31 August 2018

🔴 Jemi popull atomik - nga Kolec Traboini


 
🟥 JEMI POPULL ATOMIK
Bali Kreshnikut i qe mbushur mendja top që të bënte një central bërthamor në Shkodër. Si e pritën shkodranët vallë? Lexoni këtë satirë që ti japim të kuptojë se tirandat e tij bërthamore nuk ja kemi harruar. Po as bëmat e qeverisë së Bali Kreshniku jo e jo.

Nga KOLEC TRABOINI

Cila ishte platforma e qeverisjes se Bali Kreshnikut? Ky popull duhet të ngopet me atë që i afrojnë, i afrojnë drita, të brohorasë, i afrojnë errësirë të mos flasë, e lënë papunë, të qepë gojën, i afrojnë një lugë të zbrazur, ta lëpijë e të ngopet, i afrojnë, atom të lumturohet. Në mos, të marrë nga sytë këmbët se një popull edhe mund të gjendet, por një qeveri për të qenë si kjo atomikja jonë, kurrë e kurrës! Duan nuk duan ne atomikun do ta ndërtojmë!
Flet populli kafeneve për keq-qeverisje por kush e dëgjon. Kujt i plasi për populli?!…Kjo qeveri ka pas e do të këtë kreshnikë sa kohë të jetë Bali-kreshniku, që pastë ymër të gjatë e i dhënçim kusurin e ditëve tona, për të mirën e këtij populli haram i cili, nuk e meriton këtë qeveri kaq të mirë. Po shyqyr që krye-kreshniku dhe kreshnikët e qeverisjes janë durimshumë, se ndryshe, këtë gjysmën-popull që ka mbetur, do ta kishte kuturisur diku nëpër sinorët e botës për të sjellë këtu një popull tjetër, më të urtë, që rri e nuk flet, që nuk fantazon, që nuk kërkon ekstreme të tilla si ujë, drita, punë, drejtësi e Ligj pa Maliq.
Por pavarësisht entuziazmit retorik të politikës e qeverisjes për sukseset atomike, fort keq e përshkroi situatën një shkodran. I ulun galuc( si skulptura e Rodenit) aty ku dikur kanë qenë në këmbe 5 heronjtë e Vigut, i binte me grushta kresë e thërriste;
"Kuku, moj nanë, c' na ka gjetë ne s'ka gjet kurrkënd!"
Ju afruan shkodranë të tjerë sehirxhinjtë e të papunë e i thanë:
"Po çfarë të ka gjet, mor njeri? Na thuaj!"
"Pse ala nuk e keni marrë vesh, a ? Po ju a shihni televizor? A e patë demonstratën me 26 prill? Duan me na tredh të tanëve."
Sehirxhinjtë zunë me qeshë por ai serioz u tha:
"Kur të mos ju punojë ma zemreku(e tregoi me gisht në mes të shalëve të tyre), do të më kujtoni. Pse a nuk e dini ju se atomiku që duan me ngrit në Shkodër na bën të tanëve eunukë? Mos me kenë të zot as për gratë tona..."
Ndërsa shokët e vet qeshnin, ai vazhdonte avazin duke thirrë:
"Kuku moj nane ç'ka na ka gjete! Duam me na tredh të tanëve! Duan me na lanë pa kartë identiteti si mashkuj!"...
Vërtetë pse politika kërkon të tredhë popullin e vet, nisën të mendojnë shkodranët tek shihnin shokun e vet që i binte me grushta kres me do thirrje ogurzeza.... Mos kanë ndonjë plan që ta popullojnë Shqipërinë me kinezë që janë një popull i urtë e ngopet me një tas pilaf e dy shkopinj, pa pasur nevojë për salltanete lugësh.
Ky populli ynë duhet të kënaqet me atë që i afrojnë. I afrojnë drita, të brohorasë, i afrojnë errësirë të mos flasë, e lënë papunë, të qepë gojën, i afrojnë një luge të zbrazur, ta lëpijë e të ngopet, i afrojnë atom të lumturohet. Në mos, të marrë nga sytë këmbët se një popull edhe mund të gjendet por një qeveri për të qenë si kjo atomikja jonë, kurrë e kurrës.
I ngrenë i pangrënë, me dritë a pa dritë, me ujë a pa ujë, me punë a pa punë, shko e fli o popull se qeveria t'i gjeneron edhe ëndrrat, e gjasat janë të shohësh edhe ëndrra atomike. Cili popull tjetër në botë ka lumturinë të shohë ëndrra atomike veç nesh? Meqë ra fjala për ëndrra, po tregojmë një histori për ta mbyllur këtë mesele me politike e qeveri. Na shkon një tjetër qyqar-qytetar shkodran në ambulancën e spitalit neurologjik.
“Çfarë ke që je i tronditur?”-e pyeti doktori shkodranin. Ky pa e zgjatur ja ktheu:
“Kam parë një ëndërr të keqe”.
“Me se po merreshe para se të zinte gjumi?”.
“Po shihja e dëgjoja fjalimin e krye-qeveritarit për atë punën e atomikut që do të ngrihet në Shkodër. Isha në një kafene e pranë meje qenë ca djem të ndërsyer nga Vlora.
Njëri nga ata u tha shokëve të vet
“Çfarë mendojnë këta të qeverisë?! Po ne në 97-tën me ca pushkë të qelbura kineze bëmë namin, e jo më po të na bjerë në dorë atomikja. Nanë e zezë, do ta tundim Ballkanin. Ujin e zi do t’ia nxjerrim Evropës!”.
“E, çfarë pe në ëndërr?”- vazhdoi pyetjet i përqendruar doktori.
“Sikur po fluturoja lakuriq mbi ca shtëllunga lesh, mbi Bangladesh.”- u përgjigj pacienti.
Doktori erdhi vërdallë, bëri kinse hapte një dosje, hoqi syzet e tha:
“S’kam çfarë të bëj, o njeri. Sa të kemi kësisoj leshkosh në politike e qeverisje, e kësisoj budallenjsh nëpër rrugë, ëndrra me lesh e Bangladesh do të shohësh.”.
“Nuk kam fare shpresë për shpëtim, doktor?”- pyeti krahëprerë pacienti shkodran.
“Mos fli gjumë që mos shohësh ëndrra”- tha prerë doktori e nisi nëpër dhëmbë të këndojë një këngë të improvizuar aty për aty:

“ Zgjohu popull e mos fli
Dil në rrugë e thërrit
Me kësi leshkosh në qeveri
Jemi popull atomik!….“.

Pacienti u hutua nga ky shpërthim i doktorit e tha me vete:
 “Iku, e pat dhe ky si ai tjetri i atomikut! O zot, po pse të gjithë doktorët janë të falisun.
Kush do të na shpëtojë ne të mjerëve prej ëndrrash me lesh e Bangladesh?!”.

2009
WORLD POETICA CHANNEL

30 August 2018

🟢 Drita Çomo, dallëndyshe pa qiell- nga Kolec Traboini


DRITA ÇOMO - DALLËNDYSHE PA QIELL
(1958-1981)

Nga KOLEC TRABOINI

Ishte engjëllore si një fëmijë. I vetmi faj i saj ishte se erdhi në këtë botë në një kohë pa kohë. Erdhi atëherë kur nuk duhej të vinte. Fati që e përcjell njerëzimin sipas tekave të tij e kishte sjellë të lindtë në një familje ku babai e nëna, të dy, ishin në udhëheqje të një sistemi absurd, sistem për të cilin kishin punuar e luftuar, sistem që si një makinë shtypëse e deklaruar, ishte një mekanizëm aq i verbër sa nga dëshira e shfrenuar për të masakruar nuk pyeste më madje as për krijuesit e vet. Ishte një makinë dhune e gjaku, pre e te cilës do të binin edhe udhëheqësja e lartë Liri Belishova me të shoqin Maqo Çomo. Por, do të binte rëndë edhe mbi fëmijën e tyre të pafajshëm me emrin Dritë. Kjo Dritë e lindur në errësirën e një kohë të marrë, duhej t’i paguante një haraç të rëndë atij sistemi. Duhej ti paguante me vuajtje e mundime shpirtërore vetëm pse zoti e kishte falur tek dy prindër të gremisur në honet e diktaturës. Babai, ish ministër, burgjeve, nëna, ish zëvendësja në parti e Diktatorit, e internuar dhe e mbikëqyrur natë e ditë, e përgojuar dhe mallkuar nga diktatura në tërë literaturën ideologjike dhe forumet e partisë shtet . E ajo Drita, ferishte, shkonte pas nënës pa e ditur se pse të tëra fatkeqësitë e botës kishin rënë mbi prindërit e saj dhe mbi të. Ajo rritej përditë, derisa nisi të kuptonte se jeta e saj ishte e humbur, ajo rritej si një lule në greminë, ku kishte fare pak diell. E megjithatë ishte e bukur. Një bukuri e destinuar për shkatërrim. Por nuk ishte vetëm absurdi i sistemit që ja ngrinte buzëqeshjen vajzës së re Drita Çomo. Erdhi një çast kur nisi të ndjente se në trupin e saj kish nisur të shfaqej një tjetër fatalitet vrasës, kanceri. I duhet të përballonte të dyja, tmerrin e jetës nën diktaturë dhe luftën për t’i shpëtuar vdekjes fizike. E në ecejaket e saj nga Cërriku në spitalet e Elbasanit e të Tiranës ajo meditonte në botën e saj, në vetmi. E çfarë tjetër mund të bënte. E kush mund ti afrohej asaj nëse do ta merrte vesh se e bija e kujt ishte. Edhe pse në mes njerëzve në ato udhëtime sfilitëse për t'u mjekuar, i dukej se në mes saj dhe udhëtarëve të përhumbur në hallet e veta, kish një mur të trashë xhami. Edhe zërat i vinin të largët si nga ndonjë botë tjetër. E aty në vetmi, nxirrte lapsin e letrën e shkruante vargje, me të cilat sikur donte të mëlconte plagët e thella "Për durimin e dhimbshëm pa fund". Hidhte sytë përtej dritares së vagonit ku rrëshqisnin peizazhe kalimtare, fusha të zymta, diku tej kuaj të lagur në shi.

"Shiu përplasi mbi xhama trishtimin
Shiu përplasi në xhama mërzinë
Shiu i lagu të gjitha mendimet
Për ditët që ikën dhe ato që do vijnë..."

Nuk ishte e mundur të kishte pak gëzim në jetë. Dhe ishte fare e re. Në të njëzetat. Ishte në pranverën e jetës. Ishte si një dallëndyshe me dëshira ngashëruese fluturimi. Po në cilin qiell. Ajo nuk kishte qiell. Qiellin dhe diellin ja kishin ndaluar. Me sy të pikëlluar prej ndalimeve shkruante :


"Vetmia është të duash shumë
 Dhe të mos kesh çfarë të duash
Të mos kesh kujt t'i falësh dy lule
 Dy fjalë të mira të mos kesh kujt tia thuash..."
 ("Vetmia" mars 1979.)

Dhe vinin netët herë me hënë e herë pa hënë të Cërrikut por që të gjitha kishin të përbashkëta, pagjumësinë. Vajza e re e pikëlluar shkruante:

"Mbrëmë prapë nata ish e qetë
Përmbi pisha errësira ra
Nxorri kokën hëna që nga retë
Po askujt asgjë ajo s'i tha
Prapë mbrëmë vezulluan yjet
Prapë klithi qyqja me trishtim
Pëshpëritën fletët nëpër pyje
Drurët ulën degët, psherëtinë.”
("Natë pa gjumë" 1976.)

Kish nisur të gjente ngushëllim tek gjyshja që e donte aq shumë, por, o Zot, çfarë ti thoshte fatit, çfarë ti thoshte gjyshes së saj, të cilës i humbi drita e syve nga mungesa e përkujdesjes mjekësore: 

"Ç' zemërim perëndish mbi supe të ra
Ç ‘hyjneshë ke fyer me lumturinë tënde
Që pa dritën e syve të la...".

Kur merrte frymë në kraharorin e saj sikur buisnin lulet. E ndjente ti zgjoheshin dëshira që nga ndonjëherë i përndiznim fantazinë. Ikte larg me ëndërrime sepse fizikisht nuk e linin të largohej nga vendi internimit pa leje. Por veç, për të ëndërruar nuk kishte pse të kërkonte leje. Ishte e vetmja mënyrë për tu ndjerë e plotë. Ishte e vetmja mënyrë për të tejkaluar mjegullat e zymta të mendimeve që ja ushqente një realitet absurd i përbaltur "Në këtë botë të ndyrë dhe të ashpër"...
E në këto ikje ndjehej herë si pëllumb e herë si mjellmë. Por më së shumti si dallëndyshe krahë thyer. Ishte janar, dimër i egër me ngrica, me të ftohtin deri në palcë, e megjithatë ajo ndjente gjakun ti vërshonte, ndjente afsh, i ndizeshin dëshira sepse ishte në moshën e dashurisë të cilën, o Zot, përse, ja kishin ngrirë e kallkanosur brenda tonelatave akulli tiranik.

"Dashuria është ajo pisha e gjelbër
që lëkundet nën qiellin me hënë
Që ngrin në të ftohtin e janarit
Si një dëshirë e pathënë.."

Ajo kishte plot dëshira të pathëna, madje të pathënat e saj qenë me mijëra sepse përditë e më shumë filli i jetës po i këputej. Diçka e përvëlonte brenda trupit. Ajo përditë po tretej. Por dëshira për jetë kurrë nuk i humbi edhe pse e ndjente se "Ngrica i rrëzon(te) lulet përtokë". Ajo e ndjente se çdo gjë po i shkiste, si retë që iknin në të tjera hapësira qiellore. Ajo e ndjente se kish ardhur koha ta linte këtë botë në një moshë kur as mund të mendohet vdekja. E megjithatë, e ndërgjegjshme se fati i saj qe tragjikisht i pakthyeshëm, shkroi:

"Dreqi e di ç'do të bëhet, po kujt t'i vësh faj."

Vështrimi ju ngri dhe fryma e saj u përplas në qiell. Qanë engjëjt prej dhembjes. Frymën e saj e morën por trupin ja lanë në atë botë të egër e terrinë, për të cilën poetja Drita Çomo shkroi :

"...mbi botë ka kaq akull
Qeli të lagështa dhe hekura...
Kur varrosën për jetë të gjallët
Si nuk ngrihen të bredhin të vdekurit...

Ajo e ndjente se po e varrosnin së gjalli, se gjithsesi nuk kishte vdekur. Se si mund të vdesë një vajzë, një lule e bukur në moshën 23 vjeç?! Si mund të mbulohej në dheun e zi klithma protestës për tragjizmin e fatit të poetes, e përtej saj të mbarë një populli:

"Në sa gradë nën zero paske lindur
Dashuria ime siberiane.".

 Jeta e saj ishte si një legjendë e frikshme në kohë errësire e tani që tirania është shuar, tani që ka feksur liria, ajo nuk ngjallet dot si në legjenda për të ardhur në botën e të gjallëve, qoftë dhe për pak ditë të vinte, ti ngrohej e ti shkrihej prej trupit akulli me të cilin e varrosi koha e çmendur, ku fatalisht kishte lindur. Atë ftohtësi të akullt siberik e ndjejmë sa herë e kujtojmë poeten Drita Çomo. Dhe sa herë lexojmë poezitë e saj, drithëron fryma e shpirtin e saj mbetur aty këtu në mes të vargjeve si ca klithma të dhimbshme eshkë ndezur lirie që i përcillen njerëzve përjetësisht. Dhe sa herë vjen pranvera, ngrejme sytë e shohim dallëndyshet në qiell. 

WORLD POETICA CHANNEL