08 November 2014

Mallkuar qoftë ajo ditë! / nga K. P. Traboini

MALLKUAR QOFTË AJO DITË!... 
                      
 Nga K. P. TRABOINI

Prej përvojës personale në këto 3 dekada të një demokracie të shpifur kam arritur në përfundimin se këlyshët e bushtrave të komunizmit, me gjithë iluzionin tonë, pak gjasë kanë të ndërrojnë ves. Janë bijtë e baballarëve të paepur për pushtet.  Ashtu si ata edhe këta do të vazhdojnë të mbetën prepotentë, dhunues, megalomanë dhe shpifës e më kryesorja mosmirënjohës, sofistë dhe hipokritë të pandreqshëm. Jam  distancuar në vitin 1990-1991 prej kolerës së kuqe, kam shkruar në shtyp i pari në Shqipëri të hiqet ylli i kuq komunist nga flamuri kombëtar e ata edhe sot e kësaj dite nuk ma falin, kam organizuar të parin miting për demokraci në qytetin e Tiranës (ani pse nuk jam çun Tirane por djalë Shkodre e Malësie) pikërisht  aty ku sot është sheshi “Nënë Tereza”... por  edhe sot e kësaj dite mjerisht e ndjej se ajri është molepsur prej sporjeve të kuqe,  klima e krijuar i ka dhënë mundësi për një revansh dhe  pak nga pak po të dalin prej letargjisë e gjallnojnë për të zezën tonë, nëse i lëmë të kalojnë....
Pikërisht sot që është 8 nëntori i tyre unë shfaqa në Festivalin Internacional të Filmit në Tiranë dokumentarin "Djaloshi me kitarë", i cili është programuar gjithashtu edhe në javën e Filmit Shqiptar në New York. Kjo nuk është një përplasje në fytyrën e zezë të së kaluarës të krimit mizor, por që ne të mos harrojnë se po i lëmë të dalin në krye këto sporie të kuqe, këlyshët e bushtrave të komunizmit, po u squllëm e u zgërlaqëm para tyre për ndonjë privilegj të vogël,   fatin e Skënder Dajës do të kemi edhe ne.
Kujtoni fjalët e Martirit 22 vjeçar pushkatuar si i ati, të cilin unë para fatin ta njoh në fëmijëri:
"Edhe dhjetë jetë të kisha të njëjtën gjë do të beja, do të luftoja për lirinë time".
Po ne a do t’ia falim dreqit jetën apo do luftojnë ta mbrojmë lirinë tonë?
Të mos harrojmë. Liria i ka rrënjët tek shpirti, tek kujtesa.
Sot është dita më e zezë e shekullit që shkoi për shqiptarët, 8 nëntori i tyre i zi.
Mallkuar qoftë ajo ditë!

8 nëntor 2014

Skica: nga Lek Pervizi