DOLCE OBAMA
Shënim për shkrimin "Rama si Obama"
të gazetares televizive Ilva Tare, News 24
Nga KOLEC TRABOINI
Perpara bukurisë e hijeshisë së një gazetarje të mirënjohur tashmë nga telespektatori shqiptar nepërmjet ekranit, si zonja Ilva Tare, tek e cila bashkohet edhe talenti në të shkruar, njeriu duhet të jetë delikat dhe elekuent në të shprehur e, sa me pak vrejtje të bëjë aq më mirë do të ishte. E megjithatë për hir të vertetave që duhet ti afrohen lexuesve, jam i detyruar ta thyej këtë rregull. Lexova shkrimin e saj
“Rama si Obama” dhe megjithëse më pelqeu gjetja e këndveshtrimi në trajtimin e problemit, disa fakte që sjell rreth senatorit Obama, (me aq sa kam njohje, meqë jetoj e punoj në Amerikë dhe i ndjek në shtyp e TV të gjitha veprimtaritë në kuadrin e fushatës presidenciale), gazetarja Tare nuk i sjell plotësisht të sakta. Nuk e di se në cilin burim informativ e ka gjetur shprehjen “Obama është zemra që flet”. Ndoshta nga ndonjë eufori e ndonjë ithtari të marrosur pas Obamës, bërë tashmë mode si Dolce Gabbana, nga ata që edhe qënushit i varin në trup një shirit me emrin Obama. Mirëpo keqinformohet publiku nëse paraqitet vetëm një aspekt dhe një mendim i absolutizuar, sepse në të vertetë Obama nuk është zemra por është magjia e fjalëve të trëndafilta, mirazhe për të sugjestionuar publikun, fantazia e ndezur që e kanë shumë të spikatur afrikanët dhe e shprehin në gojdhënat. Dhe deri diku mund të themi se ja ka arritur qëllimit ta shesë endërrimin për të vertetë, kjo edhe pse qytetarët amerikanë, të lodhur tashmë nga lufta e ekonomia në rënie, janë të prirur drejt të rejav, qofshin këto dhe të panjohurave, mjafton të jenë diçka që më parë nuk e kanë parë apo takuar. E verteta është se oratori ka një dhunti natyrore për tu shfaqur si i sinqertë e i plotbesueshëm në publik, diçka aktoriale fshihet në këtë shfaqje, madje si për ta theksuar këtë dhunti, ai ne mjaft fjalime ka reminishenca, si aktorët që përsërisin para spektatorëve fjalët e mendimet e shkrimtarëve. Senator Obama pra, ka përsëritur tekstualisht, pa kurrfarë ndryshimi fjalimet e Patrik Deval, guvernator i Massachusets, afro-amerikan si Obama, por edhe fjalimet e personaliteteve të tjerë. Gazetat amerikane kanë shkruar gjatë për këto reminishenca që kundërshtarët i quajnë plagjiatura dhe konsiderojne si një mashtrim e falsitet. Ai flet fjalë të bukura që kurrë nuk mund të realizohen e nuk paraqet një plan konkret, nuk përdor as një shifër, dhe kur flet për largimin e trupave amerikane nga Iraku vendos një afat të pamundur në kushtet reale të një ushtria me mbi njëqindmijë trupa e teknikë të rëndë luftarake, dhe e gjithë kjo kjo brenda një viti. Ushtarakët e karierës, gjeneralat, ngrejnë supet. Ushtria nuk është një karvan me kuklla. Madje për këto mendime euforike, ka ndodhur që pjestarë të ekipit të tij elektoral, të shprehen për shtypin kanadez se, ato që thotë Obama nuk i ka seriozisht, ta zëmë për kundershtimin në çeshtjen NAFTA, të marrveshjes së tregtisë së lirë në mes të Amerikës, Meksikës dhe Kanadas. Duhet thënë se ato çfarë thotë Obama janë më shumë “dream”, endërrime siç e ka dhe titullin e librit autobiografik “Endërrime nga babai im” 1995, ku ndër të tjera shkruan edhe për vitet në shkollën e mesme, ku përdorte, siç thotë tekstualisht, alkolin, drogën dhe mariuanën. A është ky modeli i një presidenti të ardhshëm? Populli që e zgjedh e di.
Edhe ata që kanë nisur të bëjnë tregti me emrin Obama dicka dinë. Ka fitim kjo punë. "Hop Obama" nëpër barrelat e birrës janë shfaqur tashmë. Si të thuash birra e shpresës. Shpresë qëë ngjallet pasi të jesh bërë tap. Por ka edhe gjetje të tjera si "Obama Alle" një pije freskuese qëërpiqet të konkurojë tradicionalen kanadezo-amerikane" Ginger Alle". Ca kohë më parë kur fushata sa ishte ndezur, një tregtar trikotazhesh kishte krijuar një tip bluze "Obama Osama" me shpresë të fitonte shuma përrallore, por i ngeci ëndërrimi sepse një gjykatës e urdhëroi ta bllokonte mallin dhe ta asgjësonte. Ka plot histori të tilla me lakimin e emrin Obama. Madje ca shkojnë me tej e merren me priftin e tij, prej të cilit është frymëzuar gjithmonë, por i cili ka shpallur një lufte të hapur me qeverinë amerikane duke e akuzuar si organizatore të 11 shtatorit 2001 e duke e perifrazuar shprehjen "Zoti e bekoftë Amerikën" në "Turpi i Amerikes". Të gjitha këto ngarkesa emocionale lidhen me emrin Obama, shtuar kësaj se financuesi më i madh i fushatës së tij elektorale, një bisnesmen i madh në Ilinois që sot është në burg për korrupsion. Stacionet televizive si Foks Njuz Hjuston, japin edhe aspekte të tjera si në foton shoqëruese të këtij shkrimi ku paraqitet një nga zyrat e fushatës zgjedhore të Obames në Teksas, në sfond nuk qëndron flamuri i Amerikës, por... flamuri i shtetit komunist të Kubës dhe simboli i luftës antiamerikane Çe Guevara!!! Marrëzitë nuk njohin kufi, nuk pranojnë gjykim dhe nuk kanë nevojë për koment.
Ndërsa për ato që thuhen në shkrimin e Ilva Tares “Rama si Obama” për Hillari Klintonin, janë plotësisht të verteta, por Hillari nuk është vetëm arsyeja, siç thuhet aty kur bëhet përqasja me Obamën, është edhe sinqeriteti dhe e verteta bindëse, dinjiteti e personaliteti i një gruaje model. Do të ishte fatkeqësi që të humbiste garën kjo zonjë e rallë për nga inteligjenca, njohëse e shkelqyer e mekanizmit të pushtetit dhe ekonomisë, humaniste me reputacion ndërkombëtar. Shqiptarët e Kosovës, veçmas gratë e fëmijët e terrorizuar nga makina ushtarake serbe, e kanë njohur humanizmin e Hillari Klintonit, që kur vajti e i takoi në Bllacë të Maqedonisë në qershor 1999.
Një fakt tjetër që sillet gabueshëm është ai ku thuhet se babai i Obamës ka qënë një
bari në Kenia. Jo vetëm babai por as gjyshi i Obamës nuk ka qënë
bari në Kenia. Gjyshi i tij ka qënë ushtarak me trupat britanike, me të cilat ka lëvizur në shumë vende të Europës dhe Afrikës. Nga kristian ai është kthyer në Islam dhe ka marrë emrin Hysein.
Babai i Obamës, biri i nje ushtaraku pra, pasi që ka mbaruar shkollën, në moshën 18 vjeçare ka bërë një martesë tribale me një keniane me emrin Kezie, me të cilën, edhe pse me pas është martuar edhe dy herë të tjera në ciklin martese-divorc, kurrë nuk është ndarë. Barak Hysein Obama Sr.( i vjetri, babai i senatorit të sotëm me të njëjtin emër) la Kezien me dy fëmijë në Kenia dhe erdhi për studime në Amerikë. Në Universitetin e Havait në Manoa, u njoh me amerikanen bashkëstudente Ann Dunham, me të cilen u martua në
Honolulu e linden Barak Obamen( i riu) ne vitin 1961 dhe një vajzë. Pas dy viteve prindërit u ndanë. Barak Obama Sr. ( i vjetri) ndoqi studimet në Universitetin e famshem Harvard të Bostonit, ku shkojnë më së shumti bijtë e milionerëve nga gjithë bota. Këtu u martua sërisht me një bashkëstudente dhe mbasi mbaroi studimet për ekonomi, shkoi në Kenia. Në atdheun e vet Barak Hysein Obama Sr.( i vjetri) punoi ekonomist për qeverinë e Xhomo Keniata, presidenti i parë i shtetit të Kenias, pas fitimit të pavarësisë nga
Anglia. Atje pësoi një pas një dy aksidente automobilistike, në të dytin mbeti i vrarë në moshën 46 vjeç, në vitin 1982.
Barak Obama (i riu), është rritur në fillim me familjen e njerkut në Indonezi, sepse nëna ju martua me një indonezian, prej të cilit me pas u nda. Ann Dunham ka vdekur në vitin 1995.
E mbyll këtë shënim me perifrazimin e shprehjes se, një 47 vjeçar, Baraku pra, nuk po i jep zemër amerikanëve, siç shkruan gazetarja televizive, veç po u ndez fantazinë me ca delire flurore, rezellitëse por kalimtare, kur ekonomia amerikane po bie poshtë e më poshtë e para se një solucion të trendafiltë, ajo do një dorë e mendje të fortë për ta ringritur, do nje Franklin Rusvelt. Amerikanët e thjeshtë me koshiencë po pranojnë të vetgenjehen prej fjalëve të bukura, për tu zhgënjyer më pas, çfarë po ndjehet edhe në media, që e velur tashmë me fenominin Obamizmi, ka
nis e bën hoka me sloganët e Obamës me shprehjen "të ndryshojmë"... për të ndryshuar, por se çfarë kurrkush nuk e di, as ata që rendin pas tymnajave të trendafilta të slloganeve politike që janë aq larg realitetit amerikan që sot është jo fort euforik, por mbase nuk e di as vete... Dolce Obama.
mars 2005
Hillari & Bill Klinton