30 November 2017

Falenderim! / nga Kolec P. Traboini


FALENDERIM

Falenderoj përzemërsisht të gjithë ata që më uruan për marrjen e titullit “Mjeshtër i Madh”.  Të vlerësojë institucioni më i lartë i shtetit, padyshim që është një kënaqësi individuale, por kur kjo bashkohet me urimet e miqve e kolegëve të shumtë, të afërmve, lexuesve të njohur apo të panjohur, në Shqipëri, Kosovë e trojet shqiptare, si dhe nga mërgimtaret shqiptarë, veçmas në Greqi e Amerikë, me të cilët kam ndarë vite të jetës sime mërgimtare, atëherë kënaqësia merr një tjetër përmasë dhe bëhet akoma më e madhe e më mbresëlënëse.
Në raste të kësaj natyre të vjen e tërë jeta e shkuar si në një film, ku gjen miq e të afërm që nga fëminia, rinia, koha e studimeve universitare, koha e pjekurisë dhe e punës në Kinostudion tonë të paharruar; dhe prej këtij inkursion me imagjinatë e kupton se nëse ke arritur diçka në jetë, pjesë e kësaj arritje janë të gjitha ata me të cilët rrethanat e sollën të jesh i afërt e të kesh mësuar prej tyre, të jesh nxitur për të bërë diçka të mirë e të bukur për vendin e njerëzit, për popullin e Atdheun tënd.
Ju jam mirënjohës të gjithëve  dhe ju dërgoj urimet me të mira për ju dhe të afërmit tuaj!

Kolec P. Traboini
1 dhjetor 2017

        

23 November 2017

🔴 Shkrimtari dhe publicisti Kolec Traboini nderohet "Mjeshtër i Madh"


SHKRIMTARI DHE PUBLICISTI KOLEC TRABOINI NDEROHET ME TITULLIN “MJESHTËR I MADH”

Në kuadrin e 100 vjetorit të jetimores së parë shqiptare 1917-2017 dhe javës së ndërgjegjësimit për të shtuar kujdesin për fëmijët jetimë, Presidenti i Republikës z. Ilir Meta bëri edhe disa dekorime e dhënie titujsh.
Me nr. dekreti 10653, datë 15 nëntor 2017, Presidenti i Republikës me akordoi titullin “Mjeshtër i Madh” me këtë motivacion: 
“Për merita të shquara si personalitet i artit, publicistikës dhe kulturës shqiptare, duke u bërë shembull frymëzimi, në veçanti, për gjeneratat e fëmijëve jetimë, të cilëve ai u përket”.
 
Foto realizuar nga Nuri Çumani........
Kolec Traboini:


"Me këtë rast falenderoj Presidentin e Republikës z. Ilir Meta dhe Institutin Kombëtar për Integrimin e Jetimëve Shqiptarë me drejtor të  përgjithshëm Ilir Çumani. Si dhe kujtoj me veneracion të gjitha ata që në fëmininë e rininë time mu gjendën pranë e sot nuk jetojnë më, duke filluar nga mësuesi im i klasës së parë Lin Mushkalla, në vazhdimësi Njac Nenshati, Pjetër Pali e Kol Alimhilli,  drejtoreshën e Shtëpisë së Fëmijës Shkodër Persa Grabova, mësuesin tim të paharruar të gjuhës shqipe Pjetër Elezi që më thërriste gjithmonë me mbiemër, mësuesin i letërsisë Lec Shllaku e të tjerë. 
         Një kujtesë mirënjohje e veçantë shkon për atin tim të munguar Palok Traboini, mësues e luftëtar, publicist i pavarësisë dhe sekretar i Ded Gjo Luli, Dadën time Katrina Traboini, vajzën e Motrës Tone, që më nxiti në fushën e artit që kur linda, duke më venë emrin e dajës së vet, të paharruarit Kol Idromeno.
E ndaj këtë kënaqësi me të afërmit, me të gjithë bashkmalësorët e mi në Traboin e mbarë Malësinë e Hotit, me bashkshkodranët e mi, me bashkemigrantët në Greqi dhe Amerikë, si dhe me miqtë dhe dashamirësit e letërsisë. 
      E në fund (për nga rendi por e parë për nga rëndësia) një mesazh për të gjithë ata që rrethanat i sjellin të jenë në fatin tim të fëminisë; ju pëllumba me krah të plagosur kurrë mos harroni se në një shtet social dhe në një shoqëri humane mund të fluturohet edhe me një krah"

Gazeta Vatra 24 nëntor 2017, USA
       www.gazetavatra.com
 
Kolec Traboini, Tiranë 22 nëntor 2017

09 November 2017

Kolec Traboini, shkrimtari që dhuron libra! / Intervistë


KOLEC TRABOINI, SHKRIMTARI QË DHURON LIBRA!

- Për ata që ende nuk ju njohin, si do ta prezantonit veten?

- Sa i përket lexuesve njohja varet nga mosha dhe interesat i tyre. Nga brezat e vjetër edhe sot ma kujtojnë librin e parë në prozë “Petalet e bajames se hidhur” i cili vitin 1974 mori çmim në konkurs kombëtar, lexuesit e rinjtë nuk kanë si ta dinë këtë. Gjithsesi paraqitja nuk është gjë tjetër veçse shfaqja i asaj çfarë e përfaqëson një krijues. Thënë shkurt; gazetar nga diplomimi, kineast nga puna, në këtë të fundit fitues i disa çmimeve ndër të cilët Kupën e Festivalit të Parë Filmit Shqiptar 1975 dhe atë të Tetë 1990 për filma dokumentare. Krijues në letërsi me 30 libra, nga të cilët gjysma poezi, shkrimet publicistike janë të panumërueshëm, mbi 20 vjet emigrant në Greqi dhe Amerikë dhe themelues i të parës gazetë shqipe në Greqi, “Egnatia”, Athinë 1993.

Albina Hoxha
- Një poet që shkruan libra, i boton dhe i dhuron? Përse kjo zgjedhje?

Përveç mundimit për ti krijuar, librat kanë edhe një kosto për botimin e tyre. Para vitit 1990 librat i botonte shteti, privatizimi solli të mira por edhe të këqija. Sot botuesit shqiptar nuk janë botues të tipit klasik si ta zëmë Ismail Mulosmani (1920-1983) të viteve 30-40 të shekullit të kaluar, por janë katandisur në shtypshkronjës që nuk financojnë e mbështesin autorët shqiptarë në botime, por u marrin parat e u rrasin librat në dorë e ti çojnë ku të duan. Kështu botimet janë në kaos, librat autorëve të lirë u mbetën në shtëpitë e tyre, libraritë nuk i marrin pa pasur NIPT pra një licencë për të shitur, në këto kushte libri nis e qarkullon duke u falur. Në panair lulëzon libri i huaj dhe të vjen turp te shkosh atje ku ku 80 % e librave të paraqitur janë të huaj, shto dhe botimet fetare. Letërsinë shqiptare po e vdesin. Libri botohet për tu lexuar. Ca pseudo krijues që thonë se botojnë e fitojnë me libra, gënjejnë edhe veten edhe lexuesin. Për të thyer këtë izolim të librit shqip, për të cilin izolim japin ndihmesë negative si botuesit por edhe shteti, unë personalisht kam zgjedhur rrugën e dhurimit të librave. E kam bërë këtë nëpër vite. Po ju referohem vetëm viteve të fundit. Kam organizuar paraqitje (nuk më pëlqen fjala promovim) në Tiranë, Prizren, Tuz, në Traboin të Hotit dhe i kam dhuruar libra pjesëmarrësve. Por kam përdorur edhe forma të tjera si takime e biseda. Kështu bashkë me kolegë kemi shkuar në Shtëpinë e Fëmijëve Jetimë në Tiranë dhe në qendrën e fëmijëve në fshatin SOS, në Institutin të Miturve ne Kavajë, në shkollën “Betim Muco” Kombinat, Tiranë dhe bashke me krijues të tjerë kemi dhuruar libra. Unë bej kujdes të dërgoj libra në Bibliotekën e Prishtinës dhe në Bibliotekën “Marin Barleti” Shkodër për çdo botim të ri.

- Çfarë doni të tregoni ju me këtë? Çfarë mesazhi synoni të përcillni?

Për krijuesin është fatkeqësi e madhe që të botojë libra dhe të mos i qarkullojë. Përpara alternativës që libri të rrije stok, autori në këtë izolim të madh siç e thamë, duhet të gjejë mënyrën që libri të shkojë tek lexuesi. Kjo është me e rëndësishme se sa çdo lloj që mund të dalë prej shitjes tyre pak e nga pak apo pse jo dhe aspak. Në kushtet edhe të varfërisë së njerëzve, dihet pamundësia për të blerë libra, madje ka familje që e kanë problem edhe blerjen e librave të shkollës për fëmijët e tyre. Po a duhen përjashtuar nga leximi këta fëmijë apo dhe të rritur? Pra në këto kushte autorët duhet të luftojnë të shkojë te lexuesit produkti i tyre intelektual pa marrë parasysh koston. Kjo kohë apatike në të cilën krijimtaria artistike konsiderohet një handikap shoqëror, duhet përballuar duke mos i humbur lidhjet me lexuesit me çfarëdo çmimi që të jetë. 
- Në këndvështrimin tim për ju është më e rëndësishme të lexohen krijimet tuaja sesa ju të fitoni para. A kam të drejtë në këtë që them?
Padyshim. Ka krijues që shkruajnë për para por ka edhe nga ata që shkrimin e kanë pasion të jetës. Nëse në mes krijuesit e veprës letrare është pasioni, aty nuk mund të flitet më për para. Nuk ka rëndësi fare paraja. Kjo nuk do të thotë se e nënvleftësojmë paranë sepse ato na duhet për të prodhuar libra të tjerë, por të tilla janë kushtet e tranzicionit të vonuar dhe të varfërisë së përgjithshme, shkrimtarët dhe artistet dalin humbësit më të mëdhenj. Në këtë mes duhej që si rregullator të hynte shteti për të stimuluar krijimtarinë letrare që para se gjithash është pjesë e kulturës kombëtare.

- Për kë shkruani në librat tuaja?

Për krijues të lirë nuk ka receta. Krijimet shprehin ndjesitë dhe reflektimet ndaj realitetit që na rrethon. Nëse flasim për poezinë, krijimi është pjesë e jetës se krijuesit, mendimeve, ndjenjave, emocioneve dhe e veçanta e poezisë është se nuk rend autori pas temave e subjekteve siç bën ta zëmë gazetari, nuk i ndjek, ato vinë vetë sa në koshiencë apo subkoshiencë. Autori realizon krijimin e vet, përshtypjet e tij për jete e marrëdhëniet njerëzore, botën, natyrën, historinë e gjithçka për të cilën ka interes si qenie njerëzore. Mbase proza e gjatë ka synime me të qëndrueshme por unë më shumë shkruaj poezi dhe eseistikë.

- Keni jetuar në Greqi dhe SHBA, dua t’ju pyes, me aq sa keni parë ju, a e trashëgojnë gjuhën shqipe dhe zakonet emigrantët shqiptar te fëmijët e tyre?

Kemi humbje të mëdha jo vetëm të mendjeve intelektuale me këtë mërgim të madh pas viteve 1990, por edhe humbje brezash të vazhdimësisë. E vërteta është se shumica e familjeve shqiptare e ruajnë të folurën shqip në shtëpitë e tyre, përpiqen tua mësojnë fëmijëve, ka edhe qendra te ndryshme ku shqiptarët kanë krijuar klasa që fëmijët të mësojnë shqip. Por duhet pranuar se ka edhe shumë familje që nuk i lënë fëmijët të flasin shqip për shkak të bëmave të zeza të një pjese të vogël të mërgimtarëve shqiptarë. Kështu në Greqi, Itali, Angli por edhe në Amerikë, madje vetë Hillari Klinton në një takim me shqiptarët në New York u tha se duhet të bëni shumë kujdes se u ka dalë nami ju shqiptarëve. Dalja e emrit të keq i bën shumë familje shqiptare të thonë që sa me larg shqiptarëve aq më mirë është, e kur e themi kështu vete çfarë pritet të thonë të tjerët. Pra faktorët më dëmtues janë shpesh brenda komunitetit shqiptar, ndaj gjen shqiptar në Amerikë, në Boston e Filadelfia këtë e kam konstatuar vete,  që shqiptarët lidhen me grekët, shkojnë në kisha greke dhe një ditë ndjehen grek. Nisin dhe krushqit dhe fillon humbja e identitetit. Flas për mërgimtarët nga Shqipëria. Kemi shumë bjerrje në diaspore.

- A është e vështirë të jesh shqiptar larg kufijve të Shqipërisë?

Është relative. Për brezin e vjetër, kur shkon në mërgim në një moshe të pjekur është e vështirë të përshtatesh e të gjesh veten. Por fëmijët e shqiptareve të shpalosin një pamje tjetër optimiste, jo vetëm që përshtaten por edhe kanë ecuri. Dhe vihet re se fëmijët shqiptarë për shkak të inteligjencës natyrore por edhe vullnetit kanë sukses. Po marr shembull veten. Të dy fëmijët e mi kanë mbaruar universitetet, djali inxhinier kompjuterik dhe vajza art-komunikim, djali punon në Boston e vajza sapo është ngarkuar me detyrë në një institucion të shtetit amerikan në Washington DC. Unë kur gjendem atje e u mësoj nipave të mi të folurën shqip dhe vjersha që i përshtaten moshës. Tomi është 4 vjeç dhe unë me të flas shqip, ani pse ai nuk ka ardhur kurrë në Shqipëri. Këtë mendoj se e bëjnë shumë familje shqiptare të Amerikës.

- Teksa gërmoja në internet për ju dhe punën tuaj pashë se profesioni juaj është gazetar. Më lejoni t’ju pyes si e vlerësoni gazetarinë në Shqipëri?

- Më vjen keq se kuptimi i fjalës gazetar ka edhe pakëz grotesk. Dikur në monizëm e quante veten gazetar edhe ai që shpërndante gazetat në fshat. Tani  quajnë gazetare një vajze të re që veç artikulon dy pyetje dhe mban mikrofonin në dorë nëpër ca intervista në lëvizje. Mirëpo nuk shkruajnë qoftë edhe një artikull serioz në jetën e tyre. Aq me tepër gazetaria ka humbur shumë sepse nuk njeh llojshmërinë brenda zhanrit të gazetarisë. Askush nuk shkruan fejtone, nuk dinë çfarë është reportazhi, ku dallon nga përshkrimi, apo çfarë është skica, vëzhgimi, pamfleti, grotesku. Kësisoj konstatohet se gazetaria ka humbur shumëçka nga pikëpamja cilësore. Ndoshta ndikon edhe përzgjedhja jo e mirë e studentëve apo dhe niveli i dobët i mësimdhënies, por gjithsesi qoftë gazetaria sot lë për të dëshiruar.

Intervistoi: Albina Hoxha
Tirane 3 nëntor 2017

04 November 2017

📗 Takim e dhurim librash në shkollën "Betim Muço"



TAKIME E DHURIM LIBRASH NË SHKOLLËN "BETIM MUÇO"

Në kuadër të muajit të letërsisë, Klubi  Poetik “Tirana” organizoi një takim e bisedë me nxënësit dhe personelin e shkollës se re të Kombinatit, Tiranë, që mban emrin e shkrimtarit dhe fizikanit Betim Muço. Grupin e shoqëroi drejtori i shkollës Sazan Halilaj. Shkolla krejt e re dhe e bukur falë punës së përkushtuar të Bashkisë së Tiranës. Në sallën e bibliotekës ishin mbledhur shumë nxënës dhe mësues. Takimin e hapi mësuesja Irena Biba që uroi mirëseardhjen dhe e njohu grupin e krijuesve me programet mësimore dhe kushtet shumë të mira të krijuar për nxënësit. Poetja Iliriana Sulkuqi foli mbi mbresat e saj për personalitetin e shkrimtarit Betim Muço dhe krijimtarinë e tij të shumanshme si krijues, poet prozator dhe përkthyes por edhe si shkencëtar. Ajo solli përshëndetje nga shoqata “Bijt e Shqipes” e cila ha hapur klasa për mësimin e gjuhës shqipe nga fëmijët e mërgimtarëve shqiptarë në Filadelfia dhe e cila ka organizuar veprimtari në kujtim të poetit Betim Muço.
Të pranishmeve u foli dhe poetja Lida Lazaj e cila shprehu kënaqësinë që ndodhej në mes të nxënësve të kësaj shkolle që mbante emrin e një shkrimtari të njohur. E morën fjalën gjithashtu Oralda Lahe, Mjeshtri i madh Ilia Terpini dhe artistja e njohur Vitore Sallaku.
Drejtori i shkollës Sazan Halilaj falënderoi krijuesit për takimin dhe premtoi se kjo shkollë do të ketë përparim të lartë dhe do ta nderojë emrin e shkrimtarit. Pastaj ai ftoi fëmijët të recitojnë poezitë që kishin përgatitur nga krijimtaria e Betim Muços. Recituan vajza dhe djem, individualisht por edhe në grup. Ata ishin pasionantë të poezisë e ndoshta prej tyre do të kemi pse jo dhe shkrimtarë të ardhshëm.
Një prej nxënësve të talentuar Aleksandro Hamza, kish përgatitur një vizatim me fytyrën e shkrimtarit Betim Muço, te cilin ja dhuroi poetes Iliriana Sulkuqi.
Iliriana Sulkuqi, Kolec Traboini, Lida Lazaj, Oralda Lahe dhe Vitore Rasha-Sallaku, dhuruan për bibliotekën e shkollës shumë libra me krijimtarinë e tyre, këto dhurime janë në vazhdën e dhurimeve të mëparshme si tek Shtëpia e Fëmijës Tiranë, fshati i fëmijëve SOS, Instituti i të Miturve Kavajë, dhurime librash për shqiptarët e Malit të Zi e tjerë. U dorëzuan dhe mbi 20 tituj librash në emër të shtëpisë botuese B&M të Miranda Golecit si dhe një sasi librash artistikë dhuratë nga Roland Lushi i shtëpisë botuese ADA, Tiranë.
Pasi vizituan mjediset e shkollës, grupi i krijuesve u ndalua në lulishten në oborrin e pasëm të shkollës ku ishin mbjellë disa pemë, në mes tyre binte nën sy një fidan ulliri të cilin krijuesit bashkë me nxënësit e emërtuan “Ulliri i poetit”.
Ishte një takim i bukur e mbreslënës, krijuesit ju premtuan nxënësve se do të sillnin për bibliotekën e shkollës “Betim Muço” në vazhdimesi librat që ata do të botonin në të ardhmen.