25 July 2018

🟢Qytetrimi me barabarinë i ndan humanizmi - nga Kolec Traboini

QYTETRIMIN ME BARBARINË I NDAN HUMANIZMI

Nga KOLEC TRABOINI

Bashkë me do shqiptarë Kosove të mrrolun keq, që nuk dinë të dallojnë njeriun e thjeshtë nga politika e qeverive, represive qofshin, bashkë me ta edhe një femër që jeton në Francë e është nga Tropoja, shprehin gëzimin për çka ndodhi në ketë tragjedi njerëzore në Atiki ku u dogjën të gjallë si mbas të dhënave të deri tanishme 80 njerëz të pafajshëm, në mes tyre me dhjetëra fëmijë si engjëj. Mu kujtuan plakat e çakërdisura palestineze që hidhnin valle kur nga terroristet arabe binladeniste u rrëzuan kullat e New Yorkut në 11 shtator 2001 ku u vranë afër 3 mijë qytetarë të pafajshëm. Mizori. Si ka mundësi të ketë njerëz të tillë kaq mizor mes nesh, sikur të kenë dale prej shpellash mesjetare.
Në faqen e Nico Prognit i dhashë gjegje e mëposhtme asaj zonje gjëmëmadhe që e quante ngushëllimin tim për banorët e Atikisë një hipokrizi, por për shqiptarellat e Kosovës nuk kam asnjë fjalë se andej disa po kanë shënjtor ku falen jo humanizmin njerëzor por Sulltan m. Muratin mizor.
Është e kuptueshme që këtu udha ime me antihumanët me shpirt mizor ndahet:

- Ti moj zonjë, mjerisht me emër katolik, nuk je populli shqiptar- siç pretendon. Ti je veç një individ i pakulturuar e antihuman. Mjer kush bie pre e mllefit tënd të pa sy e të pa mend. Unë i di mirëfilli grekët se kam jetuar 5 vjet atje. Di të mirët e të këqijtë. Di popullin e njerëzit e thjeshtë, por e di dhe politikën, represionin dhe astronominë raciste. Kurrë nuk i ngatërroj këto nocione. Por populli është popull. Njeriu i thjeshte nuk ka pse merr përsipër mizorinë e as krimet e kastave politike apo shoviniste. Ti pretendon në bazë të emrit të jesh katolike. Marre e turp të qoftë. Kristianizmi është mëshire. Mëshira është thelbi i besimit. Ti nuk ke shpirt te krishterë, të ka pushtuar i paemri, shko në kishë e falu sa nuk të ka përpirë e keqja që nuk paska fund në këtë botë!
Kurrë nuk është vonë për shpëtimin e shpirtit!
Amen!

Ne vazhdim keni shënimin tim me ngushëllimin për tragjedinë me përmasa biblike që i ra banorëve të Atikisë në këto ditë përvëluese korriku:

People of Attica, in this tragedy of fire, we are with you!
Banorë të Atikës, në këtë tragjedi zjarri, ne jemi me ju!

As mund ta mendonim kurrë se ato brigje të mrekullueshme të Greqisë përqark Athinës, ai vend perlë me emrin Atiki, që kur shkuam emigrantë në vitin 1991 deri në 1995 e quajtëm parajsa e Zotit në tokë, të digjet e shkrumbohet kësisoj.
Mendja e zemra sot shkon tek populli grek, tek njerëzit e thjeshtë në këtë travajë të madhe e të dhimbshme.
Pushofshin në Paqe viktimat e zjarrit!
Ngushëllime familjeve dhe të afërmve!
Zoti ua lehtësoftë dhimbjen të lënduarve në spitale!

Kolec Traboini
Emigrant në Athine, Greqi 1991-1995

24 korrik 2018

21 July 2018

🟢 Jam shqiptar etnik, mor munafik!- nga Kolec P. Traboini


JAM SHQIPTAR ETNIK, MOR MUNAFIK!

Nga KOLEC P: TRABOINI

Nuk është apologji. Nuk ja ndjej nevojën asnjë lloj apologjie kur dal e shpreh fjalë e ndjesi që kanë të bëjnë me kombin tim, me identitetin tim kulturor të trashëguar shekull pas shekulli dhe e pa përlloçur e fëlliqur me gjakun e pushtuesve e hordhive të egra aziatike që kanë prerë aq shumë koka shqiptarësh sa të thuash se ende toka jonë kullon gjak. Kjo është e vërteta. As një e qindta e asaj që ka ndodhur nuk ka arritur të dëshmohet si duhet se janë kujdesur të zhdukin çdo gjurmë, por ato pak shkrime të vetë pushtuesve tregojnë krime të përbindshme, lemeri të pafund. Duhen edhe 500 vjet të tjera që të shuhen në amshim klithmat e  burrave e grave, vajzave e djemve që shkonin në teh të shpatës së sulltanëve. Lexoni çfarë thonë vetë shkronjësit e vet sulltanëve. Drishti u dorëzua në besë, por hordhitë arabe-aziatike nuk e dinin besën. Morën 300 djem luftëtarë të Drishtit  dhe ua prenë kokat një e nga një përpara mureve të kështjellës së Shkodrës për të lodhur e thyer qëndresën e shkodranëve.
Sot gjen në Shkodër një rrugë me emrin Evlia Çelebiu, shkronjës i Sulltanit,  por nuk gjen asnjë rrugë me emrin 300 Djemtë e Drishtit. Gjen soj-soj emrash personash ordiner, por nuk gjen emra e asnjë prej mbrojtësve të kështjellës së Shkodrës në 10 vjet rrethim që do të bënte krenarë çdo qytet historik të Europës. Arkitekt Donati, Jakob Moneta, vëllezërit  Llesh Begani e Nikollë Begani, Nikollë Gradislavi e plot të tjerë. Veç Viena e lavdishme u ka rezistuar kështu hordhive osmane. Dhe ne qënkemi kaq të pasur në histori sa ti lëmë në harrim ata që luftuan e u vranë për këtë tokë dhe ndërkohë shkojnë e  falen tek varri i një kerrmë aziatike me emrin Sulltan Murati. Po si mund të jesh i qetë si atdhetar kur sheh të tilla mizorira.  Apo kur ministria e Kulturës, kjo talibane e vërtetë që, ndërkohë që ka thyer e hequr pllakën historike të themelimit të Kinostudios, jep urdhër të vihet emri i sulltanit që paska meremetuar kështjellën e Lezhës pasi ua preu kokat e tërë shqiptarëve që zuri në ikje kur pllakosi hordhia aziatike. Deti në Shëngjin u skuq me gjakun e shqiptarëve, thotë historiani turk e shton, kokat e shqiptarëve kishin mbuluar detin e pluskonin si të ishin bostane në ujë. Mos vallë kjo ministre është një gjen osman i ngecur në mitrat shqiptare apo në ikje e sipër  nizamët harruan ta marrin me vete.
Nëse dikush e ndjen veten vazhdues  apo bisht qeni i osmaneve, të hiqet në një anë e të mos flasë në emër të gjithë shqiptarëve. Apo jo more Mustafai i televizioneve që herë na shfaqesh si më i bukuri osmanli e herë-herë si serb sevdalli. Shqiptarët kanë identitetin e vet që nuk ka të bëjë në asnjë drejtim me hordhitë arabe-aziatike.  E dimë se sulltanët nëpër shekuj kanë sjellë popullsi nga Anadolli, por ata prej tipareve të forta dalluese e të patjetërsueshme të vendasve kane gjetur mirëkuptim për mbijetesë dhe janë asimiluar me dëshirë e sot ata quhen shqiptare.  Por ne mes tyre ka edhe që dalin e kërkojnë revanshe aziatike me dëshirë të zjarrtë të bëhemi sërish Osmani.  Ajo çfarë të trondit është se këta monstra ngulmojnë duke e quajtur vetën përfaqësues të shqiptarëve, një popullsi, sipas tyre e krijuar nga Porta e Lartë dhe popullsia tjetër që i përket banorëve autoktonë, na qenkan ja venecianë,  ja grekë. Shqiptarë na qenkan pra vetëm ai rasati i zi që mbollën osmanet në trojet shqiptare. Dhe nxjerrin konkluzionin absurd se ata, pjella osmane, vetëm ata janë autoktonë. Krejt si fabula e dhelprës që kërkoi të rrinte tek porta se bënte ftohtë, pastaj brenda, derisa u tha atyre që ishin në atë strofke, ikni se tani kjo është shtëpia ime. Por ka nga ata që vetëm një vit pushtim gjerman e quajnë më gjëmë zezën në histori, më e rëndë se sa 500 vjet pushtim të egër osman.  Kur dihet tërë Arbëria ra në errësirë e nën tekun e shpatës. Këto të çmendur vazhdojnë me dëshirën satanike që atë që nuk mundi ta bëjë perandoria e zezë osmane, ta bëjnë ata, e ky mish i huaj në trojet shqiptare, gjejnë edhe vend në televizione si një farë emisioni me emër serb “Provokacia” ku drejtues është një  njeri i hallakatun me emër arab Mustafa. Duke parë këtë lukuni padyshim se mund të hamendësojmë se ata kanë ndonjë lidhje serbo-turke që kërkojnë shuarjen e identitetit të kombit shqiptar.
As turqve e as serbeve apo miqve të tyre grekë nuk u intereson që shqiptarët në Ballkan të vetëdijësohen për peshën e madhe që kanë nëse ata fitojnë ndërgjegjen e plotë në rrugën e Bashkimit Kombëtar. Janë më shumë se 10 milion shqiptarë pa llogaritur shqiptarët e Turqisë se ata konsiderohen të asimiluar sa kohë vënë fenë para kombit. Ata “Provokacijat”, Mustafatë, apo me emër të moderuar Osli, pikërisht atë kërkojnë, të shuhet çdo ndjesi, identitet e krenari e shqiptarëve etnike. E them këtë se nëse bëhet një studim demografik është e lehtë të kuptohet se ka shumë shqiptarë të hershëm me kulturë, traditë, fe, identitet, e gjak të pa trazuar me pushtuesit osmanë, siç ka edhe të tjerë që në histori njihen se ardhës nga Anadolli, por me kalimin e shekujve kanë gjetur veten e vet dhe janë përshtatur me vendasit, e fatmirësisht nuk e shtrojnë më problemin e origjinës se largët. Duke qenë se shqiptarët autoktonë kanë qenë një popull tolerant, ardhacakët janë pranuar si të barabartë aq sa sot ndjehen plotësisht shqiptarë. Kjo është  e vërtetë e të hidhen e të përdridhen si marioneta në një teatër kukullash, sa e si të duan të gjithë Olsat e Mustafallarët. Shqipëria është e të gjithë shqiptarëve, e të gjitha atyre që ndjehen shqiptarë, atyre që ju dhëmb e luftojnë për ruajtjen kulturës, traditave, identitetit, dhe orientimit perëndimor si pjesë e familjes europiane. Kësaj familje i kanë përkitur shqiptarët para se të shfaqeshin hordhitë e egra aziatike e kështu do të mbetet gjithmonë pavarësisht eksperimenteve që bën edhe një gen i keq pseudokatolik me emrin Aleksander Frangaj, që në dy stacione televizive (nga 4 që ka) jep vetëm filma turq mbi lavdinë e sulltan kërmave të perandorisë osmane. Të shitur ka pas e do të ketë gjithmonë, se fundja nip e kishte Gjergj Kastrioti Hamzanë, por ai u ujdis me sulltanët e ka mbetur fytyrë zi në histori, kështu do të mbetet edhe ndonjë nga këta që injektojnë helm osman në trupin e kombit shqiptar.
Kam venë re se disa njerëz që i përkasin një besimi që as me intereson fare, çdo për gjë që shkruaj në mbrojtje te identitetit kulturor shqiptar e devijojnë duke më akuzuar si katoliko-centrik, ose islamofob. Nuk është as njëra e as tjetra. madje unë nuk kam dalë as të bej fushatë për konvertime masive, çfarë nuk do të ishte ndonjë faj i madh nëse kështu e kërkojnë interesat e kombit. Por kurrë nuk jam marrë me probleme dominimesh dhe as kam bërë propagandë fetare. Një zonjë a vajzë që mban shami në kokë e jeton në Europë, bie pa e kuptuar në grackën që përgatisin pikërisht fanatikët fetare, në vend ti lëshohet arsyes, vetë preket në sedër po krejt artificialisht duke më quajtur antislam. E më vjen çudi se shumë nga këto të rinj, shkojnë në Itali e Europë e mbetën me mendje në mesjetë sa i përket fanatizmit fetar, e kuptohet absurditeti dhe hipokrizia ( munafike i quaj une me kete fjale arabe), jetojnë e punojnë në Europë pra, dhe simpatitë u rendin në Lindje, Turqi e Arabi. Bëhen skllevër mentalitetesh, mbartës e përhapës te fanatizmit intolerant.
Në vend të thonë se kjo vajzë shqiptare në fotografi që ti përcjell nga Malësia e Madhe ka mbetur me pastërti hyjnore, brez pas brezi që nga Iliria, nuk thonë asnjë fjalë, por nguten të inatosen me fjalët, pse po ma sulmon fenë? Po cilën fe. Se në këtë botë ka shumë fe, shumë besime , madje në kushte lirie perëndimore, e jo ndalimesh lindore, mund të shpallësh edhe ndonjë fe të re, ta zëmë të luleve të qershisë,  pa të hy ferrë në këmbë. Ata fanatike e shfrytëzojnë lirinë qe u jep perëndimi dhe nga ana tjetër me kokë në thes, si në kohën e baba Qemos të thonë  se tërë bota duhet të bëhet islam. E kam përsëritur mijëra herë, por kush nuk do të dëgjojë e nuk do të shohë e ka të vështirë të kuptojë “Nuk më intereson feja e askujt!”. Më intereson kombi im të cilit etnikisht i përkas prej mijëra vjetësh, tradita e kultura autoktone, e, do të luftoj deri në fund ndaj çdo qen bir qeni që kërkon të shkatërroje identitetin tonë si popull. Nuk kam ndërmend të shkruaj me politesë për të më mirëkuptuar trushkalët, apo për të bërë kompromise, shkruaj se kam ideal kombëtar përtej të cilit nuk më hyn në sy askush e asgjë, se nuk jam as Prift, as Hoxhë e as Budë e Dervish. 
Jam shqiptar etnik, more munafik! E kaq më mjafton për të ardhur e për të ikur paqësisht nga kjo botë.

DESHMI NGA BARLETI TRABOINI FILM

20 July 2018

Pjetër Arbnori vital apo hija e tjetrit? - nga Kolec Traboini



PJETËR ARBNORI VITAL APO HIJA E TJETRIT?

Nga KOLEC TRABOINI

Qëkurse merr një veprim për krijimin e një vepre artistike që simbolizon jetën e idealet e një njeriu, pasi ai e ka mbyllur ciklin e jetës, artisti, krijuesi ndodhet para disa të njohurave e te panjohurave, të cilat duhet ti davaritë që të arrij të shohë përmes kohës çfarë ka qenë më tipikja dhe përfaqësuesja në jetën e njeriu, fundi i fundit çfarë ka qenë lajtmotivi i jetës dhe ku e kur kanë qenë çastet kulmore. Ndodh që në antologjinë e ndonjë poeti, hartuesit përzgjedhin një fotografi të kohës së rinisë së tij dhe jo atë kur hiqej osh-osh me një shkop, i pafuqi, i plakur e i rrudhur, i mbaruar, pa vullnet e pa shpresë. Do të ishte marrëzia me e madhe njerëzore nder ne nëse Migjenin e vargjeve rinore plot patos e vitalitet, ta mishëronim në një shtatore si një i sëmurë me tuberkuloz, i mbledhur kruspull e i dergjur, siç në të vërtetë ishte në fund të jetës së vet.
Kur njeriu nuk është më ndër të gjallë, përfytyrimi mbi të merret ajo çfarë ka qenë më tipike, dhe as fillimi dhe as mbarimi i tij biologjik. Të gjithë personalitetet e botës kanë qenë foshnje në pelena, por nuk ka arsye të shëndosh që të themi ky fëmijë i ndragur në këtë skulpture është Shekspiri. Përkundrazi Shekspiri është ai trup e ai shpirt, ajo frymë që ka mbajtur tragjeditë me të mëdha e më mbresëlënëse të botës skenike, prandaj jashtë këtij përfytyrimi nuk është e mundur të konceptohet.
Artistet figurative, në këtë rast skulptorët, kanë vizionet e tyre të lira, por kur kanë të bëjnë me persona e ngjarje reale e veprat bëhen me porosi e jo si trille vetanake krijuese,  janë të detyruar ti afrohen gjithsesi realitetit. Se këtu ndër ne ndodh edhe që një grumbull gurësh tu vesh emrin Gjergj Fishta,  siç është bërë në Shkodër ku njerëzit kalojnë përskaj e gjithçka mund të mendojnë por Gjergj Fishtë kurrkund.
Por në këtë rast të këtij shkrimi,  nuk e kemi fjalën për Fishtën e gurëve të Bashkisë së Shkodrës, por për Pjetër Arbnorin e Parlamentit të Shqipërisë në Tiranë. Po kush ka qenë Pjetër Filip Toma - Arbnori që parlamentarët e këtij vendi ua servirin popullit të kryeqytetit si një njeri i përvuajtur, i hyrë si doku kinez në ujë. Në një vepër kjo më se e goditur nëse do ti kushtohej ndonjë oshënari apo murgu i mbyllur në vetmi, brenda mureve të monastireve ku njeriu tretet fizikisht deri në shpërfytyrim. Abati Faria nëse marrim një personazh letrar anemik nga Aleksandër Dumas.
A e dinë këta që kanë marrë përsipër ta kryejnë këtë punë kush ka qenë Pjetër Arbnori. A e dine cilat janë raportet në segmente të caktuara në jetën e këtij njeriu që po e venë në kujtesën e kombit si i përvuajtur,  kur në të vërtetë çasti më kulmor i jetës së tij nuk ishte kur drejtonte një Parlament të ndarë në dy gjysma, kur në të vërtetë në të dy krahët gëlonin ish spiunët e sigurimit e ish komunistët që si kameleon kishin ndërruar vetëm ngjyrat, por jo mentalitetin dhe as praktikat. Cila pjesë e jetës së Pjetër Arbnorit është ajo që konsiderohet si shkëlqimi i diamantit në rrezet e diellit. Është e lehtë ti japësh zgjidhje duke pas parasysh një kryetar parlamenti, që nuk ka asnjë atribut tjetër veç ti jap fjalën herë njërës palë e herë tjetrës, një tufë banditësh pra që luftonin e vazhdojnë të luftojnë zagarisht për pushtet e aspak për popullin. Atë punë që bënte Pjetër Arbnori andej nga fundi i jetës e bën tani një ish ministër i brendshëm i diktaturës kundër të cilës luftoi në kohën e rinisë së vet, çfarë e pagoi me burgje të gjata pa fund. Cila është pra vlera e të qenit kryetar i parlamentit që amerikanët e konsiderojnë thjesht “Parliament Speaker”, përpara një jete e vepre aq madhore që bëri Pjetër Arbnori në rininë të tij të admirueshme. Dhe pikërisht në kohën kur represionet ndaj fjalës se lirë e mendimit të lirë ishin më të egrat në mbarë Europën Lindore, në kohën kur populli shtypej mizorisht e një fjale e vetme të merrte jetën ose kalbeshe burgjeve.  Pjetër Arbnori i ri, them i ri për ta ndarë nga Pjetër Arbnori i vjetër, i plakur e pa vitalitet,  bëri atë që mund të konsiderohet e paimagjinueshme për guximin, me një grup shokësh besnikë, organizuan themelimin e Partisë Social Demokrate në ilegalitet. Por të dekonspiruar e ndjekur nga agjentët e sigurimit, grupi u arrestua në vitin 1962 dhe Pjetër Arbnori u dënua me vdekje. Vendim ju kthye në 25 vjet burg. Ky është Pjetër Arbnori, kjo është apoteoza e jetës se tij dhe jo koha kur shërbeu me devocion në një parti të dominuar nga fryma autokratike i një ish komunisti në aq vite sa Pjetër Arbnori kishte bërë burgje.
Gjithsesi ta shohësh, sado dashamirës i figurës të jesh, do të konstatosh se  në jetën e Pjetër Arbnorit ka dy kohë e dy sjellje të ndryshme. Në një krah është disidenca antikomuniste e pa kompromis në rininë e tij, në krahun tjetër toleranca e falja përtej çdo logjike e drejtësie të krimit dhe e kriminelëve pas vitit 1990 në pseudodemokraci dhe bashkëpunimi me ish komunistet e kamufluar si antikomunistë. Ajo që e lartëson është pikërisht shpirti i revoltës ndaj shtypjes dhe qëndresa kundër komunizmit.  Po kjo gjithnjë i është harruar, qëllimisht. Asaj kohe nuk i japin asnjë atribut. Përkundrazi e vlerësojnë për qenien e tij në krye të Parlamentit ku gëlonin spiunë e sigurimsa të diktaturës komuniste e ku ruante qetësinë (kujdestar rendi pra) e duan të na bëjnë të besojmë se, ky e vetëm ky kujdestari,  na qenka fenomeni Pjetër Arbnori.
Pjetër Arbnori, padyshim ka kenë njeri i mirë në kuptimin më të drejtë të kësaj fjale, madje më i mirë se sa duhej, sipas konceptit tonë. Pjetër Arbnori si funksionar i lartë i shtetit shqiptar, në pluralizmin e sajuar ligsht, nuk pati asnjë shkëlqim. Dhe ata që sot i sajojnë shtatore groteske sot, atëbotë e përgojonin dhe e qeshnin në parlament, veçmas për theksin e tij në të folmen e Shkodrës. Ai e dinte këtë, i njihte mirë, prandaj bëri sikur nuk dëgjonte e më se shumti përfitoi të kujdesej të botonte veprat e tij që kishte shkruar gjatë 28 viteve në burgjet e komunizmit. Kjo për atë ishte një arsye e mjaftueshme për të qëndruar në atë post ku nuk kishte asnjë kompetencë dhe asnjë pushtet.
Tani ndodhemi para faktit të kryer. Dymbëdhjetë vjet pas vdekjes së tij, me 24 korrik 2006, para parlamentit i vendoset një shtatore e cila e paraqet si njeri të ndrydhur, të ngjeshur brenda bronzit siç ai nuk do të donte të ishte. Sepse më shumë se qëndresë e vitalitet tregon qyqari, sa “me ju dhimbtë gurit e drunit” do të thoshte vetë Pjetër Arbnori megjithë tolerancën e tij hyjnore. Ndoshta një shtatore e kësaj natyre do të ishte e denjë për në ndonjë kënd në Tiranë ku zënë qoshe lypësit e ngratë me qellim të preknin në ndjenjat e njerëzve për të pas pak mëshirë e për të rrëmuar në xhepa. A ndoshta kanë menduar që me këtë shtatore mjerane tu bëjnë një sugjestion deputetëve milionerë që të mendojnë sado pak edhe për popullin e varfër që e kanë shaluar ligsht si kalorës të pamend.
Gjithsesi këtu ka një ndjenjë ligësie a xhelozie ndaj Pjetër Arbnorit të vërtetë, guximtarit që i doli ballë për ballë diktaturës së Enver Hoxhës dhe baballarëve të këtyre që sidozot, sot janë deputetë në Parlamentin Shqiptar. Pjetër Arbnorin, djalë shkodran guximtar, vizionar, të patrembur, nuk dëshirojnë ta kujtojnë. Por duan një Pjetër Arbnor përdëllestar që t’ju shërbejë edhe pas vdekjes me qëllimin që në popull të mos ketë shëmbëllesa qëndrese, kundërshtuese, por lakej të butë me një mirësjellje e përvuajtje që u shkon vetëm shërbëtorëve.
 Është e natyrshme se Pjetër Arbnori nuk ka si të përfytyrohet ndryshe prej Gramoz Ruçëve të diktaturës që sot sundojnë Shqipërinë, dhe e kanë bërë këtë shtatore si simbol i një mjerani që u shtrin dorën me u lypë persekutorëve të vet. Nuk ka mënyrë më të mirë se kjo për tu thënë shqiptarëve se bijtë biologjikë të kuadrovikëve të komunizmit do të jenë të përjetshëm në pushtet dhe ekonomi dhe se Sindroma e Stohkolmit do të jetë sëmundja shekullore në vazhdimësi e viktimave të komunizmit në Shqipëri. Kjo shtatore që shohim nuk përfaqëson as vitalitetin e të djathtës së vërtetë që ruan themelet e kombit, as humanitetin e së majtës që mbron interesat e shtresave në vuajtje,  por thjeshtë njeriun e përvujtun që pranon të rrojë nën skeptrin e pushtetarëve represivë.
Në fund të fjalës kjo pamje fizike mjerane, ky qyqarllëk para Parlamentit, nuk përfaqëson personalitetin e Pjetër Filip Tomës, Arbnorit, por veç hijen e tij, ai nuk është e nuk mund të jetë Pjetër Arbnori që vuri moshën e tij më të bukur rinore në zgrip për ideale demokratike, vuri jetën përballë vdekjes, aspiroi ballhapur lirinë e jo mrroljen skutave të errësirës së bandave komuniste dhe postkomuniste.

TRABOINI ART STUDIO CHANNEL