të fanatizmit e memurllëkut kundërshtojnë mbi baza fetare e jo mbi një gjykim të civilizuar. Po fundja liria është liri, demokracia po ashtu, ndaj le t'u krijoje kjo liri e demokraci edhe atyre që me mendje e zemër, me trastë e kafshatë janë në Europë, jetojnë me euforinë e saj, duke u munduar ta gënjejnë edhe atë edhe veten me figura shenjtoresh, duke u shtirur me steril se vetë engjëjt e më katolikë se vetë Papa...Por ndërkohë, edhe atyre mendjegjerëve që ende jetojnë në kohën e sterrë të babës Sulltan, tu krijojë shteti mundësinë që në kartën e identitetit të tyre të përzgjedhin çfarë të duan, Mulla Omarin me një sy, xhaminë e Stambollit që dikur ka qenë Kisha e Shën Sofisë, por ju ndërrua identiteti me përdhunë duke vënë në vend të kryqit, gjysmëhënën. Po fundja, le të venë Hamza Kastriotin, Beqir Grebenenë, Haxhi Qamilin a ndonjë sojsëz tjetre, çfarë tu dojë zogu i qejfit sepse kujt i krisi se çfarë figurash mban në portofol ndonjë mendje krisur orienti apo aksidenti. Në këtë luftë të mbrapsht simbolesh, sa më përket mua si shqiptar, se paku që këtu e njëqind breza baballarësh, më mjafton fytyra ime, pa zogj e pa lule, pa kryq e pa gjysmëhënë, pa Krisht e pa Muhamet, pa Bude e pa Jude... thjeshtë ky që jam, shqiptar, simbol i të mjerës kohë, ku fati me ra në risk të jetoj, he mos qofsha!

Gazeta NDRYSHE, Tirane, 12 Dhjetor 2007



www.traboini.com