24 May 2014

Njerka shkon në ballo- nga Kolec Traboini


KUR NJERKA SHKON NË BALLO
-Një ditë tragjike e keqpërdorur si festë-

Nga KOLEC TRABOINI

Në Pallatin e Kongreseve  më 20 maj ditën e jetimeve, disa shoqata dhe fondacione të huaja, transparencën e qëllimet e të cilave nuk i kemi fort të qarta, organizuan një festim në të cilën u shfaqën në paradë drejtuesit më të lartë të shtetit, duke përfshirë Kryeministrin, Kryetarin e Kuvendit e kuptohet se gjithë vargani i qeveritarëve do t’u vinte pas. Për çudinë tonë të madhe nuk mungoi edhe ambasadori amerikan, Aleksandër Arvizu.
Duke qënë shpirtërisht e realisht i lidhur me kategorinë e këtyre fëmijëve që fatkeqesia i ka goditur që në vegjëli, nuk mund të jem indiferent e të hiqem në një anë e të mos shpreh indinjatën time kur shoh këtë spekullim publik me jetimët. Them kështu sepse jam i bindur se cilindo nga pjesmarrësit apo edhe organizatorët po t’i pyesësh se çfarë shpreh kjo datë, si u caktua si ditë jetimësh e për çfarë shkaku, asnjë prej tyre, duke përfshirë dhe ambasadorin amerikan nuk do të dinte të përgjigjej. Kjo ndodh sepse në të tilla tubime rroftë sebepi për t’u dukur, të tjerat nuk kanë rëndësi. Mjerë jetimët tek kush i kane varur shpresat!
Në sfondin e skenës qe shkruar me gërma kapitale marramëndese “Festojnë jetimët”. Po cilët jetimë festonin? Ku ishin jetimët apo konsiderohen jetimë gjitha ata burra e gra, nënpunësa hijerëndë, zyrtarë, rrogtarë thuaj, ajo tufë bodyguardësh  që mbushën sallën e madhe të Pallatit të Kongreseve.  Gjithçka  për t’u dukur. Ishte e njëjta skenë groteske si dy vjet më parë, por atëbotë situatën në dore e kishte Jozefina Topalli, me po ato shoqata e drejtues komikë,  të cilëve një emision “Fiks fare” ua nxorri kallajin publikisht. Sepse ishin mbledhur të gjithë nxënësit e shkollave të Tiranës e asnjë jetim nuk gjëndej në sallë. Tani që kalit të pushtetit ja kanë shaluar të tjerë purpurantë, mjerisht shohim të njëjtin koncept, të njëjtën eufori e paradë pushtetarësh.

Konstatojmë se kauza e fëmijëve jetimë kësisoj është veç një fasadë, për të mos thënë akoma më keq një spekullim i turpshëm, sepse kjo shoqëri hipokrite gjithçka e shfrytëzon deri dhe fatkeqësitë njerëzore.  Dhe kësisoj në ekranin televiziv  pamë kryeministrin, kryetarin e kuvendit, por edhe ambasadorin amerikan, dhe kur këta burra të mëdhenj festojnë, pse të mos gëzojnë fëmijët jetimë? Madje duan apo nuk duan jetimët shqiptarë detyrimisht duhet të jenë të lumtur e të gëzojnë,  madje t’u bien tam-tameve. Reminishencë e gjallë kjo e kohës së diktaturës me një glorifikim të neveritshëm.
Ndërkohë nëpër rrugët kryesore të Tiranës dalin e mbledhin ndihma ndër qytetarë me dhjetra grupe të shoqatave fantazmë që i fusin paratë në xhepat e vet, sepse kur i pyet se të kujt shoqate jeni, a keni një adresë, a telefon ata ngrejnë supet dhe të shohin vëngër sikur po u prek në privatësinë e interesat e biznesit të tyre.
Kështu bëhet tabloja e një realiteti më glorioz. Brenda e jashtë Pallatit të Kongreseve të gjithë e gjithçka për jetimët. Çfarë mashtrimi! A më mirë të themi çfarë vetëmashtrimi social e politik.  A thua nuk e dinë këta njerëz, pushtetarë a ambasadorë qofshin, se jetimët në Shqipëri janë në pikë të hallit. Përralla në Pallat të Kongreseve do të na tregojnë?
 Nuk është fjala për ata në jetimoret, por për ata që pas jetimores nisin kalvarin e vuajtjeve, sepse nuk gjejnë dot një strehë, janë të papunë dhe u duhet të rrojnë veç me tre mijë lekë në muaj, pra diç më pak se një dollar në ditë.
E megjithatë, të mbetur pa strehë, pa ushqim e veshmbathje, të mbetur madje për shkak të varfërisë edhe të pamartuar. Por edhe të martuar qofshin, me fëmijë nëpër geto, u dashkërka  edhe këta të festojnë.
Po le t’i kthehemi datës 20 maj që aq shumë po spekullohet sikur kjo të ishte festa e 1 qershorit. Së pari, e gjithë kjo masë njerëzish që na u shfaqën me pompë në Pallat të Kongreseve duhet ta dinë një herë e mirë se 20 maji nuk është ditë feste. Nuk ka si të jetë ditë feste dita e mortit të një fëmije jetim. E për të hedhur dritë mbi këtë ditë dhëmbje, që po na e kthejnë në ditë tam-tamesh qeveritare, na vjen në ndihmë Ilir Çumani, drejtor i përgjithshëm i Institutit të Integrimit të Jetimeve Shqiptarë, i cili është edhe nisiatori i caktimit të kësaj dite për jetimët shqiptarë, madje me dëshirën të kthehet edhe në ditë ndërkombëtare të jetimëve. Jo dite festimesh me bujë kurrsesi, por një ditë reflektimi ku shoqëria, shteti, institucionet e mediat të reflektojnë  se çfarë kanë bërë e çfarë më shumë duhet të bëjnë për jetën e kësaj kategorie për të cilët shteti duhet të kryeje rolin e prindit e jo të njerkës që shkon në ballo.
Në Shtëpinë e Fëmijës Sarandë më 20 maj 1979, një vajzë e vogël  12 - vjeçare me emrin Xhuliana Luli  për shkak se e kishin dënuar pangrënë dhe nga   mugesa e vëmëndjes dhe përkujdesjes ndaj saj,  doli në rrugë, hipën në një pishë që të hajë frutat e boçave, por bie nga lartësitë me një fund tragjik. Jeta e saj nuk mundi të shpëtohej. Varrimi i vogëlushes u bë më 30 maj nën një pikëllim të pashoq të bashkmoshatarëve e bashkjetimëve, por edhe të qytetarëve sarandiotë. Prekur prej kësaj ngjarje tragjike në fëmijëri, Ilir Çumani arriti që para 11 vjetëve ta kthente këtë ditë përkujtimore zie,  në një ditë për kthimin e vëmëndjes së shoqërisë e shtetit tek jetimët për t’ju bërë atyre mbështetje. Pra, kuptimi i kësaj dite tragjike nuk është festë, por shoqëria e shteti të reflektojnë, t’ju gjënden pranë, t’ju qajnë hallet, t’i pyesin e bashkbisedojnë me jetimët për ta bërë shoqërinë më të ndjeshme.
Do të doja të pyesja dhe do të desha një përgjigje publike. A mundet që ditët e vdekjes së prindërve apo të afërmeve tuaj ti ktheni në një ditë feste të nderuar kryeministër, kryetar i kuvendit dhe i nderuari ambasador? Nuk besoj. Prandaj nuk mund ta ktheni në festë me lajle e lule, bashkrënduar me ca shoqata fantazmagorike a ndonjë fondacion turko-arab, vdekjen tragjike të jetimes Xhuliana Luli.
Larg euforisë e glorifikimit të gjithçkaje, sepse ajo ishte tipar i kohës së monizmit, diktaturës,  ku gjithçka edhe pse e përgjakur dhe e mundimshme  kthehej në delir, asaj shoqëria hipokrite që, kur i prekeshin interesat, kur një jetim shprehte aspiratën e lirisë, nuk ngurronte ta ekzekutonte siç bëri me jetimin 22 - vjeçar Skënder Daja, në përkujtimin e të cilit as kryeministri i vendit , as kryetari i parlamentit, por mjerisht as ambasadori amerikan nuk dënjoi të vinte vetë apo të dërgonte një përfaqësues.
Fëmijët jetimë duan dashuri e përkujdesje, ta reduktosh këtë dashuri e përkujdesje në një shfaqje në Pallat të Kongreseve me lulka e tollumbace, ca fjalime me retorikë shterpë,  tregon se sa e papërgjegjëshme,  e pandjeshme dhe hipokrite është shoqëria shqiptare ndaj njerëzve në nevojë.
Ky koncept e kjo mënyrë pune padyshim se duhet ndryshuar, po si mund të bëhet kjo nëse organet e pushtetit mbështesin ca organizime spekulative dhe ca shoqata fantazmë që përfitojnë prej fatkeqësive të fëmijëve jetimë !?

Xhuliana Luli e para majtas, me fjongo, duke lexuar.
Shtëpia e Fëmijës Sarandë në vitet 1970, në mes të cileve edhe Xhuliana Luli.
Fasada ku dita e vdekjes së Xhuliana Lulit u kthye në festë shoqatash fantazmë.

Gazeta Telegraf , e merrkurre 28 maj 2014

Ditirambet e Kurt Kolës- nga Kolec Traboini


DITIRAMBET E KURT KOLËS

Lexova ca shënime të ish  përndjekurit politik, kryetar shoqatash( plot shoqata kemi)  me emrin Kurt Kola. Të them të drejtën nuk e kuptova çfarë ishin të gjitha ato ditirambe në një gazetë të Tiranës me 20 maj për Kryeministrin e vendit.  Mendësia e Kurt Kolës shkonte deri atje sa të thotë se nuk dinte asnjë kryeminister tjetër ( me përjashtim të Ahmet Zogut) që të ketë qënë në lartësinë e Edi Ramës. Nuk e kuptova hiç fare këtë lidhje të shkurtër Zog –Ramë, nejse, kësisoj Kurt Kola na e ngre kryeministrin tonë, që vetë e zgjodhën e jo vetëm Kurti, në qiell të shtatë.
Kjo është pa asnjë dyshim një lumturi e madhe që ne shqipot e Adriatikut duhet ti gëzohemi mjaftueshem që shqiponjat flutrojnë lart e jo përposhtë në humnera.  Mirëpo ne si shqiptarët, si  dyshues në gen që jemi, nuk gjejmë asnjë veprim pa shkak, e asnjë shkak pa pasojë.
Ne nuk e vëmë në dyshin dëshirën e kryeministrit tonë Edi Rama për të bërë një shtet ligjor, pasionin e tij për progres shqiptar, por kjo nuk mund të na çojë deri atje sa të trumbetojmë të tilla vlerësime katapultore pakrahasimore se nëntë muaj ka njeriu në zyrë dhe nuk është e mundur që brenda një kohe kaq të shkurtër të kemi sot a së afërmi thuaj,   të tilla suksese thirrore, habitore sa profanon Kurt Kola.
Dhe ja teksti fjalë për fjalë, e zeza mbi të bardhë: “Edi Rama në këto 100 vjet pavarësi, përjashto Ahmet Zogun, është i vetmi kryeministër që ka predispozitën, aftësitë dhe qëllimin  të bëjë shtetin modern qe i mungon shqiptarëve e që kërkon Europa”.
Pyetja më e thjeshtë që mund të bëhet në këtë rast është, a e di Kurt Kola kush kanë qënë kryeministrat e Shqipërisë, çfarë shkollimi e kulture kanë patur, që toptan po ua shuan qiririn në katran?! 
Do të kemi bathë të mira sivjet. Hossanna!

k.p. traboini

23 May 2014

Alibia e mungesës së Kryeministrit - nga Kolec Traboini


ALIBIA E MUNGESËS SË KRYEMINISTRIT

Sikur Kryeministri i këtij vendi, për të cilin kam dhënë votën time të deklaruar publikisht në media, të ishte vërtet i angazhuar me detyra shtetërore të rëndësishme më 20 maj 2014  ora 10:00 kur në Kinema Millenium organizohej premiera e filmit tim dokumentar “Djaloshi me kitarë” kushtuar martirit, jetimit Skënder Daja i pushkatuar në Spaç më 24 maj 1973 në moshën 22-vjeçare, padyshim që do të isha i qetë, sepse punët e pushtetit  janë edhe punët e qytetarëve të këtij vendi. Por ndodhi një gjë e papritur për të cilën edhe u prononcova publikisht në televizionin Vizion Plus. Kryeministri i vendit, u gjend në një show organizuar nga një shoqatë e drejtuar nga një farë Kadri Aliu, me një reputacion jo fort solid në lidhje me përfitime fondesh nga shoqatat arabe islamike dhe sipas mendimeve të shprehura publikisht nga drejtori i Institutit kombëtar të Integrimit të Jetimëve Shqiptarë, Ilir Çumani, ky Kadri Aliu i përdor veprimtaritë thjesht si një fasadë.
Pikërisht koncerti i organizuar nga  Kadriu i fondacioneve  arabe paska qenë shkaku kryesor që siç shkruan kryeministri në letrën e tij  “për arsye të angazhimeve shtetërore” që nuk e paska lënë të vinte në premierën e filmit "Djaloshi me kitarë" ku qe i ftuar.
I nderuar Kryeministër, të mos ishe nipi i kolegut  e mikut tim të ndjerë, dajos tënd Niko Koleka, nuk do t’i drejtoja as këto fjalë. Por respekti ndaj tij më shtyn t’ju them se  nuk duhet të shkosh andej kah të çojnë këshilltarët, sepse shumica e këshilltarëve të kësaj bote kanë qenë e mbeten Mefisto të mpleksur në interesa klanesh e tarafesh. E nëse më lejon të jap një mendim si këshillë, u kish dashtë më shumë të gjendeshe në përkujtimin e Skënder Qemal Dajës, baba e bir të pushkatuar nga diktatura se sa në një koncert pa asnjë vlerë, aq më tepër do të kishe një rast ideal të përcaktoje pozicionin tënd si kryeministër i të gjithëve dhe ndjesinë tënde për vuajtjet e këtij populli.
E kam njohur Skënder Dajen, jetimin e shtëpisë së fëmijës, e them se ky nënvleftësim qeveritar, kur as nga Ministria e Kulturës nuk u pa asnjë titullar apo nënpunës, me siguri e ka tronditur martirin 22-vjeçar atje në një varr të humbur që kurrë nuk u gjend.
Ai nuk e meritonte atë fat, por nuk e meriton as këtë shpërfillje nga pushtetarët e vendit ku lindi, e vranë e pushon në amshin, se ai e bëri detyrën e tij,  u bë fli në altarin e Lirisë, po ne që tashmë e gëzojmë këtë Liri, çfarë bëjmë?!

Kolec Traboini
regjisor i filmit
“Djaloshi me Kitarë”

Next: PAMËSHIRA NËN VELADON NË RRUGËN E KAVAJËS
http://traboini1.blogspot.com/2014/05/pameshira-nen-veladon-ne-rrugen-e.html

17 May 2014

Vasil Josif Pani- ne krye të taborit të shqiptarizmes- nga K.Traboini

Josif Pani me të birin Vasilin


VASIL JOSIF PANI
"Kurdoherë në krye të taborit të shqiptarizmës"  - F. Noli

Nga KOLEC TRABOINI

Kur vinte për në Amerikë, Vasil Pani nga Dardha e Korçës ku edhe kish lindur në vitin 1895, ai ishte vetëm 12 vjeç. Ishte viti 1907 kur ky shqiptar i vogël kapërceu Atllantikun bashke me të atin, patriotin e mirënjohur dhe publicistin Josif Pani.
Ndonëse në moshë të re, ai menjëherë iu afrua lëvizjes kombëtare. Në gazetën “Dielli”, më 26. 11. 1911, për të shkruhet: “Vasil Pani, djaloshi 15 vjeçar, dha ndihmë 1 dollar,… veprimi i patriotit të ri u prit me duartrokitje të gjata” (shënojmë se 1 dollar në atë kohë vlente sa 50 dollarë sot). Ndërsa, disa ditë më pas, po në "Dielli” do të shkruhej letra që Vasil Pani i dërgonte gazetës: “Që kur këndova tek “Dielli” se shoqëria “Besa-Besë” kërkon ndihmë për Shkollën Normale, dëshirova edhe unë të marr pjesë në këtë punë patriotike, që vëllezërit e mi, djalëria shqiptare, të mësojnë dhe të ndriten. Pesësh me pesësh, mblodha 1 dollar dhe ja ku po jua dërgoj që ta shtoni në ndihmat e tjera. Rroftë Shqipëria”. Ne i përgjigjemi, shkruan gazeta, “Rroftë ky djalë shqiptar me ndjenja kaq të bukura dhe gjet’të shokë shumë.”.
Në vitin 1912, bashkë me disa shokë, shkoi vullnetar në Shqipëri, në luftë kundër grekëve dhe disa turmave shqiptare që luftonin kundër vendit të tyre. Bashkë me Themistokli Gërmenjin dhe forcat e tij, Vasili luftoi me armë në dorë kundër armiqve të Shqipërisë. Në vitin 1914 kthehet në Amerikë dhe vendoset në Boston duke marrë pjesë aktive në veprimtarinë e “Vatrës” në fillim si arkëtar i komisionit dhe më pas sekretar. Në periudhën 1929 – 1947, ai i e udhëhoqi Federatën Pan shqiptare “Vatra” për rreth 16 vjet si kryetar i saj.
Tërë jetën e tij prej patrioti të kulluar, Vasil Pani ka çmuar më tepër se çdo gjë pasurinë morale që vjen nga miqësia dhe vllazërimi mes shqiptarëve. Duke parë këto virtyte, kur u hap fushata për të ndihmuar shqiptarët e dëmtuar nga tërmeti në Shqipëri më 1931, Vasilin e zgjodhën arkëtar të përgjithshëm.Vite me radhë ka qenë edhe kryetar i shoqatës dardhare “Mbleta”në Amerikë, e cila dha ndihma për fshatin duke ndërtuar në Dardhë një shkollë model.
 Vasili kishte trashëguar nga i ati dhuntinë e të shkruarit, prandaj e shohim në kolonat e shtypit të kohës edhe si publiçist dhe autor i mjaft artikujve. Në një prej artikujve të tij botuar pas kthimit nga Atdheu, më 29 maj 1936, Vasil Pani shkruante:
“Qeveritarët tanë që vijnë nëpër pozita të larta, lipset të zgjidhin sa më parë çështjen e rojtjes së popullit, sepse ndryshe, këtë popull kaq të urtë do ta zemërojnë dhe kur zemërohet populli shqiptar, ki mendjen!”. Këto mësime janë të mënçura dhe aktuale edhe sot e kësaj dite për qeveritarët shqiptarë.
Një miqësi e ngushtë e lidhte atë me Faik Konicën i cili, shkruan gazeta “Dielli”, e kishte bërë si shtëpinë e tij Court-Hause-Lanc, siç quhej në atë kohë restoranti i Vasilit në East, Cambridge Mass. Gazeta shkon më tej duke shkruar se ky restorant kishte marrë vlerat e një Instituti Kombëtar, se aty, kushedi sa herë ishte biseduar për fatin e lëvizjes kombëtare dhe fatin e Shqipërisë. E thënë më thjeshtë, restoranti i Vasil Panit ishte një udhëkryq ku piqeshin udhët e tërë vatranëve.
 Ka një vlerësim të madh të punës dhe veprës së tij patriotike në shtypin bashkëkohës të Diasporës Shqiptare në Amerikë. Në shtator 1936, në gazetën “Dielli” shkruhej se “për zotin Vasil Pani ka qenë një fe mbi të cilën është falur që në kohën që erdhi në moshë për të kuptuar. Dëshira dhe ambicjet e Vasil Panit kanë qenë “t’i shërbejë atdheut, të bëjë sakrifica, dhe të qënurit gati për të mbrojtur çështjen Shqiptare”.
Në një artikull të tij, autori Shefqet Bënça, më 26 shkurt 1937, në “Dielli” shkruante midis të tjerash se zoti Vasil Pani njihej prej vatranëve si “një njeri i urtë, i kuptuar, serioz dhe shqiptar i rrallë e burrë me karakter të fortë… për cilësitë e rralla që ka, nderohet dhe adhurohet prej të gjithë atyre që e njohin. Shërbimet e vyera që ka bërë për shoqërinë “Vatra” - vazhdon autori - do të jenë një kujtim i paharruar në zemrat e vatranëve me sedër dhe ndjenjë kombëtare të vërtetë.
Këto shkrime dhe vlerësime u bënë që në të gjallë të Vasil Panit, i cili kishte arritur të bëhej figura qëndrore e “Vatrës” dhe një organizator i rrallë i komunitetit shqiptar të Amerikës.
Vdekja e tij krejt e papritur, më 11 dhjetor 1947, shkaktoi një dhimbje të madhe tek të gjithë anëtarët e “Vatrës”, shokët dhe miqtë e shumtë. Vdekja e tij krijoi një plagë të madhe tek familja dhe fëmijët e tij atje larg në Shqipërinë mëmë.
 Në gazetën “Dielli” më 12 dhjetor 1947, gjejmë konsideratat më të larta për figurën e kryetarit të Federatës Panshqiptare “Vatra” e cila, thuhet në një artikull, po të mos kish qënë Vasil Pani mund të kishte vdekur me kohë. Këtë e thonë miqtë e Vasilit dhe e pranojnë kundërshtarët e “Vatrës.”
Ndërsa 2 ditë më pas, në të do të shkruhej për Vasil Panin si “luftëtar i lirisë, njeri i urtë e i matur, njeri pa ambicje personale, njeriu që ia kishte dedikuar jetën e vet çështjes shqiptare dhe “Vatrës”.
Në tërë jetën tonë, nënvizon gazeta “Dielli”, s’kemi takuar ndonjë njeri më të urtë dhe me gjykim natyral si Vasil Pani, çdo gjë e zgjidhnim me urtësi dhe vllazërisht.
Vend të veçantë ze dhe vlerësimi i Fan Nolit, i cili më 14 dhjetor 1947, në kishën e Shën Gjergjit, ditën e varrimit të këtij patrioti të madh, midis të tjerash tha: “Vasil Pani kish qëndruar kurdoherë në krye të taborrit të shqiptarizmës, kurdoherë i pari në kishën kombëtare që në krijimin e saj si dhe në Vatrën... Nuk e fitoi shqiptarizmën si shumë nga neve, këtu në Amerikë. Vasili e trashëgoi nga babai, i ndjeri Josif Pani. Vasil Pani, që kur u njoh me Faik Konicën u bë miku i tij besnik deri në fund” - deklaroi imzot Noli, - shkruante “Dielli” në numrin e 24 dhjetorit 1947. Vetëm pak muaj më pas, më 7 Prill 1948, po kjo gazetë boton fjalën që mbajti Fan S.Noli në meshën memoriale të 28 Marsit, ku e tërë jeta e këtij patrioti të flaktë sintetizohet në tre cilësi themelore: Vasil Pani patriot, besnik, shpirtmirë. Vasil Pani, deklaroi Noli, ka qënë tërë jetën nga të parët në fushën patriotike. Patriotizmin, Vasili e trashëgoi nga i ati, i ndjeri Josif Pani, dhe këtë trashëgim ai e vazhdoi deri sa dha shpirt. Përveç patriotizmës, Vasili kishte një virtyt tjetër shumë të rallë, virtytin e besnikërisë. Vasili, tek miqtë shihte vetëm anët dhe cilësitë e mira. Vasil Pani, shtoi Noli, ishte shumë shpirtmirë, kurdoherë mendja e Vasilit, nuk pengohej nëpër shkretirat e keq bërjes dhe ligësitë.
Në gazetën “Dielli” gjenden dhe vlerësimet e individëve të ndryshëm si Xhimi Keko, Hulusi Kavo e Petraq Kolonja. Në vitin 1992, Vasil Pani është dekoruar për veprimtari patriotike.