25 April 2012

🔴 Shpifësi për motrat Qiriazi dhe letrat e Skënder Luarasit - nga K. P. Traboini

Në foto: MOTRAT QIRIAZI    

SHPIFËSI PËR MOTRAT QIRIAZI DHE LETRAT E SKËNDER LUARASIT

Nga K. P.  TRABOINI

“Më dhemb kur hesht- më dhemb edhe kur flas/as vetë s'e di kur më dhemb më shumë”-  Kam një jetë që endem në mes të kësaj alternative të mundimshme eskiliane në gojën e Prometeut. Mesa duket dilemat që nga lashtësia greke e sot e kësaj dite në shoqërinë njerëzore kanë mbetur po ato. Kjo dilema ime jo se nuk kam folur, por se edhe të folurit tashmë është një punë e kotë. Askush nuk do të dijë për të vërtetën. Askush nuk do të dijë  çfarë ka ndodhur. Askush nuk do të dijë se ka patur të djeshme. Askush nuk do të dijë se disa njerëz që ishin komunistët më të devotshëm e më konservativë, që e zhvillonin luftën e klasave edhe kur nuk u kërkohej, sot sikur të ishin kameleonë na janë kthyer në demokratë. Dhe të vjen çudi se sa shpejt e realizuan katarsisin këta ish komunistë fanatikë.
Pas dy dekadash mendoja se shoqëria ka shpëtuar nga sporia e keqe e komunizmit, ka shpëtuar nga fanatikët që për idealet e partisë i bënin varrin shokut e të nxirrnin sytë po t’i bëjë një vërejtje shoqërisë ku lufta e klasave i varroste njerëzit të gjallë.
Po si ndodh që të tillë prototipa, sot mbas dy dekadash të na vlerësohen nga shoqëria demokratike shqiptare bash në atë kohë kur ende nuk janë vlerësuar figura të mëdha të kombit, kur ende nuk janë vlerësuar antikomunistët që u dergjën burgjeve, apo nuk kanë as dhe një dekoratë të vetme të pushkatuarit.
Pikërisht këto ditë na del njoftimi se kanë marrë tituj të lartë nga Presidenti i Republikës katër kineastë. Meqë kam punuar gjashtëmbëdhjetë vjet në Kinostudio, isha i interesuar se kush e për çfarë vlerësohen me tituj të lartë këta katër persona. Disa prej atyre titujve i gjeta me vend, anipse ka edhe emra kineastësh si regjisori i mirënjohur Gëzim Erebara, regjisori i suksesshëm Esat Musliu, veterani i filmit vizatimor Vlash Droboniku, studiuesi i filmit Abaz Hoxha, apo regjisorja e parë e montazhit të filmit shqiptar si Vitori Çeli që vdiq në New York e harruar e pa asnjë njoftim në shtypin shqiptar e ndonjë tjetër që meritonin të ishin në radhët e atyre që vlerësohen, sepse kanë dhënë një kontribut të madh në filmin shqiptar. Natyrisht unë nuk prisja që në këtë listë kaq të ngushtë të gjeja emra sekretarë partish, aq më tepër emrin e nëndrejtorit të Kinostudios i cili ka qenë shquar si një komunist fanatik që e zhvillonte bukur mirë luftën e klasave.
Shumë gjëra kisha menduar, se t’i jepet ky titull ish sekretarit të partisë së punës për Kinostudion, zëvëndësdrejtorit në fjalë, këtë as që e kisha menduar dhe as që mund ta konceptoj. Që ta kuptoni se çfarë në të vërtetë do të thotë për mua emri i personit që sapo ka marrë titullin  “Mjeshtri i madh” do të kujtoj se kam qenë  ndër më aktivët në proçeset demokratike dhe kur formova me disa kolegë të mi organizatën e partisë demokratike për Kinostudion me autorizimin personal të Azem Hajdarit, mbaj mend t’i kem thënë vetes se më së fundi erdhi dita të shembim monopolin e komunistëve  në këtë institucion. Mirëpo pas dy dekadash kur pushtetin e kanë demokratët dhe president është një demokrat, këtij Bozos, që edhe familjarisht është i lidhur me kastat më të larta të nomeklaturës komuniste, i jepet ky titull i lartë me këtë motivacion: “Për kontribut të rëndësishëm si një nga drejtuesit, organizatorët dhe producentët e filmit artistik dhe atij dokumentar në kinematografinë shqiptare”.
Të vjen keq edhe për më tepër se me këtë motivacion, duke shtuar edhe se i ka shërbyer me devotshmëri partisë së punës, ka marrë kush e di sa dekorata ky shok i gardës së komunistëve.
Por unë kam edhe përvojën personale se si ky sekretar e nëndrejtor e zhvillonte me sukses e fanatizëm luftën e klasave dhe vijën e Partisë. Një herë, aty nga fundi i viteve ’70,  sekretari më thërret në zyrën e tij, më kërkon llogari dhe më heq vërejtje se më kish parë në rrugën e Kavajës me një vajzë të deklasuar. Kur u përpoqa të shpjegoja se nuk kisha ndonjë shoqe të deklasuar ma ktheu me seriozitet e disi me paralajmërim: “Pse nuk e dimë ne se kush është mbesa e Rexho Plakut?” E pyeta kush ishte Rexho Plaku e më tha është armik i partisë, çam, komandant i çetës "Çamëria” që ka vdekur në burg si armik i partisë.”
Kështu më sqaroi dhe paralajmëroi sekretari i partisë dhe nëndrejtori Todi Bozo, ani pse unë nuk i zbatova kurrë ato porosi dhe miqësinë familjare me mbesën e “armikut” Rexho Plakut e ruajta gjithmonë. Por dhe kurrë nuk i thashë asaj se njeriu me të cilin jetonte fqinj e konsideronte atë dhe familjen e saj si armiq.
Po se mos ishte rasti i vetëm ku ky komunist i kulluar, me rrënjë e farefis të Bozollarëve deri në Komitetin Qendror, për të cilët mund të lexohet në librin e Agim Mustës "Gjëmat e komunizmit në Shqipëri", mprihte vigjilencën revolucionare i ngujuem në bunkerin e luftës së klasave!?
Pa kaluar shumë kohë më thërret sërish sekretari i Partisë T. Bozo. Shumë serioz e shumë i vrejtur më thotë të ulem. Mesa duket e kishte me nge.  Si më la ca minuta, kinse po merrej me shkresa, u kthye e më tha:
“Pse na e sjell në Kinostudio Zyhdi Moravën?”
Nuk po arrija ta merrja veten. Zyhdiun e kisha njohur vite të shkuara kur isha nxënës në shkollën Pedagogjike dy vjeçare “Ndrec Ndue Gjoka” dhe e kishim ruajtur miqësinë sepse Zyhdiu shkruante dhe kishte pasion letërsinë. Ai nuk priti shumë e me ftohtësi e shikim zhbirues me tha  se e dinte shumë mirë kush ishte Zyhdi Morava,  një ish i burgosur që është nën vëzhgim. Ti nëse do të punosh në Kinostudio – më tha,- nuk mund të shoqërohesh me Zyhdi Moravën, ndryshe do të kesh probleme.
E mbylli bisedën. U detyrova t’i thoja Zyhdiut të mos vinte më në Kinostudio, por të takoheshim diku tjetër. Por kjo nuk qe e nevojshme se nuk shkoi shumë dhe Zyhdi Moravën e arrestuan sërish, e dënuan dhe e dërguan në Spaç.
Por kryebëma e “Mjeshtrit të madh”  Bozo ishte kur i kërkova unë takim e i shkova në zyrë sepse duke qënë ai zëvendësdrejtor kishte në dorë gjithë teknikën. I paraqita kërkesën për një makinë shërbimi në Shkodër sepse kisha në plan për të bërë një film dokumentar për Ded Gjo Lulin. Gjatë kërkimeve kisha arritur tek një dëshmitar që kishte qenë i pranishëm në varrimin e eshtrave të Ded Gjo Lulit që u sollën Oroshi në Shkodër. Luigj Gjuraj, që e kishte shtëpinë në rrugicën ku dikur ka qenë shkolla pedagogjike e vajzave, më kish thënë se ai kishte qenë xhaku (fëmijë që ndihmojnë në procesionet katolike), në rivarrimin e Heroit Ded Gjo Luli dhe e mbante mend  vendin ku qe vendosur, por që nëpër vite i kishin humbur gjurmët. Luigji në moshë të thyer, ishte i gatshëm të shkonte me mua në Shkodër për gjetjen e varrit me kusht që të gjeja një makinë sepse nuk udhëtonte dot me tren apo autobuz.
Për këtë u paraqita tek nëndrejtori Todi Bozo që duke patur edhe detyrën e sekretarit të partisë ishte i plotfuqishëm në Kinostudio. Por Sekretari i partisë më tha se nuk kish makina, nuk kish benzinë, se kishte plot probleme të tjera para Ded Gjo Lulit, me një fjalë nuk kishte ndërmend të më jepte një makinë, kur për qëllime personale ai i përdorte makinat si e ku të donte.
Tani që mikja ime çame, inxhiniere,  jeton emigrante në Greqi;  miku im i rinisë shkrimtari  Zyhdi Morava nuk jeton më, varri me eshtrat e heroit të panjollë Ded Gjo Luli është i humbur njëherë e përgjithmonë, sepse edhe dëshmitari i fundit ka ndërruar jetë, na del një dekret presidencial dhe sekretari i partisë së Kinostudios, që farkëtonte luftën e klasave në një betejë megallomane pa kompromis, që nuk ka krijuar asnjë vepër artistike si krijues, veç si bashkëregjisor i një filmi supermediokër e skematik si “Lugina e pushkatarëve”, njeriu pra që zbatonte planet ekonomike të partisë me një besnikëri fanatike, pasi ka marrë nga diktatura një vandak dekoratash, na shpallet pas 20 vjet demokraci, as më pak e as më shumë por “Mjeshtër i Madh” i këtij vendi.
Para se ta mbyll këtë shkrim për kësisoj vlerësimesh tunduese e irrituese do të desha të pyes: A ka këshilltarë për kulturën ky president? Dhe për ti dhënë fund kësaj historie, pas gjithë këtyre që thamë, a  kam sadopak të drejtë ta deklaroj këtë lloj dekorimi - çmimi i madh turpit?!

Gazeta" Standart" Tiranë 3 prill 2012
http://www.standard.al/index.php/s-speciale/3099-mjeshtri-i-madh-i-turpit




 
Në jehonë të shkrimit "Mjeshtri i madh i turpit "Agjensia INA" Shkup boton një shkrim të Petro Luarasit në të cilën tregon makinacionet e atij që presidenti Bamir Topi ka dekoruar si Mjeshtër i madh, pra Todi Bozon, kundër pronës dhe familjes së atdhetarit të madh Kristo Dako.
Ne po japim një fragment fort interesant:


Në kujtimet e tij Skënder Luarasi ka shkruar: ”Dergjesha në shtrat nga dhimbjet e veshkave dhe poliartriti kur ime shoqe më lajmoi se kishte ardhur të më takonte Ing.Aleksandër Dako, djali i madh i Sevastisë.
(Aleksandër Dako, i biri i Kristos dhe i Sevastisë, i lindur në Manastir më 30 maj 1911, ishte pronar i banesës në rrugën Halim Xhelo, Nr.28, Tiranë, Ajo dikur qe në pronësi të Parashqevisë. Në një banesë tjetër në krah jetonte dhe vajza e tij e vogël , Diana Qiriazi-Hoxha, studente në degën e anglishtes.)
"Kisha vite pa e parë. Dukej shumë i vrarë. Më tha se kur ishte ndarë nga gruaja e dytë, e kishin internuar me pa të drejtë dhe shtëpinë ia kishte zënë një zyrtar me rëndësi.”
Pas vdekjes së gruas së parë, Aleksandër Dako qe martua me N.L. me të cilën nuk shkonin mirë, kinse ajo kërkonte që ai të mos kishte të bënte me fëmijët e gruas së parë dhe arësye të tjera. Por më vonë rezultoi se shkak i prishjes së çiftit Dako qe shantazhi mbi N.L. dhe nënshtrimi i saj nën presionin e Todi Bozos, motrës së tij dhe shoqes së saj V. L., Sekretare e komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor, lagjes 9. e cila më pas u shkarkua për abuzime me detyrën shtetërore.
Më 15 tetor 1975, me akuzat e sajuara të ish- gruas së tij të dytë N.L. Aleksandër Dakon e internuan në Tale të Lezhës. Në janar 1976 në shtëpinë e tij u fut familja e Todi Bozos, e cila pa dijeni të Aleksandrit kishte bërë shtesa banese. Menjëherë pas internimit ai kërkoi verifikimin e çështjes dhe Komisioni Qeveritar ia hoqi masën e dënimit. Kur u kthye në Tiranë më 14.7.]1977, mësoi që shtëpinë ia kishte zënë i plotfuqishmi T.D. i cili me marrëveshje private i kishte dhënë ish-bashkëshortes së Aleksandrit një hyrje tjetër 1+1. Në këto kushte Aleksandri jetoi përkohësisht tek djali i tij Robert Dako, Rr.Tefta Tashko,P.22/1,A.1,Tiranë në pritje për t’iu liruar banesa, (në zbatim edhe të Vendimit gjyqësor të formës përfundimtare (Vendimi 249, 15.2.1978 i gjykatës popullore të rrethit, Tiranë)
Në vendim shkruhej: ‘’ Rezultoi e provuar se paditësi efektivisht është pa banesë… Në të tilla rrethana vetkuptohet se paditësi Aleksandër Dako ka të drejtë të shkojë në pronën e tij dhe Vendosi: ‘’Detyrimine të paditurit Todi Bozo të lirojë banesën që ka në përdorim pasi t’i sigurohet një sipërfaqe tjetër banimi. Edhe kur iu dërgua vendimi i gjykatës, nënpunësit të strehimit të Komitetit Ekzekutiv, Tiranë me një letër rekomandimi, ai nuk po e zbatonte.
Në kundërshtim flagrant me Kushtetutën dhe me ligjet e shtetit mbi pronësinë, poseduesi nuk e lironte banesën me pretekst që ‘’kishte shpenzuar’’, duke bërë modifikime, një banjë dhe shtesa të tjera në oborr, pa dijeninë e pronarit. 
 
 
 SKËNDER LUARASI, LETËR HYSNI KAPOS,
Tiranë, 15 qershor 1979:
 
Skënder Luarasi kujton se për seriozitetin e çështjes iu drejtua Hysni Kapos ish-nxënësi i tij në Institutin Tregëtar të Vlorës më 1932. Në letër shkruhet:
”Duke përgatitur biografinë e motrave Parashqevi dhe Sevasti Qiriasi, kujtova përkrahjen që i dha e nderuara shoqe Vito Kapo Parashqevisë të ngrihej nga gjendja e mjerë në të cilën njerëz të pandërgjegjshëm e kishin rrëzuar këtë heroinë të arsimit kombëtar.
Me këtë rast u njoha me birin e Sevasti Qirias-Dakos, Aleksandër Dakon, birin e patriotit Kristo Dako, dhe mora vesh se në ç’gjendje të mjerë e kanë rrëzuar edhe këtë bir patrioti. Duke dashur të shpreh të mirëfilltën në këtë biografi, u interesova për shkakun e fatkeqësisë së tij. Si qytetar shqiptar u trondita kur pashë se në Republikën Socialiste tonën paska akoma njerës që për të kënaqur lakmitë e tyre, nuk e quajnë për gjë të keqe t’i çkatërrojnë jetën një familje.
Aleksandër Dako më dorëzoi përshkrimin si i ndodhi fatkeqësia dhe unë marr guximin që përshkrimin t’jua dërgoj juve tok me këtë letër.
Përveç zemërimit që ndjej si qytetar për një padrejtësi të tillë, unë kam arësye të veçantë të interesohem për hallin e familjes Qirias- Dako: në këtë shtëpi mblodha materialin për biografinë në fjalë, dhe këtu dëgjova prej gojës së Parashqevisë fjalët mirënjohëse për ndihmën që i dha shoqja Vito Kapo së ndjerës Parashqevi të ngrejë jetën e lumtur në atë shtëpi...Ju jam drejtuar juve me këtë letër, se jam i bindur që nuk do të lejoni kënd të përçmojë Kushtetutën e Republikës Socialiste të Shqipërisë.” 
  

Skënder Luarasi shkruan në kujtimet e tij: ”Ndërkohë që prisja ndonjë përgjigje apo rezultat më zemëroi shumë një ngjarje tjetër.
Natasha Lako, bashkëpunëtore në Kinostudio, më kishte kërkuar dhe unë i dhashë ndihmën time për gatitjen e filmit ‘’Mësonjëtorja’’ me skenar rreth shkollës së parë shqipe për vajzat në Korçë, e themeluar më 1891 nga Sevasti e Parashqevi Qiriazi dhe gjithashtu ndihmova që të nderohen motrat Qiriazi me rastin e 35- vjetorit të çlirimit. Kur u interesova për mbarëvajtjen e xhirimeve të Kinostudios më thanë se dikush kishte ndikuar që emrat e dy motrave të zëvendësoheshin me pseudonime. Kësaj i thonë të falsifikosh historinë. Dhe këtë presion e paskish bërë vetë Todi Bozo.
Një ditë mësova se Hysni Kapo, i sëmurë, kishte lënë porosi të shikohej kjo çështje por Todi Bozo për shkak të postit të lartë dhe miqve nuk donte ta lironte shtëpinë. Madje më kishte çuar fjalë që ta lija këtë çështje mënjanë për hir të dhëndrit tim Vedatit që ai e kishte farefis. Kur shkova ta takoj, ai ishte ‘’i zënë‘’. Ndaj i shkrova një letër.


 
LETËR TODI BOZOS
Tiranë, 26 gusht 1979
 
I nderuari zoti Todi Bozo,

Mbasi nuk më pranuat në një bisedë shoqërore sy në sy, Ju dërgoj këtë letër që të rrëfenj përse kam dashur të piqem me zotërinë tuaj. Kam njohur personalisht Tafil Buletinin për të cilin jam duke përgatitur një broshurë. I përdëllyeri ndër të tjera më pati folur për miqësinë e tij me të ndjerin Llazo Bozo dhe desha që miqt e tij të jenë edhe të mitë.
Qysh prej fëminisë sime pata njohur motrat Qiriazi, mësueset e motrës sime Thomaidhë, dhe qenë këto që nëpërmjet sime motre më mësuan të lexoj e të shkruaj gjuhën amtare shqipe. Për këtë arësye kam qenë mirënjohës ndaj atyre dhe do të jem kështu gjer në çastin kur t’i them lamtumirën e fundit atdheut tim të dashur. Nga simpathia që ruaj për Sevasti Qiriazi-Dakon dhe të motrën Parashqevinë, por edhe që të mos më përgënjeshtrohen fjalët e mira të Tafil Buletinit për babanë tuaj, po ju drejtoj këtë letër. Dhe shpresoj të merremi vesh urtë rreth dy çështjeve për të cilat bëhet fjalë:
Së pari : Natasha Lako, bashkëpunëtore në Kinostudio kërkoi dhe unë i dhashë ndihmën time për gatitjen e filmit rreth shkollës së parë shqipe për vajzat në Korçë më 1891. Materialin e përmbledhur po jua dërgoj bashkëngjitur. Ndihmova që të nderohen motrat Qiriazi me rastin e 35-vjetorit të çlirimit. Të Kinostudios më thanë se keni ndikuar që emrat e dy motrave të zëvendësohen me pseudonime. Kësaj i thonë të falsifikosh historinë. Lexoni në ‘’Zëri i popullit’’ artikullin e soçëm ‘’Vërtetësia të përshkojë si fill i kuq çdo paraqitje të fakteve historike’’, nga Shefqet Peçi.
Së dyti: Me manipulacione të pahishme keni bërë që biri i Sevasti Qiriazi-Dakos të nxirej nga shtëpia dhe fare pa të keq u shtrove vetë në atë vatër. Gjyqi që e kuptoi sjelljen e pahijshme tuajën i dha të drejtën familjes Dako të kthehet në banesën e vet. Porse ju nuk i bindeni vendimit, nuk doni të shkoni në apartamentin shtetëror që kishit më parë.
Në vilën Qiriazi-Dako vija shpesh të përshëndetja mësuesen e lavdishme Parashqevi Qiriazi për t’ iu falë nderjes për arsimin që bashkë me Sevastinë u dha motrave tona në kohën e tiranisë otomane, kur jo në shkollë por edhe në letërkëmbim ishte rreptësisht e ndaluar të përdoreshin shkronjat shqipe.
Mora guximin t’ju shkruaj këtë letër sepse duhet ta mbrojmë të drejtën e të vërtetën edhe sikur të ndeshemi me personalitete të plotfuqishëm; por juve jua shkruaj edhe për një shkak tjetër. Pozita që mbani dhe prejardhja patriotike - që na ndalon të nxjerrim në Pazar emrat e prindërve tanë të ndritur edhe për gjithë atë llom të dheut që aq fort e lakmon borgjezia - na detyrojnë jo ta shkelni por ta mbroni ligjshmërinë në Republikën Popullore Socialiste të Shqipërisë.
Për këto arsye jam i bindur që do ta pranoni, dhe do më përkrahni propozimin që kam dashur t’ju bëja po të më kishit pritur në bisedë shoqërore: së pari, filmit ti vihen emrat e plotë, të vërtetë, të heroinave Sevasti e Parashqevi Qiriazi;
së dyti: t’ia ktheni të zotit shtëpinë dhe unë mendoj se ajo ndërtesë të caktohet shkollë ose muze për nder të mësueseve të para të shkollës së vajzave
 
Me përfillje të merituara
Skënder Luarasi.
Rruga Konferenca e Pezës, Pallati V, Shkalla1/3, Tiranë
 
 
 
 SKËNDER LUARASI LETËR VITO KAPOS,  
Tiranë, 1 shtator 1979
 
Kur dëgjoi se Hysni Kapo ishte i sëmurë rëndë dhe përsëri Todi Bozo rrefuzoi të largohej nga shtëpia, S.Luarasi iu drejtua Vito Kapos, si Presidente e Bashkimit të Grave Shqiptare:
“Personalisht, Ju dhe Nefo Myftiu, e shpëtuat Parashqevi Qiriazin nga mjerimi ku e patën shpënë njerës zemërzes. Kur e vizitoja Parashqevinë, më shumë se një herë më shprehu mirënjohjen për gruan e re shqiptare, për të cilën Ju po përpiqeni ta ngrini lart e më lart në shoqërinë tonë socialiste.
Jua shkruaj këtë letër Juve, e nderuara shoqja Vito Kapo, nga respekti që kam për punën tuaj në qytetërimin e familjes shqiptare e në mbrojtjen e të drejtave të saj.
Bashkëngjitur postoj një artikull ku shpreh atë që di unë për Sevasti Qiriasi- Dakon dhe një letër tjetër ku rrëfej çështjen që desha të zgjidh në mënyrë shoqërore me Todi Bozon.
Duke qenë se Todi Bozo s’begenisi të më dëgjonte, Ju a dërgoj Juve, si kryetare e Bashkimit të Grave të Shqipërisë, që t’ia qani hallin familjes së Sevastisë dhe të propozoj që (pasi Todi Bozo të zbrazë shtëpinë e përvetësuar) ajo ndërtesë, ku ka vdekur Parashqevi Qiriazi, të çelet me rastin e 35-vjetorit të çlirimit muze ose shkollë për nder të mësueseve të para të shkollës së vajzave.” 
 

Historia e shantazhit të Todi Bozos ndaj gruas së Aleksandër Dakos dhe përvetësimi i shtëpisë së familjes Qiriazi u përhap dhe bëri bujë. Sekretarja e komitetit Ekzekutiv të Këshillit Popullor, lagjes 9. me iniciale V. L., e cila kishte manipuliar me dokumentat u shkarkua nga puna për abuzim me detyrën shtetërore dhe Todi Bozo u detyrua ta lirojë banesen. Drejtesia u vu ne vend dhe Aleksandër Dako me familjen e mbylli jetën në vatrën e të parëve duke kujtuar me respekt mirësinë e mikut të vërtetë Skënder Petro Luarasi.
 
Ky shkrim bazohet tek libri i pabotuar i Skënder P. Luarasit, “Ç'kam parë e ç’kam dëgjuar- kujtime” dhe nuk duhet të riprodhohet në asnjë formë pa përmendur burimin.