27 April 2024

Nastradini përballë Nostradamus - nga K. P. Traboini

.
Kolec P. Traboini, Washington DC

NASTRADINI PËRBALLË NOSTRADAMUS
Kaon Serjani bën "Dialog me ateistin Ben Blushi

I konsideroj si një sofizëm i rëndomtë rokanisjet e Ben Blushit që kërkon dhe nuk e gjen Zotin nga kafeneja apo direktorati i Televizionit ku shpërblehet jo pak, si dhe kritikut të tij Kaon Serjani me librin e tij "Dialog me ateistin Ben Blushi" një antiavaz ky, ku shfaqen si në një grotesk me shekuj të vonuar; si Engelsi përballë Dyringut me "Antidyring-n" e tij.
Hall i madh i ka gjet, ka apo nuk ka Zot, sikur të na këtë mbetur ne shqiptarve në mjerim të madh ekonomik dhe intelektual, për të zgjidhur problemet e botës, për të cilën ata mendojnë nga furriqet e tyre se paska ngecur.
Mendoj se të dy në këtë rast janë autorë çudirash sofiste. Të broçkullisësh ka apo nuk ka Zot kur të tjerët ka 2000 vjet që merren me këtë teme edhe duke qenë dijetarë gjenialë, të dalin këta e të tjerë si këta e ta molloisin këtë punë fshatçe, si Pilua me Milon që qajnë hallet e luftës që dikur është bërë në Gjiblartar.
Mjer gjuha shqipe e lexuesi shqiptar i ngecur në moçal, ku është i detyruar të dëgjoj muzikë bretkocash që gjykojnë ligjet kozmike. Mirë e ka Robert Martiko, katunarët tanë në fushë të dijeve nuk e kanë fare në vemendje Kohën brenda së cilës shkrihen të gjitha dijenitë njerëzoret e besimet dhe e çojnë përpara njerëzimit. Këta burrat e provincës tonë që shkruajnë libra mendojnë se Zoti është një katnar që rri në minderin e shtëpisë tyre e bisedojnë me të si me gjysh babagjyshin. Mirëpo këta nuk janë as në nivelin e përralltarëve ku të pakten ka art e fantazi të mjaftueshme. Bëjnë Nastradinin, por as Nostradamusin e as Andersenin.
Sofizmi është i njohur që para 2500 vjetesh e nuk është armë e dijes, por e njohësve të përciptë të dijeve dhe e injorancës së politikanëve përfituese që spekullojnë me Zot e Shkencë për të bërë para.
E pse jo, për disa edhe paraja është një prej zotërve, prandaj bleni libra që ata, teoricienët tonë pro e kundra Zotit, të kenë mundësi të mbushin thesin.
Jetojmë në kohë apokaliptike ne shqipot e siujdhezës ballkanike, ku sofizmi është kthyer në art dhe dija eshtë zëvendësuar me narkozë librash, për të cilët, pse jo, e duan taze dhe çmimin Nobël.
Nastradini ynë do laureohet patjetër! ✅

©️ K. P. Traboini