26 December 2008

VJESHTË POETIKE NË SHKUP E TETOVË - nga TRABOINI



VJESHTË POETIKE NË SHKUP E TETO

Nga KOLEC TRABOINI


Kjo vjeshtë ishte vërtetë simotërz e një pranvere. Stinët sikur i marrin njëra tjetrës klimën e ngjyrat. Koha e ngrohtë e gënjeu gjelbërimin e gjethet e pemëve thuajse harruan të marrin ngjyrën e kuqërremtë në të verdhë, kur klorofila shkon drejt asfiksisë e shuarjes së saj. Pikërisht, jo vjeshtë poetike na nxiti për të marrë një udhëtim në shtetin fqinj Maqedoni. Secili prej nesh kishte marrë librat e veta për ti bërë dhuratë në takimet në Shkup e Tetovë e kishim droje se mos na i ndalonin. Shihnim njeri tjetrin në sy ndërsa zgjasnim pasaportat në sportelin ku ndodhej oficeri me uniformën e policisë maqedonase të kufirit.

Në kufijtë e shteteve gjithkush duhet të jetë fjalëkursyer e me vemëndje të përqendruar. Veçmas ne shqiptarët që kemi përvoja të hidhura jo vetëm me Europën e Shegenit, por edhe me “muret e Berlinit“ ballkanik. Por sikur na erdhi gjaku në vend kur pamë në fytyrën e oficerit të kufirit fqinjë një buzëqeshje e mirësi tek na pyeste në gjuhën shqipe “Përse vini në Maqedoni?”.

Oficeri, pasi na vulosi pasaportat, na i ktheu duke na uruar suksese. E ndjemë veten me krahë sepse nuk do të shkonim në takimet letrare duarbosh. E falenderuam me gjithe zemër oficerin shqiptaro-maqedon. Secili prej nesh ka udhëtuar në këto vite nëpër vende të ndryshme të Botës. Ajo çfarë më impresionoj në kufirin shqiptaro-maqedon ishte se kurrë, në asnjë rast nuk e kisha kaluar aq lehtë kufijtë e shteteve. Morem çantat e rënda me libra në krahë duke bërë edhe ndonjë shaka për kalvaret e shkrimtarëve të cilët i vuajnë çastet kur perjetojnë ankthet e krijimit, por stërmundohen akoma më shumë kur i mbajnë në krahë librat. Ka ardhur një kohë kur të gjithë krijuesit i sheh me çantë në krahë tek shperndajneë krijimet e veta. Nuk gjen asnjë institucion a organizëm që të bëjë shpërndarjen e librave në Shqipëri, madje edhe kur kalojmë kufijtë shfaqemi si muhaxhirë me çantat e librave në krahë. Kur u ndodhën në brëndësi të kufirit të Maqedonisë, na u afrua një shofer taksie e na afroi sherbimin e vet plot mirësjellje. Ishte shqiptar dhe banonte në një fshat në mes të kufirit dhe Strugës. I thamë se jemi në udhëtim për Shkup dhe ai u tregua i gatshëm. Udhëtimi po na ecte mbarë. Shqiptarë në kufi, shqiptarë në taksi, madje siç do shihnim më vonë gjatë gjithë vizitës nuk u takuam me asnjë maqedonas sllavfolës, veç një

punonjëse të Hotel “Alba” në Shkup, që edhe ajo kish mësuar ca fjalë shqipe. Shoferi me te cilin udhëtonim ishte i ri në moshë dha na çuditi kur tha se kishte gjashtë fëmije. Të gjitha vajza, çfarë nuk ishte çudi të gjendej një ditë edhe me të shtatin sepse shqiptari tradicional gjithnjë e dëshëron një djale si shtyllë të shtëpisë. Kur i thamë këtë ai qeshi me përzemërsi. Gjatë gjithë rrugës na mbajti gjallë me histori e ngjarje nga jeta e shqiptarëve të Maqedonisë, ndërkohë që sfondi zanor ishte me muzikë shqiptare nga Tetova, Struga e valle Gostivari. E me që më të shumtit prej nesh nuk kishin udhëtuar më parë në këto troje, shoferi nuk mungoi të merrte përsipër rolin e ciceronit, duke na ndaluar herë pas here nëpër qëndrat e banuara, më së shumti me shqiptarë. I

ndryshëm për ne ishte vetëm peisazhi, të gjitha të tjerat thuajse na shfaqeshin të njëjta, gjuha, muzika, kalimtarët që na përshendesnin e po të mos ishin shënjat rrugore e reklamat e shkruara maqedonisht, do të na dukej vetja sikur ishim ende në Shqipëri. Zhvillimet e fundit pas luftës së shqiptarëve nën inicialet e UÇK, implementimi i Marrveshjes së Ohrit, pjesmarrja e partive politike në qeverisjen e vendit, ambicjet e shtetit maqedon për të hyrë në NATO dhe inkuadruar në bashkësinë europiane, kanë krijuar një klimë tjetër në mardhëniet e etnive në këtë shtet, si dhe mardhënie e fqinjësi më të mirë me Shqipërinë. Gjatë udhëtimit ndaluam në Strugë. Një qytet i bukur, veçmas në pjesën e vjetër të qytetit me pazarin e tij karakteristik ku njerëzit ishin të panumurtë. Ndaluam e pimë kafe me vëllain e shkrimtarit Agim Vinça, të cilin jo më pak se një jave më parë e kishim takuar në Elbasan ku kishte shkuar për të botuar një liber të vetin, pra si të thuash e kishte bërë të pranishem në Elbasan letërsia, siç ne na sillte letërsia në qytetin e tij Strugë. Në tryezen ku pinim kafenë strugare erdhi e ul edhe vëllai tjetër Vinça, një ish shofer që dikur në kohë të diktaturës bënte rrugën për në Shqipëri me një maune. Kohët kanë ndryshuar tha shoferi i vjetër, i vetmi ndër vellezrit Vinça që nuk kishte kurrfare interesi për letërsinë, tashmë kufijtë janë hapur e shqiptarët ndjehen mirë me njëri tjetrin. Në mes nesh ishte dhe një zonjë, e cila tek dëgjonte këto fjalë buzëqeshi. Ishte elbasanase dhe pas demokracise ishte martuar e jetonte në Strugë. Shkërmoqjen e kufijve, atyre mureve te gurte shqiptaro-shqiptare, me te llahtarshem se Muri i Berlinit e ndjemë edhe në atë kafenenë në pazarin e vjetër e të rinovuar të qytetit të Strugës.


Si e gjetëm kaltërsinë e Valbonës në Shkup


Shoferi strugar nuk ngutej të ndahej prej nesh, anipse kishin gjysëm ore që kishim arritur në qytetin sa të lashtë e të ri të Shkupit. Nuk ikte pa na dorëzuar tek mikëpritësit tanë, anipse kish kaluar mesdita e atij i duhet të kthehej sërisht në Strugë, ku e priste e shoqja dhe gjashtë vajzat si pëllumbesha shqiptare. I ra celularit në numurin qeë i dhamë dhe pas pak, aty tek monumenti i Skenderbeut na u shfaq mikpritsja jonë, Valbona Zunçe e shoqatës së krijuesve shqiptarë “Pushkin”. U tërhoqa paksa e i lashë rend pjestarëve të tjerë të grupit të takoheshin me shqiptaren e bukur të Shkupit me trupin si selvi. Ndërkohë po mendoja ca koiçidenca të çuditëshme me të cilat përballet njeriu. Ajo e kish emrin e një lumi në skajin më verilindor të Shqipërisë, lumë të cilin e njihja aq shumë ngase diku pranë tij kisha jetuar dy vjet të rinisë sime me uniformë ushtarake. Kur më erdh radha ta përshendes nuk u përmajta pa i thënë: - Çfarë intuite të magjishme paskan patur prindët e tu që t’a kanë vënë këtë emër. Ju jo veç emrin, por edhe sytë i keni të kaltër si Valbona!

Por kaltërsinë e lumit të Valbonës që kalon te këmbët e shkëmbit të Dragobisë, ne nuk e gjetëm vetëm tek sytë e shqiptarës shkupiane, por edhe tek zemrat e shqiptarëve të Shkupit që patëm rastin fatlum t’i takojmë e ti bëjmë miq për zemër. E këtu mund të përmend shumë emra, si poetja shkupiane Puntorie Ziba, poeti i pasionuar pas figurës së Pushkinit Bujar Ganija-Plloshtani, regjisori televizionit të Maqedonisë në gjuhën shqipe Faton Musliu,

kryeredaktori i Radio Shkupit në gjuhën shqipe Reshat Kamberi e tjerë. Ishte kënaqe

si të bisedoje me kryetarin e Komunës së Çairit Izet Mexhidi, i cili na rezervoi një takim të ngrohtë në zyren e tij, ku na shpalosi programin e zhvillimit të komunës që drejton. Shkupi në pikpamje administrative ndahet në dhjetë komuna, nga të cilat, për nga përbërja etnike, në tre prej tyre dominon popullsia shqiptare. Çairi me afro 65 mijë banorë, është ndoshta rajoni më i pazhvilluar e qytetit Shkupit, është Shkupi i vjetër, Çarshija, që ka dallime të mëdha nga ato pjesë të qytetit të ringrituar me një urbanistikë e infrastukturë moderne e megjithatë drejtuesit e kësaj komune kishin besim se në të ardhmen shumçka do të ndryshojë për mirë edhe në këtë pjesë të qytetit të Shkupit. Të nesërmen paradite Valbona Zunçe kish bërë kujdes të na programonte dy biseda për letërsinë dhe kulturën gjithëshqiptare në radio Shkupi dhe Televizionin Maqedonia, kanali 2 për kombësitë, ku vendin kryesor e zënë transmetimet në gjuhën shqipe. Natyrisht nuk është vendi në këtë shkrim të shpalosim tërë idetë e mendimet që u shprehen në

këto dy biseda që u zhvilluan, por gjithësesi një gjë mund të thuhet, që shqiptarët e kanë kohën e një lufte të re pas aq e aq luftrave me armë, ështe fjala për luftën në fushën e dijes e të kulturës. Popujt e Ballkanit e të Europës e dinë tashmë se shqiptarët në histori janë shquar për shpirtin luftarak, kjo për shkak të imponimeve e të sfidave që u kanë afruar e imponuar shekujt, por në kohrat e reja kur mbarë Europa shkon drejtë integrimit, është koha të shfaqemi me potenciale të reja në fushën e krijimit e të dijeve, të perqafimit të shkencës për përparimin e mirëqënien e njerëzve. Shqiptarët e Ballkanit kanë çfarë t’u tregojnë popujve të tjerë edhe në këtë fushë.


Tetova e trimërisë, e këngëve dhe diturisë


Në fillimet e veta, shteti maqedon që u shkëput nga ish Jugosllavia, jetonte ende në ethet e krijimit të një shteti nën shëmbëllesen e Serbisë, ku sllavët te kishin pushtet dhe kombësitë e tjera të ishin qytetarë të klasit të dytë, çfarë po e çonte vendin drejt vetshkatrrimit. Shqiptarëve ju imponua lufta si i vetmi mjet për të fituar të drejtat e veta. U desh ndërhyrja e europianeve që të shpëtohej Maqedonia e të shmangej përgjakja e metejshme e shpërbërja. Marreveshja e Ohrit më shumë se shqiptarëve etnike në trojet e veta, ju erdhi në ndihmë maqedonasve të cilet nuk po e kuptonin se po e shkatrronin shtetin e ri. Në të vertetë në biseda me shqiptarët e Shkupit, Tetovës e Strugës ndjehej pakënaqësia se Marreveshja e Ohrit ishte ende larg realizimit të aspiratave të tyre dhe kishte tendenca për t’ju shmangur

plotësimit të kerkesave të saj çfarë ka vënë në shqetësin dhe ndëerkombetarët. Mbase kjo pakënaqesi nuk është e hapur, ende jo publike por ajo ekziston dhe parlamenti e qeveritarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm për krjimin e një klime e mardhënie harmonike ku të gjithë qytetarët ta ndjejnë veten të barabartë, e ta zëmë të mos ndjehen aq të thella diferencat e trajtimit ekononmik, sepse shqiptarët e Shkupit, të Tetovës, të Gostovarit, Strugës e më gjërë janë të renduar së tepermi nga gjëndja e papunësisë që në statistika është shumë e shumë më e lartë se sa ajo e popullsisë sllavo-maqedonase. Teksa i afrohemi Tetovës veshtrimi na kap kurorat e qafat e maleve ku është zhvilluar teatri i luftimeve pak vite më parë. Ish komandantët tashmë janë politikanë e kanë edhe ndonjë kolltuk në qeverisje e parlament, por problemet e ushtarëve të thjeshtë ende nuk janë zgjidhur. Ata dorëzuan armët e ju kthyen jetës paqësore, por ju desh të përballonin një luftë tjetër, atë me varfërinë, ku ish

komandantët mungojnë të shfaqen sepse më të shumtit janë kthyer në hijë të së djeshmes... Ndoshta kjo luftë me varfërinë problematike ndër shqiptarë, bën që të ndjehet ende ndonjë acarim sado i vogël ndëretnik, që nuk është pa rrezik për të gjitha etnitë që përbëjnë shtetin e ri e të brishte e ende pa emër të njohur ndërkombtarisht, Maqedonisë... Me t’u futur në lagjet e para të Tetovës në imagjinatë më vjen imazhi i një grupi muzikor e jehona e këngëve që në vitin 1994-95 më shoqëronte në jeten si emigrant. Ish grupi muzikor “Elita 5” që mund ta dëgjoje në çdo shtëpi emigranti shqiptar në Athinë e anë e mbanë Greqisë. E çuditëshme por edhe një këngë në gjuhën tënde ndodh që të mban ndezur atdhedashurinë në kushtet e një izolimi të plotë e përndjekjeve prej fqinjëve shoveniste që nuk dëshëronin të kishte gjuhë shqipe e as komb shqiptar.

Hymë tek tempulli i dijes dhe atdhedashurisë, Universitetin Shtetror të Tetovës, i cili u krijua përmes sakrificave të mëdha deri në përleshje me forcat qeveritare të armatosura deri në dhëmbë. Krijimi i universitetit konsiderohej si punë armiqësore. Mediokrriteti i pushtetmbajtësve ishte i llahtarshëm. Antishqiptarizmi i tyre ishte i dukshëm dhe tregonte se sa poshtë kishin rënë, si të ishin inkuizitatorët e mesjetës. Rektori Dr.Fadil Sulejmani dhe studentët e

parë të Universitetit të Tetovës shiheshin si heronj nga shqiptarët e mbarë Botës. Kuptohet me çfarë emocioni u gjenda kur bashkë me miqtë e mi u takuam me zonjën Luljeta Isaku, dekane e Universitetit të Tetovës (tashmë i zyrtarizuar si universitet shtetror), e cila kishte pergatitur një takim të ngrohtë me studentët pasionantë të letërsisë.

Pas bisedës, shkrepje aparatesh fotografikë, autografët në librat e dhuruar për studentët por edhe për bibliotekën e Universitetit. Të shoqëruar nga përgjegjsi e bibliotekës së Universitetit Shtetëror, Rami Kamberi, shkuam në universitetin tjetër me emrin Universiteti i Europes Juglindore( UEJL) sepse Tetova tani ka dy universitete. Shefi i informimit të UEJL, Demush Bajrami na shpalosi programin e këtij universiteti modern, me paisje e laboratore mësimore të fjalës së fundit të teknikës dhe ku studiojnë jo vetëm djem e vajza shqiptare, por edhe maqedonas e nga shtetet e tjera të Europës.

Si pakuptuar ka rënë mbrëmja në Tetovë. Valbona dhe poeti Plloshtani ju duhet të kthehen në Shkup. Ky i fundit

nuk harron të na dhurojë me autograf librin e tij më të fundit me poezi “Nga regjia e shpirtit”. Nga buzët e Valbonës nuk mungon shprehja “ Na eni prap!” dhe shton “ se edhe unë vij shpesh në Tiranë”. Rami Kamberi bashkë me disa tetovas të tjerë, në mes të cilëve dhe një poet satirik na shoqërojnë në shetitjet e natës nëpër rrugët e Tetoveës. Aty pranë xhamisë së vjetër me muret e jashtme të pikturuara, Ramiu na tregon copëza nga historia e mundimeve të shqiptarëve nën Jugosllavinë e pasluftës së Dytë Botërore, kur nga komunistët jugosllave edhe në Tetovë u bënë krime të panumurta, veçse duke qënë diku në periferi e jashtë vemendjes publike të mediave të kohes, krimet e bëra këtu shpesh jane lënë në heshtje. Shumë nga nacionalistet u pushkatuan pa gjyq apo u kalben burgjeve nga të cilat nuk dolën kurrë. Vetë Ramiu me prindërit, prej përndjekjeve e burgosjeve, që i detyruar të iki e të jetoje në Kroaci. Po tani shumçka ka ndryshuar, ani pse ka ende shumë vend për ndryshime e përparime ekonomike e kulturore në jetën e shqiptarëve të Maqedonisë. Veçse kurrgjë nga historia nuk duhet harruar. E

djeshmja është një mësim për të sotmen e krenari për të nesermën, të cilën duhet ta presim me dinjitet. Vuajtja e qendresa është pjesë e historisë, ndaj duhet qëmtuar me kujdes që kurrkush të mos mendojë se liria e prosperiteti kanë ardhur si tortë në pjatat demagogjike të politikës. Sa më shumë të dimë çfarë kemi hequr, aq më e shtrejtë na bëhet liria, na thotë plot mençuri shqiptari deri në kockë, Rami Kamberi. Yjtë e shumtë e plot shkelqim në qiellin blu të thellë të Tetovës, puhiza e erës që rrëzohet prej kurorës së maleve të fshehura në errësirë, tej e përtej horizontit, të bëjnë të meditosh për të shkuarën, por edhe të kesh guxim për të ëndërruar të ardhmen...



Perla Ohri të bën të meditosh për

Pogradecin dhe Shkodrën


Duke parë deshirën tonë për të parë sa më shumë vende në rrugën e kthimit, sofreí devijoi nga linja që të çonte në Qafë Thanë e mori rrugën e Ohrit. Kisha dëgjuar për këtë qytet, por m’u shfaq shumë më mbreslënës nga çfarë e prisja. Dinim që duke qënë një qytet turistik e joshës për të pasurit, kishte fare pak shqiptarë. Por megjithatë, si nëpër rrugë por edhe në disa dyqane ku ndaluam, dëgjuam të flitej shqip. Madje u kërkuam ndihmën e dy vajzave shqiptare në një byrektore për të gjetur pikën ku shiteshin gazetat. Valbona Zunçe sapo na kishte lajmëruar me telefon se gazetat shqiptare të Shkupit i kishin bërë jehonë vizitës së grupit tonë. E gjetëm pikën e shitjes së gazetave në pazarin e bukur të Ohrit. Në sheshin në qender të qytetit të Ohrit lartohej monumenti madhështor i një shënjtori orthodokos. Lulishta në bregun e liqenit kishte plot trëndafila shumëngjyrësh, ndersa në mes të lulishteve kishte buste bronzi të shkrimtarëve e poetëve maqedonas. Ohri ishte jo vetëm i bukur por edhe i pastër. Çdo gjë shkelqente. Nuk shihje asnjë letër apo shishe nëpër rrugë, por as në bregun e liqenit. Të vënë gjoba të rënda nëse hedh ndonjë mbeturinë sado të vogël në rrugë apo në liqen, na tha shoqëruesi ynë, shoferi i Teqese së Tetovës. Qyteti kishte reliev, diku diku shtëpitë sikur lartoheshin mbi çati të njëra tjetrës. Si Berati ynë, e kjo e bënte pamjen fort të pelqyeshme. Ajr i fresket që të mbush mushkritë dhe e ndjen veten të lehtë. Qytet ku të duket se paqja vjen prej qiellit, pa asnjë zhurmë a e folur me zë të lartë, asnjë buri makine, ku vinë turistë nga gjithë bota për të gjetur nje qetësi thuajse ëngjëllore. Të rrëmbyer nga pamjet piktoreske të Ohrit, u vumë në garë kush të merrte pamjen më të bukur me aparatet tona fotografike digjitale. Por sado fotografist i varfër të ishe, çdo pamje e fiksuar të shpaloste bukuritë e këtij qyteti perlë punuar me aq dashuri nga dora e njeriut ndërtues e krijues. Ndërsa pinin kafenë aty përballë liqenit, mendimi më shkoi tek Pogradeci dhe Shkodra që janë qytete buzë liqeneve, por të lëna pas dore e për të dëshëruar e ku, gjithësecili hedh beton për hesap të vet, e, o Zot çfarë demagogjia, në media thuhet së përditë rriten e zbukurohen, pa e vrarë mendjen se qytetet tona, nën shëmbullin e mbrapsht të Tiranës po rriten si përbindesha betoni, shpatull në shpatull, pa parkinge, me fare pak hapsirë të gjelbër. Dhe vertetë sapo lamë pas pikën kufitare të Tushemishtit, kaluam Drilonin e na u shfaqen shtëpitë e para të qytetit të Pogradecit, u përballem me një rrugë të shkatrruar e me pluhura shekullor. Kurrkush nuk të thotë kurrgjë po të shohë të hedhësh nga dritarja e furgonit ndonjë kanaçe e shishe bosh pasi të jesh dëndur me lëngje. Është mbase më mirë Pogradeci, por pjesa buzeliqenore e qytetit të Shkodrës, ku shkova menjëherë pas kthimit nga Ohri, m’u shfaq me një mjerim të pashoq. E kështu frymëzimi që përftuam prej vjeshtës poetike tetovare, strugare dhe ohriane, na u davarit e zbeh sapo zbritëm në terrenin shtet-shqiptar ku mbizotëron politika, pluhuri dhe betoni.


Tiranë, vjeshtë 2008

02 December 2008

At Nikolla Marku shqiponjë Flamuri- nga Kolec Traboini

At Nikolla Marku dhe autori i shkrimit Kolec Traboini

AT NIKOLLA MARKU- SHQIPONJË FLAMURI NË KISHËN E SHËN MARISË, ELBASAN

nga KOLEC TRABOINI


Pranë mureve të lashta të Shën Marisë së Kalasë

Poeti Milanov Kallupi ( ndjese pastë) u tregua i gatshëm të na lidhte me At Nikolla Markun.
E kam timin- tha ndërsa pinim kafe në një lokal të qytetit të Elbasanit. I ra një numuri telefoni e pasi mbaroi bisedën u kthye nga ne. Mbaroi dhe kjo punë. Atë Nikolla ka kënaqësi t'ju takojë. Më pas poeti elbasanas na kujtoj se At Nikolla i përket një rrethi familjar që ka nxjerrë mjaft artistë, si të thuash krijimtarinë e artin e kanë në gen gjithë fisi Marku i Elbasanit.
Me kolegët Iliriana dhe Dilaver morëm rrugën rrëze mureve të kalasë duke kaluar nëpër ca rrugica të kalldrëmta. Ishte një buzëmbrëmje me një puhizë ere e me dukej se po udhëtoja nëpër kthinat e imagjinuara të historisë. Sikur më vinin zërat e malësorëve në gjah, me pasthirrma të largëta, siç i ka shkruar aq bukur babai i madh i Gjuhës shqipe, Kristoforidhi.
At Nikolla na priti plot përzemërsi në oborrin e Kishës. Sapo hymë në oborrin e vogël më ranë në sy disa trarë të vendosur në krahun e majtë, çfarë tregonte se këtu po bëheshin ca punime. Në të djathtë shfaqeshin muret e Kishës, e cila që në vështrimin e parë të impresiononte me vjetërsinë e saj. Në fasadë dy qenie mitologjike prej guri. Një kishë shumëshekullore. Mbase e ngritur dhe ringritur, tempull pas tempulli, madje është mendimi se akoma më herët, në zanafillën e saj,do të ketë qenë një tempull, akoma më thellë në lashtësi.
Biseda me At Nikollën nisi në oborrin e Kishës. Na rrëfen se kjo kishë e vjetër në këto trajta që është sot, daton nga viti 1566. Kjo vërtetë që një e papritur për ne, sepse dimë që pushtuesit otomanë kanë qenë të egër, mirëpo pa u mbushur një shekull pushtim kishin lejuar ngritjen e një kishe brenda qytetit kala. Kjo tregonte tolerance fetare. Përballë kishës ishte një ndërtesë, e vjetër edhe kjo por e mbajtur. Kjo, thotë At Nikolla, është Mësonjëtorja e parë shqipe e Elbasanit. At Nikolla nuk puqet kurrsesi me atë mendim absurd që mësonjëtorja e parë shqipe është ajo e Korçës, kurrsesi, sepse kjo e Elbasanit shënon vitin e krijimit në 1736. Pse duhet të tregohemi kaq mospërfillës dhe sakatues të historisë sonë?! Kjo mësonjëtore që ka ardhur përmes shekullit deri tek hapja e Normales së Elbasanit, jo vetëm që ka vetë histori, por ka qenë laike, kanë mësuar fëmijët e familjeve të krishtera, por edhe ato të myslimanëve, të esnafëve dhe tregtarëve të qytetit. Këtu është kultivuar toleranca dhe dashuria në mes të shqiptarëve pa dallim feje. Kjo ka qenë shkolla ku ka dhënë mësim Kostandin Kristoforidhi, njeriu ndër më të kulturuarit e kohës së vet, gjuhëtar i madh. At Nikolla na thotë se Kristoforidhi ishte edhe psallt i kësaj kishe të moçme, madje atje ruhet edhe vendi ku ai ka qëndruar. Kjo Mësojtore u kthye më vonë në shkollë ushtrimore për mësuesit e rinj që do të dilnin nga Normalja e Elbasanit. Këshilli i Kishës së Shën Marisë ka ndërmarrë nismën për ta bere shkolle për fëmijët me te meta fizike me emrin " Zërat e jetës" sepse emrin e Kristoforidhit e ka tashmë një shkollë tjetër.
Kthehemi me fytyrë nga muret e kishës së moçme. Ka nisur të bjerë muzgu por busti i vënë në piedestal në ballë të saj dallohet mirë. I afrohemi. Është busti i Konstandin Kristoforidhit. Një drithërimë na përshkon trupin kur Atë Nikolla na thotë se këtu pushojnë eshtrat e gjuhëtarit të madh. E varrosen këtu e jo në varreza, sepse Kristoforidhi kishte krijuar figurën e një personaliteti të madh dhe e donin të gjithë. Në të gjallë e në të vdekur e nderuan si një tribun i shqiptarizmës.




Faktin që jetoja e vija nga Bostoni, e nxiti At Markun të tregonte për vizitën që dikur kishte bërë në Amerikë. Pastaj ishte e natyrshme të flitej edhe për atë vizitë turpi, kur në Kishën e Fan Nolit kish shkelur këmba e uzurpatorit të Kishës Autoqefale Shqiptare, Janullatosit të Greqisë. E ku nuk shkeli këmba e misionarit të Greqise veç për të harruar e lënë nën hije figurën e Fan Nolit të madh.
E pyesim At Nikollën se si ndjehet përballë sulmeve që i bëjnë, herë me gjyqe e herë me dredhi e dinakëri ofertash. Nuk më lodhin gjyqet gjegjet At Nikolla. Nuk ma bën syri terr nga këto dinakë që duan të venë dorë në Kishën e Shen Marisë që ndjek udhën e Fan Nolit. Nuk ma tronditin besimin tim në këtë ideal fanolian, sa fetar aq kombëtar, asnjë lloj oferte lakmitare, por këta uzurpatorë antishqiptarë i kanë duart e gjata. Kur e shohin se nuk ja dalin dot ballë për ballë me darovitjet e tyre qëllim mbrapshta, përdorin disa forma të tjera. Mund të them se Kisha e Shën Marisë ndodhet para një bllokimi ekonomik. Këtë mënyrë po e përdorin me qëllim për ta asfiksuar. Tërë familja ime ndodhet nën këtë presion të jashtëzakonshëm. Qëllimi i tyre është që të mbetemi edhe pa kafshatën e gojës e t'u dorëzohemi grekëve. Kjo është një luftë fort e ligë. Kjo është një dinakëri fort e madhe. Grekrit po arrijnë të ndikojnë edhe tek segmentet e shtetit, tek nëpunës të cilët nuk e kanë për gjë të më pushojnë nga puna edhe pjesëtarët e familjes.
E megjithë këtë lufte, sa e dukshme aq e padukshme, At Nikolla me karakterin e tij të fortë arrin ta përballojë.
Hedhim sytë lart tek kumbanorja ku At Nikolla ka vënë Flamurin Shqiptar. Kjo është një sfidë që i tërbon uzurpatorët e Kishës Autoqefale Shqiptare. Ndoshta as gjumi nuk i zë nga dëshira e egër ta shohin atë flamur të zbritur, të shqyer e përbaltur.
At Nikolla na thotë se në këtë Kishë të vjetër sa vetë muret e kalasë, vinë jo vetëm besimtarë orthodoks, por edhe të besimeve të tjera, sepse ata qëndresën e At Nikollës e shohin edhe si qëndresën e tyre, me Atë Nikollën i bashkon atdhedashuria. Kur kemi festa fetare, thotë At Nikolla, ta zëmë Pashkët, ju them të pranishëmve në meshe të ndahen, në njërin krah besimtarët e feve të tjera, të cilëve së pari u servir vezët e kuqe. Ju shpreh mirënjohjen sepse ata vërtetë na e forcojnë besimin në qëllimin tonë kombëtar, toleranca e tyre buron nga atdhedashuria që kanë. Ne të gjithë jemi shqiptarë e vëllezër, ne të gjithë duhet të jemi të bashkuar në qëllimet kombëtare.
Tek e dëgjon të flasë me aq pathos për atdhedashurinë, At Nikolla me përngjan aq shumë me fetarët e mëdhenj, ndër të cilët të paharruarin Papa Kristo Negovani, i cili duhej shpallur shenjtori i Kishës Orthodokse Shqiptare, po kush ta bëjë këtë, uzurpatori grek apo puthadorët e tij shqiptarë, bukëshkalët e atdheut.
Më vjen ndërmend edhe një fakt domethënës. At Nikolla ka iniciuar që një rruge në Elbasan t'i vihet emri i studiuesit e veprimtarit arvanitas Aristidh Kolia, e kjo na e shton admirimin për këtë prift, të cilit nën rrobën fetare i rreth një zemër e madhe, shqiponjë shqiptare.






At Nikolla në mes të mrekullisë onufriane

Kalojmë përmes kolonave, në të djathtë të kishës dhe gjendemi pranë altarit. Është e pamundur të mos emocionohesh kur ndodhesh përpara një ikonostasi kaq të madh ku është derdhur një mjeshtri e pashoqe. Vende vende punuar me ar. Kurrë nuk kam parë një ikonostas aq madhështor si nga përmasat por dhe mjeshtëria e punimit, që vjen mrekullisht nga mesjeta. Por për pak e nuk do të kishte ardhur në kohën tonë. Në ato vite të errta kur u mbyllen institucionet e kultit dhe feja u ndalua, u gjenden ca njerëz me tru të shpëlarë e të indoktrinuar që i vunë zjarrin këtij ikonostasi, ndër më të çmuarit në Shqipëri dhe mbarë Ballkanin, mirëpo fatmirësisht ish ndërhyrja e ish kuadri të asaj kohe, që urdhëroi shuarjen menjëhershme të flakëve. Ende duken gjurmët e barbarisë, por falë Zotit, kjo perlë e krenari e artit kishtar shqiptar shpëtoi.
Kubeja në qëndër të altarit ka ca afreska të vjetra të cilat thuaj janë prishur nga lagështira. Këto dy dekada tranzicion, ku shumë kush nga kacidhjar na u gjend misionar, kjo kohe pra, nuk kishte para për të bërë punime mbrojtëse të afreskave që i kanë krijuar mjeshtrit më të mëdhenj të artit kishtar, si Onufri, David Selenicasi a të tjerë ikonografë që njihen a nuk njihen.
Për këto afreska qindravjeçare, me çfarë pashë në atë lagështire gërryese( turpi i Institutit të Monumenteve të Kulturës) është tepër vonë. Janë të dënuara me vdekje prej shtetarësh e burokratësh financiare që nuk kanë kurrfarë vlere njerëzore e kurrqysh dinjitet. Ky është një prej krimeve të shumta që janë bërë e vazhdojnë të bëhen në këtë vend e për të cilat nuk e vret ndërgjegjja askënd.
Atë Nikolla afrohet pranë altarit për të na treguar disa ikona. Përqëndrohet tek njëra e thotë "Ja e kuqja e papërsëritëshme për të cilën më pyetet!"
Onufri. Për një çast me duket se koha ngrin. Seç të jep një stepje qëndrimi përpara veprave të mjeshtrave të medhej që nderojnë e përjetësojnë një komb.
E prek lehtas me dorë kornizën e asaj ikone. Më duket si ëndërr. Jo shpesh të ndodh të gjendesh aq pranë këtyre mrekullive. Por është një njeri që përditë jeton me to dhe në mes tyre. E ky është At Nikolla. Ndoshta për këtë ky fetar atdhetar që e ka vënë Flamurin kombëtar jo vetëm jashtë në lartësi të kumbanares, por edhe brenda Kishës, përballë altarit, për këtë është aq krenar e aq luftarak për ta mbrojtur Kishën Autoqefale nga erozioni i tmerrshëm dhe shkatërrimi.
Qëndruam pak kohë me kolegët e mi gazetare në atë Kishë të Moçme, atë perlë, që më së fundi shteti u kujtua si kofini pas të vjeli të shpenzojë një dorë kacille për ta mirëmbajtur.
Anipse në një qëndrim të shkurtër, Kisha e Kalasë mu be shumë shpejt pjesë e ndërgjegjes, dinjitetit dhe e krenarisë sime si shqiptar, çfarë nuk ma stimulon asnjë lloj beton armeje apo kulla xhami të ndërtuara në zemrën e kryeqytetit, sepse sapo të mbarojnë funksionin qiellçarëset tona, shemben për të ringritur te tjera sikur të mos kishin qenë, por mrekulli te tilla si Kisha e Shen Marisë në Elbasan, kurrë më nuk mund të ngremë. Kisha e ngritur gjigandomane e sfidante në qendër të Tiranës, mbase step e magjeps ca njerëz, por madhështinë e Kishës së Kalasë së Elbasanit, ku ngre meshë At Nikolla Marku kurrë nuk mund ta ketë.



Brenda mureve kalasë së Elbasanit

Shkrimi është i vitir 2008. Fotot Dilaver Baxhaku

NGA ELBASANI NE PRRENJAS

NGA ELBASANI NE PRRENJAS


nga KOLEC TRABOINI


Në një mbasdite tiranase tetori, marr një telefonatë prej kolegut tim gazetar Dilaver Baxhaku, që më fton për një kafe në "Manhaten" në qendër të Tiranës. Deri ne këtë telefonate nuk e dija se paskësh edhe Manhaten edhe ne Tirane. Kisha ca punë nëpër duar, po si t'ja prishja kolegut, aq më tepër kur me thotë se sapo ka mbërritur nga Amerika poetja Iliriana Sulkuqi, kryeredaktorja e revistës "Pelegrin", ku botojnë krijuesit, shkrimtarët e poetët mërgimtarë.
U gjenda në "Manhatenin" tiranas e aty takoj për herë të parë poeten e njohur elbasanase që me Dilaverin e lidh një miqësi e vjetër edhe për faktin se janë të dy nga një qytet. Fjala solli fjalën e më pyesin se sa kohë kisha që nuk kisha shkuar në Elbasan. Të paktën mbi njëzet vjet, u thashë,... që nga koha kur isha në Kinostudio e xhiroja filma dokumentarë. E pra, ma kthyen miqt e mi të tryezës, do të kisha rast të vizitoja këtë qytet ku shumëçka ka ndryshuar, përveç tymrave të metalurgjikut "Korum" që e terrorizojnë këtë qytet "në kërthizë të Shqipërisë" edhe sot e kësaj dite. Tymrat mbeten po tymra. Shkurt fjala, u gjenda i ftuar nga dy elbasanas. Iliriana më tha se kish një festim familjar për nënën e saj e një shkodran në këtë gëzim do të ishte një kënaqësi për nënën e saj. Dilaveri më kujtoi se në Elbasan zhvillohej Festivali Ndërkombëtar i Teatrove, dhe unë mund të isha i pranishëm në shfaqjen e qytetit tim të dashur, Shkodrës.
Ndërsa po bisedonim, u paraqita shkakun e tretë, por që për mua, sa i përket rendit, do të mund të radhitej i pari. Jetoj në Boston dhe jam dëshmitar se si u sfidua vepra e Fan Nolit duke shkelur ne Kishën Katedrale të Shën Gjergjit, uzurpatori i Kishës Autoqefale, greku Janullatos , ndaj dua ta takoj e ti përcjell një mesazh mirënjohje At Nikolla Markut, i cili në Kishën e Shën Marisë në Elbasan, qëndron i papërkulur përballë kësaj sfide dhe ruan të pastër idealin nolian për Kishën Kombëtare Orthodokse Shqiptare. Miqtë e mi më mirëkuptuan dhe më thanë se me kënaqësi do të organizojmë takimin, madje do të jemi edhe ne në atë takim sepse e respektojmë At Markun, jo vetëm si një fetar i pastër, por edhe si një atdhetar i flaktë dhe shtuan se, aty tek kisha pranë mureve të kalasë gjithnjë valëvitet Flamuri ynë kombëtar.
U ndjeva mirë dhe të nesërmen, bashkë me miqtë e mi, morëm rrugën për Elbasan, pasi drekuam tek restorantin Mai Tai. Ishte një mjedis vërtetë fantastik në mes të peizazhit të kodrave të Tiranës, ku ato ditë qe zhvilluar edhe një prej shfaqjeve të miseve nga gjithë bota. Një kompleks krejt modern, me një zgjidhje arkitektonike origjinale, me pishinë, sallë koncertesh, hotel, por e papritura për mua ishte se këtë ansambël e kish ngritur bashkë me një grup miqsh të vet djali i poetes Iliriana, Briken Fejzullahu pas mjaft vitesh studimesh e punës si emigrant në Itali.

Një qytet ku urtia shfaqet si virtyt

Nëna e poetes, zonja Arfa Sulkuqi, nga fisi shumë i njohur i Kazazëve të Elbasanit, një grua e moshuar, dashamirëse, me sy të qeshur prej të cilëve buronte një dritë mirësie, na mblodhi në një drekë ku unë dhe kolegu im gazetar u gjendem në mes të pjesëtarëve të familjes. Aq i ngrohtë që mjedisi dhe aq e përzemërt qe pritja, sa na u duk sikur të ishin ndër njerëz të njohur e miq të vjetër. Elbasanasit kanë një natyrë e temperament për tu patur zili. Janë të shtruar, të qetë dhe burojnë mirësi. I kisha vëne re këto cilësi nëpër vite ardhje për punët e filmit, sepse dikur Elbasani ishte në qendër të vëmendjes së medias, anipse të cungueme të asaj kohe.
U fol për shumë gjëra në atë drekë të gëzuar në mes të urimeve për jetë të gjatë e të gëzuar, e në mes të tjerave për këtë qytet që ka nisur një jetë të re, është ripërtrirë. Ne ishim vetë dëshmitarë të ndryshimeve që janë bërë. Nuk është fjala për pallate të larta e të bukura me një arkitekture moderne,që nuk mungonin, por më tepër për përkujdesjet që tregohen për të zbuluar e ruajtur vlerat arkeologjike dhe për të ripertrirë traditat arkitekturore të ndërtimit.
Gjatë një gërmimi në qytet, tek hapeshin themelet për një pallat të ri, u gjenden gjurmë të rrënojave të vjetra. Ato ishin në thellësi të pjesës së brendshme të kalasë, në qendër të qytetit. E këto objekte arkologjike, si bazamente kolonash, objekte qeramike, shkrime në gur, i detyruan projektuesit elbasanas ti ndryshonin planet e fillestare. U hoqën dhera të shumta e dolën më në pah muret e kalasë, që tashmë thuajse është e plotë dhe është bërë pjesa më e bukur e qytetit, pranë saj një shëtitore ku lëvizin vetëm qytetarët por jo automjetet. Shëtitorja pranë mureve të kalasë ishte vërtetë një zgjidhje fort e bukur. Tek bisedon me intelektuale të Elbasanit, ve re se mosngutjen për ta betonuar qytetin, siç është bërë, ta zëmë në Tiranë, shpreh urtinë a atyre që kanë qenë a janë drejtues të pushtetit në Elbasan.
Nuk e di se kujt i përket në kahje politike kryetari i Bashkisë së Elbasanit Qazim Sejdinit, por konstatova se kudo shprehen fjalë të mira për kryetarin. E ata me të cilët bisedoja ishin si njerëz të thjeshtë të popullit por edhe intelektualë të njohur.
Madje çfarë më habiti është edhe respekti që kishin poetët e Elbasanit për kryetarin e Bashkisë. Drejtuesi e organizatori i Klub Hajkut Shqiptar, poeti Milanov Kallupi na ftoi në zyrën seli të shkrimtarëve elbasanas. Të them të drejtën ngrita supet, sepse di që në Shqipëri nuk ka ndonjë kthine ku të mblidhen shkrimtarët dhe artistët. Ta zëmë në Tiranë, për të takuar ndonjë ish koleg të filmit më duhet të rri me orë të tëra para një kafeje ekspres tek lokali "Aleanca", në krah të Galerisë së Arteve. Mirëpo në Elbasan ndodhka ndryshe, e kjo në saj të kujdesit që ka treguar kryetari i bashkisë për t'i ndihmuar poetet e këtij qyteti. Një veprim vërtetë për t'u admiruar. Në cilin qytet të Shqipërisë ndodh kështu? Të paktën në Tiranë e Shkodër kurrsesi..


Me bashëkshkodranët e mi në teatrin "Skampa"

Në Elbasan pata kënaqësinë të gjendem në shfaqjen e trupës teatrale të Teatrit "Migjeni" të Shkodrës sime. Në kuadrin e Festivalit Ndërkombëtar të teatrove, ku kishin ardhur edhe nga Italia, Maqedonia e Mali i Zi, ata u paraqitën me metaforën skenike "Putargat e thata" të Stefan Çapalikut, me aktorë; të mirënjohurin e skenës e të filmit Bep Shiroka, aktoren impresionante Paskualina Shllaku, Zef Shiroka dhe Erka Karaulli. Ishte një shfaqje që më la mbresë dhe më ringjalli "epokën" krizës totale e degradimit të njeriut, që mjerisht e për fat të keq të këtij tranzicioni e ushtrimi të pushtetit shkel e shko, gjen rezonancë edhe sot e kësaj dite, e jo vetëm në Shkodër, por edhe anë e mbanë Shqipërisë.
Mbas shfaqjes u gjenda në dhomat e aktorëve për t'i uruar bashkshkodranët e mi, të cilët edhe i njihja personalisht, por dhjetëra vite pa u parë kishin sjellë shumë ndryshime. Me Bep Shirokën njihesha nga koha kur ai vinte shpesh për xhirime filmi në Kinostudio, Paskualina Shllakun e njihja jo vetëm si aktore shumë e mirë por edhe pse ajo është e shoqja e aktorit Bruno Shllaku. Me Shllakët më lidh shumëçka. Poetin Primo Shllaku e kam patur shok shkolle ashtu si dhe Paulin Selimin. Por edhe artistin e regjisorin madh, babain e tyre, Lec Shllaku fatlumturisht e kam patur mësues letërsie dhe pasionin letrar ja dedikoj edhe atij. Aty në dhomat e aktorëve erdhi për të uruar artistët shkodrane edhe i mirënjohuri Luftar Paja. U krijua një mjedis fort mbresëlënës dhe kolegu ynë gazetar Dilaver Baxhaku nuk i qëndroi tundimit për të bërë ca fotografi me digjitalin e tij.

Tetor 2008
( Vazhdon)

Me poetët e shkrimtarët e Elbasanit, Korçës, Beratit, Lushnjës në Mitingun Poetik të Përrenjasit.

Me me poetin korçar Skender Rusi dhe poeteshen elbasanase Beatriçe Balliçi.

Me Namik Selmanin nga Berati dhe poetin Sherif Bali nga Lushnja.

Fotot nga Dilaver Baxhaku

GROTESKU I SHERATONIT- nga TRABOINI


GROTESKU I SHERATONIT

Nga Kolec Traboini

Pasi kisha dëgjuar tërë komentet e politikzhbërësve shqiptarë, sepse nuk mund t'i konsideroj kurrë politikbërës, sa kohë që flasin roma për toma, e sa kohë që mbllaçisin në parlament sikur të kishin para një tufë hajvanësh e jo një popull relativisht të shkolluar, që i ndjek nëpërmjet mediave audiovizive duke vënë duart në kokë prej lemerisë. U shtriqa pra edhe unë si populli im para ekranit të televizorit. Në Amerikë çdo gjë kish përfunduar dhe njerëzit të nesermen i qenë kthyer punës. Në fakt që atë ditë i qenë kthyer, 4 Nëntori jo më kot është lënë ditë zgjedhje, sepse të punosh është votë e të votosh është punë. Kjo është Amerika...
U përqëndrova në dy momente që trumbetonte mediabumi televiziv shqiptar, e para në votim-improvizimin grotesk sikur shqiptarët po votonin për Shtëpinë e Bardhë në Hotel Sheratonin e Tiranës , ku i nderuari ambasador amerikan i akredituar në Tiranë, që i takon atij grupimit politik që është në ikje nga Shtëpia e Bardhë, shpalli me seriozitetin me të çuditshëm diplomatik, që kaq përqind i mori Obama, kaq përqind i mori Mcain dhe kaq vota ishin të pavlefshme në pseudovotimin grotesk të Sheratonit. Kaq serioz ishte kjo lojë kukamshefti sa u tha se Obama mori votat (prej koti) të shqiptarëve në proporcion të drejtë me verdiktin që dha populli amerikan në të drejtën e vazhdimësinë e tij historike të demokracisë progresive.
E kështu konkluzioni na del se niveli i kopesë politike shqiptare në votim groteskun e Sheratonit ishte thuaj i barabartë me pjekurinë e popullit amerikan. Serioziteti i shtirur i politikanëve shqiptarë arriti deri atje sa një politikan nën hije si Majko, me intuitën e gjirokastritit ju shmang kësaj loje bajate e deklaroi në një nintervistë se nuk kish pranuar të votonte( me një fjalë kish abstenuar). Ndoshta ndonjë trutharë i politikzhbërësve të Tiranës ja morën për të keq Majkos, sepse po dilte nga grigja e atyre që trumbetojne me të madhe që po ju bie bretku duke ecur në udhën e demokracisë amerikane. Mund që edhe kundershtarët politika t'a konsiderojnë këtë abstenim si "antiamerikanizem". Çfarë nuk gatuan guzhina e "Sheratoni".
Si u pronuncuan të gjithë politikanet e dinjitarët e qeverisjes nëpër mediat vizive, madje edhe i kryesocialistit nga Londra, është e natyrshme që radha t'i vinte edhe presidentit që mesa dukej edhe ai kishte gdhirë në Sheraton, sepse fjalë për fjalë tha: "Kaluam një natë pa gjumë!".
Duke qënë se jam qytetar amerikan që nga koha e Klintonit dhe interesohem për ardhmerinë e popullit ku jetoj, po aq dhe popullit shqiptar të cilit i përkas që nga lindja e deri në vdekje, mendoj se kam të drejtë të pyes "Pse ndënjën pa gjume politikanët e shtetarët shqiptarë?". Po këta nuk po çajnë kokën për popullin e vet e si po tundohen aq shumë se ç'po ndodh në Amerikë. Mirëpo, pasiqë analizova situaten politike shqiptare, ku tërë pushtetarët e politika shfaqen si një varg qepësh, që po hoqe një kokëqepe në krye, të gjitha rrëzohen rrakapjekthi, arrita në mendimin se kanë ndenjë pagjumë me të drejtë.
A nuk brohoriten demokratët shqiptare më shumë se antarët e partisë republikane amerikane, kur u zgjodh për të dytën herë Bushi i ri, duke nënkuptuar se qëndrimi i republikanëve edhe me tej në Shtëpinë e Bardhë, do të ishte një faktor zotërues për të ardhur të djathtët në pushtet ne Shqiperi, dhe vertetë erdhën. Tani a nuk kanë të drejtë të brohorasin deri në kupë të qiellit të majtët shqiptare të shpartalluar, por me dëshirën delirante që rotacioni i pushtetit të zhvillohet për nga krahu i tyre. Dhe paradoksi ështe ky: ky taborr politikanësh ndënji pa gjumë për zgjedhjet në SHBA, kur amerikanët e thjeshtë, pasi që kanë hedhur votën e tyre, të lodhur prej punëve të ditës, kanë shkuar e kanë bërë kokrrën e gjumit.
Epo, thashë me vete, amerikanët e lodhur si kanë votuar, kanë fjetur të qetë e pa ankthe, edhe këndej populli shqiptar bëri kokrrën e gjumit. Vetëm politika nuk fle. Përse kjo pagjumësi politike. Çfarë kanë krerët e politikës, qeverisjes e të shtetit që nuk flënë por dënden me skoç uiski në "Sheraton" ku edhe improvizuan një gallup elektoral. Halli i madh i ka mbledhur të dy palët, të djathtë e të majtë, sepse duke e ndjerë vehten të tërhequr pas qerres së botës, ata nuk mund të flënë. Po sikur, na ruaj zot, i posazgjedhuri të mos i ketë për zemër partinë tonë politike? Na mori lumi...Ndaj si zë gjumi. Këta të mjerë politikzhbërësit tanë, tani po përpiqen të kapen pas Obamës, duke thënë se presidenti i ri do të bëje mrekullira por politika amerikane nuk ndryshon. Mrekulli që këta riqnat e politikës sonë shqiptare duan t'a përfitojnë duke i zgjatur jeten vetes duke u zhgarrëzyer edhe më tej në kurriz të mjerit popull, i cili nuk përjeton me ankth se kush president amerikan shkon e vjen, se Amerika di t'i bëjë punët e veta, por si t'ia bëjë me këta derdimenët e politikës sonë që ngjasin me njëri tjetrin si dy pika uji, a diç më keq, si një m.... i ndarë për gjysëm. Po na vjen 2009 e populli shqiptar përjeton dilemen e vet: Çfarë të zgjedhë nga dy gjysmat?!

Botuar në shtypin e Tiranës, e Premte, 7 Nëntor 2008





pendekaltri@yahoo.com

29 November 2008

🔴 Amaneti i Hoxhë Muglicës së Okshtunit- nga Kolec Traboini

Amaneti i Hoxhë Hasan Muglicës së Okshtunit:
Rroftë Shqipëria!


Në plejaden e mësuesve që punuan e u flijuan për idealet atdhetare, që me mish e me shpirt punuan për ndriçimin e mendjes së popullit shqiptar dhe çlirimin e atdheut nga pushtuesit e huaj rradhitet dhe Hoxhë Hasan Muglica i Okshtunit të Dibrës.


Shkruar nga Kolec P. Traboini


Hoxhë Hasan Muglica
I lindur në Okshtun në vitin 1854, ai që në moshë të re u brumos me ndjenja atdhetare dhe shpirt liridashës. Dibra si e gjithe Shqipëria, ishte vendi i luftrave të pareshtura. Vetëm ndonjë shkëndijë revolte të ndizej diku në ndonjë krahinë dhe merrte flakë e tërë Shqipëria. Shqiptarëve historia u kish mësuar që mjeshtria e parë që duhej të përvetsonin ishte ajo e luftëtarit. Dhe të tillë u njohën shqiptarët nëpër shekuj robërie. Të tillë u njohën edhe në vitin 1878, kur fuqitë e mëdha vendosën coptimin e Shqipërisë duke i konsideruar trojet shqiptare thjeshtë si plaçkë lufte, që mund të tjetërsoheshin për të ushqyer babëzinë shovenistëve të ballkanas. Në Prizrenin historik u mblodh "Lidhja Shqiptare" e cila i doli zot atdheut me armë në dorë. Shtëpia e Hasan Muglicës, i cili kishte dy vite që nën petkun fetar të imamit zhvillonte veprimtari atdhetare, u kthye në një vatër ku mblidheshin krerët e maleve. Ai priti e përcolli shumë luftetarë që shkonin në Prizren e në mes tyre edhe Abdyl Frashërin. Duke qenë antar i degës së Lidhjes për Dibrën, ai organizoi forcat vullnetare, nga një për shtëpi, për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Në krye të këtyre forcave Hasan Muglica luftoi kundër ushtrisë otomane të komanduar nga Dervish Pasha.
Vitet e "Lidhjes Shqiptare të Prizrenit" ishin si për të gjithe atdhetaret edhe për Hasan Muglicën një shkollë e madhe. Ai ishte fort i bindur në mësimin që i kish dheënë Abdyl Frasheri, se duhej mbjellë fara e diturisë si hap i parë drejtë çlirimit kombëtar.
I ndezur nga atdhedashuria Hasan Muglica ngriti në shtëpinë e tij të parën shkolleë shqipe në krahinën e Okshtunit në vitin 1904, të cilën edhe pse me ndërprerje do ta mbante të hapur gjer pas pavarësise. E jo vetëm kaq, por me t'u mësuar shkrim e këndim okshtunasve, i shpërndante ata ndër fshatrat e tjerë si mësues të gjuhës shqipe.
Sipas të dhënave biografike të mbledhura ndër vite nga dibrani Xhemal Koçi, rezulton që Hasan Muglica ka bashkpunuar me Komitetin e fshehtë të Monastirit që drejtohej nga Bajo Topulli, me të cilin mbante lidhje direkte dhe merrte udhëzime për ngritjen e çetave kryengritese. Veprimtaria e tij atdhetare e bëri që të lidhej me figurat eminente të luftës për pavarësi, Luigj Gurakuqi, Dervish Hima, Vehbi Dibra, Aqif Pashë Elbasani e tjerë.
Hapjen e "Normales" së Elbasanit në 1909, jo vetëm e përshendeti, por që në fillim u bë një nga përkrahësit me të flaktë të saj. Në kohën kur patrioti i shquar Hasan Prishtina dërgonte nga Kosova djelmosha në "Normale", Hasan Muglica nis për atje një grup nxënësish nga Golloborda e Okshtuni, në mes tyre edhe të birin Osmanin.
Mësuesi i Okshtunit mori pjesë si i ftuar në Kongresin e Monastirit. Për t'i bërë jehonë ne popull vendimeve të marra në kongres, me nisiativën e tij mblodhi popullin e Gollobordës në fushën e Klenjës. Në këtë kuvend ai foli për rëndësinë e gjuhës shqipe, të alfabetit, të shkollës Normale të Elbasanit dhe u bëri thirrje që të dërgonin djemtë në këtë shkollë. Mbledhja që pati jehonë të madhe u shpërnda plot entusiazëm duke qëlluar me pushkë si një sihariq për malet. Kur pushtuesit otomanë e morën vesh ngjarjen, dërguan fuqi të mëdha për arrestimin e Hasan Muglicës. Me të shkelur në këtë krahinë, pushtuesit u pritën me pushkë nga atdhetarët e organizuar ndër çeta, të cilat pas katër orë luftimesh i zbrapsën trupat otomane që ishin të armatosur me topa e mitraloza.
Rëndësia e kësaj ngjarje, shkruante shkrimtari Haki Stermilli, ishte jo vetëm se kjo krahinë mbeti e lirë për zhvillimin e idealit kombëtar, por edhe sepse ndezi zjarr zemrat e njerëzve duke bërë jehonë të madhe në popull. Në vitet 1910-1912 Shqipëria u bë arenë e kryengritjeve të mëdha dhe luftrave të përgjakëshme. Kombi ndodhej para alternativës ja pavarësi, ja copëtim e humbje një herë e përgjithmonë. Hasan Muglica si mesues e atdhetar që i dëgjohej fjala në çdo kuvend burrash, bëri thirrje për forcimin e çetave të armatosura për mbrojtjen e trojeve shqiptare. Tek vendi i quajtur "Plepi i egër" në Maqellarë, në Kuvendin e Krerëve të Dibrës për organizimin e luftës së armatosur, ai u ngrit e tha: "Të shtojmë forcat duke luftuar për jetë a vdekje. Ne malesorët e krahinave të Gollobordës dhe të Okshtunit do t'i përgjigjemi vendimeve që do të marrë ky kuvend, për të luftuar deri në fund për këto troje të parëve tanë." Në fillim të vitit 1912, kur shkonte të takohej me disa krerë kryengritës, kapet në befasi nga autoritetet otomane dhe burgoset. E torturuan tre muaj me rradhë me qëllim që ta mposhtnin e ta detyronin të largohej nga rruga atdhetare, por ai qëndroi burrërisht, madje edhe pas daljes nga burgu, ai merr rrugën për te çetat e armatosura në malësinë e Dibrës. Në shënj hakmarrje pushtuesit otomane dhe bashkëpunetorët e tij vendas ja dogjën shtëpinë dhe bibliotekën e tij me libra shqip. Por ata mundnin të digjnin shtëpi e libra shqip, madje edhe të vrisnin njerëz siç kishin bërë rreth pesëqind vjet, por nuk mund të ndalnin të bëhej Shqipëria. Kur në Vlorë ndodhej edhe bashkëluftëtari i tij Vehbi Dibra si përfaqësues i Dibrës në Kuvendin Kombëtar të drejtuar nga Ismail Qemali, që ngriti flamurin kombëtar me 28 Nëntor 1912 duke e shpallur Shqipërinë të lirë e të mosvarme, Hasan Muglica mblodhi bashkëluftëtarët dhe ngriti flamurin me shqiponjën e zezë dykrenare në çati të kullës se vet në Okshtun, për tu valëvitur kështu Flamuri i Skenderbeut edhe maleve të Shqipërisë.
Një rrezik i madh po i kanosej atdheut. Shpallja e pavarësisë i shtoi lakmitë e fqinjëve shovenistë që në programet e tyre kishin copëtimin e aneksimin e trojeve shqiptare e për ta realizuar e bërë fakt të kryer këtë coptim, nxituan të dërgonin trupa ushtarake për pushtimin e Shqipërisë. Serbia në jug pushtoi Kosoven shqiptare, ndersa në jug nguli kthetrat skilja greke duke pushtuar Janinën e Çamerinë që historia, që kur mbahet mend e që kur është shkruar në lashtësi, i ka njohur si troje ilirie me vazhdimësi në tradita, gjuhë, doke e zakone, arbërore. Në këto hapsira shqiptare të pushtuar nga fqinjët agresive shovenistë do të niste shpërngulja e shfarosja e popullsisë vendase, çfarë nuk prajti si gjenocid deri ne fundin e shekullit 20. Ndoshta veç hebrejve, nuk gjendet popull tjetër në botë të ketë pësuar kaq travajë, ndalime e mundime e të ketë derdhur lumej gjaku në histori, si shqiptarët. Hasan Muglica duke e ndjerë rreziku e madh që po i kanosej atdheut, si një fetar që i dëgjohej fjala anë e mbanë maleve të Dibres, lëshoi kushtrimin.
Nuk ish kohë për predikime por për të luftuar. O sot o kurrë! Përndryshe mbetemi përjetë pa atdhe e do të shuhemi me komb e racë shqiptari prej armiqëve pushtues! Vendosi heqjen e përkoheshme të petkut fetar dhe rrembeu pushkën e luftëtari kombëtar dhe në krye të burrave të krahinës doli tek Ura e Spiles mbi lumin Drin përballë pushtuesve të rinj serbë. Ndër luftime të rrebta, ku ushtria serbe e zënë në lak në grykat e maleve la me mijra e mijra të vrarë, dhanë jetën edhe qindra luftëtarë në mbrojtje të trojeve e shtëpijave të veta, e ndër të renët për atdhe ishin edhe 80 bashkluftetarët e tij okshtunas. E megjithë betejat e përgjakshme e humbjet e mëdha, ushtria e panumurtë serbe arriti të pushtojë tërë trojet e Shqipërise lindore duke synuar të dilte në Adriatik, për ta këputur Shqipërinë mes për mes dhe shuajtur çeshtjen shqiptare në Ballkan. I ndodhur në kushte tepër të vështira, Hoxhë Muglica shkoi në Elbasan, por edhe atje e pritën burgu, mundimet dhe torturat, kësaj radhe nga forcat tradhëtare esadiste, të cilat nuk lanë gjë pa bërë për t'a poshtëruar fetarin dhe luftëtarin e moshuar. Me ndihmën e atdhetarëve arratiset nga burgu dhe kthehet fshehurazi në vendlindje që mbahej pushtuar nga forcat ushtarake serbe. Pushtuesit me ta marrë vesh se në Okshtun ish kthyer Hasan Moglica, nisin ta kërkojnë lagje në lagje e shtëpi në shtëpi si armikun e tyre më të betuar në malet e Dibrës. Serbët nuk e kishin harruar disfatën e turpshme përballë luftëtarëve shqiptarë të armatosur keq, por me trimëri të pashoqe. Pushtuesit kërkonin hakmarrje, kërkonin të zhduknin krerët që populli përfundimisht ta pranonte robërimin e tjetërsimin e trojeve. Por me atdhetarë të flaktë si Hasan Muglica populli frymëzohej e hidhej në luftë plot besim e pushtuesit kurrë nuk do gjenin qetësi. Bënë çfarë është e mundur t'a shtinin në dorë dhe ja arritën qëllimit, veçse kurrë nuk do të arrinin t'a kapnin nëse në këtë mes të mos laperdharej tradhëtia.
E torturuan mizorisht tre ditë por nuk arritën t'a përkulnin dhe as t'a bënin bashkëpunëtorë të tyre për të pranuar pushtimin e predikuar përkuljen e nënshtrimin. Nuk ish Hasan Muglica nga ata burra që e shiste atdheun, por nga ata që për atdheun e jepnin jetën si me lè. Atyre që u munduan të ndërhyjnë për lirimin e tij, komandanti i trupave pushtuese serbe u tha: "Edhe sikur ta peshoni me flori, Hoxhë Moglica nuk lirohet!"
E çuan tek vendi i ekzekutimit bashkë me patriotin Abdi Sallaku, të cilin e kishte strehuar në shtëpinë e tij. Ishte 15 qershori i vitit 1915, një ditë e bukur për natyren por e zymtë për kombin. Në ato pak çaste që i mbeteshin, Hoxhë Hasan Muglica mori frymë thellë, vështroi Okshtunin e tij e malet përreth me besim se nuk kish forcë në botë që e vriste lirinë e popullit të vet që një ditë do të gjendej i lirë e krenar e zot në trojet e veta. Ai besim e bënte të mbante kokën lart në qendresë, sepse para së gjithash ishte një luftëtar kombëtar e si i tillë ai duhej t'a pranonte fundin tragjik, kryekreje se për një luftëtar nuk ka nder më të madh se sa rënia për komb e atdhe. Më kot ngazëllenin ushtarakët serbë, burrin e urtë e trim të Okshtunit Hoxhë Hasan Muglica nuk mundën t'a shuanin dot, as aty tek "Ara e Sheremetit", por as në zemrat e okshtunasve e mbarë Dibrës. Edhe sot e kësaj dite në kujtesen e popullit ruhet i shtrenjtë kujtimi i fetarit, mësuesit e luftëtarit të papërkulur, ruhen ndër breza fjalët e fundit, para se të binte nga bresheritë e plumbave të pushtuesve: "Rroftë Shqipëria!". E dëgjuan malet, e jehuan tej e pertej Korabit e ky ja përcolli mbarë trojeve shqiptare si kushtrim lirie. Edhe sot e kësaj dite ende e dëgjojmë trojeve etnike shqiptare anë e mbanë Ballkanit. A nuk e dëgjuam nga zemra e Kosovës, a nuk e dëgjuam në Drenicen e Adem Jasharit, a nuk e dëgjuam në Iliriadë, në Tetovë e Gostivar. A nuk e dëgjojmë në Çamëri e Mal të Zi e botës mbarë ku ka shqiptarë:
Rroftë Shqipëria! Amaneti i fundit i Hoxhë Moglicës rron e do të rrojë ndër shekuj në zemrat e shqiptarëve!
Shkrimi i K.Traboinit është perfshire në  botimin
e nipit të Hasan Moglicës për këtë figurë kombëtare në faqen 546-556,
"Burri i madh Hasan Moglica" Elliott Moglica
Toronto Kanada & Shqipëri 2012.

11 September 2008

TULIPANE DHE GJAK - nga TRABOINI






TULIPANË
DHE
GJAK


nga KOLEC TRABOINI
__________________________




Ka emra njerëzorë që në jetë të jetëve lidhin emrin e ndonjë luleje, ashtu si tërë jeta e tyre, me pasionin e luleve ka qënë përshkuar. Një nga këto është Lester S. Hanibal, lindur në San Jose, Kalifornia, në stinën më të bukur të luleve, me 14 maj 1908. Që në krye e themi se nuk duhet ngatërruar ky emër me ndonjë emër sportisti në Urugaj, për më tepër me ndonjë personazh filmash horror si Hanibal Lecter,që nën këtë emër të rremë predikonte satanizmin, që ishte kanibal, manipulator i frikshëm e besonte vetëm në kaosin dhe banjot e gjakut. Përkundër kësaj mizorie filmash tmerri hollivudianë, personi për të cilin do të shkruajmë ishte një njeri shpirtmirë që ngjyrën e kuqe të ndezur e preferonte tek tulipanët Amaryllus apo tek zambakët e kultivuar prej dashurisë e pasionit njerëzor. E megjithatë, për këta njerëz me shpirt të artë dihet shumë pak, shumë më pak se për drakula e vampirë që tmerrojnë e trondisin shpirtrat njerëzorë me etjen e pashuar të gjakut.

Lester S. Hanibal, pasionanti i luleve, kishte mendimin se kjo botë ka nevojë më shumë për dashuri se sa për urrejtje. Ishte tip studioz dhe i qetë. Në vitin 1930 mbaroi universitetin e Standfordit në degët e kimisë dhe ingjinierisë mekanike. Pas dy viteve mbaron edhe studimet speciale, duke marrë gradën Mjeshtër i Shkencave Biologjike. Por pikërisht atëherë kur kish realizuar shumë dëshira për shkollimin e tij, çdo gjë i zvenitet. I dukej se kish hipur në majën e malit e nuk i mbetej veç të rrëzohej. Botën e shihte të zymtë e ngjyrat të zbërdhylta.

Kishte studiuar shumë, plot pasion dhe papritur erdhi një çast kur çfarë kish ëndërruar dhe realizuar i shfaqej e rëndomtë. Ishte veç njëzet e katër vjeç, aq sa figurativisht mund të themi, sapo kish nisur fluturimin.
Kaloi nëpër shqetësime depresive për rreth dy vjet. Erdhi një çast që vendosi ta merrte jetën siç i vinte pavarësisht se e kishte ëndërruar ndryshe. E kështu, megjithëse kishte synime shumë më të larta në karrierë, pranoi të bënte një punë disi të rëndomtë për një njeri që kishte dy diploma dhe titullin mjeshtër i shkencave biologjike, të niste pra punën në rafinerinë Union Oil.
Fillimi i punës i solli një ndryshim të madh në jetën e tij, nisi të kishte më shumë besim në vetvete, ta vëzhgonte botën, njerëzit e natyrën si objekt i të bukurës. Ishte kjo kohë kur ai u njoh, ra në dashuri e u martua me Grace( Gresi) Ruhlen në vitin 1934.
I pakënaqur me vëndin e punës ai e braktisi rafinerinë dhe kaloi në kompaninë e plehrave kimike me baze amoni, Shell. Aty qëndroi gjatë, afro15 vjet. Do të shkonte më pas me gruan Gresi dhe tri vajzat Karol, Janice dhe Dorothy në Concord e në vazhdim në Pleasant Hill . Që kur ishte në uzinën Shell rasti e kishte sjellë të lëvizte në rajone të ndryshme. I lind pasioni për lulet Amaryllis lloj tulipanësh si dhe për zambakët, bulbat e të cilave i koleksiononte gjatë udhëtimeve në vende të ndryshme brenda e jashtë Amerikës. Madje deri në Australi do të shkonte për të gjetur lloje të ndryshme tulipanësh dhe zambakësh. Bulbat që mblidhte, i mbillte e me tej nisi të krijonte hibride të reja, disa prej të cilave tashmë mbajnë emrin e tij.
Kishte pasion të madh udhëtimet dhe fotografinë. Mbante shënime dhe nisi të botonte vëzhgimet e veta mbi lulet, ushqimin, rritjen dhe kryqëzimin e tyre për të sjellë lloje të reja më të bukura. Nisi të shfletonte ato çfarë botanistët e shumtë kishin shkruar. U bë i njohur e mjaft aktiv në shoqatën Amaryllis dhe u dekorua me medaljen Herbert nga Shoqata Ndërkombëtare Bulbeve. Ishte gjithashtu anëtar i shoqatës së kërkimeve Sigma XI. Në 1950 nis punën në shtetin e Kalifornias si inxhinier mekanik për analizimin e sigurisë së ndërtesave shtetërore.
Le dhe këtë punë e kalon në Laboratorin e Studimeve për autostradat ku edhe del në pension ne vitin 1970.
Vini re, në asnjë rast ai nuk punoi pranë ndonjë institucioni që kishte lidhje me pasionin e jetës së tij. Dalja në pension ishte për Lester S.Hanibal si një rifillim jete.

Tashmë mund t’ia kushtonte gjithë kohën e vet kultivimit të luleve. E kjo është koha më produktive për të. Gjatë tridhjet vjetëve, pas daljen në pension, ai u gjend në natyrë, mes gjelbërimit, në udhëtime, në kërkime gjithnjë me dëshirë të madhe për t’iu afruar njerëzve rezultatet e punës së tij këmbëngulëse, lule të shumëllojshme, e jo të prera për tryezë, por lule për vazo, për kopështe, duke u afruar pranë tyre lulëzimin, shfaqjen më të bukurën e natyrës.
Më 10 korrik 2001 i vdes e shoqja Gresi, në moshën 90 vjeç. Ajo gjithnjë i qe gjendur pranë, jo vetëm si shoqe jete, por edhe si bashkëpasionante në kultivimin e luleve. E kjo vdekje ishte tepër e rëndë, aq sa mjeshtri i luleve nuk mundi më t’i rezistonte mungesës së Gresit.

Çdo lule që shihte në kopështin e tij i bëhej se dallonte fytyrën e qeshur të Gresit. Ky tulipan Belledona është Gresi. Edhe ky zambak i bardhë, i sjellë nga Australia është Gresi. Me sytë e mendjes kalonte nëpër tërë skajet e botës, ku ai dhe të tjerë kultivues si ai, kishin shkuar për të kërkuar llojet e pafundme të luleve me bulbe, që nga Afrika e Jugut, në Abisini, Azi e Zelanden e Re.
Ai ishte një nga ata që pasionin, kohën, studimet, lodhjen e tërë qëllimin e jetës së tyre e transformuan në petale, në ngjyra, për t’ia lënë shoqërisë njerëzore, duke ua afruar natyrën më pranë, sepse, eh, koha, teknologjia, modernizmi, qytetet e mëdha prej betoni e kishin larguar disi njeriun prej mrekullisë së natyrës, e cila ka fuqi ripërtëritëse edhe atëhere, kur fuqitë të kenë lënë e retë e zymta ta errësojnë madje edhe arësyen...
Tre muaj pas vdekjes së Gresit, pikërisht me datën 10 tetor 2001, mbylli sytë me veshtrimin në kopësht, ku kishte ardhur për ta përshëndetur për të fundit herë me fustanin okërr vjeshta, për të mbuluar nën krahët e saj prej gjethesh, bulbat e tulipanëve dhe zambakëve që do të nisnin gjumin letargjik deri atëherë kur të parat, ende pa u avulluar mirë toka, pa marrë ngrohtësi dheu, do të zgjasin kërcellin e njomë, duke dhënë të parat sihariqin "po vjen pranvera". Deri atëherë edhe unë po fle, tha mjeshtri i luleve, deri atëherë, se pastaj mbase kthehem sërish bashkë me Gresin për të parë mrekullinë e ngjyrave e zgjimin e natyrës prej dimrit të gjatë.Mbylli sytë me pikëllimin për gruan dhe lulet e frymën e fundit e la në erën e vjeshtës, që e ktheu në brymë e pastaj në pika vese, për ta lëshuar mbi tokë, nën të cilat flinin bulbet që u drithëruan.
Jeta e mjeshtrit të luleve, përveç përvojës së çmuar e studimeve të shumta që la pas, është dhe një mësim për njerëzit që në rrethana të caktuara në moshë të re bien në depresion, herë-herë edhe të avancuar duke përbuzur jetën e vet. Pas dy viteve sëmundje të rëndë depresive që i filluan në moshën 24 vjeçare, Lester S. Hanibal nisi të merret me lulet, ndoshta kjo ndonjë këshillë e ndonjë mjeku të mençur të Kalifornias, pasion që iu ndez në rini dhe e shoqëroi gjatë gjithë jetës. Dhe ai jetoi jo pak, por plot 93 vjet.
Mos vallë ishin edhe lulet, zambakët e tulipanët që kultivonte me dashuri ato që ndikuan në këtë jetë të gjatë e të përkushtuar ?
Nuk mund të thuash jo, sa kohë që sheh një tulipan si rubin apo një zambak të bardhë si fytyra e një Natalie të bukur. Apo kur ve re që pas çdo lulje fshihet një pasion, një ëndërrim, një dashuri, që të bën të jetosh e t’i gëzohesh bukurive të natyrës.
Por veç jo rrallë ka njerëz që i harrojnë rritësit e tulipanëve dhe marrakaten pas atyre që kësaj bote i sjellin vetëm vragat e gjakut... Në mes të tulipanëve e gjakut ne duhet të zgjedhin tulipanët, në mes të dy Anibaleve ne duhet të zgjedhin kopështarin...

Shoh lulet, shoh qiellin, diku në mes të hapësirave qiellore dhe të lulëzimit të tokës, nëpër erërat e stinëve që ndërrojnë njëra tjetrën, nëpër peisazhet kalimtare, nëpër sheshe, rrugë, qytete ku lëvizin njerëz në rendje të pareshtur, qëndron i gjallë kujtimi për njeriun e përkushtuar, që para se të ikë përgjithmonë, ka lënë në këtë botë diçka për ata që pas tij, përjetësisht dhe pafundësisht do të vijnë.
Ndaj çdo pranverë, kur nisin e lulëzojnë tulipanët në kopshtin tim në Roslindale( Lugina e Trëndafilave) të Bostonit, tek sodis të parin lulëzim pas dimrit të gjatë nordik, sikur më vjen përmes ajrit transparent të qiellit, si puhizë, kujtimi i largët i Anibal S. Lester e, anipse krejt i vetëm, më duket se ndjej frymëmarrjen e një tjetri dhe nuk ngurroj t’i them atij, që është dhe nuk është në kopështin tim: “Faleminderit mjeshtër!”

Shkruar ditën kur çelën tulipanët e parë të pranverës në kopshtin tim.
E me q
ënë se tulipanet, përjetësisht, çelin e riçelin, ky shkrim nuk mban datë.


14 August 2008

ARDHACAKËT E BALLKANIT - Nga Traboini


ARDHACAKËT E BALLKANIT

Nga K. TRABOINI

Në veprën historike "KOSOVA The Albanians in Yugoslavia in light of historial documents", Safete Juka, 1984 , Nju Jork, dalin në dritë mjaft dokumente historike, të cilat i shërbejnë edhe sot e kësaj dite lexuesve anglishtfolës, historianëve shqiptarë dhe të huaj, aq më tepër tani, kur Kosova është në qendër të vëmendjes së opinionit botëror, të qarqeve diplomatike dhe të qendrave të vendosjes. Në këtë kuadër, kjo vepër vazhdon të jetë aktuale dhe të japë kontributin për zbulimin e së vërtetës mbi Kosovën dhe çmitizimin e asaj që serbët, nëpërmjet mashtrimeve historike ende e quajnë si djepin e tyre. Në këtë kuptim, vepra e Safete Jukës mund të konsiderohet si drita e së vërtetës shqiptare përballë errësirës së mashtrimit serb.

Një pikë delikate në studimin "Kosova Shqiptare e Jugosllavisë nën dritën e dokumenteve historike", është keqkuptimi që ka sjellë tek ndonjë lexues shqiptar shtrimi i problemit të dyndjes së sllavëve.

Duke e trajtuar këtë temë autorja nuk mund të mos prekte, përveç fakteve të dokumentuara, edhe hamendjet apo siç i thonë, hipotezat rreth disa gërshetimeve midis ardhacakëve të vonë (sllavëve) dh venedasve etnikë (ilirëve), natyrisht, me qëllim për të ndriçuar të vërtetën dhe kundërshtuar mashtrimin.

Historikisht, fenomene të kësaj natyre njihen në Europë. Duke u kapur pas këtij fenomeni në përgjithësi, ka patur historianë të caktuar që i kanë mëshuar kësaj ideje që niset nga interesa pansllaviste, apo nga qarqe të caktuara ku përpunohen teoritë e pansllavizmit ruso-serb. Qëllimi ka qënë gjetja e motiveve për shtrirje ekspansioniste në jug-perëndim dhe dalje në det gjatë shembjes së Perandorisë Otomane. Eshte e natyrshme qe ardhacaket kane gjetur ne terrenin ilir kulturen e traditat dhe popullsisë autoktone, dhe degë të caktuara të saj, nën ndikimin e kulturës vendase të kenë ndryshuar disi në raport me fiset e tjera që nuk i kanë patur këto kontakte. Kështu, në pjesën perendimore të Ballkanit, ardhacaket gjetën një kulturë të lartë dhe zhvillim ekonomik mjaft të përparuar për kohën. Fakt është se një pjesë e ardhacakëve përqafuan fenë katolike (Bregu Dalmat), ndryshe nga pjesa qendrore dhe lindore e Ballkanit, ku objektet e kultit vendas që i përkisnin religjionit katolik u kthyen me dhunë në faltore të orthodoksisë bizantine dhe më pas të ortodoksisë sllave, duke u shpallur prej tyre si monumente kombëtare të pansllavizmit.

Gjithkush e di çfarë ka qënë Raguza, Dubrovniku i sotëm, qendra më e zhvilluar tregtare, ekonomike, kulturore e diplomatike në Adriatik, që kishte arritur të bënte zë në tërë Europën. Ardhacakët në këto rajone nuk arritën ta shembnin kulturën dhe traditat vendase, përkundrazi, pranuan për shkak të inferioritetit nënshtrimin kulturor. Pranuan fenë, krijuan lidhjet ekonomike, dhe u përpoqën të përshtateshin në kushtet e një qytetërimi të zhvilluar vendas. Kjo solli që në arenën e historisë të krijohej një popullsi me emrin Kroate, e cila gjithnjë e më shumë përpiqej të largohej nga sllavët e tjerë lindorë, madje duke i konsideruar inferiorë e të pagdhendur. Është e natyrshme se, me krijimin e ndërgjegjes kombëtare nëpërmjet influencave perendimore dhe përfitimit të traditave kulturore të vendasve, ata kërkonin me çdo kusht motive me rrënjë në histori, për të patur një hendek me sllavët e tjerë (veçmas serbët) që i konsideronin si të pagdhendur, madje hera herës dhe armiq.

Ndërkohë, serbët, mitologjinë e tyre e kanë një kapitull qendror që ushqen ndjenjat e epërsisë së këtij populli mbi fqinjët. Cilësia kryesore e vetlavdëruar e popullit serb, e lavdëruar deri në atë masë sa t'i japë atij të drejtën t'i shohë fqinjët vetëm nga lart, me misionin hyjnor për të qënë vetëm gjykues dhe ndëshkues, pra cilësia kryesore që i jep popullit serb këtë epërsi, është besnikëria që ai ka treguar ndaj fesë ortodokse, shkruan autori Besnik Mustafa. Në një bisedë që ky autor kish patur në maj 1991 në Zagreb, me një nga politikanët kryesorë kroatë, bashkëpunëtor i afërt i Presidentit Tuxhman, ai i kishte tjerrë një teori të tërë për të cilën nuk kish dëgjuar kurrë më parë; kroatët nuk ishin sllavë por ilirë të sllavizuar. Më solli dhe një mori faktesh nga antropologjia dhe etnologjia, shkruan B.Mustafa, mbi të cilat mbështetej kjo teori. Pra, ata kishin të njëjtën origjinë etnike me shqiptarët. Kam dëgjuar edhe kroatë të tjerë , edhe sllovenë të tjerë, të më shprehen me një lloj përbuzjeje raciste për serbët: "Ata përfaqësojnë barbarinë sllave të zbritur nga Kaukazi. Europianëve u kanë ardhur e do t'u vijnë vetëm të këqia prej tyre".

Nuk kishte rëndësi vërtetësia historike përpara realizimit të qëllimit, prandaj është e natyrshme që historianë kroatë të kenë kërkuar lidhjet historike të popullit të vet me ilirët vendas, të cilët kanë arritur të mbijetojnë edhe sot e kësaj dite si arbëreshë të hershëm në Zare dhe të njohur si Arbëreshët e Zares (komunitet i vogël por me identitet të ruajtur dhe me personalitete të shquara).

Ndërsa në librin e autores Safete Juka, nuk merret përsipër të trajtohen gjerësisht këto ide, por ajo pohon disa pretendime të pjesës katolike të ish-Jugosllavisë perendimore e cila, siç e thamë, duke qënë me fe të ndryshme nga serbët, nivel të ndryshëm kulturor, madje në armiqësi historike, nuk dëshironte të indentifikohej si ata e, për rrjedhojë, kjo pjesë (katolike) është përpjekur të tregojë ndryshimet duke bërë aludime historike. Por gjithsesi, kur thuhet ‘popuj sllavë’ megjithë pretendimet e paraqitura prej degëzimeve të ndryshme apo shartimeve të pretenduara, padyshim nuk kemi të bëjmë me ilirë por me ardhacakë të vonë.

Në ndryshim nga kroatët, malazezët asnjëherë nuk e kanë vënë në dyshim origjinën e tyre. Kjo në aspektin e politikës dhe marrëdhënieve të Cetinës me Beogradin, që kanë qënë të kordinuara dhe në bashkëveprim të përhershëm me mëmën e pansllavizmit, Rusinë. Megjithatë, historianë e arkeologë, studiues të fushave të ndryshme, arrijnë të bëjnë nuancime sado të lehta midis këtyre dy popullsive. Madje, shkohet deri atje saqë shprehet mundësia e sllavizimit të një pjese të popullsisë shqiptare dhe, bashkë me të, edhe të folklorit gojor arbëresh pasi, në traditën popullore malazeze, gjen këngë të epikës legjendare dhe historike; madje me personazhe gati të njëjtë, me instrument të njëjtë, lahutën. Thuhet se mes popullsisë së Malit të Zi gjenden familje me të dhëna historike shqiptare, (këtyre lidhjeve sipas gojëdhanave, nuk i shpëtoi as Mark Milani i Malit të Zi, i njohur për luftrat e tij të egra e çfarosëse, por dhe njohës i traditave dhe cilësive morale e luftarake të shqiptarëve).

Po kështu, gjen fshatra të thellë në Mal të Zi, me tradita më tepër të ngjashme me malësorët tanë të Veriut se sa me serbët, saqë ka hipoteza të caktuara që i sjell ata si shqiptarë të sllavizuar dhe më pas të harruar...Historianët, gjithsesi, janë të ftohtë ndaj fenomeneve dhe ndjenjave nacionale, siç mund të jenë qytetarët e zakonshëm bashkëkombas të tyre. Pra e shohin historinë më ftohtë nga ne. Në këtë pikpamje, për një historian kërkimi i lidhjeve midis shqiptarëve dhe kroatëve në ish Raguzën e vjetër, tash Dubrovniku, ose me malazezët, nuk është ndonjë çudi e madhe, ndërsa ne, kurrsesi nuk pranojmë të hyjmë në diskutime të tilla edhe për shkakun se kemi një kujtesë historike tragjike dhe lumenj gjaku mes sllavëve e shqiptarëve, Dhe kur themi sllav-shqa, ne i fusim të gjithë në një kategori, pa arritur të bëjmë nuancime historike dhe dallime midis ish popujve të së ashtuquajturës Jugosllavi. Mirëpo disa nuancime, të cilat shprehin interesin tonë për të patur aleatë qoftë edhe të përkohshëm në realizimin e qëllimit kombëtar, nuk janë punë pa dobi e kalli pa bukë.

Aq më tepër kur nëpërmjet disa inkursioneve në histori, siç është vepruar me shumë sukses në rastin e studimit të kishave, të cilat para se të bëheshin monumente kulti të serbëve kanë qënë faltore të paraardhësve tanë ilirë, mund t’i tregojmë opinionit ndërkombëtar se shqiptarët janë vendas në këto treva që në zanafillën e kulturës dhe qytetërimit të njerëzimit.

Ndërsa ardhacakët, jo vetëm që janë të vonë, por kanë bërë çfarë është e mundur për të përvetësuar kulturën vendase, monumentet e kultit, dhe janë përpjekur t’i shesin këto si traditë dhe kulturë të tyre, çka nuk përbën gjë tjetër veçse një mashtrim historik me qëllime shovene të këtyre ardhacakëve të vonë të Ballkanit.

Nga libri “E verteta përveluese e Aristidh Kolias” esè , K.Traboini, 2005