19 March 2024

Klanokracia, përndryshe demokracia e ferrit - nga K. P. Traboini



KLANOKRACIA - PËRNDRYSHE DEMOKRACIA E FERRIT

Nga KOLEC P. TRABOINI 

Që jetojmë në ferr prej 33 vjetësh kjo nuk do as mend e as kalem. Dil në rrugë e bërtit sa të duash se me këto të ardhura nuk e shtyjmë dot ditën, se me këtë pension vdes, se papunsia nuk zgjidhet ndryshe, por veç me vetvrasje apo arratisje nga ky vend i vetmallëkuar: thirr sa të duash se nuk ta vë veshin njeri. Askush nuk ta pjerdh, thotë populli, që është trullosur aq shumë sa etika e të folurit i duket tashmë shëmti.
Çfarë kërkohet tjetër ti bëhet këtij populli për t'u zhbërë? Shihni çfarë ndodh me opozitën dhe tek ajo keni pasqyrën për të parë çfarë ndodh me Shqipërinë.
Por ka që as duan t'ia dinë e llomotisin nëpër foltore për demokraci. E kërkojnë si fëmijët që duan tortë apo akullore. Mendojnë se duke kërkuar do tua japin.
Mirë këta të pushtetit që dhurojnë premtime të pafund, se fundja demagogjia është një prej mjeteve për të qeverisur dhe këtë e kanë përdorur me sukses të gjitha sistemet. Janë të njohura propogandat, veçmas gjatë luftrave të çmendura botërore, kur raportet sekrete që vinin nga fronti i luftimeve që ishin katastrofike, një çalaman ministër propogande i ndërsillte dhe i paraqiste fitore. E jo vetëm kjo, por për demokraci flisnin fashistët, komunistët, madje edhe diktatorët. Demokraci, thoshin dhe vazhdojnë të thonë sikur të flisnin për hoje bletësh. Në të vërtetë fjala demokraci është bërë si një lëvere, një reckë e pistë me të cilën jemi të detyruar të fshijmë sytë përditë. Pa le kur dëgjohen zërat e zvargur "Liri - Demokraci!" - dhe ju duket se po bëjnë revolucion nëpër foltore.
Po thirrni more, çirruni, kush po ju ndalon të vdisni. Jeni të lirë, madje kur ja shaloni makinave si gomerëve në fshat, keni liri demokracinë ta ngisni si të çmendur dhe të parakaloni që të përplaseni me një kolonë makinash të tjera dhe bashkë me veten të vrisni dhe 4-5 apo 6 të tjerë krejt pa faj. Edhe kjo demokraci është. Demokracia e ferrit të rrugëve ku edhe vidhet, edhe vritet. Por ne po flasim për politikën e jo për qeverisjen shtetrore e as mendore se siç është njëra bëhet tjetra.
Dhe prap foltoreve flasin e pjerdhin për demokracinë. Ngulmojnë se ju duket se kështu çlirohen prej të keqit që kanë në bark. Po për çfarë demokracie llomotisin?! E dinë edhe bufat tashmë se e vetmja gjë që nuk ekziston në Shqipërinë tonë politike është demokracia. A ka popull në botë që qeveriset kësisoj. Berisha ka qeverisur si bej fshati. Ato sejmenet e tij me të cilët ripte popullin, duke përfshirë të bijen që, vendoste i ati kryeministër e firmoste bija, e cila deklaronte në media "firma ime kushton 1 milion dollarë". Si e harruan kaq shpejt mediat këtë deklaratë, më cinikja në historinë e kësaj demokracie të përdhosur klanore.
Tani bija bilbiloset të mbrojë pronat e burrit që me një firmë qeveritare na u gdhi milioner. Për çfarë demokracie flasin me sy në qiellin e errët ku llamburit një dritëz që sa vjen e shuhet se nuk ka më kandili vaj. Nuk ka demokraci në Shqipëri, more jo. Hiqeni mendësh atë punë. As mos e kërkoni se nuk ua jep njeri, dhe vetë nuk jeni të zot ta fitoni. Aq më tepër parti me demokraci as mos kërkoni në Shqipëri. Lërëni PS se ajo dihet, por edhe ajo PD që ka në shpatull emrin demokraci, nuk ka qenë demokratike asnjë ditë të jetës së saj në këtë pluralizëm idhujsh pa krena. Ajo parti ka qenë thjeshtë një pëllumb në thonjtë e skifterit. Kot i atribuohet këtij dhe atij shkatërrimi, nëse do të ishte PD demokratike nuk do të mund ta shkatërronte Rama dhe as edhe njëqind shpallje nongrata. Një parti me demokraci të vertet nuk e mund asgjë. Sepse ajo gjeneron gjithnjë lider të rinj me ideale demokratike e jo një ujë i ndenjur që qelbet kur të kenë kaluar dyzet ditë. Mbajeni mend këtë numur që populli e përdor në aforizmat e veta, në 40 ditë uji qelbet, por kur ti ketë kaluar 40 gurë kthjellohet e bëhet i pishëm. Populli i di sepse i heq në kurriz bëmat e bijëve plangprishës. Është i zgjuar populli, por i ka zënë rrota bishtin e nuk lëviz dot. Ata që u shkojnë pas liderëve kakareçë nuk janë popull, janë turmë e bëjnë berihaj pas intesesave karrieriste. Edhe kur flasin për ideale mendjen tek kolltuku e paraja e kanë. Një parti klanesh me ideale xhepi natyrisht që do shkatërrohet, në të vërtetë vetshkatërrohet. Kjo që kanë ndërtuar në Shqipëri gjitha palët është një klanokraci, një ferr dhe në ferr nuk ka demokraci. Ka vetëm kaos, ferrokraci.
Mjaft me spekullime. Kërkoni një ëmër tjetër për partiçkat tuaja, se demokracia në Shqipëri ka vajtur për lesh dhije ngecur nëpër ferra e driza ngatrrestarësh.

20 mars 2024



16 March 2024

"Me shpirt të rilindur"- libri i autorit Robert Martiko - nga K. P. Traboini.



 

📘ME SHPIRT TË RILINDUR

Drejt botës së yjeve 
me Jeronim De Radën


Nuk kisha ndërmend të shkruaja një ese për librin “Me shpirt të rilindur” me shkakun se ai del jashtë mundësive e njohurive të mia në fushën e filozofisë, por pasi që prita gjatë e askush nuk po ndjehej, i thashë vetes se modestia në disa raste mund të keqkuptohet, ndaj vendosa ti jap fund dilemës për të cilën Eskili shkruante në veprën e vet “Prometeu”: “Më dhëmb kur flas/më dhëmb kur hesht/ as vete s’di/ kur me dhëmb më shumë.”
...Kur poetja Iliriana Sulkuqi më dhuroi librin e sapodalë të autorit të njohur Robert Martiko, botuar nga Shtëpia Botuese M&B, padyshim që u gëzova sepse Jeronim De Radën, ndryshe nga se është konceptuar vepra e tij nëpër mësimdhënie të rëndomta, kam pasur mendimin dhe ende e kam se ai ishte dhe mbetet jo vetëm i pari, por ndër më të mëdhenjtë lirikë të letërsisë shqipe. Vepra e tij përshkruhet me ndjesi të holla, me mendim të figurshëm, me peizazhe që të duket se zhvillohet para teje, dhe me një hero lirik që endet me mes të ndjenjave mëmëdhetare dhe atyre të dashurisë deri në sakrifikim. Heroi lirik është Milosao, i biri i një fisniku nga Shkodra. Kësisoj gjithmonë kam ruajtur mendimin se De Rada ishte jo vetëm pararendësi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe poeti ndër më të ndjerët, një lirik i madh që e ruan freskinë edhe pas 188 vjetëve të botimit të tij të parë. Vepra romantike “Këngët e Milosaos” u botua ne 1836, kur De Rada ishte student në Napoli në moshën 22 vjeç. Dhe të mendosh sa i ri dhe çfarë dimension krijuesi ishte që e vendoste zhvillimin e veprës se tij në Shkodër. Por çfarë ishte Shqipëria dhe si ishte jeta nën pushtim, çfarë zhvillimi social e kulturor kishte? Një botë e errët, një jetë e zymtë, ku pas vrasjes se priftit Kozma që e mallkonte gjuhën shqipe si dhe të gjithë ata që e flisnin, gjuha shqipe u ndalua me ligj perandorak nga vetë sulltani Abdyl Hamiti i Parë, më 31 maj 1779. Gjysmë shekulli pas kësaj gjëme për popullin shqiptar, kur mendohej se gjuha shqipe ishte në bjerrje, vjen drita e shpresës nga arbëreshët e Italisë me “Milosaon” e De Radës. Pikërisht ajo që Robert Martiko në veprën e vet e vlerëson si Mrekullia e Rilindjes Shpirtërore. 22 vjeçari De Rada që ndjehej shqiptar deri në asht, u bë orakulli i Hapjes së Kohës për shqiptarët në hapësirat ku mbizotëronte errësira dhe mizoria e shtypjes së pamëshirshme.
Libri i Robert Martikos me titull aq domethënës, gjithçka që trajton në veprën e tij për De Radën e sheh me një vëmendje e vështrim krejt ndryshe nga se është parë e shpjeguar nëpër libra që janë botuar për De Radën, por me një nivel të përciptë e me shumë analiza vargjesh, karakteresh e situatash poetike në një rreth të mbyllur. Robert Martiko ka një vizion e këndvështrim tjetër nga ata, sepse, siç thotë vetë ai “detyrë e dorës së parë është ndryshimi rrënjësor i mënyrës së të menduarit,” dhe me shkakun se De Rada, “nuk është i vetmi shqiptar i dëgjuar figura e të cilit është analizuar pa këtë lloj drite me karakter çlirues.”
Është fjala për të parë një autor të tillë madhor nën dritën e filozofisë së Kulturës Universale të Mendimit Perëndimor. Këtë bën në veprën e tij për De Radën autori Martiko, por jo vetëm në këtë vepër, por edhe në tërë krijimtarinë e tij të pasur përçohet ideja e Hapjes se Kohës që siç thotë, citojmë: “Koha është pikërisht ajo lulja e mistershme gjigande, që grumbullon përreth saj mendjet më gjeniale në botë.”
Fenomenin shqiptar De Rada, autori Martiko e trajton në një sfond të gjërë, në dimensionet e dritës që përhapin mendjet më të shquara të botës perëndimore që nga Petrarka, Dante, Da Vinçi, Mikelanxhelo, Shekspir, Bah, Getë, Bet’hoven, Hygo, Bajron dhe 1001 të tjerë në vazhdimësi që janë Drita e Kohës së Hapur. Në këtë kuadër drite, Robert Martiko vendos studimim e tij filoyofik për figurën e De Radës si pararendësi i Rilindjes Shpirtërore të një kombi të sakatuar, por pa e humbur shpresën. Në libër gjen vend edhe përshkrimi i jetës së De Radës, veprimtarinë e tij atdhetare, i cili ishte jo vetëm poet - botoi dhe librin me poezi “Skënderbeu i pafan”, por edhe gazetar, themelues i gazetës “La Albanese d’Italia” dhe “Flamuri i Arbërit”, autor librash për estetikën, si dhe i veprave historike si “Lashtësia e kombit shqiptar”.
Duke theksuar nevojën e Rilindjes Shpirtërore të shqiptarëve Robert Martiko thekson: “Skënderbeu, Nëne Tereza, De Rada, Naimi, Migjeni, dhe sa e sa të tjerë, nuk janë statuja prej dylli në muze, për ti përdorur studiuesit shqiptarë me njohuri të cunguara, pa idenë e Rilindjes Shpirtërore. Nuk janë për tu hedhur si fishekzjarrë të bukur brenda në shpellë.”
Dhe në vazhdim: “Në një trajtë simbolike, shpirtërore, nëse më parë pararend “Zgjerimi i Shpirtit” sipas modelit të Nënë Terezës dhe bashkohet me të energjia e pashterur e Skënderbeut, shqiptari me ndjenjë humanizmi universal dhe dinamizëm, në gjendje shpirtërisht të rilindur, mund të futet në Kohën e një Perëndimi Modern, që sot ka shpërthyer hapësirën.”
Kështu, libri për De Radën i kalon kufijtë e një vështrimi letrar, ai është një vështrim filozofik, me prirje për futjen e konceptit të Rilindjes Shpirtërore në mendim, çfarë shfaqet si një detyrë e menjëhershme, - kumt me të cilin autori Robert Martiko e mbyll veprën e vet “Me shpirt të rilindur. - Drejt botës së yjeve të Jeronim De Radës”.
Sa i përket faktit që libri në fjalë ka jo më shumë se 48 faqe, mund të them se veprat janë të mëdha jo se peshojnë shumë, apo kanë faqe të pafund, por për shkak të ideve të mëdha që mbartin, kumteve që përcjellin, emocioneve të thella që krijojnë, kujtoj librat: “Sonata e Krojcerit” - L. Tolstoi, “Laraska vjedhacake” - A. I. Hercen, “Plaku dhe deti” - E. Heminguej, “Lulet e Mollës”- Xh. Gollsuorth, “Fati i njeriut” - M. Shollohov, “Amok” - S. Cvajk, “Ditë të mvrejtura” - M. Ludemis e plot të tjerë dhe në mënyrë të figurshme them se, sa më të ngushtë ta ketë shtratin një lumë - aq më të shpejt e ka rrjedhën dhe dihet se rrjedhat e shpejta të shumtën e herës njeriu lakmon t’i kthejë në dritë.

K. P. Traboini
17 mars 2024



25 February 2024

Karnevalet - qershia mbi tortë e humorit shkodran - nga K. P. Traboini

KARNEVALET - QERSHIA MBI TORTËN E HUMORIT SHKODRAN


Ashtu si im atë në vitin 1907 po më bie edhe mua rasti të shkruaj për karnevalet e Shkodrës në vitin 2024.
Nuk arrij të kuptoj ironinë e Profesor Artan Fugës se pse Shkodra u dashka të organizojë festen e Karnevaleve. E quan festë të huaj e ja faturon venecianëve e kinse ne shkodranët po imitojmë karnevalet e Venecias.
Jo nuk është imitim, i nderuar profesor. Përkundrazi. Shkodra traditën e humorit nuk e ka të huazuar, por e ka pjesë të natyrshme të jetës shoqnore. Madje bio. Shkoni e pyesni në Venecia a kanë ata Kol Tivar, Filip Dai, Oso të Falltores, Gjergj Mullagë, sajesa humori si Ndoc Rroku, humorist i gjithanshëm si Gjosho Vasia, humoristë të lindur si Tano Banushi, Paulin Preka, Zef Deda, Jolanda Shala, Zyliha Miloti, Drane Xhaj, Katrina Biga, Besnik Çinari, për të mos shkuar më tej në një plejadë humoristësh të paharruar. Megjithatë Shkodra me kulturen veneciane kanë pas lidhje të natyrshme qysh në epokën e Gjergj Kastriotit e vazhdoi deri sa ra në sundimin e Kalifatit turko-osman kur gazmendi u kthye në vaj. Në qendresen 10 vjeçare në rrethim 1468-1479 Shkodra ka qenë mbështetur nga shteti i Venedikut me armë dhe ushqime që vinin me anije të vogla përmes Bunës deri rrëzë kalasë. Kush e ka lexuar Barletin e di mirë se një pjesë e forcave që mbronin qytetin kështjellë ishin dhe venecianët. Mjafton t'ju kujtoj një emër, Arkitekt Donati, që duhej ta kishte emrin një rrugë e jo ti vihej Evlia Çelebiu, kronikanit të Sulltanit. Arkitekti venecian drejtonte mbrojtjen nga ana teknikës me gurahedhës. Pra Shkodrën e mbrojtën edhe venecianët, luftuan dhe u vranë edhe ata bashkë me shkodranët. Kjo lidhje miqësore ka rrënjë historike e nuk ka të bëjë me imitime shabllone siç shohim sot në disa shfaqje kulturore e artistike.
Pra profesor, janë lidhje të vjetra e jo të reja. Të natyrshme e jo të sajuara. Shkodranët kanë qenë e mbeten europianë. Nuk e ndajnë veten nga Europa. Janë organizuar karnevale madje edhe në kohë pushtimesh dhe është bërë traditë tashmë. Këtu po festohet festa e xhazit, ministria e kultuares e asaj kohe që iku financoi dhe një film që nuk e di a është bërë për xhazin, por edhe për djathin kaçkavall e qenka e tepert festa e Karnevaleve. Karnevalet janë festa të vjetra në të cilat populli, të pakten një herë në vit i lejohet të qesh me gjithçka që në ditet e tjera e rëndojnë nga mundimet e mbijetesës. Shkodra nuk mund të mjaftohet vetem me barcoleta se është e njohur ndër të tjera si qyteti i humorit. Prandaj lëre Shkodër Locen të festojë. Im atë që ka qenë nxënës në Shkollën Teknike & Tregtare Italiane ka shkruar për karnevalet e Shkodrës që në vitin 1907. Pra karnevalet festoheshin para krijimit të shtetit të pavarur shqiptar. Me i hjek humorin Shkodrës është si me i marr shpirtin shkodranëve. Për ma tepër në këtë vend ka plot gjana për të heq e ndreq, por jo humorin e amël shkodran, ju lutem!

K. P. Traboini
alias Kol Shkodrani

20 February 2024

Mosbindja civile me celular - nga K. P. Traboini

NAVALNY & BERISHA  PËRNDRYSHE MOSBINDJA CIVILE ME CELULAR

Nga K. P. Traboini

Alexei Navalny është përmendur disa herë nga Berisha duke e vënë vetën në rangun e tij si dy opozitarët e vetëm në Europë të arrestuar. Ndodhi që këto ditë mes shkurti shefi i opozitës ruse të vritej në burg diku në Siberi. Kjo tregoi se përqasje që Berisha i bënte vetes me liderin e opozitës ruse është shumë larg realitetit. Navalni në burg në Siberi, Berisha mban fjalime në shtëpi. Aq më tepër sa i përkët karakterit, përkushtimit dhe sakrificës. Navalni i burgosur disa herë, pas helmimit që i bënë shkoi në Gjermani dhe kur u shërua mori guximin dhe rrezikun me sy dhe u kthye sërish në Rusi. Dhe ndodhi ajo që pritej, Navalnin e vranë. Pra shefi i opozitës ruse u martirizua me ndërgjegje dhe pa hezitim. A është ky një shembull i fuqishëm i forcës e vendosmërisë që duhet të kenë opozitarët? Padyshim. Pa sakrifica e guxim nuk arrin asgjë. Katër ditë pas vrasjes së Navalnit opozita shqiptare pjesa e Foltores Rithemeluese kishte planifikuar një protestë "të madhe" me moton për ti dhënë fund rregjimit aktual. Ka kohë që lideri i opozitës së Rithemelimit, që është në arrest shtëpie për korrupsion, ka trumbetuar revolucionin në trajtën e mosbindjes civile. Mirëpo mosbindja civile vetëm fjalë e tym me ngjyra në parlament e asnjë efekt tjetër, është një punë e padobi. Se çfarë ndodh e po shohim nën këtë ombrellen e mosbindjes civile?
Mblidhen përnatë nën ballkon e flasin. Flet dhe lideri i ndaluar. Një orë takimi sikur të kishin dalë për kafe dhe nesër shihemi prap e llafosemi po prap.
Organizohet protesta e 20 shkurtit, u mblodhën njerëzit, folën 4-5 veta, ndër ta edhe prej syrësh që i dëgjojmë përnatë në TV., shtoi kësaj një vidio mesazh të regjistruar të liderit të opozitës në kullën e ngujimit të drejtësisë. Pra ai që përnatë bën thirrje për mosbindje civile, i bindur civilisht e përvujtësisht, nuk bën as tentativën më të vogël të dalë me pasuesit e vet e të shkonte të mbante fjalimin në podiumin para Kryeministrisë. Po çfarë shembulli është ky. Pse e krahason veten me Martirin Navalni që me bindje të plotë u fut në ferrin e djallit Putin duke e sfiduar e duke sakrifikuar jetën. Pse lideri i Rithemelimit qendroi kaq i bindur e kaq i urtë aty i izoluar në katin e pestë. A përputhet kjo me idetë që i propogandon në fjalime duke ua sugjeruar të tjerëve mosbindjen dhe vetë zbaton me bindje urdherat e Spakut.
Dalja e Berishës prej izolimit për të udhëhequr protestën do të ishte një frymëzim për mosbindje civile në masë. Kjo do të përbënte vertetë ngjarje. Por ndodhi e kunderta. Pse nuk e përdori Berisha këtë obsion. Kjo tregon se kishte frikë se njërëzit të entuziazmuar do të bënin prapësira dhe i jepnin një kuptim real fjalës mosbindje civile. Do të frikësonte dhe ata që kanë pushtet e ndjehen të qetë. Kësisoj nuk pamë protestë, as revoltë, as mosbindje, veçse një protestë të squllur. U ndje një farë frike e protestuesve për tu ndeshur në mosbindje civile me policinë, siç bëjnë në Francë, në Itali, në Greqi e gjetkë.
E natyrshme kjo mpakje, ky grumbullim masiv për të degjuar 4-5 zëra anemikë që përsërisin të njëjtat gjëra duke thirrur me zërat më shumë lutës se kërcënues "Rama ik", dhe pas një ore e pak më shumë ikin vetë paqësisht siç erdhen.
Si mund të përmbyset një gjendja, një qeveri a një sistem në këtë farë soji. Njerëzit që kanë ardhur kahmos, me siguri e pyetën vetën pse erdhëm? Për të ndezur celularët siç ua kërkoi zonja e kudogjendur e foltoreve e që inspiron ndonjë kolltuk ministror nëse ndodh "mrekullia" të rrëzohet Qeveria? Kjo soj opozite, ku strumbullari është një Nongrata nuk ka asnjë shans të ketë sukses. E di mirë ai që mbledh rreth vetes kashtë e byk, por ai llogarit që të mbetet edhe më tej në skenë si faktor politik, se për të tjerat nuk po ka dert. Dhe krejt pa përgjegjësi flet e premton gjëra që i ka premtuar në 1992 dhe 2005 dhe nuk realizoi asgjë. Po kaq të pamend qenkan njerëzit që të shkojnë të votojnë demagogët e vjetër që thonë na zgjidhni pa dimë ne si nusërojmë. Pak e vështirë. E dimë që popullin në fushata elektorale e gënjejnë pa hesap, por të paktën të vënë ca rrenacakë të rinj, se mos u prishet mendja njerëzve dhe e japin atë të shkretë votë. Por një gjë dihet mirë, elektorati gri, i lodhur prej rrenave e premtimeve boshe, është tepër skeptik për të pranuar nëpër dasma elektorale ca nuse plaka dhe ca dhendurrë pa shije.
Pa le kur kanalet televizive në biseda pafund llomotisin dhe çudira si "A foli Berisha si kandidat për kryeministër?".
E kanë fjalën për Berishën që bëri thirrje për "përmbysjen e madhe" e "mosbindje civile" ndersa vetë rrinte urtësisht i strukur në papafingon e katit të pestë ku Spaku e kishte urdhëruar të rrinte sus.
Ndaj të mos ta krahasojë më veten me Navalnin që e sfidoi terrorin me jetën e vdekjen e vet.

Idolet e rrejshme të pajtimit - nga K. P. Traboini


IDOLET E RREJSHME TË PAJTIMIT 

Nga K. P. Traboini

Ka ditë që prej disa kosovarëve mergimtarë në Europë, po përcillet me këmbëngulje një apel për pajtim me popullin serb, pretendim i madh në dukje por që në thelb nuk qëndron. Kryekrejet nuk merret vesh se si mund të bëhet pajtimi me serbët nëpër faqet e internetit, kur populli shqiptar i Kosovës, se atij i bëhet ky apel, nuk e ka ende mundësinë e pasjes masivisht të rrjetit kompiuterik, siç e ka, ta zëmë SHBA, ku rreth 90 përqind të familjeve kanë lidhje interneti, kështu që edhe jehona e kësaj nisme është e vakët e më shumë si një dëshirë farfuritese.
E më tej, për çka do të pajtohen shqiptarët me serbët? Ç’ka është ky vëllazërim popujsh. Kush sot ka ende idole të rrejshme të së shkuarës kur "popujt ishin të pajtuar e vllazëruar" teorikisht, por të shtypur realisht.. Ku konsiston ky pajtim ndërpopujsh që të kujton pajtimet e gjakut, plagë që historikisht i ka patur mjedisi shqiptar.
Më kryesorja, kush ka thënë ndonjë herë se populli shqiptar e ka konsideruar popullin serb armik me të cilin qënka prishur a shprishur e tani duhen ndrequr?! Kurrë në histori kjo nuk ka ndodhur. As nuk ka patur e as nuk ka popuj armiq. Nuk duhet ti konceptojmë as luftrat e mëparshme e as atë që bëri UÇK-ja si luftë kundër popullit serb. Jo. Ajo luftë ishte çlirimtare. Ajo kerkonte dëbimin e ushtrisë pushtuese e çlirimin e vendit prej okupatoreve. Dhe okupator nuk ishte populli, nuk ishin njerëzit e thjeshtë, por sistemet e strukturat e organizuara nga shteti vrasës që shtypte saora dhe popullin e vet.
Popujt nuk bëjnë politikë e demagogji. Ata më së shumti bien vetë viktimë nga keqpërdorimi i pushtetit, apo mashtrimi që u bëhet. Nëse nuk do të ishin sistemet që krijohen, qarqet e klanet që e tërheqin popullin për freri me përdhunë, siç e tërhoqi Hitleri popullin gjerman, Millosheviqi popullin serb, të jeni të bindur se kurrnji popull nuk do të kishte armiqësi a ftohje me një popull tjetër.
Nuk e pushtoi Shqipërinë populli italian që vuante nën zgjedhën e fashizmit, nën dhunë e pa bukë, por falangat e Duçes, të cilin italianët, kur shpëtuan prej zgjedhës, e varën me kokë poshtë bashkë me të dashurën Klareta Petaçi.
Prandaj nuk kuptohet se pse u kërkoka pajtimi i popujve. Për çfarë. Në emër të kujt. Çfarë nënkuptojnë hartuesit me emrin popull serb, të cilit i janë referuar. Ata që e kanë vrarë popullin shqiptar të Kosovës nuk është populli serb por janë: shteti, ushtria, policia, radikalët, “Tigrat”, falangat e zeza të nacionalistëve ekstremistë.
Një gjë duhet kuptuar, se populli serb herët a vonë do të ndergjegjësohet për faktin se udhëheqja e shtetit të vet e ka keqpërdorur emrin e tij, janë bërë masakra të përbindëshme prej kriminelëve të veshur me pushtet, të cilët kanë dalë rrejshëm në emër të popullit te vet.
Me këtë nisëm që është marrë e me këtë mënyrë që është formuluar apeli, nuk bëhet kurrgjë tjetër por shkarkohet barra e krimit nga nacionalistët e shovenistët e tipit të Millosheviqit, në kurrizin e popullit serb, pra nga kriminelët Arkan e gjeneralët e ushtrisë tek njerëzit e thjeshtë, ata që përbëjnë shumicën dërmuese të një populli . Sepse apeli i shpallur disi me eufori, po kërkon pajtim me popullin, çka nënkupton të harrohen krimet, dhuna e gjaku të cilat kurrëqysh nuk mund ti faturohen një populli. Ata që i kanë bërë krimet dihen botërisht dhe u dënuan rreptë nga amerikanët dhe forcat e Natos, ai që ngordhi në një qeli të Hagës ishte kryekreu në bashkpunim me të tjerë që janë fshehur si mijtë vrima për ti shpëtuar drejtesisë e dënimit. Atyre nuk mund tu falet kurrgjë, as dhe një pikë gjaku, nuk mund të ketë kurrë pajtim me kriminelat, vrasësit që mjerisht ende janë në pushtet dhe në forcat politike që rolin një rol dominant në Beograd
Pajtimi i vertetë(më mirë do të ishte ta quanim paqëtimi) bëhët në mënyrë institucionale në mes të qeverive, parlamenteve, akademive, mirëpo a kanë arritur institucionet e Serbisë deri në atë shkallë ndërgjegjësimi sa të kërkojnë falje publike për krimet që janë bërë në Kosovë. Pa kerkimin zyrtarisht të kësaj falje zor se mund të ketë paqëtim. Aq me teper ata nuk kanë shpëtuar ende nga meningjiti i tërbimit nacionalist, ato akoma nuk janë pastruar prej të keqes, prej krimit, prej gjakut. Fakti që shteti serb, institucionet e tij, parlamenti, partitë, nuk pranojnë që populli shqiptar i Kosovës të vetvendosë për tu bërë i pavarur e zot i fateve të veta, madje organizojnë edhe banda terroriste për të sulmuar Kosovën, mbajnë Mitrovicën nën tension gati për të ndezur zjarrin e luftës, e kjo tregon se jemi ende larg prej reflektimit, prej katarsisit, prej afrimit në fqinjësi të mirë, për të harruar të kaluarën e për të hyrë në një udhë të re të mirëkuptimi. Vertetë akoma larg.
A do të vijë ajo ditë që shteti e politika e Serbisë ti nënshtrohet arsyes e të shpëtojë prej maktheve të legjendave mesjetare me Stefan Dushan e princ Llazar? Padyshim që do vijë, sepse ajo rrugë që gjer më tani kanë ndjekur, nuk ka të ardhme në një Europë të Bashkuar me mirëqënie e mirëkuptim në mes shtetesh. E sa për popujt, ata janë si ti udhëheqësh, si ti drejtosh por mbi ta kurrë nuk mund të bjerë mallkimi kolektiv për një krim a gjenocid të bërë nga kastat që kanë uzurpuar pushtetin apo me dinakeri e mashtrim kanë arritur të dalin në krye e ta keqperdorin atë pushtet.
Popujt, çka nënkupton njerëzit e thjeshtë, duke përfshirë intelektualët si ndergjegje progresive e tij, artistët, shkrimtarët, specialistët e fushave humane, gjithmonë e gjejnë gjuhën e afrimit e të paqes. Gjejnë gjuhën e përbashkët, nga natyra janë gjithmonë për pajtim, por është politika shpesh herë agresive që i armiqëson mardhëniet në mes të shteteve e për rrjedhim në mes popujve krijohen hendeqe e gremina tragjike.
Këto hapsira të ngrira që sot ekzistojnë, artistët e shkrimtarët ballkanikë me fuqinë e artit të tyre duhet të kontribuojnë që ti bëjnë të paqëna, që të përshpejtohet ardhja e asaj dite kur, shqiptarët, grekët, malazezet, maqedonasit, bullgarët, rumunët, kroatët, sllovenët, serbet, boshnjaket e turqit, pra mbarë popujt e Ballkanit ta ndjejnë me të vertetë veten të vëllazëruar në familjen e përbashkët europiane.
Gjithësesi këtë pajtim, edhe pse qëllimmirë, nuk ka pse të nxitojmë tua kërkojmë popujve, popujt nuk bëjnë gjenocid ndaj njëri tjetrit, nuk kanë shkak për ta urryer njëri tjetrin. Anipse shumica e maskaralleqëve të pushtetmbajtësve të kësaj bote së shumti bëhen krejt rrejshëm në emër të popujve, nuk duhet kurrësesi t’u vihen popujve në shpatull e as në ndërgjegje gurët e rëndë të pendimin për masakrat që kanë bërë eksponentet e politikës së krimit e gjenocidit ndaj popujve të tjerë.


Nga libri "Bukuri shkodrane"
Boston 2007

Rambuje parë ndryshe - nga K. P. Traboini


RAMBUJE PARË NDRYSHE
ose Pakoja e Ndalimit Ahtisari 

 
Nga K. P. Traboini

E lexova me vemendje shkrimin "Letra e mosmirënjohjes" të kolegut gazetar Ruben Avxhiu, botuar në gazetën "Shekulli" dhe megjithëse jam i një mendje me të përsa i përket gjykimit të mjaft aspekteve të replikës shikim vëngër të zotit Sadri Fetiu ndaj Ismail Kadaresë, nuk mund të jem i një mendje me disa gjykime, të cilat përpiqen të përgjithësojnë ngjarje të bujshme e misterioze, si ajo çfarë ndodhi në kështjellën franceze në Rambuje e të cilën kohët e fundit ka nis ta zbardhë në shënimet e veta Bedri Islami.
Drejtë shkruan gazetari Avxhiu, kur nënvizon se Sadri Fetiu edhe pse drejtor i Insitutit të Albanaologjisë tregohet tejskajet mediokërr kur gjykon se Katedralja e re e Prishtinës tregoka mjerimin tonë. Ky drejtor në këtë rast, vërtetë na shfaqet jo si albanolog, por si teolog fanatik e me një gjykim të errët regresiv. Kjo mjafton që të gjitha çeshtjet e tjera që ai përpiqet t’i "sqarojë" në lidhje me "gabimet" e Kadaresë të mos merren fare në konsideratë. Dhe pozicioni i tij në krye të një Instituti me reputacion tregon vërtetë mjerimin institucional aktual në fushën e studimeve historike.
Deri këtu kolegu Avxhiu ka të drejtë, ndërkohë që nuk më duket se e vlerëson saktë e objektivisht paketën e Ahtisarit, që për mua nuk është kurrgjë tjetër, vetëm se një përpjekje titanike e këtij diplomati nordik, që përballë një realiteti pakthim në çeshtjen e Kosovës, të merret me joshjen e serbëve duke sakrifikuar çeshtjen e shqiptarëve të Kosovës. Një sy i vemendshëm që e lexon këtë paketë e që nuk ka shumë njohuri për çfarë me parë ka ngjarë, i krijohet përshtypja se e tërë paketa është një mbrojtje e të drejtave të serbeve, të cilat u kërcenokan nga shqiptarët.
Fund e krye rreh kjo temë, madje në një kapitull, Aneksi V, Trashëgimia Fetare e Kulturore në të pesë pikat e saj flet vetëm për të drejtat e kishës orthodokseve serbe, pa shënuar kurrkund asnjë fjalë për të drejtat e kishës katolike shqiptare, çfarë të krijohet përshtypja se nuk ekziston. Për më tej në Aneksin e I-rë të Dispozitave Kushtetuese në nenin 3 vihet kushti me absurd në faqe të dheut e që kolegu Avxhiu bën sikur nuk e sheh, që për ndryshiment e amendamenteve kushtetuese do të duhet dy të tretat e Kuvendit përfshirë këtu dhe dy të tretat e vendeve te rezervuara për komunitetet ( lexo serbët sepse ata kanë 50 përqind të 20 vendeve të rezervuara per komunitetet).
Në cilin vend të botës është parë ky lloj ligji q të e fut shtetin e shoqërinë në kolaps e në varësi të plotë prej komunitetit serb që ka lidhje direkte të lejuara po në këtë paketë me Beogradin. Pse nuk e kanë këtë të drejtë edhe shqiptarët e Maqedonisë që përbëjnë jo pak por 25 përqind të popullsisë së atij shteti, pse nuk e kanë këtë të drejtë shqiptarët e Malit të Zi, që nuk i lejojnë madje të bëjnë as dhe një komunë, ate të Tuzit. Çfarë jemi ne shqiptarët? Raja të popujve të tjerë, të nështruarit e Ballkanit, të dënuar. Pse ky qëndrim kaq i përçmuar ndaj nesh, si popull e si komb, sepse ta themi hapur nuk ka e nuk do të ketë kurrë komb kosovar, por komb shqiptar i coptuar, i nëpërkëmbur dhe mjerisht i përçmuar.
Edhe ky qëndrim në paketën Ahtisari, e cila shpreh hapur se Kosova në aparencë mund të jetë e shkëputur prej Serbisë por në fakt ajo do të jetë e lidhur ngërç, një ngërç paralitik që do ta bëjë të ketë vartësi edhe më tutje.
Nuk e di pse gazetari Avxhiu bën sikur ky ngërç nuk ekziston kur shprehet: "kjo sigurisht nuk ekziston në Propozimin e Ahtisarit."
Po atëhere çfarë ekziston? Pse flasim e pse grindemi? Pse po na i vrasin djemtë në mes të Prishtinës, kur në duar kanë kurrgjë tjetër veç pllakatave ku shkruan fjalën e artë buruar prej Zotit e Ligjit të Arësyes njerëzore, "Vetvendosje"?
Atëherë pse ende po e mbajnë në burg djaloshin me zemër të madhe atdhetare Albin Kurti? Mos edhe ai është një bezdi për diplomatet europianë proserbe, ta zemë siç mund të ishte i harruari prej politikës e shtetarucëve, por i paharruar prej popullit Ukshin Hoti.
Nëse nuk ekziston ky problem, për të cilin rrodhi gjak i pafajshëm në sheshet e Prishtinës, të na e thojë qartë pa ekuivoke kolegu gazetar si dhe ata që i thurin tiranda paketës së Ndalimit Ahtisari se përse është ai kufizim, përveç se për të joshur serbët e Beogradit, për t’u dhënë të kuptojnë se ata do të mund t’i fusin duart madje edhe deri në paralizimin e kuvendit të Kosovës.
Një aspekt i trajtuar krejt jo saktë më duket vlerësimi mbi nënshkrimin në famëkeqen Rambuje.
Një gazetar duhet të kuptoje se përse diplomacia perëndimore e imponoi firmosjen e Rambujes-ë prej shqiptarëve, pra kapitullimin e plotë të qëllimit final, pavarësisë së Kosovës. Rambuje është në të vërtetë triumf i diplomacisë europiane, e cila kurrsesi nuk donte që Kosova të shkëputej prej Serbisë, dhe kush ka sy të shohë e veshë të dëgjojë e ka të qartë se Kosova në Rambuje mbeti nën Serbi.
Rambujeja është para se nder një turp, e në mos turp, një pazotësi dhe paaftësi e prijësve tanë për t’i zgjidhur problemet në favor të interesave kombëtare, se atëhere, përse djemtë e Kosovës e të Shqipërisë rrëmbyen armët e derdhën gjakun e vet. Mos vallë për ti qëndruar besnik nenit fatkeq që e njeh sovranitetin e Serbisë ndaj Kosovës?! Jo për ate Zot. Jo! Se ndryshe kjo do të ishte një tallje me gjakun e rinisë shqiptare, gjakun e prindërve të masakruara dhe nderin e vajzave e të grave që u përdhunuan prej ushtarëve serbe, përdhunim katastrofal në psiqikën e tramatizuar shqiptare, që politika e ambicja kolltukofage shumë shpejt e harroi.
Nuk mundet pra që këtë inkoseguencën tonë historike me emrin Rambuje ( qoftë për një qind arsye të dobësive tona), ta shesim si një fitore. Kurrsesi. Ishte mediokrriteti e fanatizmi, mendjemadhësia e sharlatanizmi i një kasapi si Millosheviçi që ofertën, pra kulaçin e perëndimit, nuk e pranoi dhe ata i treguan kërbaçin.
Le ta gjykojmë Rambujen-ë, nëse rrjedhimi i ngjarjeve do të kishte kahje tjetër.
Sikur Beogradi të pranonte ta firmoste Rambujen-ë, të mos bombardohej, a do të shtrohej ndonjë herë problemi i pavarësisë së Kosovës? Si do të etiketoheshin firmëtarët e Rambujes -ë si heronj apo si tradhëtare? Ma do mendje se nëse serbët do të binin dakort me çfarë u vendos në Rambuje, ngjarjet do të përcipitonin ndryshe e miqtë e Serbisë në Europë, të cilët sot kanë ndjesi "vrasje ndërgjegjeje" ndaj Serbisë( gjykata europiane i nxorri xhelatët me duar të lara), nuk do të linin gurë pa levizur që Kosova të ishte kurrgjë më shumë se një republikë nën tutelën e përjetshme të Beogradit.
E sotmja gjysmake nuk e justifikon të djeshmen e trishtuar, i nderuar koleg, përkundrazi veprimet tona të djeshme t’i gjykojmë nëse e justifikojne të sotmen, pra të ardhmen, pra pavarësinë e dëshëruar që kush e kush po përpiqet ta vonojë apo ta ngecë.
Përsa i takon ndalim-bashkimi me Shqipërinë, padyshin kjo është kurrgjë tjetër, vetëm se një tjetër joshje për Serbinë, por ndërkohë edhe përballimi i një frike panballkanike e madje europiane...që nuk e di pse e kanë gogol Shqipërinë natyrore, të drejtën e pamohueshme që shqiptarët të jetojnë në një shtet.
Pse nuk marrim në analizë faktin se përse Europa kërkon me insistim që shqiptarët të vazhdojnë të jenë të ndarë e të përçarë edhe në kushtet moderne, në pesë shtete të Ballkanit.
Cilit popull tjetër në botë i vihen të tilla privime?
Megjithatë, ëndrrimet që shprehin dëshirat e popujve nuk mund të ndalohen, nuk ka tagër Europa, aleate e kahershme e Serbisë, të na ndalojë të ëndërrojmë bashkimin tonë kombëtar.
Unë sa të kem frymë, këtij bashkimi i falem, paçka se i moçmi Ahtisari, si të ishte plaku Mere me tespije, na i ve ëndërrimet kombëtare në grykë të topit, në Pakon e tij të Ndalimit.


Nga libri "Bukuri shkodrane" 
Boston 2007

19 February 2024

Bukuri shkodrane - nga K. P. Traboini

Pina Palosha / Shoshi

BUKURI SHKODRANE

E bukura Pina Palosha dhe vajza e saj e talentuar, këngëtarja e mohuar Nikoleta Shoshi.

Nga K. P. Traboini

Shkodra ka pas gjithmonë vajza të bukura. A ju kujtohet Lili i Elektrikut (më duket me mbiemër Leka)? Po Jolanda Pogu,e bija e pronarit te Fabrikës së Sapunit që e burgosën ( ajo ishte dhe mësuesja ime në shkollën pedagogjike në Tiranë, tek e cila bukuria i harmonizohej me mirësinë e sjelljen e përkorë), për të shkuar tek Roza Xhuxha, Meri Topallaj, Poli Ingris, Violeta Ashiku e plot të tjera lule të bahçeve shkodrane. Por në përgatitjen e një vidio- imazhi të muzikuar "Bukuri shkodrane" që paraqesim, nuk ka qënë qëllimi të evidentojmë vetëm një ëmër, por të zbulojmë një realitet magjepës shkodran. Kërkoni në kujtesën tuaj të tjera fytyra të bukura dhe na i sillni ti kujtojmë e të mos ti lëmë në pluhurin e harrimit. A ju kujtohet Lajdja e Marianit, (durrsake e martuar me Marjan Skanjetin)...po Leze Sakatja që jetonte në rrugicën e Kol Idromenos në Gjuhadol dhe ai i kishte bërë një portret. Fytyrat e vajzave e grave shkodrane kanë qënë Mis Albania në histori. Vazhdim dinjitoz i Irena Dushmanit, për të cilën, si të ishte një Helene Troje, vriteshin princat shqiptarë në kohën e Gjergjit të Madh, Ati i kombit shqiptar.
Ndërsa kjo vajze e re dhe e bukur që kemi venë në kopertinën e vidios "Bukuri shkodrane" e duket si një princeshë, fëmininë e ka kaluar fare pranë shtëpisë ku jetoja. Në fundin e rrugës Kojaj ( tani e quajnë rruga Kokaj), ku më pas jetonte motra e saj Vitore Palosha.
Ka njerëz që ende e kujtojnë këte vajzë në fotografi. Pina Palosha (e bija e Palok Pjetrit), kjo mrekulli shkodrane, ështe martuar me Ndoc Shoshin. Ajo kishte tre fëmijë, dy vajza e nji djalë, vajzën e madhe Gjina, djalin Kolec Shoshi. Ndërsa vajza e vogël, Nikoleta Shoshi, kishte talent të spikatur dhe këndonte bukur, bukuria e nënës Pina në tinguj, madje mori pjesë edhe në Festivalin e Dytë të Këngës në Radio në dhjetor 1963 me këngën "Flakë e borë" e kompozuar nga shkodrani i madh Tish Daija. Interesant është fakti që veç bukurisë së interpretimit të këngës, një rol të madh luajti Gaspër Çurçia me instrumentat e frymës. Gasprin pas më se një dekade e ekzekutoi komunizmi.
Nikoleta Shoshi fitoi çmimin e parë në Festivalin e dytë më 1963 kur ishte ende një vajzë adoloshente. Padyshim një sukses i madh dhe natyrshëm do të ishte si një pararendje e një talenti në zhvillim. Por mjerisht nuk ndodhi kështu anipse interpretimi i saj ishte i jashtëzakonshëm. Pëlqimi i publikut gjithashtu. Ndodhi ashtu si ndodh vetëm në një sistem absurd ku vlerat nuk mateshin me talent, por me kritere të tjera në kuadër të çmendurisë kolektive. Pas festivalit dikush dha një orientim dhe këngën e këndoi Vaçe Zela. Padyshim që Vaçe Zela e këndoi bukur, por zëri i Nikoletës ishte diçka tjetër, ishte një zë i pastër që dilte nga shpirti e jo nga teknika. Dhe ndodhi ajo që ishte djallëzisht e paramenduar, Nikoletën e sfumuan dhe nëpër vite të gjithë mendonin se çmimin e parë e kishte marrë Vaçe Zela. Asnjë vlerësim për Nikoletën.
Për ta bërë më të besueshme këtë manovër dinake, Nikoletën sapo mbaroi Liceun Artistik në Tiranë e caktuan në shtëpinë e Kulturës në Pukë. Dhe atje, mes të ftohtit, shiut e borës, erërave të çmendura dhe në kushte të vështira jetese, ku njerëzit ngrinin nëpër shtylla si Deda, gjithçka që ata projektuan nuk kishte si të mos ndodhte. 11 vite në Pukë, dhe 5 vite të tjera mësuese në Fushë-Arrëz, mjaftueshëm për tu harruar e për të mos e parë më skenen. Ndoshta as sot pasionantët e muzikës nuk e dinë se fituese e Festivalit të Dytë të këngës në Radio ishte e talentuara Nikoleta Shoshi, e bija e një nane shkodrane me bukuri të mahnitshme, si të ishte një princeshë e vërtetë.
Nikoleta e lidhi jeten me mjekun Ylber Berisha, i cili ishte i pasionuar pas muzikës, këndonte dhe i binte kitarës. Ai ishte nga Kosova, i lindur në 1946 në Prishtinë, por pas vrasjes së babait, veprimtari i shquar atdhetar për Bashkim Kombëtar, Rifat Berisha, nga serbët në 1949, Ylber Berisha që atëbotë ishte vetëm 3 vjeç, u gjend në Shqipëri ku u shkollua dhe kreu studimet universitare për mjekësi.
Nga kjo martesë ju lindi një vajzë, Dajana Y Berisha që është shumë aktive në jeten social-kulturore në Kosovë dhe një djalë Ermal Berisha. Në koncertet "Këngët e shekullit" Nikoleta Shoshi Berisha interpretoi, pas mbi gjysmë shekulli, këngën "Flakë e borë", duke dalë për të dytën herë në një skenë kombëtare.

Nikoleta Shoshi / Berisha
Nikoleta Shoshi - Berisha

❤️BUKURI SHKODRANE Vidio URL: https://youtu.be/o-pV1J4-MRc



Mjerimi i këngës - nga K. P. Traboini

 


MJERIMI I KËNGËS


Duke nuhatur dëshirën e publikut për gëzim, për pak më shumë dritë në mugëtirën moniste, dragumanët e diktaturës bënin kujdes që kënga të kthehej në një agjitatore e flaktë e idealeve të zbërdhylta të partisë monstër në pushtet. 

Nga K. P. Traboini


Repertori gjigand i këngës së muzikës së lehtë të socrealizmit skematik shqiptar, që në festivalet e para me krijime të vjetëruara tashmë e deri ndër të vonët, shfaqet si një humbellë në muzikën shqiptare, pika me e dobët e saj, mungesa e origjinalitetit, me kurrfarë jehone në vendet e tjera, ndryshe prej ballkanasve të tjerë, që kanë arritur të kenë suksese në festivalet europiane apo e kanë bërë këngën e vet të njohur në kontinent e më gjerë. Mund të thuhet se muzika sinfonike, ajo operistike, interpretimi i klasikes në skenën e Teatrit të Operas dhe Baletit kanë patur suksese dhe emra të mëdhej kanë hyrë në fondin e artë të kulturës sonë kombëtare. Mirëpo, duke qenë se frekuentimi i saj bëhej prej një rrethi të ngushtë, kryesisht intelektualë, ajo nuk kishte jehonën e popullaritetin e muzikës së lehtë, e cila mjerisht ishte kthyer si një gazetë e përditëshme, nga ato që përçonin ideologjinë e shtetit diktaturë.
Duke nuhatur deshirën e publikut për gëzim, për pak më shumë dritë në mugëtirën moniste, dragumanet e diktaturës bënin kujdes që kënga të kthehej në një agjitatore e flaktë e idealeve të zbërdhylta të partisë monstër në pushtet.
Duhet thënë se, deri në vitin e mbrapshtë 1944, kur në Shqipëri vendin e çizmeve naziste e zunë ca njerëz të hurit e të litarit, që u bënë madje ministra e gjeneralë pa kurrfarë kulture e dije, kënga nuk ishte përçudnuar asi soji e asi fare, siç do të shihej më pas në hapësirën e përgjakur të një gjysëm shekulli. Deri atëhere nuk ishte shfaqur me atë lloj servilizmi publik, duke u thurrur ditirambe atyre që i kishin duart e ndërgjegjen të përgjakur.
Pra kënga, që shpreh gjendjen shpirtërore të njeriut, ende nuk ishte përdhosur e zhgërryer nëpër skena neveritëse reverancash të pafund për tiranin e oborrin e tij, ku levrinin hienat, siç u bë në hapësirën e errët historike 1944-1991. Në këtë epokë të zezë me njolla gjaku, kënga shprehte estetizimin e së keqes, madje edhe ato pak këngë lirike që kishin kurajon të shfaqeshin, si ta zemë motivi i ardhjes së pranverës që " nuk e besova", të Pjetër Gacit, kënduar plot emocion nga Tonin Tërshana, edhe pse mori çmim të parë, në festivalin e 11-të, u zhduk nga faqja e dhèut, sikur të mos kishte ekzistuar kurrë. E kjo, sepse në të nuk kishte barut, nuk kish këpucë me gozhda, nuk kishte kapota ushtarake, nuk kishte pushkë e fishekë, me të cilat vrisnim njeri-tjetrin, nuk kishte gjak e djersë e gjokse proletare në horizonte të përflakura.
Ndërkohë lirika me pak guxim naiv, mbijetonte në shtratin e këngës popullore e cila, megjithëse në aparencë përkrahej nga autokratët, në të vërtetë që lënë në një gjendje të mjeruar. Asaj i ishte vënë karantinë, pra, mund të ruante ekzistencën vetëm në zona të veçuara, brenda vathës, brenda shtrungës dhe atje, me gjysëm mushkërie mezi merrte frymë. Krijuesit e saj ishin pasionant, por nuk kishin kulturën e duhur muzikore. Ata vinin në evidencë nga aparatçikët vetëm kur shpallte fushata partia, kur nisnin aksionet apo duheshin të mbusheshin skenat e festivaleve folklorike kombëtare. Kështu që paralelisht në një garë të pabarabartë për nga trajtimi dhe niveli, viheshin kënga e muzikës së lehtë, ku krijonin tërë muzikantët e shkolluar dhe, në anën tjetër, empirikët të cilët nuk e nxirrnin dot këngën popullore nga shtrati i vjetër, nga format statike të kohëve të shkuara, aq sa shpesh melodive të vjetra u viheshin tekste të reja ilustrative si "70-të vjet mbushe këtë ditë, 70-të shekuj na ke rrit", treva e Shkodrës, apo "mprehja e shpatës" në rrethinat e Lezhës, ndërsa labërishtja ishte bërë si historia e partisë në vargje.
Në pamje të jashtme të dukej se folklori lulëzonte, propoganda buçiste për këtë, mirëpo ndodhte po ai fenomen që përjetonte fshati shqiptar, në propogandë - fusha të blerta, kanale vaditëse, dritë elektrike, por varfëria brenda familjeve ishte e tejskajshme dhe pak gjëra kishin ndryshuar në jetën ekonomike të fshatarëve gjatë një shekulli.
Greqia në vitet 30-të kishte edhe ajo atë natyrë të këngës së lehtë, të ndarë si me thikë nga këngët që krijonte populli, por duke qenë se krijuesit kishin më shumë sukses me këngët e frymës popullore, kompozitorët më të mirë, të cilëve kurrkush nuk u impononte as stil e as tekst, as temë e as ide, nisën të krijonin me atë frymë, duke hequr dorë thuaj krejt prej natyrës së këngëve tip romance, bel kanto, të cilat mund të degjohen edhe sot e kësaj dite në filmat e vjetër grek me temën e Luftës së Dytë Botërore. Në Greqi tashmë është krijuar një traditë e re, ku nuk gjen kufinj shumë të dallueshëm( përveç rembetiko) në mes të këngës popullore dhe asaj të kultivuar. Kompozitorët në një fare mase sakrifikuan, por krijuan vlera të mëdha duke i dhënë këngës greke të unisuar tashmë, një origjinalitet që bie në sy në tërë Europën. Ndërsa krijuesit tanë, në pikpamje kompozicionale, nëpër vite krijuan një hendek aq të madh në mes të dy këtyre fushave të krijimtarisë sa fryma e këngëve, ritmi, melodia, gjithnjë largohej prej asaj që kishte një përhapje të gjerë në popull, madje larg edhe prej këngëve qytetare si ato shkodrane, jare, apo korçare, serenatat. Tendenca e kompozitorëve të vjetër apo të rinj( me përjashtim të Agim Krajkës apo ndonjë tjetri që kërkonin e eksperimentonin guximshëm me ritmin) ishte për krijime në stilin e përtej detit, që edhe vetë kishte mbetur shumë pas në raport me këngët moderne ku hynte e frynte ritmi që po bëhej mbreti i botës muzikore, paçka se bel kanto kurrë nuk vdes sepse është këngë me ndjesi të thella shpirtërore. Kënga e muzikës së lehtë në Shqiperinë e asaj kohe konsiderohej aksion kombëtar e veprimtari shtetërore, orkestrohej me një formacion stërmadh, angazhohej tërë orkestra simfonike e radios ku merrnin pjesë me dhjetra instrumente, një gjigandomani që sillte një uniformitet, ku tingujt e zërat e këngëtarëve zgjateshin paralel si dy shinat e hekurudhës, kryesisht me zë koke. Kush bërtiste me shumë ( komunista lule) ishte këngëtari më i suksesshëm( dueti Hysni Zela e Zeliha Sina u a kalonte të gjithëve), e...duartrokiteshin nga udhëheqja në natën e fundit. Ndërkohë që muzika popullore punonte me pak instrumenta, por shpesh me gjetje mjaft të bukura, mirëpo ata i krijonin njerëz të apasionuar por modestë në fushën e njohjeve muzikore, çfarë do ta bënte këtë tip kënge herë - herë arkaike, me tendencë për tu interpretuar e vetizoluar nëpër dasma fshati.

*       *      *

Repertori i muzikës së lehtë ka në të vërtetë jo me qindra, por me mijëra e mijëra këngë, pafund, po pak prej tyre kanë jetë, mbahen ende me sforco prej nostalgjive të vjetra, që lidhet me jetën tonë, mbresat personale e jo prej vlerave të tyre reale. Brezi i ri as do t’ia dijë për ‘to, çfarë tregon se koha është e pamëshirshme për ata që e toleruan artin dhe e shitën shpirtin nëpër zgafellat e sundimtarëve të paskrupullt që i mori edhe ata lumi i historisë si trungje të kalbura.
Përsa i përket interpretuesve, mund të thuhet se ata gjithnjë e kanë kërkuar suksesin tek kënga. Suksese edhe kane patur, tradita tashmë ka disa figura të mëdha, emra të tillë si Vaçe Zela dhe Nexhmije Pagarusha mbeten të pavdekshëm. Madje, kjo e fundit kujtohet për mrekullinë që solli duke e ngritur në piedestalin e merituar këngën lirike popullore. Gjithashtu ajo çfarë dha Mentor Xhemali me këngën madhështore të Pjetër Gacit "Për ty Atdhe" nuk ka mort sa të ketë Shqipëri e shqiptare në faqe të dheut. Por për shumicën e këngëtarëve te atyre kohëve sukseset i takojnë një segmenti historik, janë bërë shpejt të tejkaluara, këngë me grurë, me kombajna, me xhaketa me plumba, me shtamba ku i jepet ujë partizanëve( po kurrsesi ballistëve të cilët mbeten pa këngë, pa shtamba e pa ujë), me petrita e me komisarë drite, këngë për heroinën që u bë e tillë në sajë të rrëpirave të dhèut, që e zunë përposhtë dhe për ironi (tragjike), duke dashur ta nxirrnin, vullnetarët me shall aksionist e vranë me lopata. Ç'faj kanë këngëtarët, mund të thuhet. Natyrisht, as këngëtarët e as kompozitorët nuk kishin faj, ishte sistemi që e ushqente servilizmin e mediokrritetin dhe çdo tentative për ndryshim e mbyste. Por veç ka edhe diçka që duhet vënë në dukje, gjigandomania për të cilën folëm më lart. Për një kengë, kompozitori që kish emër e përkëdhelej nga regjimi, kërkonte të angazhohej një orkestër simfonike, që në kushtet e zhvillimit të këngës në botë është e paimagjinueshme. Bitellsat çuditën botën me katër zëra e katër instrumenta që i përdornin vetë ata, ndërkohë që për një këngë mediokrre në Tiranë angazhohej, veç orkestrës së madhe edhe trupa korale me rreth 100 vetë si në koncertet masive të gardistëve të kuq në sheshin Teniamen të Pekinit. Rezultantja historike dihet tashmë, këngët e bitëllsave mbetën e i admiron gjithë bota edhe sot e kësaj dite, këngët tona u harruan bashkë me emrat e kompozitorëve e të këngëtarëve, siç thamë, kujtohen prej disa nostalgjikëve që u ka ngecur ora në pentagramet e shekullit tjetër me pezhishka merimange.


*       *       *

Sot kënga ka ndryshuar, sigurisht, por tendenca e orkestimeve të mëdha ndihet ende në çdo festival. Vazhdon gjigandomania si rudiment i sockulturës së dikurshme me mendimin se masiviteti krijon përshtypje e vlerë, kur arti i madh mund të qëndrojë edhe në një kitarrë e në një grup mandolinash. Megjithse ka disa tentativa sporadike për t‘i afruar këngët popullore dhe ato të kultivuara, të ashtquajtur muzikë e lehtë( e lehtë e rëndë, gomari i mban - tha fshatari), ende vazhdon të ekzistojë në mes tyre hendek si luftë klasash. Gjithësesi vazhdon të veprohet shumë keq me këngën e kultivuar, që kerkon e shfaqet si këngë elite, duke u larguar prej trojeve shqiptare drejt brigjeve te Italisë. Ca thonë kuturiset edhe nëpër brigje të tjera, duke i kthyer krahët traditës. E kjo tradite, nuk ka rendësi në është çifteli veriu apo apo polifoni jugu a diç tjetër. Fjala është tek fryma e shpirti i saj, përpjekja për t’i afruar e shkrirë tek njera - tjetra duke marrë prej secilës çfarë është më e mirë e më e bukur. Jo skematizëm e bashkim mekanik si tek xhinxhilet që mbushin disqet e vulgarizojnë shijet, por art i vërtetë. Se, fjala bie, si u arrit që një kompleks europian në vitin 1991 të gjente frymëzin nga një këngë matjanë, duke e përdorur atë në një sfond e duke e shkrirë harmonishëm me një ritëm instrumental modern, kur kjo këngë ne Shqipëri thuaj që harruar. E kam sjellë këtë shembull edhe më parë në esenë "Perla në gjerdan". Po ashtu Eda Zari në një vend të Europës krijon mrekullira mbi tabanin e këngëve të jugut, kryesisht Permetit. E pra është fort moderne ajo, më moderne se sa dhjetra e dhjetra grupe e instrumentistë që jetojnë e zhvillojnë veprimtarine në Tiranë e kanë mbetur po aty ku ishin, pa dalë dot nga rrethi vicioz ku është futur kënga e muzikës së lehtë prej gjysëm shekulli. Këngëtarja Aurela Gaçe, të cilën do ta marr si shembull, do të thosha se ka një potencial të mrekullueshëm, ka zë, ka forcë, ka shpirt, di të transmetojë ndjenja, di të intonojë publikun e ta rrëmbej atë. Ajo ka një repertor të gjerë dhe karrierë të gjatë e të sukseseshme. Por arritjet e saj nuk i dalloj të jenë më të spikatura në muzikën e lehtë, siç i thonë, për faktin se krijimet e kompozitorëve nuk i përgjigjen nivelit të këngëtares. Por ama, në koncertet e drejtëpërdrejta, në disqet e shumta që kam dëgjuar, Aurela Gaçe shfaqet brilante në interpretimin e këngëve me frymë popullore, më saktë të këngëve popullore të përpunuara në versione moderne, apo të krijuara në atë fryme. Mjafton të kujtoj se ajo e ka kënduar këngën "Më ka shkue mendja me u fejue" , sa është pëlqyer e ka korrur duartrokitje të zjarrta, madje edhe prej të rinjve shqiptaro-amerikanë, të cilët janë edukuar me frymën e këngës amerikane që ka sukses e përhapje në të gjithë botën. Aurela në interpretimin e asaj kange( e jo vetëm të asaj por edhe të këngëve të jugut të Shqipërisë) ban me u turpnue çdo këngëtar nga ata që pretendojnë se i këndojnë ma mirë se kurrkush kangët popullore shkodrane. I shkreti Bujar Qamili, edhe pse shkodran, ka hyrë në rutinën e ahengxhijve, e ka vulgarizue aq keq e aq turpshëm kangën qytetare shkodrane, sa tani thonë se ato çdo gjë mund të jenë, po jo shkodrane...Cigane dasmash ndoshta po, aty ku këndohet me mish e raki e ku zë i parë janë sarahoshat e njerëzit me kulturë të cungët.

*      *      *

Eshtë për të ardhur keq që kënga shqiptare ende nuk ka fytyrën e saj, origjinalitetin e saj, që ta dëgjosh në çdo vend të botës edhe si melodi, e të huajt ta njohin e të thonë "Albania". Një gjetje e madhe me një prerje të artë, ku bashkoheshin tradita e këngës shkodrane me muzikën e lehtë të krijuar ka qenë dikur krijimi "Lule bore", e kompozitorit të ndjerë Simon Gjoni, por që më pas nuk u ndoq në atë lartësi e kualitet artistik prej kurrkujt në muzikën e lehtë.
Jemi ende tepër larg asaj kohe, kohës së këngës që të mbajë individualitetin e kombit, siç e kanë italianët, francezët, grekët e të tjerë, por padyshim ajo kohë do të vijë. Tani për tani që jemi ende larg, rokanisemi me avazet tona duke i ba qefin vedit nën fjalorin megaloman "kangët tona ma të bukurat në botë". Po fundja çfarë është ndonjë gjë në Shqipëri që të mos jetë ...më e bukura në botë?! 

 

Nga libri "Bukuri shkodrane"
Boston 2007


12 February 2024

Profesori i estetikës së filmit Gëzim Erebara - nga K. P. Traboini


PROFESORI I ESTETIKËS SË FILMIT GËZIM EREBARA

Kishim ardhur nga bangat e Universitetit dhe nuk dinim asgjë nga filmi. Literaturë nuk kishte. As kurs nuk bëmë. Filmin e mësuam nga praktika duke u nisur nga elementët më të thjeshtë, xhirimet e të quajturave suzhete. Pra një subjekt i vogël nga realiteti i përditshëm i fiksuar në celuloid. Ishte fat që ndër regjisorët me të cilët tashmë njiheshim e takoheshim përditë ishte edhe Gëzim Erebara.
Me bashkëstudentin dhe kolegun tim të Redaksisë, Luan Sadik Rama, rrinim shpesh me regjisorin Gëzim Erebara në oborrin e Kinostudios pasi pinim një kafe te klubi në mes të pishave. E pyesnim se ishim të etur për gjithë atë bagazh dijesh që Profesor Gëzimi kishte për Kinematografinë Botërore. Rene Clair, Renuar, Felini, Vitorio de Sika e tjerë emra të regjisorëve të mëdhenj francezë dhe italianë nga Profesor Gëzimi i kemi mësuar. Atë kohë përgatiti dhe dispencat për ngritje profesionale, ndër to Historia dhe Estetika e Filmit. Një punë voluminoze në disa vëllime. Ishte jo vetëm i ditur, por edhe shumë i dashur e miqësor. I urtë, i qetë, fliste qartë e rrjedhshëm. Kujtesa me sjell atë çast kur ai mori Kupën e Festivalit të Parë të Filmit Shqiptar për një film me skenar të Peçi Dados. Operator ishte Faruk Basha dhe piktor filmi Astrit Tota. E kujtoj filmin "Në fillim të verës edhe për muzikën e bukur të Kujtim Laros, motivin e të cilës nuk e harroi kurrë. Të njëjtën Kupë për filmin dokumentar për "Asdrenin" e morëm edhe Vitori Çeli dhe unë.
U bënë vite që isha në Amerikë dhe në vjeshtën e vitit 2004, kur erdha në Shqipëri, rastësisht e takova diku aty te vila "Logoreci", pranë Radio Televizionit Shqiptar. Ndenjëm bashkë e biseduam për filmat, Kinostudion e kolegët. Kishin ndodhur shumë gjëra për të cilat ai nuk ndjehej mirë. Shqipëria ishte ende në kaos dhe tek çdo njeri reflektonte një gjendje lodhje. I fola plot respekt, i shpreha admirimin për punët e tij që pas kaq vjetëve akoma më shumë merrnin vlerë. E përcolla deri te shtëpija në rrugicë. Ishte një ndërtesë e madhe, vilë e bukur, që më së fundi i ishte kthyer familjes Erebara, por plot peripeci.
U përqafuam dhe u ndamë. Unë shkova në Amerikë sërish. Të mirin e të urtin, të diturin, profesorin tonë të estetikës së filmit Gëzim Erebara nuk e pashë më. Ai ishte lindur në Dibër më 19 maj 1929 dhe ndërroi jetë në Tiranë më 12 shkurt 2007. Sa herë me bie rruga nga shtëpia e tij, ndaloj pak çaste e më duket se shoh siluetën e profesorit, imazhi i një figure të ndritur e të paharruar.
Ngjitur me Kinostudion tonë, që tashme i ngjet një tubë zyrash të rëndomta e jo një qendre arti e kulture, është një rrugë me emrin e profesorit tonë të paharruar Gëzim Erebara, një nga krijuesit që nderojnë kulturën e kombit shqiptar.
 
©️K. P. Traboini
12 shkurt 2024

Spaku, Berisha, turmat dhe ata që i lutën të ikë - nga K. P. Traboini

 


🔴 SPAKU, BERISHA, TURMAT DHE ATA QË I LUTËN TË IKË...


Nga Kolec Traboini

Në vitin 2013 kur po ndodhte rotacioni politik në pushtet pasi që PD pësoi disfatë të plotë e Sali Berisha dha dorëheqjen, shkrova e botova në gazetën "Sot" shkrimin "Doli nga dera, për të hyr nga dritarja pasi e kemi qarë me lot". Në këtë kinse ikje, si fasadë u vu Lulëzim Basha. Berisha kurrë nuk u largua nga drejtimi, por luajti rolin e eminencës gri. Edhe gjëmën e Nongratës nga amerikanët po e përballon, çfarë askush veç tij nuk mund ta bënte.
Berisha, sa të ketë Shqipëria një lloj turme të verbër e një tufë karrieristë të paskrupullt që kanë bërë pasuri nën hijen e tij, do të bëjë punën e zhurmuesit politik dhe viktimës njëkohësisht. Sikur Shqipëria të mos kish punë e hall tjetër veç hallit të tij.
Berisha është mjeshtër në manipulimin e opinionit publik. Ai shfrytëzon çdo thashethe nga qytetari i tij digjital, por edhe çdo të vërtetë nga pakënaqësia e njerëzve, sa publiku, aq më tepër ata që i shkojnë pas verbazi, nuk arrijnë të dallojnë të vërtetën nga e pavërteta. Në këtë rast të vërtetat që përdor e ndihmojnë kreun e foltores, që flet nga kati i pestë me megafon, të mbulojë qëllimin e vet dhe kinse lufton për ideale të larta. Ai e di më mirë se kushdo që nuk fiton, as sot e as mot, por përpiqet për të mbijetuar. Mobilizimi i tij është total. Shkon pas thënies së Shekspirit "Qëndro që armiku ta ketë frikën". Dhe kjo po ndodh. Spak-u është mpakur para sulmeve marramendëse që po i bën Sali Berisha duke i quajtur vegla të krimit e kriminelë. Spak-u as del ti përgënjeshtrojë këto akuza. Kjo tregon se Berisha di ku e kë të sulmojë dhe është më i mençur se kundërshtarët e vet. Ai u bën presion organeve ligj zbatuese që ata të mos veprojnë. Të mos guxojnë të shkojnë më tej se kalamendja me një firmë. Mbi qeverisjen e Berishës rëndojnë krime, por askush nuk po e akuzon për 4 të masakruarit e 21 Janarit 2011 as për 36 viktimat e Gërdecit 2008, as për shkatërrimin e Shqipërisë në kohën e presidencës së tij 1992-1997, me një kryeministër mediokër si Aleksandër Meksi që rri strukur si një urith. Berishën veç po e gudulisin për një firmë të Klubit "Partizani" kur ishte kryeministër. Veç për një firmë se vulën ja kanë marrë minoranca që i doli dore.
SPAK-u dhe Berisha po lozin. Dhe kanë arsye për ta bërë këtë. Spaku nuk e përballon dot Berishën, por as Berisha nuk e shmang dot Spakun. Janë në një rreth vicioz, nuk i shpëtojnë dot njeri-tjetrit. Berisha është gurë prove për Spakun. Nëse heqin dorë nga Berisha dhe ky del i pa lagur, në Shqipëri nuk do të ketë më dënime për kokat e politikës e të shtetit që e kanë vjedhur këtë popull mizorisht. Ata që e kanë lënë në varfëri, që e kanë përzënë si të ishin muhaxhirë pa atdhe, do të vazhdojnë të mos ndëshkohen edhe në të ardhmen. Të dy palët mashtrojnë e vet mashtrohen. Këta thonë se toka te klubi "Partizani" ju kthye pronarëve. Këta dhe ata, akuzuesit e të akuzuarit, të dy palët pra me gjithë avokatët tellallë gënjejnë dhe gënjeshtrën e bëjnë ligj.
Kur italianët bënë fushën e aviacionit ku përfshihet edhe toka ku më vonë u ngrit klubi "Partizani" nuk ka pasur asnjë shtëpi në atë vend. Ishin kopshte dhe tokë që përdorej për bujqësi a blegtori, ase tokë djerr. Në vitin 1940, por as deri në vitin që u ngrit klubi "Partizani" familjet Begeja e Compani nuk kishin shtëpi në atë vend. Pra nuk ishte tokë truall. Por çfarë thotë ligji 7501? Tokat që nuk janë truall konsiderohen toka bujqësore e nuk kthehen, veç rasteve kur pronari është bujk dhe e ka në përdorim. Kam të trashëguar 27 dynym tokë bujqësore në ish fermën e Shtojit, Shkodër, por nuk më kthehen. Dhe kanë të drejte se në këtë rast vepron ligji. Po pse atyre të Begeve dhe dhëndrit të Sali Berishës i kthehet, apo se këtu nuk vepron Ligji por Maliqi. Po Spak-u si nuk qenka në gjendje të lexojë e të interpretojë ligjin 7501?
Dinë, por edhe ata gjejnë shtegun pa telashe të mëdha. Duan ta dënojnë Sali Berishën për një firmë. Kësisoj një dënim i butë, kondicionel, dhe shpëtojnë nga telashet. Gjykata nuk do ta lërë të dënuarin të merret me veprimtari drejtuese, kësisoj Sali Berisha shmanget. Ky është qëllimi. Shmangien e Sali Berishës si kundërshtar politik. A po bën lojë politike Spak-u vetë, apo ky është udhëzim amerikan sipas stilit të eleminimit të Al Kapones për evazion fiskal kur të vrarët prej tij në rrugët e Çikagos i kalonin shifrën 200. Thirrja në Washington DC e Bardhokut ndërmjetës nuk është pa asnjë kuptim. As ardhja e Sekretarit të Shtetit Amerikan në Shqipëri për tu takuar me Dumanin e Spak-ut nuk ka si të mbulohet veç si serum për Drejtësinë e kalamendun shqiptare. Ndaj është katandis dueli Spak - Berisha si një lojë pa fitues, por edhe pa humbës. Ngjashëm me disa pensionistë që lozin domino në park pastaj të qetë shkojnë e hanë drekën. Apo si fëmijët në lojën kukafshehtas e që ndahen me mirëkuptim. Por ka disa që i bëjnë thirrje arsyes se Berishës, që për shpëtimin e PD të tërhiqet butë. Këta janë iluzionistë. Kjo është si ti thërrasin arsyes së një njeriu që po mbytet duke i thënë mbytu sa më shpejt të shpëtojmë prej teje.
Berisha nuk tërhiqet, është trashëgim nga koha e kapitenëve të vjetër, mentalitet të cilit i përket dhe ai, kur vinte fundi kapitenët mbyteshin bashkë me anijen e vet. Ashtu po bën dhe Berisha, me destinë "pas meje qameti!"
Po këta Spakillarët nuk duan ta lënë anijen të lundrojë, por as të mbytet. Si në gojëdhënën "Baba, kapa hajdutin". Sille - i thoshte babai. Nuk e sjell dot se ai nuk do- gjegjej i biri. Po lëshoje atëherë - i tha babai. Djali ia ktheu: E lëshoj unë po nuk më lëshon ai. Kësisoj loja cic-mic me drejtësinë Sali - Spak vazhdon...


 1