07 June 2018

🔴Komunizmi- struktura vrastare dhe mentaliteti - nga Kolec Traboini


KOMUNIZMI - STRUKTURA VRASTARE  DHE MENTALITETI

Nga KOLEC TRABOINI

Një mik e koleg i imi qënka shqetësuar se në miqt e tij e anatemojmë kohën e monizmit. Unë atë personalisht, për shkak të lidhjeve të tij shpirtërore që ka pasur me ate sistem,  e kuptoj, por kam qasje tjetër qofte edhe për shkak të rrethanave të mia familjare, sepse në lidhjet e mia familjare apo fisnore janë ekzekutuar dy njerëz, në moshë 25 vjeçare e  krejt të pafajshem, të dy djem Hoti, Nikoll Gojçi dhe Palok Uci, për të përmendur edhe nipin e Dadës sime Katrinë Traboini-Skanjeti (vajzës së Motrës Tone), të pa harruarin me fytyrë shenjtori Monsinjor Ernest Çobën, që e vranë në burg hetuesit e diktaturës .Dy të parët pa varr. I  përmend sepse nuk  dua ti lë në anonimitet e në harrim.
Të duash vitet e rinisë tende nuk do të thotë se ke ndofarë nostalgjie të një kohe pa liri. Ka një motiv poetik të shkelqyer Pol Eluari "Shtetrrethimi", e kemi lexuar që atëherë, ku thotë; ishim në shtetrrethim, nuk kishim çfarë të bënim, u dashuruam. Këtu gjendet edhe kuptimi i jetës së atyre që lindën nën diktaturë çfarë në thelb është tragjedi. Për shkak të mungesës së lirisë mund të kesh qenë pjesë e një shoqërie a grupimi, a sistemi, por kjo nuk do të thotë se pas tejkalimit të gjëndjes së privimeve të vazhdosh të jesh rob i saj. Por ka që vazhdojnë të jenë e akuzojnë të tjerët se pse flet kundër komunizmit se ti ke qenë i privilegjuar, pra sipas tyre i privilegjuar se të ka lënë të punosh në një zyrë e nuk të ka vrarë. Me duket se sistemi diktatorial është shëmbur si mekanizem e strukturë, por mentaliteti ende ka mbetur e do shumë e shumë vite që njeriu të shpëtojë prej tij. 
 Në foto gjithashtu Monsinjor Ernest Çoba në një procesion fetar në qytetin e Shkodrës dhe Nikoll Gojçi, komandant i batalionit të 3 të Brig. së Parë të cilin krimineli Mehmet Shehu e vrau pas shpine. E shoqëroj shënimin me një foto timen të asaj periudhe me diçiturën, "Ajo ishte rinia ime por jo koha ime".
Kur ti kesh pranë familjes a fisit viktima të tilla të krimeve të përbindëshme të komunistëve si mund të kihet nostalgji për kohën e mallëkuar të Moskurrit?

Kolec Palok Traboini / Gojçi - Hot