17 September 2023

🔵A do të dalë feniksi blu nga zjarri?- nga K. P. Traboini

 🔵 A DO TË DALË FENIKSI BLU NGA ZJARRI?

- Ese për politikën -

Nga Kolec P. Traboini 

Duhet thënë që në krye se elektorati blu po digjet dhe kurvat e politikës po krihen për tu shfaqur të bukura në publik, por droja është se zjarri që ka përfshirë elektoratin blu do të kthehet në hi para se të dalë Feniksi blu. Po kush do të jetë ky Feniks, Basha apo Berisha, se Bardhi u fut nën krahët e nongratës duke u vetëdjegur politikisht.

Jemi këtu dhe shohim me sytë tanë çfarë po ngjet dhe nuk na rezulton siç po thonë foltoristët që Basha na qenka i shitur dhe një tradhtar. Po pse ky zhargon ordiner për një udhëheqës politik?

E di i madh dhe i vogël në Shqipëri se Lul Basha hyri në politikë me ndërmjetësim familjar. Se mendja e kthjelltë shtron pyetjen se nga e gjeti Saliu Lulin që ishte në Kosovë e Hollandë? Kësisoj Lulëzim Basha politikisht rezulton që është kukulla e familjes Berisha. Ishte thjeshtë një pupetë. E kjo derisa diplomacia amerikane kërkoi të trazonte ujërat politike që po qelbeshin në Tiranë, sipas parimit uji që rri qelbet, uji që lëviz pihet. Dhe shpalli Nongratën duke sjellë pshtjellme në kampin blu. Për ta shembur një urë duhet të gjesh pikën kritike. Dhe e gjetën. Kësisoj si fazë e parë përkrahën Lul Bashën, gjithnjë sipas projektit të tyre për lëvizjet politike në Shqipëri. Kur u panë se Berisha po rezistonte dhe kishte elektorat të mjaftueshëm kishin dhe një variant rezervë për t'ia marrë kalanë nga brenda foltores. Por kjo nuk funksionoi për shkak se Berisha është më shumë dinak se karizmatik. Di si ti pastrojë nga rruga ata që i rrezikojnë kolltukun e kryetarit të partisë së Foltores. Ky shfrytëzoi dhe pakënaqësinë popullore ndaj rregjimit të Ramës dhe të pa shpreset u panë të përpëliten në foltore.

Politika amerikane që punon pas kuintave, nuk e largon qëllimin, por thjeshtë ndërron taktikat, kësisoj e tërhoqi Bashën një vit nga skena politike që të shohin nga do shkojë elektorati blu dhe me një tentative pasukses ta nxirrni Berishën nga skena politike. Ky vit pa Lulin dhe zëvëndes Alibeajn në partinë zyrtare të ashtquajtur ironikisht partia e vulës, ishte fazë studimi për diplomatët amerikanë. Ata panë se Berisha megjithse bëri për vete një pjesë të madhe të elektoratit blu, nuk qe në gjendje të fitonte me 14 maj 2023, madje pësoi disfatë të plotë dhe u mbajt si i mbyturi pas fijes së kashtës tek një figurë e dyshuar për terrorizëm si Fredi Beleri në masakrën e vitit 1994 në Peshkëpi të Gjirokastrës ku u vranë dy ushtarakë shqiptarë. Pra frenat në elektoratin blu që po tkurret e copëtohet Berisha i mban, por në të gjithë Shqipërinë e ka humbur davanë dhe nuk ka asnjë shpresë për ndonjë fitore në zgjedhjet e vitit 2025.

Amerikanët e dinë se Rama më shumë ka interes të ketë përballë një Nongrata se një kundërshtar tjetër, me Berishën përballë ai vazhdon të qeverisë si autokrat edhe përtej zgjedhjeve të ardhëshme, prandaj pa u dukur amerikanët i dhanë sinjal Bashës të dalë sepse Berisha vazhdon të forcohet dhe nuk po përballohej dot nga Alibeaj. Edhe Alibeaj u bind për këtë ndaj hoqi dorë edhe nga konkurimi për kryetar. Dhe Luli serish doli pas një gare më se shumti fiktive. Komedia politike e zgjedhjeve të lira e të ndershme edhe brendapërbrenda formacioneve politike vazhdon. Edhe në këtë rast të duket u përdor i njëjtin stil si me rastin e Berishës në disfatën e vitit 2013, kur dha kinse dorëheqjen, doli nga dera tek e përcollën me lotë, por ai nuk e zgjati dhe hyri nga dritarja e Partisë Blu pa ikur kurrë.

Dalja e Bashës si figurë e çliruar nga tutela berishiste, sikur i prishi planet një ambiciozi me zë minor si Gazment Bardhi, që nuk të bind për asgjë veç si një ordinancë i figurave paresore në politikë. Dhe kësisoj zgjodhi të ishte Sanço Panço politik i Nongratës, duke marrë me vete si mish për top ca deputet që nuk e dinë as vetë çfarë atributesh kanë që të jenë përfaqësues të lartë të popullit në Parlament.

Tablloja organizative në elektoratin blu është kësisoj, në një anë Nongrata Berisha, në anën tjetër ish pupeta e tij, kukulla që bëri kryengritje ndaj krijuesit të vet, Lul Basha. As Amerika nuk e parashikoi rezistencen e pashoqe të Nongratës, as Berisha nuk e parashikoi se kishte krijuar një kukull politike të rrezikshme, as elektorati blu nuk e kishte përftyruar se do të bëhej dëshmitar i një lufte kaq të egër brenda familjes që e sundonte Partinë që nga dita e parë e themelimit. E jo pak, plot 33 vjet pothuajse aq sa kishte sunduar diktatori shqiptar Enver Hoxha.

Tabloja e ditës është: Berisha me pasues ca turma të verbëra politike dhe disa politikanë të roitur që vetëm politikanë nuk janë, të cilit ju bashkua Bardhi me një grup deputetësh pa indentitet, e në krahun tjetër Basha me të pakët që përbëjnë një çetë, ku gjithësesi u rikonfirmua si kryetar i njohur ligjërisht i PD.

Po Amerika, që e krijoi këtë tallaz politik, çfarë pritet të bëjë? Ne i duam zgjidhjet e shpejta, por Amerika i ka masat ndryshe dhe kanë ritme e koncepte të tjera prej nesh. Duke qenë se kur nuk ke pulën ha sorrën, hë për hë mbështesin çetën e vogël të Bashës derisa të krijohen rrethana të reja e të dalin elementë të rinj. Ta zëmë ndonjë tip si Adriatik Llapaj që e ushqen me biberon thithlopa Sorros, që edhe kjo thith ç'të mundet nga lop-shtetet e botës. Në Shqipëri familja Sorros është si në shtëpi të vet.Të gjithë e panë Aleksin e vogël fare pranë e pas shpatullave të ish presidentit Clinton në Tiranë. Për qeverinë socialiste familja Sorros është një shtyllë ku mbahet mirë. Mediat thonë se këtë përkrahje qeveria nuk e ka badihava dhe se përfitimet janë dypalëshe.

Ka një grupim të vogël konservator që shihet si pozitivitet dhe shpresë për elektoratin blu, por që në Shqipëri në rrethanat që janë krijuar, mund të mbetet si forcë minore. Shtresat e larta dhe kapitalistët janë kryesish ata që mbrojnë parime konservatore, por ato shtresa janë rrënuar sistematikisht, nuk janë trashëguar ekonomikisht, nuk u dhanë pronat pronarëve të ligjshëm, si rrjedhojë trashigimtarët e shtresave të pasura u terratisën, më së shumti në mërgim, kësisoj dhe politikisht janë të përjashtuar. Shtresat e reja që krijuan pasuri të dyshimta janë pa indentitet të qartë dhe si rezultat nuk kanë ideale veç fitimit, madje shpesh me korrupsion e në shkelje të ligjeve.

E gjithë kjo katrahurë në elektotatin blu ka sjellë si rezultat rrudhjen e mpakjen e tij në të dy grupimet, nuk ka prurje të reja dhe veprojnë me kuadro të konsumuar që publiku nuk ka dëshirë ti dëgjojë dhe as ti shohë.

Elektorati rozë i antagonizmit politik, socialist në pushtet, edhe ai ka një tkurrje për shkak të skandaleve të shumta në një qeverisje të keqe, por kjo rrudhje është më e pakët se te kundërshtarët, sepse qeveria një pjesë të madhe të elektoratit të saj e ka me nënpunës të shtetit, që në të vërtetë janë militantët më të zjarrtë të partisë në pushtet. Një praktikë qeverisje ku partia fituese të ndërrojë tërë nënpunësit për të punësuar vetëm militantët e vet nuk ekziston në asnjë vend të Europës përveçse në Shqipëri.

Statusi i nënpunësit nuk ka asnjë garanci. Partia fituese në pushtet mund ti flakë punonjësit kur të dojë veç me një lajmërim. Kjo është më e keqja e të gjitha të këqijave në shtetin shqiptar, ajo e kthen shtetin në një streh klanesh, ik klani i Nanos vjen klani Berishës, ik klani i këtij dhe vjen klani i Ramës. Fshihet e ndërrohet e gjith administrata. Nënpunësi i shtetit kthehet në një figurë pa personalitet e servil që partia në pushtet i përdor si gardë elektorale për ta mbajtur pushtetin. Kësisoj me degradimin e opozitës, fryma e monizmit ringjallët, lindin autokratët me dëshirë të shfrenuar që gjithçka ta përqendrojnë në dorën e vet, duke u përpjekur jo pa sukses që tërë pushteti dhe vetë shteti të jetë nën drejtimin e kontrollin e një njeriu, timonierit të madh.. 

Në Shqipëri kjo po ndodh nën indiferencen e qarqeve europiane të monitorimit, të emisarëve të saj që shkojnë e vinë në Tiranë si balerinat në skenë, ndërkohë Amerika që e ka ndër planet e veta strategjike faktorin shqiptar në Ballkan, punon në heshtje dhe nuk do tu japë dukje veprimeve të saj, ndaj i vëzhgon ngjarjet kinse me indiferencë e mosndërhyrje, sakohë që interesat e saj nuk preken. Qeverisësit shqiptarë dinakë e kanë kuptuar këtë dhe ndërsa me popullin e vet bëjnë harbutin, me të huajt e mëdhenj bëjnë kokëulurin e bindur. Por këta derbederët të politikës, që varfërojnë popullin dhe pasurohen në kurriz të tij, të mos ndjehen shumë të sigurtë, duhet të dinë se Amerika ka në xhep shumë vende, duke përfshirë Shqipërinë e Kosovën dhe më gjërë, por askush nuk e ka në xhep Amerikën. Dil sa të duash në fotografi me presidenta amerikanë, lobo e jep dollarë për takime në rangje të larta, kur e tepron zullumin Amerika të lëshon pa asnjë keqardhje e pa asnjë mëdyshje, dhe e sheh vetën përballë drejtësisë, ose ikur hajdutëshe nga sytë këmbët si zëvendës kryeministri i Shqipërisë.

Pyetjes dyshuese apo shprespritëse se çfarë do bëjë më tej Amerika me misionin e nisur për trazimin e më pas kthjellimin ujrave të politikës shqiptare, veçmas opozitës në krizë, vështirë është ti japësh gjegje. Politikës amerikane nuk ja bën dot prognozën askush. 

Gjegje një komenti:

 ...Amerika nuk e fali Afganistanin, por ndodhi një fenomen qe nuk e paskeni vënë re. Qeverisja e ngritur ishte kaq e korruptuar (si këta tonët tani), sa populli afganistanas u thoshte amerikanëve, pse i mbani këta hajdutë, të cilët nuk punonin e merrnin para nga Amerika duke mos bërë asgjë. Nje qeverisje parazitësh. Ishin shpenzime kolosale. Amerika thjeshte e braktisi Afganistanin. Dhe mirë bëri. Kjo është një mësim historik. E kam shënuar në shkrim që nuk është e keqja kur merret Amerika me ty, siç ju e sillni në vemendje përciptë, fatkeqësia vjen nësë të braktis Amerika. E kjo të jetë vath në vesh për Shqipërinë dhe Kosovën, aq më tepër për këtë të fundit, sepse Amerika nuk e çliroi Kosoven për tu bërë një provincë e kalifatit Islamik të Osmanëve që kërkojnë të ringrenë Erdoganistët. E ndjeva të nevojshme të shpjegohem që të mos keqkuptohet shkrimi i mësipërm.

Sa për shprehjen mjer ai popull që pret shpëtim nga të tjeret, të paktën ne shqiptarët të mos i përdorim këto citate sepse po të mos ishin Amerika dhe Austria nuk do kishte Shqipëri mbi faqe të dheut.

Gjithësesi mbijeton ai njeri, ai popull, apo qoftë dhe ai komb që di jo vetëm të luftojë, por edhe të përshtatet në kushtet e rrethanat e reja e jo të vetizolohet në mjerimin e vet sovran.


14 shtator 2023

30 August 2023

🟣 Xhubleta me emër turk - marrëzia jonë doktorale - nga K. P. Traboini


XHUBLETA ME EMËR TURK - MARRËZIA JONË DOKTORALE
 
Ja çfarë shkruan Monika Stafa, doktore e shkencave, në shkrimin e saj "Xhubleta dhe marrëzia jonë atdhetare" më 12 gusht 2023:
"Nga pikëpamja etimologjike emri i xhubletës është lidhur me fjalën-rrënjë të turqishtes cüppe, me kuptimin fustan, që është huajtur në shqip në disa forma: xhybe, xhubè, xhubletë, me sa duket dhe xhup."
 
 Nga Kolec P. Traboini

disa muhaxhirë ardhacakë që nga viti 1912 ju ka mbetur mendja Turqi dhe gjithçka e lidhin me kohën e osmanëve, për të cilën jo pak ardhacakë kanë nostalgj, e dimë, po pse kjo zonjë fort e dukshme në Media TV e fut Turqinë në xhubletë, këtë nuk po arrijmë ta kuptojmë.
Kur lexova këtë xhevahir të gazetares të shumë pranishme në media TV, mu kujtua një ngjarje historike.
Një valiu turk të Shkodrës, Vuçi Pasha, i kisht mbet syri te një vashe, Nora e Kelmendit, kish dashtë turku të futet nën xhubletën e saj...por pashait turk pushtues i shkoi koka për lesh.
Ja çfarë ma sjell trurin rrotull; se del kjo Monika Stafa dhe na e fut turkun nën xhubletë duke shkruar se është fjalë turke.
E hamdyrylah, moj zonja doktoresh e shkencave albanologjike! Kur merr përsipër të studiosh xhubleten 4 mijë vjeçare, si mendon, se ajo nuk ka pasur emër 3600 vjet e vetëm në 400 vjetshin e fundit erdhën turko osmanët dhe i vunë emrin turk xhubletës së grave e vajzave malësore. Si e pranuan paraardhësit e mi të largët, malësorë, këtë turp?! E paimagjinueshme për një mendje të kthjelltë. Kur vetë turko osmanëve nuk ua mbante të shkonin në Malesi e Bjeshkë të nalta se i priste vdekja, si ja paskan arritur ti vendosin emrin xhubletës së grave shqiptare.
Po si moj zonja gazetare nuk u fute në internet, Google Search, të kerkoje pasurinë e veshjeve ballkanike, të Europës së Jugut dhe të gjeje ndonjë gjë për të qenë nga Perëndimi, por drejt e në Lindje, në Turqi.
Ja po të ndihmojmë të plotësosh sadopak njohuritë e tua nga kërkimet në internet. Xhubleta nuk ka asnjë lidhje me ndonjë fjalë turke. Në do të kërkosh do të gjesh se fjala më e afert është Dubletë, që edhe sot është emer veshje grash në Francë, në Angli dhe madje edhe në Gjermani.
Dubletë për faktin se është veshje dyfishe, e gjëre, përbëhet nga dy pjesë, dy skaje që bashkohen.
Xhubleta në të vertetë është dublete. Nuk i hyj teorisë së morfemave se edhe aty mund të gjehet diçka. Ashtu ta zemë se kapela me strehe në origjinë është quajtur kapele albaneze. E kanë quajtur të huajt kështu dhe jo ne.
Vasel Gilaj, nga Amerika që përgatit revisten elektronike "Malësia" na sjell këtë referencë: 
 
"Miss Edit Durham, një shekull më parë ka shkruar, citoj: “Kur i pyeta gratë malësore se pse mbanin në atë që ato e thërrisnin kapicë simbolin turk gjysmë hënë dhe yll të qëndisur, ato bënë kryq dhe e mohuan me mllef padinë qe u bëra, duke mu përgjigjur se e kemi mbajtur gjithmonë, nuk është turke, ne jemi katolike të mira. Ato pohuan gjithashtu se ajo ishte shumë e vjetër, - hana, me thanë, shkon me yllin”. Edhe unë - sqaron Durham e pranoj se është pikërisht shtrati i lashtë pagan i simboleve ornamentale të xhubletës që pranon natyrshëm sot simbole të tilla, në dukje kontradiktore."
Po të lexosh librat studimorë të veshjeve do të gjesh se ka fjalë burimore arbërore, dhe është krejt jasht llogjike që ndersa shfaroseshin nga pushtuesit e hordhitë e lindjes, malësorët i venin veshjes se grave e vajzave të tyre një emer turk.
 
Po në fund të fundit fjala turke Cüppe është ajo që ne i themi krejcë, diçka me të cilën gratë mbulojnë kryet, por pa asnjë lidhje me Xhubleten e Malësisë.
Mirë është të mos i themi seriozisht gjërat që janë për të qeshur dhe e kundërta të mos i themi me të qeshur gjërat që kërkojnë seriozitet.
Shtesë nga komentet e mia:
Nëse jeni nihilista dhe merrni broçkullat e që qarkullojnë për xhubletën me emër turk, nëse më tej doni të dini më shumë, rreferojuni Edith Durhamit, si ju pergjigjen gratë malësore kur ajo ju tha pse mbani simbole turke në kapicë, yll e hanë, pjesë e veshjes me xhubletë. Ato ju përgjigjen se asgja turke nuk ka në xhubleten tonë. E del tash kjo zonja televizive të mohojë çfarë thanë gratë malsore 100 vjet ma parë kur ende ishte turku zaptues në këto troje. Prandaj nuk po i kuptoj as këshillat e ndonjërit duke i quajtur të pranueshme obsionet e saj dhe eja të debatojmë. Përse? Sill argumenta ti që na vë në dyshim e jo ne që jemi pjesë trashëguese e kësaj historie.
Pavarsish çfarë thoni ju apo Monika Safa, një gja e di me siguri, që shumëkujt në këtë Shqipni u ka le dielli e hana kur kanë ardhe turqit në këto troje, për këtë kemi mbet si qyqarë me atdhe të cunguar.
Më thoni çfarë argumentas më kërkohen të vërtetoj që jetoj e që ju nuk e besoni? Të bërtas deri në kup të qiellit. Dubletë eshte Jubletë, Xhubletë. Po sikur kjo fjalë (po fantazoj) të kete ardhur nga llirishtja. Dy bletë, që në një farë mënyre e ka një kuptim, një veshje grash që ngjan me dy blete, të hapura si fletët. Si dy fletë.
 
Nuk kam ndërmend të bëj studime, por të thuash është turke është çmenduri. E thonë enciklopeditë e botës. Fjala ka lindur prej teknikës së përdorur, dhe e formës që ka, si hinkë e përmbysur. Edhe sot në kostumografinë botërore përdoret fjala Dubletë. Dhe po ta shohesh në figurat shoqëruese janë teknikisht të njejtat teknika e forma konike. Paska ardhur turku e i ka venë emrin xhubletes kur vetë vinte në brigjet e Adriatikut thue picak. Kur ishte një popull nomad e nuk kishte shtëpi e katandi e vershonte si hordhi. Mos më bani me qesh pash zotin. Se shenjën e fortë të ID që na përfaqson në UNESCO po na e nxirrni turke. Dhe na venë kushtin; vertetoje se nuk është turke. Se vikërka nga fjala Cüppe.
Qesharake, ku Cüppe e ku Dubletë, Jubletë, Xhubletë.
Turkomania në tokat shqiptare vazhdon. Mjerisht e poshtërsisht. Duke e parë më gjërë si pjesë e një plani të madh për humbjen e indentitetit dhe shkombtarizimin e shqiptarëve, vëmë re se punojnë përditë për një qëllim të largët, ogurzi, duke arritur deri atje sa, ne u dashka tua vërtetojmë, bash këtyre, që jemi ata që jemi e jo siç na duan ata.
- Si janë shqiptarët e tu, At Fishtë?
- Ashtu siç i do armiku...
 

©️ Kolec P. Traboini, 30 gusht 2023




16 July 2023

🟪 KATEKIZMI KATOLIK - nga Monsinjor Ernest M. Çoba

KATEKIZM KATHOLIK
PARATHANE

          Ne kie se parathanja në krye të njij libri nde shum raste àsht bàm nji formalitet, në krye të këti vëllimi me duket nji detyrë, detyrë evarije ndai bashkëpuntorë e bamirësa.
          Më bahet si sot, me gjithë se janë mbushë mà se dhetë vjet.
Në nji ndër lokale të Kolegjës Ksaverjane - shndërrum prei ngiariesh s'atyne dit ndër dhoma argëtimi - në mes të poterës tanë jetë e rini të djelmoçavet të Rrethit V.K. "D. Bosco", hyn, në nji nadje prendvere, F. i Nd. At Florian Berisha - ai jezuit sa i fjeshte e i përvujtë aqë fetàr e zelltàr - e më grishë për nji pyetje.
          "Këqyr - më thotë, - kam menden me pregatitë nji libër Katekizmi për klase fillore. A mundesh me më ndihmuem?" "Me gith qéf” ja kthej.
          Atëherë Áti nzjerrë nji tube letra e më difton landën qi kishte mbledhun.
Bazën e kishte vum tu "Shkurtorja e Piut X", por fjeshtësuem e diku shkurtuem, tue ia përshtatë fuqis mendore të moshës së njomë.
          E për disa muaj të mirë punën e vazhduem sëbashku. Katekizme githë nduerësh, shqip e në gjuhë të hueja, shfletsoheshin ndër duerë tona. Por, mbandej, veprimi u pezullue....
Kishte dalë në dritë Pjesa I e Katekizmit "Shpejt e mirë" e kopjet e shumta në pak dit u sosën.
Tue parapám se F. i Nd. At Mark Harapi S. J. do ta kryente veprën, menduem m'e lanë atë tánen.
          U shugurova meshtár.... Shkova në Qelë të Shkodrës....
          At Berisha qi tashmà e kishte hjekë mendimin e vijimit të Katekizmit - vinte shpesh me më pam.
          Ni ditë F. i Nd. Z. Famullitari, D. Mikel Koliqi, tue marrun vesht për Katekizmin e nisun, na këshillon me e vazhduem, veç jo ma si tekst filloresh, por lyceu s'ulte, mbasi ishte tepër i nevojshëm për këto kohë kritike.
          Mendimi na pëlqehet të dyve; vetem At Berisha don qi ta marr unë mbi veti punimin, tue më ndihmuem ai me grumbullimin e landës.
          Edhe nji frymzim i ri nga Z. Famullitari: Mos m'e lanë librin vetem me pyetje e përgjegje të thata, por m'e mbelmyem me zhvillime e ndodhje, në mënyrë qi ta shijojë me andje e ta bluejë pa të vështirë dhe populli i vogël.
          Mbas njij punimi së parreshtun për mà se nji vjetë, në mes tekstash e vëllimesh gjithë farësh, libri katekistik i fillorevet u metamorfozue.
          E ndë kaqë nji Mësues jezuit e muer mbi veti barrën e mërziteshme ta dysharisë me makinë shkrimi...
Kryem sẽ shkruemi, përherë bashkë me At Berishën i dhamë nji rikëqyrje e Ky, për eksperiment, e përdori, si dorëshkrim, në mësim të Besimit në I Gymnazike të Seminarit Papënuer e të Kolegjës Ksaveriane, tue grishun ndër sprovime të fundit Shk. e Ti Tëmz. Arqipeshkvin Metropolit, i Cili mbet shum i këndaqun.
          Por, nemo iudex in causa propria: prandej menduem të ja apim të gjitha dorëshkrimet, për shqyrtim, Poetit t'ambëlsis, F. të Nd. D. Ndré Zadëjës.
          Mbas pak muejësh, D. Ndreu i kthei me nji letër përgëzimi e urimi, ku dhe këshillonte qi disa fakte të shkurtoheshin paksá.
          Vërejtja ishte s ka má me vend! Me gëzim ja hymë punës s'operimit, pse ndryshej libri do të delte me të vërtetë tepër i gjatë. U kufizuem tue lanun ato ndodhje qi plotsojshin zhvillimin e katekizmit, e faktet e Shkrimit Shejt gati gjithëherë vetëm i nomotisëm.
          Kaloi edhe nji vjetë e vepra pritëte nji bamirës qi ta botonte...
          Njatje kahë vera e vjetit 1941 disá... shpëresë të mira, e letrat e këqyrëne e të rikëqyrëne shkruehen rishtas me makinë... Ndër kaqë nisim punimin e Liturgis...
         Por qe pengesë të reja, demoralizim, shpëresë gati të humbuna.... deri sa penda e Theologut të vëlerët, At Mark Harapit, i ep të prekënet e mistrin e mbrame Besojmës, tue prémtuem ndihmën e çmueshme të vetën dhe për pjesë tjera.
          Veçse çka? - me githë Imprimatur të Shk. së Ti Metropolitit - nga mungesa e mjetevet financiare, dorëshkrimi prap po flënte në gjumin e harresës, kúr pa pritë e pa kujtuem, shi në gusht të këti vjeti, Z. Famullitari i Trushit, F. i Nd. D. Nikoll Dragusha, me nji zémërgjánsi shembullore vetë se veti dha të hollat për botimin e kësajë pjesë së parë, tue marrun për sipër dhe shpenzimet e të gjithë blêjvet tjerë.
         Qe historija dhetëvjeçare e pregatitjes së këti teksti: Falënderje botore bashkëpuntorëvet e batmirësvet!


Ernest M. Çoba
ndihmësfamullitari
Shkodër, 4 Shtatuer 1944 

Monsinjor Ernest M. Çoba, (16 shkurt 1912 - 8 janar 1980), ishte kreu i Kishës Katolike Shqiptare në kohën e diktaturës komuniste në Shqipëri, u arrestua për veprimtari klerikale në kohën e ndalimit të institucioneve fetare, u dënua dhe e vranë në burg të Tiranës me 8 janar 1980. Dom Ernest M. Çoba ishte një nga figurat me emblematike të rezistencës kristiane antikomuniste. Në gjyqin që ju bë ai tregoi nje trimeri te pashoqe duke ju drejtuar hetuesve kriminelë e gjyqtarëve të sistemit diktatorjal:  "Komunizmin e kam urryer gjithmonë, e urrej dhe do ta urrej deri në vdekje!"

Përgatiti: Kolec P. Traboini 

 

IMZOT ERNEST ÇOBA- ARQIPESHKVI I SHKODRËS
(1912-1980) 

Imzot Ernest Çoba, ipeshkëv i butë, i ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë. Në periudhën e diktaturës komuniste e dëshmoi me heroizëm të pashoq Krishtin ndër tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët e grigjës që i qe besuar. Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980.

Më 8 janar 1980, vdiq në burg dëshmitari i fesë së krishterë, imzot Ernest Çoba, kryeipeshkëv i Shkodrës, pasi, në kundërshtim me natyrën e tij të butë e të brishtë, e dëshmoi me heroizëm të pashoq Krishtin ndër tortura mizore, që ia shkurtuan edhe jetën. U bë kështu model për të krishterët e grigjës që i qe besuar.
Imzot Ernest Çoba lindi më 16 shkurt 1912 në një familje të vjetër qytetare shkodrane. Mësimet e para dhe ato të mesme i kreu në Seminarin Papnor. U shugurua meshtar më 9 shkurt 1936. Kreu detyra të ndryshme pranë seminarit papnor, ku ishte përgatitur. Shërbeu edhe si mësues i besimit ndër shkollat e qytetit. Pas vdekjes së imzot Gaspër Thaçit dhe arrestimit të dom Mikel Koliqit, kreu njëherësh detyrën e zëvendës-famullitarit dhe të famullitarit të Shkodrës. Ishte një nga ipeshkvijtë që u shugurua në kohën më kritike për Kishën, kur bëheshin përpjekjet për ta shkëputur nga Selia e Shenjtë. I vetmi ipeshkëv që ishte ende gjallë e jo në pranga, imzot Bernardin Shllaku, e shuguroi imzot Ernest Çobën, së bashku me ipeshkvin e Durrësit, imzot Pjetër Demën më 20 prill të vitit 1952.
Vishte petkat (paramentet) liturgjike me ngjyrë të kuqe, në kohën kur kjo ngjyrë simbolizonte gjakun e sivëllezërve të tij, që derdhej pa kursim ndër zaje të shkreta për Fé e Atdhé. Ai merrte në duar një mision, që i ngjiste shumë misionit të ipeshkvijve të parë të krishterimit, të cilët shumë shpesh e bënë më të theksuar të kuqen e petkut të tyre, duke e ngjyrosur me gjakun e derdhur amfiteatrove për t'i qëndruar besnikë Krishtit dhe Zëvendësit të tij mbi tokë, Papës së Romës. Pak kohë pas shugurimit të tij, imzot Shllaku vdiq. Dioqeza e Shkodrës, që mbas shkëputjes nga dioqeza e Tivarit, kishte pasur pesë ipeshkvij të mëdhenj: Imzot Karl Pooten, Pashko Guerinin, Jak Serreqin, Lazër Mjedën e Gaspër Thaçin, mbeti ndër duart e ipeshkvit të butë, të ëmbël, simbol i gjallë i dashurisë së krishterë, imzot Ernest Çobës.
Ja si e përshkruan, ipeshkvi ndihmës i Shkodrës, pas rënies së diktaturës komuniste, imzot Zef Simoni në librin e tij "Portrete klerikësh katolikë":
Imzot Ernest Çoba" kishte trup të shkurtë, sy të shkathët, gjysmë të mshehun mbas syzeve të errëta kur shërbente në kishë apo në zyrë. Kishte cilësi të mira: ishte i përvujtë, kryeulun, i qetë, i matun, i palodhun në shërbime, deri ndër ato që nuk i përkitshin si ipeshkëv. Monsinjori do të gjindej çdo ditë, mbasi kremtonte Meshën e orës 6, mbi krye të sëmurëve të qytetit, ndër koliba, tue çue sakramendet shenjte, ndërmjet fëmijëve në orë katekizmi masiv, kur Kisha e madhe gumëzhinte nga zanet fëminore. Kjo bani të fitonte popullaritet të madh e simpati, sidomos ndërmjet të vorfënve.
Qe drejtues i shoqnisë së Kryqtarëve të vegjël pranë etërve jezuitë, njohës i tri gjuhëve të huaja, specialist i teologjisë morale dhe i lëndëve të besimit, e jo ma pak, meshtar praktik në punët e fesë e të liturgjisë. Nuk mujti të marrë pjesë në Koncilin II të Vatikanit por, me largpamësinë e tij, bani të depërtojë fryma e Koncilit në gjithë jetën e Kishës. Pati guximin të mblidhte një grup dëshirtarësh për rrugën e meshtarisë dhe të shuguronte shatë prej tyne, ashtu si dhe guximin të mbante lidhje të ngushta me Selinë e Shenjtë, duke shfrytëzue të gjitha mjetet dhe rrugët e mundëshme".
Në prag të mbylljes së Kishave, në një të diel të hidhur, në sa ishte thirrur që të akuzohej nga regjimi komunist, imzot Ernest Çoba u kthye në akuzues, duke mbajtur një fjalim të zjarrtë, që i ngjiste predikimii, për të mbrojtur Zotin e sulmuar, Kishat në prag të rrënimit të madh. Megjithatë, jo shumë kohë më vonë dyert e Kishave e të Tempujve tjerë të Zotit, do të mbylleshin. Atëherë imzot Ernest Çoba u detyrua të kthehej pranë familjes. Prej derës atërore doli me pranga ndër duar. Ishte viti 1976. Gjyqi komunist e dënoi me 25 vjet burgim, si të ishte më i madhi kriminel. Akuzohej se kishte mbajtur lidhje me Selinë e Shenjtë me anën e legatës italiane.
Vuajti me durim të pashoq, me shqetësimin e vetëm që t'i ngjante sa më shumë Krishtit në Kalvar, derisa vdiq në spitalin e burgut në Tiranës më 8 janar 1980. Ishte një vdekje misterioze, - siç dëshmon në librin e lartpërmendur Imzot Simoni. Mbyllte sytë pas një injeksioni që iu bë në ditët e para të janarit 1980, pak ditë para përkujtimit të Shën Ernestit. Për figurën e tij është shkruar disa herë, por nuk janë bërë ende përpjekje serioze për të mbledhur dëshmitë mbi qëndrimin heroik dhe fundin e tij.

Vatican News, 7 janar 2020