27 February 2017

Çiçikovët e Qeverisë...- nga Kolec Traboini




ÇIÇIKOVËT E QEVERISË

Kryeministri në mashtrimin e radhës deklaroi: Vetingu nuk bëhet as për mua, as për Metën e as për Lulzim Bashën....po për ke atëhere? Me një fjalë këta politikanët do të vazhdojnë të vjedhin edhe me tej siç e kanë vjedhur këtë mjeran popull për njëzetepesë vjet. Ky është Vetingu. Firmosni, o qyqarë...

Nga KOLEC TRABOINI

Shumë njerëz po gënjehen me Vetingun. Po keqkuptohen e mashtrohen shumë shqiptare që firmosin pa ditur se pse. Firmosin për drejtësi imagjinare. E tha kryeministri me gojën e vet, Vetingu nuk është për mua, as për Metën as për Lulzim Bashën. Po për kë është atëherë? Pse duhen mbledhur firmat nga shoqatat servile të Qeverisë që u jep ndonjë llokme. Shoqata zagarësh që e sjellin gjahun në pritë për ta qëlluar gjahtari i madh? Mashtrim më i hapur në këtë botë njerëzore nuk mund të gjendet. Siç bënte Enveri, me tufëzimin që do të krijonte gjoja bollëk, do e bënte popullin më të lumtur e më të pastër dhe fshatarët i ngordhi urie. Është krejt e natyrshme që bijtë të bëjnë atë që bënin baballarët. Të tufëzohet populli pas kauzave të krye qeveritarit që po i shket toka nën këmbë. Kjo është një lojë e ndyrë politike për të mbajtur pushtetin. Dhe ca politikuc të vegjël që në njëzetepesë vjet janë darovitur me kolltukë herë nga Berisha e herë nga Nano-Rama  dalin e bëjnë propagande për mbledhje firmash. Referendumin kundra plehrave e refuzojnë e këtë palo veting, këtë tullumbace ngjyra-ngjyra për gjoja drejtësi dalin dhe e mbrojnë, dhe e propagandojnë. Qëllimi një kolltuk tjetër. Neveri... Këta që janë sot po këta do jenë edhe neser. Tani këta do të kontrollojnë edhe Drejtësinë. Për hesap të xhepit të vet sigurisht. Kaq naiv jeni more shqiptarë. E hani sapunin e kryeministrit për djathë Gjirokastre? Ju qofshi!
Tani doli edhe kryetari i Bashkisë së Tiranës, Erion Velia, një Sorist i njohur për mashtrimin e tij me shoqatën "Mjaft",  që u kthye në lake të politikës, e shiti kauzën që hapi Sorosi në Amerikë për një kolltuk në Shqipëri. Krye bashkiaku që duhet të merret me ujin, dritat, kanalet e fekalet që po na mbulojnë e jo me politikën e ditës si sejmen i Kryeministrit, si një Çiçikov i pështirë firmash e shpirtrash të vdekur. Se të gjallët, mor zotni, e marrin vesh mire dhe e kuptojnë çfarë janë këto firma në peticione fantazmë të organizuar nga qeveria.
Një hall i madh i ka zënë që dalin me shkop e me traste të mbledhin firma. E tmerrshme. Çfarë po ndodh në këtë vend. Do bëjnë hallvaxhiun mbret, siç shkruante Noli i madh, demokrati më i madh shqiptar në histori. Qeveria mbledh firma kundër Opozitës. Kjo është me të vërtete ajo që nuhat aludon Ismail Kadare, se në horizont po duken re të zeza, prandaj përgatituni për ngadhënjimin e absurdit, diktaturën. Se diktatorët e vendosin pushtetin e vet absolut duke mashtruar së pari popullin. Të gjithë diktatorët kështu bëjnë. Edhe kryeministri këtë po bën. E ka thënë që në fillim, pritni se nuk keni parë gjë akoma. Dhe pak nga pak po e bën atë që ka premtuar. Pushtetin e tij absolut dhe katraurën e Shqipërisë. Ju qyqarë shqiptarë, që firmosni në peticione servile qeveritare mendoni se jetoni në demokraci, por diktaturën pas dere e keni. Asnjë pendim nuk e kthen mbrapsht gabimin e sotëm fatal.
A keni sy për të parë? A keni veshë për të dëgjuar. Ju ka qorruar e shurdhuar politika, o popull. Ju po bëni të kundërtën e asaj që po bën Rumania. Po i konsolidoni pushtetin një njeriu dëlirant e narcist që nuk mendon as një sekondë të jetës së vet për këtë të mjerë popull, që të rras në burg për një fature energjie e të lë aty deri sa të vrasësh vetën. Kryeqeveritari, ky tagrambledhës i madh, mendon e punon vetëm për luksin e vet, të ministrave të vet, të rrethit të vet, të shkëlqimit të vet të rremë. Një popull që shkon pas dëlirantëve e jo pas njerëzve racional përfundon në greminë. Pa pikë dyshimi shkon ne depresion e fatalitet. Kaq herë keni rënë. Në 1944 shkuat pas berihait të Enver Hoxhës dhe komunisteve dhe e patë veten ku kishit rënë vetëm në 1990 kur Amerika me politikat e strategjinë e saj afatgjatë të konkurrencës, e shkatërroi sistemin e hekurt komunist të Rusisë sovjetike. Vetëm atëherë u zgjuat, një zgjim i vonuar me plagë të rënda shoqërore. Dhe mendojmë se mësuat diçka nga kjo histori tragjike. Asnjë shans diktaturave, mos u jepni asnjë mundësi, asnjë votë dëlirantëve që nesër mund t’ju rrezikojnë jetën tuaj dhe të pasardhësve tuaj, që mjerisht e fatalisht për kombin shqiptar, nuk e shohin të ardhmen e vet në këtë vend, por vazhdojnë të marrin nga sytë këmbët e të ikin nga Shqipëria. Ndalimi artificial që i bëri Europa këtyre ikjeve duke mos u dhënë azil shqiptarëve si sirianëve, me mendimin te drejtë mbase se nuk duhet të boshatiset Shqipëria. Por kjo nuk është zgjidhje, është thjeshte një injeksion i kërkuar nga qeveria e dalë boje e Shqipërisë pa asnjë efekt kurativ. E keqja është fasada, oratoria shterpë që nuk zgjidh asnjë problem, veç llomotitjeve televizive groteske:  punë ka por specialist nuk ka. Një mashtrim kolosal, një cinizëm i pashoq i krye qeveritarit me rininë shqiptare të papunë, me pa të ardhme,  që rri gjithë ditën kafeneve si në asnjë vend tjetër të Europës e më gjerë.
Dhe kësaj katrahurë i jepni firma në peticionet që organizon një qeveri e rrënuese, e paaftë, një qeveri që punon vetëm për xhepat e vet, që nuk e di çfarë po ndodh me popullin shqiptar në skamje, që nuk e di se pensioni i një dite është i barabarte me një kilogram kungull, çfarë nuk ka qenë kurrë në këtë vend e çfarë nuk ka qenë as në kohën e varfërisë më të madhe të diktaturës, Dhe i jepni firmën për ti zgjatur jetën Qeverise se Kungullit. Mos e vrisni vetën me dorën tuaj, o njerëz. Se ata këtë duan. Vetëvrasjen e trumcakut migjenian.
Po si mund të organizojnë peticione publike këta që nxorën ligjin e çmëndur për ta mbushur Shqipërinë me plehrat e Europës. Ju mashtrojnë këta çmendurakë në mënyre të hapur e ju me naivitet firmosni. Vetingu është thjeshtë se kush gjyqtar do të zgjidhet e kush do të skualifikohet. Po kujt i hyn në qase se kush gjyqtar zgjidhet, përderisa po ato që ishin janë. Gatuajnë brumë me miell te mykur e ju thonë, kjo po, është një gjë e re. Kanë vjedhur shumë e hapur tani do përpiqen të vjedhin më fshehurazi. Por do të vazhdojnë të vjedhin sigurisht. Juve që firmosni peticionin e qeverise do t’ju vjedhin. Që shkoni si cjapi te kasapi. Problemi e lufta bëhet se kush nga krahët e politikes do të caktojë të vetët me shumicë në drejtësi, që të drejtojnë e vjedhim më lirshëm,  që të mos dënohen për vjedhjet që do të bëjnë edhe ne te ardhmen. Siç ka ndodhur deri më tani.  Se nuk ka folur kush për ndonjë veting të politikes, për këta gjoja të varfrit hajdutë me çizme,  që janë në krye të partive qe kur marrin pushtetin bëhen si Ali Baba me dyzet  hajdutë, që vjedhin me miliona nëpërmjet korrupsionit me tendera mikut e shokut, djalit dhe kunatës, dreqit e të birit, por jo njerëzve të thjeshtë të popullit. Janë milionerë dhe jo me lekë po me miliona Euro dhe Dollarë.
Jo, jo! Plehrat e politikës nuk mund të bëjnë as Veting dhe aq me tepër Drejtësi.
Por ata mund te dalin me shkop e me traste të mbledhin firma ndër shqiptarë që nuk kanë intuitë e janë mësuar të gënjehen prej këtyre Çiçikovëve politikë që kërkojnë rrugëve e shesheve të Shqipërisë për shpirtra të vdekur.

© k.p.traboini 2017

26 February 2017

Si e pse nuk u bëra kurrë komunist - nga Kolec Traboini



SI E PSE NUK U BËRA KURRË KOMUNIST
-  Megjithë këmbënguljen e Niko Kolekës, dajës së kryeministrit të sotëm -

Nga KOLEC P: TRABOINI

Më thonë shpesh se qenkam produkt i kohës së lavdishme të Enver satanit. Më gjykojnë me mëndet e veta që u kanë mbetur peng i kohës së perënduar, se unë nuk e di veten produkt i bolshevizmit, as komunizmit e as i rrymave të tjera qëllim liga si këto. Veç dashurisë për Atdheun që e kam të pakontestueshme e të patjetërsueshme, nuk më lidh asgjë me kohën kur jetova në diktaturë.
Mallkuar qoftë ajo kohë gjaku e krimesh monstruoze!
Gjithsekush e ka nevojë të bejë apologjinë e vet. Edhe unë gjithashtu.
Unë Kolec Traboini jam produkt i Hotit dhe i Shkodrës, i biri i Palok Luc Çekut - Gojçaj, nga Traboini i Hotit që mbajti mbi shpatulla një histori. I lindur fatkeq në diktaturë kam qenë i detyruar të mbijetoj. Kam bërë koncesione plot ne punën time si skenarist filmi në Kinostudio, e kjo që të mbijetoja, si pinjoll i vetëm që isha, që të mos na shuhej raca e gjyshit tim Luc Çek Gojçit që e ka varrin në Traboini të Hotit, se boll na ka shuar komunizmi në Malësi, shumë dyer ka mbyllur njëherë e përgjithmonë.
Produkt komunist nuk jam e nuk mund të jem, aq më tepër vetë daja i Kryeministrit të sotëm, që ishte nip i një udhëheqësi  të diktaturës, Spiro Kolekës, ndjesë pastë Niko Koleka në Kinostudio, ka insistuar aq shumë që të bëhesha komunist, por në asnjë rrethanë nuk kam pranuar.
Niko Koleka kishte qëllim të mirë, nuk e vë në dyshim, se pa qenë komunist nuk kishe asnjë përparësi, por unë kisha një kujtesë të llahtarshme se si kishin vepruar komunistët me njerëzit e krahinës sime Hot, por edhe në Nanlocën tonë Shkodër. E megjithëse pagova haraç e bëra koncesionet e mbijetesës, kurrë nuk e kam tentuar e as çuar nëpër mend të jem produkt i kohës hoxhiste. Nuk me linte të bëhesha komunist kujtimi i Nunit tim Prenk Uci i Hotit, i burgosur politik që u vetëvra prej persekutimesh, kujtimi i vëllait të tij Palok Uci që me urdhër e firmë të Enver Hoxhës u ekzekutua në mars 1945 në moshë pak më shumë se 20 vjeçare. Kujtimi i djalit të fisit tonë Nikoll Gojçi komandant i batalionit të 3 të brigadës së I Sulmuese në moshën 26 vjeçare, që u ekzekutua pas shpine nga Mehmet Shehu. Nuk më linte as kujtimi i hotjanëve  të tjerë të ekzekutuar si miku i ngushtë tim eti, mësuesi nga Hoti Pjetër Pali, po ashtu kapiteni trim Gjelosh Luli, i miri Patër Zefi i Traboinit, mësuesi artist Gjokë Martini, Kol Maçi e të tjerë.  Mes meje e këlyshëve të Enver Hoxhës që bënin krime të përbindshme në Malësi e në Shkodër kishte një hendek gjaku. Gjaku i bashkë-malësorëve të mi, i fisit tim, i miqve e të afërmëve të Atit tim.
Ne nuk e lindëm komunizmin kur erdhëm në këtë botë, e gjetëm këtu. Ndërsa për ata që e sollën ka një thënie të komunistit të parë, shkodranit Zef Mala, se,  as populli as historia nuk do të na falë kurrë se sollëm farën e keqe shkatërrimtare në këtë vend.
E vërteta është si dielli, i cili nuk mund të fshihet pas ferrave të komunizmit.
Punë e vështirë.

© Kolec P. Traboini 2017

Çadra e madhe dhe çadra e vogël- nga Kolec Traboini


 Autori i shkrimit, në sfond çadra e madhe e opozitës
Çadra e vogël e shoqatave civile lakej të Qeverisë

ÇADRA E MADHE DHE ÇADRA E VOGËL
Qeveria përdor shoqatat civile gjoja të pavarura për të mbledh firma e për të detyruar opozitën të kthehet në Parlament.

Nga KOLEC TRABOINI

Në kthim nga Çadra e Madhe e opozitës që kish braktisur Parlamentin  e protestonte me ditë para Kryeministrisë,  në cepin e Lulishtes "Rinia" ku gjendet dhe Ura e Lanës, pashë një çadër e vogël blu. Mendova për një çast, duke u nis nga ngjyra blu, se opozita paska bërë një punë të mençur duke nxjerrë të rinj demokratë për të mbledhur firma për rrëzimin e Qeverisë. U afrova. Aty ishte një vajzë e bukur, dukej si studente, me flokë të zinj, sy inteligjentë që i shkëlqenin ani pse ishte një ditë e vërejtur dhe me shi. E pyeta:
- Përse është kjo Çadër e Vogël këtu në lulishte.
- Jemi shoqëria civile.
- Çfarë kauze keni- e pyeta sërish.
- Mbledhim firma - më tha. Duam që të përkrahet Vetingu dhe të kthehet Opozita në Parlament. Mu duke e çuditshme kjo kauzë prandaj i thashë.
- Ju si shoqëri civile, si shoqata flas, kam parasysh këtu dhe moshën tënde te re, pse nuk protestoni e mblidhni firma për të lehtësuar gjendjen kaotike të jetës studentore, pse nuk protestoni në mbështetje të banorëve të Zharrzës, pse nuk protestoni se mbaroni studimet universitare e nuk keni punë apo se të rinjtë si ti në moshë, mbi 80% e kanë mendjen për të ikur nga Shqipëria.
Ajo nuk dinte çfarë të thoshte.
- Po çfarë pune keni ju me vetingun? Me prokurorët e gjyqtarët? Pse bëheni lojë politike në ndeshjet në mes të dy dinozaurve të politikës konfliktuale shqiptare. A nuk keni kauza civile. A e shihni popullin që vuan?
Më kot prita të më përgjigjej.
E mbylla duke i thënë:
- Të ka nxjerrë qeveria në rrugë të gabuar. Mos u bëni vegla qorre të një qeverisje rrumpallë.
Pastaj nisa te meditoj me vete:
Bravo Qeveri. I përdor shoqatat civile si rrecke për të fshirë hundët në këtë epidemi gripi politik. 6000 shoqata civile ka Shqipëria. Të gjitha janë mercenare qeverish dhe tërë preokupimi është të marrin fonde e të bëjnë vila për të kaluar pleqërinë e zezë.
Ika me mendimin se përditë e më shumë bindem e më për shumë shoh thellë e më thellë, siç thoshte Migjeni, se këta sharlatanët që nuk dinë të qeverisin janë një barrë e rëndë për popullin dhe duhet shporrur.

© Kolec Traboin 2017