31 August 2013

🔵 Shën Albani - shënjtori i besës se mbajtur si shqiptarët -nga Kolec Traboini

Shën Albani - shënjtori i parë kristian i Britanisë
Shën Albani - shënjtori i besës se mbajtur si shqiptarët

Nga KOLEC TRABOINI

Alban ishte një qytetar romak pagan dhe jetonte në qytetin romak 2000 vjeçar Verulamium, rreth 35 km. në veri të Londrës - ish koha kur Britaninë e kishin pushtuar romakët që ende i ndiqnin e i vrisnin itharët e Krishtit. Tek Albani, që kishte dhënë ndihmesë në fushatat luftarake të romakëve, kërkoi strehë një prift i krishterë që ndiqej, Shën Amphibalus. Gjatë kohës që prifti qëndroi fshehur tek ai, Albani nisi të admirojë përkushtimin e priftit dhe kështu u pagëzua i krishterë. Kur erdhën ushtarët për ta marrë e dërguar në gjyq Shën Amphibalusin si përhapës i krishterimit, gjetën Albanin veshur me rrobat e priftit. E morën dhe e dërguan tek gjykatësit.  Gjykatësi e njohu Albanin dhe e kuptoi gabimin që kishin bërë ushtarët të cilët i kishin sjellë përpara një ushtarak romak që i kishte shërbyer perandorisë. Në fillim desh ta linte të lirë, por ndërkohë mendoi që nepërmjet Albanit ta gjente e dënonte priftin. Albani nuk pranoi ta dorëzonte priftin, ndaj gjyqi i priftit u kthye në gjyq të tij. Para gjykatës ai foli hapur se tashmë ai ishte kristian i devotshëm dhe nuk e dorëzonte priftin. Jetës së tij i jepte kuptim duke mbrojtur mikun e jo duke e dorëzuar atë. U përpoqën ta bindnin që të hiqte dorë nga kristianizmi dhe të dorëzonte priftin, por nuk ia arritën ndaj vendosën ta thyenin me tortura. Por, asnjë torturë sado mizore nuk e theu besimin e tij, bile edhe besnikërinë e tij në besën e dhënë.
Atëherë gjyqtarët e dënuan atë me vdekje. Duke e dërguar në vendin e ekzekutimit atij i shkuan pas gjithë banorët e qytetit. Njerëzit e kishin njohur gjithnjë si njeri të mirë dhe e admironin edhe për trimërinë e devocionin që tregoi në gjyq. Emri i tij tashmë ishte bërë një kauzë, një besim, një virtyt. Në shkrimet me karakter fetar përshkruhet  pak a shumë kjo  legjendë-mrekulli: për ta ndihmuar, banorët e qytetit e prishën urën mbi lumë,  përmes së cilës duhej të kalohej për të shkuar tek vendi ku bëheshin ekzekutimet. Lumi ishte i rrëmbyeshëm e përmes tij nuk mund të kalohej.
Albani, i bindur në fatin e tij si martir, me fytyrë drejt qiellit iu lut Zotit ta ndihmojë që të gjendej sa më shpejt pranë tij. Atëherë ndodhi një mrekulli. Lumi u shter dhe mundën të kalonin nëpër shtratin e tharë. Duke e parë këtë mrekulli, ekzekutuesi i tij hodhi poshtë shpatën dhe iu lut Albanit të dënohej edhe ai me të ose në vend të tij. Albani nuk pranoi. Si u ngjitën në kodrën Holmhurst, Albani u lut sërish me fytyrë drejt qiellit që të kthehej uji i lumit që i jepte jetë luginës e tokave përreth. Dhe uji u kthye. Albanit i prenë kokën me urdhër të perandorit Severus, që në atë kohë ndodhej në Britani. Ishte 22 qershor i vitit 209. Shën Albani konsiderohet i pari shenjtor i krishterë Britanisë, por mbase i mbarë botës latine. Ka dhe burime që e shtyjnë këtë ngjarje  një shekull më vonë, në vitin 308 dhe me urdhër të perandorit romak Diocletian.
Përtej aspektit fetar, a nuk vihet re një tipar i veçantë në shkrimet e shenjta e rrëfimet mbi jetën e vdekjen e Shën Albanit? Atë të besës që e kishin iliro-arbëreshët e hershëm dhe e ardhur kjo besë deri vonë si tipar themelor i shqiptarëve. Ndoshta në këtë drejtim mund të hamendësohet, aq më tepër që ilirët ishin paganë dhe dihet se kishin një qytet me emrin Albanopol, që do të thotë qyteti i Albanëve ose i Albanit, siç kemi edhe Adrianopolin. Ky qytet dhe tërë Iliria kishin rënë prej dy shekujsh nën sundimin e romakëve, pra konsideroheshin pjesë e perandorisë dhe ilirët pjesëtarë të saj e mund të lëviznin në tërë skajet e perandorisë. Nuk rezulton në gjeografinë e Ptolemeut ndonjë qytet tjetër me këtë emër. Shën Albani është shenjtori i parë kristian i Britanisë. Me këtë emër u shënuan kisha, por edhe qytete apo territore. Në shtetin e New York-ut ka një qytet Albany, që shumë thonë nuk ka lidhje me trojet tona iliro-arbërore, ama dihet se ka ardhur nga emri i qytetarit romak pagan që u bë shenjtor i parë i Anglisë. A ka shkuar ai apo paraardhësit e tij qytetarë romakë nga trojet iliriane në Britani dhe veç Albanopolis a ka patur të tjera qytete me këtë emër në perandorinë romake e për më tepër a është përdorur ky emër në Perandorinë Romake në atë pjesë që u përkiste latinëve?!
Shumë gjëra në histori vijnë me supozime sakohë që nuk gjenden shkrime apo objekte që e mbështesin një ide. Edhe emri i qytetit të lashtë anglez Verulamium ku jetonte Shën Albani është venë prej romakëve, por nuk dihet etimologjia e tij. A ka shpjegim në latinisht? Në shqipen tonë të vjetër tingëllon si në veri të lumit. Dhe vërtet ai qytet e kishte një lumë pranë të cilit u krye martirizimi dhe ndodhi mrekullia. Ky qytet romak tanimë ka vetëm rrënoja dhe një muze me emrin e tij,  por pranë tij është ndërtuar qyteti me emrin e Shën Albanit. Në vendin e ekzekutimit është ngritur katedralja madhështore me emrin e tij. Dhe më tej edhe në Amerikë në shtetin e New York-ut është emërtuar një qytet, Albany. Por ka edhe qendra e institucione, qyteza, kisha, urdhra fetarë, shkolla, sheshe e rrugë me një emërtim të tillë, Saint Alban, duke e bërë atë një nga emrat më të njohur e më të përhapur. Në fund të fjalës është me origjinë nga brigjet iliriane apo jo, Shën Albani mbetet shenjtori i besës, virtyt që është tipik në histori për iliro-arbëresho-shqiptarët ku histori të tilla besnikërie për të mos e dorëzuar mikun është e ngulitur jo vetëm në gojëdhanat e rrëfimet popullore, por edhe në Kodet zakonore të shqiptarëve, të atyre pra që tërë bota i njeh si albanë.

© k.p.traboini
Gërmadhat e qytetit të lashte romak Verulamium në veri të Londrës
Kisha e Shën Albanit në vendin ku është ekzekutuar
Verulamium Park