17 November 2013

Si e mundem Amerikën - nga Kolec Traboini



 
SI E MUNDËM AMERIKËN


Nga Kolec TRABOINI


Pas ca ditëve si të jetë avulluar deliri i fitores si e Pirros, që na bëri të zhabaritemi si pulastrena, do të nisin njerëzit, sidomos të rinjtë, duam punë, duam viza, duam kështu e duam ashtu, do të varavitemi nëpër ambasada, dhe atë të Amerikës me shumë, por ambasadat do të na shohin si gjithnjë vëngër e plot respekt do na kthejnë b...
Arka e shtetit është bosh por do nisin edhe nënpunësit dhe pensionistët duam pare, po do ngrihen ata të përndjekur që i bënin fresk kryeqeveritarit që e rrëzuam nga kali, e do t'i sokëllijnë kryeqeveritarit te ri: duam pare, duam pare!
Të gjithë do të kërkojnë para. E pra kishin në dorë 12 miliard dollarë, tre buxhete shteti marrë së bashku, dhe i thamë JO. Mirë bëmë. Çfarë na duhen paret e Amerikës. Duam paret tona...

Eh ç'mu kujtua Piramida e Maksude Kadënës që i ropi shqiptarët që mendonin se paraja pjell paranë në thasët e Sudes. Ato duam po kush na i jep. Thonë se Sudja është në ferr.
Po ne kemi në shtëpi bombulat e vjetra te gazit që janë më të rrezikshme se kimikatet e Al Assadit dhe nuk tutemi. As nga plehrat nuk tutemi. As nga uji që përzihet me jashqitje nuk tutemi. As nga zarzavatet e homogjenizuara nuk tutemi. Pse të tutemi...
Jemi trima maje plehut. Ku çdo i ri ka një kobure e pam pum njëri-tjetrit për inat e për sherre. Por thenë të drejtën për këtë jave nuk pati vrasje. I shtymë për një javë. Por do të nisin mbas tre ditësh si të kthjellohet njerëzia pa tjetër.
Dhe makinat e bixhozit në dyqanet e lojrave të fatit aty janë. Punojnë tërë ditën e tërë natën. Dhe do lozim. Dhe do qeshim. Do tregojmë e do prrallisemi duke molloisur historira: 

"Si e mundëm Amerikën".
Dhe më tej?! Çfarë të thuhet për më tej? Prit kur ti thërrasim mëndjes, kur ti themi Amerikës: A ke armë të tjera, na i sill se na duhen vizat e paratë...por, eh mor djalë, kur u bë Lali për dasëm u ça daullja në Kryepazar. Heq e vuan njeriu i ngratë. Mbeti e mbeti goja thatë...
Seç mu kujtua ajo fabula e dhelprës që kur nuk arriti rrushtë në pjergull, me zë lartë i tha vetes:

Nuk i dua, nuk i dua
s'janë për mua s'janë për mua
le ti hajë ndonjë tjetër
ç'mund të thojë zonja Dhelpër.


Po ka akoma më keq si ai që u bëri të pabërën qershive e kur u kthye pas ca orësh, nisi t'i hante një e nga një duke thënë: këtë nuk e kam përmjerë, edhe këtë, edhe këtë deri sa i hëngri një nga një, ai i ziu.
Edhe këngë dhe elegjira do këndojmë, me plot gojë: 


Pse të mundëm, moj Amerikë? Pse të mundëm?! 
Po vjen mokrra rrotull-o në ato mullire
brenda s'ka një kokërr grurë, moj jetë qafire.

Në këtë vend me historira, ka plot të tilla molloira. Si... askund.

16 nëntor 2013


NEXT:-------> Antiamrikanada panik ndjellese e ekologjiko-politikes:
http://traboini1.blogspot.com/2013/11/antiamerikanada-panikndjellese-e.html