03 December 2011

KUR FLET PER TE TJERET POHON VETVETEN



KUR FLET PER TE TJERET POHON VETVETEN

Meditim tek “E për7shtatshmja”

Ishte një mbrëmje shumë e bukur fillimdhjetori dhe ndjeva kënaqësi kur pashë se lexues me fytyra të reja e të bukura, studentë apo dhe profesorë, lexonin poezitë e 40 poetëve nga libri “Kujto poetin” në mbrëmjen poetike tek kafe-libraria e admirueshme “E përshtatshmja”. Ishte një akt mirënjohjeje për çfarë kanë shkruar poetët që nuk jetojnë më, për çfarë kanë ndjerë, për çfarë kanë sakrifikuar në një kohë të tmerrshme mbytëse të lirisë e të shpirtit krijues....
U fol në takim për Lazër Shantojën, Trifon Xhagjikën, Havzi Nelën, Vilson Blloshmin e Genc Lekën, u kujtuan Lasgush Poradeci dhe Martin Camaj, Arshi Pipa dhe Ndoc Gjetja, Bilal Xhaferri dhe Viktor Qurku, Zef Zorba dhe Agim Spahiu, Ali Asllani, Lame Kodra, Nexhat Hakiu, Azem Shkreli, Enver Gjergjeku, Murat Isaku, Vehbi Skenderi, Din Mehmeti, Dalan Luzaj dhe Vorea Ujka e plot të tjerë, për të veçantën Drita Çomo, për poetin tragjik dhe impresionant Ilir Belliu si dhe Anvi Mulaj që ndrroi jetë në Amerikë. Por edhe për një poete që botohet për herë të parë Suzana Selenica (falë kujtimeve të Roland Gjozes), e cila u masakrua nga diktatura për shpirtin e lirë.
Eshte për t`u falenderuar përkushtimi (në këtë kohë paradoksale antiart) i organizatores së mbrëmjeve të përjavshme poetike, Elvana Zaimi, dhe mjedisin e ngrohtë që krijoi Agron Tufa, i cili e drejtoi aq bukur atë mbrëmje poetike ku folëm si autorë të albumit “Kujto poetin” Iliriana Sulkuqi edhe unë, që kam patur fatin e madh që disa prej poetëve të këtij Albumi, si Dodë Kaçaj, Frederik Rreshpja, Tonin Shtjefni, Pirro Kuqi, Zyhdi Morava, Jamarbër Marko i kam patur shokë fëmijërie, rinie, në bankat e Universitetit apo kolegë pune.
Qenka shumë herë më bukur kur mblidhesh e flet për krijimet e miqve sesa për vete, aq më tepër kur këta miq poetë nuk mund t’i shohim e takojmë më si dikur. Duke ma ditur këtë natyrë, është kjo arsyeja që kur po hyja në një emision Albanin Screen TV për një intervistë mbi krijimtarine time filmike dhe poetike, mikja ime poete Luljeta Lleshanaku më tha:- "Kolec, fol për vete se ke çfarë thua." E unë i thashë mikes sime të mirë: "Ah sikur të dija të flisja për vete", dhe në emisionin “Orkidea” me Ema Andrea nisa te flas për Hotin-përndryshe, shkatërrimin e një miti... Sepse kam mendimin, se duke folë për të tjerët, për shokët e miqtë, për prindërit, qytetin, fshatin, prejardhjen e historinë, kemi folë shumë më mirë e shumë më bukur edhe për veten...

KOLEC TRABOINI

Fotografia një montazh grafik nga fondi i aktiviteteve poetike të Elvana Zaimit tek e Për7shmja.