27 December 2018

Krishti është dashuri - nga Kolec P. Traboini

KRISHTI ËSHTË DASHURI
- Reflektim –

Nga Kolec TRABOINI

Ky shtjellim është një bisedë me një mike që është më pranë engjëjve të qiellit se sa unë mëkatari i dashurisë tokësore, që ndjek më së shumti atë udhë të Hyjit që quhet revolta hyjnore e Jezu Krishti ndaj sarafëve dhe mashtruesve në tempuj.
Fjala besim është shumë planesh. Nuk ka vetëm kuptimin e bindjes së verbër. Nuk ka vetëm kuptimin e mosvënies në dyshim të koncepteve që kemi trashëguar brez pas brezi, por ka edhe kuptimin e humbjes së baraspeshës të emocionit e mendimit brenda vetes, ku ti nuk flet me priftin, por flet në një intimitet të thellë me Atë që në çdo hall e nevojë i drejtohemi me fjalën, "O Zot!". E kam lexuar Biblën me mendje të kthjellët. Atje veç mësimit të besimit e përkushtimit, ka edhe katrahurën njerëzore, dënimet që Zoti, para se të trupëzohej e shfaqej si Krisht, i jepte njerëzimit sepse ai , njerëzimi, kish shkuar tepër larg e në tjetër shteg e jo në atë që krijuesi kish parathënë, ndaj më duket mbrapshti tinëzare kur për çdo marrëzi e ligësi që bëjnë njerëzit të themi "Kështu desh Zoti."
Jo ashtu nuk desh Zoti i vërtetë, por zoti i rremë, vetë njeriu, sepse Zoti i vërtetë, sipas asaj që kam lexuar e kuptuar, ka hequr dorë prej njeriut me shkakun se mori udhë për skajore që nga momenti i ngjizjes. Sepse Zoti e ka krijuar njeriun për ta bërë botën të bukur brenda dhe jashtë tij! E ne që tashmë e lexojmë historinë ungjillore të botës, e dimë se ndër dy pinjollët e parë që lindën në këtë dhè, Abeli dhe Kaini, ndodhi një vëllavrasje. I dyti e vrau të parin pa dhembje e pa mëshirë. Pas mëkatit të prindërve Adam dhe Evë, ndodhi krimi i parë i botës që do të për shumohej me një vrasi marramendëse deri në ditët e vona.
Ndaj për ta ndaluar rrjedhën e gjakut u shfaq Krishti, fryma e Zotit e mishëruar në trajtë njeriu, se ndoshta kështu do t’i bindte të ndërronte udhën që kish marrë drejt greminave të shpirtit. U shfaq për ta shpëtuar njerëzimin. Por ndodhi ajo çfarë nuk mund të mendohej. Njeriu kish shkuar aq larg në shtigjet e errëta të së mbrapshtës sa ishte gati të vriste vetë Krijuesin brenda trupëzimit si Krisht. Dhe e vrau trupin, por në të vërtetë njerëzimi bëri vetëvrasjen më të madhe në tërë historinë e ekzistencës së vet, mëkat që nuk është shlyer kurrë , ndaj dhe të gjithë qeniet njerëzore konsiderohen si pjesëz e botës mëkatare. E kështu na quajnë, madje edhe ne vetë, vetëquhemi mëkatarë.
Që nga momenti që u shfaq në tokën e Izraelit, Krishti është Zot për ne katolikët, tek ai sendëzohet gjithçka, me atë ne e perceptojmë jetën në cikle të ripërtërira në breza të pafundmë. Misioni ynë ndaj tij është para se devocioni, ripërtëritja, çfarë nënkuptoj se popujt janë grigja e Krishti, pasuria e vetme e tij si Zot, sepse çdo gjë tjetër e gjithësisë që shkon në skaje të pa matshme e të pafundme, është veç gur, zjarr e shtjella gazi e yjesh, vrima të zeza thithëse të gjithësisë që përpijnë e shuajnë planetë. Misioni i çdo ardhësi në këtë botë është devocioni e ripërtëritja, të cilat mishërohen në atë që quhet dashuri. Çdo lloj dashurie së pari lind të Krishti, tek dashuria e sakrifica e tij për njerëzit, e pastaj kjo dashuri e madhe e zemrës së tij shumohet në miliona njerëz që përfytyrohen si një pishtar që kurrë nuk duhet shuar. Këtë pishtar e mban gjallë dashuria. Ajo që vret është urrejtja, smira, ligësia, pasioni i egër për karriere, egoja për lavdi tokësore. Ajo çfarë në dukje ndodh në jetën e përditshme e marrëdhëniet njerëzore, dashuria, martesa, lindja, është vetëm një shkak për të mbajtur ndezur pishtarin e Zotit në tokë. Ndaj gjithnjë kam thënë e them se Krishti është dashuri. Ndjej ta dua Krishtin shumë e shumë më tepër se ekipet e kuadruara e të veshur bukur të klerikëve, të cilët vërtetë përkushtohen, por më së shumti këtë e bëjnë për interesa vetjake profesionale apo sepse janë me profesionin klerik dhe është një lloj përkushtimi i kushtëzuar. Mbetëm me mendimin se Krishti është dashuri, e kurrsesi allçi, parafinë, statuja të rëndomta nga artistë gjysmakë nëpër hije e skuta monastiresh, të cilat të largojnë aq shumë nga e vërteta hyjnore, trupëzojnë hyjninë në objekte materiale e fare pak e shpirtëzojnë atë tek qeniet njerëzore, mesa duket shpesh e harrojnë se Krishti është pjesë e jetës dhe jo e vdekjes. Kalvari dhe vdekja në kryq nuk shënon largimin e Zotit nga njeriu, braktisjen e tij, por shënon katarsis, mësimin nga mëkati, çfarë do të thotë se që nga shfaqja e Krishtit e përkëtej, Zoti më shumë ka hyrë tek njeriu. Përjashto këtu shfaqjet e rrema, kur njeriut i duket vetja si zot, vendos pushtetin e tij të egër mbi të tjerët, kur në të vërtetë ai është një Luciferr a Kryedreq.
Sa më përket mua mund të them se, i përqasem asaj pjese të grigjës që ndjek me dëshirë e vullnet e pa ndikimin e askujt udhën e Hyjit, në aspektin që quhet revolta hyjnore e Jezu Krishtit ndaj sarafëve dhe mashtruesve në tempuj. Të jesh në paqe e harmoni me vetën dhe hyjninë, nënkuptoj të shfaqësh bukurinë njerëzore të shpirtit e cilësive të larta të mirësisë e dashurisë, sepse për këtë shfaqje në eterniti e ka krijuar Zoti njeriut.
Krishti është dashuri!
Dashuri dhe dritë! Love & Light! Amen!