18 February 2026

Kol Idromeno i dha Shkodrës Europianizmin - nga K. P. Traboini

KOL IDROMENO I DHA SHKODRËS EUROPIANIZMIN
Shënime nëpër rrugët e qytetit tim


Nga K. P. TRABOINI

Sërish u gjenda në Shkodër. Kalova rrugë në rrugë me nostalgjinë e fëminisë dhe rinisë. Kalova në rrugën "Gjergj Fishta" pranë Kishës Françeskane, aty në ballin e një ndërtese një pllakë "Këtu ka jetuar Migjeni" Vetëm kaq. Shkolla Françeskane ku dikur im Atë ka qenë mësues ishte rrethuar me mure të lartë e nuk shihej asgjë. Si burgjet e komunizmit. Më trishton mentaliteti i mbylljes së klerikëve, aq më tepër nuk shkon aspak me këtë kohë, kur ata duhej të ishin të hapur, siç rrinë ta zëmë Katedralja, Kisha e Madhe apo Kisha Zoja e Shkodrës rrezë kalasë ku sheh gjithherë njerëz. Besimtarë qofshin a jo.
Eci më tej, ish-shkolla "Vasil Shanto", e mbyllur, me një derë të madhe të zbërdhyltë. E ka marrë Kisha Françeskane se e asaj ka qenë, por pse e mbajtur aq zymtë si manastiret e murgeshave nëpër filma të vjetër plot mistere. Desha të hy në oborrin e shkollës time për të prekur çinarin e madh bashkë me kujtimet për bashkënxënësit dhe mësuesit, por kalova në heshtje me atë zymtësinë shpirtërore që më injektuan këtë mure të lartë e dyer të mbyllura. Eci më tej në atë rrugë që mban emrin e poetit të madh të poemës epike "Lahuta e Malësisë" Gjergj Fishta. Aty kthen një rrugë që unë e njoh mirë. Aty ka jetuar Tezja Lenë, siç e quaja në fëmini, vajza e Motrës Tone, motra e Dadës sime Katrina Skanjeti-Traboini. Tezja Lenë ishte nëna e poetit të shquar shkodran Zef Zorba që në rrethin familjar e thërrisnim Bep. Në vazhdim një ndërtesë e bukur në kthesë të rrugës. Në fëmini më kishin sjellë për vizitë te Doktor Prela që bënte vizita në familje dhe kur shihte se i vinin familje të varfëra nuk u merrte para. Doktor Prela ishte një njeri fisnik, në atë kohë ne fëmijëve na dukej si një babagjyshi zëmërbardhë. Dhe ashtu ishte. Ka mbetur i famshëm portreti i tij i realizuar nga piktori i madh që arriti të punojë në Luvër, Ndoc Martini.
Në dalje të rrugës ishte ende pusi i vjetër ku sa herë dilnim nga shkolla vraponin të pinim ujë se aty ishte një trumë.
Aty ku bashkohet rruga "Gjergj Fishta" me Gjuhadolin, përballë ka rrugën e Gurakuqëve ku ka pasë shtëpinë i madhi Luigj Gurakuqi, që ja shembën "pa nam e pa nishan" siç thotë populli. Pikërisht aty kam kujtimet e fëminisë e rinisë të cilat më vinin si valë të nxehta përvëluese. Kujtimet e fëminisë kurrë nuk mund të jenë të ftohta. Këtu ka qenë një rrobaqepësi ku punonte një mjeshtër me moshë të re, por modern për atë kohë, kështu e quanim duarartin Ejll Hila ku qepnim kostumet.
Ndërsa në ndertesen e madh të familjes Mazi, që shteti e kishte shtetëzuar kam kujtime që lidhen me rininë time. Sapo isha kthyer nga ushtria dhe i papunë shkoja zyrë në zyrë, por të gjitha më refuzonin kur dëgjonin mbiemrin tim. Natyrisht një me mbiemër të tillë ishte një djale i ri i arratisur. Një tjetër Mark Fran Marketa - Traboini dhe atë e kishim të fisit Gojçaj dhe ishte më i anatemuari, madje i dënuar me vdekje në listat komuniste të vitit 1945 me numër rendor 104, por ai kishte ikur me gjermanët dhe u kish lënë hijen komunistëve, bashkëpunoi me amerikanët në Frankfurt dhe erdhi në Shqipëri pas vitit 1990 me trishtim për çfarë i shihnin sytë. Vura re se përballë shtëpisë ku jetoja e që ishte kthyer në gërmadhë, ishte një dyqan që shiste fruta dhe perime. Edhe para më se gjysmëshekulli një dyqan i njëjtë ka qenë. Madje në një poezi "Cokla" e kam përmendur si dyqani ku shitej pistili.
Ja dhe shtëpia e Doktor Kel Naraçi, pediatër me emër të madh që ruhet në kujtesën e shkodranëve. Në këtë shtepi kam hyrë plot herë sepse kisha shok klase Luigji Kel Naraçin dhe mësuesi na kishte venë detyrë të mësonim bashkë. Eci në rrugën Gjuhadol që është kthyer në shëtitore, piacë, pedonale, quani si të doni sepse ajo të jep kënaqësi. Kam kujtime plot për këtë rrugë që dikur ishte bota jonë sa e madhe aq e vogël njëkohësisht. Por kryekujtimi është aty ku dikur ka qenë shtëpia dhe studio "Dritshkroja" e Kol Idromenos". Punishten ku bëheshi punime druri dhe studion fotografike i kishte me dalje direkt në rrugën kryesore, por hyrjen e shtëpisë ku banonte i kishte te një rrugicë përbri, ajo rrugicë ende vazhdon të jetë e vogël pa dalje. Ende muret e avllisë ishin ata të vjetrit të bërë me gurë të rrumbullakët të marra në Zallin e Kirit. Porta ishte e mbyllur dhe nuk arritëm të shihnim nga brenda oborrin dhe shtëpinë e Kol Idromenos ku ai dikur në faqen e murit kishte pikturuar një kalë të kuq. Erdhëm rrotull dhe po kërkonim a ka ndonjë shënj, shënim a diç tjetër që të kujtonin Kol Idromenon. Plot shpenzime ka bërë shteti për këtë pedonale- shëtitore, por për Kolën, Da Vinçin tonë, siç na pëlqen t'i themi, asgjë, asnje cent. Edhe varrin që ishte lënë në harrim e i rrenuar veç sa e lyen me bojë të bardhë dhe krisën e ikën. Aq ishte përkujdesja për këtë gjeni në kohën e Voltana Ademit. Po tash? Eh, tash...
E fotografova në disa kënde shtëpinë e Kol Idromenos. Dikush kish pas idenë, që të bënte ca figura murale që nuk thoshnin asgjë që lidhej me këtë ndërtesë historike. Ndërsa aty ku ishte studioja fotografike që ka hyrë në histori si "Dritëshkronja Idromeno" aty pranë ishte strehuar një mejhane ku pihet ndonjë kafe, me raki, a birrë, a dreqi e di se çfarë. Kaq ishte historia. Varfëri për një tempull arti. Kur duhej që pushteti në Shkodër, para se të shpenzonte para kot për çelsa të ndryshkur që nuk thonë asgjë, të punonte me ngulm që të blihej shtëpia e Kol Idromenos që trashëgimtarë ja shiten juristit, antarit të Gjykatës së Lartë të komunizmit Zija Vuci për një copë bukë dhe për ironi të fatit në atë shtëpi është rritur Monsinjor Ernest Çoba, që kjo gjykatë e dënoi me 25 vjet burg dhe me pas e vranë në spitalin e burgut në Tiranë më 8 janar 1980. Atë shtëpi histori Bashkia e Shkodrës prej vitesh ishte dashtë ta merrte në pronësi publike dhe ta kthente në identitet për ta bërë qendër me interes turistik ndër më të çmuarit dhe interesantët të kryqendrës së Veriut. Eh, po na ikin jeta duke notuar në dëshira të parealizuara vetem se qeverisësit tanë janë më të lirë në miell e më të shtrenjtë në krunde.
Ndersa po kaloja pranë shtëpisë se Kol Idromenos ku në femini kam qenë, e ku mbaj mend dhomën me xhama, çardakun dhe atë pikturen murale që Kol Idromene kishte bërë për t'jua bërë më të gëzueshëm mjedisin fëmijëve të shtëpisë, pikturë që ndonjë studiues me prioritete akademike (Zot na ruaj prej tyre) e ka quajtur gomar, kur ai në të vërtetë, siç e kam parë me sytë e mi ishte një kalë i kuq. Se more vëllezër e motra që merreni me studime akademike deri më sot, ani pse kam shetit vende e shtete deri në Amerikë e gjetkë, por gomar të kuq nuk kam parë. Por kam parë studiues kuqalashë në tru e në trajtë të gomarit në kryeqytetin e atdheun tim, diku pranë kalasë Toptani. Aty e kanë hajen gomarët e kuq e aty dhjesin, se për të krijuar nuk kanë bereqet aspak. Malësorët thonë, nuk kanë grat.
Por le të vazhdojmë udhëtimin nëpër pedonalen e Gjuhadolit, nëse na lënë makinat që shkojnë e vinë pa teklif duke rrezikuar jetën e kalimtarëve. Se çfarë dua kaq shumë makina, atë mund ta dinë vetëm policët bashkiakë që paguhen me parat e popullit dhe tundin zinxhirin e vet.
Nuk na pëlqente ta mbyllnim shkrimin kësisoj se edhe punë të bukura e të dobishme janë bërë, por ndonjë herë ndodh që një qime të gjesh në tepsi, bakllavaja sado e ëmbël të jetë të neveritet.
Duke dalë nga Shkodra vumë re se anës së Bunës ishin prishur të gjitha ndërtimet në tokë të zanun, dhe mirë kanë bërë, po si i bëhet për rrugën Tiranë-Shkodër që kalon në një korsi si rrugë fshati dhe duhen 4 orë të hysh nga Tirana në Bahçallëk, pra 100 km në 4 orë. Pra 25 km. në orë. Do hyjmë në Europë thonë. Shuj bre...Çfarë Europi?! Po a hyhet në Europë me mure të lartë, me dyer të mbyllura, me mejhane në vend të muzeumeve, me një çelës të ndryshkur e tuba çeliku që sikur nxjerrin naftë nga nëntoka, një qytet pa asnjë shënj që tregon identitetin 2500 vjeçar, të një qyteti që kishte mbret e mbretëreshë, e tash ngecur nëpër rrugë si në mesjetë ku ecet me ritmin e breshkës dhe... monumenti më i lartë është obelisku përkujtimor i një pashai osman ku valëvitet një flamur turk, krenar ashtu si gjatë 500 vjetëve që e shkretuan këtë vend si pushtues e shkatërrues të gjithçkaje arbërore.
Aferim, moj Shkodra jonë! Kangë e muzikë ke plot, në festa, në dasma e në gëzime, por duhet te mendojmë edhe më shumë se sa çasti kalimtar së Shkodra ështe qytet i lashtë sa Roma, e përtej Romës në histori. Por në Romë, kudo takon historinë e ndërsa në Shkodër kurrkund. Ah, po, në një shenj vendi e takova historinë rakapjekthi e për faqe të zezë, kallamarin e Sulltanëve Evlia Çelebiu në një pllakë me emër rruge që ma neveriti. Më erdhi për te vjellë. Mbylla sytë e nxitova hapin për t'u gjendur sa më larg pisllëqeve të historisë. E mu dhimbsën ata luftëtarë e kalasë se Shkodrës në rrethimin e parë 1468-1479, të rënët me trimeri si vëllezërit Llesh e Nikoll Begani, Arkitekt Donati, Nikoll Gradislavi, 300 djemtë luftëtarë të Drishtit që turqit ua prenë kokat një e nga një rrezë kalasë për tua tronditur qëndresën luftëtarëve mbrojtës shkodranë, si dhe qindra e mijëra luftëtarë të tjerë që qëndruan 10 vjet në rrethim, një histori e lavdishme, unike në Europë, të cilën ne e lëmë në harrim. Historia e Shkodrës është historia e Europës ndaj dhe Perandoria Austriake luftonte aq shumë në mbrojtje të shqiptarëve dhe për krijimin e shtetit shqiptar të pavarur.
Çfarë po ndodh me Shkodrën tonë? Kush po këmbëngul aq paturpësisht, aq egërsisht e aq poshtërsisht që ky qytet të harrojë vetveten?
E lehtë të bësh pyetje, por tepër e vështirë të gjesh gjegje.
Kush pra?




Foto nga Studio Traboini