NË
KËRKIM TË NJË BASHKIMI KOMBËTAR
Nga
ARISTIDH P. KOLA
Dhe
kush mund t’ua tregojë këtë rrugë? Kush ka detyrë dhe obligim, por dhe
mundësinë për t’u treguar rrugën e shumdëshiruar? Ja një pyetje që u vihet sot
intelektualëve, si atyre që ndodhen brenda dhe jashtë Shqipërisë. Është ndoshta e
hidhur të konstatoj se në shekujt e kaluar, intelektualë të lavdishëm me
origjinë shqiptare, jo vetëm që nuk luftuan për t’i treguar rrugën e bashkimit
këtij populli tragjik, por bënë çmos për të ndarë nga kombi pozitën e tyre.
Shumë fshihnin edhe origjinën e tyre….
Intelektualët
e rinj, nuk mund të kenë të njëjtën pikpamje, sepse janë të ndërgjegjësuar për problemin
dhe mendojnë se do t’i japin shpejt a vonë llogari historisë që nuk
korruptohet, që mban pendë për të shkruar.
Nëpërmjet
njohurisë së historisë së vërtetë dhe parahistorisë së popullit dhe të shkaqeve
që e kanë çuar në fatin e keq të sotëm, do të fillojë të lëshojë filiza vizioni
dhe shpresa për të ardhmen e tij. Por historia e popullit shqiptar akoma nuk është
e shkruar. Akoma mbeten të panjohura shumë shkaqe dhe shumë prirje tendencione,
nga të cilat disa konsiderohen të justifikuara, të tjera të pajustifikuara,
megjithë që unë personalisht nuk
pranoj as edhe një justifikim në fshehjen ose shtrembërimin e historisë. Si
arritjet, si dështimet janë të dobishme si pjesë didaktike të historisë së një
populli.
Nga
njohja e thellë e historisë së vërtetë do të ndërgjegjësohej populli jo vetëm për
virtytet e tij, por kryesisht për të metat e tij dhe do të gjejë mënyrën t’i
kapërcejë të metat dhe të kultivojë virtytet. Dhe ky obligim ndodhet kryesisht
në supet e intelektualëve. Në mënyrë e veçantë, intelektualët e diasporës edhe
pse ndodhen larg atdheut të tyre, kanë avantazhin të shohin çka ndodh atje me
qartësi mendore më të madhe dhe më objektivisht, prej përvojës që kanë nga kontakti
me popujt e tjerë për zgjidhjen e problemeve kombëtare të rëndësishme.
Detyrë
të rëndësishme për intelektualët e diasporës do të konsideroja kultivimin
adekuat të ndërgjegjësimit dhe përqëndrimin në gjetjen e lidhjes së hallkave të
humbura të zinxhirit kombëtar.
Çfarë
duhet kuptuar me këtë?
Për
sa u përket atyre që janë brenda Shqipërisë, intelektualë, artistë dhe në
përgjithësi njerëzit e mendjes dhe të artit, kuptohet se ata kanë peshën më të
madhe. Periudhat e kryengritjeve, e ndërrimeve me dhunë të sistemit ose dhe të ndërrimeve
të thjeshta në strukturat sociale ekonomike të një shteti, mbartin një rrezik
që nuk duket menjëherë. Brenda një nate, një jave ose një viti, mund të
përmbysen dhe të rrëzohen vlera shekujsh me ndërgjegje ose pa ndërgjegje.
Populli
shqiptar me “kokfortësinë” që e karakterizon konservatorizmi, arriti të ruajë
vlera ideale dhe modele kulturore nëpër shekuj. Besa, sedra, krenaria,
drejtësia, sensibiliteti gjithashtu dhe shumllojshmëria e madhe e formave të
artit popullor dhe të kulturës, rrezikohen të rrafshohen brenda një minimumi
kohe.
Shqipëria
del nga një periudhë e gjatë izolimi dhe e lirive të kufizuara, në një botë ku
mbisundon gjuetia e pasurimit të lehtë dhe e lavdisë së lehtë.
Ndjen se ka aftësi të futet në këtë lojë, ku nuk ekzistojnë ligje, rregulla
humanizmi dhe sensibiliteti si dikur në kohërat e shkuara.
Shqiptari
i sotëm nuk ka mundësi kohore, as edhe luksin të adaptojë këtë gjueti me masat tradicionale,
përkundrazi rrezikon të adaptohet, gjë që u duk në mjaft raste tek refugjatët e
viteve të fundit.
Ky
“karakteri i ri” i refugjatëve do të transferohet sigurisht dhe në Shqipëri,
siç përhapet një sëmundje epidemike. Kush do t’i konstatojë këto rreziqe dhe si
do të bindet populli t’i verë frerin kësaj të tatëpjete të rrezikshme që
kërcënon të shndërrojë shqiptarin në një ujk të uritur për bashkëqytetarin dhe
bashkëpatriotin e tij?
Nga
ana tjetër, kjo liri e befasishme mbas gjysmë shekulli primitivimi dhe izolimi
nga modernizimet kulturore dhe artistike, e ka shndërruar zemrën e tij në një arë
të etur që është gati të pranojë jo vetëm shiun e pastër dobiprurës, por edhe
çdo lloj ujërash të qelbura.
Me
një predispozitë të tillë psikologjike si mund të rezistojë ndaj “imperializmit
kulturor” që ndodhet në kulmin e tij? Si mund të rezistojë ndaj shndërrimit të
tij kulturor në rast se artistët dhe intelektualët e mëdhenj shqiptarë, vetëm
konstatojnë rreziqet, pa sugjeruar masa efikase? Frymëzimet e tyre duhet t’i
marrin nga burimi shumë i pasur dhe i pashfrytëzuar gjer më sot i artit dhe
historisë së popullit të vet.
Kultivimi
i një trungu kombëtar kulturor është i domosdoshëm dhe i nevojshëm, njësoj i
barasvleshëm me forcimin ushtarak të mbrojtjes së një kombi, të një populli sot
e përherë. Popujt që humbën identitetin e tyre kulturor shpejt u zhdukën. Tek
shumë intelektualë dhe artistë që kanë ardhur si emigrantë në Greqi, e kam
konstatuar këtë
rrezik dhe u them se nuk më intereson në qoftë se kanë aftësinë të këndojnë
bukur si
Michael Jackson ose të lozin veglat muzikore si Louis Armstrong, ose Pablo
Casals, ose të pikturojnë si Picasso apo Dali, por duhet të jenë të aftë të
krijojnë vepra që të kenë personalitetin dhe identitetin shqiptar.
Nuk
më intereson të kenë aftësinë e mimetismit, por aftësinë e krijimtarisë me
kuptimin e termit të vjetër grek: krijimtari, krijoj, krijues.
Rrjedhimisht
krijues është ai që bën një vepër që frymëzohet nga populli i tij dhe i
drejtohet popullit të tij.
Në
qoftë se kjo vepër është me të vërtetë e madhe do të ketë dhe rrezatim botëror.
Ata që nisen anasjelltas, d.m.th me synimin të bëjnë vepra botërore, duke mos
shikuar popullin e tyre kanë simptoma patologjike të një personaliteti të
turbulluar.
Gjithë
këto sigurisht “Ia them nuses që t’i dëgjojë vjehrra”. Dhe në këtë rast
“vjehrra” është udhëheqja politike e Shqipërisë që i uroj të mos ketë “vesh të
rëndë”.
“Aristidh
Kola” f.9 -13, nga Kolec Traboini / ISBN 978-9928-04-200-2 Pantheon Books/
Emal 2014
Nga libri "Aristidh Kola"
2014, që nuk gjendet në shitje në asnjë librari për shkak të politikës antikombëtare
të ministrisë aktuale të kulturës. Kush e dëshiron këtë libër mund ti shkruaj
autorit në këtë e-mail adresë: traboini@yahoo.com