27 October 2024

🔵 Eleni Vulgari-Golema- heroina e burgjeve të Juntes Ushtarake Greke / nga K.P. Traboini




ELENI VULGARI - GOLEMA
Nëna greke në Athinë që me përcolli në Amerikë me lot në sy - si zbulova tek ajo, pas 30 vjetësh, heroinën e burgjeve të Juntës Ushtarake Greke. 

Nga K. P. TRABOINI

Duhet pranuar se pa ndihmën e Eleni dhe Babi Golemes gazeta “Egnatia” nuk do të botohej kurrë. Pse e them ketë? Sepse askush në Athinë nuk mori përsipër të bënte trajtimin kompjuterik, formatimin e faqosjen e gazetës edhe kundrejt pagesës që në fund të fundit ishin ata që e vendosnin. Grekët kanë tjetër sistem alfabetik, cirilik, që krejt ndryshe nga gjuha shqipe që është mbështetur në shenjat grafike të alfabetit latin. Mund të ishin edhe shkaqe të tjera që më pengonin, por me ndërmjetësimin e shkrimtarit minoritar Spiro Xhai, ishte vetëm ky çift bashkëshortësh që më hapën derën, me pritën me ngrohtësi e më thanë se do bëjmë të pamundurën dhe gazetën e emigrantëve shqiptarë do ta botojmë. Kisha rënë në njerëz të mirë tek të cilët në ato tre vjet që u gjenda e punova aty për gazetën shqipe, u ndjeva gjithmonë mirë. Me kishte thënë Spiro Xhai se kishin qenë të dy të burgosur politike në kohën e Juntës Ushtarake. Se për jetën e tyre në burg ishte bërë një film artistik. Nuk i kisha pyetur se nuk doja t’u lëndoja plagët e vjetra. Por një herë kur po punoja me Dinen, më vjen zonja Eleni Golema e më thotë, eja se do të them diçka se je gazetar. Shkova pas saj dhe u futëm në zyrën e pronarëve. Aty ishte Babi me një djalë te ri elegant e simpatik, me flokë të gjata siç ishte në mode në vitet 90. Ky është djali ynë, më tha zonja Eleni. Ky ka lindur në burg kur kemi qenë të dy të burgosur politikë burg. Dhe ndërkohë që i dhashë dorën djalit të tyre, zonja Eleni vazhdoi, është student në Universitet. Babi Golemas i qeshnin sytë me krenari. Djali i tyre lindur në burg ishte drita e syve të tyre.
Nga fundi i Korrikut 1995, kur preva biletën e avionit që familjarisht të shkonim në Amerikë, në qytetin Filadelfia, nuk mund të rrija pa shkuar e takuar edhe çiftin Golema. Më kishin bërë një surprizë. Nuk e mendoja kurrë se do të ndodhte ashtu. Në një nga dhomat kishin vendosur një tavolinë të madhe e mbi të torta, biskota, ëmbëlsira të ndryshme. Erdhën të gjitha vajzat e gratë që punonin në kompjutera. Foli Babi Golema, foli dhe zonja Eleni. I përshëndeta dhe unë. Më thanë se ti do të ikësh në Amerikë, por mos na harro, eja ndonjëherë të na takosh. Eleni Golema me lot në sy më përqafoi e më tha se të kemi si djalin tonë, u mësuam me ty.
Ishte fat i madh që i njoha, por jo vetëm për gazetën, por për cilësitë njerëzore që kishin. Isha ndarë një ditë më parë edhe me pronarin e kompanisë Medit AE, Llazaros Dukaqis, që pasi merrte fonde nga Brukseli për emigrantet e huaj ndihmonte nga pak botimin e gazetës, por ndarja me të ishte e ftohtë.
Është e natyrshme që pas vitesh nga dëshira për të mësuar për njerëzit që kam njohur të kërkoja njoftime mbi ata. Tanimë kushtet janë e çdo kush e ka një kompjuter e celular me të cilët mund të informohet për çdo gjë në botë. Ndër këto kërkime, për mua, ato të Greqisë janë më të rëndësishmet. Në këto kërkime me emrin Eleni Golema, gjeta një njoftim të vjetër. Një letër që ajo i drejtonte opinionit publik grek dhe botëror ndërkohë që ishte e burgosur politike në burgun e Koridalos. Gazeta që botohej në Kanada, sepse Greqia ishte nën sundimin e Juntës Ushtarake, mbante datën 28 prill 1972.
Zonja Eleni, ajo grua me shpirt të madh shkruante në atë letër për fatin e saj, çfarë unë nuk do ta kisha mësuar kurrë nëse nuk do të gjendej faqja e kësaj gazete shkruar në anglisht. Zonja Eleni me mbiemrin e vajzërisë Vulgaris, ishte e bija e një mësuesi, me baba atdhetar demokrat të pushkatuar nga hitlerianët, me një nënë stoike, që e burgosën politikisht dhe katër vajzat e saj jetime e të mitura, rriteshin nga gjyshja. Kur Eleni ishte gjimnaziste e kishin arrestuar dhe kur i kishin kërkuar të hiqte dore nga idetë demokratike i kishte kundërshtuar sepse ishin idetë e babait që ja kishin ekzekutuar pushtuesit hitlerianë.
Elenit ju dha një dënim absurd vetëm pse burri i motrës se saj Nikos Genas një revolucionar ky i dënuar pesë herë me vdekje, në vitin 1954 kishte hyre ilegalisht në Greqi dhe ishte strehuar ca kohë në familjen e gruas, qe ishte e motra e Elenit. Vetë Nikos Genas u arrestua dhe u burgos bashkë me të gjithë pjesëtarët e familjes Vulgaris. Edhe pse i dënuar pesë herë me vdekje, doli amnistia e presidentit dhe ai ishte i lirë, pikërisht në këtë kohë, gusht 1966, arrestohet Eleni dhe për këtë ngjarje të kaluar ku ajo nuk kishte asnjë përgjegjësi, dënohet me 10 vjet burg, ngjarje që bëri bujë në Europë dhe për te cilën ndërhyri Amnesty International.
E mora këtë letër, e përktheva dhe tani po e vendos ndër kujtimet e mia për kohën e qëndrimit në Greqi. Kisha parë tek Eleni mirësinë, shpirtin e bukur e zemrën e pastër të një nëne, por nuk mund ta mendoja kurrë se ajo ishte dhe një heroinë që përballej sypatrembur me regjimin diktatorial të Juntës Ushtarake.


LETËR NGA BURGU
Një nëne greke kërkon drejtësi botuar anglisht më 28 prill 1972

Thirrja për drejtësi nga Elena Voulgari-Golema, një nga shumë gra të burgosura politike të mbajtura në burg nga regjimi i kolonelëve të zinj në Greqi, iu dërgua gazetës nga Lëvizja Sindikale e Bashkuar Greke kundër Diktaturës. Nga Burgu i Koridallos, ku po mbahem e izoluar si e burgosur politike me 15 gra të tjera greke luftëtare për demokraci dhe paqe, i drejtohem opinionit publik grek dhe botëror, organizatave ndërkombëtare, liderëve politikë, intelektualë dhe socialë, ju parashtroj në mënyrë të shkurtër tragjedinë e pabesueshme të familjes sime. U arrestova në gusht të vitit 1966 dhe në tetor të atij viti u dënova nga gjykata ushtarake e Larisës me 10 vjet burg për arsye thjesht politike. Rasti ishte i mbështetur në ngjarjet e 15 vjetëve më parë, rreth vitit 1954, ndërsa unë isha ende studente në shkollë të mesme. “Krimi” im i supozuar ishte se shoqëroja nga Athina në Larisa bashkëshortin e motrës sime, Nikos Genas, në një kohë kur ai persekutohej për veprimtaritë e tij demokratike. Sado e paimagjinueshme që mund të duket, por është në fakt, dënimi im ishte për shkak përgjigjes që i dhashë kryetarit të gjykatës ushtarake, kur ai më pyeti nëse këmbëngulja në bindjet e mia politike. Përgjigja ime ishte: “Nëse gjykohem për idetë e mia, pra për idealet për të cilat pushtuesit nazistë ekzekutuan babanë tim, një patriot i shquar, demokrat dhe edukator, që kaloi vite në birucat e regjimit diktatorial të Metaksasit dhe më në fund i sëmurë rëndë, ishin hitlerianët që e dërguan para një skuadre ekzekutimi, po ju përgjigjem juve me krenari: Po, unë insistoj në ato ideale njerëzore universale”. Kaq mjaftoi që gjykata ushtarake të më dënonte me 10 vjet, pa marrë parasysh faktin se isha në muajin e pestë të shtatzënisë. Kunati im, Nikos Genas, ishte i pranishëm në sallën e Gjykatës Ushtarake, ndërsa unë isha në gjyq. Por ai ishte i lirë sepse “krimi” për të cilin ishte dënuar pesë herë me vdekje është amnistuar. Dhe unë po gjykohesha si bashkëpunëtor në të njëjtin "krim!"
Ky është lloji i drejtësisë që kam marrë. Është e pamundur të përshkruash atë që ka pësuar familja ime e pambrojtur, veçanërisht që nga dita kur hitlerianët ekzekutuan babanë tim. Shtëpia jonë u dogj vazhdimisht si nga gjermanët ashtu edhe nga bandat e tradhtarëve kolaboracionistë që endeshin të shfrenuar nëpër vend. Nëna ime e ve, e cila duhej të rriste katër vajza, jo vetëm që nuk hoqi dorë; ajo vazhdoi veprën patriotike të babait tim, duke nderuar kështu kujtimin e tij.
Shpërblimi i saj ishte tetë vjet të kaluara në burgjet mesjetare dhe po aq në kampet e paraburgimit në ishujt e shkretë. Edhe më vonë, kur mezi mund të ecte, ajo u fut me forcë në një makinë të blinduar dhe u dërgua në ishullin famëkeq të burgut Jura. Për fat të mirë, si rezultat i thirrjeve nacionale dhe ndërkombëtare, ajo sot është e lirë. Guximi i saj i pakrahasueshëm, mirësia, patriotizmi i saj, së bashku me shëmbullin e babait, ndikuan thellë tek unë. Kam një djalë të vogël të lindur në burg dhe tani jeton me nënën time, e cila është vetëm, e moshuar dhe e sëmurë në fshat. Burri im, Babis Golema, është gjithashtu një i burgosur politik në një burg të juntës që vuan një dënim prej 16 vjetësh të vendosur nga gjykata ushtarake në Athinë për veprimtarinë e tij kundër diktaturës. Kërkesat e mia të shumta për drejtësi dhe mëshirë refuzohen gjithmonë nga ata që qeverisin. Unë kërkoj drejtësi, jo mëshirë, nga pushtetarët ushtarakë. Kërkoj lirinë time, të cilës më kanë privuar për rreth gjashtë vjet, në mënyrë të paligjshme. Kërkoj t'i jepet fund krimit të kryer dhe që ende vazhdon kundër meje, ndaj një fëmije të vogël, ndaj gjithë familjes sime, ndaj gjithë grekëve. Kjo tragjedia ime dhe e familjes sime së bashku me mijëra tragjedi të tjera të patriotëve grekë në periudhën e pasluftës, jep një pasqyrë të qartë të vajtjeve dhe torturave që i janë bërë popullit grek si dhe përmbysjen barbare të vlerave morale në tokën tonë. Në vend të ushqimit, patriotëve u është dhënë vrer, ndërsa ata që populli i përbuz, shpërblehen, nderohen dhe sot sundojnë Greqinë. Në vend të bukës, patriotëve u është dhënë vreri ndërsa atyre të cilët populli i përçmon, shpërblehet, nderohet dhe sot sundojnë Greqinë. Unë besoj se burrat e denjë dhe gratë në mbarë botën nuk mund të qëndrojnë të heshtura përballë krimeve të tilla politike. Ata duhet të ngrenë zërin më ashpër duke kërkuar t'i jepet fund vuajtjeve dhe persekutimit të burgosurve politikë në Greqi. Më në fund është koha për t'i dhënë fund kalvarit të tyre nëpërmjet dhënies së një amnistie të përgjithshme politike, e cila përbën gjithashtu një parakusht për rivendosjen e demokracisë në vendin ku ajo lindi.


Letra është publikuar nga Shoqata Botuese “Fisherman”.
138 East Cordova Street, Vancouver 4, Вritish Columbia, Canada. 

 

 
Shkrimi që paraqesim është pjesë e kujtimeve të mia si emigrant në Greqi, që po përgatis për ti botuar në një libër.