27 October 2013

Për kolegen gazetare Zenepe Luka - nga K.Traboini

Zenepe Luka 1978


PËR KOLEGEN GAZETARE ZENEPE LUKA

 Nga Kolec TRABOINI

Kam patur në shkollën pedagogjike "Ndrec Ndue Gjoka" në Tiranë një shoqe klase nga Librazhdi. Ishte një nxënëse e urtë dhe e sjellshme, e zellëshme në mësime dhe rrinte gjithmonë në bangën e parë.  Mendonim se ajo do të dilte vërtetë një mësuese shumë e mirë.  Kishte dhe një shoqe të ngushtë shkodrane, Esmanë që këndonte aq bukur në mbrëmjet e shkollës “Bishtalecat palë e palë” sa na bënte ta këndonim të gjithë. Ishim në një moshë që gjërat na dukeshin të trëndafilta, ani pse diktaturë kishte shumë  hare në jetën tonë shkollore të cilën i kujtojmë jo pa nostalgji. Por edhe mësuesit tanë  Pjetër Elezi e Hajro Babameto, Vangjeli Çomora e Jolanda Xhomo- Pogu,  Liri Dodbiba e  Arqile Moisiu, Ismail Sharofi e Liri Bellova, mësuesin e vizatimit Qamil Grezda,  e që të mos harroj kujdestarin e konviktit Ndriçim Lako babain e artistit te njohur Bujar Lako.
Por koha e solli që as Zenepja, as Esmaja dhe as unë të mos  bëheshim mësues.  Do të mirrnim një udhë tjetër. Vite më vonë rasti e solli që të isha me Zenepen në të njëjtin fakultet e në të njëjtën degë, atë të gazetarisë në Universitetin e Tiranës. Por ishim në kurse të ndryshme. Më kujtohet një rast kur Zenepja më dha për të lexuar një libër me tregime me kopertinë të grisur. Unë shkruaja tregime e ajo jo pa qëllim ma dha atë libër pa kopertinë e pa emër autori.  
- Lexoje, -më tha - por me kujdes. Janë tregimet e Bilal Xhaferrit.
I kam lexuar ato tregime të vëllimit  "Njerëz të rinj, tokë e lashtë" me një frymë dhe sigurisht fshehur në mes të librave të tjerë sepse autori ishte i arratisur e anatemuar. Dhe nuk ishte pa rrezik të kaloje dorë në dorë librin me tregime të një "armiku" siç e konsideronin aso kohe, aty nga viti 1972. Ndoshta Zenepja e ka harruar këtë rast,  por unë nuk e harroj kurrë. Ishin dhe mbresat dhe emocionet e fuqishme që përftova nga leximi i librit që ma bëri atë moment të paharruar. Nuk ishin vetëm tregimet historike  si “Purpuranti” por edhe rrëfimet, pjesë të jetës së vetë autorit kur ishte punëtor rruge në kthesat e Gjegjanit,  të cilat i sillte me realizëm dhe poetikë në të njëjtën kohë. Si verior që isha,  vija re se  askush asokohe  nuk i përshkruante  aq bukur e me aq dashuri  mjediset e njerëzit malësorë.  Madje më shoqëronin gjithnjë ato thirrjet që lëshonin fëmijët në përshkrimet e tij  buzëmbrëmjeve aty në lartësitë e luginat ku bashkohen Mirdita me Pukën. I isha shumë mirënjohës shoqes sime të fakultetit për atë libër aq më tepër se edhe unë sapo kisha dorëzuar librin tim me proza të shkurtëra dhe jetoja me ankthin e krijimit.
Tashmë që kanë kaluar aq vite,  Zenepa Luka është bërë një nga gazetaret më të mira shqiptare, një gazetare shquar e guximëshme dhe ne bashkënxënësit dhe bashkëstudentët ndjejmë kënaqësi për çdo sukses të saj.

Kolec Traboini
28 tetor 2013

NEXT: Revansh perandorak nëe Ballkan, në këtë link:

http://traboini1.blogspot.com/2013/10/revansh-perandorak-ne-ballkan-nga-kolec.html

26 October 2013

🟩 Revanshi turko-osman në Ballkan - nga Kolec Traboini

Kolec Traboini në promovimin e librit
"Flamuri në Deçiq",
 në Prizren 21 nëntor 2012



REVANSHI TURKO-OSMAN 
NË BALLKAN

Nga KOLEC TRABOINI

Po kërkohet grupimi i forcave dhe krijimi i aleancave në Ballkan. Veç një qorr nuk po sheh se beteja e domeneve tashmë në këtë rajon gjeopolitik të nxehtë është në ardhje. Çështja siriane u zbeh sepse në krahun e kundërshtarëve të Assadit u vunë forcat më regresive të shoqërisë, u vunë terroristët islamikë aleatë të Al Kaedës, të cilët nuk njohin asnjë kulturë e qytetërim veç ligjeve barbare të mesjetës.  Përpara shkatërrimit e djegies të qindra kishave e prerjeve të kokave në mënyrë publike, perëndimi dhe Amerika u stepën aq sa edhe pse Assadin e urrejnë nuk kanë më atë entuziazmin e parë kur thërrisnin për luftë. Po i thërrasin mendjes. Nuk mund t’i ndihmojnë një kauze që shkatërron qytetërimin sirian dhe e kthen vendin qindra vjet pas. Madje në mënyrë indirekte e pranuan edhe grushtin ushtarak të shtetit kundër Presidentit  islamik Morsi që inspironte një regjim total fetar në Egjipt dhe mbylljen e dyerve të qytetërimit mijëravjeçar egjiptian. Nuk mund Amerika të bëjë lojën e terroristëve ndaj dhe kemi këtë tablo fort të dukshme ani pse bëjmë sikur nuk e shohim.  Askush nuk po jep më lajme për ngjarjet në Siri ku na paskan shkuar edhe dhjetëra shqiptarë të fandaksur pas islamizmit fanatik. Është e kuptueshme se me shmangien e konfliktit të mundshëm siriano-turk, ku Erdogani, ky regres i gjallë i qytetërimit turk shpresonte të ishte faktor lufte për shtrirjen e influencave të tij si kundërpeshë ndaj Izraelit, tanimë aspiranti për sulltan nuk i mbeti tjetër veç t’i hedhë sytë e ambiciet në Ballkan.
Platforma turke e ridimensionimit të Ballkanit nën tutelën turke nuk është e panjohur. Ka vite që punohet me këtë platformë e cila është edhe si kundra peshë ndaj qarqeve europiane që nuk po e pranojnë shtetin e madh islamik në gjirin e Bashkimit dhe gjasat janë mos ta pranojnë kurrë.  Sepse ekspansioni islamik,  i cili është i konsiderueshëm e për të cilin shpenzohen miliarda dollarë prej vendeve arabe të pasura me naftë, edhe më tej vazhdon të konsiderohet një rrezik për kulturën perëndimore europiane. Teoria e Samuel  P. Huntingtonit  se luftërat e ardhshme do të jenë ato mes kulturave të ndryshme, nuk është e tejkaluar.  Pra si kundërpeshë ndaj mospranimit në Bashkimin Europian, Erdogani ëndërron Bashkimin Islamik të Ballkanit në të cilin ai llogarit katërshen Turqi- Shqipëri- Kosovë dhe Bosnjë Hercegovinë. Prandaj me t’u shuar mundësia e një lufte në jug me Sirinë, të cilën e frenuan vetë amerikanët që në fillim e nxitën, tashmë Ergodani ndërmerr inkursionin e tij në Kosovë dhe bën deklaratën bombë “Kosova është Turqi”, që me siguri i ka çoroditur kuintat e diplomacive europiane. Natyrisht europianët nuk nguten të deklarohen, nuk duan t’ia bëjnë atë nder Erdoganit,  bëjnë sikur nuk i kanë dëgjuar, por në të vërtetë fjalët e tij janë vath në vesh të europianëve. Potencialisht Turqia përbën një rrezik me inkursionin e orekset ekspansioniste të qeverisë së saj islamike. Nuk është krejt pa shkak që në kohën që shkon Erdogani në Kosovë ka lëvizje të izraeliteve në Serbi. Ka dhe deklarata të ambasadorit izraelit Jozef Levi për ngrohtësinë më të cilën serbët i presin izraelitët dhe se ata, Izraeli, nuk e kanë njohur Kosovën, çfarë nënkupton se ia njohin atë Serbisë, ndryshe ç ‘kuptim ka ky deklarim. Por deklarimet e diplomatëve kurrë nuk janë  të paqëllimta. Të mos harrojmë se serbët kanë ndërmarrë edhe aktin e lejimit të shtetasve izraelitë të hyjnë e dalin lirisht në Serbi pa pasur nevojën e vizave.
Po le të kthehemi nga vetja.  Tashmë dihet se nuk kemi më në Europë një shtet perandorak si Austro-Hungaria që na mbrojti me aq këmbëngulje në rrugën tonë të Pavarësisë. Sepse për Turqinë e për shtetet e tjera të mëdha ne nuk do të ishim në hartat e Europës si shtet i pavarur, ndaj nuk ka kush të mbrojë interesat e shqiptarëve siç ndodhi në fillimin e shekullit të kaluar, nëse do të krijohej ndonjë kaos ballkanik apo konflikt rajonal.
Kësisoj kemi këtë tablo të kohës ku Arnautët e Ballkanit si gjithnjë të mbetur në tymnajë nga mungesa e një udhëheqje vizionare, po rreshtohemi krejt gabueshëm në krahun e Turqisë si vasale të bindur. Të mos bëjmë naivin. Erdogani në të vërtetë nuk foli për të dëgjuar ne shqiptarët, qëllimi ka qenë shumë më i largët, u tha sllavëve e Rusëve se Kosova është Turqi.  Ndërkohë ne me këto lakadredhje e lamë veten që Europa të mendojë për ne sikur jemi me kampin islamik turk që kërkon ta zotërojë Ballkanin e të ringjallë Perandorinë Turko-Osmane të influencave si kundërpeshë ndaj Europës.
Kemi kësisoj një betejë fjalësh të shpalosura në mënyrë nervoze, ndërkohë Izraeli që vepron pa bërë deklarata të shumta jep sinjalin me ambasadorin e  vet në Serbi. Dhe në Beograd e njëjta skenë si në Prizren, pra Izraeli dhe Turqia i tregojnë dhëmbët njëri-tjetrit jo më në kufirin me Sirinë, por në Ballkan.
Në këtë radhitje delirante e mburravece faqe botës, padyshim që ne jemi humbës. Sepse në ndodhtë më e keqja në Ballkan nuk do të na i nxjerrë gështenjat nga zjarri gjithmonë Amerika, sepse Amerika ka më shumë interesa e miqësi me Izraelin se sa me ne. Zgjedhja e gabuar mund të na sjellë fatalitet dhe shkatërrim të kauzës kombëtare. Si mund t’i mbajmë shpresat tek Turqia që na shpërfytyroi e mohoi çdo të drejtë për 500 vjet, ajo do të sillka për shqiptarët Bashkimin Kombëtar. Po në qoftë se ka mbetur puna të na bashkojë hasmi i historisë sado e largët qoftë ajo, që na përgjaku për 500 vjet,  pra të na mbledhë nën flamurin e tij e nën syzerinitetin e tij, kurrë mos u bëftë e lipsur qoftë ai bashkim nën gjysmë hënën turke. Mallkim më të madh në histori nuk do të kishim.

26 tetor 2013

18 October 2013

"Lirike shpirti" në Teatrin"Skampa" të Elbasanit.

"LIRIKË SHPIRTI" NË TEATRIN "SKAMPA" TË ELBASANIT

Në qytetin e bukur të Elbasanit me 18 tetor 2013 u organizua shfaqja e filmit dokumentar "Lirikë shpirti" kushtuar bijës së këtij qyteti, poetes shqiptaro-amerikane Iliriana Sulkuqi. Në sallën e shfaqjeve të teatrit "Skampa" pasi u prezantuan autorët e filmit prej poetit elbasanas Fatmir Musai; skenaristen Angjelina Xhara, operatorin Ilia Terpini- Mjeshtër i Madh, regjisorin Kolec Traboini dhe Artisten e Popullit Margarita Xhepa, që ka lexuar poezite e filmit, u fol për krijimtarine poetike të Iliriana Sulkuqit që lidh poetikisht Elbasanin dhe New Yorkun tej e përtej oqeanit Atlantik. Në shfaqje ishin të pranishëm mjaft artdashës, admirues të poezisë si dhe krijues elbasanas në mes të cilëve piktori Xhemal Lufta, violinisti Zeqir Sulkuqi, ndodhej gjithashtu dhe Artistja e Popullit Tinka Kurti, përkthyesi elbasanas Bardhul Toda e tjerë.
Bashkë me filmin "Lirikë Shpirti" u shfaqën dhe etydet poetike kushtuar Migjenit (1911-1938) dhe poetes Zhaneta Ogranaja( 1938-2013) që është ndarë nga jete kohët e fundit.
Pas shfaqjes u organizua një koktej.
Në foto grupi realizues i filmit: operatori Ilia Terpini- Mjeshtër i Madh, skenaristja Angjelina Xhara, poetja Iliriana Sulkuqi, aktorja Margarita Xhepa -Artiste e Popullit dhe regjisori Kolec Traboini.

NË GAZETEN SHQIPTARO AMERIKANE "ILLYRIA" NEW YORK:
http://illyriapress.com/lirike-shpirti-nje-dokumentar-per-poeteshen-shqiptare-nga-shba/

Lirikë shpirti”, një dokumentar për poeteshën shqiptare nga SHBA

Nga Prof. Murat Gecaj
1.

Jemi mësuar që, në mjediset e Muzeut Historik Kombëtar, në kryeqytetin Tiranë, të marrim pjesë në veprimtari përuruese për libra ose ekspozita pikture. Po, kësaj here, ishte diçka tjetër, e veçantë. Vërtet të ftuarit do të mblidheshin në një veprimtari për krijimtarinë poetike të koleges e mikes, Ilirjana Sulkuqi, me banim në Amerikë, por organizimi ishte i një natyre jo të zakonshme.
Kur salla kryesore ishte mbushur plot me të ftuar, poetë, shkrimtarë, publicistë e studiues, punonjës të arsimit e kulturës, nga media e shkruar dhe ajo elektronike, përpara dolën një grup kolegësh. Ata ishin organizatorët dhe realizuesit e një dokumentari të bukur, me titullin e zgjedhur “Lirikë shpirti”, kushtuar jetës dhe krijimtarisë së gjerë e të bukur poetike të Ilirjana Sulkuqit.
Nuk zgjati shumë salla ra heshtje. I pari e çeli veprimtarinë regjisori i dokumentarit, Kolec Traboini. Pas atij, sigurisht shkurt, folën publicisti Albert Zholi, skenaristja Angjelina Xhara dhe kameramani Ilia Terpini-“Mjeshtër i Madh”. Ndërsa vetë Iliirjana i falënderoi nga zemra realizuesit e këtij dokumentari dhe pjesëmarrësit në këtë veprimtari.
Të pranishmit e ndoqën me kurreshtje dokumtarin, i cili nisi të shfaqej në ekran. Ai përmbante filmime nga jeta e Ilirjana Sulkuqit dhe recitime të disa poezive më të zgjdhura të saj, nga aktorja e njohur Margarita Xhepa.Tematika e tyre ishte e larmishme dhe i kushtoheshin mallit për vendlindjen, nënës, Kosovës, mërgimit etj.
Pasi të pranishmit e duartrokitën nxehtësisht këtë dokumentar, për ata u dhanë në ekran pjesë filmike, kushtuar jetës e krijimtarisë së poetes së persekutuar dhe tanimë të ndjerë, Zhaneta Ogranaja, si dhe ato me temë: “Migjeni, si Krisht”, realizuar nga K.Traboini.
Por, në mbyllje, interesin e veçantë të të pranishmëve e tërhoqi dokumentari kushtuar historikut të krijimit dhe veprimtarisë atdhetare të Shoqërisë “Vatra”, me organin e saj “Dielli”, në Boston të Amerikës dhe sidomos për ndihmesën e dhënë nga Fan Noli, Faik Konica etj.
2.

Ndoshta, nuk është e nevojshme të ndalemi këtu gjerësisht në jetën dhe krijimtarinë letrare të Ilirjana Sulkuqit. E them këtë gjë, pasi atë e gjejmë të pasqyruar në disa qendra Interneti e në shtyp, për atë flet skedari i Bibliotekës Kombëtare etj. Megjithatë, dëshiroj të rikujtoj se kjo bijë e njohur e Elbasanit, pas mbarimiut të studimeve për gjuhë-letërsi, punoi ca kohë gazetare në Tiranë dhe që nga viti 2004, është vendosur familjarisht në Nju Jork.
Krijimtarinë e ka filluar që në bankat e shkollës. Frtyt I kësaj pune janë mbi 10 libra poetikë të botuar, duke nisur që nga viti 1974. Ndër ta, dëshiroj të përmendi këtu dy vëllime me shumë autorë, të përgatitur nga Ilirjana, kushtuar nënave, me titullin “Karvan dashurie”. Për disa nga libra e saj, është nderuar me çmime kombëtare e ndërkombëtare dhe disa libra të saj janë përkthyer në gjuhë të huaja. Bën pjesë në disa shoqata të ndryshme të shkrimtarëve e publicistëve dhe drejton revistën letrare-artistike “Pelgrini”, me shkrime kryesisht të emigrantëve shqiptarë.
…Rikthimin përmes një dokumentari të veçantë, e Ilirjana Sulkuqit, kësaj poetje të dashurisë e dhimbjes njerëzore, në mjediset e krijuesve kryeqytetas, ajo e meriton plotësisht. Njëkohësisht, ishte dhe diçka emocionuese, si për atë vetë dhe pjesëmarrësit e shumtë në veprimtarinë, që përmendëm më lart.
Me këtë rast, i urojmë asaj: shëndet të plotë, arritje të reja në krijimtarinë letrare, begati, gëzime dhe lumturi në familje!
Tiranë, 11 tetor 2013

15 October 2013

Jam Gegë - Jam Toskë! - parodi meditike - nga Kolec Traboini


JAM GEGË... JAM TOSKË...
 - Parodi mediatike -
 

Nga Kolec TRABOINI

Meqënëse përsiatjet në alternativën “Jam Gegë...jam Toskë” u priten me eufori mediatike,  edhe unë që  jam Gegë me themel  në Hotin e Malësisë së Madhe, nuk po mund t’i qëndroj tundimit pa u përzie në këtë idolari krahinare e të bëj edhe unë apologjinë time,  por edhe të gërrmoj si Tarja për të gjetur motivin pse jam ky që po më thonë se jam e jo tjetër,  apo ku qëndron dallimi mes meje, Gegë, dhe miqve të mi Toskë. Le ta shkoqisim:
Së pari, lum miqtë e mi lexues të nderuar,  jam ky që jam se kështu desh im Atë që bëri ç’bëri me tim ëmë pa më pyetur mua fare.  E sikur, mos o Zot, të mos i fryhej...mëndja të bënte atë që bëri, unë nuk do të isha fare Gegë, por as dhe në këtë jetë,  prandaj nuk kam asfarë merite se jam Gegë.
Kur isha i vogël pyesja tim ëmë se ku më ke gjetur. Ajo, nga që koka ime ende e vogël nuk i kuptonte shumë gjëra të kësaj bote, më thoshte: tek mullari. Por unë kam një mik toskë shkrimtar, Sazan Goliku, që nëna i thoshte se e kish gjetur në qilar.
Tani në bazë të përvojes sime vetanake,  të dalim tek dallimet e Gegëve e të Toskëve, të cilat po i zhbirilojnë disa autorë nëpër përsiatje edhe ato vetmore - vetanake, e që ta gjejmë llafin,  do të desha të them edhe unë mendimin tim, sado paradoksal që iu duket mediave gego-toskore që veprojnë krejt ngjashëm me proverbin “Gjuha mish është, por kockë thyen”.
Kam mendimin se dallimet e Gegëve e të Toskëve janë të mëdha e piksepari në fushë të seksologjisë, kësisoj po ta marrim shqyrtimin nga zanafilla e botës njerëzore na del se Gegët ia hipin grave tek mullari, ndërsa Toskët tek qilari...
Qe pra ndryshimet, që për faqe të bardhë duhen bërë objekt studimesh akademike voluminoze  “Nga mullari tek qilari”, meqë gjë tjetër për të shqyrtuar e studiuar nuk ka Akademia pleqërore rrjedhimore e Tiranës apo pse jo dhe ajo e Prishtinës. Duhet të thellohemi  në këto ndryshime që nuk janë të vogla, duhen qëmtuar origjinat tona si bij të Evave pellazgjiko-iliro-arbërore mëkatare që jemi.
Të tjerat i lexoni nëpër librat me përsiatje të atyre që merren me hendeqet e dyfeqet  e Tosknisë e Gegnisë, se kush më mirë dredh duhan apo bën përshesh, se unë jam me atë që shkruan burri i urtë me zâ bylbyli Dom Ndre Mjeda:

Geg e Toskë, Malsi, Jallija
Jan nji komb me u da s’duron
Fund e maj nji asht Shqipnia
E nji gjuh’  gjith na bashkon.

15 tetor 2013