11 May 2020

đŸŸȘ MĂ«suesi ynĂ« i filmit Kristaq Dhamo - nga K.P. Traboini

Regjisori Kristaq Dhamo dhe autori i shkrimit Kolec Traboini

Nga K. P. TRABOINI

NĂ« biseda tĂ« thjeshta, nĂ« komunikim njerĂ«zor, duke na trajtuar si tĂ« barabartĂ«, me njĂ« modesti tĂ« admirueshme Kristaq Dhamo na mĂ«soi tĂ« bĂ«jmĂ« filma. Ai ishte dhe vazhdoi tĂ« jetĂ« derisa Kinostudio u rrĂ«nua nga vandalĂ«t politike tĂ« kulturĂ«s, mĂ«suesi ynĂ« model nĂ« kinematografi! Dua tĂ« sjell njĂ« ngjarje tĂ« veçantĂ« pĂ«r tĂ« pohuar se megjithĂ«se drejtues Kristaq Dhamo nuk ishte njeri skematik, as i ngurtĂ«, as i sertĂ«, siç kishte shumĂ« tĂ« tjerĂ« nĂ« atĂ« regjim imponues. Ruaj nĂ« kujtesĂ« njĂ« ngjarje qĂ« kurrĂ« nuk e harroj.  Kryeredaktori i gazetĂ«s "Drita" Duro Mustafaj kishte bĂ«rĂ« njĂ« kĂ«rkesĂ« qĂ« tĂ« mĂ« merrte nĂ« redaksi si sekretar i kolegjumit, me qĂ« e hoqĂ«n Abdyrrahim Myftiun pĂ«r "PashallarĂ«t e kuq" tĂ« Ismail KadaresĂ«. AtĂ« kohĂ« isha redaktor nĂ« sektorin e filmit kronikal por redaksinĂ« e kishim tĂ« pĂ«rbashkĂ«t me filmin artistik. MĂ« thirri nĂ« zyrĂ«n e tij Kristaq Dhamo, udhĂ«heqĂ«si artistik, e me mirĂ«sjellje mĂ« tha. Ka njĂ« kĂ«rkesĂ« emĂ«rimi pĂ«r ty, tĂ« shkosh sekretar kolegjiumi nĂ« gazetĂ«n "Drita". ÇfarĂ« mendon, me pyeti. Ngrita supet. Nuk e di, u shpreha. Por, vazhdova,  ma prish mendjen rritja e rrogĂ«s se kam dy fĂ«mijĂ« pĂ«r tĂ« rritur. Sapo e kuptoi se kisha  njĂ« mendim tĂ« luhatun mĂ« tha: Mos shko. U çudita, se Kristaq Dhamo kishte marrĂ« pĂ«rsipĂ«r tĂ« mĂ« komunikonte e jo tĂ« mĂ« thoshte mos shko. E pa qĂ« unĂ« po dyshoja e buzĂ«qeshi. Je i ri - mĂ« tha, atje Ă«shtĂ« njĂ« çerdhe grenzash, do tĂ« hanĂ«. U topita. Ato fjalĂ« nuk guxonte ti thoshte askush nĂ« atĂ« kohĂ«. Po ai e tha hapur e pa as mĂ« tĂ« voglin hezitim. NĂ« do kĂ«shillĂ«n time, vazhdoi me ton solid Kristaq Dhamo, mos shko. MĂ« bindi. Pastaj shtoi. PĂ«r rrogĂ«n mos u bĂ«j merak. Do tĂ« bĂ«jmĂ« njĂ« ndarje nĂ« redaksi, ty do tĂ« propozoj nĂ« drejtori si pĂ«rgjegjĂ«s i redaksisĂ« sĂ« filmit dokumentar. KĂ«tu do tĂ« jesh mĂ« mirĂ«.
Jo vetëm me bindi, por edhe më shpëtoi nga ndonjë situatë e vështirë që mund të më ndodhte në çerdhen e grenzave të Lidhjes se Shkrimtareve ku i hanin kokat njeri-tjetrit. E falënderova për sinqeritetin dhe për këshillën. Ai më buzëqeshi e më rrahu krahët. Je më mirë e më i sigurtë këtu në Kinostudio, më tha dhe u ndamë.
Nuk shkoi gjatĂ« dhe mĂ« emĂ«ruan pĂ«rgjegjĂ«s i RedaksisĂ« sĂ« filmit dokumentar dhe pĂ«r 10 vjet e kreva atĂ« detyrĂ« qĂ« nuk ishte e lehtĂ«, por sa kohĂ« kisha udhĂ«heqĂ«s artistik Kristaq Dhamon, falĂ« fantazisĂ« sĂ« tij krijuese mbresĂ«lĂ«nĂ«se,  gjithmonĂ« gjendeshin zgjidhjet artistike. MĂ«sova shumĂ« prej tij sidomos nĂ« aspektet e dramaturgjisĂ« dhe regjisurĂ«s, por edhe ai kishte besim tek krijuesit e rinj. I pĂ«rkrahte pa kursim. MĂ« kujtohet se kur mĂ« miratoi pĂ«r realizim skenarin e filmit "DĂ«shmi nga Barleti", (me operator Ibrahim Kasapi), mĂ« tha "Ă«shtĂ« shumĂ« i vĂ«shtirĂ«, nuk e di si do t’ia dalĂ«sh, por duke parĂ« pasionin tĂ«nd pĂ«r kĂ«tĂ« realizim kam besim tĂ« plotĂ« se do tĂ« bĂ«sh diçka tĂ« mirĂ«.". Kur mbarova filmin dhe e ia paraqita para se ta shfaqnim nĂ« kolektivin krijues, na shtrĂ«ngoi dorĂ«n e tha: keni bĂ«rĂ« njĂ« film shumĂ« tĂ« bukur, madje mĂ« tĂ« mirĂ« nga se e mendoja. I tillĂ« ishte udhĂ«heqĂ«si artistik Kristaq Dhamo. Edhe pse nĂ« fillim mund tĂ« kishte rezerva, duke parĂ« pasionin e krijuesve tĂ« rinj,  i motivonte e pĂ«rkrahte ata pa kursim. AtĂ« vit filmi "DĂ«shmi nga Barleti" u shpall realizimi mĂ« i mirĂ« dokumentar i vitit 1990 dhe mori shpĂ«rblimin e caktuar nĂ« vlera monetare. Po ky Ă«shtĂ« vetĂ«m njĂ« episod i vogĂ«l qĂ« ka tĂ« bĂ«jĂ« me mua, por ai ishte mĂ«sues e udhĂ«heqĂ«s artistik pĂ«r njĂ« plejadĂ« artistĂ«sh tĂ« rinj qĂ« ruajnĂ« njĂ« mirĂ«njohje tĂ« madhe pĂ«r tĂ«. E vĂ«rteta Ă«shtĂ« se Kristaq Dhamo na konsideron si shokĂ« e miq, si kolegĂ«, por ai ishte e mbetet gjithmonĂ« mĂ«suesi ynĂ« i filmit!
Nga ana profesionale thjeshtĂ« dua tĂ« vĂ« nĂ« dukje se Kristaq Dhamo, ky krijues e modest i madh, mban mbi shpatulla meritĂ«n mĂ« tĂ« jashtĂ«zakonshme nĂ« kinematografi, Ă«shtĂ« regjisor i tĂ« parit film artistik tĂ« plotĂ« shqiptar "Tana" pĂ«ruruar mĂ« 17 gusht 1958,  i cili, pa as mĂ« tĂ« voglin dyshim Ă«shtĂ« shkolla e filmit shqiptar.


                                                             *      *      *




Në kushtet e një shoqërie kaotike, harraqe, ku në biseda televizive apo në shtyp për kinematografinë dalin e flasin soj-soj njerëzish që nuk dinë asgjë si ka proceduar filmi shqiptar, duke lënë e mënjanuar krijuesit e mëdhenj të filmit, mendova se dy fjalë duheshin folur që të mos ngrejnë idhuj të rremë duke i quajtur madje koka të mëdha të kinematografise edhe ata që ishin më të zakonëshmit. Gjithashtu desha që themeluesi i filmit artistik shqiptar Kristaq Dhamo të ndjejë e të kuptojë se tek njerëzit, bashkpunëtorët e kolegët, tek nxënësit e tij ka lënë përshtypje të mira dhe të mirat që ka bërë nuk kanë humbur. Por nuk u nguta të shkruaj biografi për Kristaq Dhamon. Nuk më takon mua. Por thjeshte të jap impresionin tim. Do të desha që edhe të kineastë të tjerë të shkruanin mbresat e tyre, se të jenë të bindur që për Kristaq Dhamon do vijë koha për tu shkruar edhe libra. Brezat e të ardhmes askush nuk i pengon dot të përceptojne me vërtetësi e pa manipulime atë çfarë historia tashmë e ka regjistruar.

Maj 2020


Pllakati i filmit të parë shqiptar "TANA"