13 December 2010

MARK TUEN – POST MORTEM 100



MARK TUEN – POST MORTEM 100

Ernest Heminguej shkruante:
"E gjithë letërsia moderne amerikane vjen nga një libër
i Mark Tuenit i quajtur Hakleberry Fin”

Esè

nga KOLEC TRABOINI

Veç një shkrimtar i madh si Mark Tuen, mund të kishte vizionin se edhe pas një shekulli interesi për jetën e veprën e tij nuk do të shuhej. Ndryshe nuk do të linte testament që shënimet e tij biografike të titulluara “Skicë familjare” në një volum prej 64 faqesh të bëheshin publike vetëm 100 vjet pas vdekjes së tij. Mark Tuen, emri i vërtetë i të cilit është Samuel Langhorne Clemens, vdiq në moshën 74-vjeçare në prill të vitit 1910, ndaj përvjetori i vitit 2010 u prit me interes nga lexues e botues në Amerikë, por edhe në mbarë botën që donin të dinin se çfarë ka shkruar shkrimtari, shkëlqimi e lavdia e të cilit jo vetëm nuk ra, por sa më shumë shkon koha aq më i dashur bëhet për miliona njerëz. Personazhet e veprave të tij janë aq popullore. Nuk ka lexues në botë që nuk i di emrat e personazheve të tij si Tom Sojeri apo Hakleberri Fin.
Por, pse Mark Tuen e la këtë testament të çuditshëm. Ndoshta se nuk donte që pasardhësit e tij të kishin pasoja nga ato të vërteta që shkruante në biografinë familjare. Mbase mendonte se pas njëqind vjetësh gjërat do të ndryshonin. Shkrimtari kishte një vizion të drejtë për zhvillimet shoqërore në jetën amerikane dhe aspironte drejtësi dhe barazi sociale. Mjafton të sjellim një episod nga jeta e tij. Në autobiografinë e sapoekspozuar përshkruhet një episod ku bashkë me shërbëtorin e tij zezak George Griffin, në 1893, shkrimtari që ish bërë i famshëm asokohe, i bëri një vizitë botuesit të vet, duke shkaktuar një skandal, sepse personalitetet e bardha nuk shoqëroheshin me njerëz me ngjyrë në publik. Mirëpo sot ne kemi një njeri të zi president të Amerikës, çfarë në atë kohë as që mund të imagjinohej, e po ta thoshte ndokush se kjo do të ndodhte një ditë, do ta mbyllnin në çmendi. Kështu kanë qenë punët në dritë- errësirën e shekullit të XIX.
Por para se të dalim tek shënimet biografike të Mark Tuenit le të shohim cila është jeta e tij.

* * *

I lindur në Misuri më 30 nëntor 1835, Samuel Langhorne Clemens ishte fëmija i gjashtë i John Marshall dhe Jane Lampton Clemens. Ishte rreth katër vjeç kur familja e tij u vendos 35 milje në lindje të qytetit të Hannibal, një qytezë port në rritje ku kalonin anijet tregtare me avull që lundronin mbi lumin Misuri nga Sant Louis dhe Nju Orleani.
Babai i Samuel ishte një gjykatës. Duke qenë një fëmijë shëndetlig, Samuelin e i vogël e mbajtën mbyllur në shtëpi. Rreth moshës 9 vjeç ai duket se u shërua dhe u bashkua me pjesën tjetër të fëmijëve jashtë qytetit. Më pas ndoqi një shkollë private në Hannibal.
Kur Samueli ishte 12, babai i tij vdiq nga pneumonia dhe në moshën 13-vjeçare, Samuel la shkollën shkollën për t'u bërë shegert në një shtypshkronjë.
Në moshën 17-vjeçare iku për të punuar në një shtypshkronjë në Sant Luis. Por atje i lindi pasioni për lundrime dhe u pajtua si ndihmës në një anije. Pseudonimi i tij “Mark Tuen”, vjen nga ditët e tij si një timonier anije. Ky është një term si të thuash dy gjashtmetroshe, pra thellësia 12-metra e lumit që të jep siguri në lundrim. Si lundërtar punoi deri në vitin 1861. Udhëtimet në lumin Misisipi ishin një periudhë e mbushur me mbresa që do ta ndihmonin e frymëzonin aq shumë në krijimet e tij të mëvonshme.
Lufta civili bëri që tregtia nëpërmjet lundrimit të ndërpritej. I mbetur pa punë ai jetoi në një kasolle primitive në Jackass Hill dhe provoi fatin e tij si minator në një minierë ari. Po aventura dhe ëndrra e ndezur për ar dështoi. Iu kthye prapë pasionit për të shkruar dhe shkoi në qytetin Virxhinia ku për dy vjet punoi në një gazetë. Më 3 shkurt 1863 në një shkrim humoristik të botuar shënoi pseudonimin e tij, Mark Tuen, dhe me këtë emër do të krijonte figurën më të madhe të letërsisë moderne amerikane, siç do ta vlerësonte një gjeni tjetër si Ernest Heminguej. Një vit më pas shkrimtari merr rrugën për Kaliforni dhe zuri punë si gazetar në San Francisko. Udhëtoi në Francë dhe Itali. Ishte një shkrimtar që udhëtonte shumë dhe temat që trajtonte kishin të bënin pikërisht me këtë temë arratisjeje dhe ikjeje dret lirisë.
Pasionanti Martin Tuen martohet me Olivia Langdon në vitin 1870, pasi i ka shkruar asaj 189 letra dashurie. Më pas ata të dy do të ndërmerrnin udhëtime ndërkohë që Mark Tueni shkruante papushim. “Aventurat e Tom Sojerit” një nga veprat e tij më të njohura në botë që u botua në 1876. Në vazhdin ai do të botonte disa kryevepra ku spikasin “Princi dhe i varfri” 1881. Libri “Jeta në Misisipi” 1883 konsiderohet si një vepër që kundërshton stilin e Walter Skotit, romantizmi i të cilit, sipas Mark Tuen i ka dëmtuar në mënyrë të pamatë idetë progresive.
Një vit më pas do të botonte kryeveprën e tij “Hakleberry Fin”, një Odise amerikan, i cili në fillim u konsiderua roman për të rritur, por më pas nga popullariteti i madh u bë libri më i preferuar i fëmijëve në të gjithë botën. Veçanësi e romanit janë të folurat karakteristike të zezakëve të brigjeve të Misisipit dhe të bardhëve, pra si të thuash një etnografi gjuhësore, një gërshetin i zërave të zinj e zërave të bardhë. Heroi i romanit është një fëmijë i zi në një vend të bardhë.
Në vitin 1885 boton një libër për jetën e Zhan D’Arkës. Por viti 1890 do t`i sillte kokçarjë për shkak të humbjeve financiare. Për të shpëtuar nga falimenti mbylli shtëpinë e ndërmori disa turne duke dhënë leksione e duke folur në auditorë në Amerikë dhe në Europë. Me fitimet që nxorri arriti t`i shlyente të gjitha detyrimet financiare. Udhëtoi gjithashtu në Zelandën e Re, Australi, Indi, dhe Afrikën e Jugut. Gjatë kohës që ai ishte në udhëtime, Suzi, vajza e tij më e dashur u sëmur e vdiq në Hardfort, Konektikët në vitin 1896.
Por nuk do të mjaftonte vetëm kjo fatkeqësi që e dërrmoi shkrimtarin. Vdekja e gruas Livia, në vitin 1904 në Firence si dhe vajzës së tij të dytë e zymtësuan akoma më tej jetën e shkrimtarit, i cili edhe më parë, siç del nga shënimet në autobiografinë e tij e botuar pas vdekjes në 1916 e më pas në 1924, kish qenë plot tramvaje.
Gjatë jetës së tij 74 vjecare shkroi 28 libra si dhe tregime të shumta të shkurtër, letra dhe skica. Mbylli sytë më 21 prill 1910.
Shtëpia e tij e fëmijërise është e hapur për publikun si një muze në Hannibal, vendet ku ka jetuar Mark Tueni, shëtitoret me bustet dhe rrugët që kanë marrë emrin e tij, veçmas në Nju Jork, vizitohen nga miliona turistë çdo vit, në ditëlindje të tij.

* * *

Interesi për veprat e Mark Tuenit kurrë nuk ka pësuar rënie në shekullin XX. Ato edhe në shekullin e ri ribotohen kudo në Amerikë dhe nëpër botë. Edhe në shqip janë botuar e ribotohen “Aventurat e Tom Sojerit”, “Hakleberry Fin” “Princi dhe i varfri”, “Një amerikan në oborrin e mbretit Artur” , “Zhan d’Ark”, tregime të ndryshme. Por ky vit ngjalli interes e vëmendje të jashtëzakonshme. Sipas testamentit do të bëheshin publike vetëm 100 vjet pas vdekjes, shënimet biografike të titulluara “Në kujtim të Olivia Susan Clemens “ - dhe më vonë të quajtur “Skicë familjare”.
Çfarë ka në ato shënime me 64 faqe dhe përse ngurronte shkrimtari për t`i botuar menjëherë pas vdekjes së tij.
Këto shënime në të vërtetë janë një panegjirik plot pasion e dhembje të Mark Tuenit për vajzën e tij më të madhe Suzi - i cila vdiq nga meningjiti në shtyllën kurrizore në moshës 24 vjeç.
Aty del në pah një tjetër stil, krejt ndryshe prej librave të tij që janë plot aventura e dritë. Ai në ato shënime përpiqet të ravizojë portretin e vajzës së dashur.
Ja si e përshkruan në disa pasazhe:
"Ajo ishte një reflektim i ndjenjave dhe ato ishin të të gjitha llojeve; trishtim zemërimi, pendim, stuhi, diell, shi, errësira - ata ishin të gjithë aty: Ato shfaqeshin për një moment dhe iknin po ashtu aq shpejt. Në të gjitha veprimet ajo ishte intensive: kish një karakteristikë të veçantë, nuk ishte një shkëlqim i thjeshtë që jep ngrohtësi, por një zjarr që furishëm vetdigjet."
Në librin e saj mbi gratë në jetën e Tuenit, Laura Skandera Trombley përshkruan Suzin si muza e dytë e të atit pas gruas se tij, Olivia. Ajo është konsideruar si frymëzim për romanin Zhan d ’Ark dhe një rrëfimi, “Tregimi i kuajve”.
Në 1885, kur ishte 13 vjec, e bija me fat tragjik Suzi, kish shkruar një biografi të atit të saj, të cilën Mark Tueni pjesërisht e ka botuar në autobiografinë e tij. Vdekja e Suzit ishte një katastrofë shpirtërore për shkrimtarin e madh. Kur prindërit morën udhëtimin për Europë ajo zgjodhi të qëndronte tek tezja e saj në Nju York, ku u infektua dhe vdiq në rrethana tragjike në 1896, ne shtëpinë e familjes së saj Hartford, Connecticut. Pas kësaj Mark Tueni kurrë më nuk erdhi të jëtojë në atë shtëpi e cila tashmë është kthyer në muze.
Por shënimet “Një skicë familjare” shkojnë përtej portretizimit të vajzës së tij të dashur dhe jep detaje të tjera të jetës së tyre familjare. Aty autori përshkruan edhe shërbëtorin e tij me ngjyrë, zezakun Xhorxh Grifin me të cilin në vitin 1893 bëri një vizitë tek botuesi i tij, duke shkaktuar një skandal për kohën e skllavopronarisë. Ishte shfaqur në publik me një njeri të zi. Shërbëtori Griffin ishte i zënë ngushtë nga ftohtësia me të cilën e pritën gjatë asaj vizite. Mark Tueni shkruan: "Për mua( Grifin) ishte miku im më i mirë, ishte shoqëria që më duhej, e, në disa mënyra, ai ishte i barabartë e mua, në disa të tjerë më i lartë se unë."
Përshkrimi i një infermiere shtëpiake, që ai e quajte thjesht "Nr.5", është shprehje e mirëfilltë e stilit ironik të Mark Tuenit.
"Ajo ishte aq e shëndetshme si hekuri, kishte oreksin e një krokodil, stomaku si një qilar, dhe tretje si një-gur mulliri.... Ajo hante çdo gjë që i dilte para syve, dhe shplarë atë me pije freskuese, kafe, çaj, raki, uiski, terpentinë, vajguri –me një fjalë çdo gjë që ishte e lëngshme"
Botimi post mortum 100, mesa duket kishte të bënte më drojen e shkrimtarit të madh se pasardhësit do të mund ta pësonin prej mendimeve të tij tepër të guximshme për kohën. Një shekull do të ishte mjaft për t`i parë gjërat në një prizëm tjetër. E bija e vetme e mbetur gjallë pas vdekjes së tij, Klara, ka jetuar deri në 88 vjeç dhe kishin vetëm një vajzë. Vajza e Klarës ka vdekur pa pasur ndonjë fëmijë, kështu që nuk ka më asnjë pasardhës të drejtpërdrejt të Mark Tuenit.
Ndoshta shkrimtari gjenial, babai i letërsisë moderne amerikane, nuk e kishte parashikur kështu zhdukjen e genit të tij, çfarë për fat të keq ka ndodhur me pjesën më të madhe të gjenive të kësaj bote që në vijë gjenealogjike janë djegur e shuar plot shkëlqim si meteorë.



MARK TUEN
PER GAZETARINE

Kur isha trembëdhjetë vjeç, më dukej vetja se isha fëmijë i zgjuar, jashtëzakonisht i zgjuar. Pikërisht në këtë kohë, shkarravita shkrimin e parë për gazetën dhe, për çudinë time, ai bëri një përshtypje të mirë ndër lexuesit. Për këtë e ndjeva veten kryelartë. Mua më pëlqenin shumë shkrimet dhe ma kishte qejfi të shkruaja edhe vetë. Im ungj më mbante në redaksinë e gazetës së tij, "Gazeta e përjavshme e Hannibalit", e cila kishte gjithsej nja pesëqind pajtimtarë, që parapaguanin dy dollarë në vit dhe këto i lanin me dru zjarri, lakra dhe rrepa që nuk shiteshin në pazar; një ditë të bukur vere, ai u largua nga qyteti dhe më pyeti mua nëse do të isha i zoti të nxirrja vetë një numër të mirë të gazetës. Ah, sikur s'desha unë ta provoja! Hixhinsi ishte kryeredaktor i një gazete kundërshtare. Ai ishte pushuar nga puna dhe, një natë, një shoku i tij i gjeti një pusullë mbi shtrat, ku Hixhinsi shkruante se nuk e duronte dot jetën, prandaj po shkonte të mbytej në gjirin e lumit Ber. Shoku i tij rendi menjëherë atje dhe e gjeti Hixhinsin duke dalë nga lumi. Kishte vendosur të mos mbytej. I tërë qyteti e mbajti nëpër gojë këtë çështje për shumë ditë, po Hixhinsi nuk e dinte. Unë mendova se kjo ishte një temë e mirë për të shkruar. Shkarravita pra një shkrim si mos më keq dhe e ilustrova me karikatura, një nga të cilat tregonte Hixhinsin me këmishë, më këmbë në mes të lumit, duke dalë jashtë tij; në dorë kishte një fener dhe një shkop për të provuar thellësinë e ujit. M'u duk për të qeshur dhe as që më vajti mendja se mund të kishte ndonjë farë morali. Mendimi im ishte se goditja e kryeredaktorit të një gazete fqinje me një shkrim të tillë plot thumba, që ta bënte atë "të përpëlitej", do të ishte i bukur e tërheqës. E botova duke e vënë në formë parodie me "Varrimin e Sër Xhon Mur-it" dhe doli një parodi vërtet e goditur. Pastaj shkrova një vjershë, me anën e së cilës satirizoja në mënyrë të pamëshirshme dy qytetarë të shquar, - jo se kishin bërë ndonjë faj që ta meritonin një gjë të tillë, po vetëm sepse mendova se kisha për detyrë ta bëja gazetën tërheqëse. Pas këtyre, preka lehtë një të porsaardhur, heroin e ditës, një rrobaqepës të pashëm nga Kuinsi. Ai ishte një nopran e sqimatar i dorës së parë, dhe vishej me disa lloje rrobash që binte në sy më tepër se kushdo tjetër. Ai ishte një gjahtar i regjur i grave. Çdo javë shkruante vjersha "përçart" për gazetën lidhur me fitoret e tij të reja. Vjersha që dërgoi këtë javë titullohej "Maries në H...l", që do të thoshte, natyrisht, "Maries në Hanibal". Kur e këndova këtë pjesë, më përshkoi një e rrëqethur nga koka gjer te këmbët, tek më shkrepi një ide që m'u duk si një rrufe humoristike dhe e dërgova në shtyp me këtë shënim thumbonjës: "Po e botojmë këtë pjesë, - po vetëm këtë, duke e uruar z. J. Gordon Ranels ta kuptojë mirë që ne durojmë shumë, po herë tjetër, kur t'u drejtohet miqve të tij në H...l, të gjejë ndonjë ndërmjetës tjetër e jo kolonat e kësaj gazete". Kur doli gazeta, nuk më shkonte nga mendja kurrë që këto shakara të vogla të tërhiqnin aq shumë vëmendjen e lexuesve. Për herë të parë kërkohej "Gazeta e përjavshme e Hanibalit" nga lexuesit gjë që s'kishte ngjarë kurrë. Në të gjithë qytetin bëri bujë. Hixhinsi çatisi në zyrë në orët e para të pasdrekes me automatik në dorë. Po kur pa se kishte të bënte me një çilimi (siç më quajti ai) që ia kish bërë atë të keqe, më shkuli veshët dhe u largua. Qysh atë natë, ai hoqi dorë nga kjo çështje, sepse u largua fare nga qyteti. Rrobaqepësi më erdhi me hekur e me gërshërë; po edhe ai më përçmoi dhe u largua për në jug qysh atë natë. Të dy qytetarët e vënë në lojë erdhën me kërcënime e të shara dhe u larguan akoma më të egërsuar kur panë se kishin të bënin me një njeri të parëndësishëm. Të nesërmen më erdhi kryeredaktori i gazetës krahinore duke bërtitur, i etur për gjak. Po edhe ai më fali me gjithë zemër dhe u mjaftua të më shpjerë deri në farmaci ku mori hakun, në një mënyrë shumë miqësore, duke më dhënë një vaj recini. Kjo ishte shakaja e tij. Im ungj ishte shumë i zemëruar kur u kthye, - doemos pa arsye, mendoja unë, duke marrë parasysh bujën që kishte bërë gazeta dhe sidomos mirënjohjen që duhej të kishte ai ndaj meje, sepse duke e zëvendësuar unë, ai shpëtoi çuditërisht nga sharjet, copëtimi, sakavitja e vdekja e sigurt. Po ai u zbut kur u hodhi një sy llogarive dhe pa se ish regjistruar një numër i madh prej tridhjetë e tre pajtimtarësh, gjë të cilën e tregonin edhe perimet, drutë, lakrat, fasulet dhe rrepat e pashitura, të cilat mjaftonin ta mbanin familjen tonë për dy vjet!