12 September 2024

Liderucët pas vitit 1990 - nga K. P. Traboini

LIDERUCËT E PAS VITIT 1990

Pas vitit 1990 sekush nga liderucët që mbinin si kërpudhat pas shiut, po përpiqej të kapte një copë tokë, një fabrikë a uzinë, por më shumë një kolltuk në qeverisje. Këta trima të adhuruar nga turmat e leshuara si tufa çakejsh, ish komunista, ish spiunë, a bij të kuadrove të lartë të nomeklaturës, të llangosur kuq e blu luftonin për kolltuk, ku gjeja e parë që do bënin ishte të vidhnin popullin e vet. E vlerësoj vështrimin shumë realist në përshkrimin e luhatjeve të personalitet të një figure qëndrore të viteve 90, sepse në kushtet e sotme të një mediokrriteti e agresiviteti të turmave duhet me të vertetë kurajo për të artikuluar të vërteten, por bëhem konfuz kur shoh të thonë në komente trim ky e trim ai. Po me se, e çfarë kriteri përcaktohet trimëria. Se kështu me yrysh e hovada, budallai më i madh duhet të jetë trimi më i madh në këtë vend. Dhe kësisoj trimash që e vrasin tjetrin se me pe vëngër ka plot. Jemi vendi i trimave. Vendi që u këndon hajdutëve të piramidave financiare. Kur flasim për ndryshime të mëdha historike nuk ndahen cilësitë, siç ndajmë torten për ditëlindje, trimëria e mençuria shkrihet e treten në një pa arritur të kuptosh ku fillon njëra e ku mbaron tjetra.
Si nuk ju ngrit një lapidar mendjes në këtë vend, ku shitet aq shumë e ka aq pak.
Prandaj kot llomotitin turmat në mitingje politike. Në 1991-1992 dhe më pas nuk di të ketë pasur trima kjo tokë. Lufta është bërë kaçakshe, me çeta e klane, hajdutështe dhe mendja flinte gjumë. Pa le kur përdorin dhe termin karizmatik. Të mjeret ne për mjerimin ku kemi rënë, ku luftojmë për mbijetesë e pjerdh-flasim për ideale të mëdha dhe trimëri heroike rrugaçërore. Më falni po unë jam shumë skeptik si për trimëritë ashtu dhe karizmen e liderëve sharlatanë dhe pupetave të tyre që e shkatërruan këtë vend.
Çfarë kishin më shumë vende si Bullgaria e Rumania që u bënë antare të BE e ne pas dere që 32 vjet. Si nuk na ndihmoi sadopak karizma e liderucëve tanë që i pomponi nëpër asamble apo tollovi foltoresh? Pa le kur këta hajvanër vetlavdërohen.
Lavdi trangujve tonë kombëtar. Krenar për mediokrriteti kolektiv që fluturon me pras aty ku dihet por kinse nuk thuhet.
Ndjesë për mënyrën "trimërore" të shprehjes, por thashë të bëhëm një herë "karizmatik" dhe unë,... e mendjen e vura në gjumë.

©️ Kolec P. Traboini


05 September 2024

Akoma partallen me Rugovën - nga K.P. Traboini



AKOMA PARTALLEN ME RUGOVËN

Nga Kolec P. Traboini

Shkruajnë në Internet:
Izetbegoviçi ështe hero i madh, ndërsa për Ibrahim Rugovën:
"E zunë rob serbët....Rugova doli në televizor dhe i kërkoi NATO-s të ndërpriste bombardimet mbi Serbinë, që tu jepte kohë dhe mundësi serbëve të vrisnin më shumë shqiptarë."
E çfarë nuk shkruajnë ata që bëjnë trimëri pas lufte e urtësi pas kuvendi.

 
Pra këta çkronjës i shohim punët krejt ndryshe nga se kanë ndodhur e nuk marrin parasysh asnjë rrethanë. Këta harrojnë se Bosnjë Hercegovina ishte Republikë, kur Kosovës edhe autonominë si krahinë ja kishin hequr. Bosnjë Hercegovina kishte një organizim shtetror, Kosova nuk kishte asnjë institucion shtetror, asnjë burim financiar, nuk kishte as polici dhe ushtri të saj.
Bosnjë Hercegovina, jo vetëm i kishte mjaft potenciale, por ajo, për shkak se ishin shtet me popullsi myslimane, u ndihmua materialisht e financiarisht nga vendet arabo-islamike. Ndaj megjithë masakrat e kryera ndaj popullsisë së saj, një popull martir ky, rezistoi dhe arriti të mbijetojë si shtet i pavarur, anipse me plot probleme sot e kësaj dite.
Kosova nuk kishte asgjë nga këto. Populli ishte nën mëshirën e të pamëshirëve, nuk kishte asnjë organizim, djemt e UÇK rezistonin, por në thellësi dhe zona të largëta, përtej qendrave urbane ku kishte nisur kasaphana serbe. Forçat e UÇK ishin të pakta në numër, armatosur keq dhe nuk arrinin ta mbronin gjithë popullsinë e Kosovës që rrezikonte të shfarosej.
Ibrahim Rugova jo vetëm e dinte historinë e përgjakshme të Kosovës, por e dinte edhe çfarë mund të bënin ushtarakët serbë dhe grupet paraushtarake, ploje mbi shqiptarët. Ibrahim Rugova ndiqte parimin të shpëtojmë çfarë mund të shpëtojmë në këtë kasaphanë të pritshme e të frikshme. Ibrahim Rugovës si lider në kushte tragjike i dhimbsej populli.
Prandaj është absurde të nxjerrësh prioritet cilësore të Izetbegoviçit mbi Ibrahim Rugovën.
Izetbegoviçi kur u zu nga serbët, kishte kujt ti telefononte, shtabit të vet të forcave ushtarake e civile mbrojtëse, po Rugova kujt do ti telefononte që tu thonte vazhdoni e qëndroni. Askujt. Rugova nuk kishte as shtet, as ushtri, as komandë, as shtab, e vetmja armë e tij ishte Gandizmi, që me serbët ishte e vëshirë të funksiononte, megjithatë shpresa e dëshpëruar gjithësesi quhet shpresë.
Ndryshimi në mes të Ibrahim Rugovës dhe Alija Izetbegoviçit, që dikush kerkon ti vejë në pah së prapthi, është se Ibrahim Rugova nuk ishte gjeneral, as ushtarak, as udhehëqes suprem fetar, ishte një njeri me shpirt të butë, tek ai kishte ndikuar parimi human e perëndimor për butësinë e tolerancen, të cilën as falangat e Millosheviqit dhe as Islamiket radikalë me Izetbegoviçin në përplasjen e tyre të madhe nuk e kuptonin e jo më ta zbatonin. Duke qenë me parim paqësor, një Gand në Ballkan, Rugova mendonte se me presionin e përëndimorëve Serbia do ta lëshonte Kosovën. Këtë shpresë kishte edhë pjesa më e madhe e popullsisë në Kosovë që i druheshin terrorit serb sepse e kishin hequr në kurriz një shekull. Fundja kjo ishte bindja e tij për të cilën pas vdekjes nuk mund më ti japë llogari askujt. Gjërat kanë ndodhur dhe historia është shkruar. Dhe ndryshimi më i madh në mes të Izetbegoviçit dhe Rugovës, që disa nuk duan ta kuptojnë fare, është se Rugova ishte kundër dhunës e gjakut, e kishte provuar që i vogël kur në sytë e tij, Serbët i kishin pushkatuar babain në oborr të shtëpisë. Nuk kishte të njëjtin fat tragjik Alija Izetbegoviçi që ishte një kuadër i lartë e një nga figurat e mëdha shtetrore në Jugosllavinë Titos. Mos vallë këta që anatemojnë pas vdekjes, kërkojnë që si i ati të pushkatohej edhe Ibrahim Rugova?
Nuk mund ti kërkohet tjetrit vetsakrifikim, kur ti vetë nuk ke bërë e nuk bën asgjë për Atdheun e Popullin tënd!

03 September 2024

Idhujt e rrejshëm të turmave- nga K. P. Traboini

IDHUJT E RREJSHËM TË TURMAVE
Nga Kolec P. Traboini 

Vras mendjen pse miqtë thartohen prej mendimeve që shpreh në esetë e komentet e mia. Për ta bërë më të kuptueshëm këtë trallisje jo pak tunduese po ju sjell një rast të fundit. Përcillet një poezi e një eksponenti të Real Socit që ishte nënkryetar i Frontit komunist të monizmit e në Kuvend si deputet rrinte pranë gruas së diktatorit. Nuk u mora fare me bëmat, të mira apo pamira qofshin të autorit eminent të poezisë së komunizmit, por thjeshtë me poemën e tij, me disa vargje ku thotë se shtëpitë publike u ngjiteshin Maleve në kohë të Zogut. Nuk jam zogist, madje jam antirojalist, por aty ndalova me kundërshti se ka diçka që më shqetëson. Me aq sa di historikisht, shtëpi publike nuk ka pasur në Malësi, por as në Hot nga e kam prejardhjen, ndaj reagova duke shkruar se autori mund ta ketë fjalën për ndonjë Shtëpi Publike pranë shtëpisë së tij të fëminisë në Gjirokastër, e ku ndonjë nga rrethi apo fisi i vet mund të kenë shkuar në bordello, por jo malësorët e mi.
Kur shkrova kështu nuk përqesh as nuk përgojova njeri. Mirëpo kaq u duhej që miqtë facebukas të thartoheshin e të pizmoseshin si mos më keq, u nxinë me të nxirë siç thonë nga jugu, sepse u kisha prekur perëndinë e letërsisë me të cilin flenë e zgjohen e veprat e të cilit i kanë si bibël e kuran së bashku.
Po cila ishte poezia e idhullit të tyre, me të cilin vraponin të dilnin në fotografi për tu bërë të pavdekshëm në një kafe verore të Tiranës? Po e citoj poemën kryevepër të plejadës së komunizmit që i vlerësonte kësisoj virtytet e Malësorëve të Veriut:

"…Himnizonin poetët zanat dhe shtojzovallet,
Por ato qëronin morrat ndanë ujrave,
Zanave, shtojzovalleve u dilnin kokallat,
Shtriheshin për lekë prapa shkurreve.
Ndonjëherë qëllonte që i braktisnin
Zanat e shtojzovallet bjeshkët epike,
Në lokalitete
Një nga një zbrisnin
E një nga një futeshin
Në shtëpitë publike.
Në shtëpitë publike, që u qepeshin maleve
Në shpinat e lodhura
Si plagë,
Si tallje."

Pra, Zanat e Bjeshkëve shqiptare të Malësisë së Veriut:
"qëronin morrat ndan ujnave",
"u dilnin kokallat",
" shtriheshin për lek mes shkurreve", "zbrisnin e futeshin në shtëpi publike"
e më pas Idhulli i tyre i poezisë vazhdonte me lëtyra të tjera aspak poetike:
"Në shtëpitë publike, që u qepeshin maleve".
Nuk u shpreha ashpër aty, por tash do ta them me plot gojë atë çfarë mendoj:
një perversitet i tillë ndaj vajzave dhe grave malësore nuk e ka përdorur si akuzë as armiku, as pushtuesi dhe askush në botë veç tij. Madje edhe vetë diktatori që i vriste malësoret të paktën me fjalë lëshonte ca shprehje tollumbace demagogjike kur ngrinte dolli me një gotë ujë me malësorët.
Po si more poeti të konsiderojë prostituta zanat e bjeshkëve, simotrat e Norës së Kelmendit, apo Tring Smajles së Grudës, për të cilën në shtypin amerikan shkruhej "Amazona shqiptare" me virtyte dhe bukuri të pashoqe në botë.
Po a e kish lexuar ky Idhull i turmave bolshevike poetin e madh amerikan Henry Longfellou në poezinë "Bukuri shqiptare" ku shkruan:

"O bukuri shqiptare çfarë mrekullije je,
Një popull unik, si një yll që vezullon,
Shpirti juaj le të shkëlqejë gjithmonë kaq i ndritshëm,
Dhe bukuria juaj burim drite gjithmonë."

Duke pas këtë vizion kundërshtova këtë paraqitje të përbuzëshme të poetit të turmave, duke e konsideruar një shpifje vulgare me të cilat sistemi diktatorial i shpërftyronte malësoret me qëllim për tua rrënuar krenarinë me të cilën e kanë përballuar historinë.
Më ofenduan, anipse nuk ofendova njeri nga komentuesit. Fola për një poezi të shkruar nga një "perendi", ndërsa ata hulumtonin nëpër arkivat e kohës për të gjetur ndonjë bordello në kohë të Zogut, e pak e nga pak e spostuan biseden drejt meje. Një vjershëtar që e ruaja në kujtesë nga koha e komunizmit F. R. mu kthye:
"Kolec Traboini. ...me nje "puritan" te dyllosur eshte e kot te shpenzohesh. Ta kurseva fjalen "vulgar"."
Më kishte kursyer ai, ithtari i idhullit, por unë nuk kisha pse të kursehesha pas kësaj insinuatë vulgare duke ju përgjigjur me të njëjtën monedhë.
" ...më mirë një puritan i dyllosur se sa një i shqyer bythësh moralisht e fizikisht.
Se sa e kam respektin për njërin e tjetrin është puna ime, ti shko tek kafeneja verore sa pa nisur shirat e dil në fotografi me Idhullin që të bëhesh i pavdekshem."
Por kot ja dhashë këshillën se ai fatmir i kishte dalë punës përpara, e kishte kërryer fotografinë me Idhullin më heret nga frika se mos Idhullin e zë ndonjë grip e nuk del më te kafeneja.
Pse pra thartojnë turinjt miqtë e çarten me mua kur ua prek idhujt pa krena të cilët, sipas tyre, bëjnë vetëm vezë të arta dhe turma duhet me patjetër tu bëjë vetëm Hosanna? Dhe po zure në gojë ndonjë kritikë për Idhullin, turmat të sulmojnë si piranja.
A ndoshta se, megjithë respektin që kam për besimet idhujtare të miqëve, unë mjerisht jam i mallëkuar të mos kem asnjë idhull.
Se pse më bëri Zoti kështu vetëm ai e di. Po fundja kush i di planet e Zotit që krijoj idhuj të rrejshëm e në krahë e përqark tij edhe idhujtarë të vdekshem, më të cilët Zoti më së shumti gajaset se sa i merr seriozisht. Se fundja, kush sot mund ta dijë se cilët ishin idhujt e vdekshëm të turmave që lazdroheshin si sot e para njëmijë vjetëve?!

Shkrimi është shkruar një vit më parë dhe kish mbetur në sirtar si shumë shkrime të tjera. Po tundohem ta publikoj.

Kush po qan për Hasan Rizanë?- nga K. P. Traboini


KUSH PO QAN PËR HASAN RIZANË?
 
Nga Kolec P. Traboini
 
 
Është fjala për gjeneralin i Turqisë me monumentin më madhështor kushtuar ndonjë individi në histori të Shqipërisë, Hasan Riza Pasha. Pikërisht në Shkodër ku nuk ka monument as Teuta që përballoi romakët dhe e çoi lart emrin e Ilirëve, as për mbrojtësit e kështjellës për 10 vjet, pas vdekjes se Gjergj Kastriotit të cilëve as emrat nuk ua dinë megjithëse Barleti i shkruan, ta zëmë një legjendë si kryekomandanti ushtarak i kështjellës Jakob Moneta. As për vëllezërit Lek e Pal Dushmani princër të Shkodrës dhe Zadrimës, bashkëluftëtarët më besnikë të Gjergj Kastriotit në Kuvendin e Lezhës 1444, deri sa dhanë jetën për trojet arbërore. Se për Dedë Gjo Lulin e malësorët kryengritës, që ngritën flamurin kombëtar në Deqiç më 6 prill 1911, as që bëhet fjalë.
Për dijeni të atyre që kërkojnë të lëshojnë shashka tymuese mediatike për të tunduar opinionin, nuk është bërë kaq shumë zallamahi publike kur u shqyen pllakat e bronzit për skrap dhe u pshurr Monumenti i Pavarësisë në parkun Rinia në qendër të Tiranës. Por Media do lajme dhe dikush ka oreks të madh për ti darovitur sikur në Shkodër të qe bërë gjëma e madhe. Mirë kur nuk thanë lajme-pjellësit se Turqia do ti shpall luftë Shqipërisë për dy pllaka mermeri të gjeneral pashait turko-osman. Në të vërtetë ai është irakian, djali i valiut të Bagdadit, Namik Pashës, por Turqia vazhdon të shohë ëndrra perandorake duke ndërruar e asimiluar sa të jetë e mundur historinë e popujve të tjerë.
Padyshim se është një punë e keqe që e kanë dëmtua sadopak monumentin e Hasan Rizait, por mos harroni se i kanë bërë monumentin më të madh në Shkodër dhe jo pa qëllim. E kjo i acaron disa njerëz kur bëjnë krahasime me heronjtë tanë kombëtarë të lënë në harrim. Paratë vërtetë i ka dhënë Turqia me thes. I ka dhënë se kërkon të na blejë historinë. Pra kjo nuk është një investim i saj krejt kot por i qëllimshëm. Me Hasan Riza Pashën edhe im atë ka bashkëpunuar gjatë rrethimit të Shkodrës si ndërlidhës me forcat shqiptare jashtë rrethimit (lexo Mikel Prenushi, Arkiva e Institutit të Historisë “Mbrojtja e Shkodrës 1912-1913”, Dosja A. IV, por edhe Preng Uli në librin “Hasan Riza Pasha – mbrojtësi i Shkodrës” Albin 1995, ku përmendet im atë Palok Traboini, në faqen 39). Ani pse gjeneral e vali turk, Hasan Riza Pasha ka vendin e tij në historinë e Shqipërisë, ka merita të padyshimta dhe meriton mirënjohje, por ai nuk mund të jetë shenja më e madhe e identitetit tonë si shqiptarë që të këtë monumentin më të madh në Shkodër. Monumenti i At Gjergj Fishtës është kurrgjë para tij në përmasa, aq më tepër kur ndodhën të dy në të njëjtin shesh.
Pse ky gjigantizëm?! Pastaj a ka monument për Teutën, për Baton, për Gentin në Shkodrën e mbretërve ilirë, apo 6 muaj rrethin e eklipsojnë tërë historinë tonë të mëparshme. A kanë ata që qëndruan 10 vjet përballë hordhive të Anadollit në 1468-1479 një të tillë monument. A kanë 300 djemtë shqiptarë të Drishtit të cilëve ua preu kokat një e nga një ushtria turke-osmane përpara mureve të Kalasë së Shkodrës? Jo asnjë shenjë për martirët e trojeve arbërore.
Një pllakë në kala si pjesë e historisë ka qenë e mjaftueshme për Hasan Riza Pashën. Por turkoshakët e Shkodrës (apo turkokallët siç i quante Lasgush Poradeci njerëzit me mendësi anadollake) e duan si një nishan krenarie e identiteti, e jo si një kujtesë e respekt historik.
Më i madh në historinë tonë është Lekë Dukagjini i Arbërisë apo Hasan Riza Pasha i Turqisë? Megjithëse kanë jetuar në epoka të ndryshme dhe çdo krahasim çalon. A ka ndonjë monument të Ded Gjo Lulit në Shkodër Loce? Jo nuk ka. Se nuk duan turkoshakët, se ai na paska vrarë vëllezërit ushtarë mysliman të ushtrisë të gjeneralit tjetër turk, Shefqet Turgut Pashë mizori, që edhe atij mbase duan ti ngrenë ndonjë monument madhështor. Sepse dihet që turkoshakët e këtij qyteti që kishin njëqind lidhje ekonomike deri dhe krushqi me pushtuesit, bashkëpunuan me ushtritë turke kundër malësorëve. Lexoni analet e historisë dhe ju shfaqet tablloja e turkoshakëve të Shkodrës, por jo vetëm të Shkodrës, se turkoshake kishte anë e mbanë Shqipërisë.
Jo shumë larg në kohë janë lëshuar në revansh, u ngritën si të tërbuar se nuk e donin Nënë Terezën në Baçallëk, guxuan të thonë se do ta rrëzojnë dhe autoritetet vendore u detyruan ta vendosin shtatoren diku tjetër. Turkoshakët e Shkodrës e fituan një betejë. Po edhe me shtatoren gjigande të gjeneralit turk e fituan betejën tjetër. Tani janë ngritur në revansh se duan dhe Kishën e Shën Shtjefnit në kala, të cilën e kanë kthyer me dhunë pushtuesit turko-osmanë në xhami për ushtarët e vet. Mesa duket këta turkoshakët e sotëm ndjehen pjesë e historisë vetëm pas rënies së Shkodrës nën sundimin e tmerrshëm turko-osman më 25 prill të vitit 1479 e më pas. Përpara kësaj data ata ndjehen sikur nuk kanë histori, ose kanë por, meqë u janë mbyllur sytë e mendjes nuk duan ta shohin. E kjo është për të vënë duart në kokë. Kësisoj kanë guximin jo vetëm ti ngrenë një monument madhështor një gjenerali të një shteti pushtues për pesëqind vjet, pra më të madhin monument të qytetit, por edhe dalin aty këtu me ca zëra të kamufluar në rrjeta sociale e kërkojnë as me pak e as më shumë por ta shpallin hero kombëtar të shqiptareve.
Hasan Riza Pasha pati dinjitetin t’u thoshte shkodranëve se nga nëna kishte gjak shqiptar, por ai megjithëse bëri një akt të madh historik qëndrese, nuk arriti të kryente premtimin për ngritjen e flamurit shqiptar në kështjellën e Rozafës dhe të luftonte nën hijen e në emër të tij, ndaj sado mirënjohje që kemi nuk mund të konsiderohet hero kombëtar i shqiptarëve.
Disa njerëz me mendje të çartur orientale mesjetare, Gjergj Kastriotin dhe tërë atdhetarët e mëdhenj të kombit shqiptar i konsiderojnë mercenarë të huaj, agjentë të perëndimit, kaçakë malesh, tinëzarë e të pabesë, diku-diku i cilësojnë madje edhe tradhtarë. Po këta vetë çfarë janë? Po kush dreqin i polli dhe i mbolli në trojet shqiptare a e dinë? Pastaj, fundi i fjalës, kur hordhitë turko-osmane morën rrugën e thyen qafën për në Anadoll, kur ndjehen më turq se turqit, pse nuk ikën edhe këta bashkë me të sëmurin e Bosforit, por qëndruan këtu në trojet shqiptare të Gjergj Kastriotit, me një mision shkatërrimi, për të zezën tonë.
Ata që qajnë e çirren me lot krokodili për një pllakë të hequr nga monumentit i Hasan Riza Pashës, ndërkohë që shfryjnë e mallkojnë heronjtë kombëtarë të shqiptarëve, fort mirë e dinë se janë humbës, sepse ky vend i ka qëndruar e i ka mbijetuar pushtimit pesëshekullor e jo më të mposhtet nga pjella e zezë e rasatit dum-babist.

Botuar së pari më 12 korrik 2016

02 September 2024

Dilema shkodrane për Hasan Rizanë - nga K. P. Traboini




Dilema shkodrane për Hasan Rizanë:
TURK, IRAKIAN APO OSMAN?

- Një varr monumental shkëmb-gjëmb provokues në qendër të Shkodrës 2500 vjeçare, me flamurin turk, me pretekst kinse për Hasan Riza Pashën, gjeneralin osman që edhe origjinën nuk e kishte turke por irakiane. Pra kemi një varr monumental ne mes te qytetit me të lashtë në Ballkan e ndër më të lashtet në Europë. Pyetja shtrohet a janë turqit e sotëm osmanët e djeshem të cilët bene krime te perbindeshme ne histori mbi Arberine, e që shkerdho-politika jonë perpiqet te na binde se nuk jane ata por janë të tjerë.
Atëherë, o mysterifët e demokacisë, çfarë do ky flamur turk në një përkujtim per nje gjeneral osman? Kush e financoi kete monument? Turqia. Atëherë qenka ilegal. O monumenti është ilegal ose Turqia nuk është gjë tjetër veç nje bisht i perandorise së përgjakshme osmane dhe mban të gjithë përgjegjesinë historike për shkatërrimin me themel të Arbërisë, të kulturës arbërore dhe krejt qytetrimit të saj. Atëherë të na falin bashkiaket qe shkojne e vijne si dele, ky monument na qenka si ato bankat offshore. Thjeshte nje provokim historik per tjetërsimin e kombit shqiptar.
Historia të shkruhet në libra me miq e armiq, por në sheshe të qyteteve tona duhen vihen monumente kombëtare.
Ky shkëmb-gjëmb provokues turko-osman që ështe po aq provokues dhe i dëmshem sa monumenti i Stalinit në diktature, duhet të shëmbet!
 
K .P. Traboini 






01 September 2024

Gabi i poezisë - nga K. P. Traboini

GABI I POEZISË

Nga K. P. Traboini

Platoni ka thënë se poezia është e folura përçart e perëndive, por e perendive ama e jo e budallenjve. Mirëpo këta të fundit e kanë mbushur tregun e poezisë plot e përplot sa e mjera poezi ka pësuar inflancion, sa tashmë zotëron mendimi vulgar se çdo kush që ka mësuar alfabetin mund të shkruaj vargje të pafund dhe mund të vetquhet poet. Madje mund ta vërë atë titull në kartvizitat e veta. Ca të tjerë e shesin veten si shkrimtarë duke e vënë në CV-në e vet të profesionit. Absurditete të tilla tashmë gjen kudo. Çdo grafoman me shkollim gjysmak mund të vetshpallet shkrimtar e poet. Po mos vallë vetëm këta e kanë fajin?!
Letërsia është bërë si lloj Gabi, a si pazari i Monastiraqit në Athinë, ku të gjithë bërtasin në kupë të qiellit të bindin blerësin për mallin e tyre. Mirëpo vlerën nuk e përcakton apriori kurrgjë tjetër përpos vetë malli.
E nëse na lejohet një paralelizëm, le të shtrojmë pyetjen, kush janë vallë këta tellallë letërsie që trumbetojnë mallra kallp në pazar të poezisë si të ishte në pazarin e gjasë. Do të thosha se në kohën tonë e gjithë e ashtquajtura kritikë apo e gjithë fjalomania mbi artin është veç një surrogato. Surogato në komunizëm, surogato në demokraci. Vitet shkojnë, sistemet u ndërruan e kurrgjë nuk ka ndryshuar. Mjerisht liria që duhej të stimulonte cilësi të reja ka sjellë veç kaos në fushë të letërsisë, sepse me çfarë shohim letërsia tashmë është një depo me mallra të mbetura stok. E këso dore nuk mund të flitet për hierarki letrare veç simbas mostrave që na i ka përcaktuar real-soci dhe funksionojnë edhe sot e kësaj dite.
Kryekreje shprehje e surogatizmit është mendimi kritik e më pas vjen vetë letërsia. Ata që shtiren si kritikë shiten vetë për 200 dollarë. Gjen kudo të quajturit kritikë që ja shesin shpirtin dollarit dhe vënë emrat e tyre në krye të recensioneve ku paraqiten vepra pa asnjë vlerë. Të vesh duart në kokë. Dhe këta soj kritikësh i kanë titujt prof. dr. a diç tjetër që të marramendin prej megallomanisë titullare. Këta kanë edhe kurajon të fantazojnë nëpër recensione për vlera që nuk i gjen kurrkund. Pasi ke lexuar recensionin e profesorit kritik në Tiranë apo Prishtinë, ndodhesh përpara vargjeve të thata, pa shpirt, ca fantazira të sëmura, të çoroditura, ku nuk arrin të kuptosh çfarë e ka shqetësuar autorin kur është ulur të shkruajë. Nuk gjen një mendim të mençur a ndonjë figure origjinale dhe as që bëhet fjalë për mendim filozofik.
Megjithatë nuk ka pse shihet si më e keqja tek botimet e shumta. Autorët le t’i botojnë, se fundja askush askujt nuk ia ndalon dot këtë të drejtë. Ca mendime që shprehen në favor të disa ndalimeve qoftë dhe formale janë absurditete. Fundja edhe letërsia si çdo fushë tjetër është konkurencë vlerash dhe këtë konkurencë ne duhet ta pranojmë e të luftojmë për ta përballuar. Por çështja nuk është tek konkurenca, por tek ajo që apriori nga lart përcaktohet se cili yll do të shkëlqejë. Si në politikë pra, ku i pari, ai në krye i vë gishtin se kush nga turma duhet të dalë të bëhet yll për të tjerët pa e vrarë mendjen shumë që ky i cili po del përdhunshëm çfarë vlere sjell e me se përfaqësohet.
Pra e keqja është tek promovimi i vlerave të dyshimta apo më përkeq antivlerave. Dëmin më të madh pra e shkaktojnë ata që për hir të interesave materiale e nga pozita e specialistit të artit si në shumë fusha të tjera ia shesin shoqërisë shqiptare sapunin për djathë.
Ka edhe poetë të konsideruar të mëdhenj në Shqipëri dhe Kosovë që e kanë bërë këtë punë zellshëm. Kaq elozhe thuren shpesh për ca pseudopoetë e poetesha (yllnaja, galaktida e konstelacione poetike), që në të vërtetë nuk kanë asnjë vlerë, sa kjo sjell atë pështjelli, që sot të kemi një keqkuptim të madh e një dilemë mbi atë se çfarë është poezia, në mos një luftë e përjetshme në mes artit dhe mediokritetit e ku në segmente të caktuara të historisë triumfon edhe antivlera, anipse brezat më pas i anashkalojnë dhe harrohen.
Një organizator kongresesh letraruce, duke përfituar nga një letër konfidenciale që i shkruan një miku i tij studiues nga Prishtina, e shet veten si një autoritet i padiskutueshëm i poezisë shqiptare me njohje të gjërë ndërkombëtare, kur ky as që njihet fare jo më ndërkombtarisht, por as në qytetin e vet provincial ku jeton nëpër lavdira fantazore deri në grotesk. Kemi arritur në një gjendje të tillë kaotike sa kurrkush nuk arrin të kuptojë çfarë është poezia e vertetë. Pikërisht ky është problemi më i madh se është bastarduar shija e lexuesve. Ndoshta qëllimshëm është krijuar një tymnajë ku përfitues janë mediokrit e vetdeklaruar si shkrimtarë. Dhe shumë herë ndodh që të mësuar me lakra poetike e bejtexhinj ordinerë që i takon kudo, sapo lexuesi takon një poezi të vërtetë të thotë... kjo nuk është në guston time. Si historia me verën. Të mësuar me verën e përzier me ujë që u jepte shitësi hileqar, një ditë kur ranë në verë të mirë, klientët të inatosur thanë se ç'na keni sjellë këtë uthull. Na sillni verën e mirë, atë që pimë përditë. Të ushqyer përditshëm me mashtrimin ata nuk arrinin të dallonin çfarë përbën vlerë në tregun e verërave. Sindromi i verës së përzier me ujë tashmë ka marrë legjitimitetin e vlerës.
Kjo ndodh në letërsi, por edhe në publicistikë e mund të themi edhe në jetën e përditshme ku ndjehet të ketë humbur elokuenca e fjalës së bukur. Lexuesi është në kontakt të përditshëm edhe me shkrimet e gazetave e periodikëve, ku mbizotëron një frazeologji shterpë, fjalor i varfër, i thatë sa të të vijë keq për gjuhën shqipe.
E megjithatë le të shkruajnë sepse nuk është i gjithë problemi tek të shkruarit. Letërsia fundja është një garë ku hyjnë të gjithë. Një garë e rreptë për përsosmërinë e fjalës, mënçurinë dhe ndjeshmërinë e saj. E si çdo luftë ajo ka fituesit e humbësit e saj. Por çështja është se disa po duan t’i fitojnë betejat pa luftë e në këtë korrupsion letrar rolin e kodoshit po e bëjnë të quajturit kritikë.
Në fjalë të fundit mund të themi se për këto beteja humbëse të letërsisë dikush përdhunshëm po kërkon t’ia verë fajin të shkruarit, faktit se tashmë shkruajnë të gjithë, se interneti po i pjell poetët si kërpudhat pas shiut. Nuk jemi të bindur se kjo përbën një argument për inflancionin letrar të kohës sonë. Jo krejt të paktën. Sepse është si të thuash se krejt fajin e pati Hekuba për rënien e Trojës, bash sak se pati guximin e marrë të lindi 19 fëmijë, ndër këta Hektorin, Paridin dhe Kasandrën, tek të cilët përziheshin virtyti me pasionin e fatalizmin. Disa nihilistë shkojnë sipas pandehmës se po të mos kish lindur Paridi, Helenën kurrkush nuk do të kish guximin ta rrëmbente e grekët nuk kishin një Casius Beli për luftë.
Mirëpo afërmëndsh është tepër vonë për të gjykuar kësisoj. Tanimë Troja është një gërmadhë. Historia është bërë e më nuk zhbëhet. Eshtë krejt e kotë dhe po aq e rrejshme të thuhet se për gjithçka fajin e ka Hekuba.
Dhe në letërsi po ashtu...

25 August 2024

Tollovia ndjellakeqe - nga K. P. Traboini


TOLLOVIA NDJELLAKEQE
 

Shkruar nga K. P. TRABOINI
 
Një tollovi ogurkeqe, një erë plot re të zeza, një stuhi fjalësh të vrazhdëta shpellore që dalin jashtë kontekstit të artit, letërsisë, kulturës e traditave shqiptare më shtyn të ulem e të shkruaj këtë reagim e thirrje për ti qëndruar larg tundimeve ndjellëse të atyre që në barqet e veta si kazana të pistë gatuajnë gjellën e shtrigave.. Nuk mund të jem i qetë, kur shoh se ajo luftë marroqe me mullijë e erës që është shpifshpallur nëpër faqe të tjera elektronike, a në shtyp në Prishtinë, po don shesh për mejdan edhe tek forumet mediatike në Internet.  
Mirëpo Zemra e mirë nuk i duron tollovitë e ndjellakëqeve. Zemra është vendi i mirësisë, burim jete e jo errësire, prej zemrës buron dashuri e jo urrejtje. Ndaj mbetem pa mend kur shoh këtë agresivitet të atyre që këto Media shqiptarësh, që duhej të ishin për dije e   kulturë, me pseudonime e komente lloj lloj,  duan ti kthejnë në fushbeteje për të larë hesape e për t’i nxjerrë sytë njëri-tjetrit. U marrofshin!
Ndonëse kam patur njoftime prej miqëve të mi se edhe emri im është lakuar mbarë e mbrapsht prej do xhagajdureve, që nuk dinë gjë tjetër të bëjnë veç luftë, grindje, çpifje krejt rrallë kam reaguar. Për më tepër nuk kam hyrë në atë qorrsokak ku të grishin injorantët  dhe fanatikët fetarë sepse e di që debatet e do shqiptarëve janë si të pallmat e gomarëve. 
Askurrë më pak e asqysh më shumë, kjo sepse ne nuk respektojmë rregullat e bashkbisedimit në debate e polemika. Sa herë nisim një diskutim serioz, dalin ca tipa-rripa, kryesisht anonim dhe bëjnë sulme personale. Nuk na i kursejnë me të shame as robtë e shtëpisë, çfarë ne, malësorë më origjinë, e kemi fort rëndë psikologjikisht. 
Nuk i shahet nana tjetrit, nuk bën kurrë ti shaj nanën e motrat shqiptari shqiptarit. Mirëpo ky atavizëm jeniçerësh anadollakë, në këtë kohë zhburrnimi me përmasa katastrofike si komb, po ndodh edhe në parlamentin shqiptar. Sikur të jemi ende në kohën e mesjetës kur beu i fushave fuste në shtrat tërë nuset e reja të fshatarëve, duke i zhburrëruar deri në shpërftyrim e brirëzuar sa as fëmijët nuk i kishin më të vetet të mjerët fshatarë të varfër , por të beut që ish bërë bej pasi kish shërbyer vite luftrash në ushtrinë osmane. 
Të mos po biem viktimë të dhunës e perversitetit të pinjollëve të jeniçerëve, të cilët, gjëja e parë që bënin pas pushtimit të trojeve të vendeve tjera ishte, të digjnin e shkretonin, të vrisnin burrat e të përdhunonin gratë për të tjetërsuar genet e atij populli? Ndryshe si mund të spjegohet ky shpërthim verbal dhune e perversiteti në tërë shkallëzimet e shoqerisë shqiptare, por deri dhe në Parlament. Me kësisoj incidentesh me ndyrësi fjalësh që lë pa gojë jo vetëm popullin tonë në dy shtetet, por edhe mbarë Europën, kjo ka të drejtë të na shohë ende me skeptiçizëm për kah civilizimi, se për nga ekonomia nuk dimë ku kemi kokën, s'ka rul e shul që e vë ekonominë tonë në shina sa të jenë Ali Babat e Al Kaponet në qeverisje të shqiptarëve.
Këta gojëpistë sikur mos me qenë shqiptarë, por pjellë e egersisë që u dynd nga Mongolia duke shkatrruar kulturën europiane të lindjes si dhe shkretuar Ballkanin. Se si shkojnë debatet ndër shqiptaret e di fort mirë edhe kurrizi im. Madje edhe prej ndonjërit që sot shfaqet predikues (ashtu qoftë) për paqe e miqësi, (mirë bën që predikon) dikur kanë qënë promotor të tinëzive e thikave pas shpine nga pozita fanatike fetare, kamufluar kinse pas ca partive levozhgë. Mbështjellur dhe pas një lloj kinse nacionalizmi por fetar (anipse fetë rallë i njohin kombet) që e kanë zanafillën tek Haxhi Qamili dhe Beqir Grebeneja me Bab Sulltanin në zemer se mendje nuk kishin.  
Ani. Fali zot. Kurrë nuk është vonë për t’u kthyer në udhën e mirësisë, por në qoftë pendimi i rremë, ai është më i rrezikshëm se sa mospendimi. Kam qënë viktimë e fjalëve e shpifjeve deri në atë shkallë sa për 4 vjet ka qëndruar në internet nekrologjia e sajuar për vdekjen time, kinse nga droga e marrëzira të tjera, katranosur nga një skuthe e një skuth interneti në Nju Jork, që i kam epitetuar publikisht si Gaforrja e Kuqe dhe Kapterri i Benxolit. Pasi i kam indentifikuar (shiten kinse si shkrimtarë që të dy këto shkarpa interneti), i kam shumëzuar me zero, sepse janë njerëz të cilët as nuk ja vlen ti llogaritësh se rrojnë në këtë botë, sikurse nuk e vrasim mendjen për krimbat e dheut e brumbujt e llomit të bajgave.
Të tillë ka plot. Të shumtit janë me pseudonime. Janë nofka, skutha, braca, kulima. Nuk kanë karakter, nuk janë njerëz që dalin hapur. Se po të dalin hapur me emrat që kanë të paktën je më i qetë sepse ke përpara një njeri që e di se ekziston. Ata më së shumti përpiqen ta kruajnë qerosen e vet me duart e të tjerëve.
Keq të vjen që disa kosovarë, me t’u çliruar Kosova nga pushtimi serb prej aleateve tanë Amerikanë (pa mohuar luftën e djemve trima të UÇK-së), nxorrën pallat e vjetra anadollake e filluan të luftojnë njeri-tjetrin me egërsi bishe. U bënë trima ca Lavderima, sa shkuan deri në Siri për të prerë koka me shpatë. Allaraxolla! Për pira u qoftë e për koka të veta që i lanë si mercenarë të së keqes dhe errësirës. Por veç “trima” me vra e prè njeri-tjetrin e me ja ba zemrën mal armikut, është si me ba vetvrasje si popull e si komb. Mirë e kish Konica, shqiptari armikun më të madh ka veten. Boll u kam bërë thirrje palëve t’i përfundojnë këto beteja sharlatane, por nuk ka qënë e mundur që të arsyetojnë e ftohin gjakrat.
Të dy palët duke përfshirë profesorë dhe nënpunës biblotekash, shkrimtarë e publiçistë kosovarë, sulmojnë njeri-tjetrin madje edhe në gazeta si ajo "Express", në Prishtinë, me të njëjtën akuzë të rendë, agjentë të UDB-s. Tash del edhe ish kryeministri Ramush Haradinaj si kofini pas të vjeli dhe na thotë "mrekulline" groteske se paska zbuluar që Albin Kurti ka qenë agjent i Serbisë. I kisha thanë Ramush Hajradinajt, e ke mbush plot kovën me tamël e tash mos e derdh. Ke ditë me ba luftën e nuk po di hiq me ba politikën.  Je krejt amator në politikë, ndaj nuk kupton gja prej gjaje nga politika që ban Albin Kurti, i cili nuk don t'i leje marre vedit siç bane ti kur i dhe Çakorret shtetit fqinj si të ishin arat e tua e jo të popullit. 
Por akuzat që sjellin e mbështjellin janë të vaketa e jo bindëse, veç fjalë e pa asnjë dokument arkival. Tani këtu ka një konfuzion në akuzat ndërmjetëse, ku të gjithë akuzojnë të gjithë. O kanë qënë të dy palët agjentë të UDB-së, o s'ka qënë asnjëra veç bëjnë bla-bla pa bereqet për interesa politike. Veç këta njerëz akuzues duhet të mos spekullojnë me ca mikrofakte, se gjithësecili duhet të gjykohet nga rrethanat dhe pasojat që ka sjellë veprimi i tij. Ndokush mund të jetë kompromentuar, tu jetë nënshtruar presioneve të dhunëshme psikologjike dhe fizike burgjeve, por mund të mos ketë bërë kurrfarë krimi ndaj bashkqytetarëve të vet. Kosova ka qënë nën pushtim dhe pushtimet nën shtete shovene si Serbia, dihet se sa të rënda janë. Sa të frikëshme aq shtypse për personalitetin njerëzor. Ndaj nuk i shoh serioze akuzat e bëra publike, por vetëm si qëllim për të poshtëruar njeri-tjetrin dhe për të fituar diçka politikisht nën moton shpif, shpif, se diçka do të mbetet.
Për t'ju shmangur konflikteve që mund të lindin prej kësaj folnaje gjigande mos ua vini veshin provokimeve, mos i dëgjoni e mos i lexoni, madje as ata që ju thurin lavde sot e nesër të thonë ke qenë spiun, a ke vjedhur veze në qymezin e komshiut kur kë qenë dhjetë vjeç. Kështu mu sul një këngëtar pordhshitës që miklohet politikisht, i cili më parë më kishte bërë lëvdata të mëdha "O poeti i fjordeve" se isha në Boston e ai në New York  aso kohe, kur krejt e papritur u shfaq si gjeluc maj plehut duke vjell vrer e duke nxjerr zorrët e veta, por nuk ja vura veshin. Shumëzimi me zero është një medikament social i dobishëm, a thënë ndryshe një deodorant për heqjen e erës së keqe që prodhojnë kësisoj memurresh.
Duke kaluar një jetë plot trazime, por jo pak edhe më konflikte, kam  mendimin se shpesh tollovia ndjellakeqe është ogurzeza dhe kërkon të terheq në vorbullën e vet të shpirtligësisë e konflikteve q
ë mund të përshkalzohen deri në hakmarrje primitive! Aq më tepër mos u armiqësoni me njeri për hir të një tjetri se kjo botë është më tepër se sa duhet tinzare.  Mjerisht prapësite i bëjnë të liqtë, por e pësojnë të mirët. Shume djemte të rinj kanë humbur jetën e shumë plagë janë hapur prej ngatrresave që krijojnë njerëz të papërgjegjeshëm. 
 Një mësim urtësie ka dalë prej historisë se maleve tona, trimëria pa mençurinë nuk vlen kurrnji grosh. Ndaj pastrojeni haurin, fshini të gjitha debatet-helmet e ogurzinjëve gjëmësjellës e mos lini në faqet tuaja mediatike  asnjë plesht ngatrrestar. Zbojini, i bllokoni duke shfrytëzuar mundësit teknike që ju jep elektronika e si gjyqe behari le të shkojnë t’i bëjnë vezët në ndonjë fole tjetër por jo tek ju. Kohët janë fort të pista, por veç edhe në llom bagtish ta futësh margaritarin ai prap në rreze të diellit vezullon. Koha grryen shkëmbin por jo karakterin e njeriut fisnik dhe të kulturuar.
Fola se nuk mund të rrija pa folë, fola se tash kudo nëpër Media po zien kuvendimi si në kazan shtrigash, me rend e pa rend, fola sepse po të mos flisja sot do të më randonte ndërgjegja nesër, por fola bash tash, kur punët ende nuk janë çatrafilue e kam shpresë në arsyen e shëndoshë se punët do të vinë për kah e mbara, për nga mbrothësia siç thoshte zemërzjarrti Naimi Frashëri.
Fola me mendimin t’i dal të keqes përpara sepse, trimëria pas lufte e mençuria pas kuvendit nuk vlejnë, hamadreq, kurrnji grosh. Do ta mbyll me fjalët lapidar të Gjergj Fishtës:
 
Por i urti kurrë nuk ngutet
Prej trimnisë e jo prej tutet!
 
🔻--> BESA BESË NUK JANË SHQIPTARË!



Ikën për të mbetur në këngë - nga K.P. Traboini


IKËN PËR TË MBETUR NË KËNGË

Nga K. P.  TRABOINI

Atë dite shkurti isha ne Shkoder tek Nena ime e cila si gjithnje kur shfaqem perpara saj nuk mungon te me thoje se çfare ka ngjare ne mungesen time nder kushurinj, fis e te njohur ne Shkoder dhe ne Hot. Nder njoftimet e para qe me beri ishte "Ka deke Bardha e Zefit!". E ndjeva se tek fjalet e saj kishte dhimbje te thelle. Pastaj shtoi "Nuk ka pas gru ma te mire, se Bardha, nusja ma e mire e Hotit."
Ish fjala per Fatbardhen gruan e kompozitorit Zef Lekaj qe kishte ndrrue jete ne janar ne qytetin e Shkodres.
E pamundur te shkonte ne varrim se tashme nena ime qe shkon ne te 88 ka zene shtratin, dikush nga familja e motres se saj, tezes sime, e cila eshte martuar me vellain e Zefit, Luigj Lekaj, i kishin sjelle fotografine e Fatbardhes.
Me duar qe i dridheshin prej moshes nxorri nga nje zarf fotografine qe e ruante me kujdes e ma dha. Si e shikova gjate, nen imazhin e kujtimeve te largeta te kohes, e fotografova me aparatin celular per ta sjelle ketu ne kete faqe nen mendimin e tundimin se, per shume shkruhet e thuhet, por qe te ik nga kjo jete nje grua e jashtzakonshme si ajo e te mos kete ndonje lajm ndokund, te vjen vertete e hidhur. E pra dikur, kenga e kompozitorit Zef Lekaj, kushtuar asaj, madje me emrin e saj Fatbardha, kendohej thuaj çdo dite ne Radio. Ishte nje kenge lirike e ngrohte qe pelqehej nga te gjithe, qe nga njeriu me i thjeshte tek ai me i kulturuari i kohes. Veçansi e kengeve te Zef Lekes ishte karakteri i theksuar shqiptar, qe nga fryma, idete, bota emocionale, mbeshtetur ne traditen e kenges popullore, plot drite e gezim, cfare i bente ato te paperseritshme ne llojin e vet. Sa here qe e degjonim ne ate kohe femijerie thonim, sa e lumtur do te jete kjo Bardha, nusja e bukur e Zef Lekes. Gjithe Shqiperia e degjon dhe e kendon kengen me emrin e saj.
Ajo vertete ishte e lumtur se kish gjetur njeriun e mrekullushem qe ja mbushi jeten me tinguj lirike te gezuar.
Por ah, koha pa kohe do ishte e pameshirshme per Zefin dhe Fatbardhen. Koha e diktatures u tregua si shtrige.U dha te kafshonin nje molle me helm. Se shtriga kohe e kuqeluar prej gjakut nuk e donte te bukuren. Nuk e donte liriken e shpirtit. Ma sakte e urrente cdo gje qe krijonte shpirti i bute e i ndjeshem. Ish koha kur kendohej per beton e hekur,per skela, per shqiponja te çelikta, per gra me kaminoshe e duar te medha. Por Zefi e Bardha kishin nje shpirt te bute e te brishte si te parat lule te pranveres. Ndaj ua mbyllen çdo shteg jete.
E megjithe ata i rrezistuan stuhise dhe egersise se nje rregjimi shnjerzor. Zefin e privuan nga liria, por vetem dashurin nuk ja cenuan dot. E mbante ne gjoks, ajo i jepte shprese. Kur Zefi doli nga burgu e gjeti Bardhen aty ne shtepi qe e priste bashke me femijet, madje edhe niper qe kishin lindur ne mungese te gjyshit, per ta vazhduar se bashku jeten qe ua kishin ndare mizorisht.
Zefi ndrroi jete ne vitin 1999, tashme edhe Bardha shkoi pas tij. Por nga kjo dashuri e madhe shumecka ka mbetur. Nuk e kam fjalen per femijet Leoni, Sokoli, Edmondi, Diana e niper e mbesa, qe fale zotit ju bene te mire e njerez te nderuar e respektuar, por te asaj qe quhet dashuri e jetersuar ne art.
Kompozitori Zef Lekaj ani pse ishte nje krijues me vepra kompozicionale te shumta, ai mbahet mend nga gjithe populli shqiptar brenda e jashte kufinjeve per kengen "Qingji i vogel", por mua çuditerisht qe ne femijeri me eshte ngulitur ne mendja nje tjeter kenge, ajo qe hapte programin me muzike te kerkuar ne Radio Tirana thuajse çdo dite, me nje tekst qe me kujtohet e vagullt e ku dilte si nje zane e perkore emri dhe imazhi i Fatbardhes

"...Pret gurra pret dardha
N'at hije t'kundrojn'
Sa t'nisin e Bardha
t'na flasin me gojë."


Ne ditet e janarit te ftohte 2011 e mira Fatbardha Lekaj iku nga kjo bote, per tu bashkuar ne Amshim me bashkeshortin e saj kompozitorin Zef Lekaj. Iku per te mbetur ne kenge, nen dashurine e mirenjohjen e gjithkujt.
Sepse, sic me tha plot dhimbje nena ime,...ajo ishte nusja me e mire e Hotit, por jo vetem e Hotit...

Nga libri i te birit Leon Lekaj, "Një artist nën pentagrame të kryqëzuara" ju percjellim nje fragment ku Fatbardha sjell kujtimet e saj per bashkeshortin Zef Lekaj.

“…Në një dramë, ku edhe unë kisha një rol të vogël, u njohëm nga afër. Kuptova se brenda shpirtit të tij diçka mbante të ndrydhur. Shqetësimet i mbante për vete pa i kaluar te të tjerët dhe kjo ishte një pjesë e karakterit të Zefit. Ishte fjalë pak dhe shumë i rezervuar. Ndoshta ndonjëherë edhe donte të shpërthente për të lehtësuar sadopak shpirtin e brengosur, por duket se i mungonte kuraja. Ai kishte forcë ta frenonte veten, pasionet dhe dëshirat. Qe i ndershëm, i drejtë, dhe i sigurt për çdo hap në jetë. Kjo njohje prej gati një viti u bë shkak që dalëngadalë të lindë ajo ndjenjë, që nuk erdhi vrullshëm, por krejt natyrshëm.
Ne u dashuruam.
Zefi gjithmonë ishte i frikësuar e i pasigurt për të ardhmen, për kushtet e vështira të jetës. Më vonë, para se të kryente shërbimin ushtarak, mori kurajën dhe u rrëfye plotësisht. Asgjë nuk ndryshoi me sinqeritetin e tij. Unë isha e vendosur dhe kjo bëri të isha bashkudhëtare në jetën e tij, në ditë të mira e në të këqija. Tek e fundja ai meritonte gjithçka. Në gusht 1952 celebruam martesën…”

© Traboini 2011

Vidio "Qingji vogël" Traboini Studio You Tube në:
http://www.youtube.com/watch?v=ZrccF3kJKJo

https://blogger.googleusercontent.com/img/b/R29vZ2xl/AVvXsEhRm7t4xkEpil_4ZPo7cvj1rP25hRQ66VT-p-WXRAnYqgCF9TW73KKa6NA_aFAKfVkfNcyc74Zl9C65TfZpgpULDwPkoA5QBqITQfz737Ts3dDiZOpjlYR5u0YwLcLoQq7r5Jn4aAg2Rio1/s1600/ornament+gree.png

18 August 2024

Të papërgjegjshmit - nga Ismet Toto



LUFTËTARI I MADH I DIJES DHE I PËRPARIMIT KOMBËTAR, ISMET TOTO
(Heshtje e turpshme ndaj kujtimit të tij)

ISMET TOTO (1908-1937), i lauruar nga Universiteti Sapienca Itali, u ekzekutua nga mbreti sharlatan e karagjoz i përparimit Ahmet Zogolli me varje në litar në burgun e Gjirokastrës ende pa mbushur moshën 29 vjeçare, më 12 korrik 1937.
Në gjyqin zogist nuk u vërtetua asgjë nga veprimtaria kryengritëse e tij. I vëllai Ethem Toto, që udhëhoqi kryengritjen e Delvinës që ishte ministër i Brendshëm, vrau veten ose e vranë zogistët. 
Ismet Toto ishte gazetar, një nga intelektualët e rinj më me influencë në rininë shqiptare. Kishte shkruar plot shkrime me frymë përparimtare, kish botuar librin biografik për Mustafa Qemalin, kish përkthyer Platonin dhe një libër i mbetur në dorëshkrim, por i zhdukur nga vandalët e pushteteve. Ismet Toto shkruante se Shqipëria kishte dy alternativa: me neoshqiptarizëm, kulturë e dije përëndimore të bëhet Zvicër ose me mentalitet orjental të kthehet në Afganistan. A nuk vazhdojmë të jemi me këtë dilemë edhe sot pas afro 100 vjetësh?
E çuditshme është se ndaj komunisteve Zogu u suall butë ndërsa intelektualin e shquar I. Toto e ekzekutoi në litar. Urrejtja ndaj dijeve e dritës ishte e lemeritshme.
Ismet Totos, frymës së tij për një Shqipëri të mendjeve të ndritura e jo anadollake, Zogolli ja kishte frikën më tepër se komunistëve që më pas do ti bënin gjëmën e gjakut Shqipërisë. Pa mbushur ende 29 vjet të jetës, pamëshirë e vuri në litar në burgun e Gjirokastrës. Në letrën e lënë para ekzekutimit Ismet Toto shkroi:
"Bota është e atyre që digjen e jo atyre që ngrohen".
Një mendje e ndritur si Ismet Toto meriton një monument si luftëtar i madh i dijes dhe përparimit të Kombit, po kush t'ia bëjë, zvarranikët historikë që i ngrejnë monument vrasësve?
Rrëzuam Enver Hoxhën, ndërsa të tjerë që ja kishin me hile demokracisë ngritën Ahmet Zogun. Nga 4 vëllezrit Toto, 2 vrau palo Mbreti dhe dy të tjerë Enver Satani. 
Dy monstra në historinë e Shqipërisë, e mjerisht ka ende turkokallë e trushkalë që frymëzohen prej këtyre dy kriminelëve.
Jemi nisur diku, por nuk e dimë ku vemi.

Kolec P. Traboini
 
🔻◾◾◾◾◾◾◾◾◾◾🔻

TË PAPËRGJEGJSHMIT
Nga ISMET TOTO

Njerëzit që përbëjnë një shoqëri njerëzore, një popull dhe mbasandaj një shtet, ndahen në shumë klasa e kategorira. Një nga këto ndarje është dhe kjo: Njerëz që ndiejnë përgjegjësira dhe njerëz që nuk ndiejnë përgjegjësira.
Të parët kanë një kuptim të thellë të historisë, kanë një shqetësim për të ardhmen dhe veprojnë tërë jetën e tyre si misionerë të ndritur për respekt të vlerave të ndryshme që u janë lënë trashëgim nga të parët dhe për të krijuar kondita më të bukura, më fisnike dhe më të shëndetshme për brezat që vijnë. Këta e kuptojnë jetën si një vazhdimësi të pambaruar dhe jetën e tyre personale si një nyjë të ndërgjegjshme në këtë zinxhir të gjatë. Veprojnë paprerësisht duke pasur paprerësisht në mëndje të shkuarën dhe të ardhmen në një përfitim tërësor. Shpesh herë ndjenja e përgjegjësisë së njeriut historik arrin lartësirat e frikshme të heroizmës, faza më e shenjtë dhe më shkëlqyer, që dallon qënien njerëzore nga qënie të tjera.
Në kundërshtim të madh me këtë lloj njeriu vjen ai që s'ndien përgjegjësira. Ai rron një jetë të thjeshtë biologjike, si çdo qënie. Si çdo qënie tjetër e gjallë, ai kujdeset vetëm e vetëm për "krodhën e bukës", për "strehën”, për "veshjen” të shumtën për shëndet abondant. Jashtë këtyre gjërave nuk i intereson gjë, përveç disa dëfrimeve, të cilat i kërkon çdo gjë e gjallë, sipas natyrës së saj. Ky lloj njeriu rron në shoqëri, i adaptohet çdo situate që krijojnë të tjerët, paguan, mundohet të përfitojë me mënyra të ndryshme dhe mjaft. Nuk nxier zë, nuk interesohet çdo të ngjasë nesër dhe as e kupton rrezikun, ngjersa i ka dalë aktualisht përpara syve të tij. E kupton jetën personale, të shumtën, brënda katër mureve të familjes së tij. Shoqëria jashtë shtëpisë ekziston vetëm për t'ia bërë të mundur që ai të punojë dhe të fitojë ç'i duhet.
Gjithë kjo është fare natyrale për shumicën dërrmonjëse të turmës së pa zhvilluar dhe primitive. Foshnjëria e mendjes së saj, instiktet shtazarake të pa punuara fare, ngushtësia tmerronjëse e pikëpamjeve të saj egoiste, janë mjaft që ta justifikojmë tërë këtë papërgjegjësi që tregon kundrejt jetës shoqërore.
Po kur hedhim një vështërim në mes të klasës së zhvilluar të shoqërisë sonë, në mes të atyre njerëzve, që kanë mbaruar nga një shkollë, që dinë të jetojnë, që dinë se çështë shoqëria dhe qytetërimi dhe kur shohim se 90% e kësaj klase është e përbërë nga njerëz fare të papërgjegjshëm, nuk mund të mos tmerrohet njeriu.
Avokatë, mjekë, inxhinierë etj., kemi plot të tillë që jashtë punëve të zyrës së tyre as duan të dinë se ç'bëhet, ose që dhe tregojnë një farë interesimi nëpër bisedat e kafeneve, e bëjnë vetëm për të mbuluar skandalozitetin e sjelljes së tyre, ose për të kritikuar ndonjë tjetër që vepron!!!
Kur u plak Shqipëria kaq shpejt? Kur u fyshkën ndjenjat e atdhedashurisë? A kaq shpejt u tha dhe u zhduk dhe pika e fundit e gjakut të dëshmorëve tanë? Apo u bë kaq e fortë Shqipëria, sa mund të mos kujdesemi më për të? 
Turp dhe turp i madh t'u vijë të papërgjegjshmëve intelektualë!!!
Dikush do të paguajë një ditë dhe kurrkush më fort se të papërgjegjshmit, që fryhen e majmen në këto çaste me rëndësi të jetës sonë kombëtare!

"Illyria", 15 korrik 1934

10 August 2024

Nisiativa e Deçanit dhe fanatikët fetarë - nga Kol Shkodrani






FANATIKËVE FETARË NUK JU KONVENON NISIATIVA E DEÇANIT PËR KTHIM NË ORIGJINË

Nga KOL SHKODRANI

Hall i madh e paska gjetë një ish deputet demokrat e mysliman i Shkodrës....se kush po ndërron fe në Kosovë, e kush po dëshiron të kthehet aty ku ka kenë.
Nuk është puna jote as e Partisë tende se kujt i falet qytetari dhe si po e kthen timonin. Ne kemi Hero Kombëtar Gjergj Kastriotin dhe jo Sulltan Muratin, Mehmetin a Sulejmanin që ua çuan në shpatë kokat shqiptarëve dhe i ktheu në islam, që ishte ideologjia sunduese e kalifatit osman.
Se po kthehen ku kanë qenë do shqiptar në Deçan e nëpër Kosovë, pse po të ha meraku ty? A ndjehesh shqiptar a jo. Ky është thelbi.
Por ti ke një hall tjetër. Duket halli juaj një orë larg. Po ju as Kishën e Kalasë të rrënuar që Turqit e kthyen në xhami në Shkodër nuk po e ktheni, por e mbani peng germadhë sepse keni nostalgji osmano islamike. Neo osmanët si ata barbarët e vjetër që u përngjasin, gjanë e vjedhun nuk e japin. As bijt e tyre mbetur si atavizëm historik në trojet shqiptare gjanë e vjedhun nuk e lëshojnë. Disa,o qe besa i ka tredh sulltani e gja në botë që ua kthen burrninë e traditës nuk ka. Të shartuarit e trupit dhe tredhja e mendjes vështirë është ti kthehen origjinës. Ndoshta edhe pse e kanë të përziem gjakun me anadollakët.
Kthimi në origjinë, në indentitet, në traditë kombëtare tregon pjekuri të ndergjegjes se shqiptarëve të Deçanit e jo qysh po përpëliteni ti shpjegoni.
Dhe krejt kot e pa dobi pizmoseni për nisiativën e Deçanasve për kthim në origjinë, në krenari, në traditë e në çdo gjë që na la trashigim hyjnori Gjergj Kastrioti.
Mjer mëndja që flë, lum shpirti i Arbërit që zgjohet!

06 August 2024

A është ilegal në Shqipëri arvanitasi më i madh i shekullit XX, Aristidh Kola?- nga Albert Z. Zholi




A ËSHTË ENDE ILEGAL NË SHQIPËRI ARVANITASI MË I MADH I SHEKULLIT TË XX-të ARISTIDH KOLIA?


 
Nga Albert Z. Zholi

Me nisiativën e grupimit “Miqtë e Aristidh Kolias” e nën indiferencën totale të shtypit, medias vizive dhe institucioneve kulturore e studimore, u përkujtua 80-vjetori i lindjes së Rilindasit të kohëve moderrne Aristidh Kolia. Çfarë të kujton një përkujtim ilegal me një heshtje enigmatike krejt i ngjashëm si 12 vjet më parë. Vërtetë shtrohet pyetja a është ilegal në Shqiperi arvanitasi më i madh i shekullit të XX?

Me rastin e 80-vjetorit të lindjes së studiuesit dhe veprimtarit të shquar arvanitas Aristidh P. Kolia, miqtë e admiruesit e veprës së tij, organizuan një mbledhje përkujtimore në Akademinë e Shkencave, në Tiranë. Kishin ardhur jo vetëm ata që e kanë njohur nga afër këtë figurë që tashmë në sytë e shqiptarëve ka marrë përmasat e një heroi, por edhe lexues të shumtë të veprës së tij. Shumica e të pranishmëve ishin nga Tirana por kishin ardhur edhe nga qyteti i Shkodrës i njohur për traditat art e kulturëdashëse. Fjalën kryesore e mbajti gazetari dhe kineasti Kolec Traboini, i cili e ka njohur Aristidh Kolian nga afër në kohën kur nxirrte gazetën shqipe “Egnatia” në Athinë dhe ka botuar librin “E vërteta përvëluese e Aristidh Kolias”. Titulli referimit ishte "Aristidh Kolia - Rrënjët tona janë në Arbëri!" në të cilën krahas vlerësimit të figurës së arvanitasit të madh u theksua se ka një ftohje institucionale në lidhjet me arvanitasit e Greqisë dhe arbëreshët e Italisë. Edhe ato pak lidhje që ishin vendosur në periudhën e vështirë të vetizolimit të Shqipërisë nën diktaturë, thuajse janë këputur. Nuk gjen asnjë veprimtari arvanite arbërore në Shqipëri ndërkohë që instucionet shpenzojnë edhe për koncerte mediokre pa asnjë vlerë, apo veprimtari të pafrytëshme. Traboini theksoi se shqetësimi i arvanitëve e arbëreshëve për këtë ftohje institucionale të Shqipërisë ndaj tyre, tregon se Shqipëria anipse tashmë ndodhet në rrethanat e mundësive të mëdha, të hapjes, lirisë së lëvizjes dhe këmbimeve kulturore, e ka humbur shansin historik për të qënë qëndra e arbërorëve të gjithë botës ndaj sytë e shpresen i kanë hedhur nga Kosova sepse ajo ka më shumë ndjesi në këtë sens. Edhe ky organizim, nën indiferencen totale të Akademisë dhe Institutit të studimeve Albanologjike,që edhe pse të ftuar nuk erdhën, por edhe mediave në këtë 80 vjetor të lindjes së studiuesit e veprimtarit Aristidh Kolias, tregon shumçka.



Të pranishmit e pritën me duartrokitje përshëndetjen e posaçme për këtë rast të veprimtarit dhe studiuesit arbëresh, një nga miqtë më të afërt të Aristidh Kolias, veçmas fjalët e tij se Aristidh Kolia është heroi arbëror i pavdekshëm që kurrë nuk do të harrohet nga arbanitët, arbëreshët e shqiptarët kudo që do të ndodhen. Po kështu u lexua edhe përshendetja që kishte dërguar për këtë rast përkujtimor Bajram Osmani nga Gjermania.

Nga Athina kishte ardhur Angjelina Xhara, ish skenariste filmi dokumetar dhe spikere TV, e cila në fjalën e saj solli kujtimet e disa takimeve me Aristidh Kolian. E kishte pare Aristidhin edhe në një Panair libri në Athinë dhe kishte vënë re se sa shumë shiteshin veprat e Aristidh Kolias, veçmas libri i shumë kërkuar “Arvanitët”, që ishte bërë si ungjill në shtëpitë e arvanitasve. Aristidhi gjëndej në çdo veprimtari të emigrantëve, në një koncert të madh të shqiptarëve në mes të Athinës, ai ish ndodhur në mes tyre duke dhënë ndihmesën e tij.

Enver Kushi, punonjës i Muzeut Historik Kombëtar, i solli mbresat e tij në titullimin “Faleminderit Aristidh Kolia”. Ai theksoi se Aristidh Kolia kishte një vision të ndritur në marrdhëniet në mes të popujve, ai dilte mbi meritë e ndasitë të mbetura si atavizma historike e dilte me konkluzionin se popujt duhet të gjejnë tek njëri tjetrin vëllain e jo ti futin thikën. Ai solli edhe një kujtim mbi vlerësimin që i bënte Aristidh Kolia si studiues valles së çamëve që e quante simbolin më të mrekullueshëm të trimërisë, harmonizuar kjo me virtuozitetin në ekzekutim, sa ta do mendja se aq mrekullueshëm nuk gjëndet e shprehet në asnjë valle tjetër në botë.

Gazetari Albert Zholi që e ka njohur Aristidh Kolian në vitin 1993 solli në kujtimet e veta ato mardhëniet të ngrohta që kishte Aristidh Kolia me shkrimtarët dhe artistët. Në vitin 1997 kishin bashkpunuar për të sjellur për vizitë në Athinë Dritero Agollin e krijues të tjerë nga Shqipëria. Atë kohë u organizua dhe një takim me shkrimtarët grekë të cilët mbetën të habitur nga prezantimi dinjitoz i shkrimtarit shqiptar, sepse kishin përshtypjen se në Shqipëri nuk kishte shkrimtar tjetër potencial veç Kadaresë. të gjitha ata e ftuan Agollin në shtëpitë e tyre por poeti shqiptar preferoi ftesen e Aristidh Kolias sepse atje do ta ndjente veten si në shtëpinë e tij. Dhe kështu u bë. Një mbrëmjë e paharruar me kuvendime në gjuhën arbërore. Gjithashtu Zholi tregoi se si e kishte ndihmuar Aristidh Kolia për botimin e librit të tij “Ikja e madhe” në shtëpinë e tij botuese “Thamiris”. I kishte vënë këtë emër nga fjala e gjuhës shqipe tha mirë. Arberishtën e kishte në zemër dhe e shfaqte dashurinë e tij për gjuhën arvanite-shqipe jo vetëm në studimet por edhe aspektet e tjera të jetës. Po ashtu edhe ne krijimin e shoqatës “Vëllazërimi” u ndje ndihma e pazëvendësueshme e Aristidh Kolias që ju gjënd emigrantëve shqiptarë jo vetëm me shkrime në revistën “Arvanon” , e ne media por edhe dha ndihma konkrete.

Zaçe Islami i cili ka qënë bashkë me Aristidh Kolian studio e emisione të drejt për drejta televizive solli kujtimet e tij se si e përballonte me dinjitet arvanitasi i madh insinuatat që bëheshin në drejtim të tij, sepse ai njihej si ndër të paktët në Greqi që mbronte popullin shqiptar të Kosovës në luftën e tij të drejtë për liri. Zaçe Islami vuri në dukje gjithashtu se është e pa konceptueshme indiferenca e mediave por edhe institucioneve kulturorë për këtë përkujtimorë për një njeri të madh si Aristidh Kolia. Adrian Xhafaj tregoi për punën që bëhet me median internetike për popullarizimin e veprës së Aristidh Kolias dhe arvanitëve të tjerë të shquar si Vangjel Liapi, si dhe pengesat sepse bëhet një luftë e egër për ti topitur arvanitasit, për të krijuar një hendek në mes të tyre e shqiptareve, madje duke propoganduar marrëzira sikur arvanitët, gjuha e kultura e tyre nuk kanë asnjë lidhje me shqiptarët. E kemi thënë e do ta themi se asnjë indiferencë ndaj Aristidh Kolias dhe arvanitasve të tjerë nuk është e justifikuar, njerëz si ai nuk kanë vdekje, ai ka hyrë në historinë e shqiptarisë. Pa një ndihmë serioze e angazhim të shtetit shqiptar nuk mund të ketë zgjidhje të çeshtjes arvanite.

E mbyllim përkujtimoren e miqëve e admiruesve të veprës së Aristidh Kolia me këtë pikëpyetje të madhe anipse e dimë se nuk do të marrim asnjë pergjigje nga dishepujt e Greqisë,- tha në mbyllje të këtij përkujtimi, Traboini, sepse- theksoi ai-, kështu e kanë direktiven nga Athina, që ashtu siç u shua jeta e tij të shuhet në heshtje edhe vepra e Aristidh Kolias, por megjithë përpjekjet e tyre marroqe për të mbuluar të vërtetat përvëluese të ndalimit e mohimit popullit arvanit dhe çam, kjo kurrë nuk do të ndodh. Pas nesh do ta marrin këtë stafetë të tjerët e vepra e arvanitasit të madh do të ndriçojë përgjithmonë.