25 March 2014

🟣 Kur shpresa s’është veçse një kurvë - nga K. P. Traboini


KUR SHPRESE S'ËSHTË VEÇSE NJË KURVË

Në përpjekje për të spjeguar çfarë është shpresa në këtë Zulullandin tonë Konician, ku shumëkush vuan e vajton e ndërkohë 700 dreqen hedhin valle.

 
Nga K. P. TRABOINI

Qytetarët shqiptarë në përditshmëri dëgjojnë lajme që ua shkallojnë trurin. Lajme që të krijojnë sindromën e njerëzve që jetojnë jo në Europë, por nëpër fiset e xhunglave të Afrikës ku ca janë me fatin e luanit e të tjerët të presë, të viktimës së përjetshme. Kësisoj ata që kanë arritur të zënë një vend në bazë të lidhjeve fisnore, klanore, politike, tarafit e interesave mafioze ndjehen të plotfuqishëm, ndërkohë që të tjerët në fat të zi e me shpresë të vdekur sa  nuk u mbetet tjetër; o ikja nga sytë këmbët prej këtij vendi të vetmallkuar ose të bëjnë vetvrasje si i vetmi shpëtim i sigurt prej kësaj katrahure ku kurrkush nuk e ka sigurinë e të nesërmes. Rrugë tjetër nuk ka në këtë trishtim shqiptar.
Edhe shpresa se ndërrimi i qeverisjes do të lëvizte ujin e qelbur në pushtet e administratë, sa vjen e po flashket sepse sikush po mendon të rregullojë të vetët, pra familjen, rrethin, fisin. Lexova një shkrim dhe m’u nxinë sytë, të gjithë fëmijët e deputetëve të dy krahëve të politikës, pozitë e opozitë  ishin punësuar e me rroga të majme, të gjithë vëllëzerit e motrat e deputetëve, ministrave, funksionarëve të lartë janë të punësuar në vendet më të mira. Ndërkohë ata që për 8 vjet i mbajti qeveria e shkuar në papunësi ani pse të kualifikuar, vazhdojnë të jenë po ashtu të papunë, sepse edhe kur bëhet ndonjë konkurs, gjejnë një shkak a sajojnë një të tillë, që të vendoset ai që duan, ai për të cilin kanë bërë kompromis pas kuintave të dy palët,  ata që kanë qënë e mbeten zotër të këtij vendi pavarësisht rotacionit të pushtetit. Kaq shumë është konsoliduar mendimi se pushtetet ndërrohen, por ne të tarafit e miqësive jemi po këta, se armiq jemi në foltore të parlamentit, por në interesa jemi aleatë, sa nuk jam çuditur aspak kur pasi e shkarkuan drejtoreshën e Arkivit të Shtetit (e njohur kjo si pjesë e strukturës politike që populli me verdiktin e vet e rrëzoi), doli në median vizive ku denoncoi me ashpërsi shkarkimin e saj e foli kundër qeverisë së sapozgjedhur. Dhe e dini çfarë ndodhi? Në pseudokonkursin që u zhvillua për administratën e Parlamentit, në sektorin shtypit, doli fituese pa konkurim, pra u emërua, pikërisht ish-drejtoresha  e Arkivit të Shtetit. Tashmë ajo nuk del në TV të kritikojë qeverinë.
Nderkohë ata që votuan për rotacionin dhe shpresën, hanë veten me dhëmbë tek vazhdojnë të rrinë të papunë e pa asnjë të ardhur, shohin gjithashtu, për ironi të kohës mizore ku i ka sjellë rasti të jetojnë, që të emërohen nëpër funksione e zyra po ata që deri më dje bënin ligjin e Maliqin.
Këta që sot kanë shumicën mesa duket kanë menduar se më mirë t’i japin vendin e t’i mbyllin gojën sesa ta lënë të flasë e të prish punë në Media në mënyrë të përnatshme. Mbase me kësisoj zgjidhjesh e kanë mirë për veten e tyre politikanët në pushtet, larg sherrit,  por për ata që me votën e vet i sollën në pushtet kurrsesi  jo.  Kemi parasysh efektin domino që vjen prej shëmbujve të tillë që nuk ikin pa lënë gjurmë tek njerëzit.  Ka një të vërtetë publike tashmë, kudo ka nisur të shfaqet zhgënjimi.
Ata që votuan për rotacionin, që pritën me shpresë, vazhdojnë të jenë kontigjenti i të dënuarve të përjetshëm. Dhe nuk ka asnjë garanci që kjo masë njerëzish që përbëjnë qindra e mijëra të jenë edhe më tej besnikë të verbër të shpresës së thyer. Partitë nuk duhet të mendojnë se njerëzit janë budallenj dhe se votojnë për sytë e bukur të ndonjë politikani a ndonjë deputeti,  që mjerisht vazhdojnë të zgjidhen me listë si në kohën e diktaturës. Asnjë ndryshim nuk ka. Jetojmë në një demokraci të dhunuar që ta kufizon lirinë e zgjedhjes.
Ndaj dhe shumë zhurmë për asgjë e demostrime minore që bëhen nga opozita se gjoja na i kanë pushuar nga puna itharët tanë partiakë nuk është se ka ndonjë të vërtetë shqetësuese. Madje edhe kur mund të pushohet nga puna ndonjë për shkelje apo paaftësi, ai merr menjëherë pozën e opozitarit dhe del e bën zhurmë, duke harruar se janë mijëra të tjerë të papunë anipse të kualifikuar që as nuk guxonin të protestonin në 8 vjet pushtet arbitrar e të dhunshëm. Kjo kategori të privilegjuarish që edhe zhvatën sa mundën në këto vite,  as duan t’ia dinë se edhe ata, të tjerët pra, duhet të punojnë, duhet të  jetojnë. Por kjo kohë me paradokse ka nxjerrë edhe një praktikë të re. Atyre që u ka kaluar mandati në një funksion dhe ka ardhur koha të lëvizin dalin me bujë në media e thonë nuk ikim. Këta edhe sfidojnë shtetin siç bën një zonjë që pa asnjë meritë(veç si veprimtare politike) ka vite që drejton një institucion rregullator të medias vizive dhe kur mandati i ka përfunduar ligjërisht, deklaron se nuk e lëshon vendin për një tjetër. Tani na del edhe një gjeneral që na përfaqësonte në NATO dhe thotë se anipse me mandat të tejkaluar, nuk e lë vendin që kam dhe nuk i zbatoj urdhërat e ministres apo shefit të Shtabit të Ushtrisë. Çfarë po ndodh në këtë vend që na janë bërë nënpunësit e shtetit  nga shërbyes të tij në padronë e uzurpatorë të funksioneve të larta, sikur të ishin senatorë të përjetshëm të kolltukëve. Po nuk kanë faj se kur shohin se një kryetar partie mbetet i tillë me vite pa iu dridhur qerpiku(aty rri kryetar se mirë je, muri lu e burri s’lu), krijohet lehtësisht mendësia e të përhershmit e të përjetshmit, psikologjia e të fortit, pra e xhunglës. Ndaj kur i thonë të lërë detyrën sepse për këtë është emëruar një tjetër, bëjnë të çuditurin....e ndoshta kanë të drejtë.
Si more të ikin...Çfarë është kjo pyetje marroke në Shqipëri. Ku ka shqiptar që ikën nga posti. E shoh se shoqëria shqiptare shumë shpejt e paska harruar Namik Fadile Hotin, të ndjerin, që duke tipizuar shqiptarin e politikës dhe kolltukëve, thoshte "pa i ra plumbi në lule të ballit nuk rrëzohet Bali nga kali"...
Prandaj gjenerali i NATOS, ajo zonja e kryetare e AMA-s profesore e asociuar, një titull ky që një Zot e di ku e ka marrë, ai ambasadori i klanit familjar politik, ai Avokati gjoja i Popullit(pif-puf) që bën politikë financiare korruptive për  italianen e vet, ai tjetri më tej, ambasadori që ende e quan vetën poet, që ka pasuri pafund të padeklaruara(ku i mori, nga dolën, si u vunë?) e plot matrahulë të tjerë në këtë vend të rrinë aty ku janë.  Aty të rrinë edhe të tjerët, fshatarë, krahinarë, kushërinj, farefis, ish të dënuar për drogë në Itali e funksionarë në Shqipëri, mafiozë të gjithçfarë soji, të gjithë që i ka vënë regjimi taliban shkuar ose dinë të ndrrojnë lëkurë e të infiltrojnë në regjimin e ri,  sepse or miq, kush më mirë se ofiqari i qeverive (as mos pyet çfarë ngjyre kanë)  e di atë  këngën me të hipur e të pazbritur : “ato maja rripa rripa, një herë ma hipe e një herë ta hipa, por kur ta hipa më s'ta zbrita....”
Prandaj edhe sot e kësaj dite hyjmë e dalim nëpër zyra e shohim të njëjtët fytyra si kurva te vjetra.
Me pak makiazh pink e blu sigurisht.