PSE NUK DEL POPULLI NË FOTOGRAFI?!
Media në një ditë vjeshte 2015 fry e shfry: ka dalë kryeministri Rama me presidentin Obama në fotografi. Tani na del një shkrim botuar në New Jersey më 29 qershor 2016 nga gazeta "New
Jersey 101.5" nga autori Sergio Bichao, ku flitet për një person që është në gjyq për korruptim me 80 mijë
dollarë të cilat ja ka dhënë një udhëheqës politik nga Shqipëria për ta kaluar si kontribut për fushatën e rizgjedhjes së Presidentit Obama. Shqiptaro-amerikani quhet Bilal Shehu, shqiptaro-amerikan, 48 vjeç, shofer limuzinash dhe është parë në foto me Edi
Ramën gjatë vizitës së tij në Amerikë. Po këto rrëfime me pagesa për të dalë në fotografi me presidentët amerikanë tashmë është histori e vjetër. Ndërsa ky shkrim që ju paraqesim, që nga prill i vitit 2004. Do të shihni se asgjë nuk ka ndryshuar ndër shqiptarët e politikës...
Nga Kolec TRABOINI
Dihet që
fotografia nuk është një zbulim krejt i rastësishëm dhe nuk mund të shpjegohet,
fjala vjen, me një metaforë si në rastin e "Mollës" së Njutonit.
Fotografia është sintezë jo vetëm e zhvillimit që kish marrë shkenca, por edhe
konkretizim i një dëshire të vjetër lindur bashkë me njeriun.
Njihen vizatimet apo gravurat nëpër
shpella të ruajtura që nga kohët më të hershme që nuk kanë histori të shkruar.
Në to njeriu përpiqej të krijonte imazhin e vet dhe të mjedisit që e rrethonte.
Gjatë historisë, njeriut, duke e ditur se ishte i vdekshëm e pas tij kurrgjë
nuk do mbetej, filloi t'i ndizej dëshira për të lënë imazhin e vet tek ata që
pas tij do të jetonin, pra në një farë mënyre, lindi dëshira e mbijetesës ose
më tej e pavdeksisë nëpërmjet imazheve. U zhvillua piktura, e cila, në fillimet
e veta, kryente funksionin e paraqitjes reale, dhe për këtë sot ruhen nëpër
galeri kryevepra me një autentitet të jashtëzakonshem. Si të thuash piktura luante rolin e asaj që luan fotografia sot.
Njeriu me
pikturën më se fundi gjeti të mishëruar ëndrrën e tij për të mbetur i
përjetësuar. Falë talenteve të mëdha të artit figurativ, ne sot kemi nëpër
galeri familje mbretërore, dinjitare të lartë, kardinalë e peshkopë, kryeministra
markezë kokëlartë e kontë që historia i ka harruar, por në art kanë mbetur.
Pra, në një farë mënyre, ata e kanë siguruar përjetësinë qoftë dhe në mënyrë të
tërthortë. Dalja e fotografisë e çliroi artin e pikturës nga detyrimi për të
qenë autentik, pra e ridimensionoi në pikëpamje estetike. Por qëllimi i këtij
shkrimi nuk është që të merret me estetikën e artit figurativ, por thjesht se
si janë përdorur këto arritje të zhvillimit të njerëzimit për qëllime
ambicioze, lavdidashëse e madje utilitare, a të leverdisshme për kohën, çfarë
sot mund ta quajmë biznes.
Fillimisht, dua të sjell një shembull se
si një njeri i thjeshtë në kohë të monizmit, arrinte që teknikën e fotografisë
ta përdorte në mënyrë mjeshtërore për qëllime utilitare. Shkonim me shërbim për
filmime kronikash në veri të Shqipërisë. Diku andej nga Bulqiza, makinën me
ekipin e xhirimit e ndalon një polic rrugor, i cili i thotë grupit se mëqe
shoku P.., anëtar i Byrosë Politike, do të kalonte përballë, duhej të ndalonim
në kënd të rrugës sa të kalonte "Benzi" i udhëheqjes. Operatori ynë,
një rrufjan i shkathët, sa i përmendën emrin e shokut P.., nxorri kameran
bashkë me një aparat fotografik. Kameran e hodhi në qafën e vet dhe aparatin e
rrasi në qafën time, duke më porositur që ta kisha në gatishmëri se duhet të
bëja një fotografi patjetër.
Polici, kur e pa operatorin me kamera, jo
vetëm mbeti i kënaqur por i shprehu dëshirën që edhe ai të xhirohej në film.
Pritja nuk vazhdoi gjatë e në krye të rrugës doli "Benzi" i zi me shokun
P.. brenda. Një njeri me kamera në dorë në mes të rrugës e sugjestionoi jo
vetëm policin, por edhe pasagjerët e rangut të lartë të "Benzit", i
cili ngadalësoi shpejtësinë dhe për çudi ndaloi. Me sa duket, tundimit
pannjerëzor për t'u përjetësuar në celuloid, nuk i shpëtoi as udhëheqësit
truplartë, i cili zbriti nga makina dhe na dha dorën të gjithëve, ndërkohë që
kamera e operatorit tonë rrufjan, nisi të bënte zhurmën karakteristike të
filmimit. Pastaj udhëheqësi nisi të shihte peizazhin malor.
Operatori i shkathët iu afrua plot
mirësjellje e i shprehu dëshirën që të bënte një fotografi së bashku. Me fjalën
‘sëbashku’, ai kishte parasysh veten e tij dhe shokun P... Unë në gatishmëri,
sipas porosisë, e shtypa disa herë sustën e aparatit fotografik. U ndamë me
udhëheqësin e lartë dhe makinat shkuan në drejtime të ndryshme. Meqë mbaja
përgjegjësi për çdo pëllëmbë film (për kursimin e filmit që thuhej blihej me
valutë - të tjerë thonin me presh - kishim presione të jashtëzakonshme nga
drejtoria), i shpreha pra shqetësimin se si do ta justifikonim këtë shpenzim
jashtë planit të xhirimit. Operatori që kishte besim te unë, më shkeli syrin e,
si m'u afrua, më tha në vesh që të mos dëgjonte shoferi: "E kisha kasetën
bosh". "Po pse e inskenove këtë ndalesë", e pyeta i shqetësuar.
Si më tregoi aparatin fotografik, plotësoi mendimin me fjalë "për
fotografinë".
Natyrisht, unë ende nuk po e kuptoja
krejtësisht qëllimin e tij, por shumë shpejt do të qartësohesha gjatë një
xhirimi në Margegaj të Tropojës, kur operatori nxorri një vandak fotografish
dhe nisi t'ia tregonte kryetarit të kooperativës duke bërë shpjegimet përkatëse
se këtu kish dalë me shokun Mehmet, këtu me shokun Kadri, këtu me të
paharruarin shokun Hysni, e kjo e fundit me shokun Pa.. e në fund, si mbaroi
inkursioni fotografik iu kthye e i tha hapur kryetarit. "O kryetar, po
vjen Viti i Ri e ngelëm pa bakllava sivjet". "E ke fjalën për
arra?" - e pyeti kryetari. "Tani edhe për ndonjë dorë fasule kemi
nevojë, se gështenja kemi gjetur", u përgjigj hazërxhevap bashkëbiseduesi.
Operatori i rregulloi punët ashtu si diti
dhe unë që kisha pasione të tjera dhe që vrisja mendjen për letërsinë dhe
estetikën, nisa të kuptoj se kishte një shmangie të madhe nga ambicia e hershme
e njeriut për të ngelur i përjetësuar në fotografi. Me sa duket, koha i kishte
sjellë fotografisë funksione të reja. As do ta vrisja mendjen fare për këtë
episod që mund të përbënte zanafillën e një subjekti për një tregim satirik,
sikur të mos vija re se në restorantin e një shqiptaro-amerikani të shquar, si
në biznes dhe në atdhetarizëm, kishte një mori fotografish të varura nëpër
muret e hollit të restorantit, ku pronari kishte dalë me presidentë, senatorë,
ministra, yje të shquar të Hollivudit e madje edhe me dy presidentët shqiptarë
Ramiz Alia e Sali Berisha. Duke i parë këto korniza që përbënin një galeri
historike e duke sjellë ndërmend xhepin e mufatun të operatorit të filmit,
tashmë nuk kisha kurrfarë dyshimi se këtu nuk kishim të bënim me temën e një
subjekti satirik. Brenda ngjarjeve nuk kishte dhe aq humor se sa matematikë racionale
interesash materiale. Secili prej të dy këtyre shqiptarëve, në
sisteme të ndryshme, në vende të ndryshme dhe mundësi të ndryshme, përdornin
artin fotografik për një qëllim praktik e shumë të dobishëm, për interesin apo
biznesin e tyre, natyrisht sipas mundësive e rrethanave ku ndodheshin.
E këtu, nisa të bindem se nuk ka gjë për të
qeshur as për të stigmatizuar.
Por edhe ndaj këtyre dy përngjasimeve do të
kisha mbetur indiferent, sikur të mos më vinte njoftimi, nga disa bostonianë
republikanë, që përkundrejt një shume prej dymijë dollarësh, unë si qytetar
amerikan tashmë, mund të isha pjesëmarrës në drekën e presidentit Bush që
organizonte në ditët e marsit e ku do të mund të dilja edhe në fotografi
personalisht me të, sepse kështu e kishte protokolli i këtij takimi në kuadrin
e fushatës elektorale presidenciale të nëntorit 2004. Isha i bindur se sikur ai
operatori, miku im i vjetër i filmit, të jetonte në Boston, do ta sakrifikonte
dymijë dollarëshin, por unë as e vura ujin në zjarr për atë punë. Aq më tepër
se presidenti, duke më lejuar të bëja një foto me të, do të realizonte biznesin
e vet elektoral, por mua, që nuk kisha kurrfarë biznesi, nuk më tundonte
ambicia të shkundja xhepat.
Por edhe këtë
rast të tretë do ta kisha lënë në heshtje dhe harruar, po të mos qenë vandaku i
artikujve të gazetave shqiptare mbi ambiciet e kryeministrit shqiptar, për të
dalë në një fotografi nderi me presidentin amerikan, të cilin, sipas gazetave,
kryeministri Nano do ta përdorë si kartë për reputacionin publik në rënie dhe
pse jo, në zgjedhjet e pritshme parlamentare në Shqipëri.
Me kureshtje të ngacmuar u futa në kanalet
e internetit dhe më së fundi e gjeta fotografinë Nano-Bush. Për një çast e humba
fare. M'u duk se fotografinë e kisha bërë unë këtu e njëzet e pesë vjet më
parë... M'u bënë lëmsh kujtimet me realitetin. Bushi truplartë - Nano
trupshkurtër, Bushi solid - Nano i mbledhur krruspull në gji të Bushit...
Mirëpo këto mendime shumë shpejt m'u daravitën sepse nisa të mendoj me qetësi.
Fundja të dy në rolet e tyre të biznesit janë. Bushit i intereson për momentin
jo vetëm popullariteti e përkrahja e brendshme (që aq fort i ka rënë tash së
fundi) por edhe përkrahja e jashtme (tani po përgatiten 200 ushtarë shqiptarë
të shkojnë në Irak), prandaj dhe ajo "zhgrrap" në celuloid, në një
farë soji, ia bën punën Bushit. Por kryeministrit shqiptar ajo "zhgrrap-je"
e blicave të aparateve fotografike ia bën punën akoma më mirë. Shumë më tepër
madje.
Pra,
në fjalë të fundit, edhe Presidenti amerikan edhe kryeministri ishin në të
drejtën e tyre dhe në bizneset e veta. Prandaj çfarë kanë gazetarët e gazetat
që grinden?. Kur e bën Bushi, si të mos e bëjë Nano?! Kur Bushi në Boston ia
afroi këtë privilegj çdo bostoniani, duke përfshirë dhe shqiptaro-amerikanët,
për dymijë dollarë, si mund t'ia mohonte kryeministrit shqiptar, apo të tjerëve
që vinë në Amerikë në festat e lutjeve e që paguajnë ku e ku më tepër. Fundja
biznes dypalësh është. Paçka se paratë e Nanos (nëse ka paguar) nuk i mori
Bushi për fushatën e zgjedhjeve, por kompanitë e fluturimeve ajrore, të
hoteleve e restoranteve të shtrenjta amerikane që e përkrahin mbase Bushin e jo
Xhon Kerrin gjatë zgjedhjeve.
Ja pra, që fotografia ka dalë qoftë nga
dëshira e vjetër njerëzore e përjetësimit pas vdekjes, por edhe nga qëllimi i
thjeshtë i një kujtimi, duke u ngjitur në shkallët më të larta të biznesit, ku
një foto me presidentin shkon 2000 dollarë për amerikanët, por për funksionarët shqiptarë të
rangut të lartë që bëjnë varavingo nëpër botë, paguajnë dhjetra
herë më shumë. Kush i paguan këta dollarë, do të thoni ju? Populli shqiptar i
paguan, kush tjetër. Për këtë është populli, për të paguar. E nëse ky popull (sipas
Brehtit) nuk pranon të paguajë për foto-bizneso-maninë e qeveritarëve, le të ikë,
le të sjellim një popull tjetër. Se
presidentët, kryeministrat e kryetarët e partive kurrsesi nuk mund t'i
ndërrojmë. Fundja me presidentin amerikan në fotografi tashmë janë udhëheqësit,
e populli nuk është kurrkund.
Vërtet, ku
është populli? Pse nuk del në fotografi populli? Pse fshihet populli?!