20 November 2025

Ahmed Zogu - Ora e Shqipnise, Vjenë 1928 - nga Dom Lazër Shantoja

 
ORA NDER VALLE
Lahuta e Ipsilonit.
Nga Dom LAZËR SHANTOJA

 
AHMED ZOGU
___________
 
N'at Belgrad n'Jugoslavi
Kishin ndollun tre zotëni,
Dy kopukë, nji faqezi,
Dy pak pleq, nji krejt i ri:
Ahmed Zogu, beg nga Mati,
Halit Rroj, Musa surrati.
 
Ahmed Zogu qi n'kohë t'Mbretit
Kish luftuë kundra alfabetit
Per me i qitun nji namë vedit.
E q'at hera pat xanë filli
T'shndrisë nder ne sikur shndritë dielli.
Por sa kje Ahmedi i ri
Kishte mësuemun ne Tyrki
Me bozë n'zgrrof, me mëni ne gji
Per shqiptar e per Shqipni.
Si kje rritun nder sulltana
Kethej ne Mat tu baba e nana
Nder kubure e nder tagana,
Nder mauzerre e nder pistole
Nder sherbtore t'reja e rrole.
T'ishte lypun nuk ish gjetun,
Mos t'kish folë nuk ishte pvetun.
Ky jo vetem t'tanë bajrakut,
T'tanë Shqipnisë i pat ardhë hakut,
E kudo qi u lyp trathtia
Aty i dajti edhe mjeshtria.
Por si flamurin kah Vlora
E pat ngrefë e Ismajlit dora
La Zogolli bjeshkët jetike,
E ra n'fushen politike
Me i qitë nderë Arbnisë kreshnike.
E na doli ky zog djalit
N'dorë me flamur t'idealit.
Prore Zogu çetës patrjote
Per Shqipni i predikote,
Per programe e piligrame,
Per liri dhe punë me fame,
Si shqiptari per vatanin
Per nji plesht ka djegë jerganin.
Atjé n'Ljushnje afer Beratit
Atdhetarvet begu i Matit
U premtonte shum punë t'mëdhana:
Kryegjytet do t'jetë Tirana,
T'huejt do t'jenë veç dragomana.
Italjanët nder vende t'ona
Mund t'dergojnë veç makerona.
Do t'ja çilte aj vetë ma s'mirit
Atdheut t'onë dyert e avenirit
Prej ranës s'hjedhun n'Urë t'Vizirit.
E u besoshin fjalvet t'tia
Patrjotët n'Lushnje... e Shqiptaria
Ç'at ditë s'pau veç se dit t'këqia.
 
Por shka Zot-ka Zogu sot
Qi n'a â vra - e nuk ban za?
A dro mbetun ka pa t'holla
S'i dha mjaft Pasiç Nikolla?
Ja i punoj t'ngratit rreziku
S'e kan pritë si pritet miku?
Njaj Pasiçi plak bujar
E ka mbushun plot me ar,
E ka shti per itibar
N'Hotel Bristol n'pat te par.
Pritë e ka Jugoslavia
Sikur priten miqt te shpia,
Edhé i auto n'dispozitë
I ka dhanun me shetitë:
Mandej sa per dallavere
Ka Jak Koçin, djalë me ndere....
Por ç'ka sot as vetë s'e di,
U flet kështu pleqvet per bri:
Po ndigjoni, o burra t'mi,
Shka kem'pritë sot ka qillue,
Jugoslavēt me kan premtue
Te rrzoj Nolin me m'ndihmue.
Zogu doret me na pështue
Vonë e vonë kem' per t'a xanë,
Fjalë i moçmi si e ka lanë.
Si t'ja baj as un s'e di,
Duen Vermoshin ne Malci,
Shen Naumin ne Toskēni,
Nuk mund t'këthejmë ndryshej n'Shqipni!
Kenka thanë prej Perendie
Këto dy vende me i ba flie.
T'bardhes kohë qi ka me ague
A ju, burra, u kjosha true!
Per njatê qi vranë e këthillë
Me m'a mbajtë ju sot nji këshillë.
Amanet un jam t'u lanë
Me m'a mbledhun partinë t'tanë
Qe prej Shkodre derë n'Tiranë,
E prej mejet me ju thanë,
Mos me u xanë as mos me u nga,
Mos me u vramun vlla me vlla,
Ushtar serbi m'ep uha...
Fjalen t'eme t'a ndigjoni,
Rrugen para mue m'a shtroni
Pse do t'vi si Napoleoni
T'i këcej Shqipes mbaje froni.
Edhé i fjalë due me ju thanë:
U là t'lirë permbi shkodranë
Qi t'ja u merrni gjaqet t'tanë,
Sidomos Klerit me i sha
Qi n'Shqipni mos t'çojë krye må.
Per shkodranë mohamedan
Gjënje vetë ju ndoj derman!
 
Kështu tha Zogú e në kambë u çue
Me ba' rrugë ishte shterngue.
Muer nji çehre krejt mizore,
Muer nji gotë konjakut n'dore,
E n'dy gota miqve u qet
Prej nji xhezes pak sherbet,
S'pinë alkol si baba Mbret!
Lamëtumirë! o shokët e mi,
Shpejt do t'shifemi n'Shqipni,
Ku me mbytë kem' Kler e Klikë,
Ku tash ngrefim Republikë,
Ku per s'shpejt, po u thotë Ahmeti,
Do P'triumfojë Legaliteti!
 
Po, Zot, Zogu ka' â tuj shkue
Qi Bristolit i asht largue
Qi n'stacjon asht tuj shpejtue
Detektivët e kan rrethue?
 
Zogu n'Diber fillë asht nisë,
Ke Aqif Lleshi me konisë,
Ke Aqif Lleshi trim dai
Qi lau vllan ne Peshkopi
Vllan qi Zogu i vrau n'trathti.
(Vall! ç'me i bamun kësajë Serbi!...)
 
N'muej t'dhetorit si kaprolli
N'Diber ra Ahmed Zogolli,
Edhé gjet t'Aqifit n'shpi
Njat Gilardin mjekerr-zi.
 
„Mirë se t'gjejë, o Aqifi i jonë"
Po i thotë Zogu i patenzorë.
„Mirë se vjen, o t'u ngjatët jeta"
I a këthen shpejt njaj Aqif shkreta.
„Po Belgradin pse e ke lanë,
Gjith ky ngut shka don me thanë?
A por koha erdh me shkue
N'Tiranë Nolin per me rrxue?"
 
"Po, me ndihmë t'Jugoslavisë
Do t'i futna mbrendë Shqipnisë,
Ata hora duem me 'i dëbue
Qi n'qershor na panë luftue.
N'Belgrad kjeçë e sot kam ardhe
Ke njaj plaku faqebardhë
Qi e njeh vetë ti prej ç'kah motit,
E m'ka dhanë besen e Zotit,
Se mbas sodit-n'tokë t'Kastrjotit
Ka me ećë veç fjala e jonë,
N'taft t'Shqipnisë ne Serbët na done!!!
Çoju fjalë pra krenve t'vendit
T'mblidhen t'tanë ne log t'kuvendit
E mos t'marrë aspak merzia,
Napoljona kam me mia.
Neser lufta ne Shqipni
Do t'kersasë n'kufi n'kufi.
 
Kështu tha Zogu e duel me shkue
N'komandë t'Serbit m'u këshillue.
Kual e topa me gatue.
 
Aqif Lleshi thotë nji fjalë:
Madhi Zot, ty ťkjosha falë,
Nder dy punë njana do t'dalë:
Ja se i shkojmë Serbit n'ushtri,
Ja se luftë kem'me Shqipni.
E baftë Zoti si asht ma marë
Perherë Dibra å kenë e parë.
Po u çoj fjalë tash krenve t'vendit
T'dalin sandte n'log t'kuvendit:
Aty punët kem' me i peshue
Si n'Tiranë må shpejt me shkue. 
 
 
Botuar në gazetën e financuar nga Hasan Prishtina "Ora e Shqipnise "Vienë, 20 mars 1928, nr. 5. Percjellë në faximile nga Pjetër Logoreci Vjenë.
___________________________
Më 5 mars 1945 u pushkatua martiri i Kishës shqiptare në erën komuniste, i Lumi Dom Lazër Shantoja. Bir i traditës katolike të Shkodrës., u rrit dhe u formua, si njerí e si meshtar, në Institutin Papnor të qytetit të tij e në universitetin e Insbrukut të Austrisë. Zu rrënjë e hodhi shtat në traditën e klerit katolik që kishte patur rolin parësor në ruajtjen, kultivimin dhe përforcimin e identitetit kombëtar e të kulturës së shqiptarëve, në qindvjetorët e gjatë të pushtimit osman. / Simbas Vatikan Newsë
 
Përg. Kol Shkodrani
🔰Pantheon Info.®️