17 April 2013

🟥 Atavizmat historike nuk e pengojnë dot zhvillimin e gjuhës - nga K. P. Traboini


ATAVIZMAT  HISTORIKE


Një shkrim i rinovum për shkak të aktualitetit të problemeve mohuese të Gegnishtes Letrare që për 50 vjet, pa da,  asht mbajt përdhunshëm në karaktinën e kostallarianëve si peng për prosperitetin tonë.

Nga KOLEC TRABOINI 
  
 - Atavizmat historikë të mbetura trashigim nga koha e mallkuar e diktaturës nuk mund të na ndalojnë që t’i japim oksigjen Gjuhës shqipe me gegnishten tonë, duan apo nuk duan memushët apo çuçkarët e një kohe mjerane pa lavdi që tashmë ka mbetur pas.

Një gjâ(gegnisht) – apo një gjë (toskërisht) nuk e kuptova teksa  po lexoja gjuhtarët që reaguan për një puç që qenka bërë  nga Akademitë e Tiranës dhe   Prishtinës, të marra së bashku. Ku është Puçi dhe çfarë konsiston me fjalën puç?! Mos vallë u duhet spjeguar gjuhtarëve dhe Media-Bumit të Tiranës se puçet bëhen për të marrë një pushtet e për ta zotëruar atë e jo për të ndryshuar rregullat në një fushë të shkencës, sepse gjuhësia është shkencë.  Po as kryetarin e Akademisë nuk e rrëzoi njeri.  As drejtorët e degëve të Albanologjisë s’i luajti.
Si mund të bëhet Puç në një kuvend akademik?!  Së pari këta gjuhëtarë, që po i bien kambanave të alarmit, u kish dashtë të mësojnë se çfarë ka ndodhur e pastaj ta merrnin shtruar ta spjegonin pa patur nevojë t’i thërritet terminologjisë militare të Enver Hoxhës. Se fjalën puç  tek ai e kemi dëgjuar më shpesh kur nisi likujdimin shokëve të vet të luftës e të fitoreve (lexo-krimeve mizore).
Gjuhtari Memishaj në gazetën Shqiptarja.com, në ditën e parë të korrikut 2012 e tani në prill 2013  në "Gazetën shqiptare" të njëjtës qemane i bie dhe shqipëruesi i romanëve  dhe i "Mukut të vogël" Shpëtim Çuçka. I pari  shkruante me indinjatë se këta akademikët gegë po na bëjnë gjëmën, duan ta bëjnë normë të GJLSH fjalën “dborë” në vend të fjalës “dëborë”, do të vendosin fjalën “drrasë” në vend të “dërrasë”, “kombtar” në vend të “kombëtar”( vërtetë hall i madh ky, po shtoj unë, se do të pengohet zhvillimi ekonomik i vendit pa gërmën e me dy pika në rrashtë në fjalën kombëtar) e të tjera torotisje si këto. Ndërsa ky Çuçka pa indentitet, si i shprehet me të drejtë Primo Shllaku, ky Çuçkë që nuk e di prej kah vjen në këtë botë shqiptare, na e paska  inatin e një mushkë me gegnishtën letrare, asëll asëll, me shkodranishten letrare të Buzukut dhe Camajt, të cilët i përgojon si një brrac, pa respekt e në mënyrën më ordinere me një sarkazëm që vetëm një përkthyes vulgar mund ti përdorë. "Të shpallet gjuhë letrare shqipe shkodranishtja" ironizon ky njeri i ngulfatur në mëllefe. Ky Çuçkë që i fryn zjarrit të luftës e ndasive si të ishte dishepull i Enver Hoxhës, na paska qënë edhe ambasador në Rusi e Itali e tani po don ti verë kufirin te thana gegnishtës letrare me urrejtje diabolike për shkrimtarët gegë. Eh more Çuçkë, e dimë mirë ku fle lepuri i urrejtjes tënde për shkodranët. I kemi ditur që tridhjet vjet ma parë. Eshtë urrejtja e partisë të cilës ti i përket. Shtoi kësaj dhe urrejtjen tënde personale. Histori të vjetra, që ne shkodranët i dimë, ato janë  si plagë lufte që gjejnë rast e infektohet. Plagë e vjetër  kusure të reja. Qofshin harruar!  Amin o Çuçkë!
 Po le të kthehemi tek Gjuha Standarte qe e keni kyçur në sirtaret-varr të Kostallarit, në bunker thuaj. Po gjeni një zgjidhje për këtë mosmarrveshje të madhe more të mençurit tanë të gjuhësisë dhe përkthyesisë. Mos përdorni po deshët as fjalën “dëborë” (toskë), as fjalën e propozuar (gegë) “dborë”, por zgjidhni të thjeshtën e të bukurën fjalën “borë” dhe ta përdorim të dyja palët e të mbeten të kënaqun, se të lumtur s’bëhet fjalë. Ka plot shembuj pa patur nevojë të konfliktohemi. Nëse kërkojmë brenda  gjuhësisë gjejmë zgjidhje, nëse vazhdojnë të kruhemi sikur kemi zgjeben, kurrë nuk do të merremi vesh.  
Pse ky hendek i madh në mes të gjuhtarëve. Pse disa e bëjnë kauzë mosndryshimin dhe qëndrojnë në llogoren e Enverit, të tjerët me dëshirën e revanshit lëshohen yrush të shkruajnë e këndojnë gjuhën vetëm në dialektalë. Pse të mos shtrohen e të bisedojnë se çfarë është më e mirë e më e bukur në këtë gjuhën tonë, të mblidhen në një kuvend si burra të ditur,  por i hedhin benzinë zjarrit, si politikanët edhe këta duke krijuar konflikte të paqena. Gazetarucët po gati se duan tema të reja, paçka se këto acarime krijojnë dëme të mëdha pikërisht atëherë kur gazeta i ka harruar se ka shpikur një konflikt të ri me puçiste në fusha të tjera.
Pa le kur krahu konservator i mosndryshimeve të përjetshme  ma mburrin Androkli Kostallarin që ka qënë një shërbëtor besnik deri në shpërfytyrim i klikës së Enver Hoxhes dhe tmerri i intelektualëve të vërtetë që i terrorizonte. Nëse këta profesorë që thërrasin për ca puçe, nuk kanë durim e aftësi të ulen e të komunikojnë me kolegët e tyre që mbrojnë një ide tjetër e janë për ndryshime, le të ikin e të shkojnë ku të duan. Ai që ndryshimin e konsideron regres e jo progres nuk ka vend në asnjë institucion kombëtar. Fundja Gjuha është e popullit e jo e gjuhtarëve. Ata thërriten për të ndihmuar e jo për t’u konfliktuar. Ne që e përdorim, e shkruajmë përditë gjuhën e bukur shqipe nuk duam as luftë e as imponim, na pëlqejnë gegnishtja e toskërishtja dhe gjejmë te dy dialektet kryesore pasuri të pafundme,  aq sa fjalori problematik i hartuar nga Akademia e Shkencave na duket mjeran, sepse ka lënë jashtë me mijëra fjalë të gegnishtes. Në përçudnimin e FGJSH e konsiderojmë një krim, ashtu siç u bë krim me gegnishten në kongresin famëkeq të drejtuar me dorë të hekurt personalisht nga diktatori.
Aq më tepër duke qenë me origjinë veriore ne nuk mund të lejojmë të mohojnë pasurinë e gegnishtes, sepse pa të dalim një gjuhë pa taban, pa peshë.
Gjithkush në botë rreket ta shtojë pasurinë e jo ta pakësojë, këtë e bëjnë veten gjuhtarët që kanë mentalitetin e kalcifikuar të Enver Hoxhës që jugu ta sundojë Veriun, siç predikoi për 50-vjet në të gjitha fushat e jetës, që nga ato kuadrovike, ato ideologjike, politike ushtarake dhe gjuhësore. Thënë hapur Enver Hoxha e ka deklaruar, por këta e fshehin, se do të flitet gjuha e fitimtarëve. Ne e fituam luftën, thoshte diktatori në rrethe të mbyllura, kuadrot tona drejtojnë dhe gjuhën tonë do të flasin të gjithë, duan apo nuk duan.  
Dhe a e dini cila ka qenë kënga që është kënduar e vallëzuar nga çobenjtë partizanët në Fush-Çelë në Shkodër, në fundnëntorin 1944-ës dhe në 1945-ën. Lexojeni në një ditar të Prenk Grudës (dëshmitar okular) “Ditari i një zemre të lëndueme”; fjalët e këngës janë:  “Kur e futi toska këmbën, mira ja q... gegën nënën, lule sofo lule djalë!” Dhe Klika e Enver Hoxhës ashtu ia bëri Shkodrës e Malësisë, dhe kur mbaroi punë me Veriun, ia bëri edhe gjithë Shqipërisë, duke na kthyer në një popull me një fat mjeran. Kështu ia bëri nënën edhe gjuhës, paçka se Rexhep Qosja e mbron atë kongres ku pati rastin të shohë gjithë Byronë Politike të KQ të PPSH, e ku ngriti dorën dhe ai në shenjë miratimi. Ai nuk mbron kauzën e Enverit, por nga sedra i vjen turp të pranojë se ndaj gegnishtes është bërë një krim. Nuk ka çajre pa e pranue këtë krim, sepse herët a vonë krimet e kriminelet dënohen, të paktën moralisht.
I dimë, të gjitha i dimë. Por nuk duan t’i kujtojmë. Madje duam edhe t’i harrojmë, por ama na lini, na krijoni hapësirë, që këtë pasuri të madhe me emrin - Fishta, Mjeda, Migjeni, ta sjellim e ta përbashkojmë në gjuhën letrare dhe jo ta anashkalojmë e ta hedhim.
 - Atavizmat historikë të mbetura trashigim nga koha e mallkuar e diktaturës nuk mund të na ndalojnë që t’i japim oksigjen Gjuhës shqipe me gegnishten tonë, duan apo nuk duan memushët apo çuçkarët e një kohe mjerane pa lavdi që tashmë ka mbetur pas.

Botuar në gazetën "Tirana Observer" 10 Korrik 2012

__________________________

Mesazh nga Lek Pervizi,
Bruxelles Belgique:

 Te lumte Kolec !
Nje nderhymje shume e drejte. Gegnishtja asht tradhtue dhe ata intelektuale gege qe kane ngritun doren per aprovimin e diktatit gjuhesor do kishte qene mire,qe, pavaresisht se jane shprehun me “amin o hoxhe” (sa mire kjo thanje popullore qe perkon me emnin e diktatorit),sepse e kishin, shpaten te varun mbi koke, por kur jane kthye ne shtepite e dhomat e tyne te vazhdonin me levrue gjuhen e nanes dhe te historise gjuhesor shqipe qe vjen prej shekujsh e ruejtun ne gegnishten me Martin Luterat shqiptare, si Buzuku, Budi, Bogdani, Bardhi deri te letraret e medhej si Fishta, Mjeda dhe Migjeni, ky i fundit u pranue (çudi) sa per sy e faqe nga vete gjuhetaret dhe shkrimtaret komuniste, por hodh ne koshin e plehrave pas kongresit famekeq, pse shkruejti gegnisht. Patjeter se po te kishte qene gjalle, do te kishte perfundue te zalli i Kirit si intelektualet e tjere shkodrane, por Zoti nuk desh ta çonte deri ne ate pike, dhe e mori ne qiell qe te vazhdonte te shktruente atje, po ne ate gegnishte te shenjte, per çdo shqiptar me mend, por jo per ata qe nuk kane fare tru shqiptari, se pershembull Kolec Topalli yne, shkodran den bab den, dhe shpi patriotesh, me baben te torturuem e te burgosun e t’internuem bashke me nanen e motren ne kampêt e Tepelenes e te Savres se Lushnjes. Po a ka ma turp se me mohue gjuhen e nanes e te babes e te gjysheve e stergjysheve shekullore qe kane folun e shkrue shqipen gegnishte? Te lumte Kolec, biles je tregue shume i bute e i aresyshem, dhe nuk di se ku qendron shamja ne shkrimin tand. Kritika nuk asht shamje. Rrofsh!