30 April 2018

Teo Angjelopulos, gjenia dhe tragjizmi i një kineasti - nga Kolec Traboini


TEO ANGJELOPULOS, GJENIA DHE TRAGJIZMI I NJË KINEASTI
"Jam i frikësuar për atë që do të sjellë e nesërmja."
Dhe ashtu ndodhi...Teo Angjelopulos në janar 2012 shkoi për xhirim filmi në Pire dhe nuk u kthye më...ashtu siç i kishte ndodhur në dhjetor 1994 edhe me Zhan Maria Volontè në Follorinë të Greqisë.

Nga KOLEC TRABOINI

Teo Angjelopulos (27 prill 1935 - 24 janar 2012), regjisori i madh grek, një emër i madh i kinematografisë europiane dhe botërore pati një fund tragjik. Ka ndërruar jete krejt ashtu siç e parandjente kur thoshte "Jam i frikësuar për atë që do të sjellë e nesërmja."  E  kështu ndodhi pas një aksidenti në rrugët e ngushta të Pireut, Athinë. Ai ishte në një çast pune duke bërë xhirimet e filmit të tij “Një det tjetër”,  kur e përplas nga një motoçikletë e drejtuar nga një oficer policie. Ishte në moshën 76 vjeçare dhe me një reputacion të madh në kinematografi, si një nga regjisorët më në zë të kohës krahasur me nder më te shquarin Tarkovski. Padyshim vdekja e këtij regjisori ishte një humbje e madhe jo vetëm për Greqinë por për tërë kinematografinë botërore.
Angelopulos, ky talent i jashtzakonshëm i artit kinematografik,  ka fituar çmime të shumta për filmat e tij, kryesisht në festivalet e filmave Europian, gjatë një karriere që u shtri në më shumë se 40 vjet.
Në vitin 1995, ai fitoi Çmimin e Madh Jurisë në Festivalin e Filmit në Kanë për ”Vështrimi i Odisesë” , me rol kryesor aktori amerikan Harvey Keitel. Për këtë sukses kemi shkruar edhe ne në gazetën e emigrantëve shqiptare në Athinë “Egnatia”, edhe sepse ai kishte si ngacmim krijues jetën e vëllezërve Manaqi, kineastë të parë të Ballkanit me origjinë shqiptare. Por personazhi i tij do të quhej Odise dhe megjithëse e prekte historinë ai është një krijim i mirëfilltë në të cilin regjisori përçon ide e mendime që e tundonin artistikisht. Subjekti ka të bëjë me një kineast greko-amerikan që kthehet në vendlindje në veri të Greqisë për të realizuar filmin e tij të fundit sfidues. Por shkaku i vërtetë është kërkimi i shiritave të filmave të humbur për një kohë te gjatë, të xhiruar në Ballkan nga vëllezërit Manaqi. Dihet se në mes shteteve ballkanike ka një luftë mediatike se cilit i përket lavdia e kineastëve të parë të Ballkanit. As Teo Angjelopulos, mesa shihet ne kete film, nuk i rezistonte tundimit për ti parë ata si grekë, ashtu si ne i shohim e i njohim si shqiptarë e të tjerë si vllah apo maqedon. Duhet venë në dukje se veprimtaria filmike e vëllezërve Manaqi shtrihet në të gjithë hapsirën ballkanike.
Zhan Maria Volontè në rol me aktoren me origjinë shqiptare Irena Papas
Gjatë xhirimit të filmit “Vështrimi i Odisesë” ndodhi një ngjarje e trishtueshme. Në Follorinë me 6 dhjetor 1994 vdes nga ataku në zëmër aktori i madh italian Zhan Maria Volontè (1933-1994), i cili me kërkesën e Teos sapo kishte arritur për të luajtur një rol episodik. Aktori Erland Josephson e zëvendësoi roline tij sepse Volonte nuk arriti të niste as xhirimet.
Tre vjet më vonë, Teo fitoi çmimin e madh në festivalin e Kanës “Palmën e Artë”, me “Përjetësi dhe një ditë”, me rol kryesor aktorin zviceran Bruno Ganz.
I lindur në Athinë në 1935, Angjelopulos ka përjetuar pushtimit nazist të Greqisë gjatë Luftës së Dytë Botërore si dhe Luftën Civile greke në vitet 1946-49 - tema të trajtuara këto në filmat e tij të hershëm. Ai studioi në universitetin e Athinës për drejtësi, por pasi e humbi interesin për atë degë shkoi në Francë, ku studioi për artin e filmit në Institutin për Studime të Avancuara Kinematografike në Paris. Pas kthimit në Greqi, punoi si kritik filmi për një gazetë të vogël të krahut të majtë dhe ka filluar të bëjë filma gjatë kohës kur në pushtet qe junta ushtarake në vitet e diktaturës 1967-74.
Filmat e Angjelopulos, vënë në dukje kritikët e kinemasë, “shpesh janë të trishtuar dhe me një ritëm të ngadalshëm - duke u marrë kryesisht me çështje nga historia e trazuar Greqisë: si lufta, internimet, emigracionit dhe politika përçarëse”. Në 1984 realizon me sukses "Udhëtim për Kythera". Ka bashkëpunuar me aktorët Marcello Mastroianni, Jeanne Moreau dhe u vlerësua gjerësisht me "Ruajtësi i bletëve".
Kritiku amerikan i filmi Roger Ebert shkroi për "Vështrimi i Odisesë": " Ka një tundim për të dhënë vështrimin e Odisesë, të mirën e dyshimet e tij. Për të lavdëruar atë për vizionin e tij, kurajon, guximin e tij, qëndresën, por Odisea nuk do të jetë në gjendje për t’ju parë ju në sy në qoftë se ju shkoni për të parë atë, sepse vështrim i tij është krejt i bjerrun?" Në një intervistë televizive të rrallë një vit para fundit te vet,  Angjelopulos tha se filmi i tij i ardhshëm do të ishte në lidhje me krizën e madhe financiare të Greqisë, dhe ai u bëri thirrje publikisht partive rivale politike të punojnë së bashku dhe të përpiqen për të lehtësuar vështirësitë me të cilat përballen shumë grekë.
"Unë mbetem një i majtë në një konfuzion total," i tha ai për televizionin shtetëror grek, në intervistën e dhënë disa muaj para se te vdiste. Dhe shtoi:
"Unë jam i frikësuar për atë që do të sjellë e nesërmja."
Kjo shprehje e fundit që mbart shqetësimin e një artisti të madh me dimensione ndërkombëtare në kinematografi, në mënyrë tragjike u shfaq në jetën e tij më 24 janar 2012, ndërsa po xhironte në një rrugë të ngushtë të Pireut, kur një motor policie e përplasi dhe gjithçka që kishte në projekte apo që ëndërronte për të ardhmen, bashkë me jetën e tij, morën fund në mënyrë tragjike.

Kuadër nga filmi "Vështrimi i Odisesë"




Kuadër nga filmat e Teo Angjelopulos