05 February 2013

KUSH ESHTE GAZETARI? - nga Kolec Traboini

KUSH ESHTE GAZETARI?

Nga KOLEC TRABOINI

Po shihet një tendencë e frikshme për të manipuluar median e futjen e saj nën kupola partish, duke i mikluar gazetarët e lirë e të pavarur edhe me mandatin e deputetit në parlament. Nuk është se shohim ndonjë gjë të keqe në ardhjen e mendimit të lirë të shtypit edhe në organin ligjvënës, por diç tjetër përbën shqetësimin tonë profesional si gazetarë të pavarur. Dihet që tendenca e çdo ekzekutivi (të paktën tek ne kjo bëhet e hapur kjo) është pra futja në dorë e atyre pushteteve që konsiderohen të tretë dhe të katërt, rrjedhimisht të drejtësisë dhe atë të medias dhe këto bëhen për të siguruar një dorë të fortë në qeverisje, për të mos pas kundërshtim çfarë në të vërtetë përbën rrezik për lirinë e fjalës e të mendimit dhe mundësi reale për keqpërdorim të pushtetit.
Nga ana tjetër nëse do ta konsiderojmë të pranueshëm kthimin e parlamentit krejt ngjashëm me një panel bisedash televizive me ato çka shohim përnatë plot mediokritete, që nuk kanë të bëjnë në asgjë me gazetarinë profesionale, atëherë do të thosha mjerë ne se nuk na ka mbetur asnjë shpresë.
Kam qënë e mbetem kundër mercenarëve partiakë të pashkolluar në parlament (ku duhet të shkonte mendja e kombit), por dhe gazetarët militantë (shumica të ngjajnë si kapterra ushtrie) që i lëpijnë këpucën shefit të madh të partisë, nuk mund të konceptohen kurrqysh si parlamentar.
Gazetari do të thotë dinjitet, personalitet, integritet, të jesh vetvetja edhe kur je pro apo edhe kur je kundër në një çeshtje, të dish të bësh opozitë ndaj kundërshtarëve por edhe ndaj të tuve. Ky është gazetari. Të kesh kurajo pra edhe kur e di se do të luftojnë e mund të mbetësh i vetëm. Gazetar do të thotë të mos kesh frikë. Ata llapgjatët e partive nuk janë kësisoj gazetarë. Gazetar është ai që mbron një çështje kombëtare apo sociale në publik dhe më tej gazetari është siç e vlerësonte në kohën e tij shkrimtari i madh francez Emil Zolai, si kamina që djeg dru përditë, pra në ideal të mendimit të lirë e për të vërtetën djeg shpirtin e vet.
Tani më thoni a janë kështu llapgjatët e televizioneve që mbllaçisin steriotipe paneleve groteske, o për llogari të njërës ose tjetrës parti, e nuk e çajnë me nderën për popullin e kombin e vet.
Jo për atë Zot nuk mund të jenë gazetarët kështu. Janë thjesht papagaj mercenarë të demagogjisë, të sofizmit, të interesit, të mashtrimit e pse jo dhe të hajdutërisë politike.
I madhi Thomas Jefferson thoshte: “Po të më lihej mua të vendos nëse ne duhet të kemi një qeveri pa gazeta apo gazeta pa qeveri, unë nuk do të hezitoja për asnjë çast për të zgjedhur këtë të fundit.”.
Në fund të fjalës gazetaria nuk mund të jetë shërbestare servile e politikës, por udhërrefyese e saj, ndaj nuk duhet ta nëpërkëmbë këtë mision që i ka ngarkuar historia. Deri në këtë dinjitet duhet të ndjehet gazetari.

Botuar në gazetën "Tirana Observer",  7 shkurt 2013