BYK KULTURA
e panaireve dhe manipulatorët e letërsisë
Çdo mes nëntori kinse u organizohen panaire të përvitshëm të librave nëpër ëndrrat delirante të organizatorëve që nuk lexojnë asnjë libër që botohet në Kosovë dhe Shqipëri dhe kanë kurajon të ndajnë çmime për kë të duan e si të duan.
Mjedisi i mbyllur ku mblidhen shfaqet si një hapësirë të kontaminuar ku mund të gjesh si njerëz të çdo lloj kategorie madje edhe të sëmurë, të griposur, me Covid 19 plus, por edhe të gjitha llojet e mikroorganizave dhe mikrobeve e qe edhe stina i stimulon.
Kam parë mjaft vite panairet e librit në Athinë. I bënin panairet në natyrë, me kioska druri në gjithë bulevardin dhe në Parkun e pallatit të Zapios / Vasil Zhapës nga Labova e Gjirokastrës. Po ku ka më bukur se natyra, kioska druri nën hijen e pishave. Po edhe në Tiranë shumë bukur do të bëhej në dy anët përgjatë bulevardit "Dëshmorët e Kombit" dhe sheshit "Skënderbej".
Do kishte një pamje krejt tjetër, nuk do të përballeshe me erën e rëndë, me avuj e pluhur dhe një pisllëk i paparë.
Por e mira do të ishte të ndryshonte mjedisi i Panairit, por dhe të zhdukesh prania e organizatorëve fytyrat e të cilëve janë bërë bajate. Siç janë bërë bajate në politikë, në Parti, në administratë e qeveri. Siç është bërë bajate fytyta e kryetarit të FSHF ashtu dhe e kryetarit të Botuesve që ka thuaj 30 vjet që bën pazar me qeverinë, si në tregun e perimeve, merr e shet dhe diferencat e çmimit të shitblerjes ja fut xhepit. Di Rexhepi ku është ku del leku e ku është xhepi. E merr Pallatin e Kongreseve toptan dhe e shet me metra. Dhe fiton, dhe ankohet se nuk po fitojnë aq sa mendojnë.
Organizimi krejt bajat.Nuk konkurrojnë autorët, por shtëpitë botuese, dhe ata i ndajnë çmimet si simite. Një vit ti e një vit unë. Nuk është konkurrim i hapur që autorët indidualisht të paraqesin veprat e tyre. Konsiderohet sukses me bla-bla në media një panair inekzistent dhe ndajnë edhe çmime. Çmime për vepra që nuk i ka lexuar kurrkush por janë përzgjedh simbas interesave të botuesve. Një sharlatanizem i tillë nuk guxonte të bëhej as në diktaturë ku gjithsesi komisionet e vlerësimit ishin të detyruar ti lexonin veprat që autorët paraqisnin vetë. Por këtu nuk ka konkurim. Demokracia punon me zbythje. Këtu sundon byk-kultura. A e patë si u laurua me kurora dafinash poeti që frymëzohet nga maja e pikaloit në Angli. Apo si ju dha çmimi për librin e mushkës një politikani që mban në një dorë bakllavanë e politikës e diplomacisë e tjetren kadaifin e letersisë (lesh fort i ëmbël për taraf e miqësi). E këta do ta çojnë përpara letërsinë në Shqipëri e Kosove që.më së shumti punojnë të ndarë e përçarë. Mirë atëherë na pengonte serbi, po tani kush na pengon. Po këtu zgjidhet fiktivisht Laureati i Poezisë. Nuk përfshihen poetet nga Kosova. Këta punojnë si komunistet në Mukje. Kinse luftojmë për atdheun dhe e kemi halë në sy njeri tjetrin. Ky kaos i organizuar nga argatët e administratës shtetërore na shtynë që në një event letrar në Gjakovë rreth 80 krijues të bëjnë një peticion për zgjedhjen e poetit me një veprimtari krijuese 60 vjeçare si Laureat i Poezisë për vitet 2026- 2027 si dhe Duajen i letërsisë shqipe mbarë kombëtare.
Ne nuk heqim dorë nga kjo zgjedhje e krijuesve dhe intelektualëve të Gjakovës, por me pjestarë nga gjithë Kosova, dhe nëse zonja Alda Bardhyli zgjedh ndonjë pupet të politikës ne nuk do ta njohim dhe do ta deskrititojmë zgjedhjet nga aparatçikët lakej të politikës.
Shqetësimi që mbartim si krijues është se është krijuar një grupim që manipulon gjithçka nëpërmjet miqve e tarafit. Këtu nuk konkurojnë vlera. Këtu parakalojnë si turma amorfe pa indentitet antivlerat që bëjnë ligjin e Maliqin si kudo edhe në fushën e artit. Frederik Rreshpja i njohu më mirë se askush këtë lloj brumi, këtë lloj takëmi, sepse prej tyre hoqi kalvarin e poetit të kryqëzuar burgjeve te komunizmit vetëm pse tha "Po pse more, me veprën e 19 (të Enver Hoxhës) do bëheni poetë". Dhe rioshët e poezisë së kënetës së Tunës në Lezhë e dëgjuan dhe e spiunuan. Dy burgje bëri Frederik Rreshpja e tani nuk është në të gjallë. Ndërsa ata që u bënë poetët me veprën 19 të Enverit nën sqetull, vazhdojnë të lazdrohen në opinionin publik pa u ngopur kurrë me lavdi. Paradoks i kohës të cilin mjerisht po e përjetojmë.
Dhe qershia mbi tortë: Një panair me denoncuesen e poetëve te ekzekutuar në podium e në komisione ku jepen çmime e zgjidhen Laureatët e Poezisë. Duhet ta pranojmë se ka pasur edhe shkrimtarë spiunë të cilëve u thurin lavde si të ishin pastërtorë me krahë engjëlli. Nxin qielli nga të zezat që i bëjnë njeriut.
Në ferr nuk gjen më djaj. Të gjithë kanë ardhur në tokë. Dhe thonë se komunizmi ka ngordhur.
Jo, qe besa.Vemjet janë gjallë.
©️ Kol Shkodrani
@highlight
