19 March 2024

Klanokracia, përndryshe demokracia e ferrit - nga K. P. Traboini



KLANOKRACIA - PËRNDRYSHE DEMOKRACIA E FERRIT

Nga KOLEC P. TRABOINI 

Që jetojmë në ferr prej 33 vjetësh kjo nuk do as mend e as kalem. Dil në rrugë e bërtit sa të duash se me këto të ardhura nuk e shtyjmë dot ditën, se me këtë pension vdes, se papunsia nuk zgjidhet ndryshe, por veç me vetvrasje apo arratisje nga ky vend i vetmallëkuar: thirr sa të duash se nuk ta vë veshin njeri. Askush nuk ta pjerdh, thotë populli, që është trullosur aq shumë sa etika e të folurit i duket tashmë shëmti.
Çfarë kërkohet tjetër ti bëhet këtij populli për t'u zhbërë? Shihni çfarë ndodh me opozitën dhe tek ajo keni pasqyrën për të parë çfarë ndodh me Shqipërinë.
Por ka që as duan t'ia dinë e llomotisin nëpër foltore për demokraci. E kërkojnë si fëmijët që duan tortë apo akullore. Mendojnë se duke kërkuar do tua japin.
Mirë këta të pushtetit që dhurojnë premtime të pafund, se fundja demagogjia është një prej mjeteve për të qeverisur dhe këtë e kanë përdorur me sukses të gjitha sistemet. Janë të njohura propogandat, veçmas gjatë luftrave të çmendura botërore, kur raportet sekrete që vinin nga fronti i luftimeve që ishin katastrofike, një çalaman ministër propogande i ndërsillte dhe i paraqiste fitore. E jo vetëm kjo, por për demokraci flisnin fashistët, komunistët, madje edhe diktatorët. Demokraci, thoshin dhe vazhdojnë të thonë sikur të flisnin për hoje bletësh. Në të vërtetë fjala demokraci është bërë si një lëvere, një reckë e pistë me të cilën jemi të detyruar të fshijmë sytë përditë. Pa le kur dëgjohen zërat e zvargur "Liri - Demokraci!" - dhe ju duket se po bëjnë revolucion nëpër foltore.
Po thirrni more, çirruni, kush po ju ndalon të vdisni. Jeni të lirë, madje kur ja shaloni makinave si gomerëve në fshat, keni liri demokracinë ta ngisni si të çmendur dhe të parakaloni që të përplaseni me një kolonë makinash të tjera dhe bashkë me veten të vrisni dhe 4-5 apo 6 të tjerë krejt pa faj. Edhe kjo demokraci është. Demokracia e ferrit të rrugëve ku edhe vidhet, edhe vritet. Por ne po flasim për politikën e jo për qeverisjen shtetrore e as mendore se siç është njëra bëhet tjetra.
Dhe prap foltoreve flasin e pjerdhin për demokracinë. Ngulmojnë se ju duket se kështu çlirohen prej të keqit që kanë në bark. Po për çfarë demokracie llomotisin?! E dinë edhe bufat tashmë se e vetmja gjë që nuk ekziston në Shqipërinë tonë politike është demokracia. A ka popull në botë që qeveriset kësisoj. Berisha ka qeverisur si bej fshati. Ato sejmenet e tij me të cilët ripte popullin, duke përfshirë të bijen që, vendoste i ati kryeministër e firmoste bija, e cila deklaronte në media "firma ime kushton 1 milion dollarë". Si e harruan kaq shpejt mediat këtë deklaratë, më cinikja në historinë e kësaj demokracie të përdhosur klanore.
Tani bija bilbiloset të mbrojë pronat e burrit që me një firmë qeveritare na u gdhi milioner. Për çfarë demokracie flasin me sy në qiellin e errët ku llamburit një dritëz që sa vjen e shuhet se nuk ka më kandili vaj. Nuk ka demokraci në Shqipëri, more jo. Hiqeni mendësh atë punë. As mos e kërkoni se nuk ua jep njeri, dhe vetë nuk jeni të zot ta fitoni. Aq më tepër parti me demokraci as mos kërkoni në Shqipëri. Lërëni PS se ajo dihet, por edhe ajo PD që ka në shpatull emrin demokraci, nuk ka qenë demokratike asnjë ditë të jetës së saj në këtë pluralizëm idhujsh pa krena. Ajo parti ka qenë thjeshtë një pëllumb në thonjtë e skifterit. Kot i atribuohet këtij dhe atij shkatërrimi, nëse do të ishte PD demokratike nuk do të mund ta shkatërronte Rama dhe as edhe njëqind shpallje nongrata. Një parti me demokraci të vertet nuk e mund asgjë. Sepse ajo gjeneron gjithnjë lider të rinj me ideale demokratike e jo një ujë i ndenjur që qelbet kur të kenë kaluar dyzet ditë. Mbajeni mend këtë numur që populli e përdor në aforizmat e veta, në 40 ditë uji qelbet, por kur ti ketë kaluar 40 gurë kthjellohet e bëhet i pishëm. Populli i di sepse i heq në kurriz bëmat e bijëve plangprishës. Është i zgjuar populli, por i ka zënë rrota bishtin e nuk lëviz dot. Ata që u shkojnë pas liderëve kakareçë nuk janë popull, janë turmë e bëjnë berihaj pas intesesave karrieriste. Edhe kur flasin për ideale mendjen tek kolltuku e paraja e kanë. Një parti klanesh me ideale xhepi natyrisht që do shkatërrohet, në të vërtetë vetshkatërrohet. Kjo që kanë ndërtuar në Shqipëri gjitha palët është një klanokraci, një ferr dhe në ferr nuk ka demokraci. Ka vetëm kaos, ferrokraci.
Mjaft me spekullime. Kërkoni një ëmër tjetër për partiçkat tuaja, se demokracia në Shqipëri ka vajtur për lesh dhije ngecur nëpër ferra e driza ngatrrestarësh.

20 mars 2024



16 March 2024

"Me shpirt të rilindur"- libri i autorit Robert Martiko - nga K. P. Traboini.



 

📘ME SHPIRT TË RILINDUR

Drejt botës së yjeve 
me Jeronim De Radën


Nuk kisha ndërmend të shkruaja një ese për librin “Me shpirt të rilindur” me shkakun se ai del jashtë mundësive e njohurive të mia në fushën e filozofisë, por pasi që prita gjatë e askush nuk po ndjehej, i thashë vetes se modestia në disa raste mund të keqkuptohet, ndaj vendosa ti jap fund dilemës për të cilën Eskili shkruante në veprën e vet “Prometeu”: “Më dhëmb kur flas/më dhëmb kur hesht/ as vete s’di/ kur me dhëmb më shumë.”
...Kur poetja Iliriana Sulkuqi më dhuroi librin e sapodalë të autorit të njohur Robert Martiko, botuar nga Shtëpia Botuese M&B, padyshim që u gëzova sepse Jeronim De Radën, ndryshe nga se është konceptuar vepra e tij nëpër mësimdhënie të rëndomta, kam pasur mendimin dhe ende e kam se ai ishte dhe mbetet jo vetëm i pari, por ndër më të mëdhenjtë lirikë të letërsisë shqipe. Vepra e tij përshkruhet me ndjesi të holla, me mendim të figurshëm, me peizazhe që të duket se zhvillohet para teje, dhe me një hero lirik që endet me mes të ndjenjave mëmëdhetare dhe atyre të dashurisë deri në sakrifikim. Heroi lirik është Milosao, i biri i një fisniku nga Shkodra. Kësisoj gjithmonë kam ruajtur mendimin se De Rada ishte jo vetëm pararendësi i Rilindjes Kombëtare Shqiptare, por edhe poeti ndër më të ndjerët, një lirik i madh që e ruan freskinë edhe pas 188 vjetëve të botimit të tij të parë. Vepra romantike “Këngët e Milosaos” u botua ne 1836, kur De Rada ishte student në Napoli në moshën 22 vjeç. Dhe të mendosh sa i ri dhe çfarë dimension krijuesi ishte që e vendoste zhvillimin e veprës se tij në Shkodër. Por çfarë ishte Shqipëria dhe si ishte jeta nën pushtim, çfarë zhvillimi social e kulturor kishte? Një botë e errët, një jetë e zymtë, ku pas vrasjes se priftit Kozma që e mallkonte gjuhën shqipe si dhe të gjithë ata që e flisnin, gjuha shqipe u ndalua me ligj perandorak nga vetë sulltani Abdyl Hamiti i Parë, më 31 maj 1779. Gjysmë shekulli pas kësaj gjëme për popullin shqiptar, kur mendohej se gjuha shqipe ishte në bjerrje, vjen drita e shpresës nga arbëreshët e Italisë me “Milosaon” e De Radës. Pikërisht ajo që Robert Martiko në veprën e vet e vlerëson si Mrekullia e Rilindjes Shpirtërore. 22 vjeçari De Rada që ndjehej shqiptar deri në asht, u bë orakulli i Hapjes së Kohës për shqiptarët në hapësirat ku mbizotëronte errësira dhe mizoria e shtypjes së pamëshirshme.
Libri i Robert Martikos me titull aq domethënës, gjithçka që trajton në veprën e tij për De Radën e sheh me një vëmendje e vështrim krejt ndryshe nga se është parë e shpjeguar nëpër libra që janë botuar për De Radën, por me një nivel të përciptë e me shumë analiza vargjesh, karakteresh e situatash poetike në një rreth të mbyllur. Robert Martiko ka një vizion e këndvështrim tjetër nga ata, sepse, siç thotë vetë ai “detyrë e dorës së parë është ndryshimi rrënjësor i mënyrës së të menduarit,” dhe me shkakun se De Rada, “nuk është i vetmi shqiptar i dëgjuar figura e të cilit është analizuar pa këtë lloj drite me karakter çlirues.”
Është fjala për të parë një autor të tillë madhor nën dritën e filozofisë së Kulturës Universale të Mendimit Perëndimor. Këtë bën në veprën e tij për De Radën autori Martiko, por jo vetëm në këtë vepër, por edhe në tërë krijimtarinë e tij të pasur përçohet ideja e Hapjes se Kohës që siç thotë, citojmë: “Koha është pikërisht ajo lulja e mistershme gjigande, që grumbullon përreth saj mendjet më gjeniale në botë.”
Fenomenin shqiptar De Rada, autori Martiko e trajton në një sfond të gjërë, në dimensionet e dritës që përhapin mendjet më të shquara të botës perëndimore që nga Petrarka, Dante, Da Vinçi, Mikelanxhelo, Shekspir, Bah, Getë, Bet’hoven, Hygo, Bajron dhe 1001 të tjerë në vazhdimësi që janë Drita e Kohës së Hapur. Në këtë kuadër drite, Robert Martiko vendos studimim e tij filoyofik për figurën e De Radës si pararendësi i Rilindjes Shpirtërore të një kombi të sakatuar, por pa e humbur shpresën. Në libër gjen vend edhe përshkrimi i jetës së De Radës, veprimtarinë e tij atdhetare, i cili ishte jo vetëm poet - botoi dhe librin me poezi “Skënderbeu i pafan”, por edhe gazetar, themelues i gazetës “La Albanese d’Italia” dhe “Flamuri i Arbërit”, autor librash për estetikën, si dhe i veprave historike si “Lashtësia e kombit shqiptar”.
Duke theksuar nevojën e Rilindjes Shpirtërore të shqiptarëve Robert Martiko thekson: “Skënderbeu, Nëne Tereza, De Rada, Naimi, Migjeni, dhe sa e sa të tjerë, nuk janë statuja prej dylli në muze, për ti përdorur studiuesit shqiptarë me njohuri të cunguara, pa idenë e Rilindjes Shpirtërore. Nuk janë për tu hedhur si fishekzjarrë të bukur brenda në shpellë.”
Dhe në vazhdim: “Në një trajtë simbolike, shpirtërore, nëse më parë pararend “Zgjerimi i Shpirtit” sipas modelit të Nënë Terezës dhe bashkohet me të energjia e pashterur e Skënderbeut, shqiptari me ndjenjë humanizmi universal dhe dinamizëm, në gjendje shpirtërisht të rilindur, mund të futet në Kohën e një Perëndimi Modern, që sot ka shpërthyer hapësirën.”
Kështu, libri për De Radën i kalon kufijtë e një vështrimi letrar, ai është një vështrim filozofik, me prirje për futjen e konceptit të Rilindjes Shpirtërore në mendim, çfarë shfaqet si një detyrë e menjëhershme, - kumt me të cilin autori Robert Martiko e mbyll veprën e vet “Me shpirt të rilindur. - Drejt botës së yjeve të Jeronim De Radës”.
Sa i përket faktit që libri në fjalë ka jo më shumë se 48 faqe, mund të them se veprat janë të mëdha jo se peshojnë shumë, apo kanë faqe të pafund, por për shkak të ideve të mëdha që mbartin, kumteve që përcjellin, emocioneve të thella që krijojnë, kujtoj librat: “Sonata e Krojcerit” - L. Tolstoi, “Laraska vjedhacake” - A. I. Hercen, “Plaku dhe deti” - E. Heminguej, “Lulet e Mollës”- Xh. Gollsuorth, “Fati i njeriut” - M. Shollohov, “Amok” - S. Cvajk, “Ditë të mvrejtura” - M. Ludemis e plot të tjerë dhe në mënyrë të figurshme them se, sa më të ngushtë ta ketë shtratin një lumë - aq më të shpejt e ka rrjedhën dhe dihet se rrjedhat e shpejta të shumtën e herës njeriu lakmon t’i kthejë në dritë.

K. P. Traboini
17 mars 2024