16 January 2015

🔴 Demokracia komuniste e Shqipërisë/ Kolec Traboini


DEMOKRACIA KOMUNISTE E SHQIPËRISË
“Nipi i Spiro Kolekës arreston nipin e Enver Hoxhës” ( A1 Report TV)


Nga K. P. Traboini


Çeshtja e revoltës së studentëve në dhjetor 1990 por edhe shkurt 1991 është e diskutueshme se sa ka arritur (ose jo) të fusë duart Sigurimi në mes tyre për ta çuar gjithë këtë lëvizje në kahjen që i interesonte Ramiz Alisë. Por gjithsesi, ne që e kemi përjetuar atë kohë e ato ditë e kemi ndjerë që ata që po ulërinin më shumë nëpër mitingje apo në rrugë ishin të gjithë sigurimsa ose të siguruar se nuk do të kishin pasojë, madje kishte edhe me pistoleta sigurimi nëpër xhepa. Nuk ishte aspak e vështirë të vihej re se pushteti po kalonte nga komunistët tek po komunistët. Mjafton të sjellësh emrat e personave që i kishin zgjedhur për pardesy të bardha, o komunistë ose bashkëpunëtorë të sigurimit. Siç merrnim ushqimet me listë, Ramiz Alia i zgjodhi politikanët e të ardhmes me listë.
Të gjithë pardesytë e bardha, të piketuar për udhëheqës duheshin mbrojtur nga sigurimi i shtetit në situata të turbullta nëse gjendja dilte jashtë kontrollit. Lexoni emrat e atyre që u gjenden dhe formuan Partinë Demokratike. Dhe dëgjoni pohimin fantastik të Preç Zogajt kur në një emision TV ku tha se në formimin e partisë të gjithë ishin të ftuar, pra formimi ishte i hapur, çfarë nuk ishte aspak e vërtetë, po nuk thotë se kush e hartoi listën dhe si na u gjendën ta zëmë i biri i kriminelit komunist Josif Pashko, anëtar i Komitetit Qendror të PPSH, pra i ati ka qenë kryetar gjykate në dënimet me vdekje të nacionalistëve shqiptarë kur e morën pushtetin komunistët, çfarë shënonte jo çlirimin por robëruan popullin. Ky do të përfaqësonte përmbysjen e madhe të komunizmit, ku bashkë me ish agjentët e sigurimit që u gjendën në atë mbledhje. Pra bijtë po përmbysnin baballarët?! Po kush kishte qenë armiku kryesor i komunizmit në dyzet vjet, kush kishte hequr mizoritë në burgje e internimet. Ku ishin bijtë e të pushkatuarve, pse nuk i bënë vend as dhe njërit. Preç Zogaj është një poet i mirë, por një politikan i keq, sepse kushtëzohet prej pengut të vet në diktaturë, është si puna e kalit që nëse e rreh një herë ai nuk bën më për kalë shale, por veç të mbrehet në karrocë, kështu që mbrehur në karrocë vazhdon edhe sot e kësaj dite. Mirë këta të PD-së që gjetën një ish sekretar partie e komunist prej 24 vjetësh dhe e vunë në krye, është afër mendsh që nuk mund të vinin një njeri që nuk kish qenë komunist e nuk kishte lidhje me udhëheqësit komunistë. Po kush i thirri këta, kush i bëri vend në atë formim të partisë “opozitare”? Padyshim krejt udhëheqës-ekipi i Partisë së re u hartua nga të dërguarit e Ramiz Alisë. Kishin përvojë komunistët në këtë drejtim dhe ka një përqasje aspak të çuditshme në mes të formimit të PD dhe të PKSH. Më 8 nëntor 1941 të gjitha letrat i luante jugosllavi Miladin Popoviç, i cili gjeti tek Enver Hoxha dishepullin e vet a më mirë të thuash gjeti shërbëtorin e vet siç e thotë edhe Liri Belishova në intervistën e vet tek gazeta “Panorama” 15 janar 2015.
Kështu ndodhi edhe në dhjetor 1990 kur Ramiz Ali kish afruar pranë studentëve njerëzit e vet për të parë mundësitë për të ndikuar në çdo lëvizje që ato do të bënin. Sigurimi shqiptar ka qenë shumë i zhvilluar, dinte edhe sa lugë kishe në shtëpi, siç thoshte populli dhe nuk na paska qenë në gjendje të kontrollonte zhvillimet në qytetin e studenteve. Problemi i saj ishin disa studentë të cilët për shkak të temperamentit të tyre ishte e vështirë t’i përpunoje, prandaj dhe për të krijuar një solucion zbutës u dërgua tropojani i mjekësisë. Le ta mbulojnë sa të duan, të gjithë që në atë kohë i kanë përjetuar ngjarjet kanë thënë, nga na doli ky doktori si udhëheqës politik, e kur u shfaqën Gramoz Pashko dhe Aleksander Meksi e të tjerë, nga na dolën edhe këta. Por këto dilema nuk i kishte as ministria e brendshme, as Komiteti Qendror i Partisë së Punës. Gjithçka shkonte sipas parashikimit anipse të dërguarit e Ramiz Alisë i dolën fjale e nisën të mendojnë për vete, por gjithnjë duke e ruajtur mesazhin që ishte dhënë, që udhëheqja e komunistët pavarësisht që për 40 vjet kishin shtypur me egërsi me dhunë, nuk do të pësonin asgjë dhe pushteti do t’u jepej bijve të tyre dhe jo reaksionit, nacionalistëve e ballistëve. Pra kemi dy formime që përqasin aq shumë, një formin nga Miladin Popoviçi 1941, tjetri prej Ramiz Alisë 1990, ndryshimi i vetëm është se ky i fundit u bë nga një shqiptar dhe jo nga një jugosllav.
Kulmi ka qenë kur na doli edhe ministri i diktaturës Gjinushi e bëri dhe ai parti bashkë me Lisjen Bashkurtin që ka qenë sekretar i parë i Komitetit Qendror të Rinisë Komuniste dhe në atë kohë dërgova një shkrim rreth diplomacisë së shtetit komunist e riciklimit të komunizmit dhe ia dërgova Frrok Çupit në gazetën e sapo dalë RD, në fund të janarit 1991, por nuk ma botoi. Më kishte botuar më parë më 16 janar shkrimin “Vlera e simboleve kombëtare” ku kërkoja heqjen e yllit nga flamuri kombëtar, por këtë për riciklimin e komunistëve jo. Prandaj kam mendimin se gjithçka ka qenë e manipuluar veç rasteve kur kjo nuk ka qenë e mundur. Xhelil Gjoni ish anëtar i Byrosë Politike që ka dalë së fundi me një intervistë ka të drejtë kur thotë se ishte piketuar rruga nëpër të cilën do të ecte demokracia me pikatore, sepse ja ku jemi, vërtet iku Xhelili nga pushteti asokohe, por ja ku mbeti i biri. U bë ministër i brendshëm i biri. A mendohej kjo në dhjetor 1990 apo në shkurt 1991? E keni deputet edhe sot e kësaj dite. Po të kish ndodhur demokracia e vërtetë kjo vazhdimësi e pjellë komuniste nuk do të kishte më vend në parlament, as në ndonjë post qeveritar, nuk do të kishte as bashkëpunëtorë të sigurimit ministra e deputetë. Prandaj është jo pandehmë, por bindje e plotë se siç e planifikuan ashtu ndodhi. Por Xhelil Gjoni gënjen kur thotë se mitingu që organizoi ai kundër atyre që u futën në ambasada më 2 korrik 1990, ishte i lirë. Jo. Ka pas urdhër të rreptë nga Komiteti i Partisë së Tiranës që duhej të ishin të gjithë punonjësit në miting tek Pallati i Kulturës, dhe po mungove pushoheshe nga puna. Për këtë kishin vënë edhe njerëz të merrnin firmat nëpër institucione që do të shkoje patjetër në miting (Janë gjallë njerëzit që i vunë ata të Byrosë së Partisë të na i merrnin firmat në Kinostudio në korrik 1990). Pra ka qenë miting me detyrim dhe me firmë ndryshe nuk do të shkonte asnjë veç komunistëve. Por edhe gjendja reale që kemi ende dhe sot e kësaj dite tregon se demokracia e vërtetë me dekomunistizimin e shoqërisë shqiptare nuk është bërë kurrë ndaj edhe më tej Shqipëria do të jetë e kapur prej pinjollëve të tyre, edhe kur këta shtiren si demokratë të mëdhenj. Ja edhe mendësinë e medias që ka kurajën të shpalosë në publik edhe lajme të këtij lloji, në televizioni e Karlo Bolinos thuhet se "Nipi i Spiro Kolekës arreston nipin e Enver Hoxhës". Pra edhe prej televizionit që është afër Qeverisë e përkëdhelet prej saj, konsiderohet luftë brenda llojit. Konkluzioni që del është se që nga viti 1944 e sot pushtetin vazhdojnë ta kenë komunistët e pinjollët e tyre. E vetmja gjë që ka ndryshuar është liria për të folur dhe shkruar, por edhe kjo e kufizuar se nuk ka një Media plotësisht të lirë e jashtë politikës në Shqipëri. Nuk gjen dot një organ që kritikon të dy palët e politikës, partive të cilat nuk janë opozitare, por thjesht kundërshtare, sepse nuk i ndajnë idetë e platformat, por thjesht kolltuku për të cilin bëhet lufta. Gjithsesi demokracia komuniste e platformës së Ramiz Alisë me pikatore ka triumfuar, duam apo nuk duam ne, duan apo nuk duan ta pranojnë të huajt, dielli me shoshë nuk mbulohet.