28 July 2017

Z.Kryeministër ndalojua vrullin katundarëve - nga Kolec Traboini


ZOTI KRYEMINISTËR NDALOJUA VRULLIN KATUNDARËVE,
POPULLIT PO I INJEKTOHEN HELME KANCEROGJENE.

Nga injoranca por edhe pangopesia e fitimit katundarët tanë mendjendritur i lyejnë domatet me kimikate për tu provokuar pjekje të shpejtë, në të vërtetë ato nuk piqen por skuqen në sipërfaqe dhe forcohen e bëhen gur. Pastaj si kaluan dy dite që bleva domate të tilla, njëra nga ata që ishte e mbingopur duke qenë e kuqe dhe e fortë papritur nisi të nxihet, shënja kanceroze. Kur qytetari i ha ato domate kalon edhe ai në rrezikun e shfaqjes së kancerit.
I nderuar Kryeminister, ndalojua vrullin katundarëve se janë marrosur fare. Ju i keni të gjitha atributet e mjetet për ti kontrolluar produktet që i afrohen tregut. Urgjentisht të bëhen analiza të tilla për të shpëtuar popullin nga vdekja.
Kushdo katundar apo qytetar që gjëndet me të tillë lëndë helmuese kancerogjene në produktet bujqësore apo ushqimore duhet ti vihen prangat e tu jepet dënimi më i rreptë. Dhe pa të drejtë falje apo ulje të dënimit.Te futen në kategorinë e vrasjeve.
Të lozësh me jetën e popullit e ta sëmurësh e helmosh atë për një dorë para është një krim i përbindshëm.
Domatja ime është në dispozicionin e administratës tuaj, na jepni një adresë ku ta çojmë për analizë.
Komiteti i Helsinkit për të Drejtat e Njeriut mesa duket flë gjumë nën tinguj tallavaje, po ashtu dhe Avokatja e Popullit, shto dhe ato 6 mijë shoqata fantazmë që janë krijuar për të vjelur para e të mos bëjnë asgjë.

Kolec Traboini
27 korrik 2017


12 July 2017

Heqin shqiponjën e vënë një qafë pate.../ nga Kolec Traboini




HEQIN SHQIPONJËN E VËNË NJË QAFË PATE NË FLAMURIN E PAVARËSISË

Nga KOLEC TRABOINI

Një flamur me shqiponjë qafëgjatë si qafë pate na e paska valëvitur në ballkon të Vlorës Plaku Ismail Qemali në 1912. Na paska mashtruar të gjithëve, madje ka mashtruar edhe ata që e kanë parë dhe prekur me dorë atë flamur. Magji u paska bërë Plaku i madh i Vlorës. Nuk i paskan pas sytë në ballë Luigj Gurakuqi, Faik Konica, Dom Nikollë Kaçorri apo dhe Lef Nosi. Kësisoj si në një lojë kungulleshash, sa të ketë në Tiranë televizione e gazeta, historia ndryshon mor tungjatjeta.

Por ky nuk është zbulim por spekulim kokë e këmbë. Megjithëse nuk ka as kokë e as këmbë ky studim i thellë në pus të cekët, por ka veç bisht. Bisht si i dhelprës ardhur ndoshta nga qymezet e fqinjëve ballkanikë, se ata e duan Shqipërinë pa histori. E duan gjithçka të dyshimtë e pa taban. Siç patën shkruar dikur në gazetat e tyre fqinjët ballkanikë, se shqiptarët janë njerëz të egër, janë njerëz me bisht, por ua dha përgjigjen At Gjergj Fishta në një konferencë ndërkombëtare. Le ta lexojmë me vemëndje këtë histori jo vetëm për të qeshur, por edhe për të menduar se në çfarë bataku na duan oreks-mëdhenjtë ballkanas për trojet shqiptare, e gjithashtu si duhet t’ua tregojmë vendin që u takon atyre që na e shtrembërojnë historinë me një të rënë të lapsit.
Rrinte në këmbë Fishta ynë i madh.
I tha kryetari që hapte konferencën
 “Ulu Atë!”
Po Fishta ngulmoi të mos ulej duke kërkuar një karrige tjetër me vrimë.
“Po pse e do me vrimë?”- i thanë.
 “Të vë bishtin!”- ua ktheu.
Aty ishte dhe shkrimtari serb që kishte shpifur për shqiptarët dhe gjithë salla qeshi me atë shkrimtar shovinist.
Tani erdhi koha të qeshim edhe ne me një skicë të një grafisti të panjohur në vitin 1912, e bërë me nxitim në ndonjë kafene të Vjenës për ndonjë honorar, që sipas një “zbulueseje”, ndryshoka realitetin shqiptar të 28 nëntorit 1912 pas një shekulli e kusur. Kështu tregohen përralla në shtypin shqiptar. Dhe  meseleja e përrallës për flamurin me qafë pate gjen jehonë marramendëse në të gjitha televizionet ordinere që nuk kanë as minimumin e njohurive historike apo të kulturës kombëtare. Dhe historianët profesionistë që marrin rrogat nga paratë e popullit, nëpërmjet taksave qeveritare, heshtin si mumje egjiptiane. Pse të prishin qejf ata. Rrogat i kanë të majme, vetë janë si gica, dhe asnjë njeri në pushtet nuk u kërkon llogari sikur të mos ketë qeverisje në këtë vend. Por piramida e mumjeve është vetë Akademia e Shkencave në Tiranë, që hesht dhe ajo si një varrezë.
Ndoshta dikush ua paguan edhe heshtjen.
Por le të tregojmë diçka për flamurët, por edhe për zbulim-shpifjen për portretin “Motra Tone” që nuk na qenka vepër e Kol Idromenos, por e memurëve të qorollepsjes që nuk dinë çfarë të bëjnë e lozin derën.
Në Vjenë është punuar edhe Flamuri i Deçiqit,  një vit më parë se të botohej ajo grafikë ilustruese në Vjenë, që i turbulloi mendjen “zbulueses” si në librat me përralla për fëmijë, pra në mars 1911. Flamuri i Deçiqit është i fotografuar nga Kel Marubi në verë të vitit 1911, se ndryshe edhe këtë si qafë pate apo si sorrë do të na e përshkruanin zbuluesit e shekullit 21. Por shqiponja në flamurin e Deçiqit nuk është një shpend qafëgjatë. Nga kjo del se qarqet në Vjenë e dinin modelin e flamurit shqiptar, por ai grafisti i gazetës ka punuar kuturu në atë model flamuri të stilizuar dhe tani e mbështet si një realitet i padyshimtë dhe kjo studiuesja jonë në një shkrim që nuk ka të bëjë në asnjë drejtim me argumente apo fakte historike. Dhe këtë skicë që e quajnë zbulim epokal në mediat mediokre të Tiranës, e kemi parë me qindra herë në mediat sociale via internet. Madje këtu e shumë vite me parë se kjo studiuesja që e zbulon në facebook të na e servirte. Por ne kemi thënë se ai që e ka bërë, ka stilizuar se nuk e ka pasur të qartë se cili është flamuri i shqiptarëve. Kështu mosdija kthehet në "dije" prej mjerimit kulturor bashkëkohor.
Po ju përcjellim në vëmendje një flamur shqiptar i dizenjuar dhe shpërndarë nga Parisi nga Alardo Kastrioti që në vitin 1902, që e konsideronte veten pasardhës të Gjergj Kastriotit. Dy flamurë të tillë dhuratë nga Alardo Kastrioti, siç paraqitet në këtë kartolinë të vjetër të asaj kohe,  i ka sjellë fshehurazi nga Parisi në Shkodër Dom Ndoc Nikaj në vitin 1902.Edhe Flamurin e Deçiqit po Alardo Kastrioti e ka paguar. Prandaj këto hamendësime që në Vlorë është shpalosur një flamur tjetërsoj me shqiponjën si portretet e femrave qafëgjata të Pikasos, pra qafë pate, janë sa të pavërteta po aq dhe groteske.
Çfarë nuk ndodh në këtë konfuzion total në shoqërinë shqiptare ku dëshira e shkatërrimit qenka më zotëruese se ajo e ndërtimit. Hidh një i paditur një gurë në ujë dhe shfaqet zbulimi i shekullit ndër shqiptarë të paditur.
Jo pak ditë më parë kështu e hodhi një gur në ujë të turbulluar edhe një restaurator veprash të kishave mesjetare, kur tha se Kol Idromeno nuk e ka pikturuar Motrën Tone. Dhe ngul këmbë si mushka ne shtyp e intervista të fryra kacek, duke mos sjellë asnjë argument shkencor. Të tillë mohues të vlerave kombëtare nuk ja ndjejnë aspak nevojën arsyetimit, por as dhe fakteve. Mjafton zhagitja  në idenë e ngulitur se ata e vetëm ata kanë të drejtë.
O Tempera o Mores! E dimë nga kemi ardhur, por nuk po e dimë nga po shkojmë me këto pasione mohuese. Mbase e bëjnë se, të pazot të ndërtojnë, duan të bëhen të famshëm e të ngelën në histori duke mohuar e shkatërruar si Neroni. 
Etja për lavdi është në zenit në tymnajat e Tiranës. Shpifjet e denigrimet në këtë kohë janë në mode. Kohë të marrësh!

12 korrik 2017

01 July 2017

Gjëmën PD ja bënë karrieristët- nga Kolec Traboini


GJËMËN PD JA BËNË KARRIERISTËT
Përndryshe një tufë mocionistësh karrieristë me frymën e vet disfatiste ndihmuan në vazhdimin e pushtetit të Edi Ramës.

Nga KOLEC TRABOINI

Nëse gjykohet me gjakftohtësi mundet të bëhet një analizë e disa fakteve dhe të arrihet në mendimin se zgjedhjet nuk i humbi Lulzim Basha, i humbi Partia. Dhe shkaku i humbjes nuk ishin kundërshtarët,  as PS dhe as LSI, por një skuadron i mocionistëve që e kanë vjelur pushtetin ndër vite në saj të qenit në PD. Mos vallë ne nuk e dimë se këta mocionistët ndikuan që pasuesit e miqtë e tyre të mos votonin. Janë 200 mijë simpatizantë të demokratëve apo dhe anëtarë të kësaj partie që nuk votuan fare. Nuk u paraqitën te kutia e votimit.
Pra kjo është vepër e këtyre mocionistëve, që në mes të fushatës për zgjedhjet e 25 qershorit 2017, kërkuan heqjen e kryetarit të PD. Pra mbollën pakënaqësi e paqartësi shto dhe konfuzion ndër radhët e mijëra demokratëve.
E shoh humbjen pikërisht për shkak të këtyre e jo të Bashës sepse Basha ishte shumë aktiv, bëri maksimumin. Hartoi një program shumë të dobishëm për qeverisje në interes të popullit, ndërkohë që Rama nuk kishte asnjë program e veç fjalë e shprehje vulgare. Basha bëri të pamundurën, por kur e ke gjarprin në gji do ta pësosh patjetër, kështu e pësoi PD nga një tufë karrieristësh në gjirin e vet. Populli në jug ka një motiv-këngë
"O zagar të hëngrët tenja, e ke të keqen brenda"
Analiza për mua është e thjeshte. Sikur batalioni i mocionistëve karieristë të mos bënin punë minuese e demoralizuese PD do të kishte të paktën 10 deputet më tepër, PS nuk do të merrte më shumë se 64. Dhe gjërat do të ishin ndryshe. Dy forcat politike do ti kërkonin ndihme LSI për të marr pushtetin.
Mungesa e demokratëve në votime solli pikërisht rritjen artificiale të PS, çfarë as ajo nuk e priste,  dhe tani ja ku jemi. Pyeteni këtë grupim karrieristësh të sëmurë se për kë kanë votuar. Të jeni të bindur se ose nuk kanë votuar fare ose votën e kanë dhënë për PS dhe Edi Ramën, veç nga urrejtja për Lulzim Bashën.
Unë prisja që Rama në fjalimin e fitores ta mbyllte me këto fjalë:
Faleminderit Genc Ruli!
Faleminderit Majlinda Bregu!
Faleminderit koleg Arben Imami! 
              Faleminderit Besnik Mustafaj!
Faleminderit Eduard Selami!
Faleminderit Jozefina Topalli!
Kësaj lukunie ju bashkua dhe Astrit Patozi, mjerisht, po edhe ca këlysh të vegjël që Basha i solli ne PD edhe këta lehin nëpër televizione pikërisht kundër Lulzim Bashës.
Dalja e mocionistëve në publik është një skandal tjetër. Punët e Partisë nuk diskutohen nëpër televizione, por në instancat e forumet e Partisë. Partia ka edhe seli. Ata automatikisht duheshin përjashtuar edhe nga Partia Demokratike. Partia nuk është një pazar pa tagër. Por për disfatën në 2013 pse nuk dhanë dorëheqjen këta mocionistët që tani i bien legenit se mbeten pa u shkla me motorra nëpër shkrëtirat e Kuvajtit. Po të përjetshëm në funksione e parlament e quajnë veten këta. Po me këta karrieristë që për ambicie kolltukut i bëjnë gjëmën Partisë, me këta do bëhet PD?  
A do jetë Basha sërish ne krye te PD, kjo do vendoset në zgjedhje. Nëse e duan le të jetë. Asgjë të keqe nuk ka edhe nëse zgjidhet edhe nëse humbet. Në zgjedhje hyhet për të fituar por edhe me mundësinë për të humbur. Edhe humbja është pjese e lojës politike e duhet të dish si ta menaxhosh për të garuar sërish.
Më së fundi do të thosha: Udhë e mbarë i qoftë batalionit të mocionistëve se janë në kohë të kryer. Na janë lodhur sytë duke i parë e na janë lodhur veshët duke i dëgjuar. Mjaft më.  I kanë mbushur thasët mirë  (thotë populli), le ti hanë tani.
Ama jo më në kurriz të PD, të anëtarëve te thjeshte apo simpatizantëve të kësaj force politike që disa po kanë zellin e tepruar ta shkatërrojnë.