Filmmaker, Journalist and Author of 48 books of which 30 with poetry. / Kineast, gazetar dhe autor i 47 librave nga të cilët 30 me poezi.
18 December 2007
VETVETJA SI SIMBOL
Çfarë do të vëmë ne shqiptarët si simbol, në kartën e identitetit?
KOLEC TRABOINI
Është e drejtë kur pohohet se simbolet janë huazuar e përdorur (a keqpërdorur) sipas orekseve të kohërave që vijnë. Për pesëqind vjet thuaj qe harruar, por u desh Konica të zbulonte flamurin e Skënderbeut e ne, tani si shqiptarë jemi kthyer në një simbol me dy koka si shqiponja jonë, kur kokën që kemi mbi supe, herë, herë me zi e mbajmë. E paçka se kjo shqiponjë nuk është vetëm e jona, e kanë edhe të tjerë, të marrë a rrëmbyer para a pas nesh, një zot e di. Madje nëse kërkojmë ende më thellë në të lashtat e historisë do të gjejmë një çudi, ne nuk kemi patur simbole as me shqiponja me çapokë e as pëllumba me degë ulliri në sqep, por thjeshtë një fushë, ca thonë e verdhë e ca thonë e blertë (kush e ka parë) e në të një gjarpër. Me këtë gjarpër në flamur mbroheshin ilirët, ndërsa romakët që na sulmonin deri sa na mundën e shkatërruan, kishin ca shqiponja allasoj, të marra edhe ato mesa duket nga Leka i Madh i Maqedonisë, ilirë e jo grekë sepse maqedonasit e lashtësisë nuk qenë grekë. Kjo puna e simboleve kështu ka vajtur në histori, ta rrëmbenin bashkë me lirinë e shpesh herë edhe jetën, sepse ka kombe e popuj që janë shuar e harruar bashkë me simbolet e tyre.Edhe Kryqi në të vërtetë nuk simbolizon vetëm Krishtin, por edhe mijëra shpirtra të tjerë të pafajshëm që vdiqën ne dy dru të kryqëzuara si ai. Mirëpo koha i dha një nuance të vetme këtij simboli pas vdekjes së Krishtit në kryq e për këtë, çdo lloj kryqi mbi faqen e dheut gjen urrejtjen e fanatikeve të feve tjera. Krejt kot e kanë...sepse dy dru të kryqëzuara nuk janë as Krishti e as krishterimi. Është njësoj sikur të urresh Hënën kur shfaqet përgjysmë vetëm pse këtë e kanë patur dikur si simbol pushtuesit tanë turq.Në Athinë gjatë viteve të mërgimit kam vënë re se kangjellat e një muzeu ishin të zbukuruara me simbolin e një kryqi të thyer. E jo një, por në çdo metër linear ishte një i tillë. Kurrkush ato nuk i merr për zvastika, kryqin e thyer të nazistëve, aq me tepër se ky muzeun është ndërtuar kohë më parë se të vinte Hitleri në fuqi, e se ky lloj kryqi njihej që nga lashtësia.Dita e Pashkëve ka qenë një festim popullor parakristian, por ndodhi që, sipas fesë së krishtere, Krishti u ngjall atë ditë dhe kështu ky festim popullor i Judës u kthye në festim gjithëpopullor të krishterimit botëror.Tani edhe Shamrocku si simbol i irlandezeve në të gjithë botën kështu duhet marrë. Pra, siç ja ka ngjitur koha përdhuni, duke harruar të gjitha çfarë kanë ngjarë para se të ngjizej me Shën Patrikun që është shenjtori mund ta themi kombëtar i Irlandës. Pra, në kohën që jetojmë, nuk mund të merret sikur fleta, gjethja ( e jo lulja siç thonë disa) nuk është simbol fetar, kur në të vërtetë i tillë është për irlandezet, të cilët e identifikojnë veten nacionalist si katolike, aq më tepër kjo për kundërvënie ndaj anglezeve protestane me të cilët kanë probleme të mbetura nga historia e që ende koha nuk i ka zgjidhur.Ka edhe ca simbole të tjera të përdorur nga feja si palma, dafina( e diela e larit), uji (i bekuar)... të cilat nuk e di si mund ti urrejmë apriori nëse dikush i përdor si simbole të përkatësive fetare a diç tjetër?! Para se të ktheheshin në simbole kanë qenë e vazhdojnë të jenë sende në përdorim të gjithkujt. Zoti e ka krijuar botën para se ajo të copëzohej shpirtërisht në disa konstitucione fetare. Tani se çfarë do të vëmë ne shqiptarët si simbol në kartën e identitetit, kjo nuk është vetëm një zgjidhje teknike por edhe një zgjidhje utilitare. Mesa duket, disa mendjengushtë në Tiranë, me kartat e identitetit duan ti thonë Evropës që jemi pjesë e saj...pra duan ta rrejnë sepse me tru jemi disa shekuj larg ...ende në kohë të qemanes, sa kohë që mjediset tona dalin ca tipa që për shkak të fanatizmit e memurllëkut kundërshtojnë mbi baza fetare e jo mbi një gjykim të civilizuar. Po fundja liria është liri, demokracia po ashtu, ndaj le t'u krijoje kjo liri e demokraci edhe atyre që me mendje e zemër, me trastë e kafshatë janë në Europë, jetojnë me euforinë e saj, duke u munduar ta gënjejnë edhe atë edhe veten me figura shenjtoresh, duke u shtirur me steril se vetë engjëjt e më katolikë se vetë Papa...Por ndërkohë, edhe atyre mendjegjerëve që ende jetojnë në kohën e sterrë të babës Sulltan, tu krijojë shteti mundësinë që në kartën e identitetit të tyre të përzgjedhin çfarë të duan, Mulla Omarin me një sy, xhaminë e Stambollit që dikur ka qenë Kisha e Shën Sofisë, por ju ndërrua identiteti me përdhunë duke vënë në vend të kryqit, gjysmëhënën. Po fundja, le të venë Hamza Kastriotin, Beqir Grebenenë, Haxhi Qamilin a ndonjë sojsëz tjetre, çfarë tu dojë zogu i qejfit sepse kujt i krisi se çfarë figurash mban në portofol ndonjë mendje krisur orienti apo aksidenti. Në këtë luftë të mbrapsht simbolesh, sa më përket mua si shqiptar, se paku që këtu e njëqind breza baballarësh, më mjafton fytyra ime, pa zogj e pa lule, pa kryq e pa gjysmëhënë, pa Krisht e pa Muhamet, pa Bude e pa Jude... thjeshtë ky që jam, shqiptar, simbol i të mjerës kohë, ku fati me ra në risk të jetoj, he mos qofsha!
Gazeta NDRYSHE, Tirane, 12 Dhjetor 2007
www.traboini.com
19 June 2007
NJË QIRI PËR VATRËN- shkruar ne vitin 2007
PËR
VATRËN
KOLEC TRABOINI
Sot ka nisur të kumbojë këmbana e Vatrës. A janë gjëmë a janë këngë, është pyetja e parë që të lind sepse vetëdija e ndjen se për moshën që ka, e shendetin e lig, edhe e keqja mund të ngjasë.Se kështu ikin të tërë pleqtë, pa u ndjerë. Vatrës mund ti shëmbën trarët e vjetër të shtëpisë e ta zënë brënda megjithë oxhak e buxhak. Por jo, kësaj radhe fjala që ka dalë nuk është për hidhërim, por për mirë, për gëzim. Thënë shul shqip, duan ta ngrejnë në këmbë plakën e moçme, ca madje nga enthusiazma mëmëdhetare duan edhe ta bëjnë nuse.Kështu thonë dashamirët por ec e pyete plakën a ka këllqe për të nusëruar, a ja hip dot kalit të shalës si dikur në rini. Ishin kohë të arta ato mote. Dhe ishin goxha burra ata që e mbanin në krahë atë nuse, por sot, aha, ku të gjesh burra zamani sot?!
Folëm disi figurshëm por e verteta është se për Vatrën është folur e stërfolur, por puna është se çdo i radhës që i ka shkuar mendja të flasë e shtron problemin sikur tani po flitet për herë të parë për këtë çeshtje. Personalisht kam kam dëgjuar të flitet kohë më parë nga të tjerë, nga të ndjerët Anthoni Athanas e Prenk Gruda, që aq shpejt u harruan, kam komunikuar mendime me Sotir Panin, Anton Çefën, Thanas Gjiken, Agron Alibalin, Vasil Sevin e Pavllo Dadon me dëshirën e mirë për të hapur një degë të Vatrës në Boston, por edhe çoku kam shkruar qëkur kur kam ardhur në USA, të paktën këtu e 10 vjet, e tani kur i lexoj këto mendime "të reja" qesh me vehte, sepse e di që prap do të kalojë një dhjetvjeçar e do të dalin njerëz të shqetësuar për një realitet të "konstatuar" gjithmonë, tepër vonë. Shqetësimin më të madh këndej nga Bostoni e kemi patur në kohën kur në Shqipëri krahët e politikës ishin të acaruar thua gati për gjakderdhje, e Vatra në vënd që të merrte rolin e një paqëtuesi, se fundja grindeshin fytafyt shqiptarë me shqiptarë, mbante anën e njërës palë, madje edhe u jepte kurajo atyre që ishin në pushtet që me hu e me dru tua bënte rrup-sup atyre të nahijes tjetër të politikës. Pra Vatra e shkretë pa këllqe, në vënd që të ndizte zjarr atdhedashurie ndër mërgimtarët shqiptarë, cyste urët e politikës në Shqipëri. E ku e shpuri kjo udhë dihet. Të gjithë në komunitet e dinë e nuk ngurrojnë të thonë se kontigjenti i kujt krah të politikës ishte ekipi drejtues i pleqëve të Vatrës. Kë ka pritur e përcjellur Vatra në këto dhjetë vite. Dhe a do të vazhdoj në të ardhmen me mentalitetin ballistë, zogistë e partizanë, miq e armiq, të kuq e blu e soj e soj epitete të tjera që edhe pse jemi një popull i vogën, na ndajnë në një milion pjesëza, duke u a bërë jo vetëm qejfin por edhe punën atyre që i kanë halë në sy shqiptarët, atyre që përditë gëlojnë nëpër llogoret ballkanike të ligësisë.
Duke u ndodhur përpara një realiteti fort dëshpërues a nuk është bash koha të thuhet e vërteta siç është apo të vazhdojmë të gudulisim së pari kryetarin e pastaj njëri tjetrin nën sqetull?
Se, pa qënë të hapur e të sinqertë deri në fund, nuk mund lexuesi të besojë se thirrja që na u bë së fundi për rimbëkëmbjen e Vatrës ka për të ndikuar në jetëzgjatjen e saj. Se gjithë komuniteti shqiptar e di, është botuar edhe në shtyp, në “Dielli” dhe “Illyria” , se para OKB-së, në një tubimin të inicuar prej kësaj kryesie Vatre, disa njerëz me emër në komunitet, kanë zhvilluar oratorinë gjëmueshëm me megafon të madh kundër kryeministrit shqiptar të asaj kohe. Për mua, si shqiptar, nuk ka rëndësi kush ka qënë e çfarë kanë përfaqësuar si ideologji, as ata që mbanin megafonat antiqeveri dhe as qeveritarët shqiptarë që vizitonin selinë e Kombeve të Bashkuara, por rëndësi kishte pasoja, mbreslënia, fakti se shumë amerikanë që kalonin për andej, apo mjetet e shtypit e TV, që gjurmojë sensacione, pyesnin e tundnin kokën me dyshim se mos po bëhej Shqipëria si Ruanda, përderisa shihnin gjithë ata shqiptar të tubuar e të egërsuar kundër qeverisë shqiptare, pra të vëndit të vet, veprim të cilin deri më sot nuk e ka bërë asnjë komunitet tjetër në Amerikë. Ja pra ku na u shfaqën si atavizëm i politikës konfliktuale të Tiranës edhe mitingashët mërgimtarë në Nju Jork. Çfarë shpreh kjo dhe a nuk duhet që para se të bëjmë thirrje për të mëkëmbur Vatrën të bënim një mea culpra, për të treguar se do të ketë garanci që në të ardhmen nuk do të bëhen më lojra e manipulime politike me komunitetin. Dikush mund të thojë se ai, kryeministri i asaj kohe, ka qënë Fatos Nano, por unë mendoj se tjetër është reagimi individual i kulturuar në shtyp e media për politikën e politikanët e ndryshe angazhimi i mërgimtarëve shqiptarë dhe politizimi i tyre deri në çoroditje. Që të mos krijohet përshtypje e gabuar, se ndodhen para ndonjë majtisiti të kamufluar, do tju thosha se personalisht kam folur e shkruar shumë më tepër se ndonjë antinano pranë Vatrës, por veç ato çfarë shkruaja ishin opinione individuale, të shprehura në shtypin shqiptar apo mjetet e tjera të komunikimit masiv e kurrsesi me altoparlant para selisë së OKB-së.
Mirëpo e vërteta është e vërtetë, le ta sheqerosim sa të duam ajo prap e ka idhtësinë e vet, po fundja nuk ka ilaç të ëmbël. Thënë troç, Vatra ka dhënë çdo gjë që ka patur për të dhënë, i ka djegur të gjitha drutë, na ka ngrohur historikisht, por tashmë mjerisht kurrkush nuk ja ndjen nevojën oxhakut të saj, ndaj nuk i hedhin jo më cungje shëndreu por as ndonjë bujashkë.Të bësh oratori e të thuash se me ca riparime të ndërtesës paralel me riparime organizative e mbajnë ende në këmbë një organizëm në shkatrrim është thjeshtë të gënjesh vetvehtën.
Në kushtet që punon, mënyren si vepron, me angazhimin e hapur që ka në punët e politikës në Shqipëri, ku është mbajtur krahu i të djathtëve, me një urrejtje që i kalon caqet e politikës, por edhe një pozicionin thuaj i verbër i politikës së krahëve në Kosovë, kanë sjellë që kjo ish Federatë Panshqiptare të ketë efektivitet shumë më të pakët se shoqatat e bashëkfshatareve, apo të zhgarrashkruesve rapsodikë, që tani kanë mbirë si këpurdhat pas shiut an e mbanë Amerikës.
Nuk mund më kurrë që shoqata Vatra të ketë atë forcë e atë emër që dikur ka patur dhe nuk mund të ecet më në të njëjtat shina. Nëse ata që ende e mbajnë e struken moralisht nën një ëmër të madh por që nuk bën dot më hije mbi dhe, duket ta dinë se ata kthehen nga shpëtimtarë( sepse Vatrës ja morën frymën në Boston e ju dha fryma sa të mbante shpirtin gjallë në Nju Jork), pra ata do të kthehen në varrmihës të saj. Sepse ka "vrasje" nga urrejtja, por ka vrasje edhe nga dashuria që vjen e kthehet në një xhelozi të egër për ta mbajtur me çdo kusht në dorën e disa individëve.
Përvoja e Vatrës ka qënë e tillë që ka patur jo vetëm periudha të lavdishme, por edhe grindje e përçarje, madje ndarje përgjysëm, me botimin e dy gazetave "Dielli", ( shpërngulja në Detroit), por gjithmonë ka arritur ta marrë vehten, është mbajtur në këmbë dhe për dijeni pas luftës së parë botërore e deri në përfundimin e luftës së dytë, nuk e ka mbajtur as oratoria e Nolit si prift, as autoriteti i Konicës si konsull, siç përrallisin historianët apo ca që shkruajnë historira sipas qejfit. VATRËN, po e shkruaj me gërma të madha kësaj radhe, e kanë mbajtur shqiptarët parallijtë, e ka mbajtur Vasil Pani me shokë( e meriton edhe ky ti shkruhet emri me të madhe, e jo vetëm me shkrime por në selinë Vatrës), që jepte mijra dollarë për atë shoqatë pa llogaritur banketet.
E kjo shoqatë, e ndërgjegjëshme se mbahej mbi shpatullat e Vasil Panit (që kishte një restorant të madh në qëndër të qytetit të Bostonit, përballë gjykatës, një nga restorantët më të njohur të asaj kohe) e ka zgjedhur kryetar të saj me dhjetra vite. Se punën, organizimin, veprimtarinë e bën paraja, e bën dollari, e jo ai dollari i llogaritur "50 mijë antarë, 50 mijë apo më shumë dollarë", që bëhet shpejt e shpejt, në këmbë si i thonë fjalës, sepse kjo shifër antarsie është një ëndërrim i bukur, por vetëm një ëndërrim kur na hipën frymëzimi letrar. Me kalimin e viteve, nuk do të gjënden jo më pesëmijë, por as pesqind vetë që të japin ato dhjetshe e qindëshe të hipotizuara. Shoqatat i mbajnë njerëzit e suksesshëm të biznesit dhe janë pikërisht ata që duhet të afrohen e të rimbëkëmbin, nëse duan, Vatrën. Dhe ata që japin kontribute të mëdha për Vatrën, ata duhet të zgjidhen në krye të saj, sepse gjërat janë të ndërlidhura financiarisht, organizativisht dhe moralisht. Ka filantropistë të njohur në Amerikë, Kosovë, Shqipëri e Mal të Zi, ka plot të tjerë biznesmenë të rinj si Florin Krasniqi, me emër e me pasuri që bukur mirë mund tu afrohej kryesia, kryesimi apo presidenca, quajeni si të doni. Dhe ka tre të mira angazhimi milionerëve tanë shqiptarë, në mund ti quajmë kështu, së pari se do të kontribuojnë dukshëm në shëndoshjen financiare të Vatrës, së dyti nuk ka kurrëfarë mundësie të përfshihen në afera sepse nuk kanë asnjë shkak të kompromentohen si ata që e kanë xhepat e shpuar e dinë veç fjalë të bukura, dhe e treta njerëzit, antarësia, mbështetësit financiarë të vegjel, kanë më shumë besim në shëmbëllesën atyre që e kanë treguar zotësinë në fushën e bisnesit se sa tek ca të tjerët që mund të jenë oratorë me ose pa megafon, por "fjalët e mëdha e gurët në trastë" thotë populli.
Pra lind nevoja e ndryshimeve radikale e mbi të gjitha me një koncept të ri si një shoqatë mbarëshqiptare, me veprimtari atdhetare e kulturore. Në këtë shoqatë nuk mund të bëhet kurrfarë politike dhe asnjëlloj propogande tjetër ku të ndjehen dallimet në mes të shqiptarëve, duke përfshirë dhe ato fetare. Nuk ka pse të dalin gjithnjë kryefetarët në ballë të çdo lloj tubimi e të flasin gjithmonë po të njëjtat gjëra duke krijuar një rutinë lodhëse. Gjithashtu kam mendimin se nuk duhet të vënë mbi shpatulla kësaj shoqate pritjen e përcjelljen e mërgimtarëve të rinj, siç po sugjerojnë, sepse ata nuk vinë vetëm në Nju Jork, nuk mund Vatra të kthehet në shoqatë filantropike apo Karritas, por shoqata mund të ndihmojë moralisht e materialisht në hapjen e klasave për mësimin e gjuhës shqipe për të mos ja lënë ato spontanitetit, organizimin e festivaleve tradicionale, organizimin e ekspozitave të artit, të kulturës, të librit, hapjen e një muzeu të komunitetit shqiptar, por edhe ekspozita në ndihmë të zhvillimit, për nxitjen e investimeve në Shqipëri e Kosovë dhe këto veprimtari të zhvillohen në qytetet kryesore të Amerikës, pa u lokalizuar vetëm në një qytet.
Përndryshe, nëse do ti bëhen ca retushime e do të vazhdojë të mbetet vetëm brënda rrethinave të Nju Jorkut, Vatra do të vazhdojë të mbetet një organizat pa kurrfarë force e ndikimi në komunitet, vetëm një emër në letër, sepse as një shtëpi a dhomë muze të komunitetit shqiptar në Amerikë ku mund të evidentohet historiku i saj, nuk ka. Vazhdimi me drejtues të lodhur e me mentalitete të vjetëruara, do të ngjall imazhin e një plake që e ka ngrysur jetën dhe e mbuluar me trishtim pret Godone e vet. Megjithëse këtu në Amerikë ka edhe trille fantastike pleqërore si ajo e plakës 95 vjeçare që heq këmbët zvarrë për tu diplomuar në Universitet, me sa duket me ambicjen hyjnore që ti shkojë Shën Pjetrit me diplomë.
Nuk them se Vatra është e pamundur të ribëhet, por veç nuk e di se kë do gënjejmë, vehten apo komunitetin me ristrukturime e vullnetarizma që të kujtojnë lyerjet e pallateve të Tiranës me ngjyra të ndezura, kur brënda ndërtesave të vjetra lagështia bashkë me pluhurin e rrugëve ja grryejnë mushkëritë qytetarëve shqiptarë. Kjo ndërtesë ( shoqata flas) është kaq e vjetër sa ka nevojë jo për çatmë që të mos i pikojë shiu, por themele të reja.
E në krye të kresë, e përsëris, shoqata duhet të heqë dorë përfundimisht nga politika që e ka futur në qorrsokak. Kanceri i mardhënieve të shoqërisë shqiptare, konfliktet politike, nuk kanë më vënd në një shoqatë ku mblidhen të gjithë mërgimtarët" pa dallim krahine, feje apo ideje" e jo vetëm shqiptarë që kryesia i klasifikon si "te mire".
Ata që mendojnë se do të mund ende ta mbajnë këtë shoqatë me mballoma e mllefe të vjetra të depove të politikës qorre, pavarësisht prej dëshirës që kanë, nuk bëjnë kurrgjë tjetër veçse, atë qiri që rëgëtin me një dritë të mekur në shtëpinë e vjetër vatrane, të parët ata ngutën ta shuajnë.
2007
me shume per VATREN:
http://traboini1.blogspot.com/2013/09/vatra-e-uzurpuar-nga-berishistet-nuk.html
http://traboini1.blogspot.com/2013/06/pleqte-e-vatres-shohin-endrra-me-mukje.html
13 June 2007
SI NA MBIVE DIKTATOR O MUSHARAF?!
Nga KOLEC TRABOINI
Në gazetari janë të pafalshme naiv itetet. Musharafi nuk është bërë sot, ai që është. Ka qenë që në ditën e parë që ka ardhur në pushtet. Pushteti i ushtarakëve e juntave nuk mund të mos jenë diktaturë. Por, qarqeve politike në botë që kanë platformat e tyre strategjike në rajon, tani u intereson që ai të largohet. Mirëpo edhe pse kjo është e natyrshme që do të ndodh, të mos harrojmë se Pakistani pa një dore të fortë ka rrezikun kryesor të behet një shtet ku terroristët, binladenistët të gjejnë strehë e jo vetëm aq, por edhe të vinë në pushtet. Vetëm kur Pakistani ti shkasë nga duart perëndimit dhe Amerikës, do të kujtohen e të thonë, më mirë me Musharafin që i rrinte mbi kokë si çekan terroristëve, se sa një pseudodemokraci talibaniste me fanatizmin në pushtet.Iraku tregoi se llogaritë ishin bërë të gabuara. Mund të rrëzohej Sadami pa shkatërruar shtetin, pa shkatërruar ushtrinë e policinë, pa shkatërruar tërë infrastrukturën duke e futur vendin në një katastrofe të plotë. Sot gjendja sociale e normaliteti i Irakut është shumë më keq se në kohë të Sadamit. Kanë fituar terren fanatizmi e dhuna. Në kohën e Sadamit vriste një Sadam me shpatë, ndërsa sot vrasin të gjithë, të presin dhe kokën po të zunë (sa shpejt i harruam), sepse janë pjellë me qindra sadamë të vegjël vrasës e kamikaz.Sot është e lehtë të shkosh me berihaj pas lajmeve të bujshme të ditës, por të bësh gazetari nuk është të përsëritësh faktet e njohura dhe të shprehesh një gjendje emocionale në trajtë jehone solidariteti me spikerët që flasim gjithë ditën në studio, pa e ditur se ç'ndodh ne rruge, por kryekreje të bësh analizë për çfarë ngjet dhe në bazë të vëzhgimeve, të parashikosh rrjedhimet dhe pasojat e ngjarjeve.Tabloja sinoptike e lajmeve të nesërme:Ditën e mire për sot. Nesër do të kemi ditë të ftohtë e të përgjakur. Sërish dhunë nga ushtarakët. Falangat fanatike janë kthyer në engjëj të bardhë. Nuk hedhin me bomba. Falen e luten për demokracinë...Sot, gjithë rrugët të çojnë në Pakistan dhe të gjitha fajet i ka Musharafi. Sapo të bjerë Musharafi do të pjellin 1000 musharaf të rinj, më të rrezikshëm, të cilët do të prishin e rrezikojnë ekuilibrin jo vetëm me Pakistan por në gjithë rajonin. Do ti afrohen pushtetit talibanistët pakistanezë të cilëve do tu bien në dorë edhe arsenalet bërthamore. Pra do të na imponohet edhe një tjetër luftë...Po pastaj ku do vemi. Si do të pjellim një Musharaf a Zija Ul Hak të vetëm, që të bëjë zap kopenë e pafundme të Musharafeve të vegjël talibaniste? Do ta pësojmë si ne Irak. Temën, do themi, prapë e pësuam e mend nuk mësuam...Që kur ka lindur historia kështu ka vajtur meseleja, pa u mbyllur një luftë fillon një tjetër. Kësaj radhe sebep na u bë sërish një femër, që gjoja na paska ardhur fshehur në Pakistanin me regjim ushtarak, Benaziri i Butos e jo Helena që i vuri flakën e Trojës. Po gjasat janë që edhe Pakistani do të përfshihet në flakë...Dhe pësimi nuk na u bë kurrë mësim. Dhe kusuret dihen, do ta paguaj populli pakistanez, jo me para, as me gaz e me naftë, por me jetë, me gjak. Si na mbive diktator në nëntor, o Musharaf?! Ti e di që çmimi i barelit po ngrihet. Të kishte dalë dhe ky dimër, të kishe pritur dhe pak!
20 May 2007
KOOPERATIVA E SHKRIMTARËVE
KOOPERATIVA
E
SHKRIMTARËVE
...nuk duhet folur vetëm atëherë kur e pësojmë prej kryetarëve,
KOLEC TRABOINI
E drejtë vrejtja që bëhet për squk-squlljen e antarëve shoqatës së shkrimtarëve shqiptaro-amerikanë. Shkrimtari më i mirë i kësaj shoqate, një personalitet i letrave shqipe, Naum Prifti, në moshën 75 vjeçare, në shënjë proteste të sjelljeve denigruese ndaj tij prej kryetarit te SHSHSHA , del publikisht prej radhëve të kësaj shoqate ku punohet në mënyrë mafioze siç thuhet tekstualisht ne deklarimin publik te Naum Priftit, por kurrnji antar nuk flet. Ata që nuk e dinë çfarë ndodh në këtë organizëm të mykur e kanë të vështirë ta kuptojnë këtë paradoks. E kanë vështirë ta mendojnë se si mund të ketë mungesë demokracie në një shoqatë krijuesish të lirë. E kjo është afër menç, sepse gjithkush e di se krijuesit janë simbol i shpirtit të lirë.
Ata, antarët pra, nuk flasin a thënë më saktë nuk guxojnë të flasin sepse kush digjet nga qumështi i fryn kosit, për më tepër ata ishin dëshmitarë të skenës kur unë fola dhe e "pësova", nga kryetari, aso kohe i sapozgjedhur, vetë vulë e vetë firmë që më përjashtoi me nje vendim të deklaruar bujshëm si të ishte një perjashtim nga pleniumi i Komitetit Qëndror i PPSH… Dhe guxova të flas e të marr nën mbrojtje një antar, Lek Gjokën, që kryetari e kishte kërcënuar në telefon me perjashtim nëse nuk i jepte 100 dollarët e antarësisë, e kështu tërhoqa mbi veten atë mllef fshatarak që ende sot e kësaj dite, paçka se në atdheun e Linkolnit, punon me stilin e Enver Hoxhës e të ca të tjerëve, ish komunistë, që lyen vetëm surratin me bojë blu, por në thelb mbetën po ata që ishin. Jo pak njerëz që kanë ardhur në Amerikë prej fshatrave më të humbura të Shqipërisë, që kanë pas kontakte të ralla me mjediset e kulturuara, kanë marrë përpjetë si misra hibridë. Ju duket se me të shkelur në Amerikë janë bërë si me magji të ditur, të kulturuar, të shkolluar, se i dinë të gjitha e nuk kanë më nevojë të mësojnë kurrgjë, madje e quajnë vetën shkrimtarë, pa patur kurrëfarë shkolle e dije mbi letërsinë, dhe po u zgjodhën në kryetarllëk nuk e kanë për gjë i bëjnë hatanë madje dhe një autoriteti në letërsi si Naum Prifti. Mjerë ata për mëndjen që kanë. Është turpi tyre e nderi i Naum Priftit dalja publike prej atij mjedisi ku fjalës së lirë i zihet fryma.
Kjo shoqatë në fillimet e veta u
I kam ndjerë këto qysh herët dhe kam konstatuar dy gjëra: e para: që, ata që e drejtojnë aktualisht këtë shoqatë janë një kult i vertetë, nuk marrin mendimin e kurrkujt dhe as pyesin njeri, të gjitha i ka e i bën kryetari, me një antar apo dy si hije. E dyta: kanë arritur që të krijojnë tek antarët mefshtësinë, mungesën e kurajos për të folur, për të kritikuar kur venë në dukje diçka që nuk shkon, që bëhet mbrapsht që manipulohet. Mjaft prej shkrimtarëve realisht janë shmangur prej kësaj shoqate pa fjale e pa bujë. Antarësia sot përbëhet në shumicën e saj prej amatorëve që nuk kanë kurrfarë kualiteti krijues, kanë ndonjë botim mediokerr dhe duke qënë të tillë nuk kanë autoritet të flasin. Por veç duhet pranuar se edhe ata që janë shkrimtarë apo poetë me reputacion, edhe ata heshtin. Nuk duan ta prishin me kryesinë e kryetarin sepse e dinë se çfarë pasoje do të kenë. Gabim e kanë sepse, nisur prej përvojës sime mund tu them se përjashtimi prej kësaj shoqate mua më ka shërbyer për mirë, e kam ndjerë veten krijues të lirë, produktiv dhe larg atyre njerëzve që punojnë pas kuintave. E për këtë mund të them me plot gojë, mund të falenderoj publikisht kryetarin që më ka përjashtuar si të isha Sejfulla Malëshova apo Fadil Paçrami: Të faleminderit Ramiz!
Për makinacionet e prapaskenat që janë bërë me Naum Priftin nuk çuditem fare, sepse i di
Kur ja bëjnë këtë gjë Naum Priftit që është një nga shkrimtarët më të njohur të letersisë shqipe, i njohur kudo në Shqipëri e Kosovë, kur nuk përtuan të ma bënin edhe mua që kam ndihmuar në formimin e kësaj shoqate duke sjellë dy të tretat e antarësisë e kam botuar 11 libra, çfarë mund të presin disa autorë që kanë botuar një a dy libra e janë kujtuar pertej të pesëdhjetave të merren me poezi rapsodike. Kuptohen, ata janë mirënjohës që janë në listën e kryetarit me vulë dhe nuk guxojnë ti thonë madje as shëndet, kur teshtin.
A tështin kryetari,... a e dhjesin mizat portretin e perandorit... Të perandorit mbase po, por të kryetarit të shoqatës së shkrimtarëve koperativiste kurrsësi....sepse një kryetar, kur është shqiptar, të bën gjëmen, të bën të flasësh me vete, të bën më shumë se mund të bënte asokohe perandori i Habsburgëve.
Se ja ku janë bëm-gjëmat...ec e flisni për to po deshët....a ua mban? Ju nxorrën prej shoqate, o antarë!
E fundit që dua të them, e mbështes shkrimtarin Faruk Myrtaj në mendimin se, nuk duhet folur vetëm atëhere kur e pësojmë prej kryetarëve, por përpara, që të mos i lëmë të guxojnë të gabojnë...
www.traboini.com
19 May 2007
IDOLET E RREJSHME TË PAJTIMIT

e rrejshme
të pajtimit
KOLEC TRABOINI
Ka ditë që po percillet me këmbëngulje një Apel për pajtim me popullin serb, pretendim i madh në dukje por që në thelb nuk qëndron. Kryekrejet nuk merret vesh se si mund të bëhet pajtimi me serbët nëpër faqet e internetit, kur populli shqiptar i Kosovës, se atij i bëhet ky apel, nuk e ka ende mundësinë e pasjes masivisht të rrjetit kompiuterik, siç e ka, ta zeme SHBA, ku rreth 90 përqind të familjeve kanë lidhje interneti, kështu që edhe jehona e kësaj nisme është e vakët e më shumë si një dëshirë farfuritese.
E më tej, për çka do të pajtohen shqiptarët me serbët? Ç’ka është ky vëllazërim popujsh.
Më kryesorja kush ka thënë ndonjë herë se populli shqiptar e ka konsideruar popullin serb armik me të cilin qënka prishur a shprishur e tani duhen ndrequr?! Kurrë në histori kjo nuk ka ndodhur. As nuk ka patur e as nuk ka popuj armiq. Nuk duhet ti konceptojmë as luftrat e mëparshme e as atë që bëri UÇK-ja si luftë kundër popullit serb. Jo. Ajo luftë ishte çlirimtare. Ajo kerkonte dëbimin e ushtrisë pushtuese e çlirimin e vendit prej okupatoreve. Dhe okupator nuk ishte populli, nuk ishin njerëzit e thjeshtë, por sistemet e strukturat e organizuara nga shteti vrasës që shtypte saora dhe popullin e vet.
Popujt nuk bëjnë politikë e demagogji. Ata më së shumti bien vetë viktimë nga keqpërdorimi i pushtetit, apo mashtrimi që u bëhet. Nëse nuk do të ishin sistemet që krijohen, qarqet e klanet që e tërheqin popullin për freri me përdhunë, siç e tërhoqi Hitleri popullin gjerman, Millosheviqi popullin serb, të jeni të bindur se kurrnji popull nuk do të kishte armiqësi a ftohje me një popull tjetër.
Nuk e pushtoi Shqipërinë populli italian që vuante nën zgjedhën e fashizmit, nën dhunë e pa bukë, por falangat e Duçes, të cilin italianët, kur shpëtuan prej zgjedhës, e varën me kokë poshtë bashkë me të dashurën Klareta Petaçi.
Prandaj nuk kuptohet se pse u kërkoka pajtimi i popujve. Për çfarë. Në emër të kujt. Çfarë nënkuptojnë hartuesit me emrin popull serb, të cilit i janë referuar. Ata që e kanë vrarë popullin shqiptar të Kosovës nuk është populli serb por janë: shteti, ushtria, policia, radikalët, “Tigrat”, falangat e zeza të nacionalistëve ekstremistë.
Një gjë duhet kuptuar, se populli serb herët a vonë do të ndergjegjësohet për faktin se udhëheqja e shtetit të vet e ka keqpërdorur emrin e tij, janë bërë masakra të përbindëshme prej kriminelëve të veshur me pushtet, të cilët kanë dalë rrejshëm në emër të popullit te vet.
Me këtë nisëm që është marrë e me këtë mënyrë që është formuluar apeli, nuk bëhet kurrgjë tjetër por shkarkohet barra e krimit nga nacionalistët e shovenistët e tipit të Millosheviqit, në kurrizin e popullit serb, pra nga kriminelët Arkan e gjeneralët e ushtrisë tek njerëzit e thjeshtë, ata që përbëjnë shumicën dërmuese të një populli . Sepse apeli i shpallur disi me eufori, po kërkon pajtim me popullin, çka nënkupton të harrohen krimet, dhuna e gjaku të cilat kurrëqysh nuk mund ti faturohen një populli. Ata që i kanë bërë krimet dihen botërisht dhe u dënuan rreptë nga amerikanët dhe forcat e Natos, ai që ngordhi në një qeli të Hagës ishte kryekreu në bashkpunim me të tjerë që janë fshehur si mijtë vrima për ti shpëtuar drejtesisë e dënimit. Atyre nuk mund tu falet kurrgjë, as dhe një pikë gjaku, nuk mund të ketë kurrë pajtim me kriminelat, vrasësit që mjerisht ende janë në pushtet dhe në forcat politike që rolin një rol dominant në Beograd
Pajtimi i vertetë(më mirë do të ishte ta quanim paqëtimi) bëhët në mënyrë institucionale në mes të qeverive, parlamenteve, akademive, mirëpo a kanë arritur institucionet e Serbisë deri në atë shkallë ndërgjegjësimi sa të kërkojnë falje publike për krimet që janë bërë në Kosovë. Pa kerkimin zyrtarisht të kësaj falje zor se mund të ketë paqëtim. Aq me teper ata nuk kanë shpëtuar ende nga meningjiti i tërbimit nacionalist, ato akoma nuk janë pastruar prej të keqes, prej krimit, prej gjakut. Fakti që shteti serb, institucionet e tij, parlamenti, partitë, nuk pranojnë që populli shqiptar i Kosovës të vetvendosë për tu bërë e pavarur zot i fateve të veta, madje organizojnë edhe banda terroriste për të sulmuar Kosovën, mbajnë Mitrovicën nën tension gati për të ndezur zjarrin e luftës, tregon se jemi ende larg prej reflektimit, prej katarsisit, prej afrimit në fqinjësi të mirë, për të harruar të kaluarën e për të hyrë në një udhë të re të mirëkuptimi. Vertetë akoma larg.
A do të vijë ajo ditë që shteti e politika e Serbisë ti nënshtrohet arsyes e të shpëtojë prej maktheve të legjendave mesjetare me Stefan Dushan e princ Llazar? Padyshim që do vijë, sepse ajo rrugë që gjer më tani kanë ndjekur, nuk ka të ardhme në një Europë të Bashkuar me mirëqënie e mirëkuptim në mes shtetesh. E sa për popujt, ata janë si ti udhëheqësh, si ti drejtosh por mbi ta kurrë nuk mund të bjerë mallkimi kolektiv për një krim a gjenocid të bërë nga kastat që kanë uzurpuar pushtetin apo me dinakeri e mashtrim kanë arritur të dalin në krye e ta keqperdorin atë pushtet.
Popujt, çka nënkupton njerëzit e thjeshtë, duke përfshirë intelektualët si ndergjegje progresive e tij, artistët, shkrimtarët, specialistët e fushave humane, gjithmonë e gjejnë gjuhën e afrimit e të paqes. E në këtë kuptim, të vjen keq kur ndodhesh përpara një shfrimi antikulturë që shprehnin disa nga bashkatdhetarët tanë, madje edhe në shtyp, kundër vajzave këngëtare serbe që kënduan e fituan me meritë interpretimi ( me ose pa plagjiaturë kjo është një çeshtje tjetër, profesionale) në Finlandën e qetësinë e butësisë njerëzore. E këto shfrymje të shoqëruara me fyerje të krijonin përshtypjen se ende jemi në llogore lufte me bomba e barut, e jo para ekraneve të një festivali ndërkombëtar, ku binin në sy të rinjtë europianë me fytyra të qeshura, që simbolizojnë të ardhmen, miqësinë e dashurinë në mes të njerëzve.
Popujt gjithmonë e gjejnë gjuhën e përbashkët, nga natyra janë gjithmonë për pajtim, por është politika shpesh herë agresive që i armiqëson mardhëniet në mes të shteteve e për rrjedhim në mes popujve krijohen hendeqe e gremina tragjike.
Këto hapsira të ngrira, artistët e shkrimtarët ballkanas me fuqinë e artit të tyre duhet të kontribuojnë që ti bëjnë të paqëna, që të përshpejtohet ardhja e asaj dite kur, shqiptarët, grekët, malazezet, maqedonasit, bullgarët, rumunët, kroatët, sllovenët, serbet, boshnjaket e turqit, pra mbarë popujt e Ballkanit ta ndjejnë me të vertetë veten të vëllazëruar në familjen e përbashkët europiane.
Gjithësesi këtë pajtim, edhe pse qëllimmirë, nuk ka pse të nxitojmë tua kërkojmë popujve, popujt nuk bëjnë gjenocid ndaj njëri tjetrit, nuk kanë shkak për ta urryer njëri tjetrin. Anipse shumica e maskaralleqëve të pushtetmbajtësve të kësaj bote së shumti bëhen krejt rrejshëm në emër të popujve, nuk duhet kurrësesi t’u vihen popujve në shpatull e as në ndërgjegje gurët e rëndë të pendimin për masakrat që kanë bërë eksponentet e politikës së krimit e gjenocidit ndaj popujve të tjerë.
maj 2007
15 May 2007
NËN QYRKUN E FAJIT...
Cilin atdhe përfaqësojnë të çmëndurit?!
KOLEC TRABOINI
Në të hyrë të majit ( drithërimë akulli na solli kjo pranverë 2007)u arrestua një grup terroristësh që ishin prej kohësh nën vezhgim në Nju Xhersi. Nga gjashtë antarët, lajmet theksuan se katër ishin shqiptar. Se çfarë soj shqiptarësh ishin kurrkund nuk e vuri në dukje e kështu papritur e kujtuar u ndjenë bashfajtorë shqiptarët anë e mbanë botës. Një faj kolektiv i çuditshëm. Në qëndër të propogandës televizive e mjeteve të informacionit u ndjemë për disa ditë, a qoftë për disa çaste popull fajtor. Një paradoks i çuditshëm ky. Por nuk ishin të tjerët shkaku kryesor që na bënë të ndjehemi të tillë, më tepër qenë tanët, bashëkombasit që u ngutën të na vënë në pozitat e fajtorit, që duhet patjetër të shlyej fajin që ti falen mëkatet e të bjerë në paqe me shpirtin e vet. Por, edhe të ritregojë besnikerinë e patundur ndaj mikut më të madh të shqiptarëve, por kësaj radhe me ritualin të perbetimit publik se, pavarësisht çfarë kishin dashur të bënin katër terroristët shqip-sllavo folës, ne ishim të patundur në miqësinë tonë. Shfletoni vetëm dy faqe të gazetës shqiptaro amerikane dhe do te vini re kolona shkrimesh të ngjeshura me germa të mëdha të këshillit Kombëtar Shqiptaro-Amerikan, të kryesisë së Vatrës, të shoqatës”Dibrane”, të LDK-së për Nju Jorkun e LD Dardanisë po ashtu, të Lëvizjes së Legalitetit, Bashkësia myslimane SHBA-Kanada, Instituti “Gjergj Kastrioti Skanderbeg” në Staten Island të Nju Jorkut, demonstrim në Nju Jork, përbetim në Çikago…një marramandje e çuditëshme që të drithëron sikur Amerikës ti ketë ndodhur prej shqiptarëve një gjëmë më e madhe se ajo në 11 shtatorit 2001.
O zot çfarë po ndodh. Cunam në shpirtin e shqiptarit… E kurrkush nuk ulet ti marrë punët shtruar se ja, pasi kaluan dy ditë, të gjitha gazetat amerikane e stacionet televizive të lajmeve e harruan atë grup fanatikësh islamikë që u vunë në pranga e me to do të merret drejtësia amerikane. Mirëpo avazi brëndashqiptar mediatik vazhdon duke harruar në krye të kresë se në bazë të gjitha ligjeve ndërkombëtare ata "të katërt e Nju Xhersit" janë maqedonas. Përderisa është një shtet ku ata kanë lindur e shtetësinë e të cilit e kanë, që quhet Maqedoni, pranuar zyrtarisht kjo në OKB, nuk ka pse të rrethrrotullohemi si qeni rreth bishtit të vet. E shumta që mund të thuhet është se ata katër të fandaksurit e terrorizmit islamik janë shtetas maqedon që i përkasin etnitetit shqiptar. Janë nga ata shqiptarë që janë ndarë arbitrarisht nga trungu mëmë e të dënuar prej diplomacisë europiane për të mos u bashkuar kurrë si komb e si shtet. A, sikur Maqedonia të ishte aneksuar prej Shqipërisë( mos o zot, se ne mezi na mbajnë këmbët), ateherë po, do të thonim me plot gojë se ata katër qafirët, apo idiotët e fanatizuar deri në çmënduri, janë shqiptarë, me etnitet e shtetësi, por veç shqiptarë patologjikë që përfaqësojnë çmëndurinë e vet e kurrnji tjetër në këtë botë.
Si shqiptar i Shqipërisë e me prejardhje nga trojet shqiptare të aneksueme padrejtësisht prej Malit te Zi ( nën bekimin e mallëkuar të Europës), thënë të drejtën nuk e kam kurrqysh kompleksin e fajit të katër fanatikëve islamike maqedonas. Por edhe shqiptarë Kosove të ishin, shqiptarë të Malit të Zi të ishin, të Shqipërisë të ishin, të njëjtën gjë do të thoja sepse fanatizmi është pragu i çmendurisë e për të çmëndurit ka çmëndi ku, nuk besoj se bëhen dallime në përkatësi kombëtare, shtetërore apo fetare. Në një spital të çmëndurish nuk ka as kishë e as xhami, as kufij shtetesh aq më tepër etni. Kryeministra me gozhda në tru, ministra të jashtëm të dalë boje, deputet të pacipë, të tradhëtuar prej grave, hajdutë, batakçi, fanatikë fetarë me tavan të shëmbur ka...mirëpo këta kurrë nuk kanë atdhe, kanë xhep, kanë taraf, kanë miqësi, kanë klan, por kurrë atdhe.
Prandaj më duket se letra e një zonje shqiptaro amerikane dërguar gazetës "Nju Jork Tajms", deklarimet e ca studentëve shqiptarë në Nju York apo ca fletë rrufe të degëve partiake kosovare, shoqatave apo individëve, nuk thonë kurgjë nga ajo që në thelb duhej të thoshnin. Letra, deklarata dhe ato flet rrufe të partive e shoqatave sado që përpiqen të thonë një të vertetë, atë të dashurisë e mirënjohjes së shqiptarëve për Amerikën, nuk e fshehin dot kompleksin e fajit, paradoksalisht krejt pa faj e krejt pa llogjikë.
Me kësisoj tërci verci fjalësh me të cilat rëndojmë veten duke dashur gjoja të shfajsohemi, mos vallë kërkojmë të lehtësojmë maqedonasit që nuk ndjehen fare fajtorë për terrorizmat e shtetasve të vet. Dhe mirë bëjnë. Largojnë vemëndjen prej shtetit të vet të brishtë që para se të bëhej shtet ishte gati në shpërbërje.
Po sikur ata të katër të ishin prej Vrake, vrakaçorë Shkodre, mos vallë do të akuzohej
Madje pati edhe deformime të tilla të papërgjegjëshme duke i quajtur edhe kosovarë. Mos vallë mendoni se gazetarët e “Nju Jork Tajms” dhe ata të CNN nuk dinë të bëjnë dallimin në mes të dy shteteve( paçka se Kosova ende nuk është shtet) të cilët kanë kufij në mes vedit, kur ato hapsira gazetarët amerikanë i kanë shkelur me këmbë gjithandej, në kohën e gjenocidit serb mbi popullin shqiptar të Kosovës.
Ky konfuzion informativ “ shqiptarë të ish Jugosllavisë” të kujton atë episodin e bombardimit të ambasadës kineze (pro serbe aso e kso kohe) kur në shtyp u tha se pilotët nuk e kishin harten e re, por kanë përdoruar të vjetrën.
Nuk ka pse të biem viktimë e spekulimeve, e propogandave që qëllimin e fshehin por është krejt i dukshëm si bishti i dhelprës, se ja çfarë thotë një qytetar amerikan që jeton pranë Fort Dix "ajo çfarë pretendojnë ata( gjashtë terroristët fanatikët islamikë) se kishin ndërmënd të bënin, është krejt e pamundur sepse ata nuk mund të depërtonin kurrë në gazermën e sofistikuar ushtarake. Ata duket hapur se janë njerëz të çmëndur".
Kur thonë qytetarët amerikanë kështu, atëhere juve që në mënyrë krejt alogjike ju rëndon kompleksi i fajit mbarëkombëtar, ju lutem na thoni se cili është identiteti i një çmëndurie për të cilën folëm më lart.
Të më falni por unë kam një mendje tjetër nga shumë prej atyre që kanë vënë alarmin se po ja skuqin faqen shqiptarizmës disa fanatikë islamikë; sepse shumë po trumbetohet kësaj ane. Kushdo që ka kompleksin e fajit të katër bashkfolësve me shtetësi maqedone, le ta mbajë për vete, unë nuk kam ndërmënd ti hyj kurrkund e kurrkujt në pjesën e fajit. Bota e madhe është shtëpia e gjithkujt e çdokush, në këtë botë të madhe, ka mbi shpatulla një botë të vogël që nuk përfaqëson kurrgjë veç vetes.
Çdo të mirë a të keqe që bën njeriu në këtë jetë e bën nën emrin vet.
Kombi e kombësia nuk janë një shami me të cilën mund të fshij hundët çdo idiot, qoftë qeveritar apo fanatik me tru të shplarë...
Boston 2007
23 April 2007
URAT E ARISTIDH KOLIAS

URAT E ARISTIDH KOLIAS
esè
KOLEC TRABOINI
Aristidh Kolia, ish presidenti i Arvanitesve të Greqisë, ndryshe nuk mund të kuptohet veç si arvanitasi me fat tragjik, si paraardhësi i tij Jorgo Maruga që themeloi shoqatën arvanitase në vitin 1983 e për këtë qarqet ultranacionaliste greke po atë vit e vranë, pra njeriu në mes të dy dashurive të mëdha, për dy popuj, dy shtete, që ende, si atavizëm historik, kishin në mes tyre një mal me urrejtje.
Aristidh Kolia dhe Kolec Traboini në Athinë, korrik 1995
Një pensionist në Tiranë, që kërkon të terheqë vemëndjen e lexuesve, duke denigruar një prej figurave më të shquara të arvanitasve-arbëreshëve të Greqisë, ka hedhur në letër të parat fjalë që i kanë ardhur ndër mënd. Është ndodhur, ta zëmë, si në aforizmat e librit të Dritero Agollit "Shkelqimi e rënia e shokut Zylo", "Ti je murë i lartë por unë të heq gurin e fundit" se ja ku, e zeza mbi të bardhë, në gazetën "Sot" shfaqen meditimet pleqërore fort të zymta të vetdeklaruarit pensionist Petrit Bidoshi, që e konsideron Aristidh Kolian asgjë më pak se përçues i ideve të megaloidhesë greke ndaj Shqipërisë dhe shqiptarëve.
Kur vjen puna për të vlerësuar qëndrimin e Aristidh Kolias përkrah popullit të Kosovës e kundër gjenocidit të falangave të Millosheviqit, bash atëherë kur tërë Greqia ishte proserbe, Bidoshi e kalon si një gjë të thjeshtë. Harron ky se pikërisht kjo sfidë e jashtëzakonëshme publike proshqiptare e Aristidh Kolias do ti sillte si pasojë tragjike vdekjen e tij.
Ja çfarë pohonte në fund të jetës së tij Aristidh Kolia për situatat që përballonte kur në opinionin publik grek mbronte me kurajo të jashtëzakonshme popullin shqiptar të Kosovës: “Përsa i perket betejës së kanaleve( televizive-shënimi im KT), e dija se shkoja në gojën e ujkut. Më kishin ngritur kudo kurthe, nuk më linin të flisja kur shikonin se po ndikoja në opinionin publik me mendimet e mia. Shkoja i ndërgjegjëshem për të gjitha ato veshtirësi…” (Gazeta Albanian Mail, Londer).
Mirëpo këto i harron Bidoshi i Tiranës, që mesaduket nuk ka lexuar fare gazete a libra në vitin 1999, a të ketë dëgjuar për parullat shkruar nëpër tërë muret e qëndrës së Athinës "Aristidh Kolia tradhëtar… Aristidh Kolia në litar". Nuk besoj se ato parulla i kanë shkruar shqiptarët kundër atij, Aristidh Kolias pra, që, sipas Bidoshit, na paska qënë një grek me ide shoveniste ndaj kombit e popullit shqiptar.
O zot na i ruaj mënd e kokës…
Jo, këto qëndrime humane e proshqiptare të Aristidh Kolias, nuk paskan kurrfarë rëndësie për pensionistin e Tiranës, që ka pension të vogël, i mungon uji e drita, por tërë hallin e merakun e ka të gjejë ide të megaloidhesë tek Aristidh Kolia. Kërkon nëpër faqet e një libri voluminoz, ku pse jo, edhe mund të ketë ndonjë lapsus apo pasaktësi si në çdo libër studimor për epokat e hershme e shpesh të errta në historinë e popujve të Ballkanit. Kërkon me zulm e me ngulm të gjejë atë çfarë Aristidh Kolia nuk e inspironte kurrqysh. Aq më tepër është marrëzi të thuash që Aristidh Kolia kerkonte që Shqipëria të aneksohej prej Greqisë.
Idetë e Aristidh Kolias ishin të hapura e pa ekuivoke, të shprehura qartë si drita e diellit, se nuk ka popull më të afërt për grekët se sa shqiptarët dhe nga ana tjetër nuk ka popull më të afërt për shqiptarët se sa grekët në historinë e largët e deri në kohët më të vona, pavarësisht se sot të shfaqet një ekstrem e një largësi e paimagjinueshme, madje paradoksale në mes të këtyre dy popujve me histori fort të ngjashme.
Për më tepër ajo çfarë shprehet në kontekst historik, qindra apo mijra vjeçare, nuk ka si aktualizohet e të shitet si një ide e re dhe e fresket e kohës sonë. Aristidh Kolia i referohet kohrave më të hershme, epokës së pellazgëve prej të cilëve kanë buruar të dy popujt, edhe shqiptarët edhe grekët e këtu e gjen ai zanfillën e lidhjeve që kanë patur historikisht. Studiuesi arvanitas nuk e përdor termin popuj helen në kuptimin e ngushtë të kombit modern, siç e keqinterpreton Petrit Bidoshi, përkundrazi në një kuptim më të gjërë si një vazhdimësi e pellazgëve, pra i të njëjtit burim pellazgjik të shqiptarëve dhe grekëve.
Që të mos bjerë në vazhdimësi në keqinterpretime të tilla, z.Bidoshi është e udhës të lëçisë diç më shumë se vetëm një libër për arvanitët, të mësojë se edhe vetë shqiptari Ali Pashë Tepelena kishte idenë zanafillë, madje bëri përpjekje, për krijimin e një shteti të përbashkët shqiptaro-grek, pra nuk i shihte larg shqiptarët e grekët. Edhe Vasiliqine e bukur të shtratit e kishte greke. Vite më vonë, pas luftës ruso-turke, ku perandoria osmane u dobësua, ishte gjallëruar sërisht ideja për çlirimin e Shqipërisë dhe krijimin e një shteti grekoshqiptar, ide që kishte shumë përkrahës e kjo vinte nga ndikimi i madh që kishin udhëheqësit arvanitas në shtetin grek, ndër të cilët: Spiro, i biri i Gjergj Karaiskaqit, Jani i biri i Kollokotronit, pasardhësit e Xhavellëve dhe Boçarëve, Teodor Griva dhe Kiço Xhavella. Vlen të përmëndet edhe Dhimiter Noti Boçari, që më pas do të zgjidhej President i Lidhjes së Arvanitëve të Athinës. Kjo shoqatë në vitin 1899 do të bënte një shpallje në të cilën i bënte thirrje të gjithë shqiptarëve për tu ngritur për çlirimin e vendit nga pushtimi shekullor otoman. Për këtë akt, në vitin 1996 Aristidh Kolia ka botuar një libër studimor, “Një dokument historik i 1899 : Thirrja e Lidhjes Arvanitase”.
Ndër të tjera në këtë thirrje të firmosur nga Shehu, Marko Noti-Boçari dhe Kiço Xhavella,( të tre këta ishin suliotë) thuhet se “grekët para se të jenë grekë ishin shqiptarë, pra pellazg. Grekë do të thotë shqiptarë të qytetruar”, (Aristidh P.Kolia: “ I prokiriksi tou Arvanitikou Sindhesmou”, botim greqisht f.66, Thamiris, Athina 1996.)
Në studimin e vet Aristidh Kolia vinte në dukje se grekët e sotëm nuk e dinë se gjuha popullore, e rrugëve, e pazarit deri në vitin 1870 ishte arvanite, dhe deri në kohët e vona kjo gjuhë është folur në lagjen Plaka pranë Akropolit, zonë që ka qënë arvanitase që nga shekulli i 14 e deri në dhjetëvjeçarët e pas pavarësisë. (Vepër e cituar f.87.) Është për tu vënë në dukje, shton A.Kolia, se në vitin 1860 gazeta satirike “To Fos”(Drita), botonte poezi satirike arvanitase, pa e ndjerë nevojën e përkthimit në greqisht. Kjo sepse gjuha arvanitase flitej gjithandej madje edhe në pallatin mbretëror në epokën e mbretit Othon apo edhe të Gjeorgjit të parë. Një poet i asaj kohe, emri i të cilit është i panjohur, ka botuar një poemë të gjatë në gjuhën arvanite për princeshën Aleksandra. Në revisten “Besa” nr.34 që botonte Aristidh Kolia në Athinë, është ribotuar kjo poemë nga arvanitasi Jani Gjika.
Kjo ishte gjëndja , këto ishin mardhëniet, kështu mendonin shqiptarët e grekët e asaj kohe e ne me këto përvoja( makari të hidhura) që kemi sot, nuk mund ti gjykojmë strikt stërgjyshërit tanë dhe opinionet e tyre të dikurshme. Nuk mund ti themi, ta zëmë, trimit me nam Çelo Picari, çfarë deshe ti o Çelo që në krye të një çete luftetarësh shqiptarë more pjesë në kryengritjen e Thesalisë në vitin 1878 kundër pushtuesve otomanë, çfarë deshe ti o Çelo Picari në parlamentin grek, i veshur me fustanellë shqiptare, vajte tu marrësh dorën armiqëve shekullore, kryeministrit grek Harilao Trikupi,…e pra sot o Çelo Picari, grekërit të kanë vjedhur trojet, historinë, madje edhe fustanellen.

Ky lloj gjykimi semplist i të shkuarës është vertetë një grotesk për kohën tonë aq me tepër kur pretendojmë të bashkjetojmë me tërë popujt e Ballkanit në Bashkimin Europian. Makari tia arrijmë asaj dite të ëndërruar.
Ne duhet ta marrim realitetin siç ka qënë e të perpiqemi të kuptojnë se çfarë ndodhte në atë epokë, kur shqiptarët e grekët qenë shumë afër e mund të themi më afër se kurrë, aq sa në parlamentin e parë grek më shumë se gjysma e përfaqësuesve flisnin arvanitika, pra shqip.
Edhe grekët e pranojnë shqiptarin Ali Pash Tepelena si promotorin e lëvizjes greke për pavarësi nga Turqia, por veç pas vrasjes së pashait nga turko-shqiptarët (se pashallarët shqiptarë nuk ja lanë gjithë “nderin” për vrasjen e Ali Pashait pushtuesve turq), zjarri u ndez në Greqi, ndërsa në territoret shqiptare Sulltani i kishte ende krahët e ngrohta prej besnikërisë prej qeni të bejlerëve shqiptarë, të cilët si lanë duart me pashain kryengritës, u ngutën e u përmutën, duke shkuar të shuanin kryengritjen për liri të një populli tjetër ballkanas. Kjo është një e vertetë historike e dhëmbshme, por si çdo e vertetë nuk kemi se si e fshijmë nga analet e historisë, paçka se na i bën me turp kasten e bejlurçinave që rronin vetëm me idenë se arnautët ishin e do të mbeteshin perjetë thjesht raja besnike të Turqisë. E historia rodhi si rrodhi. Grekët me krahët e gjakun e arvanitasve e fituan pavarsinë, ndërsa shqiptarët në saj të besnikërisë së krerëve injorantë, vazhdonin të mbeteshin edhe për një shekull tjetër nën dhunë e gjak, nën robërinë poshtëruese të hordhive të Azisë së Vogël.
Formimi i shtetit grek solli zhdukjen e vrasjen e udhëheqësve arvanitas, pikërisht ata që bënë revolucionin e sollën pavarësinë. Qarqet ultranacionaliste greke nuk ngurruan të helmonin në qeli madje edhe heroin kombëtar të Greqisë arvanitasin Teodor Kollokotroni, megjithëse ky kurrë nuk kish deklaruar origjinen e tij shqiptare. E vranë pas shpine heroin legjendar Gjergj Karaiskaqin, kryekomandantin e trupave të Rumelisë, që fjalët e fundit të mallkimit ndaj vrasësit i lëshoi në gjuhën e arvanitasve, pra shqip. Edhe Bubulina, trimerësha e detit, po ashtu u vra, tinëzisht, pas shpine.
Shpesh kemi parë që historianë apo dhe gazetarë të shkruajnë me mburrje disi boshe për 40 vezirët që i kemi dhënë perandorisë otomane dhe harrojnë këta pasionant arkivash perandorake, ose bëjnë sikur nuk e dinë se sa ministra, kryeministra madje edhe president me gjak arbëror në deje kanë drejtuar qeverinë e shtetin grek. Le të fillojmë me shqiptarin e njohur në histori, suljotin trim Kiço Xhavella, kryeministër në vitet 1884-1848, Antoni Kryeziu 1850 që ndau kishen greke nga Fanari i Stambollit duke e bërë autoqefale, më pas ka qënë kryeministër Dhimiter Vulgari, le të përmendim edhe disa emra të tjerë arvanitësh që kanë udhëhequr qeverinë greke si Gjeorgjio Kondurioti, Athanasio Miauli, Dhimitër Qiriako, Emanuil Repili, Aleksandër Koriziu, Pavlo Kondurioti, Petro Vulgari e tjerë, duke mos harruar gjeneralin Theodhoros Pangallo, president i Greqisë në vitet 1925-1926 i cili, i afroi aq shumë dhe i bëri më të mira se kurrë mardhëniet në mes të Greqisë dhe Shqipërisë, madje deklaroi në Lidhjen e Kombeve në Gjenevë se njihte zyrtarisht minoritetin shqiptar në Greqi. Ndërkohë ai shpërndau të gjitha organizatat vorioepirote dhe pengoi shpërnguljen e mëtejshme të shqiptarëve myslimanë per në Turqi.
Disa nga arvanitasit e njohur ne krye te shtetit e te qeverise greke
Kiço Xhavella 1801 -1855, Andoni Kryeziu 1796-1865, Gjeorgjio Kondurioti 1772-1858, Dhimiter Vulgari 1801-1877, Dhimiter Qiriako 1811-1869, Athanasio Miauli 1815- 1867, Theodhoros Pangallos 1878-1952, Emanuil Repili 1863-1924, Pavlo Kondurioti 1885-1935, Aleksander Koroziu 1885-1941, Aleksander Diomiodi 1874-1951, Petro Vulgari 1884-1957.
E tani si mund ti konsiderojmë këto figura që i sherbyen lirisë e përparimit të popullit e kombit grek? Tradhëtarë?! Ah jo, zotërinj Bidoshë të Tiranës, historia nuk di të flasë me gjuhën e urrejtjes etnike, por të vertetës e të arsyes, të fakteve e të rrethanave. Ata që luftojnë për lirinë e popujve të tjerë, nuk mund të jenë tradhëtarë të popullit të vet. Aspirata për liri është universale dhe i kapërcen pragjet ultranacionaliste. Nga ana tjetër mendoj se nuk ka liri të plotë populli grek, sakohë që këto liri nuk ua njeh arvanitasve, etnive e minoriteteve të tjera brenda Greqisë, sepse e verteta eshte qe Greqia paradoksalisht ka bere shume prapa, shume me prapa se ka qene ne kohen e presidentit Pangallos. Por kjo normë, nuk vlen vetëm për Greqinë por për çdo shtet, popull e komb, edhe për ne shqiptarët gjithashtu…
Megaloidheja vertetë pushtoi tërë trurin grek, për të mos lënë hapsirë për arsye, as dëshirë për paqe e mirëkuptim në mes të dy popujve, por ajo, megaloidheja pra, nuk përfaqësonte dje dhe as nuk përfaqëson sot aspiratat e popullit të thjeshtë grek. Shovenizmi ishte tipar i qarqeve politike duke përfshirë dhe qëndrat fanatike të orthodhoksisë me frymë bizantine, që nuk ngurruan të masakrojnë madje edhe një prift mësues shqiptar, Papa Kristo Negovanin, që nuk e di pse ende nuk e shpallim shënjtor të orthodoksisë shqiptare, apo edhe për këtë duhet tu marrim leje grekëve?! Domosdo se i kemi në krye të Autoqefales, por ironikisht të miratuar nga shtetarët mendjeshkurtër shqiptarë.
Historia dihet, dihen edhe rrjedhimet, orekset, dhuna, gjaku. Dihet dinakëria e fqinjëve por dihet edhe miopia jonë, thënë më saktë i shtetarëve e politikanëve tanë, që sa i përket interesave kombëtare, na nxjerrin gjithnjë zbuluar e në pozita inferiore.
E tani që hendeku i madh në mes të dy kombeve është hapur aq i thellë nga Bidoshët e Grekoshët e këndej e andej kufirit, është e natyrshme që të ketë ende plot shkurre e ferra në mes të dy popujve. E prej shkurreve e ferrave të sotme nuk mund të gjykohet historia e djeshme, ku shqiptarët e grekët së bashku luftonin kundër hordhive pushtuese. Ndoshta Bidoshët shqiptarë ende mendojnë se do qe më mirë po të vazhdonim të ishin edhe sot e kësaj dite nën Turqinë.
Aristidh Kolia ishte një arvanitas i madh, krenar për gjakun e vet shqiptar, ishte për miqësi e dashuri në mes të dy popujve shqiptar e grek. Ai ngrinte ditën për diell ura miqësie që të tjerët, netëve të sterrta mesdhetare ja shkatrronin. Por nuk duhet harruar, ai ishte qytetar grek e mund të themi me bindje, një qytetar i madh grek, që e donte nga thellësia e shpirtit atë vend e atë popull ku kishte lindur. Por atij i dhëmbte e verteta, e vertete historike që ju mohohej arvanitëve që sollën lirinë e pavarësinë me trimërine e gjakun e tyre si dhe hodhën themelet e shtetit të ri grek.
Shpesh herë vepra e tij më e madhe “ Arvanitët dhe prejardhja e elinëve” keqkuptohet si nga ekstremistët greke por edhe ata shqiptarë. Të parët nuk pranojnë në asnjë mënyrë se ka ndonjë lidhje të populli grek me atë shqiptar, ndaj mohojnë çdo gjë që parashtron Aristidh Kolia në librin e tij, të dytët bëhen kritizer të sëmurë duke kërkuar që Aristidh Kolia të ishte një militant nacionalist shqiptar, e kur nuk e gjejnë kështu skematik siç e dëshërojnë nuk ngurrojnë ta konsiderojnë si një përhapës të ideve të helenizmit në kohen tonë.
Ka disa shqiptaro-grekë te shkolluar në fushën e gjuhësisë e studimeve historike, te strehuar e me trajtim financiar nga strukturat greke në Athinë, që në debate internetike perpiqën të hedhin poshtë çdo gjë që studiuesi arvanitas ka shkruar. Nadje ta quajnë thjeshtë një përsëritës e me keq një kopiues i rëndomtë veprave të arvanitasit të heshëm Kupidori. Këto anomimë, të shfaqur së voni në vitin 2006 tek Forumi Shqiptar në Internet, po bëjnë pikërisht atë që kemi parandjerë e që në shtyp e kemi trajtuar si vrasja e dytë e Aristidh Kolias, pra denigrimi e mohimi total i veprës së tij. Mirëpo ata që e vranë fizikisht nuk e konsiderojnë të mbaruar misionin e tyre antiarvanitas e antishqiptar pa i vrarë edhe veprën Aristidh Kolias.
Për të kuptuar qartë se çfarë përfaqeson vepra madhore “Arvanitët dhe prejardhja e elinëve” le të sjellim spjegimin e vetë autorit të kësaj vepre:
“ u përpoqa të faktoj, dhe më duket se e faktova, se historia greke që nuk merr parasysh arvanitët në epokën e re dhe pellazgët në atë të lashtë, as greke e as histori nuk quhet. Është thjeshtë një histori e sajuar.”
Prandaj nuk mund kurrsesi të kërkojmë tek Aristidh Kolia një njeri me ndjenja antigreke, siç duan ca ekstremistë shqiptarë, sepse kjo është jashtë çdo lloj llogjike, është një absurditet.
Ai nuk kishte urrejtje por kish dashuri. Dhe në këtë dashuri nuk bënte dallime në mes të grekëve e të shqiptarëve. Në esencë Aristidh Kolia ishte modeli i një njeriu europian, ashtu siç të gjithë ne, shqiptar e grekë, duhet të jemi nesër, se sot ende larg vazhdojmë jemi.
Aristidh Kolia, ish presidenti i Arvanitesve të Greqisë, ndryshe nuk mund të kuptohet por veç si arvanitasi me fat tragjik, si paraardhësi i tij Jorgo Maruga që themeloi shoqatën arvanitase në vitin 1983 e për këtë qarqet ultranacionaliste greke po atë vit e vranë, pra njeriu në mes të dy dashurive të mëdha, për dy popuj, dy shtete, që ende, si atavizëm historik, kishin në mes tyre një mal me urrejtje.
Si gjithë ekstremistët, të cilëve pasioni ua mund llogjikën, edhe artikullshkruesi
i gazetës “Sot” të Tiranës, Petrit Bidoshi, mesa duket, për këtë e urren në mënyrë të pakuptimtë studiuesin arvanitas. Mirëpo Bidoshi edhe pse në dukje shfaqet me slogane antigreke, do apo nuk do ai, bën lojën e megaloidhesë të qarqeve shoveniste te fqinjeve te jugut, te cilet ndryshe prej Aristidh Kolias, kërkojne armiqësi e jo dashuri e mirëkuptim në mes të dy popujve; e mundësisht kjo armiqësi të mos mbarojë kurrë, deri sa të pushtojnë, nëpër ëndërrime të marrëzishme e utopike Stambollin (Konstandinopolin) dhe Tiranën, megjithëse këtë të fundit ekonomikisht e kanë paralizuar.
Tek pi kafe pensionisti, tek lexon libra e gazeta diku në ndonjë prej kafeneve të përshumta të Tiranës, Bidoshi të mos e lejoj vehten të pushtohet nga idetë e zymta mbi Aristidh Kolian. Atje ku ka dritë (nuk është fjala për dritë elektrike por dritën e diturisë) nuk mund të trumbetohet se shihet errësirë, fjala është që të mos ngjasim me urithët, që kushdo e di se sa e urrejnë dritën me shkakun e thjeshtë se nuk kanë sy...
Bidoshi në titullin e shkrimit pyet veten " Si mund të hesht...?" e pergjigjen e ka brënda pyetjes së vet retorike, “Hesht kur nuk ke ç'të flasësh...” sepse njeriu bëhet qesharak kur fut në një thes zervat, kapsalliotët, gejxhët, sebastianët dhe....Aristidh Kolian , Jorgo Marugen e Anastas Kulluriotin. Pra agresorët me viktimat...
E për këtë inkoseguence të veten, të mos kerkojë të bëjë fajtor shkrimtarin e nderuar Ndriçim Kulla, që krahas disa botuesve të tjerë, përkujdeset që veprat e studiuesit martir të vinë në gjuhën shqipe, apo Atë Nikolla Markun e Kishës Autoqefale të Shën Marisë në Elbasan, i cili i ka idenë e ndritur që një rruge të qytetit ti verë emrin e arvanitasit të madh.
Ose të paktën, meqë nuk rri dot pa folur, veçori e çdo pensionisti kafeneve të Tiranës, Bidoshi le të perpiqet ti pergjigjet me pak fjalë pyetjes:
- Kush e pse e vranë Aristidh Kolian?!
Boston 2007
19 April 2007
HIERARKIA DHE LUMPENPOEZIA
DHE
LUMPENPOEZIA
Editori i nje gazete mund ti ndaloje vershimet
e lumpenpoeteve ne faqet e saj, por vec te mos harrojme se, nuk ka kala qe nuk e marrin te paaftet....
nga KOLEC TRABOINI
Hierarkia e autoreve, e vlerave ne letersi eshte vertete nje problem me interes per t'u diskutuar nga njerezit e letrave, por edhe lexuesit e pasionuar, sic ve ne dukje ne skicen e tij krijuesi Miri Dhrami. Hierarkia ne radhet e shkrimtareve nga disa mund te pranohet me entusiazem por, nga te tjere edhe mund te kundershtohet me ngulm. Po fundja, cfare e vendos nje shkrimtar ne krye te hierarkise dhe cfare nje tjeter e le perfund. Vendosja ne krye te hierarkise nuk eshte si vendosja e nje njeriu ne krye te bashkise. Aty nuk hyn vota publike, por me se shumti komisioni e makinacioni, aq me teper kur kritika letrare sot ne Shqiperi ne kuptimin e mirefillte, nuk ekziston.
Se ja, ti referohemi nje fakti . Ne nje shfaqje ne teatrin Kombetar ne Tirane ne fillim te ketij viti, u perkujtuan 15 apo16 figurat e letersise e te artit qe kane ndrruar jete vitin e kaluar. Mirepo edhe pse poeti i shquar shkodran Frederik Reshpja u nda nga jeta vitin e kaluar, ai nuk ishte ne radhet e atyre qe u perkujtuan me nderim, kur dimensionet e artit te tij jane te tilla qe e vene ate ne krye te poezise lirike shqiptare. A nuk shpreh kjo nje mentalitet te sotem shqiptar per vlersimet e letersise, qe ka mbetur ende nen tutelen e skemave te socrealizmit, kur hierarkija ishte prej guresh ciklopike e vec ideja e rivendosjeve te tyre, te conte ne pranga a te bente varrin per se gjalli.
Klasifikimi ka nje te mire sepse u jep sadisfaksion krijuesve te perkushtuar, mirepo e ka nje te keqe se kush eshte ai qe i vendos per ash shkrimtar se eshte ketu apo aty ne spiralen e hierarkise se letersise. Vleresimet me se shumti jane subjektive per te mos thene se edhe ne fushen e krijimtarise ka tarafe qe te ngrene apo te ulin sipas konjukturave edhe kur ndahen penat e arta e te argjenda.
A nuk u ndje fryma ( per te mos thene forca) e ndikimit te se djathtes ne pushtet ne konkursin e letersise se vitit te kaluar.E kjo ndodh sepse ndrrimi i pushtetit, ministrave, sjell edhe ndrrimin e aparatcikeve e si pasoje edhe krijimin e komisioneve a grupeve selektive. Cdo gje ne filtrin e frymen e partise, sa mund te thuhet kurrgje nuk ka ndryshuar nga dogma e djeshme e partishmerise qe jeton si hije prane institucioneve te kultures.
Cdo lloj klasifikimi ne pergjithesi eshte subjektiv. Aq me teper se ajo cfare sot konsiderohet si nje vlere absolute mund neser e gjen me perposhte. Pastaj ekziston rreziku i tmerrshem per artin qe kjo hierarki ta mbyse te ardhmen, ti zere frymen, te krijoje nje sistem te ngurte vlerash, nje shkrimtar i ri te shohe kudo vetem kolona te larta betonarme qe i zene metaforikisht diellin, ne vend qe te beje te kunderten.
Mendoj se arti duhet te clirohet prej ketyre koncepteve. Cdo njeri i pasionuar pas letersise krijon individualisht. Nje shkrimtar nuk duhet fare te merret me te tilla klasifikime qe gjithnje i bejne te tjeret e jo vete ata, sepse shkrimtari nuk ka kohe te perkedhele a te giciloje vetvehten per cfare nga dora e shpirti ka nxjerre, kjo edhe sepse i eshte "ngatrruar neper kembe" dicka e re, nje pasion i ri, nje veper e re...
Letersia eshte si pylli, ku ka drure te vegjel e te medhej, ku kurre nuk mund te thuash se druri me i bukur eshte ai qe eshte me i larti, mund qe ai me i larti te duket prej se largu, por mund mos jete ai me i bukuri per te gjithe syte e kalimtareve.
Ketu ne Amerike ka plot krijues te medhej amerikane, por qe nuk degjohen fare, por ka edhe krijues te tjere, veprat e te cileve jane shabllone, ca romane roze qe shpallen madje edhe bestseller ne New York Times, por qe pas dy a tre vjeteve i sheh te hedhura neper rruge me shumice dhe jane harruar megjithe bujen e madhe, e cila tashme eshte transformuar ne dollare.
Hierarkine me se shumti e krijojne dhe e gezojne profesoret e mplakur te Akademive te cilet jetojne me tituj e ndere e fjalime, shkruajne ca artikuj te merzitshem kilometrike ku i nenshkruajne Prof. Dr. e plot te tjera, kur totalisht jane ezaurur, kurse shkrimtaret nuk ezaurohen kurre, ata shkruajne( keq apo mire) deri ne fund te jetes.
Vendin qe u takon dhe vleresimin me se shumti shkrimtaret i marrin pas vdekjes, madje dhe atehere, jo ralle, rivendosja e tyre ne hierarkine e letersise behet sipas interesave qe notojne ne dy ekstreme, nga preferencat ideologjike( qe eshte bere dhunshem ne monizem) e deri ne ato komerciale. Botuesit e fryjne shpesh here nje shkrimtar per te nxjerre prej tij para. Madje per kete nuk pertojne te thyejne shpesh here edhe etiken e botuesit, kur per vepra te rendomta thuhet se jane kryevepra duke e kthyer letersine ne nje pazar.
Vini re gjendjen e sotme te letersise, ne te gjithe boten te duket se poezia ka vdekur, e megjithate ka poete te medhej, mirepo megjithe vlerat qe kane lexohen fare pak e librat e tyre nuk shiten pothuajse fare.
Ka shume faktore qe e kane prure kete gjendje indiferente ndaj poezise e nje prej ketyre eshte se sot jane bere te gjithe "poete", se ka dyndje te pafundmeve te njerezeve me e pa kulture e madje edhe pa arsimin e duhur, pa ndjesi po e po, me vellime vjershash ordinere, pa vizion, me lojra fjalesh pa kuptim, pa figurracion e me artifice ne ndjesi, thene hapur ka proletariat ne letersi. Nuk arrijne as nivelin e letersise se bejtexhive. Mirepo keta autore, nderkohe qe jane te paafte si poete, jane mjeshter te shquar ne vetpropogandimin e mediokrriteteve te veta. Si pulat qe kakarisin e cojne mehallen peshe per vezen, fryhen e mburren edhe keta per ca botime per t'u qare hallin. Madje ata kane aftesine te rrokin simpatine e antareve te komisioneve, te cilat, edhe keto, perbehen ne se shumti nga njerez qe nuk kane kurrfare talenti e jo me intuite per te vleresuar objektivisht veprat letrare, o i kane keto talente, por jane te perfshire ne tarafe e grupime ku mpleksen interesa te caktuara.
E keshtu na shpallen ne gazeta librat me lumpenpoezi qe fitojne cmime, ne ca konkurse letrare fiktive te shqiptareve ne Amerike, por edhe organizohen promovime pompoze veprash ordinere ne kryeqytetet e Europes, ne Tirane e Prishtine po e po... E kesaj i thone: Fryj moj ere, fryj, se do te leshojme tollumbace me ngjyra ne Rome. Se mos vetem ne Rome...ja edhe ne vendet ballkanike arrihet qe me para e taraf te botohet ndonje liber i rendomte, nga ndonje perkthyes spekulativ i rastit, liber qe me siguri nuk lexohet prej kurrkujt vec ruhen dy-tre ekzemplare prej autoreve, qe i tundin e i shkundin me mburrje ne sy te bashkatdhetareve
Botuesi i gazetes shqiptare ne Greqi, " Tribuna" Robert Goro, ka plotesisht te drejte kur flet per tonelata poezi mediokrre qe si editor i duhet te perballoje e refuzoje, por matane detit mendojne ndryshe, kane tjeter kut per te matur trajektoren poetike te diellit, kane kutin e mediokrritetit, kutin e parase qe te ben poet edhe kur je tabula rasa, pra krejt i paqene...
Editori i nje gazete mund ti ndaloje vershimet e lumpenpoeteve ne faqet e saj, por vec te mos harrojme se, nuk ka kala qe nuk e marrin te paaftet, aforizem i krijuar nga mentaliteti i mediokrritetit te djeshem komunist dhe i pershtatur aq natyrshem tek mediokrrit e sotem.
2007
www.traboini.com
09 April 2007
TAGRAMBLEDHËSIT E BOSTONIT
TAGRAMBLEDHËSIT E BOSTONIT:
KRRÈNI XHEPAT … “PËR KOSOVËN”!
Nga KOLEC TRABOINI
Këtu në Bostonin plak ka dalë një takëm i ri patriotësh pa qylaf e pa poture, por me kollaro të kuqe e me stilolaps në dorë e na ka lëshuar ca zëra kushtrim për ndihmë, për t’u hedhur në dorë dollarë se ashtu e kanë hallë. Fjalën e kanë se dollarët i duan “për Kosovën”, se emrin e saj e kanë vënë në krye të njoftimeve e shpalljeve të bujshme, por më pas, kur nisin e spjegojnë e merr vesh se këto para nuk do të shkojnë në Kosovë për fëmijët apo familjet e varfëra atje, por do të na u shpenzokan nga ky takëm i ri patriotësh për veprimtaritë që ata do të ndërmarrin në interes të Kosovës. Ta zëmë se do të hanë e pinë në ndonjë restorant me ndonjë kongresmen, në ndonjë darkë që do të kushtojë jo pak, por tre a katër mijë dollarë e ku, edhe këta tanët do ta dëndkan mirë e mirë plëncin… për Kosovën. Dhe mirë e kanë. Edhe barkun e mbushin edhe emrin e çeshtjen e Kosovës e ngrejne la e me la…
Duke i parë me kujdes nëpër disa tubime të shugëta, vëmë re se ata janë ca persona që jo shumë vite më parë nuk i njohte kurrkush, që nuk kanë patur pas shpatullave kurrfarë bagazhi veç hijes së vet. E këta ish hije, sot figura, janë lidhur me disa shoqata në Nju Jork, të cilat janë ngritur më tepër se sa për punë atdhetare, për ti bërë karrshillëk të madhit, ish kongresmenit shqiptaro-amerikan Xhozef Diogardi, që ka krijuar lobin e vetëm shqiptar, tepër aktiv e të njohur, që ka influencë deri në kongresin e senatin amerikan. Karrshillëku i është bërë ngaqë Diogardi ka qënë një kongresmen republikan, mirëpo ca shqiptarë mendjeshkurtër, të lidhun apo angazhuar me demokratët amerikane krijuan shoqatën rivale që me një gur të vrisnin dy zogj, të dilnin si kaposha në komunitet dhe të bënin propoganda partiake demokrate në rastet e zgjedhjeve në Amerikë. Janë të zgjuar ca kapo-shqiptarë të Amerikës, hakun të mos u a hamë. Dinë të bëjnë restorante ku shesin pica 1000 dollarëshe, por dinë edhe t’ja gjejnë anën politikës në mënyrë të atillë që të dalin vaj mbi lakra në punët mëmëdhetare e emri t’u pompohet në Tiranë e Prishtinë..
Dhe ca punë i kanë bërë siç i kanë menduar e goxha leverdi kanë patur. Madje ky soj takëmi i ri patriotësh me bateri, siç thotë një gazetar në Prishtinë, u ndezën e u përvëluan në dashuri të zjarrtë me qeveritarët socialistë.Viti 97 në vënd që ti tmerronte, u a ngrohu zemrat. U bënë miqtë më të dashur të Fatos Nanos e të aparatçikëve të tjerë, nga të cilët shpresonin tu hapej rruga e disa bizneseve të pabujshme në Shqipëri. Meqë vizitat kanë qënë të shumta në Tiranë, por të dhëna se me se janë marrë atje nuk ka, na mbetet vetëm të hamendsojmë se gjatë tetë vjetëve të socialistëve, patriotët me bateri të Nju Jorkut kanë ditur ti lëvizin gurët e zarit diku nëpër sektorët e ekonomisë së shpartalluar shqiptare, ku mund të hysh me një dorë para e të dalësh me një thes plot, sepse shteti konfuz nuk arrin të kontrollojë se çfarë bëhet brënda sinoreve të veta.
Në Nju Jork janë truri e mendja e takëmit të ri të patriotizmës, por tenxherja gjen kapakun si i thonë, edhe këta kanë ditur të gjejnë elementët e përshtatshëm këtu në Bostonin plak.
Takëmi i ri i Bostonit, në fillim u muar me disa veprime që kanë dukje, që të japin një emër. Pas kurseve në Nju Jork, edhe këta nisën të zbatonin parimin me një gur të vrasësh dy zogj. Pra të përzihen në veprimtari përkujtimore atdhetare, fillimisht për t’u dukur e pastaj hap pas hapi të marrin frenat e komunitetit shqiptar, për t’u kthyer në këtë qytet me veprimtari të vakët të komunitetit shqiptar, në një autoritet “vetë shkruaj e vetë vulos”.
Hakun të mos ua hamë, punuan me ngulmë e me zulmë sa s’ke ç’u thua këtij takëmi. Tanimë në këtë qytet janë vetëm ata.Tani dihet se kush është autoriteti, kryetari, i cili kollaron e mban të kuqe, ashtu si tërë sëra e shoqatës së tij në Nju Jork. Mban disintivin e shoqatës, ka një stilolaps që të mbajë shënime, për të krijuar përshtypjen e një dinjitari.
Mbase në këto udhëtime, i karikuar mirë me eufori, i lindi ideja të nisë një fushatë
për të mbledhur ca para. Se pa para nuk bëhet kurrgjë. E la vehten në histori Hasan Zyko Kamberi për ato çfarë shkroi për paranë. Fjalë të verteta. Bejtexhi, por burrë me mend paska qënë Zykua.
Ideja u përhap gojë në gojë “Jepni për Kosovën.”, “Jepni për Kosovën”. Kishte e ka njerëz që japin pa e vrarë shumë, mjafton tu përmendje emrin Kosovë. E këta ishin kryesisht disa kosovarë të mbetur pas strehimit të përkohshem që ju bë në Amerikë gjatë gjenocidit serb në 1999 e të vendosur kryesisht në qytetet e periferive në Massachusetc, por vetëm pak njerëz nga Bostoni kanë dhënë kontribute. Janë më dyshues bostonianët mesa duket. Se bostonianët kanë parë shumë. I nuhasin të gjitha marifetet e shoqataxhinjëve. Nuk e japin dollarin pa u bindur për destinacionin. Megjithatë paraja vazhdon të rrjedhë… “për Kosovën”.
Mirëpo gjithmonë me rrjedhjen e parave lindin dyshimet. Ku venë?! Për ti dalë para ndonjë të papriture, miqtë e takëmit të vetëshpallur, japin spjegimet e veta disi të vagullta, sepse flasin siç u kanë thënë të flasin, por nuk e dinë se kush i fut e nxjerr duart në arkën e fondit të ashtquajtur “për Kosovën”.
Lexuam nje farë argumenti që sjellin bashkëpunëtorët e patriotit me bateri të Bostonit, argument që jo vetëm nuk jep hapsirë për tu qartësuar, përkundrazi fut në tymnajë çdo mendje të kthjelltë shqiptari që jeton në Amerikë:
"Ne duhet të paguajmë sot seicili sa të ketë mundësi, që në Kosovën e ardhëshme të gjithë të jenë të barabartë përpara ligjit, dhe të mos ketë të paraprivilegjuar. Që minoritetet dhe pakicat të gëzojnë të drejtat maksimale sipas ligjeve ndërkombëtare dhe të përfaqsohen kudo në raport me përqindjen reale që kanë..."Eja merre vesh se përse duhet të zbrazësh xhepat?! Jep para që njerëzit të jenë të barabartë para ligjit!!! Kjo është si një retorike boshe, që të krijon idenë panikuese se ndodhesh para një mashtrimi të madh, se, si na dalka që me ca ndihma 10-20 dollarëshe, makari dhe 100 apo 1000, ky grup që mbledh para jashtë çdo lloj kontrolli, të na bëkërka punë të mëdha, më të mëdha se sa mund të bëjë ta zëmë OKB, BE, vetë Kosova, që gjithësesi është e lirë. Në Kosovë sot ka ligje që veprojnë, ka Ministri Drejtësie, Gjykata e nuk e di se si e kush, do ta sillka barazinë para ligjit duke mbledhur para në
Po ti pyesësh më thellë, ata thonë se duhen paguar para për të bërë propoganda në gazeta në Amerikë, shkrime në “Nju Jork Times” e ca argumenta të tjera të vagullta, ku të paktën merret vesh se asnjë kacille nuk do të shkojë në Prishtinë.
Thënë hapur do ti përdorin për ca punë që ata i dinë. E fundja kujt do ti japin llogari kur janë të vetzgjedhur, vetë shkruaj e vetë vulos. Ja më poshtë një tjetër shprehje origjinale e kësaj inisiative “Jepni për Kosovën!”, që të duket jo një zë i arsyeshëm dhe i argumentuar, por si një thirrje pompoze tregtarësh në ditë pazari, që ngrejnë në qiell vlerën e mallrave të veta, shpesh herë kallp: “Ne duhet të paguajmë sa më shumë sot, për të mirën e të gjithëve që jetojnë në ato troje, dhe të sigurohet paqe dhe prosperitet jo vetëm për Kosovën por për të gjithë shtetet e atij rajoni…” Pra krrè xhepat për “Kosovën” o mergimtar, për të siguruar prosperitet për popujt e Ballkanit.
U rroftë mëndja që kanë. Mendimi i lartë që kanë për vetveten. Sikur të ishin titullarët e OKB-së.
Në një bisedë me një zonjë veprimtare, gjatë një seance premiere të filmit dokumentar “Gjergj Kastrioti Skenderbeu” që u zhvillua në “Boston University” u hap fjalë dhe për këtë fushatë të rë dollarëmbledhëse. Jo, nguli këmbë veprimtarja. Ka një keqkuptim të madh. Ne nuk do të mbledhim para për Kosovën. Në fillim ka qënë fjala të mbledhim ca para për të ndihmuar disa familje kosovare me shumë fëmijë këtu në
Pra thënë hapur flitet për ndihma për Kosovën por në Kosovë kurrnji qindarkë dollari nuk do të shkojë.
Gjithësesi të ketë qënë zanafilla, mënyra se si paraqitet para emigracionit shqiptar në Boston e në qytetet për rreth se u dashka derdhur para kinse për Kosovën, shprehjet pompoze që nuk kanë as kokë e as bisht, që janë si ngjalat që nuk i kap dot as me gjeth fiku, nuk janë naivitete fëmijesh, por mentalitete burrash me kollaro të kuqe, me disigtiv e stilograf, që dalin në krye të çdo veprimtarie me një flamur të madh, pozojnë në fotografi nën hijen e zhgabës e ju duket vetja zhgabë e përmbi zhgabë, janë fort të qeshur e mjaltë nga goja nxjerrin, por me bisht të syrit dhe të mëndjes shohin në xhepat e mergimtarëve, për ti tundur e shkundur.
Tam-tamet atdhetare nuk i ndihmojnë dot patriotët me bateri. Aq më tepër, me të tilla primitivitete, si nëpër skena groteske e bufonada, jo vetëm nuk ndihmohet, por dëmtohet rëndë çeshtja e Kosovës.
www.traboini.com