01 December 2013

Dhjetë vjet thirrje për shtatoren e Dedë Gjon Lulit- nga Kolec Traboini


  DHJETË VJET THIRRJE PËR SHTATOREN E DEDË GJON LULIT

Dy fjalë për zotin Nikoll Camaj, Tuz,  një nga organizatorët e seminarit historiko-shkencor “Hoti ndër rrjedhat e shekujve” i mbajtur në Rochester Michigan USA 23-24 nëntor 2013.

Nga KOLEC TRABOINI

Pa dyshim ishte një ngjarje e shënuar dhe me vlerë seminari historiko-shkencor “Hoti ndër rrjedhat e shekujve” i mbajtur në Rochester Michigan USA 23-24 nëntor 2013, sepse u mblodhën studiues, historianë, gjuhtarë e të tjerë dhe folën për Hotin, megjithëse duhet thënë se u ndje mungesa e shkrimtarit më të mirë të Hotit Anton Gojçaj si dhe Fran Camaj e At Pashko Gojçajt.
Për Hotin gjithherë ke çka flet si kryevendi i Malësisë së Madhe kreshnike në histori. Si i Hot e përshëndes këtë ngjarje dhe i uroj  për të mos mbetur veç në fushën e fjalëve por edhe të punëve.
Ajo çfarë kisha për t’i thënë njërit nga organizatorëve kryesorë z. Nikoll Camaj mësues në shkollën e mesme në Tuz  janë  dy fjalë: një urim dhe një vërejtje miqësore.
Urimi është se z. Nikoll Camaj në fjalën e tij të mbylljes e ceku edhe problemin e ngritjes së një busti të Ded Gjo Lulit atje ku ka rrugën me emrin e tij. Dhe kjo nuk është pak.U bëftë ajo çfarë tha Nikolla.
Por zoti Nikoll Camaj, ndërkohë nuk kish pse ta shfaqte këtë mendim si të tijin personal sepse kjo histori për ngritjen e bustit të Ded Gjo Lulit nuk është e re e në ditë të sodit, ka mbi 10 vjet që është rrahur e rrihet në shtyp si të Tiranës por edhe në shtypin shqiptaro-amerikan. U kish dashtë thënë të vërtetën të plotë dhe t’i linte nderin e kësaj nisme gazetarit të "Zërit të Amerikës" dhe botuesit Gjek Gjonlekaj, që nuk e pamë në atë tubim shkencor,  i cili i pari e ka nisur polemikën me botuesin e at'hershëm të gazetës "Illyria" në New York,  Ekrem Bardha, i cili kishte inicuar në Tiranë, që në rrugën që mban emrin e Ded Gjo Lulit, pas Muzeut Kombëtar dhe para restorant Piazza, ish pronë e tij, të vihej monumenti i Trumanit. E  kam mbështetur publikisht Gjek Gjonlekën me shkrimin tim polemik të asaj kohe "Trumani apo Ded Gjo Luli",  që gjeti mjaft jehonë ndër hotjanët e Amerikës. U kish dashtë të sqaronte se u bë debat dhe shqiptarët nga Hoti në Detroit i kërkuan spjegime botuesit Bardha, i cili më pas në konsultë me Ismail Kadarenë, e sipas sugjerimit të mënçur të shkrimtarit të madh, hoqi dorë prej kësaj nisme. Madje Ekrem Bardha tregoi fisnikërinë e tij kur deklaroi se nëse hapni fushatë  për ngritjen e bustit të Ded Gjo Lulit do të kontriboj me 1000 dollarë. Mirëpo edhe pse kam 10 vjet që e ngre në shtypin e Tiranës dhe atë shqiptaro-amerikan, në biseda e intervista madje dhe në takime në Tuz ku z. Nikoll Camaj ka patur rastin ta dëgjonte, asgjë nuk ka nisur për realizimin e kësaj nisme.  Para disa muajve e takova  zotin Ekrem Bardha në Tiranë, në një promovim libri në Tirana Internacional  ku gjëndej dhe presidenti shqiptar, e ja kujtova dhe Ekrem Bardha, si gjithnjë mirëdashës,  madje shtoi po të vish në Detroit  eja dhe tek unë.
Kështu i nderuar mësues i gjimnazit të Tuzit Nikoll Camaj mirë do të ishte ta shpaloje më gjërë këtë temë pa patur nevojë që në një auditor kaq të madh që u mblodh për Hotin të kalonte si një mendim i thjeshtë që sapo të kishte lindur në kokë, si gjithë mendimet që kalojnë shpejt po aq sa vinë,  kësisoj padyshim që gjithçka vetëm tek fjala. Shpresoj që kjo nismë 10 vjeçare me zanafillë në polemikën e Gjek Gjonlekës, të ketë jehonë dhe busti i Ded Gjo Lulit të vendoset në rrugën me emrin e Heroit.

Kolec Traboini
1 dhjetor 2013