12 March 2008

DIPLOMACIA E FRIKËS- nga Kolec Traboini

DIPLOMACIA E FRIKËS
Dashuria që buron nga frika është hipokrizi.

nga KOLEC TRABOINI
Boston


Nuk besoj se është ndonjë gjeder i madh që në një forum interneti, madje edhe në shtypin e përditshëm a periodik, të flasim e shprehim mendime se përse jemi për këtë apo atë kandidat për president në Amerikën ku jetojnë e gëzojmë statusin e qytetarit, ku punojmë e paguajmë taksa, me të cilat mbahet në këmbë shteti dhe administrata, prandaj ndërhyrja e zëvëndësambasadorit shqiptar Kreshnik Çollaku me një manual këshillash që më shumë shprehin frikë se sa orjentojnë, na u shfaq si rrufe në qiell të kthjellët. Demokracia ku jetojmë e krijon hapsirën e meditimit dhe të shprehjes publike, ndaj nuk e shohim me vend kurrfarë shqetësimi. Duke qënë votues, nëse si shqiptar shprehim një mendim, që aksh kandidat nuk na pelqen, ky deklarim qoftë dhe publik, nuk mund të konceptohet në mënyrë absurde si frymë antiamerikane, as antishqiptare siç e komentojnë disa individ në debatet e internetit. Gjithashtu preferenca e hapur për një parti a një tjetër nuk ka pse të cilësohet si dashuri idiote. Kushdo që kerkon të imponojë e jo të bashkëbisedojë, bie në dashuri me intolerancen. Këtë duhet t’a kuptojmë si një prej elementeve të demokracisë ku jetojmë e që konsiston tek toleranca për mendimin e tjetrit, për mendimin ndryshe... Këtu ka senatorë demokratë si Xhon Kerri që është nga shteti i Masachusets, që doli publikisht mbështetës i Barak Obamës nderkohe që ky shtet me shumicë votoi për Hillari Klintonin. Pra senatori doli zbuluar përpara votuesve të vet dhe e ka problem rizgjedhjen në Senat, sepse në elektorat ka humbur mjaft pikë, e megjithë nuk ngurroi të dalë në kahjen tjetër të opinionit. Deri këtu konformë demokracisë jemi. Prandaj nuk ka pse të druhemi që të flasim për gjëra që na pelqejmë, në një forum të lirë interneti apo qoftë dhe gazetë. Komuniteti shqiptar nuk është qeveria shqiptare apo parlamenti që nxjerr rezoluta, prandaj dhe nuk e kuptoj fare këshillën e dërguar me shkrim via internet, disi si kambanë alarmi, që funksionari i Ambasadës Shqiptare në Amerikë, ka formuluar e përcjellur në internet duke dhënë këshilla “mençurie” se si duhet të sillet komuniteti shqiptar në zgjedhjet presidenciale. Të lë pa mend kjo ndërhyrje. Shyqyr që shtypi amerikan nuk i kushton pikë rëndësie kësisoj vogëlimave se ndryshe do të bëheshim për faqe të zezë. Ç’punë ka një zevëndësambasador të mësoj votuesit amerikan me origjinë shqiptare se si duhet të sillen. Kush e njeh për mësues të komunitetit? A i di ai detyrat e veta, apo mbasi i ka kryer detyrat e shtëpisë të ngarkuar nga shefat e vet në Tiranë, bën edhe punë vullnetare nëpër linjat e internetit. Ja fjalë për fjalë një shprehje, me gërma të vogla e të mëdha, sipas origjinalit qe ka percjellë diplomati i lartë i qeverisë së Tiranës:
mendoj se eshte apsolutisht e PAPRANUESHME, qe ne BLLOK diaspora shqiptare ne SHBA te shfaqet pro apo kundra nje kandidati …Kjo mund te jete nje veprim emocional ,i pamotivuar dhe JASHTEZAKONISHT NAIV DHE IRRACIONAL,e mbase edhe i DEMSHEM per ceshtjen shqiptare ,e cila ka nevoje per miq te medhenj si SHBA.”
Çfarë shpreh ky panik i z. Çollaku?! Si u rrezikokan mardhëniat e Shqipërisë dhe të shqiptarëve në tërësi nëse komuniteti en-bloc voton për një kandidat. Kjo jo vetëm që është e pamundur dhe është një shqetësim krejt bosh, sepse njerëzit kanë bindje e preferenca të ndryshme madje edhe brënda një familje, por edhe sikur hipotikisht të ndodh fantazia e frikeshme e diplomatit tonë, cili është ai president i zgjedhur i Amerikës që paska kohë të merret me hollësira të tilla banale se si ka votuar ky apo ai komunitet. Si mund të hamendsohet hakmarrës një president i Amerikës? Si mund të dëmtojë ai çeshtjen kombëtare të shqiptarëve? Si mund ai të çbëjë politikën e Amerikës në një ditë të bukur me diell? Si nuk e di zevëndësambasadori ynë që pavarësisht se shefat e Shtëpisë së Bardhë ndrrohen, politika afatgjate amerikane nuk pëson devijime të thella. Dihen interesat e Amerikës në Ballkan, dihet raporti me ruset dhe problemi i përballimit të ekspansionit të tyre në Ballkan. Amerika ka njëbaze ushtarake në Kosovë prej të cilës zor se largohen ndonjëherë ushtarët amerikanë. Ballkani gjithmonë e ka rrezikuar paqen e Europës, aleates së Amerikës ndaj kjo e fundit nuk mund ta lërë jashtë vemendje këtë rajon, pavarësisht se kush vjen president në Shtepinë e Bardhë, republikan apo demokrat qofte ai.
Më poshte zoti Çollaku shkruan i kapluar nga frika diplomatike, sa nuk ka arritur as të respektojë rregullat e gjuhës letrare shqipe, të detyrueshme për zyrtarët e rangut të tij:  

Me thuaj c mund te ndodhe nese kandidati ne fjale behet president i SHBA??? E ne rast se behet publik fakti qe shqiptaret e amerikes kane qene agresive kundra tij ???? Kjo e ndihmon apo demton ceshtjen shqiptare???”
 
Çfarë ka ndodhur që e detyron një diplomat të lartë të shkruaj në panik, me një të shprehur aspak diplomatike e tepër konfuze?
Veprimtari shqiptaro-amerikan Garry Kokalari, paradokohe përcillte opinionin e vet se kush nga kandidatët republikanë apo demokratë është më i ndjeshëm në çeshtjen shqiptare. Kjo në bazë të deklaratave të tyre të herëshme apo dhe gjatë fushatës partiake. Zotit Kokalari, në raport me bindjet e veta i rezultonte se kandidati me pranë interesave të shqiptarëve është Xhon Mekejn, po ashtu në një plan edhe Hillari Klinton, ndërkohë që kandidatin Barak Obama e cilësonte si të vakët në çeshtjen shqiptare, kjo për faktin se përflitet se kandidati afroamerikan, me baba nga Kenia, ka lidhje me Guvernatorin e Ilinoisit që ka origjinë serbe. Por për të qënë të saktë duhet vënë në dukje se për çeshtjën e Kosovës, Barak Obama ka një deklarim konform politikës aktuale amerikane, por gjithësesi shfaqet i përmbajtur, e jo aq entusiast si Hillari Klinton e Xhon Mekejn.
Ky gjykim i Kokalarit nuk ka pse të ngjallë shqetësimin e askujt, sepse në Amerikë, çdo votues bën llogaritë e veta, se përse e për kë duhet ta hedh votën. Kështu është e natyrshme të gjykojnë edhe shqiptarët që kanë qytetarinë amerikane. Kjo dihet. Edhe kandidatet të cilët luftojnë qofte edhe për një votë të vetme në elektrorat, e dinë këtë, prandaj dhe gjejne rast e bëjnë premtime. Kush premton më shumë, është e natyrshme të marrë më shumë vota. Është e natyrshme gjithashtu që edhe ne shqiptarët me njeri-tjetrin të hyjmë në diskutime se kush është me i dobishën aktualisht për ne. Këto mendime madje i shprehim edhe në forumet e internetit pa drojë. Se fundja kështu bëjnë të gjithë. Edhe vetë amerikanët. Në radio, gazeta e kudo. Këtu deklarohen edhe kongresmenët, e guvernatorët e shteteve të Amerikës si ai i Kalifornias Shvarceneker që doli në përkrahje të Mekejnit. Atëherë pse ti hyjë paniku diplomacisë naive shqiptare se çfarë diskutojnë nder vedi shqiptarët e Amerikës. Çfarë i hyn në hesap ambasadorit apo vetë shtetit shqiptar nëse unë, ta zëmë, shkruaj se nuk e jap votën për Obamën për disa arsye, por kryesorja sepse ai mbështetët tek oratoria, fjalët e bukura, zëri elekuent, por realisht nuk thotë kurrgjë. Nuk sjell as dhe një fakt real se çfarë do të jetë ndryshimi për të cilin trumbeton me të madhe ai dhe në fillim edhe media. Aq bajate është bërë shprehja të ndryshojmë, sa amerikanët kanë nisur të qeshin “të ndryshojmë për hir të ndryshimit…”. Pra së pari nuk e përkrah sepse nuk më pelqen demagogjia. Fjalet e mëdha e gurët në trastë siç thotë populli ynë.Mos i shiko gunën por punën. Koncepti im mbi ndryshimin nuk qëndron tek fjala, as tek ndrrimi i ngjyrës a racës presidenciale, por në ndryshimin e konceptit, sepse së pari duhet ndryshuar fytyra e shtetit amerikan në botë. Sot në botë e urrejnë Amerikën shumë më tepër se para dy luftrave të fundit. Lufta në Kosovë e ngriti emrin e Amerikës lart, i dha dinjitet në mbarë botën, sepse ishte e para luftë që u bë për humanizëm dhe pa kurrfarë interesi, ndërsa ajo e Afganistanit më pak, lufta e Irakut më shumeë zbehu këtë prestigj. Ndoshta me ardhjen e një presidenti grua dhe përfundimi i luftës në Irak, prestigji i Amerikës rritet, portreti i saj bëhet më paqësor dhe më i dashur. Diplomacia predominon mbi forcën e dhuna në botë nis e zbutet. Pertej kësaj, dihet se në kohën e Bill Klintonit ekonomia amerikane ishte e fortë. Ka shumë që shpresojnë se me Klintonët sërisht në Shtëpinë e Bardhë, ekonomia në rënie përmirësohet. Kushdo që shkon nga Amerika në Shqipëri dhe vende të tjera, e ndjen në xhepin e vet zgërlaqjen e dollarit në raport me euron e Bashkimit Europian.
P
ër bindjet individuale nuk besoj se duhet marrë leje ndokujt që ti afishojmë apo ti mbajmë në xhepin e vogël të brëndshëm të xhaketës, siç na këshillojnë edhe ca shqiptarë që bëjnë të zgjuarin, tek gjënden në mbështetje të diplomacisë së frikës të diplomatit shqiptar. E tërë kjo frikë absurde konsiston në fantazinë se mos kush do të zgjidhet president, do të hakmerret ndaj Shqipërisë e Kosovës e shqiptareve në përgjithësi. Këto njerëz vazhdojnë të jetojnë me dy mentalitete të ngulitura nga koha e diktaturave komuniste, mentalitin e frikës prej atij që vjen në krye të punëve të shtetit më të madh të botës dhe dyta mentalitetin e kultit të individit, se gjoja ai që vjen në krye mund të bëjë çdo gjë, madje edhe gjëmen. Harrojnë këta se Amerika ka një politikë solide në linjat ndërkombëtare, kur i mbron shqiptarët nuk besoj se niset nga sentimentet, por nga interesat e saj rajonale. Pavarësisht nga krahu politik, ai që zgjidhet, bëhet president i tërë amerikanëve, edhe atyre që e zgjedhin, por edhe atyre që ishin kundra, pra mbron interesat e Amerikës e jo të partive në politikën ndërkombëtare.
Tetë vjet më parë diplomacia e shqiptare në Uashington u kaplua prej të njëjtës frikë e panik, sepse mjaft shqiptaro-amerikane ishin fort aktivë me demokratët në fushatën presidenciale pro kandidatit Al Gore që përballohej me Xhorxh Bushin e ri, i cili, ky i fundit, i fitoi të dy zgjedhjet përballë kundërshtarëve demokratë. Po a ndryshoi ndonjë gjë nga politika amerikane e mëparshme e kohës së Bill Klintonit, për të cilin shqiptarët kanë admirimin të madh. Nuk ndryshoi asgjë. Madje presidenti Bush, për të cilin mjaft shqiptarë votuan kundra, duke përfshirë dhe autorin e këtij shkrimi, u bë po aq i dashur për Shqipërinë, Kosovën e të gjithë shqiptarët pa përjashtim. Presidenti Bush jo vetëm vizitoi Shqipërinë, ku u prit si mik i madh por ishte dhe faktori detreminant për shpalljen e pavarësisë së Kosovës. Kështu që frika diplomatike e asaj dhe e kësaj kohe, janë vec tundime ireale që burojnë prej një pasigurie zyrtaresh që pak janë të lidhur me realitetin politik dhe bëjnë një punë të mbyllur larg vizioneve moderne.
Ndoshta është vëndi për të thënë se, të dëmshëm për një shoqëri apo apo një mjedis nuk janë ata që shfaqin mendimet hapur, qofshin pro apo kundra, por ata individ apo instanca që e ndalojnë të shfaqet, kur individi dëshëron dhe e ndjen si një nevojë të brëndëshme ta bëjë një shfaqje të tillë.
Pikërisht për këtë Amerika është vendi ku njeriu e ndjen lirinë deri në indet e veta dhe në çdo volum fllad ajri që thith në mushkëri. Kuintesenca e lirisë; e drejta dhe krenaria, dinjiteti për tu shfaqur ai që je e që të nderon e të respekton në mes të barabartëve.
Nuk gjen udhëheqës më të thjeshtë në botë se sa ai që drejton shtetin më të madh e me të lirë të botës, pra Amerikën. Kjo sepse ai udheheq një popull të lirë, ku çdo individ ka dinjitetin e një presidenti e këtë e pohon nga mënyra se si thotë "Jam amerikan!" A mund të dalim në shqiptarët para shtetarëve tanë të një shtetit me pak milion banorë, e tu themi me krenari m’i kthe pronat e marruna me përdhunë se "Jam shqiptar". E themi ne, por çfarë mendojnë ata, qeveritarët dhe nënpunësit. Me cilin bisht syri na shohin?!Ndoshta duke e patur një mik të madh si Amerika, do të mund të mësojme diçka të mirë e të dobishme prej saj. Të mësojmë të duam atdheun e Statujës së Lirisë, të Uashingtonit, Tomas Xhefersonit dhe Linkolnit nga thellësia e shpirtit e kurrësesi nga frika, sepse dashuria që buron nga frika nuk është kurrgjë tjetër veç hipokrizi.

Mars 2008
Vazhdimi i polemikes: