28 June 2013

🔴 Del nga dera e hyn nga dritarja - pasi e kemi qarë me lotë- nga Kolec Traboini

Del nga dera e hyn nga drituarja pasi e kemi qarë me lot


Nga Kolec TRABOINI

Pamë të qajnë ca itharë të liderit që tha një fjalë se do të ikte. Ata po qanin krejt pa ditur se ku po ikte udhëheqësi i madh i Partisë ngarkuar me bagazhin e rëndë të humbësit. Mos ishte në një avion e po shkonte kahmos e pa kthim. Pamë të qanin jo vetëm ca riosh që nuk do të ngurronin tek shtëpia e liderit të thërrisnin emrin e Liderit,   çfarë u muar vesh se ishin bijtë e atyre që gjatë këtyre tetë vjetëve a me parë kishin ardhur me shumicë nga vendlindja e kryeministrit, kishin  gjetur edhe punë e ishin sistemuar për bukuri kur djemtë e Tiranës vinin vërdallë pa asnjë shpresë. Po lotët u panë edhe tek zëdhënset e shtypit të partisë. Kishim kohë që nuk kishim parë të tilla elegji kolektive publike që nga koha e përcjelljes në botën tjetër të diktatorit Enver Hoxha e ku na shfaqet në film edhe intervista e  funeral pikëllimit të vetë Mehdi Gërdeci. Tashmë dihet kush është Mehdi Gërdeci ministri i Qeveris Berisha për tetë vjet, të cilit pas masakrës së orkestruar prej tij,  populli i vuri epitetin kobëzi. Njeriu kob. Një soj njeriu që në saj të zgjedhjeve parlamentare me lista siguron imunitetin e deputetit  dhe pandëshkushmërinë e përjetëshme. Nuk e dimë nëse ka qarë ky  lider republikan kësaj herë për Kryeministrin siç qante për Enverin.
Pra në këtë histeri na u krijua përshtypja se më nuk do të na e shihnin sytë liderin e shpartalluar prej popullit më shumë se sa prej opozitës. Por çfarë gënjeshtër për guiness. Kryeministri doli në darkë në ballkon në shtëpinë e tij  përshëndeti dhe ...ne shkuam të flinim të qetë me mendimin se më nuk do ta shihnim në lajmet çmëndurake televizive ku ai na kish mbirë në sy. Por e nesërmja nuk na buzëqeshi ne por atij. Sa hapëm televizorin dhe i pari lajm qe Sali Berisha në mbledhjen e qeverisë së tij duke folur për suksese e fitore të cilat nuk kish mundur me sa duket ti rrumbullakoste në fjalimin e lamtumirës së mbrëmjes së kaluar.  I kish mbetur diçka nga fitoret pa thënë për ti shprehur të nesërmen përpara ministrave të tij të shushatur që më shumë e kishin mendjen si të fshihnin paratë e pasuritë se sa tek fjalët e Kryeministrit për gazsjellësin TAP. Kryeministri doli. Delirant si gjithnjë. Fitimtar si gjithnjë. Autoritar si gjithnjë por veç edhe i squllur më shumë se kurrë.  Kështu asnjë shënjë se po na ikte nuk kish. Po ai ishte në të drejtën e tij sepse edhe kish theksuar, unë po iki po ky nuk është fjalimi i fundit i lamtumirës. Si të thuash mos u ngutni të më bëni nekrologji politike. Lojë fjalësh me  dykuptime. Shteg për tu kthyer saherë të donte.
Po pse ike o Kryeministër dhe sa shpejt erdhe....jo me shumë se dhjetë orë mbasi the po iki dhe u përlotën njerëzit e tu, e ca adoloshentë që u shkrehen fare e fshinin hundët fort. Edhe ti Kryeministër në fakt i fshive dhe me shami në hundë u pe në të gjitha gazetat e Europës e deri në Amerikë.
Në të vërtetë të tilla ikje nuk i kishim parë që mote e mote. Një ikje pa ikje. Një rrënë me bisht. Një bisht që mblidhet e përdridhet rrotull nesh. Mu kujtua një e ngjame që tregonin në një fshat, për një kohë të largët e humbur në histori. Kështu mund të konsiderohet koha kur sundonin me dorë të hekurt turqit osmanllinj.

 Një fshat i largët pra, që shquhej për shpirtin e butë e të mirë, e pësonte keq prej pushtuesve të cilët vinin dhe herë pas here, si gjenin një sebep, mblidhnin gjithë fshatin dhe i shtronin në dru që të gjithë burrat nga 16 në 70 vjeç. Tërë sebepi qe një djalë i fshatit që e quajtën Luciferr( drita e ferrit pra vete djalli) i cili  bënte shumë sherre, vidhte, vriste, digjte e bënte çfarë ti thoshte koka e tij prej çmënduraku. Një sherr bënte ky sebepliu dhe lëshoheshin jeniçerët  turko- osmanë dhe e  zhdëpnin në dru tërë fshatin. Ju nxi jeta njerëzve.
Po njeriu ngandonjë herë na qënka më i duruar se vetë kali. U  sëmur një ditë sjellësi i fatkeqësive të fshatit e u shtri sa gjatë gjërë në mes të një lëndine. Erdhën njerëzit dhe meqë  ishin zemërmirë nisën të përlotën.
- A mi falni fajet e mëkatet se po vdes -  tha Luciferri.
Njerëzit të pikëlluar se bir të fshatit e kishin i dhanë fjalën se e falnin prandaj të prehej i qetë nën dhé.
- Jam i penduar- tha Luciferri, - e këtë pendesë do ta marr me vete edhe në botën tjetër.
- Po si- e pyeten njerëzia.
- Krejt thjeshtë- ua ktheu Luciferri.- kur të më varrosni më vini një litar në qafë ma lini sipër varrit.
Kështu bënë. E varrosën. Ca lotuan e ca jo, të tjerët u kënaqën se shpëtuan e shkuan e bënë një gjumë të qetë për herë të parë pas kaq vitesh. Mirëpo ky gjumë me ëndërra të bukura nuk zgjati shumë.
Të nesërmen andej pari kalon një grup ushtarësh turko-osmanë.  Vënë re litarin mbi varr dhe e tërheqin për të parë çfarë fshihej pas litarit. Tërhiq e tërhiq e litari në kokën e Luciferrit mblidh e mblidh deri sa doli në siperfaqen e dheut kufoma e tij.
U tmerruan ushtarët. Si e njohën, thanë se me siguri e kish varur dikush nga fshati. U leshuan si të tërbuar turko-osmanët dhe i nxorrën tërë burrat e fshatit në lëndinë.
- Pa na thoni - u tha komandanti turk -  kush e ka vrarë Luciferrin?
Jep e merr njerëzit, thonin e kish vrarë Zoti,  po komandantit turko-osman nuk i mbushej koka me fjalët e fshatarëve se Zoti nuk i vriste njerëzit me litar. I rreshtuan fshatarët e shkretë në shesh të fshatit e i rrahën me kamxhik sa ju thyen brinjët e u dilte gjak. Fshataret shihnin kufomën e Luciferrit e u dukej se  zgërdhihej e u thoshte:
- Tërë jetën ju kam gënjyer, tërë jetën jeni rrahur dhe këtë e kishit hak se jeni naiv- budallej e  besoni gjithçka.
Kjo histori a ka farë kuptimi me ikjen e liderit nga dera e me hyrjen jo më shumë se tetë orë përmes një dritarje të vogël të Televizionit.
Edhe në pastë e mos pastë ngjashmëri kjo ngjarje me ikjen e Lider, diçka rënqëthese i bashkon. Ky popull gjithnjë është rrahur, është rrahur e detyruar të ikë me mijëra nga atdheu, detit e skërkave të Greqisë, është rrahur kur humbën shtëpi e katandi në piramidat e parave, eshte rrahur ne 1998 kur lideri u përpoq të bënte një grusht shteti  po dështoi se nuk e pranuan euro-amerikanët, ky popull është rrahur e vrarë në Gërdec, ky popull është vrarë më 21 janar 2011, dhe tani që erdhi koha të përfundojë kjo historia me Lider-Luciferr ka mbet puna në ik e mos ik....cic-mic me fatet e Shqipërisë.
Tashmë shqiptarët, që po heqin kaq shumë prej liderëve të vet, me këtë litar që kanë në fyt, shpresat i kanë tek Zoti, kush e di bën kujdes ai se të gjallët nuk kanë çfarë i bëjnë ketij Lider-Luciferrit që del nga dera e hyn nga dritarja pasi e kemi qarë me lotë...

28 qershor 2013