KUR POEZIA SHKELET ME KEMBE SI LULET
Të paktën një ditë në vit Mediat duhej të
flisnin për poezinë pikerisht me 21 mars të çdo viti që është dita e saj ndërkombëtarish
e njohur. E kam fjalën për poezinë e vertetë e jo surogatot pa shije që të kujtojnë
bejtexhijtë e shekullit të 18 a më përtej. Ta zëmë si ndodh që në librari nuk i
pranojnë librat me poezi. E akoma më tej si ndodh që poezia nuk shitet. E
megjithatë e kërkoj Sadri Ahmetin nëpër librari e nuk e gjej. Kërkoj Frederik Rreshpën e nuk e gjej. Viktor Qurku askund. E
rri e mendoj pse...e po vetes i përgjigjem:
Nuk i blejnë poetët as të "mëdhej"
e as të "vegjël" qofshin, me
shkakun se ka një lukuni vargjeshkruesish të cilët mendojnë e se mund të
shkruajnë poezi pa lexuar asnjë rrjesht.
Sikur vetëm këta që bëhen ndoshta 5 mije
vetë në Shqiperi e Diasporë të blenin një libër të një autori serioz, poezia
nuk do të binte në tokë e nuk do të shitej nga bukinistët në trotuarët a bordurët
e parkut “Rinia”. Këta soj shkruesish që duhej të ishin kontigjenti i parë blerësish
nuk duan tia dinë fare se poezia nuk të vjen në prëhër ashtu kot, se poezia është
një kërkim e mundim e për më tepër përjetim emocional e jo indiferencë për çfarë
ndodh rreth teje. Por ata e kanë zgjidhur rrugën, shkruajnë pa fund, e
gjithshfarë soj naivitetesh pa kripë edhe duke e ditur se në të vertetë janë të
destinuar të harrohen, botojnë pa ju dridhur qërpiku se ka edhe plot botues që
miklohen prej parave të shkarrashkruesve. Duhet thënë se kjo kategori kanë
mendimin se me para bëhësh gjithçka në
Shqipëri. Këta soj i kanë gjetur lidhjet me Televizionet madje depërtojnë edhe
tek TV Publik, bëjnë zhurmë mediatike , darovisin ndonjë
pseudokritik teveqel për ti laskandruar
në gazeta. Këta harrojnë apo bëjnë sikur harrojnë që kushdo që ka pasion poezinë
para se të shkrujë duhet të lexojë, duhet të kuptojë e shkallë shkallë të nis të
ndjej se pa përjetim emocional nuk mund të krijosh asgjë me vlerë. Eshtë si
puna e polenit apo dhe aromës së luleve....kur themi lule pa aromë pësojmë një
ndjesi thatësire e boshëllëku.
Nuk i duam ato lule sado të bukura në
ngjyrë qofshin dhe i konsiderojmë thjeshtë si lule për varreza. Dhe tjetra, kur
flitet për poezinë duhet folur me fjalë të thjeshta, ai që është i madh në poezi është
mendimi, ndjenja, dhe figuracioni...e jo bubullima e fjalëve që rrëzohen si
gjethe në vjeshtë.
Për
poezinë mund të flitet shumë e pafund se problemet e krijmtarisë janë të mëdha
në këtë vënd ku arti shihet si handikap social, por lakonizmi duhet të jetë jo
vetëm një mënyrë shprehje kur shkruhet poezia, por edhe kur flitet për të, që ajo
të mos u thojë pseudokritikëve e recensuesve me pagesë – ej, ku shkoni aq larg,
më lodhët, unë nuk jam ajo për të cilën shkruani me aq emfazë, nuk jam
tollumbace me ngjyra, që të më fluturojë era në qiej, jam e thjeshtë si lulja e parë që
del në pranverë e që mjerish shumë kush më shkel me këmbë pa dhimbje.