24 January 2007

Udhë e mbarë Sizif! - nga Kolec Traboini


UDHË E MBARË SIZIF!

 Nga Kolec TRABOINI

Gjithkush e ka të drejtën e fjalës, të shprehjes së mendimit, të drejtën e shtypit, të drejtën për të shitur, e pse jo dhe të drejtën për t'u shitur. Që të mos keqkuptohemi, kjo e fundit nuk ka të bëjë me shitjen e trupit, siç bëjnë prostitutat e Europës lindore anë e kënd tregut të mishit të bardhë në Europen perëndimore, tashmë të bashkuar, por është fjala për të drejtën e shitmendjes. Këtë të drejtë e kanë thuaj të gjithë shqiptarët. Në është për të analizuar të drejtat e liritë e njeriut, mund të thuhet pa frikë se kjo e drejtë, ze vendin e parë në rrang kombëtar, është gjithëpërfshirëse. Se ja, shtypi sot është bërë vitrina më e përsosur e shitjes së këtij produkti kombëtar që quhet mend, por qe në magazinat, depot (back in stock), nuk ndodhet kurrgjë, çfarë mirëfilli do të thotë se në shesim edhe kur nuk kemi kurrgjë për të shitur.
Po kush është blerësi, kush është i interesuar për këtë lloj malli kallp, që nuk ka vlerë, që është veç ajër i çliruar në hapësirë e, për më tepër, kurrsesi më përmbajtje oksigjeni, por i pluskuar në mjediset shqiptare si gaz karbonik fort trullosës e paralizues.
Eshtë si ta këtë zënë njeriun qymyri, ndonëse kjo shprehje ka dy kuptime, atë real dhe atë figurativ. Në rastin në fjalë të zënies së qymyrit nga media, në përgjithësi, por shtypi bulevardesk në veçanti, janë në funksion të dy këto kuptime. Këtu hyn në punë edhe mpirja e trurit por në funksion është edhe dallgëdisja e mendjes dhe e zemrës pas djajve të së kaluarës që edhe sot pas dy dekada e ka lënë popullin në jerm.
Mpirja e trurit ka të bëjë me shokun që pëson njeriu kur për çdo ditë që ka falë Zoti, është i detyruar të ketë kontakt me fantazmat e përgjakura të së djeshmes. Këto nuk mjafton që u shfaqet njerëzve nëpër ëndrra të frikshme, kur kujtojnë çfarë kanë hequr, por kanë nisur të rihyjnë në jetën shqiptare në çdo hapësirë të mundëshme informative, dhe ngado që vete e ngado që shkon, i shtypuri i së djeshmes përballet me shtypësit e tij që fatalisht e ndjekin. E i shtypur nuk është një njeri i vetëm, por mbarë populli që është i dënuar psikologjikisht të mbajë mbi kurriz peshën e të djeshmes, peshën dhëmbjes sikur të mos i mjaftonte pesha e të përditshmes.
Ky populli ynë të shfaqet si Sizifi, i dënuar përjetësisht të ketë në shpirt një barrë të rëndë, të cilin sapo mendon se prej tij është çliruar, është media që, si të ishte Zeusi i mitologjise se lashte e mbërthen për zverku Sizifin - popull dhe e ve sërish nën peshë, nën mundim, nën torturë. E vë nën presionin psikologjik të së djeshmes, të dhunuesve të së djeshmes, të shtypësve të së djeshmes, që me armë apo me ideologji vrisnin trupa e shpirtëra, i privonin njerëzit nga e drejta për të jetuar, masakronin lirinë e mendimit e të shprehjes, ishin uzurpatorë jo veç të pushtetit por edhe të ndjenjave, sepse të ekzekutonin edhe për një cikël poezi, madje edhe për  një poezi të vetme.
E tashmë, kur mendohet se jo vetëm fizikisht, por edhe shpirtërisht u çliruam, metastazat kanceroze të së djeshmes kanë përfshirë trurin e një kombi. Nuk ka gazetë kombëtare apo lokale, nuk ka stacion televiziv apo shtëpi botuese të mos miklohet prej kësaj flame të zezë, prej këtij gazi nervaparalizues, prej këtij dhunimi qe i bëhet ndjenjave njerëzore, përdhunimi që i bëhet viktimave të së djeshmes.        
Na del edhe ndonjë hafije sigurimi, dhe mbush faqet e shtypit me bëmat e veta kur vriste e priste ndër radhët e nacionalistëve, e ndër ato tregime plot rrena e mashtrime spekulative, nuk harron t’i thur elozhe shefave si Kadri Hazbiu, duke i dhënë atributet e njeriu shpirtmadh, kur dihet se Kadri Hazbiu ka qenë organizatori e vrasjeve të sa e sa njerëzve me urdhër nga lart. Dhe fati i tij u përcaktua kur citoi në pleniumin e Komitetit Qendror se për vrasjet e koloneleve me plumb në kokë pa kurrfarë gjyqi, ishte dhënë urdhër nga Enver Hoxha. Këto ky zoteria i sigurimit bën sikur nuk i di, ashtu si bën sikur nuk e di se Pal Mëlyshin, i mbetur në rrethim bashkë me nacionalistët që i tradhëtonte, e vranë rrethuesit, shokët e vet të sigurimit, ndër të cilët ishte edhe ky zoteriu i kujtimeve. Ky sigurims nuk thotë kurrkund se pjestarë të familjes të Pal Mëlyshit në Tiranë, kurrë nuk kanë pranuar t’i flasin me gojë këtij zotërie që hiqet si mik e shok i Palit. Merret me mend se përse. Dhe, pasi e vranë, ky sigurims bashkë me Mehmet Shehun, prej kufomës sajuan heroin, sepse Pali i shërbente më shumë i vdekur se i gjallë.
Por nuk është vetëm ky sigurims piku i helmit në median shqiptare. Ka plot të tjerë. Madje edhe prej atyre që sot shiten krejt ndryshe nga çfarë ishin, e këtyre urave u fryn sidokudo edhe Veli Llakaj ish shefi i shtabit të Ushtrisë që mbante në këmbë me dhunë diktaturën. Ky e zbukuron Hysni Kapon, i jep një nur ndershmërie e trimërie Kadri Hazbiut, e pikturon si model Petrit Dumen, apo edhe të tjerë të cilëve mizoritë ndër nacionalista nuk u shuan e nuk u a fal dot historia, paçka se hëngrën plumb edhe prej diktatorit.
Por ka edhe një soj tjetër malli që shitet në tendat e shtypit, një mall disi i veçantë, sepse është pak si më elegant, femëror, i një brezi që afron në aparencë me frymën e kohës, modernitetin, por ndërkohë është buçitës e bubullues si në kongreset e rinisë e të grave, ku dikur mbante fjalime farfuritëse. Kjo zonjë elegante bën demagogjinë më të stërholluar, por edhe  më të pacipë që ka parë shtypi i shkruar i këtij vendi. Shfaqet si kundërshtarja më e rreptë e Lady First e diktatorit komunist të vdekur, është gati ta fusë ( me fjalë) të gjallë në dhè, të gjitha të këqijat e kësaj bote ajo i ka. 
Pastaj papritur kapërcen ylberin zonja L. dhe e ngre lart në yje diktatorin, vjehrrin e saj. E mburr, e nxjerr të pafajshëm si një engjëll, një njeri që përkujdesej për çdo gjë, që i dhimbsej populli, ( mirë që nuk thotë se qante për popullin), por ishin të tjerët që e kishin izoluar... kanibalin e shekullit shqiptar.
Lexuesi tromakset kur i paraqiten të tillë maskarada publike dhe pyet vehten se, a ka pasur ndonjëherë diktaturë, apo ka parë një ëndërr të keqe dhe kaq. Të besojë vjehrrën apo të besojë nusen? Po të dyja një vrimë i bien kavallit për Enver Hoxhën, por veçse nusja nga që nuk e do vjehrrën, i shfaqet si shtriga e përrallës para pasqyrës. Dhe bamp thyejnë pasqyra. Edhe vjehrra edhe nusja. Dhe të dyja thonë se Makbethi që vdiq ka qënë i mirë, zemërbardhë si babush përralle.  Te dyja perpiqen ta bindin popullin se Makbethi ishte një kukull, vërtetë kishte një kamë të përgjakur por, ai nuk ishte gjak prej vërteti, por lëng luleshtrydhesh.
Populli rri urtë, në ka një dhjetëshe, ulet në ndonjë kafene rruge, lexon faqet e gazetës, ku përzihen lëmsh prostitutat dhe ish gjeneralët, droga dhe macet, lypsaxhiu dhe ministri, e djeshmja me të sotmen, të vdekurit me të gjallët, varret e përdhunuara me kullat e Arabit, gropa e Ajdinit me kryetarin jordanez të homoseksualeve.  
I lexon të gjitha populli e pyet vehten si i marri: Po për mua pse nuk flasin?! Dhe pret t'i venë një gur të madh në shpatull e, tek merr të përpjetën për në mal, t’i thonë: 
"Udhë e mbarë, o Sizif!".

2006-2014