29 May 2014

(K)urbanistika, kanabisi dhe populli në delir-nga Traboini


(K)URBANISTIKA, KANABISI DHE POPULLI NË DELIR

Nga KOLEC TRABOINI

Seç ka një hipokrizi zulmëmadhe në këtë Albanistanin tonë heroik, luftëtar, durimmadh i pamposhtur. Të gjithë flasin për mafia ndërtimesh, mafie droge, mafie avionësh, mafie pastrimi parash e ku ta di unë, dhe i drejtojnë gishtin njëri-tjetrit nga pozicioni i djathtë apo i majtë. Në të vërtetë të dy krahët janë zhytur deri në fyt me kësisoj histori myteberrësh. Ah po. Se desh harrova pse e nisa dhe bitisa këtë shkrim me titull paradoksal (k)urbanistika. Me një fjalë kaosi ku jetojmë përditë dhe kryeqyteti si kurban i të pangopurve tanë të mëdhenj.
Ja si e kam përshkruar në librin e fundit me poezi makthin tim prej kësaj(k)urbanistike që vjen e përplaset dhunshëm deri tek xhamat e dritareve tona: Para pallatit tonë të vogël me tulla të kuqe/ngritën një ndërtesë të stërmadhe gri/që të kujton dinozaurët /e lartë, hijerëndë e të egër./Tani nuk kam më veç një përçik qiell/e një çarçaf të verdhë/varur në ballkon si diell...
Pushtuar prej kësisoj mendimesh aspak poetike i hodha një sy për herë të fundit e jo pa pikëllim elegjiak ndërtesës që dikur kishte qenë ndanë Kishës Katolike në rrugën e Kavajës. Ishte pastruar në mënyrë shembullore gjithçka, për t’ia pasur zili edhe ushtarët në kryerjen e detyrave ushtarake si pastrimtarë brigjeve të detit. Çfarë të shihje...Thua nuk kishte patur një ndërtesë ndonjë herë në këtë vend. Çdo gjë në prefeksion shkatërrimtar nën parullën “Gati për betonime të reja!”
Po vrisja mendjen a ka qeveria e rrogëtarët e saj ndonjë plan urbanistik për rrugën e Kavajës që ka aq shumë ngjarje në historinë e Tiranës. Ndërsa meditoja për kohë të shkuara kur këndej gjithnjë takoje shkrimtarë, sepse kjo rrugë lidhte Lidhjen e Shkrimtarëve (nuk ka më lidhje e as zgjidhje shkrimtarësh me shkakun se qeveritë, majtas-djathtas vend numëro,  i kanë shpallur luftë shkrimtarëve), e lidhte pra  me ndërmarrjen botuese. Shto edhe shtypshkronjat,  ishte si të thuash rrugë e shkrimtarëve. Tani nuk gjen më një pikë shkrimtari veç Koço Kostës dhe Sayan Golikut që e kanë shtëpinë përballë ish-shtypshkronjës “Mihal Duri” ku shiten llambadarë aristokratësh.
Ndalova paksa para  ndërtesës ku kam qenë në shkollë pedagogjike dekada më parë, kjo ndërtesë si tempull ka shërbyer edhe si Lice Artistik, edhe si Muze i Shkencave të Natyrës. Çfarë të shoh. Mjerim. Gërmadhë. E kanë lënë të degradohet atë ndërtesë të bukur dhe e dini çfarë është bërë!?  I ka dalë pronari i tokës,  thonë. Mirë bëri që doli pronari i tokës, mirëpo ato ndërtime kush i ka bërë. Janë bërë me djersën e popullit. Sa ka paguar pronari i tokës për atë ndërtesë kaq të bukur që u la qëllimisht të degradohej që pronari  që na doli si kofini pas të vjeli, të mos paguante asnjë dyshkë. Këtu në lojë ka qenë qeveria e shkuar e cila kësisoj ka bërë me të gjitha ndërtimet shtetërore, pronë të popullit. Kanë shkuar për dhjamë qeni. Janë lënë qëllimisht të shkatërrohen, që të paguhen lirë ose të mos paguhen fare ose-ose të futen paratë në xhepat e pushtetarëve. Zgjidh e merr. 
- Tashmë aty është një parking makinash, - më tha roja që vinte vërdallë me një zorrë uji në dorë.
Isha i përhumbur në kujtime shkollore. Atëbotë kishim drejtor Gani Daiun, një mësues vërtet i lavdishëm, mësuese vizatimi Vangjeli Çomorën gruan e shkrimtarit Spiro Çomora, mësues gjuhe një gjuhëtar si Pjetër Elezi, apo Kamber Xheria,  në matematikë Hajro Babameton dhe Ibrahim Turdiun, kujdestar konvikti kishim Ndriçim Lakon, babain e artistit Bujar Lako e të tjerë.
- Po speciet dhe herbariumi ku shkuan? I privatizuan dhe ato. U doli pronari? Mos fluturuan me avion në Divjakë? - thashë pasi dola nga kujtimet.
Roja i hutuar,  ngriti supet e m’u përgjigj disi në huti:
 - Andej nga “Ali Demi” i kanë përplasur. Punë  mushkonjash e bufa kënete. Këtu do të bëhet një ndërtim i madh, - tha ai si të më jepte një sihariq.
-  Katastrofë thuaj, - ia ktheva.
Ai ngriti sytë e më mori si për të çmendur. Dhe kishte të drejtë. Se nga ndërtimet dalin para de... para e madhe. Kush po pyet për shkenca në Shqipëri?!
Nuk e di a kanë ndonjë plan proteste shoqatat që janë për të mbrojtur vlera arkitekturore e urbane të cilat  po korrin disfatë pas disfate. Disfata heroike.
Vaterlo urbanistike thuaj. Ndërsa shteti,... ç’të flasim për shtetin, këtë qerre të vjetër. Këtij shteti i ka zënë rrota bishtin tek mushkonjat e Divjakës dhe fletët e blerta të kanabisit. A thue të gjitha hallet e tjera të këtij populli të jenë krye.
Në të vërtetë më mirë do të qe të frenohej disi (k)urbanistika dhe të ligjërohej kanabisi që tek tymosnin njerëzia, çdo disfatë t’u dukej fitore, të besonin përrallat e politikanëve, të notonim në delire e kësisoj të na dukej vetja populli më i lumtur në botë.
Jemi a s’jemi?!

© k.p. traboini
2014
   

Në blogun Traboini esé mund të lexoni:


Kriza e artistit dhe supërkriza e kulturës-Traboini
Presidenti Wilson- ëngjëlli mbrojtës i Shqipërisë -Traboini

 Kinostudio- në vend të ullinjëve mbollën beton- Traboini
Seks për një vend pune - nga Kolec Traboini  
Punë kulturash - nga Tirana në Prishtinë - nga Kolec Traboini 
Shkodrania aktore e parë e Turqisë- nga Kolec Trab... 

Dallandyshe pa qiell- nga Kolec Traboini  

"E vërteta"... e pavërtetë e prof. Emil Lafe - nga...

Zhvillimi letërsisë shqipe në Mal të Zi- nga Rrok Gjolaj
Akademia e mykur e Tiranës- nga Kolec Traboini 
Kështu vret vetëm mafia - nga Kolec Traboini
Aristidh Kola - një libër i ri i Kolec Traboinit
Disidenti i heshtur Zef Zorba - nga Kolec Traboini...
 Lazarati në tym - shteti në delir- nga Kolec Trabo.
 Zeusit i lajkatohen të gjithë- nga Traboini
Big Show me Canabis Sativa- nga Kolec Traboini
Njerka shkon në ballo- nga Kolec Traboini
Stina e mjekrrave të hajthshme - nga Kolec Traboin...
Edgar Allan Poe - më së fundi i kthehet vendlindje...
Kur shpresa s’është veçse një kurvë...- nga Kolec ...
Atë Martin Gjoka kompozitor e mësues i madh - nga ...
Dekorimi politik i Kol Idromenos- nga Kolec Traboi...
Dhjetë vjet thirrje për bustin e Ded Gjo Lulit- ng...
Prejardhja e Hotit dhe Flamuri i Deçiqit - nga Kol...
Requiem i Verdit në vjeshtën politike të Tiranës- ...
Epika blu e Edison Gjergos- nga Kolec Traboini
Ardhacaket e Ballkanit Sofie-Safete Juka
Boston- një shekull përballë greqizimit
Udhë e mbarë, o Sizif

KATËR INTERVISTA NGA KOLEC TRABOINI

27 May 2014

Kolec Traboini: Skënder Daja, martiri i Spaçit që këndonte Çelentanon në burg


Kolec Traboini: 
Skënder Daja, martiri i Spaçit 
që këndonte Çelentanon në burg

Regjisori i dokumentarit “Djaloshi me kitarë” rrëfen historinë e 22-vjeçarit të ekzekutuar si frymëzues i Revoltës së Spaçit. “Të vetmen ëndërr që kishte, ishte të këndonte një herë të vetme me Adriano Çelentanon. Kjo ëndërr e burgosi në Spaç. Me këtë ëndërr, Daja i dha zemër revoltës më të madhe antikomuniste”.

-Thirrja “E duam Shqipërinë si Europa” është artikuluar për herë të parë në vitin 1973 në burgun e Spaçit. Për regjisorin e dokumentarit “Djaloshi me kitarë”, Kolec Traboini, ky ishte një zbulim teka hulumtonte në arkivin e Ministrisë së Brendshme. Ai ndodhej aty për të mbledhur material për realizimin e dokumentarit “Djaloshi me kitarë”, ku rrëfehet historia e Skënder Dajës, 22-vjeçarit të ekzekutuar si frymëzues i Revoltës së Spaçit. Dokumentari u shfaq disa ditë më parë premierë në Kinema Milenium në Tiranë. I realizuar nga Kolec Traboini, me bashkëskenarist Ilir Çumanin, filmi rrëfen anën njerëzore të 22-vjeçarit Skënder Daja, që të vetmen ëndërr që kishte, ishte të këndonte një herë të vetme me Adriano Çelentanon. Kjo ëndërr e burgosi në Spaç. Me këtë ëndërr, Daja i dha zemër revoltës më të madhe antikomuniste. Por ç’ ka ndodhur ato tri ditë (21-23 maj) të vitit 1973 në Spaç? Kolec Traboini tregon çfarë zbuloi në arkivin e Ministrisë së Brendshme.

Është folur dhe shkruar shumë për Revoltën e Spaçit. Ju, përse u ngacmuat të realizonit dokumentarin “Djaloshi me kitarë”?

-Sa herë që është folur dhe shkruar për revoltën e Spaçit, në çdo përkujtim, libër, shkrime, intervista etj., emri i frymëzuesit të kësaj revolte përmendej fare pak. Asnjë nuk e njihte se kush ishte Skënder Daja, i cili ishte vetëm 22 vjeç kur e pushkatuan si frymëzues i revoltës. Sa herë që lexoja për revoltën e Spaçit më kujtohej Skënderi. Prandaj vendosëm që në bashkëpunim me Institutin e Fëmijëve Jetimë të realizonim një film dokumentar për të treguar se kush ishte ky djalë. Cilat ishin ëndrrat e tij, cila ishte historia e jetës së tij…

Kush ishte Skënder Daja?

-Ai ishte një djalë me shumë talent. Ishte artist, i pëlqente të këndonte dhe i binte kitarës. I pëlqenin sidomos këngët italiane, të cilat dhe i dëgjonte. Prandaj ai kishte ushqyer një ëndërr të madhe. Ëndërronte të këndonte një herë në skenë me Adriano Çelentanon. “Ah, të këndoja një herë me Adriano Çelentanon…”, – thoshte shpesh. Por këto ishin ëndrrat e një fëmije.
Kur ishte ushtar, këtë dëshirë dhe ëndërr të fëmijërisë ai ia tregoi një shoku. Ky, një shoku tjetër e kështu me radhë, deri sa shkoi në veshin e gabuar. E raportuan se donte të arratisej për të realizuar ëndrrën e tij që të këndonte me Çelentanon. U arrestua dhe u dënua me 10 vjet burg. E çuan në burgun famëkeq të Spaçit.

Si u bë Skënder Daja frymëzues i Revoltës së Spaçit?

-Revolta e Spaçit nuk ishte e planifikuar. Ndodhi diçka. Një prej të burgosurve, Pal Zefi ishte dënuar me 30 ditë në izolim. Kur mbaroi 30-ditëshi, ai u kërkoi gardianëve që ta nxirrnin dhe t’u bashkohej shokëve, sepse e kishte kryer dënimin e tij. Por gardianët nuk donin ta nxirrnin. Atëherë ai doli dhe iu bashkua vetë shokëve. Në këtë moment gardianët kanë shkuar për ta marrë dhe shokët e burgut janë përplasur me ta. Kjo ndezi revoltën e të dënuarve në burgun e Spaçit. Të revoltuar nga mënyra çnjerëzore me të cilën trajtoheshin, të burgosurit e revoltuar shkruan një promemorie ku parashtronin kërkesat e tyre. Skënder Daja, që njihej mes tyre si një i ri me zërin e fortë dhe kumbues, u thirr që të lexonte me zë të lartë promemorien për t’ua bërë të ditur të gjithë të burgosurve. Për t’iu ngritur moralin të tjerëve në burg këndonte këngët e Adriano Çelentanos. Në fund, kur revolta po shtypej dhe morali i të burgosurve kishte rënë, Skënder Daja u ngjit në tarracë, filloi t’i binte kitarës dhe të këndonte. Për mua ky ishte një akt i madhërishëm, sepse tregon se sa fuqi morale ka njeriu mbi krimin. E vetmja armë për të mposhtur barbarinë për të ishte kënga. Skënder Daja është simboli më i fuqishëm i Revoltës së Spaçit, sepse ai ka qenë i pari në Shqipëri që ka thirrur publikisht “E duam Shqipërinë si Europa”. E ka thënë këtë në vitin 1973 dhe kjo është e shkruar e zeza mbi të bardhë në dokumentet që ndodhen në arkivin e Ministrisë së Brendshme.
Por ajo çka më ngacmoi mua si regjisor nuk ishte thjesht rrëfimi i një historie të fshehur që unë po e zbuloja. Përtej kësaj, e rëndësishme për mua ishte mesazhi artistik që do të përcillja me këtë film. Ne e ndërtuam këtë film që publiku të ngacmohet të mos rrijë indiferent ndaj kësaj ngjarjeje, por ta përjetojnë atë dhe në fund të shfaqjes të dalë me një lloj katharsisi. Ky film nuk është realizuar për t’ia përplasur në fytyrë njërit apo tjetrit. Në filmin tonë nuk bërtitet, nuk tregohet me gisht askush. Nuk kemi bërë retushim të asnjë emri që u implikua në këtë ngjarje. Të gjithë emrat e atyre që kanë marrë pjesë në këtë masakër janë të shënuar në film dhe janë të lexueshëm. Njeriun duhet ta vrasë ndërgjegjja vetë. Unë do kisha dëshirë që në shfaqjen e këtij filmi të ishin të pranishëm si bijtë e atyre që kanë qenë pjesë e asaj revolte, ashtu edhe bijtë e atyre që i kanë dënuar.

I ftuat?

-Po, i ftuam të gjithë. Asnjëri nuk erdhi nga asnjë krah i politikës, sepse siç ju thashë, ky nuk është një film që buçet urrejtje. Ky film nuk i shërben asnjërës palë. Njëra palë do që t’ia përplasë në fytyrë tjetrës, e tjera palë thotë, obobo… janë baballarët tanë. Kështu që të dyja palët refuzuan. Ky është turp! Qëllimi i këtij filmi nuk ishte as për të gjykuar njeri e as për të mohuar njeri.

Hasët vështirësi për të gjetur materialet e nevojshme për këtë film?

-Filmi ishte thuajse i pamundur për t’u realizuar, se nuk kishte qoftë edhe një foto të Skënder Dajës dhe dokumentet nuk flisnin për të si njeri. Megjithatë, gjëja e parë ishte hulumtimi në arkivin e Ministrisë së Brendshëm. Fatlumturisht, aty gjetëm dy fotografi. Njëra foto i përkiste moshës kur Skënder Daja është pushkatuar dhe një foto fëmijërisë së tij në Shtëpinë e Fëmijës. Por qëllimi ynë ishte që ne të sillnim shpirtin e Skënder Dajës dhe fatmirësisht gjetëm dhe shumë të njohur të tij që na folën për të.

Intervistoi: Aida Tuci
Gazeta MAPO, e marte 27 maj 2014  


Next: KUR NJERKA SHKON NE BALLO http://traboini1.blogspot.com/2014/05/njerka-shkon-ne-ballo-nga-kolec-traboini.html