13 May 2013

🔵 EPIKA BLU E EDISON GJERGOS - nga K. P. Traboini

EPIKA BLU E EDISON GJERGOS
- Shkrimi shoqërohet me të dhëna për përgjimet e fshehta që i bënin artistit të madh Edison Gjergo nga rrethi i "miqëve" që e spiunonin -
 
Nga KOLEC P. TRABOINI


 Ishte një urrejtje e egër ndaj këtij piktori prej atyre që mbanin skeptrin e pushtetit. U lëshuan me tërbim sikur Edison Gjergo të kish bërë një kundërrevolucion dhe u rrezikonte pushtetin që e  mbanin me dhunë. Në fakt ai kishte derdhur në telajo plot fantazi e frymëzim kurrgjë më shumë se një episod të luftës, por të parë krejt ndryshe e jashtë skemave të kohës.  Një fundnate e thellë, një rapsod  i tretur deri në asht me lahutë këndon një këngë epike për disa partizanë nën një sfond blu të qiellit ku ndrisnin yje të largët e të ftohtë. Gjithçka e mbajtur në tonet dominuese blu me disa  fraktura të telajos të kuqe të ndezur e të zezë.  Por luftën ata e donin të ndritur, farfuritëse, bubullitëse, ditën për diell, me partizanë viganë, me urra, me njerëz që hidheshin mbi topa, mbi tanke, që i prisnin plumbat me gjoks, gjithçka në eufori...
Megjithëse diktaturë ajo kohë  pas vitit 1970, ishte një gjendje kërkimi prej krijuesve për të sjellë pikvështrime,  mjete stilistikore shprehëse e subjekte të reja në art. Edhe në letërsi me tregimtarët e rinj apo poetët ndodhte po ashtu.  Bilal Xhaferri kishte shkruar një tregim me temë të përafërt, por në të vërtetë tërë tregimet e Bilalit ishin impresionante. Të rinjtë e brezit tonë si të thuash i përpinin tregimet e tij në faqen letrare të gazetës “Zëri  i rinisë”.  Me arratisjen e tij gjithçka që kishte shkruar u ndalua dhe u dogj si “Lirishta e kuqe”  poezi si dhe romani “Krastakraus” për epokën e Skënderbeut. Ruaj në kujtesë që  pas arratisjes së Bilal Xhaferrit në vitin e parë të studimeve  universitare arrita të gjej librin me tregime “Tokë e lashtë, njerëz të rinj” të cilin ma dha bashkstudentja e degës së gazetarisë Zenepe Çekrezi- Luka. Për të qënë të sigurt se nuk  do të na diktonin e spiunonin e kishim grisur kopertinën dhe nuk gjëndej në asnjë cep të librit emri i Bilalit. Por atë libër të ndaluar e lexonim dhe e kalonim dorë në dorë  si ungjill arti.
"Epika e yjeve të mëngjesit" -  për  këtë vepër oil në canvas, me dimensionet e telajos 179 x 119.5 cm, krijuar në vitin 1971  u dënua me burg  Edison Gjergo (1939 -1989).
.

  Duhet pranuar se megjithë frikën që ekzistonte,  krijuesit përpiqeshin të dilnin nga korniza, veçanërisht të rinjtë, kam parasysh edhe dramaturgun e ri Shpëtim Gina (13.12.1951-15.08.1974) që e kisha bashkstudent në Universitet, me dramën e tij “Armiqtë”,  vënë në skenë nga Mihallaq Luarasi. Shpëtimin  e mbyti sigurimi  në Mamurras , në lumin Drojë, sepse e kishin konsideruar si dramaturg dekadent.  E kishin venë në shënjestër dhe arritën ta eleminojnë më 15 gusht 1974.  Edhe ai kish guxuar të bënte një art ndryshe prej skematizmit të kohës. Në burg do të përfundonte edhe liriku më  i ndjeshëm i kohës Frederik Rreshpja, të cilin e njihja nga afër dhe kishim punuar bashkë në Kombinatin e Drurit në Shkodër. Nën këto influenca e dëshira për të bërë diçka ndryshe mbaj mend në atë kohë të kem shkruar edhe vetë ndonjë tregim  si "Stina kur pikonin yjet" ca partizanë që ecnin nëpër natë me shoqen e plagosur që u vdes në agim, apo një tjetër  “Në mesnatë” me të njëjtën frymë,  por të dy  këto tregime m’i refuzuan kur botova librin e parë me tregime "Petalet e bajames së hidhur”, 1973,  ndaj pashë ç’pashë i zhduka. Dëshira të tilla dhe tentativa për t’u shfaqur sa më origjinal ndjehej kudo tek autorët e rinj. Por kur u zhvilluan plenumet  famëkeqe për letërsinë e artin  dhe për mbarë krijimtarinë artistike, të tmerruar  shumëkush hoqi dorë nga krijimtaria, sepse ishte si të ecje mbi mina, ose përndryshe duhej të ecnin në trasenë e sigurt; të shabllonizmit e skematikës së real-socit.
Edison Gjergo:"Vajza e re" 1972  
 
Edison Gjergo ishte nga ata që guxoi dhe tërë rrufetë ranë mbi të. U mallkua publikisht dhe u dënua fizikisht. Ishte tmerr të mendoje se e kishin dënuar me burg për një tablo, që fundja ishte temë e luftës, ishte me partizanë. Por atyre u duheshin disa viktima në art dhe do t’i gjenin patjetër. Siç gjetën edhe Maks Velon. Siç burgosën e pushkatuan pa mëshirë plot të tjerë.
Burgu e dërrmoi piktorin. Arriti te shihte një ekspozitë të pranverës në fundin e jetës së vet ku tashme piktorët kishin arritur disi të shpëtonin prej diktatit të plotë. Kishte më shumë lirshmëri ngjyrash në telajo. Ai pikërisht për këtë ishte dënuar, kish humbur vitet më të çmuara të krijimtarisë. Por gjithsesi ai nuk mund të paraqitej në ekspozita. U  mbyll në vetvete e ra në një dëshpërim të thellë.  Ndërroi jetë në vitin 1989 në moshën 50 vjeçare.  Gjithsesi kjo punë e tij, kjo epikë blu në telajo e Edison Gjergos i qëndroi kohës. Lumturisht nuk është prishur. Eshtë shumë impresionante. Një dimension që i thyente tërë rregullat real-socit, mirëpo edhe sot pas dy dekadash që është shembur diktatura, ndërkohë që pak flitet për Edison Gjergon, na del ndonjë piktor si i suksesshëm por edhe i pompuar me mbështetje politike, që na e shet sapunin për djathë duke thënë se natyrat e qeta me lulkat e tij punuar asokohe ishin një disidencë kundër sistemit monist.
Në të vërtetë disidenca ishte Edison Gjergo me tablonë e tij “ Epika e yjeve të mëngjesit” që sot ka një vlerë të madhe. Pse jo dhe “Metalurgu” realizuar në 1971 që ka të njëjtën frymë e teknikë dhe mbajtur me të njëjtën tonalitet ngjyrash ku mbizotëron kuq e bluja e Gjergos. Kjo pikturë epike blu e ky stil i tij origjinal shprehte dëshirat e krijuesve për të thyer skematizmin e kohës, atë ngurtësi që shterpëzonte e ndrydhte talentet. Dhe e bëri atë me dinjitet e me një sakrificë të jashtëzakonshme.
Piktori Edison Gjergo ndërroi jetë shumë shpejt, një fat vërtet tragjik i një talenti të madh që nuk arriti ta gëzonte lirinë e çlirimin prej diktaturës e të korrte frytet e veprës së vet, si fati i shumë artistëve e mjeshtërve të mëdhenj të telajos.

Edison Gjergo: Portret 90x80, bën pjesë në koleksionin privat familjar dhe nuk është ekspozuar asnjëhere.
Edison Gjergo: Metalurgu 1971

Edison Gjergo në hetusi

SPIUNËT QË GJURMONIN EDISON GJERGON:

Marrë p.op…
Dhënë agjentit “Bufe e madhe”
Tiranë, më 12/6/1973

Raport

E hënë, 29 maj rreth orës 20 e 30 ai u takua me Edison Gjergon në kafe “Peza”. Edisoni i dehur i kërkon atij që ta qerasë me një konjak. Ai e pyet Edisonin se përse je kaq i mërzitur?
Edisoni: “Jam i mërzitur se ashtu është edhe vetë natyra e njeriut që nuk gjen rehat në këtë botë”. Edisoni fillon dhe predikon citate të filozofisë dhe filozofëve të ekzistencializmit si J. P. Sartri, Albert Kamus etj., midis të cilave ay gjen si të vërtetë të thënët se “të jetuarit e njeriut nuk vlen për asgjë. “Këtë të vërtetë njeriu e konsumon kur vdes”. Ai vazhdon: Vullneti i njeriut është gjithnjë i kondicionuar në rrethanat në të cilat ndodhet.
Burimi thotë se nga kjo anë materializmi është më bindës në të thënat e veta.
Edisoni: Lëre m… mos e përfill në gojë, marksizmin as që e pranon njeri sot.
Burimi: Pa më thuaj, ç’të shtyn të jesh kaq pesimist? Thuamë të vërtetën, mos ndoshta deluvioni që pësove në art?
Edisoni: As më rr. b… për këtë. S’do bëj këtë, do bëj një gjini tjetër. E vërteta është se unë dashuroj një vajzë që punon në bibliotekë në Pallatin e Pionierëve. Ajo më shfaqi simpati për punën time. Unë nuk di si t’ia bëj. Ai i thotë se simpatia për punë nuk e kondicionin në mënyrë absolute dashurinë. Një ditë tjetër ai u takua me Edisonin, i cili i tha: “Më thoni që në vend që të rri dy muaj do të bëj 5 muaj, sigurisht do të bëj disa punë, ashtu më këshilloi edhe një shoku im që ka përgjegjësi në Ministrinë e Arsimit. Shkurt muhabetit, kjo është sa për të larë gjynahet edhe fajet që s’kemi bërë. Simbas interpretimit të burimit, shprehja e Edisonit len të kuptojë se puna e tij në terren ose bazë ka më tepër një karakter ndëshkimor.

“Bufe e madhe”

***

Ekzemplar i vetëm Berat, më 20.VIII.1974
Shënim-operativ

Në takimin e bërë bë datën 19.VIII.1974 me ish-B.P. “Fleta e Mollës midis të tjerave më tha: Se nga fundi i muajit maj 1974, që data ekzakte nuk i kujtohej, kishte ardhur në Kombinatin e tekstileve Mao Ce Dun, piktori Edison Gjergo për të marrë materiale të nevojshme për kryerjen e tabllosë në pikturë me rastin e çeljes së ekspozitës së arteve figurative së shpejti. Nga ana e Kombinatit Edisonit iu dha ndihma e duhur dhe iu plotësuan të gjitha kërkesat për materiale. Editonit iu dhanë fotografi nga puna e tekstilisteve.

Në një bisedë që Edisoni kishte bërë me B.P., Fleta e Mollës, midis të tjerave Edisoni i kishte thënë atij: “Porsa i përket tabllove që kam krijuar si ‘Shuarja e pusit 542’ dhe ‘Epika e yjeve të mëngjesit’ për këto janë sulmuar me të padrejtë nga disa shokë dhe drejtues të vetë Lidhjes së Artistëve të Shqipërisë.
Edisoni vazhdoi se një pjesë kanë reaguar negativisht nga mosnjohja sa duhet e ekzekutimit të një pikture dekorative”.
Edisoni u largua nga Berati, duke thënë se mbasi t’i mbaroj pikturat e tekstilit do të vijë përsëri për t’i parë me shokët e Kombinatit, por deri tani, tha B.P., nuk ka ardhur. Detyra: B.P ju dha si detyrë që në rast se do të vijë Edisoni në Berat, përsëri, të takohet e bisedojë me të rreth pikturave që ka bërë nga tekstili dhe si mendon Edisoni për goditjen që ka pasur për krijimtarinë dekadente në pikturë…

Punëtori operativ

Ekzemplar i vetëm Tiranë, 17, 7, 1973
Detyra Për B.P. “Artisti” për t’i konsumuar në biseda me objektin e përpunimit paraprak
Duke qenë se B.P. “Artisti” ka dhënë një të dhënë të rëndë- sishme për objektin Edison Gjergo dhe se ka shoqëri dhe mundësi për t’u futur në përpunimin e këtij objekti mendojmë se ky B.P. që mbahet në Lidhje nga… të kryejë këto detyra në biseda me objektin.
1) Me qenë se i lidh edhe ana profesionale si B.P., ashtu edhe objektin, B.P. të mundohet për ta takuar në klubin e Lidhjes së Shkrimtarëve, ose duke i vajtur në studion e objektit me pretekste të ndryshme për t’i parë krijimet e këtij të fundit dhe të diskutojnë me të mbi krijimtarinë e objektit, anët pozitive e negative që ka objekti në krijimtari, mbi nacionalitetin që duhet të kemi në krijimet, duke pasur baza tabanin kombëtar, mbi piktorët e realizmit socialist në vendin tonë dhe piktorët modernistë të vendeve perëndimore e revizioniste. Kjo me qëllim për të sqaruar se ç’mendime ka objekti.

Tabloja e dënuar, “Epika e yjeve të mëngjesit”

2) Të bisedojnë mbi masat e marra kohëve të fundit mbi luftën kundër ndikimeve të huaja në art e kulturë dhe se si këto masa të reflektuara në fushën e krijimtarisë, për të nxjerrë shkas diskutimi të përmendë se ç’nivel të lartë paraqiteshin krijimet në ekspozitën e 30-vjetorit të krijimit të ushtrisë. Me këtë rast të diskutojë me të për mbajtjen e plenumit dhe goditjen e elementit antiparti, duke i lënë shkas që të japë mendim objekti për këto elemente.
3) Të bisedojë për të mësuar mendimet e objektit për perspektivën e artit e pikturës sonë. Për rolin e partisë dhe të udhëheqësit tonë në drejtim të përcaktimit të rrugës që duhet të ndjekë arti e kultura. Këtu t’i thotë që pa tjetër arti duhet të përfaqësojë politikën e një vendi dhe jo të jetë i ndarë nga politika, duke i thënë se ç’mendon objekti për këtë…

Republika Popullore e Shqipërisë
Gjykata e Rrethit Tiranë Nr.186
Vendim “Në emër të popullit”

Gjykata e Rrethit Tiranës e përbërë prej kryetarit të seancës.. Nd. Gjyqtarit… Asistuar prej sekretares… sot më dt.28 dhe 29.04.1975 në seancën gjyqësore me dyer të hapura mori në shqyrtim çështjen penale që i përket të pandehurit:
Edison Gjergo, i biri i Vangjelit dhe Kornelis, lindur në 1939 në Tiranë dhe banues në Tiranë, lagje nr.10, rruga “Bajram Curri”, pallati 490/2, shkalla 1, ap.5, origjina shoqërore nëpunës i lartë, gjendja piktor pranë Lidhjes së Shkrimtarëve, me arsim të lartë (Instituti i Arteve), tani pa punë, i pamartuar, pa fëmijë, kryer shërbimin ushtarak, i padënuar, paparti, i arrestuar më datën 15.01. 1975.

I akuzuar: Agjitacion e propagandë kundër pushtetit popullor, krim ky i parashikuar dhe i dënuar nga nen 73.1 i K.P. Gjykata pasi shqyrtoi materialet e hetuesisë, mbasi bisedoi çështjen në tërësi dhe mbasi ndigjoi mbrojtjen dhe fjalën e fundit të të pandehurit, i cili kërkoi mëshirë:
Vëren
Gjatë gjykimit u vërtetua se i pandehuri Edison Gjergo ka kryer krimin e agjitacionit dhe propagandës kundër pushtetit popullor.
Ky i pandehur, duke vepruar në kundërshtim me politikën e partisë, ka bërë piktura të ndryshme me përmbajtje reaksionare.
I pandehuri pranoi para gjykatës se nuk i ka pëlqyer arti i realizmit socialist dhe prandaj ka propaganduar, duke lavdëruar piktorët reaksionarë, modernistë, Shagalin, Pikason etj. i pandehuri, armiqësinë e tij kundrejt realizmit socialist e ka treguar jo vetëm duke folur me persona të ndryshëm, por edhe në punimet që ka bërë…

Kush ishte agjenti “Bufeja e madhe”
Ekzemplar i vetëm Tiranë, më 5.9.1976
Karakteristikë për agjentin “Bufe e madhe”

Agjenti B. Madhe është tërhequr në shërbim të organeve të Sigurimit të Shtetit në vitin 1949, kohë në të cilën ky ishte në burg për veprimtari armiqësore. Tërheqja e tij është bërë mbi bazën e lirimit para kohe nga burgu.
Qysh prej asaj kohe e deri tani është mbajtur në lidhje të rregullta dhe të dhënat e tij kanë qenë të vlefshme. Me këto të dhëna janë bërë goditje të elementit armik, janë çelur përpunime dhe aktualisht ka në ndjekje shumë probleme me karakter të mprehtë armiqësor.
Qysh nga muaji shtator i vitit 1975 e deri tani, kohë kjo që është marrë në lidhje nga ana ime, ka dhënë 12 të dhëna me vlera operative. Në takime është shumë i rregullt, zbaton grafikun, futet me kujdes në bazën e caktuar dhe mundohet që të zbatojë detyrat që i ngarkohen, por gjatë kësaj periudhe janë vërejtur dhe të metat e mëposhtme që duhet të kihen parasysh në të ardhmen:
a. Shpesh ka maninë që të takohet qysh para se të futet në bazë, kjo kur i është konsultuar është këshilluar dhe mësuar se si të veprojë. Në fillim justifikohej se nuk na njeh njeri, por më vonë reagon drejt.
b. Ka pasur raste që problemet nuk i sqaron deri në fund, për këtë justifikohet se kam frikë se mos digjem dhe nuk di si të veproj. Është kritikuar disa herë dhe në gjitha takimet është mbajtur afër, është mësuar si të veprojë.
c. Është i dhënë pas interesit personal, në rast se ky interes i preket sa do pak, nxehet dhe krijon përshtypjen se këto ia bën organi i Sigurimit të Shtetit. Për këto është sqaruar dhe deri diku është bindur.
d. Ë s h t ë karakterizuar si tip nevrik, jep mendime nganjëherë të nxituara për njeriun… Shënim Agjenti “Bufe e madhe” dha të dhëna të rëndësishme për objektin 2/A, i cili kishte tendenca terrori e diversion. Për vërtetimin e të dhënave të këtij agjenti u organizuan kombinacionime T.O ku u përgjua ky b.p me objektin e lartpërmendur, ku u vërtetua se B.p ishte në pozita të mira dhe objekti në pozita armiqësore.

Mbi këtë bazë objekti u arrestua, por nuk u zbërthye në hetuesi dhe në këtë mënyrë, pasi u analizua në ministri me autorizim të zv.ministrit sh…. dhe me urdhër të Drejtorit të P. Brendshme, ky agjent u përdor si dëshmitar në procesin e këtij të pandehuri. Gjyqi u bë me dyer të mbyllura. 

Shefi i seksionit Tiranë 28.8.1977