25 June 2019

🟢 Gegnishtja si frymë - nga K. P. Traboini


GEGNISHTJA SI FRYMË

Nga K.P. TRABOINI

Me duket se në forumin mediatik “Pro Gegnishtes” ka ra diskutimi në nivele që nuk paraqesin asnjë lloj interesi gjuhësor e problematik.  Nuk shohim të na përcillen shkrime e debate nga ata që konsiderohen proemiment të mbrojtjes së Gegnishtes e mos-hupjes së saj. Nuk shohim të na përcillen copa letrare nga shkrimtaret e poetet gegë. Mendoj se ky sit, kjo lidhje a forum bashkëbisedimi, duhej të kishte mendime për Gegnishten, mendime të brezave të nxjerra nga arkivat e referenca por edhe mendime të atyre që sot shkruajnë dhe ndodhen para dilemash gjuhësore. Sepse ka mendime të ndryshme se si do gjendet një zgjidhje për të mos hup vlerat e mëdha që ka gegnishtja e kultivueme, e cila meritueshëm ka mbërrit deri ne nivele ma të nalta letrare. Kena jo pak  por kolosë të letërsisë, një Mjedë, një Fishtë, një Koliq, një Migjen, një Camaj, për të mos përmend autorë të tjerë kombëtarë të trungut të gegnishtes.
A duhet mendue Gegnishtja një formë letrare e mëvetësishme dhe krejt e çkapun prej dialekteve e formave të tjera, apo një bashkëveprim me tosknishten duke gjetun normat dhe frymën e përbashkët? A ma mirë e ma i fuqishëm asht një Dri që ndahet në dy degë apo një Dri, ku bashkohen dy degë e bahet një lumë ma i madh.
Nëse nji nanë e ka le një fëmi me njollë a deformim në fytyrë, si mendojnë se duhet t’i thuhet nanës, na tash po e vrasim këtë fëmi dhe ti lind tjetër, apo, me një operacion plastik mjeksia e Hipokratit bën mrekullinë  e vet e jeta vazhdon. Ne duam jetë. Jo shkatërrim.
Si mund të ecim në historinë e kombeve  duke u shkapërnda. Prandaj duhet të kthjellojmë mendjen e qëllimin tonë; cila është zgjidhja ma e dobishme për Gjuhën Shqipe të njësueme. Sepse Njësimit nuk kemi kah i ikim. E kjo nuk ka të bajë me standartin e ngurtë e të ngrim, sepse një gjuhe e ngrime është heret a vonë një gjuhë e vdekun.
Po le të kthehemi tek forumi mediatik "Pro Gegnishtes" ku ka mbi 7 mijë anëtarë. Pse aty shfaqen shkrime që nuk kanë asnjë lidhje me problemet gjuhësore, ta zamë se çfarë paska thanë Jozefina Topalli se "demokratët e vërtetë nuk djegin shkolla". Nuk dua të polemizoj me askend, por dua të them se nuk është vendi këtu për politizime e referime të atyre që bëjnë karrierë e për kolltuk e mirakande përleshën politikisht edhe në mes vedit. Këtu përkundra duhet të kishim letërsi të autorëve gegë duke filluar që nga Kristoforidhi tek Anton Xanoni e të tjerë, sepse Gegnishtja nuk flitet e shkruhet veç në Shkodër, por çfarë përfshin Shkumbini dhe përpjetë e deri në Kosovë.
 Do të duheshin të shfaqeshin këtu poezi e proza të autorëve gegë nga tradita e deri në kohët ma të vonshme, si dhe krijime të shkrimtarëve të sotëm me origjinë gegë, që e kanë gegnishten gjuhë të vendlindjes.
Por gjithashtu mendoj se nuk duhen të përjashtojmë, siç sugjerohet e thuhet në forum, autorët gegë që përdorin një sistem të tillë shkrimi ku gegnishtja e tosknishtja gjenden pranë e pranë, sepse veçimi ban ma shumë dam se dobi. Unë kam shkru shumë përsiatje për problemin e Gegnishtes, kam përdor, veçmas në krijimtarinë time poetike, të folme të veriut e të jugut pa dallim. Sepse gjuha është si ari, që nuk kemi luksin ta hedhim.
Por ve re se ka shumë që na shfaqen ma të fortit radikalë me fjalë por me vepra nuk gjenden kurrkund. Kam kenë e mbetem me mendimin se Gegnishtja para se me fjalë është mendim dhe frymë. Kur ne në dialektale apo në të ashtuquajtun “standart” përdorim fjalë të huaja si turqishte, serbishte e italishte, pse qenka krim me përdor fjalë e shprehje të tosknishtes nga autorët me prejardhje gegë apo dhe e kundërta. Veç në gjuhë, kulture e dije nuk ka pse kërkohen tradhtarë. Madje edhe kur shkruan në gjuhë të huaj nuk mund t’ia marrësh për të madhe tjetrit.
A e kena lexue vjershën e Ndre Mjedës, poetit mjeshtëror, me një dimension aq të madh që lexohet nga të gjithë ne trojet shqiptare, një poet Gegë që lexohet e kuptohet, madje mësohet përmendësh aq mrekullisht nga lexuesit e Tosknisë. Mjeda kish gjetun çelsin e artë të fjalës poetike dhe të ndjesive të zemrës të çdo shqiptari,  të cilën e shpreh edhe në poezinë  "Gjuha shqipe": “Geg e Toskë, malci jallia janë nji komb mu nda s’duron, fund e maj nji asht Shqipnia e nji gjuhë gjith na bashkon”.
Qe pra, poeti na ka dhanë nji rrfanë e na ka ndez një dritë me na ndihmue për me e gjet shtegun e mundësinë e bashkimit e jo të moskuptimit e ndamjes.

Nga blogu Traboini- ese

21 June 2019

🟪 Katrina Traboini Skanjeti, vajza e Motres Tone - nga K. P. Traboini



🟪 KATRINA TRABOINI SKANJETI 
VAJZA E MOTRES TONE

Nga KOLEC TRABOINI


Shumëkush flet për Motrën Tone/ Xhokonda Shqiptare/ por pak dinë se ajo nuk ishte veç një imazh artistik por edhe një person real me jetën e saj, madje tragjike. Më shumë flitet për bojërat në telajo se sa për njeriun e pasqyruar në të. Sjellim një fakt-dokument nga jeta e Tones, martesën me Andrea Skanjetin, mësuesin italian që kishte ardhur nga Italia në Korfuz i ri e më vonë ish vendosur në Shkodër. Të njëjtën rrugë kishte bërë vite më parë edhe shqiptari i Greqisë Arsen Idromeno, që dhe ai u martua në Shkodër me një shkodrane, Roza Saraçin,e që i lindën dy fëmijë, Kola dhe Tonia, ose më saktë në regjistrat kishtarë, kjo e fundit e shënuar me emrin Antonia Arsen Skanjeti. Këto dy familje Idromeno-Skanjeti u lidhen me një krushqi fatlume por edhe me elementë tragjike se Motra Tone do të vdiste e re, duke lënë jetimë gjashtë fëmijë të vegjël, ndër këta pesë vajza. Martesa e Antonia Idromeno me Andrea Skanjetin (i vjetri) u bë në Shkodër në Katedralen e Kishës Katolike (Kisha e Madhe) më 14 maj 1877. Kemi shumë të dhëna për këto dy familje por edhe për të tjerat lidhur me to, të cilat do të përpiqemi ti paraqesim në vazhdimësi.

DADA IME KATRINË - VAJZA E MOTRES TONE

Dada ime Katrinë, italiane ne atësi, në dije e në kulturë, shqiptare në karakter, që më mbulonte kur më zinte gjumi, që ma hiqte lehtë librin nga dora, që bënte kujdes të vinte një shenjë në faqen që kisha lënë përgjysmë, ishte e bija e Motrës Tone, mbesa e Kolë Idromenos dhe gruaja e tim ati. Që kur kam lindur u lidha me Dadën Katrinë si ajo lule dorëzoja që ngjitej nëpër muret e avllitë e oborreve shkodrane, po edhe ajo i kish derdhur të gjitha dashuritë e zemrës së saj. E kjo dashuri kish nisur  që kur me vuri emrin e dajës së vet Kolë Idromeno.
Nuk isha më shumë se dhjetë vjeç, kur Dada Katrinë më tha që të shkoja në Fushë-Çelë (qendra e Shkodrës), që të shihja një fotografi ku bashkë me Ded Gjo Lulin e hotjanët e tjerë, ishte edhe Palok Traboini.
Që nga ajo ditë, kërkimi për babanë do të ishte pasioni dhe ankthi im. Kurrë nuk do të reshtnin. Sepse shumë gjana ishin shkatërruar e humbur në shtëpinë tonë të vjetër, e cila pothuajse ishte kthyer në gërmadhë. Edhe reliket familjare ishin zhdukur.
Dada Katrinë, ajo plakë e dashur dhe fetare (tezja e Monsinjor Ernest Çobës i vdekur në burgjet e diktaturës), me vel te zi mëndafshi, se mbante jazin e burrit,  që shkonte e para në orët e mëngjesit në Kishën e Madhe; ishte një histori e gjallë, qoftë me jetën e saj, qoftë me çka dinte e tregonte. Më tregonte për kandilat e mëdhenj në të cilët kishte mbajtur të fshehur flamurin kombëtar, të Skënderbeut çfarë në kohën e pushtimin turk përbente rrezik me kokë. Më tregonte për fatin e saj zi të vdekjes së djalit, vëllait tim, Tomës shtatëvjeçar, të cilit kur ishte ende ferishte ja kishte prerë flokët si kumbarë Dedë Gjo Luli. Si sot më vjen ndërmend ai çast kur më vuri në dorë një dorëshkrim, që shënonte vitin 1911. Tha se ishte poema historike «Lufta e Maleve» - e Palok Traboinit, të cilën do ta çonte në Tiranë me poetin e asaj kohe Mark Gurakuqi, që ta botonin. Nuk e di çfarë u bë me atë dorëshkrim me kaligrafi të përsosur, të cilin Dada Katrinë e ruante me aq kujdes, mbledhur me një fjongo. E vendoste në mes të çarçafëve të punuar në avlëmend, që i ruante për vdekjen e vet, siç bënin të gjitha plakat e mira e ta urta shkodrane. At dorëshkrim, i mbetur edhe ai pezull në kujtesën time, e kërkoj edhe sot por janë fare të vogla shpresat se mund të gjendet. Aq më shumë që me vdekjen e Dadës Katrinë, humbën të gjitha reliket familjare. Por ruaj në kujtesë gjithçka që ajo më tregonte me aq butësi e mirësi ndërsa rregullonte velin e zi, ruaj në kujtese atë fytyrë të dashur me zemër të madhe qe kishte pare shumë travajë në jetë.
Mbaj mend një herë kur erdhi në shtëpi pasi kishte qenë tek shtëpia e motrës së vet Orsolina, nxori nga borseti disa kartmonedha e me tha: “Më dhanë disa pare se kanë shit portretin e Nanës Tone”. Ajo më kishte folur shumë herë për nënën e vet, portretin e të cilës e kisha parë tek shtëpia e Orsolina Çobës në Gjuhadol, që ka qenë shtëpia e Kol Idromenos, por ja kishte lënë mbesës së vet sepse nuk kishte trashëgimtar. Dada Katrinë nuk e ruante në kujtesë nënën e vet sepse kishte qenë ferishte kur mbeti jetime. Shpesh herë më merrte me vete dhe shkonim te shtëpia e dajës se saj Kol Idromeno, të cilën unë e ruaj në kujtesë nga fëminia. Një shtëpi me pak oborr përpara dhe me shkallë druri e me çardak. Kishte dhe një dhomë që e quanin dhoma e xhamave, ishte me ndriçim natyral. Ndoshta quhej dhoma e xhamave për shkakun se jo vetëm ishte me xhamllëk por se aty ende ruheshin kutitë e xhamave fotografike. Deri atë kohë unë nuk e dija se çfarë ishin xhamat fotografike sepse nuk i kisha parë kurrë. Por një ditë, kur po kthehesha nga shkolla vura re se në Gjuhadol, aty ku niste rrugica e shtëpisë së Orsolina Çobës, ishin një tufë xhamash të zinj e të thyer. U bëra kureshtar se kurrë nuk kisha parë xhama të zinj e aq më tepër të hollë si të ishin llamba elektrike të thyera. Mora një copë që ishte pak më e madhe nga të tjerat dhe vura re se dukesh një fytyrë e zezë.
Kur shkova në shtëpi, Dada Katrinë me vuri për të ngrenë, por kur pa duart e mia të pista më tha të lahesha dhe me pyeti se çfarë kisha prekur. Mu kujtua dhe nxora nga çanta xhamin e zi. Me pyeti sërish se ku e kisha gjetur. Në Gjuhadol, te rrugica e Orsolinës. Kishte plot xhama atje, i kishin hedhur në rrugë, i thashë Dadës Katrinë. Paskan thyer xhamat e dajës Kolë, me tha. Vura re se fytyra e saj u vërejt dhe u pikëllua. Por nuk foli.
Tepër vonë, kur do të rritesha, do ta kuptoja çfarë ishin xhamat e zinj dhe çfarë shprehte pikëllimi në fytyrën e Dadës Katrinë. Dhe për më tepër çfarë pasurie e madhe humbiste kultura shqiptare me shkatërrimin e arkivit fotografik të Kol Idromenos.
Kur u sëmur, isha në shkollën pedagogjike dy vjeçare “Ndrec Ndue Gjoka”, në Tiranë. Në atë shkollë, mbaj mend se kishte qenë nxënës edhe një tjetër i hot si unë, Ndoc Kol Martini.
Shkova në shkollë pedagogjike vetëm për hatrin e Dadës. Duhej të bëhesha mësues si baba im e si baba i saj Andrea Skanjeti, i vjetri. Nuk hoqi dorë kurrë prej kësaj ëndrre e deri në fund më thoshte “Kur të mbarosh shkollën e të emnohesh mësues si baba jot e si baba jem, do të vij me ty në Malci, e aty do të jetojmë bashkë me malësoret e vocërr, që ti do tu mësosh shkrim e këndim!”.
Po kjo shpresë mbylli sytë bashkë me njeriun, amanetin nuk ja mbajta dot, nuk u bëra kurrë mësues, por veç e di, po të jetonte ende Dada Katrinë, nuk do të më linte lehtë të hiqja dorë nga mësuesia.
Pas një operacioni diletant në spitalin e Shkodrës, kirurgu, (emrin e të cilit nuk dua ta përmend sepse nuk jeton më dhe... ka një emër me publicitet politik),  që ja kish lënë operacionin studentëve, e pa se ishte një diagnozë e ndërhyrje e gabuar e fatale. E bënë për të dytën herë, e ajo nuk duroi se ishte e vjetër,  e nisi të shuhej ngadalë.
I thanë që duhej të më lajmëronin mua në Tiranë, por ajo u la amanet: “Kurrsesi! Djali është në kohë provimesh (ishte fillimi i qershorit)...do të dali mësues. Edhe po të vdes, mos i thoni. Kur të vijë në Shkodër, mos harroni të ma sillni në Rrmaj te vorri, ta shoh, se ka shumë mall Dada për djalin!”.
Mbylli sytë, ata sy të bukur e inteligjentë që kurrë më në këtë botë nuk do ti shoh. Mua shtua edhe një brenge në kërkim. Kur në vitin 1982 në Fototekën “Marubi” gjeta fotografinë e saj,  në rini, bashkë me tim atë, nga thellësia e shpirtit thashë: “Dadë, kërkova veç njërin e ju gjeta të dyve, e, për besë,... tashmë kurrë nuk do t’ju humbas!“.
Dhe them, se nuk i humba, as Atin, as Daden Katrinë.
Kur erdha në Shkodër e kishin varrosur. Trokita në derën e trashëgimtareve të Jakë Zorbës dhe të Tezes Lenë, motrës së Dadës Katrinë sepse aty kishte kaluar ditët e fundit të jetës. Shtëpia ndodhej diku pranë vilës së Doktor Prelës dhe Kishës së Fretenve, por vajzat e Tezes Lenë, së kështu e thërrisja kur ishte gjallë, më thanë se nuk kishin asgjë. Po ndonjë fotografi, u thashë, ndonjë letër a ka lënë, ndonjë relike familjare a diç tjetër. Kurrgjë më thanë, kurrgjë! Ma prenë shkurt, nuk kish farë kuptimi ndenja, aq më tepër, krejt kot po përpiqesha ta fshihja një pikë loti prej 16 vjeçari, që më tradhtonte.
Ndërkohë në atë dhomë pritje, ku u ula për disa çaste, vura re një burrë të panjohur, që nisi të fliste ca fjalë si nëpër dhëmbë. Është burri im, më të cilin jam martuar kohët e fundit, më tha vajza e Tezes Lenë. E urova. Ma ktheu se, se i shoqi me të cilin kishte pak kohë që ishte martuar kishte qenë në burg politik e, sapo kishte dalë.
Ika me duar zbrazur nga shtëpia Zorba, nga ajo shtëpi, që tashmë e di gjithkush, se aty përditë meditohej poezi nga poeti Zef (Bep) Zorba, i biri i Tezes Lenë, nip i Dadës time Katrinë,  të cilin e kam takuar veç një herë, në vitet kur të dy punonim në Kombinatin e Drurit në Shkodër...
Me vdekjen e Dadës Katrinë ndjehesha dy herë i humbur. Se me Dadën kishin ikur të gjitha ato detaje e mikrosende me të cilat mund të lidhesha në mungesë të njeriut, pra si të thuash ishte shuar dhe shpresa e fundit në atë kërkim që ajo ma kishte nxitur...
Por në këtë botë, njeriu nuk mund të jetë pafundësisht pa fat e pa shpresë... Ky fat kish qëndruar diku përskaj, duhej vetëm të trokisja në një portë, në portën e intelektualit shkodran Andrea Skanjeti, nipi i Dadës Katrinë,  regjisor e dramaturg i njohur që mbante emrin e gjyshit të vet, mësuesit të tim ati dhe babait të Dadës Katrinë, i cili, për lumturinë time veterani i teatrit shkodran, më tha se ruante një kopje të daktilografuar të poemës «Lufta e Maleve», këngën e parë të së cilës e kishte botuar në almanakun «Shkodra 1962». Kështu poema e humbur e tim ati, shkruar në vitin 1911 në Prizren, u gjend më së fundi në dorën time në saj të intelektualit të mirënjohur shkodran Andrea Zef Skanjeti, kujtimi i të cilit meriton çdo mirënjohje.
Ai ishte nip i Dadës sime Katrinë, djali i vëllait të saj Zef Skanjeti, kësisoj gjithçka në jetën time, që kur më pagëzoi e me vuri emrin e dajës së vet Kol Idromeno, është e lidhur me atë mrekulli që unë që kur kam lindur e kam thirrur Dadë.