03 September 2024

Idhujt e rrejshëm të turmave- nga K. P. Traboini

IDHUJT E RREJSHËM TË TURMAVE
Nga Kolec P. Traboini 

Vras mendjen pse miqtë thartohen prej mendimeve që shpreh në esetë e komentet e mia. Për ta bërë më të kuptueshëm këtë trallisje jo pak tunduese po ju sjell një rast të fundit. Përcillet një poezi e një eksponenti të Real Socit që ishte nënkryetar i Frontit komunist të monizmit e në Kuvend si deputet rrinte pranë gruas së diktatorit. Nuk u mora fare me bëmat, të mira apo pamira qofshin të autorit eminent të poezisë së komunizmit, por thjeshtë me poemën e tij, me disa vargje ku thotë se shtëpitë publike u ngjiteshin Maleve në kohë të Zogut. Nuk jam zogist, madje jam antirojalist, por aty ndalova me kundërshti se ka diçka që më shqetëson. Me aq sa di historikisht, shtëpi publike nuk ka pasur në Malësi, por as në Hot nga e kam prejardhjen, ndaj reagova duke shkruar se autori mund ta ketë fjalën për ndonjë Shtëpi Publike pranë shtëpisë së tij të fëminisë në Gjirokastër, e ku ndonjë nga rrethi apo fisi i vet mund të kenë shkuar në bordello, por jo malësorët e mi.
Kur shkrova kështu nuk përqesh as nuk përgojova njeri. Mirëpo kaq u duhej që miqtë facebukas të thartoheshin e të pizmoseshin si mos më keq, u nxinë me të nxirë siç thonë nga jugu, sepse u kisha prekur perëndinë e letërsisë me të cilin flenë e zgjohen e veprat e të cilit i kanë si bibël e kuran së bashku.
Po cila ishte poezia e idhullit të tyre, me të cilin vraponin të dilnin në fotografi për tu bërë të pavdekshëm në një kafe verore të Tiranës? Po e citoj poemën kryevepër të plejadës së komunizmit që i vlerësonte kësisoj virtytet e Malësorëve të Veriut:

"…Himnizonin poetët zanat dhe shtojzovallet,
Por ato qëronin morrat ndanë ujrave,
Zanave, shtojzovalleve u dilnin kokallat,
Shtriheshin për lekë prapa shkurreve.
Ndonjëherë qëllonte që i braktisnin
Zanat e shtojzovallet bjeshkët epike,
Në lokalitete
Një nga një zbrisnin
E një nga një futeshin
Në shtëpitë publike.
Në shtëpitë publike, që u qepeshin maleve
Në shpinat e lodhura
Si plagë,
Si tallje."

Pra, Zanat e Bjeshkëve shqiptare të Malësisë së Veriut:
"qëronin morrat ndan ujnave",
"u dilnin kokallat",
" shtriheshin për lek mes shkurreve", "zbrisnin e futeshin në shtëpi publike"
e më pas Idhulli i tyre i poezisë vazhdonte me lëtyra të tjera aspak poetike:
"Në shtëpitë publike, që u qepeshin maleve".
Nuk u shpreha ashpër aty, por tash do ta them me plot gojë atë çfarë mendoj:
një perversitet i tillë ndaj vajzave dhe grave malësore nuk e ka përdorur si akuzë as armiku, as pushtuesi dhe askush në botë veç tij. Madje edhe vetë diktatori që i vriste malësoret të paktën me fjalë lëshonte ca shprehje tollumbace demagogjike kur ngrinte dolli me një gotë ujë me malësorët.
Po si more poeti të konsiderojë prostituta zanat e bjeshkëve, simotrat e Norës së Kelmendit, apo Tring Smajles së Grudës, për të cilën në shtypin amerikan shkruhej "Amazona shqiptare" me virtyte dhe bukuri të pashoqe në botë.
Po a e kish lexuar ky Idhull i turmave bolshevike poetin e madh amerikan Henry Longfellou në poezinë "Bukuri shqiptare" ku shkruan:

"O bukuri shqiptare çfarë mrekullije je,
Një popull unik, si një yll që vezullon,
Shpirti juaj le të shkëlqejë gjithmonë kaq i ndritshëm,
Dhe bukuria juaj burim drite gjithmonë."

Duke pas këtë vizion kundërshtova këtë paraqitje të përbuzëshme të poetit të turmave, duke e konsideruar një shpifje vulgare me të cilat sistemi diktatorial i shpërftyronte malësoret me qëllim për tua rrënuar krenarinë me të cilën e kanë përballuar historinë.
Më ofenduan, anipse nuk ofendova njeri nga komentuesit. Fola për një poezi të shkruar nga një "perendi", ndërsa ata hulumtonin nëpër arkivat e kohës për të gjetur ndonjë bordello në kohë të Zogut, e pak e nga pak e spostuan biseden drejt meje. Një vjershëtar që e ruaja në kujtesë nga koha e komunizmit F. R. mu kthye:
"Kolec Traboini. ...me nje "puritan" te dyllosur eshte e kot te shpenzohesh. Ta kurseva fjalen "vulgar"."
Më kishte kursyer ai, ithtari i idhullit, por unë nuk kisha pse të kursehesha pas kësaj insinuatë vulgare duke ju përgjigjur me të njëjtën monedhë.
" ...më mirë një puritan i dyllosur se sa një i shqyer bythësh moralisht e fizikisht.
Se sa e kam respektin për njërin e tjetrin është puna ime, ti shko tek kafeneja verore sa pa nisur shirat e dil në fotografi me Idhullin që të bëhesh i pavdekshem."
Por kot ja dhashë këshillën se ai fatmir i kishte dalë punës përpara, e kishte kërryer fotografinë me Idhullin më heret nga frika se mos Idhullin e zë ndonjë grip e nuk del më te kafeneja.
Pse pra thartojnë turinjt miqtë e çarten me mua kur ua prek idhujt pa krena të cilët, sipas tyre, bëjnë vetëm vezë të arta dhe turma duhet me patjetër tu bëjë vetëm Hosanna? Dhe po zure në gojë ndonjë kritikë për Idhullin, turmat të sulmojnë si piranja.
A ndoshta se, megjithë respektin që kam për besimet idhujtare të miqëve, unë mjerisht jam i mallëkuar të mos kem asnjë idhull.
Se pse më bëri Zoti kështu vetëm ai e di. Po fundja kush i di planet e Zotit që krijoj idhuj të rrejshëm e në krahë e përqark tij edhe idhujtarë të vdekshem, më të cilët Zoti më së shumti gajaset se sa i merr seriozisht. Se fundja, kush sot mund ta dijë se cilët ishin idhujt e vdekshëm të turmave që lazdroheshin si sot e para njëmijë vjetëve?!

Shkrimi është shkruar një vit më parë dhe kish mbetur në sirtar si shumë shkrime të tjera. Po tundohem ta publikoj.