17 September 2023

🔵A do të dalë feniksi blu nga zjarri?- nga K. P. Traboini

 🔵 A DO TË DALË FENIKSI BLU NGA ZJARRI?

- Ese për politikën -

Nga Kolec P. Traboini 

Duhet thënë që në krye se elektorati blu po digjet dhe kurvat e politikës po krihen për tu shfaqur të bukura në publik, por droja është se zjarri që ka përfshirë elektoratin blu do të kthehet në hi para se të dalë Feniksi blu. Po kush do të jetë ky Feniks, Basha apo Berisha, se Bardhi u fut nën krahët e nongratës duke u vetëdjegur politikisht.

Jemi këtu dhe shohim me sytë tanë çfarë po ngjet dhe nuk na rezulton siç po thonë foltoristët që Basha na qenka i shitur dhe një tradhtar. Po pse ky zhargon ordiner për një udhëheqës politik?

E di i madh dhe i vogël në Shqipëri se Lul Basha hyri në politikë me ndërmjetësim familjar. Se mendja e kthjelltë shtron pyetjen se nga e gjeti Saliu Lulin që ishte në Kosovë e Hollandë? Kësisoj Lulëzim Basha politikisht rezulton që është kukulla e familjes Berisha. Ishte thjeshtë një pupetë. E kjo derisa diplomacia amerikane kërkoi të trazonte ujërat politike që po qelbeshin në Tiranë, sipas parimit uji që rri qelbet, uji që lëviz pihet. Dhe shpalli Nongratën duke sjellë pshtjellme në kampin blu. Për ta shembur një urë duhet të gjesh pikën kritike. Dhe e gjetën. Kësisoj si fazë e parë përkrahën Lul Bashën, gjithnjë sipas projektit të tyre për lëvizjet politike në Shqipëri. Kur u panë se Berisha po rezistonte dhe kishte elektorat të mjaftueshëm kishin dhe një variant rezervë për t'ia marrë kalanë nga brenda foltores. Por kjo nuk funksionoi për shkak se Berisha është më shumë dinak se karizmatik. Di si ti pastrojë nga rruga ata që i rrezikojnë kolltukun e kryetarit të partisë së Foltores. Ky shfrytëzoi dhe pakënaqësinë popullore ndaj rregjimit të Ramës dhe të pa shpreset u panë të përpëliten në foltore.

Politika amerikane që punon pas kuintave, nuk e largon qëllimin, por thjeshtë ndërron taktikat, kësisoj e tërhoqi Bashën një vit nga skena politike që të shohin nga do shkojë elektorati blu dhe me një tentative pasukses ta nxirrni Berishën nga skena politike. Ky vit pa Lulin dhe zëvëndes Alibeajn në partinë zyrtare të ashtquajtur ironikisht partia e vulës, ishte fazë studimi për diplomatët amerikanë. Ata panë se Berisha megjithse bëri për vete një pjesë të madhe të elektoratit blu, nuk qe në gjendje të fitonte me 14 maj 2023, madje pësoi disfatë të plotë dhe u mbajt si i mbyturi pas fijes së kashtës tek një figurë e dyshuar për terrorizëm si Fredi Beleri në masakrën e vitit 1994 në Peshkëpi të Gjirokastrës ku u vranë dy ushtarakë shqiptarë. Pra frenat në elektoratin blu që po tkurret e copëtohet Berisha i mban, por në të gjithë Shqipërinë e ka humbur davanë dhe nuk ka asnjë shpresë për ndonjë fitore në zgjedhjet e vitit 2025.

Amerikanët e dinë se Rama më shumë ka interes të ketë përballë një Nongrata se një kundërshtar tjetër, me Berishën përballë ai vazhdon të qeverisë si autokrat edhe përtej zgjedhjeve të ardhëshme, prandaj pa u dukur amerikanët i dhanë sinjal Bashës të dalë sepse Berisha vazhdon të forcohet dhe nuk po përballohej dot nga Alibeaj. Edhe Alibeaj u bind për këtë ndaj hoqi dorë edhe nga konkurimi për kryetar. Dhe Luli serish doli pas një gare më se shumti fiktive. Komedia politike e zgjedhjeve të lira e të ndershme edhe brendapërbrenda formacioneve politike vazhdon. Edhe në këtë rast të duket u përdor i njëjtin stil si me rastin e Berishës në disfatën e vitit 2013, kur dha kinse dorëheqjen, doli nga dera tek e përcollën me lotë, por ai nuk e zgjati dhe hyri nga dritarja e Partisë Blu pa ikur kurrë.

Dalja e Bashës si figurë e çliruar nga tutela berishiste, sikur i prishi planet një ambiciozi me zë minor si Gazment Bardhi, që nuk të bind për asgjë veç si një ordinancë i figurave paresore në politikë. Dhe kësisoj zgjodhi të ishte Sanço Panço politik i Nongratës, duke marrë me vete si mish për top ca deputet që nuk e dinë as vetë çfarë atributesh kanë që të jenë përfaqësues të lartë të popullit në Parlament.

Tablloja organizative në elektoratin blu është kësisoj, në një anë Nongrata Berisha, në anën tjetër ish pupeta e tij, kukulla që bëri kryengritje ndaj krijuesit të vet, Lul Basha. As Amerika nuk e parashikoi rezistencen e pashoqe të Nongratës, as Berisha nuk e parashikoi se kishte krijuar një kukull politike të rrezikshme, as elektorati blu nuk e kishte përftyruar se do të bëhej dëshmitar i një lufte kaq të egër brenda familjes që e sundonte Partinë që nga dita e parë e themelimit. E jo pak, plot 33 vjet pothuajse aq sa kishte sunduar diktatori shqiptar Enver Hoxha.

Tabloja e ditës është: Berisha me pasues ca turma të verbëra politike dhe disa politikanë të roitur që vetëm politikanë nuk janë, të cilit ju bashkua Bardhi me një grup deputetësh pa indentitet, e në krahun tjetër Basha me të pakët që përbëjnë një çetë, ku gjithësesi u rikonfirmua si kryetar i njohur ligjërisht i PD.

Po Amerika, që e krijoi këtë tallaz politik, çfarë pritet të bëjë? Ne i duam zgjidhjet e shpejta, por Amerika i ka masat ndryshe dhe kanë ritme e koncepte të tjera prej nesh. Duke qenë se kur nuk ke pulën ha sorrën, hë për hë mbështesin çetën e vogël të Bashës derisa të krijohen rrethana të reja e të dalin elementë të rinj. Ta zëmë ndonjë tip si Adriatik Llapaj që e ushqen me biberon thithlopa Sorros, që edhe kjo thith ç'të mundet nga lop-shtetet e botës. Në Shqipëri familja Sorros është si në shtëpi të vet.Të gjithë e panë Aleksin e vogël fare pranë e pas shpatullave të ish presidentit Clinton në Tiranë. Për qeverinë socialiste familja Sorros është një shtyllë ku mbahet mirë. Mediat thonë se këtë përkrahje qeveria nuk e ka badihava dhe se përfitimet janë dypalëshe.

Ka një grupim të vogël konservator që shihet si pozitivitet dhe shpresë për elektoratin blu, por që në Shqipëri në rrethanat që janë krijuar, mund të mbetet si forcë minore. Shtresat e larta dhe kapitalistët janë kryesish ata që mbrojnë parime konservatore, por ato shtresa janë rrënuar sistematikisht, nuk janë trashëguar ekonomikisht, nuk u dhanë pronat pronarëve të ligjshëm, si rrjedhojë trashigimtarët e shtresave të pasura u terratisën, më së shumti në mërgim, kësisoj dhe politikisht janë të përjashtuar. Shtresat e reja që krijuan pasuri të dyshimta janë pa indentitet të qartë dhe si rezultat nuk kanë ideale veç fitimit, madje shpesh me korrupsion e në shkelje të ligjeve.

E gjithë kjo katrahurë në elektotatin blu ka sjellë si rezultat rrudhjen e mpakjen e tij në të dy grupimet, nuk ka prurje të reja dhe veprojnë me kuadro të konsumuar që publiku nuk ka dëshirë ti dëgjojë dhe as ti shohë.

Elektorati rozë i antagonizmit politik, socialist në pushtet, edhe ai ka një tkurrje për shkak të skandaleve të shumta në një qeverisje të keqe, por kjo rrudhje është më e pakët se te kundërshtarët, sepse qeveria një pjesë të madhe të elektoratit të saj e ka me nënpunës të shtetit, që në të vërtetë janë militantët më të zjarrtë të partisë në pushtet. Një praktikë qeverisje ku partia fituese të ndërrojë tërë nënpunësit për të punësuar vetëm militantët e vet nuk ekziston në asnjë vend të Europës përveçse në Shqipëri.

Statusi i nënpunësit nuk ka asnjë garanci. Partia fituese në pushtet mund ti flakë punonjësit kur të dojë veç me një lajmërim. Kjo është më e keqja e të gjitha të këqijave në shtetin shqiptar, ajo e kthen shtetin në një streh klanesh, ik klani i Nanos vjen klani Berishës, ik klani i këtij dhe vjen klani i Ramës. Fshihet e ndërrohet e gjith administrata. Nënpunësi i shtetit kthehet në një figurë pa personalitet e servil që partia në pushtet i përdor si gardë elektorale për ta mbajtur pushtetin. Kësisoj me degradimin e opozitës, fryma e monizmit ringjallët, lindin autokratët me dëshirë të shfrenuar që gjithçka ta përqendrojnë në dorën e vet, duke u përpjekur jo pa sukses që tërë pushteti dhe vetë shteti të jetë nën drejtimin e kontrollin e një njeriu, timonierit të madh.. 

Në Shqipëri kjo po ndodh nën indiferencen e qarqeve europiane të monitorimit, të emisarëve të saj që shkojnë e vinë në Tiranë si balerinat në skenë, ndërkohë Amerika që e ka ndër planet e veta strategjike faktorin shqiptar në Ballkan, punon në heshtje dhe nuk do tu japë dukje veprimeve të saj, ndaj i vëzhgon ngjarjet kinse me indiferencë e mosndërhyrje, sakohë që interesat e saj nuk preken. Qeverisësit shqiptarë dinakë e kanë kuptuar këtë dhe ndërsa me popullin e vet bëjnë harbutin, me të huajt e mëdhenj bëjnë kokëulurin e bindur. Por këta derbederët të politikës, që varfërojnë popullin dhe pasurohen në kurriz të tij, të mos ndjehen shumë të sigurtë, duhet të dinë se Amerika ka në xhep shumë vende, duke përfshirë Shqipërinë e Kosovën dhe më gjërë, por askush nuk e ka në xhep Amerikën. Dil sa të duash në fotografi me presidenta amerikanë, lobo e jep dollarë për takime në rangje të larta, kur e tepron zullumin Amerika të lëshon pa asnjë keqardhje e pa asnjë mëdyshje, dhe e sheh vetën përballë drejtësisë, ose ikur hajdutëshe nga sytë këmbët si zëvendës kryeministri i Shqipërisë.

Pyetjes dyshuese apo shprespritëse se çfarë do bëjë më tej Amerika me misionin e nisur për trazimin e më pas kthjellimin ujrave të politikës shqiptare, veçmas opozitës në krizë, vështirë është ti japësh gjegje. Politikës amerikane nuk ja bën dot prognozën askush. 

Gjegje një komenti:

 ...Amerika nuk e fali Afganistanin, por ndodhi një fenomen qe nuk e paskeni vënë re. Qeverisja e ngritur ishte kaq e korruptuar (si këta tonët tani), sa populli afganistanas u thoshte amerikanëve, pse i mbani këta hajdutë, të cilët nuk punonin e merrnin para nga Amerika duke mos bërë asgjë. Nje qeverisje parazitësh. Ishin shpenzime kolosale. Amerika thjeshte e braktisi Afganistanin. Dhe mirë bëri. Kjo është një mësim historik. E kam shënuar në shkrim që nuk është e keqja kur merret Amerika me ty, siç ju e sillni në vemendje përciptë, fatkeqësia vjen nësë të braktis Amerika. E kjo të jetë vath në vesh për Shqipërinë dhe Kosovën, aq më tepër për këtë të fundit, sepse Amerika nuk e çliroi Kosoven për tu bërë një provincë e kalifatit Islamik të Osmanëve që kërkojnë të ringrenë Erdoganistët. E ndjeva të nevojshme të shpjegohem që të mos keqkuptohet shkrimi i mësipërm.

Sa për shprehjen mjer ai popull që pret shpëtim nga të tjeret, të paktën ne shqiptarët të mos i përdorim këto citate sepse po të mos ishin Amerika dhe Austria nuk do kishte Shqipëri mbi faqe të dheut.

Gjithësesi mbijeton ai njeri, ai popull, apo qoftë dhe ai komb që di jo vetëm të luftojë, por edhe të përshtatet në kushtet e rrethanat e reja e jo të vetizolohet në mjerimin e vet sovran.


14 shtator 2023