GJAKU I PAFALUN I GEGË SOKOLIT
( 11 mars 1939 - 10 shtator 1991)
Shkruar nga K. P. TRABOINI
Ripublikohet me disa ndryshime të vogla sepse në referencat e veprës së At Zef Pllumi kishte disa pasaktësi të cilat Nikaj- Merturasit me të cilët komunikova mi bënë me dije.
Në dhjetor të vitit 1958, në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, ku kishim gjetur strehë ne jetimët, erdhën dy malësorë, hijerëndë, dhe kërkuan Gegë Sokolin. Gega ishte disa vjet më i rritur se ne, i datëlindjes 11 mars 1939, por duke qenë një djalë i urtë, i sjellshëm dhe i çiltër, e kishin mbajtur në konvikt si kujdestar gjatë orëve të studimit sepse me mbarimin e gjimnazit nuk kishte ku të shkonte. Ai do të vazhdonte studimet e larta sepse ishte nxenës i shkëlqyer. Çdo problem që kishim na e zgjidhte Gega. Zakonisht më të rriturit tregoheshin disi mospërfillës e autoritar me ne të vegjëlit. Por Gega ishte ndryshe. Ai ishte i gjatë, apo kështu na dukej ne, me flokë të bardhë, vështrim të butë, i përqëndruar dhe pasionuar pas lojrave të shahut. Kur luante Gega, ne mblidheshim rreth tryezës dhe dëshironim të fitonte ai. Dhe gjithëherë fitonte. Na mësoi dhe ne të vegjëlve të luanim. Tek dera e oborrit të Shtëpisë së Fëmijës, që dikur kishte qenë konsullatë e huaj, bënim çdo ditë roje. Ishim kurioz të dinim kush hynte e kush dilte. Kur dy malësorët pyetën për Gegën, ne fëmijët vrapuam duke thirrur “Gegë, Gegë!”. Për ne ardhja e çdo njeriu që donte të takonte fëmijët, përbënte ngjarje. Gega shkoi të porta, u përqafua me dy malësorët, njeri duhet të ketë qenë Mark Qerimi, i mori me vete dhe shkuan tek zyra e drejtoreshës në katin e parë. Ata kërkuan ta marrin Gegën për një javë në Nikaj Mërtur se pak ditë e vinte festa e Shënkollit, e do ta kthenin prap. Drejtoresha Persa Grabova që e dinte historinë e jetës e të familjes së Gegë Sokolit, gjakun që i kërkohej për vrasjen që kish bërë i ati kur ishte 3 vjeç, megjithëse i ati vetë qe vrarë në burgun e Shkodrës në përpjekje për të ikur, ndaj në fillim kundërshtoi. Por ata e bindën se donin ta shpëtonin e jo ta lëndonin këtë djalë malësor. Drejtoresha pyeti edhe Gegën dhe ai pranoi, madje me kënaqësi se do shkonte të takonte edhe nanën. E përcollëm me sy ndërsa ikte në mes të dy malësorëve e ne na dukej se po fluturonte. Të vegjel asokohe nuk e dinim se Gega jonë i mirë atë fluturim po e bënte nën rrezikun e vdekjes, sepse gjithmonë pëllumbat që kanë një butësi të pambrojtur e kanë rrezikun më afer. Me se mund të mbrohet një pëllumb. Kaloi festa e Shënkollit e mbas një jave Gega u kthye. Ndoshta ai ishte më shumë se i gëzuar, i ngrysur për atë që përjetoi në Nikaj-Mërtur, por nuk e jepte veten e fjalëpakë siç ishte ne nuk kuptonim asgjë. Nuk shkoi shumë dhe drejtoresha Persa Grabova, që bënte kujdes për jetimët që ata të shkolloheshin, arriti të siguronte një bursë studimi për Gegë Sokolin. Në Rumani ku kishte shkuar së pari me studime, kishte qëndruar vetëm një vit. Prishja e marrdhënieve me kampin socialist ndërpreu studimet e shumë shqiptarëve. Mbas mbarimit të studimeve universitare në Tiranë, Gegë Sokoli punoi në rrethet e Veriut, në Pukë e Tropojë si inxhinjer specialist por edhe drejtues në sektorin e pyjeve për mjaft vite duke lënë kudo përshtypjet më të mira. Ky afirmim në rradhët e specialistëve të kësaj fushe u bë shkak ta merrnin në trupën mësimore të Institutit të Kamzës. U martua me Marien, vajza e dy prindërve që punonin në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër, dhe duke qenë pinjoll i vetëm i familjes së vet, fati e solli t’i vinin në jetë katër djem. Gjatë viteve rasti më kishte sjellë ta takoj në Tiranë te Biblioteka Kombetare. Kjo ishte gjithçka dija për Gegë Sokolin deri në vitin 1990. Jeta e gjatë në mërgim, në fillim në Greqi e më pas në Amerikë më shkëputi nga shumë ngjarje që ndodhnin në atdhe, por nuk kishin jehonë jashtë. Tepër vonë do të vinin ato ndërlidhje informative që janë sot, kur unë në Washington DC të shoh rreth 10-12 kanale televizive shqiptare. Në vitin 2013 në bashkëpunim me veprimtarin e kauzes së jetimëve shqiptar Ilir Çumani, morëm përsipër të realizonim një film dokumentar për ish jetimin Skendër Daja i ekzekutuar nga diktatura pas revoltës në burgun e Spaçit. Një miku ynë i përbashkët, që kishte jetuar dhe ai shumë vite në Shtëpinë e Fëmijës në Shkodër, Filip Gazulli, erdhi nga New Yorku ku jetonte dhe dha ndihmesën e vet për këtë film. Kishim kujtime të përbashkëta nga jeta në shtëpinë e fëmijës në Shkodër dhe natyrshëm bisedonim e përmendnim edhe emrat e mjaft prej fëmijëve të asaj kohe. Fjala ra edhe për Gegë Sokolin. Në fakt e përmenda unë në kuptimin se ishte nga jetimët më të suksesshëm të brezit tonë. Filipi u pre në fytyrë. “Pse a nuk e di?”- më tha. Pastaj shtoi: Gegën e kanë vra për gjakmarrje në vendlindje, në Mërtur. Më pas duke lexuar edhe disa shkrime, ndër të tjera atë të ndjerit Murat Gecaj, mësova rrethanat tragjike të vrasjes së pedagogut Gegë Sokoli. Në vitin 1991 njerëzit ndjeheshin pak më të lirshëm se diktaturës po i binte ora fatale. Rinisën të festohen ngjarjet e kalendarëve fetarë. Vendlindja e tij do të festonte mbas mbi 20 vjetëve ndalesë festen e vet, Natën e Zojës të Mërturit. Ka që thonë se shkak u bënë disa studentë të tij nga vendlindja që afruan mbështetje e siguri që nuk mund të ndodhte gjë dhe gjakmarrja në malësi ishte diçka e harruar. Miku i tij, Murat Gecaj e këshilloi të mos shkonte, por Gegë Sokoli i tha se donte të takonte nënën. E kish ndarë mendjen, por kishte edhe besim se gjërat kishin ndryshuar edhe në vendlindje. Dhe u nis. Në shtëpi la gruan me katër fëmijë të vegjël. Shkoi i gjallë dhe u kthye i vdekur. E vranë për gjak, madje brenda fisit çfarë ishte një vëllavrasje. Askush nuk e kuptoi këtë urrejtje shtazore të gjakmarrësve, për një vrasje që kishte ndodhur në vitin 1942, kur Gegë Sokoli ishte as 3 vjeç, dhe i ati që bëri vrasjen qe vrarë dhe ai vetë kur tentoi të arratisej nga burgu. Mirëpo familja që duhej të merrte gjak nuk e konsideroi vrasjen e gjaksit në burg si fundi i gjakmarrjes sepse, sipas tyre, nuk e kishin vrarë ata, por të tjerë. E kështu e ndodhën me pabesi Gegë Sokolin duke i bërë Natës së Zojës të Mërturit kurban një njeri e jo një berr siç e do zakoni i maleve. Dhe e vranë për turp të tyre intelektualin më të shquar të krahinës së tyre, që ishte gjithashtu specialisti më i shquar i inxhinjerisë së pyjeve në Shqipëri. Kolegu i tij Ilo Foto e vlerësonte “Fatosi i shkencave mjedisore shqiptare”. Pas këtij fundi tragjik, e shoqja me katër djemtë iku nga Shqipëria dhe u vendos në Amerikë për ti shpëtuar hakmarrjeve të egra që të rënqethin e të kujtojnë mesjetën. Nuk e dimë më tej fatin e tyre, por dimë që ata duan të jetojnë në dritë, se kështu ishte shëmbëllesa e babait të tyre.
Duket se kujtimi për Gegë Sokolin mbaron këtu pas kësaj pike në rrëfim. Por jo. Ime bijë Denisa në Washington DC më kishte porositur që kur të vija nga Tirana ti sillja botimin “Rrno për me tregue” të At Zef Pllumit. E gjeta në librarinë e Kishës Katolike në rrugën e Kavajës Tiranë. Ishte botimi i Franceskanëve, urdhërit të cilit i përkiste At Zef Pllumi. E solla në Washington DC nga ku po e shkruaj këtë kujtim tragjik për Gegë Sokolin. Librin e At Zefit e kisha lexuar pjesërisht. Vendosa ta lexoj të plotë në tre volumet. Dhe ndodhi ajo që kurrë nuk e mendoja. Në faqen 89 të volumit të dytë, në episodin “Nata e Shënkollit”, shfaqet Gega. Vetëm me emër por detajet tregojnë se ai ishte Gegë Sokoli. Paraqitja është mjaft tronditëse. Një përshkrim dramatik, me skena konfliktesh, me elemente tragjik si dramat shekspiriane. Dhe aty në qendër të disa fytyrave të murrëtyera prej halleve të jetes, e një mjedisi të ashpër të dimrit një djalosh, e vetmja fytyrë që reflektonte dritë, rrethuar nga erresira, do të shkruante At Zef Pëllumi. Por le ti lidhim fijet e këputura të ngjarjes. Në kishën e Shoshit ku shërbente At Zefi u shfaq një malësor e i kërkoi të shkojnë me pajtue një gjak në Brisë të Mërturit, se pa Kryqin e Krishtit e pa frat nuk pajtoheshin gjaqet në Malësi. Ai duhet të ketë qenë Mark Qerimi që ishte martuar me nënën e Gegës dhe e donte si djalin e vet. Ai ishte interesuar që ai gjak të mbyllej nëpërmjet faljes edhe per faktin se gjalksi ishte vra edhe vetë. Rruga do kalonte në Rreth të Brashës, shkruan At Zef Pllumi në librin e vet, ku do të takonin Dodë Prelën e Salcës me burrat e Mërturit. Gjatë rrugës malësori i tregoi fratit se pse kjo ngutje. Aty nga viti 1942, katundi Brisë kishin lind grindje dhe deri vrasje. Ndër ato vrasje një nuse mbeti e ve me një fëmi të vogël sepse burri që kishte vra një nga të Nosh Lucit, ishte burgos e vra nga rojet kur tentoi të ikte nga burgu. Kështu fëmija i tij i vogël ishte i vetmi ku mund të merrej gjaku, por kanuni nuk lejonte vrasjen e fëmijëve dhe grave.
E ai fëmi që duhet të paguante gjakun e babës se vet kur të rritej ishte Gegë Sokoli. Ai ishte një djalë i bukur me flokë të grunjtë e me fytyrë si drita. Disa dashamirë në fshat bënë çfarë është e mundun me e largue Gegën prej katundit ku priste vdekja. Më 1947 kur ishte 8-vjeç me pretekstin e shkollimit e dërguan në jetimore në Xhan të Dukagjinit e Theth, por më vonë e zbritën në Shtëpinë e Fëmijës Shkodër. Po ato malësorë të mirë që ju dhimbsej ai djalë përgatiten rrethanat për faljen e gjakut dhe shpëtimin e tij. Ata zbritën në Shkodër dhe e sollën Gegë Sokolin, adoleshent tashmë, në Malësi. Kur mbrritën në Ndreaj të Shoshit, simbas rrefimit të At Zef Pllumit, u bashkuan me një grup burrash e bashkë me ta ishte djaloshi Gegë i cili kërkohej për gjak. “Megjithëse ishte rrit në shtëpi fëmije, kishte një sjellje më të vërtetë fisnike”- shkruan At Zefi, e shton: “Fola gjatë me të. Kishte studjue mirë dhe, mbi të gjitha, kishte një shpirt fisnik. Më tha se do fillonte studimet. Mu ba zemra mal….ai meritonte me u shpëtue”. Por gjërat nuk rrodhën ashtu siç dëshironte zëmra e mirë e At Zefit. Kërkesës së fratit për ta falë gjakun, plaku 80-vjeçar Nosh Luci ju përgjigj se nuk mund ta bëntë këtë falje nga që nuk i kishte gjithë burrat e shtëpisë të pranishëm e ai vetë nuk mund ta merrte një vendim të tillë, por, shtoi se një herë për një herë mund ta lëmë këtë punë deri në një kohë të gjatë, por të pa caktueme, se nuk mundemi me ja tha zemrën nuses së shtëpisë, e cila ishte tezja e këtij djali. Pra gjithë mundimi u shkoi kot. Gega do të vazhdonte të kishte për tërë jeten mbi shpatulla barrën e rëndë të gjakut të pafalun. Nuk u muar parasysh se Zenun Sokoli që kishte ba atë vrasje në shpi të Nosh Lucit, ishte vra edhe ai në burg, kishte lanë gruan Katrinë Palja me dy jetima, Gegën dhe Filën, të cilëve gjaksit ua morën thuaj gjithë tokën e pasurinë, e kjo grua fisnike pa kurrfarë ndihme, për të mbijetuar u martua me Mark Qerimin, për te cilin edhe sot e kesaj dite flasin fjalët më të mira. I rriti dy jetimët si si ti kishte fëmijët e vet.
Duhej të vinte viti 1991 që gjaku i vjetër të merrej në mënyrën më mizore, prej dorës se atyre që Profesor Gega i kishte ndihmuar sepse ai ishte pishtar drite dhe donte të shkolloheshin sa më shumë djem e vajza të malësisë. Nana e Gegë Sokolit, në ditët e festës së Zojës së Mërturit përjetoi në sy të saj tragjedinë më të tmerrshme që mund t’i ndodhte një nane, masakrimin e të birit që sapo kishte dalë nga konaku i vjetër për tu nisur tek gruaja e fëmijët e vet në Tiranë. Sokol djalë, njeriu që shpërndau kudo buzëqeshje e mirësi, e që të kujton krimin e parë të botës, kur Kaini vrau vëllain e vet Abelin duke i thënë “Ti duhet të vdesësh se je i mirë!”.
I miri Gegë Sokoli u masakruar si Krisht prej vllaznisë, ku gjaku vrau gjakun e vet, më 10 shtator 1991.
Washington DC, 13 prill 2022