25 March 2013

NJE TAKIM EKOLOGJIK



NJE TAKIM EKOLOGJIK

Kur po shihja gazetat në sheshin "Willson" vura re se një njeri po më shihte, kthej kokën e dalloj ekologjistin Sazan Guri. Nuk jemi takuar kurrë veç e kam parë shpesh në intervista e panele televizive që mbron një kauzë të drejtë. Mirëpo gjithmonë më është dukur se ai ju flet njerëzve që nuk duan të dëgjojnë, si ti predikosh një kasapi mos pre qëngja sepse shkatrrimi ekologjik këtu është në sistem.
I zgjatëm dorën njëri tjetrit e meqë nuk dija çfarë ti thosha, më erdhi ndërmënd veç një shprehje:
- I nderur Sazan Guri, jemi shumë mirë me realizimin e planit 100/100 për intervista e panele televizive, kam parasysh edhe ish bashkëstudentin tim në Universitet Gëzim Tushi për sociologjinë, por përveç suksesit mediatik në terren nuk kemi kurrgjë. Kashtë e byk.
Ekologjisti as qeshi e as u vrejt por më pa me një vështrim që nuk shprehte asgjë. Mbase nuk priste ti flisja ashtu. Ishim përballë gazetave të shumta me problematika të "mëdha", ndërsa rreth e qark sheshit "Willson", kundërmonin plehrat dhe makinat e panumërta villnin tym të zi.
Kjo fotografi fakton se takimi ka ndodhur, nuk ka qënë i rremë dhe as problemi ekologjik nuk ka qënë butaforik anipse në fushatën zgjedhore ne do të dalim me parulla si jemi vendi më i pastër në botë...Jemi a s'jemi?!

Kolec Traboini
Tiranë, 22 mars 2013