31 May 2020

E vërteta si klithmë në shkrimet e Agron Çallikut- nga K. P. Traboini

Kolec Traboini dhe Agron Çalliku në Bar Kafe "Muza" Tiranë 2016
E VËRTETA SI KLITHMË NË SHKRIMET E AGRON ÇALLIKUT

Nga K. P. TRABOINI

Pasioni i Agron Çallikut shtrihet në mes të letërsisë si dhe atë të koleksionistit  të antikuarëve apo objekteve të tjera ku mishërohet arti. Pikërisht ky pasion e ka shtyrë të kryej studimet e larta për gjuhë-letërsi si dhe Institutin e lartë të Arteve për restaurimin e veprave të artit. E ka nisur krijimtarinë letrare  duke botuar në vitin 1995 vëllimin poetik “Mister”, ndërsa në vitin 1999 solli për lexuesit “Më thërret një zë i largët”. Në vitin 2007  doli me “Shënime çasti”, një libër krejt i veçantë sepse lidhet drejtpërdrejtë me përjetimet e autorit në vorbullën e jetës së përditshme. Një prozë lakonike ku jeta vjen e shfaqet aq natyrshëm, të duket se autori ka shënuar çdo gjë që ngjiste rreth e përqark vetes, por problemet që trajton janë sa të vetat edhe të tjerëve. Agroni ka botuar në vazhdim edhe dy libra të tjerë me poezi në 2008 dhe në vitin 2012, pra pesë libra nga të cilët ne mund të dallojmë veçoritë e tij si krijues. Por në këtë rast duam të ndalemi në të vetmin libër në prozë, në të cilin shfaqet krijuesi letrar,  por edhe publicisti i vëmendshëm që di të vëzhgojë realitetin, por edhe ta sjellë me mjeshtri për t’ia  paraqitur lexuesit e ku shfaqet një autor fort i ndjeshëm për gjithçka që ndodh në jetën e bashkëqytetareve të vet.
Dihet se nga viti 1990 e deri në 2000, por edhe në vazhdim, Shqipëria kaloi nëpër një tranzicion të dhimbshëm(ende i pakryer edhe sot), madje mund të themi më i dhimbshëm se në çdo vend tjetër i ish diktaturave në Europën Lindore. Ndaj në faqet e librit “Shënime çasti” të Agron Çallikut gjen më shumë travaja jete, a thënë ndryshe jetën të përftuar si klithmë e egër dëshpërimi, se gjërat nuk ndodhën siç duhej të ndodhnin, por u përskajuan keq e më keq. Pati shumë plage dhe padrejtësi shoqërore e në vend të zbuteshin u thelluan. Gjithçka u kulmua në vitin e kumtit të zi shqiptar 1997, të cilin e gjejmë me përshkrime e gjendje dramatike në faqet e librit.
Që në krye, duke ndjerë se lexuesi mund të pikëllohej duke lexuar shënime gjendjesh të tilla, autori shënon disa fjale, të cilat  mund të themi se janë një mësim i mençur për cilindo që do të mësojë për historinë nëpër të cilën kalon populli i vet “Jo të gjitha gjërat e hidhura janë për tu harruar.”
Po cilat janë përjetimet e tij që edhe sot e kësaj dite mbeten aktuale?
Toka, ligji 7501 dhe efektet negative të tij trajtohen me dhimbje të thellë për padrejtësinë që u sanksionua me ligj, në përshkrimin që mban titullin “ E shenjtë, apo e kujtdo”, ku stigmatizon edhe emërtimin e shoqatës se “ish-pronarëve”, të cilët duke krijuar një shoqatë me emër të tillë, në një mënyrë apo në një tjetër e bëjnë legjitime aktin ligjor absurd, sepse ish pronarë ishin në komunizëm ndërsa kapitalizmi duhej ti njihte si pronarë të ligjshëm.
Një vështrim mbi Tiranën në triptikun “Tirana, qytet i të pasurve,... i të varfërve,  dhe ...i të marrëve”, trajton diferencat dhe polarizimin e skajshëm të shoqërisë në nivelin e mirëqenies, plot zhgënjime, i endur në mes të këtyre kontrasteve, bie në sy kaosi urban, beton në vend të gjelbërimit dhe konkludon me këto vargje:
“Kur të vijë dita, më merr, o Zot në gjirin tënd,/ se shpirtin nuk dua tua lë djajve/ dhe as rrugëve nuk dua të mbesë./ Më mirë në pyll i vetëm/ se sa në rrugë me plot njerëz.”
Në këto përshkrime është në fokus jeta njerëzore, shqetësimi qytetar, mospajtimi me të keqen që i është ngjitur si rriqna dhe i pi gjakun këtij populli që nuk ju ndanë vuajtjet. Në përshkrimin e datës 31 dhjetor 1997, autori lëshon zërin si piskamë “Kush e solli, mallkuar!”, ky është titulli i një shkrimi për një kapitull tragjik në jetën e shqiptarëve, vrasjet, kjo plagë e thellë shekullore.
Titujt e nëntitujt e shënimeve të autorit thonë shumëçka: “Armiku i gjithë diktaturave është krijuesi”, një e vërtetë e madhe kjo që vjen në evidencë edhe në ditët e sotme, ani pse shkrimi mban datën 8 dhjetor 2000. Dhe rrimë e pyesim me të drejtë, çfarë ndryshon në dy dekada në jetën e një populli? Thuajse asgjë. Papunësia papunësi, varfëria varfëri, mjerimi mjerim, ikja ikje...
Shumë emocionues përshkrimi “Jetoj gjysmë i vdekur” që mban datën 17 prill 2001, ku ndër të tjera lexojmë: “Flisja me nënën në ditët që pasuan vdekjen e babait...” përshkrim që mbyllet me shprehjen “unë vdes çdo natë nga pak, për të mos vdekur asnjëherë.”
Autori në librin e vet kalon sa nga përshkrimi i përjetimeve vetjake në ato me qëndrim ndaj padrejtësive shoqërore në të cilat përdor stigmatizimin e sarkazmin therës për shkaktarët e gjendjes së Atdheut, siç lexojmë në “Shqipëria në udhëkryq”. Në shkrimin  “Dhimbje që s’fal” shprehet pikëllimi i madh për prishjen e harmonisë brenda familjes shqiptare, në mes të vëllezërve prej babëzisë  që nuk njeh asgjë në botë veç fitimit në rrugë të pandershme.
Gjithsesi, mbresat që na jep leximi i një libri me përsiatje të Agron Çallikut nuk mund ti themi,  shprehim apo  parashtrojmë të gjitha në një shkrim, madje as dhe në një takim ku bisedohet për artin, sepse janë të shumta e prekin një pafundësi ngjarjesh, reagimesh, reflektimesh e për më tepër,  botën e një njeriu e ndjesitë e tij  nuk është e lehtë ti përfshish në dy faqe letër. Ndonjëherë, për të njohur autorin përtej leximit duhet ta takosh, të pish me të një kafe, të kuvendosh, të dëgjosh psherëtimat e tij dhe nëse do të përdornim një proverb, duhet të mbathësh këpucët e njeriut e të ecësh me to me mijëra kilometra, për të kuptuar dhimbjen e tij.
NA ISHTE DIKUR MUZA - SHTETI E DREQI E SHKATËRRUAN