Atdheu dhe Kombi - çështje madhore që nuk ndan por bashkon
Nga KOLEC TRABOINI
Kapur pas titullit e jo prej përmbajtjes shumë shqiptarë mysliman janë pozicionuar
ashpër ndaj shkrimeve të mia por duke prekur dhe personalitetin tim, mirëpo
ideja dhe thelbi i shkrimit tim ishte se pa Gjergj Kastriotin nuk mund të
kishte e Shqipëri e as shqiptarë. Këtë të vërtetë unë e kam nxjerre nga
historia dhe nuk është amplifikim i ideve apo platformave të ndokujt tjetër,
apo agjende politike platformash qëllimkëqija, prandaj me duket ai acarim që e kalon
etiken krejt pa ndonjë bazë morale dhe i paarsyeshëm. Shkrimi im në atë rast,
por edhe tërë shkrimet e mija në fushë të gazetarisë nuk janë të pozicionuara kurrë
fetarisht, nuk kanë të bëjnë me fe dhe trajtojnë vetëm probleme në interes të popullit
dhe kombit shqiptar. Sepse këtu, more vëllezër shqiptarë, edhe në rastin e
incidentit me mbulimin e shtatores së Gjergj Kastriotit, nuk është punë feje po
punë kombi. Një grup ekstremistësh islamikë përpiqet të manipuloje shqiptarët
myslimanë, nëse këtë ju nuk e kuptoni sot, do bini viktimë e tyre herët a vonë.
Luftoj me këta ekstremistë ka 20 vjet. Ky është thelbi i shkrimeve të mia,
të shpëtojmë njerëzit nga influenca e nga manipulimet radikale. Ju që shani nëpër
forumet sociale jeni të falur, por e vërteta nuk mbulohet me shoshë, doni apo
nuk doni ju, dua apo nuk dua unë. Kush ndjehet shqiptar pavarësisht nga feja,
duhet ti dalë zot Kombit dhe At Themeluesit të tij Gjergj Kastrioti. E kjo për
të gjithë qëndron njësoj. Askush nuk ka pse të mendojë se e do Atdheun më shumë
se tjetri.
Gjithsesi qoftë, tek qëndrimi ndaj Gjergj Kastriotit ndahen rrugët,
atdhetarët nga tradhtarët e bukëshkalët, shqiptarët nga bacil mbetjet e turko-osmanëve
apo dhe armiqve historikë, kushdo qofshin. Të tjerat i dini vetë. Mjafton ti
shihni e ti ndiqni ngjarjet me qetësi dhe kthjelltësi, dhe patjetër me dashuri
për këtë vend e për këtë popull.
Po ju sjell një shkrim timin të shkurtër (si shkrim brenda shkrimit) publikuar
20 vjet me parë kur nisa polemikat me disa studentë ekstremistë që po përgatiteshin
në universitetet e lindjes me një program të qartë për radikalizmin e shqiptarëve
myslimanë të Shqipërisë dhe ndezjen e një konflikti fetar që edhe sot e kësaj
dite është në agjendën e tyre me qellim krijimin e një shteti Neo-Osman në
principet e Kalifatit Islamik.
* * *
Në raport me kombin, feja është një çështje e disi më e vogël,
personale, e një njeriu në të drejtën e lirinë e tij themelore për besim, por atdhedashuria
është një çështje madhore e miliona njerëzve. Mund te them vetëm kaq, se
ju student në Universitetin Islamik në
Kuala Lumpur të Majlazisë, O. J., shfaqni një urrejtje e mllef kundër kristianizmit
dhe veçmas katolicizmit sa unë nuk kam dalluar tek asnjë shqiptar tjetër
me fe myslimane apo fe tjetër. Kundërpërgjigja që ti i jep zotit Ardian
Vehbiut, në tërësi, zbulon patosin tënd të jashtëzakonshëm për pushtuesit
turko-osman të Shqipërisë, që e përdori fenë islame si një mjet për të
shkombëtarizuar shqiptarët. Në të vërtete, pavarësisht konvertimit ku me dhunë
e ku me privilegje, nuk ja arriti, por ndikoi në vonesën historike për
shkëputjen nga Turqia.
Këtu gjen kontekst historik shprehja poetike e Pashko Vas Shkodranit ”Feja
e shqiptarit është shqiptaria”, që në të
vërtetë është një lajtmotiv atdhetar dhe jo ateist. Ju kot e pa baza e sulmoni
edhe atë. Misionarët e fundamentalizmit
islamik nga viti 1992-1997 u përpoqën, me para, me fondacione gjoja bamirëse,
dhe me të gjitha mënyrat ta kthenin Shqipërinë në një shtet avangardë të Islamizmit
radikal në Evropë dhe ndër ato bij shqiptarësh (në qoftë se e ndjeni veten të
tillë), që ranë viktime e këtij revanshi oriental, jeni edhe ju. E kuptoj që të
vjen ndoshta hidhur kur i dëgjon këto fjalë por dije se nisem nga asnjë faktor tjetër
veç dhimbjes se ty në këtë rrugë që ke nisur, do të zbehen cilësitë si
shqiptar.
A nuk e pyet veten pse ke kaq mllef ndaj Skënderbeut?
“Shpirti islamik i shqiptarit - sipas teje,- me tu bërë Shqipëria e pavarur,
i liroi vendin të afërmeve të Vatikanit e Athinës... sepse Stambolli kish
vdekur”. Tani të pyes hapur, pse e jeton ti që ke lindur tepër vonë ketë
"dramë historike". Këtë dramë e kanë përjetuar para teje ca si Haxhi
Qamili e Musa Qazimi, të cilët rrëmbyen pushkët, ngritën flamurin e Turqisë dhe
bënë kryengritje, e tek hiqnin zvarrë atdhetarët shqiptarë, thërrisnin si të
çakërdisur “Dum Babën!”, domethënë babë Sulltanin
e Stambollit. Të jetosh si dramë çlirimin nga pushtuesi vetëm për faktin se me atë
të lidh feja, do të thotë se të janë fashitur e shuar ndjenjat kombëtare dhe e
ke zëvendësuar me diçka tjetër. Raporti me Atdheun është guri i provës për çdo
atdhetar të vërtetë. Ti mos pandeh se në Greqi nuk kishte mysliman në
revolucionin e 1821. Edhe sot po të shkosh në Athinë do të gjesh grekë me mbiemër
turk, por janë kreshtanë. Në Athinë ku kam jetuar pesë vjet, kam parë marketin me
emrin Alizoti, kishte familje Haxhi, Vrioni, Karahasani e soj-soj. Ajo që
ndodhi pas 1821 ishte se populli masivisht e braktisi fenë që erdhi bashkë me
pushtuesin, gjë që populli ynë nuk e bëri. Është mirë apo keq kjo që ndodhi me
ne, do ta kuptosh nga qëndrimi i Europës ndaj vendeve Islamike.
E për të gjykuar dhe arritur tek e vërteta mos u nis nga ato që thonë
diplomacitë, por nga ato që bëjnë shtetet perditë. Europa ka qenë e mbetet tepër
konservatore. Ju duhet ta dini çfarë ka thënë para pak kohësh Helmut Kohl: “Turqia
myslimane nuk ka vend në Evropën kristiane” ( është fjala për Bashkimin Evropian),
lexo gazetën "Bota Sot", Zvicër 1997.
Nuk e kuptoj edhe urrejtjen e jashtëzakonshme që shfaqni ndaj Kadaresë
sikur ky qenka “spiun”( fjalët e tua). Thelbi i kësaj urrejtje, me sa kuptoj, qëndron
në një propozim miqësor që Kadare ka bërë dy vite më parë që, ne si komb, ndër
kombet kristiane më të para në Evropë (në Durrës ka ardhur vetë Apostulli Shën
Pali), pra ti kthehemi origjinës në fenë që kemi pasur. Ky nuk ishte propozim
për tjetërsim por kthim i natyrshëm e i vullnetshëm tek vetvetja, ashtu siç e
kishim para se të na pushtonin turko-osmanët. Pas kësaj Kadareja u sulmua rreptë
nga mjaft fanatikë, sa ky u detyrua të mbrapsej nga ideja vet dhe të deklaronte
në panik në një takim me shqiptarët kosovarë në Gjermani të cilët e akuzuan si
anti islamik, se “edhe unë jam mysliman”.
Krejt e pakuptimtë kjo deklaratë. Asnjë shkrimtar në botë nuk del të deklarojë
besimin në publik sepse besimi është një çështje krejt vetjake. Në qershor 1995
kam botuar në gazetën “Egnatia” shkrimin satirik për gazetarin Mefail Maliqi që deklaratën e Ismail Kadaresë e
konsideronte si një fitore islamike (lexo: e pjesës radikale), kur Kadare para
së gjithash është një shqiptar e nuk i takon një pjese të popullsisë me besim
fetar, por gjithë popullit të vet. Shkrimi im mban titullin “Gazetari Mefail
Maliqi i bie fyellit në një vrimë”, por ti edhe pas kësaj deklarate të vonë e sulmon
Kadarenë. Mos vallë edhe sulmi yt është në vorbullën e fanatizmit që e ndan popullin pjesë-pjesë?
Pyet veten me qetësi dhe përpiqu të jesh më shumë shqiptar se sa fetar, sepse
atdheu të lind, besimin e fiton por edhe mund ta humbësh nëse besimi të tronditet.
Kur vdes njeriu në tokën e atdheut i pushojnë eshtrat përjetë.
Atdheu është mbi çdo gjë, mbi priftërinjtë e hoxhallarët. Besimi është një çështje
vetjake e brendshme e një njeriu që nuk lind nevoja të demonstrohet.
Atdheu dhe Kombi janë një çështje madhore e miliona njerëzve
në një kauzë të përbashkët që nuk ndan por bashkon.
* * *
Kjo ishte për atëherë, shkruar e publikuar plot njëzet vjet më parë në
Boston, shtator 1997 me një dëshirë të mirë që studentët shqiptarë nëpër universitetet
islamike të mos radikalizoheshin, por ata mjerisht siç ishin përgatitur ashtu dhe
vazhduan, duke u përpjekur me çdo kusht e çdo mënyrë të ndikonin tek shqiptarët
myslimanë me qëllim për ti përdorur ata për programet e tyre ekstremiste. U përqendruan
se pari me propaganda fetare, duke treguar gjoja epërsinë e një kodi fetar mbi
një tjetër, pastaj nisen përpjekjet për
rrënimin moral të figurave që përbejnë themelet e kombit shqiptar. Bënë atë që
bëjnë ndërtuesit kur duan të rrënojnë një shtëpi e të ngrenë një tjetër, pra të shembin shtetin shqiptar laik e të ndërtojnë
një shtet fetar islamik radikal, e për këtë u hodhën edhe në rrënimin e historisë.
Përfituan nga ideja se historia e krijuar në kohën e monizmit ishte manipuluar
dhe duhej një histori e re sepse, sipas ekstremistëve turko-osmanët, nuk kanë
qenë pushtues por shpëtimtarë të Shqipërisë e të shqiptarëve. Pra vrasësin e
paraqesin si shpëtimtar dhe pushtimin Osman pesë shekullor e konsiderojnë si një
lumturi e madhe e pa rrëfyer më parë dhe këtë ua paska fshehur shteti shqiptar.
Në avancim të ideve të tyre për ndërtimin e Shqipërisë Kalifat, sulmuan me
të gjitha mjetet e propagandës Gjergj Kastriotin, gur themelin e kombit
shqiptar. Pastaj nisën të merren me figura të tjera përfaqësuese që e ngrenë
prestigjin e shqiptarëve në botë, Nënë Terezën, Ismail Kadarenë dhe e zgjeruan objektivin e sulmeve me Ded Gjo
Lulin, Luigj Gurakuqin, Idriz Seferin e tjerë. Duke përdorur mjete teknologjike
bashkëkohore arritën të përhapin idetë e tyre shkatërrimtare nëpërmjet rrjetave
elektronike, por përfituan nga tolerance e tepruar e disa kanaleve televizive të
Tiranës që u lanë hapësirë për propaganda antikombëtare këtyre kasnecëve të
neo-osmanizmit turko-arab. Duke përfituar nga zhgrehja e apatia e Akademisë së
Shkencave të Tiranës që ka rënë në duart e ca njerëzve të paaftë e karrieristë,
në media e kudo nuk harruan ta ngrinin lart një figurë ndër më të urryerat në
historinë e kombit shqiptar, Esat Toptani, të cilin e kanë pudrosur zellshëm edhe
gazetarë në ekranet televizive apo duke botuar libra me qëllim për ta rehabilituar,
ndërkohë duke denigruar djaloshin trim shqiptar Avni Rustemi.
Në këto rrethana, ajo që ndodhi në sheshin qëndror në Tiranë me monumentin
e Gjergj Kastriotit, ngjarje të cilën kërkojnë ta minimizojnë pushtetarët
përgjegjës për këtë kryeskandal, nuk është gjë tjetër veç qershia mbi tortë e ekstremistëve
fundamentalist islamikë, që arritën të influencojnë edhe mbi drejtuesit e komunitetin
shqiptar mysliman, të cilët të paktën në një ditë u bënë palë me ekstremistet.
Edhe dalje e një figure hierarkike të komunitetit mysliman në Tiranë, duke i kërkuar
falje e ndjesë komunitetit katolik për çfarë ndodhi turpësisht me shtatoren e
Gjergj Kastriotit, është pjesë e provokimeve djallëzore sepse Gjergj Kastrioti
nuk është figurë vetëm e komunitetit shqiptar katolik, por ai është heroi kombëtar
i të gjithë shqiptarëve kudo ku ndodhën në botë duke përfshirë dhe shqiptarët
mysliman, ortodoksë, evangjelistë dhe
ateistë. Nuk e dimë sa në këtë ndjesë të dalë boje ka dorë djallëzia apo është
e gjithë mosdija, niveli mediokër i oratorit, dhe mungesë e intuitës kombëtare.
Nuk është tepër herët për të thënë se si do të jenë rrjedhimet e deri ku na
çon kjo rrugë revanshesh të fanatizmit fetar, për më tepër edhe të vrullit që
kanë marrë hordhitë e neo-osmanizmit në trojet shqiptare. Nuk është tepër herët
për të venë alarmin që ti pritet rruga mizorisë ogurzezë të fanatizmit fetar. Mendjelehtësia,
anashkalimi, duke u fshehur pas tolerancave vetëmburrëse, nuk është gjë tjetër veç
një vetëvrasje, të cilën populli shqiptar nuk e meriton se mjaft ka vuajtur
nëpër shekuj.
Prandaj them, se kur flasin e shkruajmë në mbrojtje të identitetit tonë si
shqiptarë, nuk është punë feje por është punë kombi dhe atdheu.
Shtator 1997-2017